• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, Katër muaj Pas Zgjedhjeve, pa Qeveri të re

January 28, 2020 by dgreca

-Ambasadat e Quint-it – Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët sot theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat e partive për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës: “Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”/

-Në 20 Janar 2020 kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është dekretuar kandidat për Kryeministër. Ka mbeteur vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës/

-Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, ndërsa, në pikën 4 përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 28 Janar 2020/ Ambasadat në Kosovë të shteteve të Quint-it në një deklaratë dërguar sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat për krjimin e Qeverisë së re të Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.

Deklarata nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara është kjo:

“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ‘Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës’. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës.”

Qeveria e re e Kosovës ende nuk u formua edhe pse po kalon edhe muaji i katërt pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 dhe kaluan dy muaj nga certifikimi i rezultateve të tyre në 27 Nëntor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kaloi më shumë se një muaj nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbajtur në 26 Dhjetor.

Në ambinetet e Kuvendit të Kosovës po mbahet sot edhe një takim tjetër ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në negociatat për bashkëqeverisje të kryetarëve të partive Albin Kurti i LVV dhe Isa Mustafa i LDK, si dhe përfaqësuesve të tjerë.

Pas takimit të djeshëm Lëvizja Vetëvendosje njoftonte: “Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës njoftonte: “Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim Qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës sipas deklaratave do jenë në opozitë pasi kishin këtë rezultat në zgjedhje: PDK me 21.234% të votave ka 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor kanë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në Qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në Qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar. Në Qeverinë e kaluar të Kosovës komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër.

Në 26 Dhjetor 2019 një zhvillim i papritur ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i papritur  në Kuvend në 26 Dhjetor 2019 e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.

Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër.

Në 20 Janar 2020 Lëvizja Vetëvendosje në një letër dërguar Presidentit Hashim Thaçi e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë së Kosovës.

Më pas po atë ditë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi:

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”

Pas ditës së sotme mbetet vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.

Ndërsa, në pikën 4 të po këtij neni të Kushtetutës përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-4 muaj pas zgjedhjeve-pa qeveri

MBRONI LIRINË E MEDIAS, TË NDERUAR AMBASADORË!

January 27, 2020 by dgreca

“Liria e shtypit është një prej mbrojtjeve më të mëdha të lirisë dhe nuk mund të kufizohet kurrë veç se nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson)/
 
Nga Frank Shkreli/
 
Si një shqiptaro-amerikan dhe besoj se edhe komuniteti shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi, jemi të kënaqur që ambasada e jonë në Tiranë ka tashti një ambasadore fuqi-plote, pas një mungese të gjatë.  Sipas një njoftimi në faqen elektronike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ambasadorja e re, Yuri Kim dje në mëngjes paraqiti letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta, si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.  Ambasadorja Kim u shpreh se, “Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
 
Ambasadores së re i urojmë sukesese dhe këmbë të mbarë në detyrën e re në Atdheun e të parëve tonë.  (Më poshtë po sjell fjalimin e parë dhe të plotë të përfaqsueses së re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë), por, fillimisht deshta që përveç urimit më të sinqert për sukses, për ambasadoren personalisht, por mbi të gjitha, nepërmjet punës së saj, për të mirën e Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Amerikan.
Nuk dëshiroj të jap ndonjë këshillë sepse kjo nuk është detyra ime as nuk jam në gjëndje të jap këshilla, por dua që me këtë rast të përcjell një porosi për Ambasadoren e re amerikane, por edhe për përfaqsuesin e Bashkimit Evropian dhe për të gjithë ambasadorët e vendeve demokratike perëndimore në kryeqytetin shqiptar.  Jam i sigurt, Zonja Ambasadore se deri tani keni marrë informacione të hollësishme mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipërinë tonë, me shumë probleme e halle.  Nuk dua të futem në diskutimin e shumë problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, pasi gjatë viteve jamë munduar, në atë mundësinë teme dhe në mënyrën më modeste t’i vejë në dukje telashet e mëdha të shoqërisë shqiptare, të pakën nga një përspektivë e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Shqipërinë dhe shqiptarët me gjithë zemër, por që adhuron njëkohësisht edhe vendin ku kemi gjetur strehimin tonë – në ditët tona më të vështira – Shtetet e Bashkuara të Amerikës– dhe ku gëzojmë të gjitha të drejtat bazë të njeriut, pa përjashtim, përfshir lirinë e plotë të fjalës.
 
E nderuara ambasadorja jonë, unë kam pas fatin që gjatë viteve të kem qenë here pjesëmarrës e herë vërejtës i zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej vitit 1991 e këtej, por edhe më përpara.  Kam pasur privilegjin e veçantë të një shqiptaro-amerikani që në vitin 1991 të isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri mars/prill të atij viti.  Delegacionit, i cili nënë rrethana shumë të vështira të asaj kohe – pas pothuaj 50-vjetësh — hodhi themelet e marrëdhënieve të reja midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan –kur siç u shprehet edhe ju dje në fjalimin e parë në detyrën e re, atëherë kur, “Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjët e komunizmit dhe të diktaturës.  Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.”
 
E vërteta është se shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, ç’prej diktaturës dhe komunizmit.  Pa dashur të flas për sukseset por sidomos për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët, dua që të theksoj një subjekt, për të cilin jam munduar shpesh, gjatë viteve, ta sjell në vëmëndjen e atyre që mund të bëjnë diçka për ta përmirësuar, në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, përfshir Konventën e të drejtave universale të Kombeve të Bashkuara.  Kauza ime është liria e shtypit dhe fjala e lirë, në përgjithësi e në Shqpëri dhe në Kosovë, në veçanti.  Shpresoj që të jetë një ndër çështjet më me rëndësi në listën e problemeve me të cilat do merresh në muajt dhe vitet e ardhëshme në punën tuaj fisnike në Shqipëri.  Si rrjedhim, uroj që lirinë e medies dhe të fjalës së lirë në Shqipëri, ta merrni si një prej çështjeve më kryesore që do të promovoni në atë vend, jo vetëm prapa dyzerve të mbyllura, por edhe publikisht dhe pa hesitim.
 
Jam i sigurt se jeni në dijeni se liria e shtypit në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në nivelin që do e dëshironim ne shqiptaro-amerikanët dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë këtyre 30-viteve post komunizëm. Por viti i kaluar kishte shënuar, veçanërisht, një pikë të zezë për lirinë e medias dhe të shprehurit në Shqipëri.  Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro, “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është.  Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri, e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë, është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që nëqoftse vërtetë hyn në fuqi, është në kundërshtim të plotë me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, si dhe në mos përputhje absolute edhe me konventat dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.
E nderuara Zonja ambasadore. 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, liria e vërtetë e fjalës në Shqipëri është, fatkeqsisht, e mbërthyer në një luftë të ashpër për mbijetesë me disa përfaqsues të kastës së vjetër komuniste, të cilët fatkeqsisht, ende edhe sot 30-vjet gjoja post-komunizëm, ushtrojnë influencë të dukshme në politikën shqiptare dhe në zhvillimin e punëve në Shqipëri, në përgjithësi. Kërcënimet nga kjo klasë politike ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, gjatë tre dekadave të fundit, kanë hasur kryesisht, në heshtje nga ambasadat e vendeve demokratike dhe nga përfaqsuesit e tyre përendimorë.  Liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri — një vend që aktualisht kryeson Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë — ka nevojë për ndihmën tuaj dhe të kolegëve tuaj ambasadorë të Evropës Përëndimore në Tiranë.  Në takimet e para në Tiranë, Ambasadorja Yuri Kim është takuar është takuar edhe me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në kryeqytetin shqiptar, Luigi Soreca, i cili i urojë diplomates amerikane mirëseardhjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkpunim, “Për të vazhduar partneritetin themelor BE-Sh.B.A në Shqipëri, në veçanti në kontekstin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. 2020 është një vit vendimtar për perspektivën evropiane të Shqipërisë”.
                    

Të gjithë e dimë se përspektiva e Shqipërisë për integrimet evropiane është një mundësi shumë e zbehtë, me ligje si ai “anti-shpifje” kundër lirisë së vërtetë të medies, ligj ky i propozuar nga qeveria e Kryeminsitrit Rama dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.  Të na kishte thënë dikush në mars/prill të vitit 1991 – 30-vjetë pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore — se në vitin 2020 Shqipëria do i shpallte luftë, me ligj, lirisë së medias dhe se do të detyroheshim të mbronim lirinë e fjalës në atë vend, nuk do e kishim besuar kurrë, kur merr parasysh të kaluarën e egër komuniste në Shqipëri.
 
Liria e fjalës, të nderuar ambasadorë, nuk është një çështje që duhet të bisedohet vetëm prapa skenave me pushtetarët shqiptarë, por u duhet thënë troç dhe pa dorëza, se “paketa anti-shpifje” e qeverisë shqiptare është në kundërshtim të plot me të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.  Si e tillë ajo është e papranueshme për një vend demokratik dhe duhet të anullohet menjëherë!  Të nderuar ambasadorë, duhet të bindni Kryeministrin Rama të tërheq “paketën anti-shpifje”, nëqoftse dëshironi të bindni shqiptarët – të cilët të zhgënjyer me këtë klasë politike po largohen masivisht nga vendi — se ju me të vërtetë qëndroni me ta, “Jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë”, siç u shpreh ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.   Kjo është thirrja dhe porosia e këtij shqiptaro-amerikani, duke i uruar asaj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në detyrën e saj të re në Tiranë.


Filed Under: Analiza Tagged With: ambasadore, Frank shkreli, Mbroni lirinë

Nexhmie Hoxha – kjo idhujtare e madhe

January 25, 2020 by dgreca

                                        Shkruan-  ILIR HASHORVA-New York/

         Po të vish nga një planet tjetër, pa ditur se ç’është bërë në këtë vend, dhe të lexosh shkrimet apo librat e Nexhmie Hoxhës, nuk mund të mos habitesh e as të kursesh lavdërimet për kujtesën e saj të saktë, për shqipen e pastër që përdor dhe për mënyrën e rrjedhshme e të saktë të tregimit të ngjarjeve. Nga ana tjetër, po të jesh një shqiptar që ke jetuar në Shqipëri në kohën e komunizmit dhe të dish se ç’i kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve Enver Hoxha e Nexhmie Hoxha, nuk mund të mos mendosh se ajo, me ato që shkruan, ose është një hipokrite e plotë, ose është një idhujtare e madhe, së cilës nuk i funksionon një pjesë e trurit, gjysma e tij, ajo gjysmë që ka të bëjë me logjikën dhe me të kuptuarit e ngjarjeve. Unë besoj më shumë se është kjo e dyta që ka të bëjë me një çrregullim tipik psikik i atyre që vuajnë nga idhujtaria e skajshme e që kanë krijuar varësi prej idhullit të tyre. 

        Nexhmia ka një idhull. Ai është Enver Hoxha dhe partia e tij dhe pas tyre, për të, nuk ekziston asgjë tjetër. Enver Hoxha zëvendëson për të Zotin e besimtarëve, atë që është absolutisht i mirë, që është i kudondodhur, që është i pavdekshëm, që është i dashur dhe i mëshirshëm me të “mirët” dhe i keq dhe i pamëshirshëm me të “këqijtë”, me “armiqtë”, me atë që, edhe kur “duket” sikur bën keq, bën mirë, i cili vetëm mund të lëvdohet dhe në asnjë mënyrë e për asgjë nuk mund të kritikohet.

Idhujt janë të shumëllojshme. Idhull mund të jetë një person, një ide, paraja, partia, feja, droga, alkooli, suksesi, pasuria, një skuadër sportive apo një sportist, moda, veshja, një artist etj, por idhujtaria politike që fokusohet te një person i politikës, është më shqetësuesja. Kjo idhujtari është universale, ajo nuk është karakteristikë e një populli, e një shoqërie, e një kulture, apo e një stadi zhvillimi. Shekulli i njëzetë qe i mbushur me shfaqje ekstreme të kësaj idhujtarie në shumë popuj e vende. Regjimet totalitare kërkojnë që njeriu t’u bindet plotësisht politikave dhe udhëheqësve diktatorëve të regjimit: perëndive të rreme, perëndive imagjinare, dhe ka plot nga ata që u binden verbërisht dhe krijojnë varësi nga këta diktatorë. 

Idhujtaria është një sëmundje e rëndë e trurit e cila, sidomos, kur është në sferën e politikës, të heq individualitetin dhe personalitetin, të heq gjykimin e pavarur, të bën servil dhe puthadorë, të bën vegël qorre të idhullit. Idhujtaria ta dembelos apo ta heq fare logjikën. Të gjithë fanatikët apo militantët e partive janë, në njëfarë mase, idhujtarë të partisë apo udhëheqësit të saj dhe të gjithë atyre u mungon aftësia për të shikuar më gjerë se partia e tyre.

Ndër përpjekjet e para që bëri njeriu për t’u përsosur, ishte lufta e tij kundër idhujve të rremë. Në faqet e para të Biblës, tek “Testamenti i Vjetër,” flitet pikërisht për këtë. Ishte Moisiu që luftoi idhujtaritë e ndryshme për të lenë vetëm një idhujtari, idhujtarinë ndaj Zotit. 

Moisiu nuk u përpoq ta zhdukte idhujtarinë, por e drejtoi atë jo më nga sende apo qenie frymore a jo frymore të perëndizuara, nga demagogë e sharlatanë, nga gënjeshtarë e marifetqarë, nga diktatorë e kriminelë, por nga një qenie imagjinare, krejt e përkryer: nga Zoti. 

Në urdhëresën e tretë që Zoti i jep njerëzimit përmes Moisiut thuhet: “Nuk duhet të bësh idhull (Zot) imazhin apo një të ngjashëm me të që ndodhet në qiell sipër, në tokë poshtë apo në ujë.”  Kjo urdhëresë ndalon të gjitha format e përuljes idhujtare. Kjo i përjashton udhëheqësit njerëzorë nga statusi i Zotit dhe nga bindja e pakushtëzuar ndaj tyre.

Gandi luftën kundër idhujtarisë dhe pasjen e një mendimi të gjerë e të pavarur e shprehte ndryshe. Ai thoshte: “Dëgjoni dhe bindjuni vetëm zërit tuaj të brendshëm, vetes tuaj, ndërgjegjes tuaj, shpirtit tuaj, logjikës tuaj” por, e keqja është se idhujtarit i mungon zëri i  brendshëm,  ai ka vetëm zërin e jashtëm, atë të idhullit. 

Një njeri që dëgjon zërin e tij të brendshëm ka personalitetin e tij, ndërsa një idhujtari, personalitetin ia krijon idhulli. Nazisti Himler thoshte se vetëdija e tij ishte Hitleri, ndërsa ministri nazist i Propagandës, Gëbelsi, ndonëse ishte një njeri shumë i ngritur, bashkë me gruan, menjëherë pas vetëvrasjes së Hitlerit, vranë edhe ata veten dhe të gjashtë fëmijët e tyre, sepse për ta “jeta nuk kishte më kuptim në një botë pa Fyrerin”, pa idhullin e tyre.

Gjatë komunizmit, Enver Hoxha ishte idhull për shumë persona dhe sot e keqja është se ajo frymë e idhujtarisë ndaj udhëheqësit, ndaj politikanit, ndaj VIP-it, e pranimit të tyre pa kushte, sido që të jenë dhe çfarëdo që të bëjnë, është ende e gjallë. Idhujtarë të tillë as nuk duan të dinë e as nuk duan të dëgjojnë për gjë tjetër përveç atyre që kanë të bëjnë me idhullin e tyre. Ata mbeten krejt të njëanshëm.

            E, pra, për ato që thotë, Nexhmia për Enverin dhe partinë e tij mendoj se është e pavetëdijshme, ato asaj ia thotë idhulli, ajo nuk është në gjendje të gjykojë dhe të analizojë, nuk është në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja, inteligjenca e saj është selektive, ajo punon vetëm në drejtime të caktuara, të tjerat ia ka bllokuar idhulli. Asaj nuk i bëjnë përshtypje fare ato që kanë pësuar të tjerët prej burrit të saj dhe prej regjimit që vendosi ai, ajo nuk gënjen, por nuk e kupton që burri i saj ishte një kriminel, dhe jo një kriminel dosido, por krimineli shqiptar më i madh që njeh historia jonë, ishte ai që vrau, burgosi, internoi e persekutoi dhjetëra mijëra shqiptarë. 

        Ndërsa sistemit që krijoi i shoqi i saj filloi të mos i mbanin më gjunjët dhe shqiptarët krijuan skena biblike, për t’u larguar nga sytë këmbët nga socializmit “fitimtar” drejt perëndimit kapitalist “dekadent”, Nexhmia flet për ruajtjen e fitoreve të socializmit!

        Ajo tmerrohet dhe i quan barbarë e primitivë ata që zhvarrosën burrin e saj, një kriminel mostër, nga varrezat e dëshmorëve, edhe pse ai nuk kishte vdekur në luftë, por nuk arrin të mendojë se si duhen quajtur ata, që hodhën në erë me dinamit, pa ardhur ende në pushtet, varrin e një gruaje që s’kishte bërë asgjë, që s’kishte luajtur asnjë rol në politikën shqiptare, përveçse që ishte nëna e mbretit të Shqipërisë; ata që hodhën në lumë eshtrat e poetit kombëtar Gjergj Fishtës; ata që lanë pa varre ata mijëra që vranë kot apo i vdiqën nëpër burgje, të cilëve dhe tashti nuk u gjenden dot eshtrat. 

        Ajo flet e tmerruar, por sillet si kokoroçe që, për ta shpëtuar nga zemërimi i popullit që mund ta kishte copëtuar në kohën e përmbysjes së madhe, e transferuan, për ta shpëtuar atë dhe familjen e saj, nga një shtëpi luksi në Tiranë për në një tjetër shtëpi luksi në Dajt. Ajo i thotë një oficeri që ishte ngarkuar për sistemimin e saj: 

        “Ç’keni vendosur për ne? Jeni ju në dijeni se çfarë ndodhi rreth shtëpisë sonë? Jam vetë e pesëmbëdhjeta, bashkë me shtatë të vegjlit dhe këtu s’mund të rrimë. Ku mund të shkojmë?”. Pas njëfarë hezitimi të oficerit, ajo vazhdon: “Mirë, … shko u thuaj përgjegjësve të tu që të vendosin ku duhet të shkojmë sonte dhe të marrin masa!”.   

Pasi u morën masat, ajo vazhdon: “Sa ra muzgu i mbrëmjes, erdhën te hyrja e Shtëpisë së Partisë dy kamionë të mëdhenj ushtarakë “Ifa” dhe një xhips “Aro”. Më thanë që në kamionin e mesit do të hipte e gjithë familja dhe dy makinat e tjera do të na shoqëronin, një para, tjetra prapa. Unë vendosa të mos grumbullohej e gjithë familja në një kamion, por në kamionin e parë të futej Iliri me familjen e tij, tek i fundit, Pranvera me Klemin dhe fëmijët, dhe tek kamioni i mesit, unë me Sanon dhe familja e Sokolit. Po kështu, skuadra shoqëruese e ushtarëve, e armatosur me automatikë, u nda në të tre makinat dhe u thashë që këta të ecnin me distancë nga njëri-tjetri, por pa u shkëputur…. Kamionët ecnin ngadalë, sepse rruga për në Dajt është me shumë kthesa dhe ishte natë e kishte rënë dëborë. Ata nuk mundën të ngjiten deri te vila. Ushtarët e repartit të vendosur në atë zonë kishin hapur një rrugë këmbësore në mes të dëborës, e cila, anash rrugës, arrinte më shumë se gjysmë metri. Aty ecëm më këmbë, në mes të ftohtit derisa arritëm te shtëpia.

            Kur Nexhmia tregonte “vuajtjet” e saj kur e çuan në vilën luksoze të Dajtit, mua m’u kujtuan menjëherë historitë e disa prej dhjetëra mijëra të internuarve të kohës së saj që i nxirrnin nga shtëpitë, i rrasnin në kamionë dhe i çonin me pleq e me foshnje në vende që s’kishin asnjë lidhje me ta dhe, mes tyre, m’u kujtua historia e familjes Petrela.

            Fadil Petrelën, së bashku me të shoqen Xhumen, bijën e Abaz Kupit, me nënë e tij, Alien, me motrën, Kajen dhe me katër djemtë e tij, më i madhi 11 vjeç dhe më i vogli 1 vjeç, në dimër, i urdhëruan të shkonin diku pranë Selvisë. Aty i hipën në një kamion të Ministrisë së Brendshme dhe i nisën për në internim, fillimisht në Berat dhe disa muaj më pas, së bashku me shumë familje të tjera, për në kampin e Tepelenës. 

            Në një kthesë, pa arritur në Tepelenë, njëri nga kamionët u përmbys dhe prindërit, Fadil e Xhuma Petrela, humbën jetën. Fëmijët shpëtuan mrekullisht. Më i vogli i djemve, Seiti, u gjend i gjallë mes ferrave. E ëma e kishte lëshuar kur makina po përmbysej, që të mos e mbyste me peshën e saj. 26 të tjerë nga të internuarit ishin dëmtuar rëndë.

Sipas Seitit, që rrëfen atë që dëgjoi nga vëllezërit e tij më të rritur “varret u hapën me kapakë tenxheresh” dhe dy kryefamiljarët u lanë atje, buzë rrugës, ndërkohë që kamioni vijoi për në Tepelenë, për të dorëzuar në kamp 4 jetimët e mitur, hallë Kajen, 24 vjeçe që, e traumatizuar nga tragjedia, pësoi krizë nervore, gjyshen e gjymtuar në shtyllën kurrizore dhe të 26 të internuarit e tjerë, të gjithë të plagosur. 

Megjithëkëtë fatkeqësi që pësoi kjo familje, kriminelët e kuq të Nexhmies, të katër të miturit, këta “armiq të popullit”, midis tyre edhe Seitin, foshnjën 1-vjeçare, i mbyllën në internim në kampin e Tepelenës. A nuk mund të mos e tronditin njeriun ngjarje të tilla? Por, Nexhmies këto histori nuk i bëjnë përshtypje, ato nuk ia ngacmojnë vetëdijen dhe, edhe në ka dëgjuar ndonjëherë për ngjarje të tilla, i ka harruar në çast.

Nuk mund të mos kujtoj, po ashtu, edhe një ngjarje tjetër internimi që ndodhi fare pak para përmbysjes së madhe që, pa asnjë shkak, internuan në tre vende të ndryshme dajën e gruas sime së bashku me të shoqen, Eshref e Lejla Beshirin, të dy të moshuar, vajzën e tyre, Aidën, që sapo ishte bërë nënë, si dhe djalin e xhaxhait tjetër, Rubinin. Kur po e çonin në “vendbanimin e ri”, së bashku me foshnjën 40-ditëshe, Aida, pyeti policin që e shoqëronte në kamion se përse po e internonin. Polici iu përgjigj: “Ça ke bo, mos bo mo”. Edhe sot e kësaj dite, ata nuk dinë se përse i internuan.

Gjithashtu, kujtoj me dhimbje internimin, pa asnjë shkak, në moshë të thyer dhe vdekja në internim, e mikut të shtëpisë sonë, anëtarit të Misionit të Posaçëm për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, të profesorit me origjinë kosovare, Jonuz Blakçorit.

        Disa e kritikojnë apo e këshillojnë Nexhmien që të kërkojë falje. Kot e kanë. Ajo nuk është si shumë të tjerë që e kuptojnë fare mirë se ç’kanë bërë, por as sedra nuk i lejon dhe as kanë ndonjë detyrim a frikë nga jashtë për të kërkuar ndjesë, ajo është si pak të tjerë që nuk mund të kërkojë ndjesë, sepse ajo vërtet nuk kupton fare se ato që ka bërë i shoqi i saj, partia e tij dhe ajo vetë janë makabritete. Ajo është e papërgjegjshme.                  

Nju Jork, Janar 2020  

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva-Nexhmije Hoxha-idhujtare

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

Dy javë kohë për Albin Kurtin pas Dekretit të Presidentit…

January 21, 2020 by dgreca

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat prej dy javësh që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, kryeministër i së cilës do të ishte ai ose në të kundërtën, mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Pas propozimit të Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të ri të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe dekretimit të këtij propozimi nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, të hënën, ka nisur rrjedhja e afatit të parë ligjor prej 15 ditësh, për krijimin e qeverisë së re të vendit.

Thaci shkroi ne fb: Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. HTH

Marrë parasysh tentativat e deritashme të pasuksesshme për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë dy javëve të ardhshme priten skenarë të ndryshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendi t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që gjatë 15 ditëve të ardhshme, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të synojnë sërish që të konkretizojnë një marrëveshje për koalicion qeverisës. Në të kundërtën, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë një qeveri të pakicës nga ana e saj, me shpresën që t’i marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës për të nisur mandatin qeverisës.

“Nëse brenda këtyre 15 ditëve nuk e kemi një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për një koalicion dhe e dyta, ku qeveria Kurti, e pakicës, nuk do t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, atëherë shkojmë të skenari i tretë. Ky ka të bëjë me mandatarin e dytë, që e parasheh Kushtetuta e Kosovës, në kuadër të së cilës i mbetet një rol më aktiv dhe më i përfshirë i presidentit të Republikës, ku me anë të Kushtetutës do t’i jepet mandati partisë, të cilën e vlerëson presidenti i vendit se do të mund të formojë qeverinë”, ka thënë Krasniqi.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti-Presidenti Thaci- 2 Jave kohe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 401
  • 402
  • 403
  • 404
  • 405
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT