Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka afat prej dy javësh që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, kryeministër i së cilës do të ishte ai ose në të kundërtën, mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Pas propozimit të Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të ri të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe dekretimit të këtij propozimi nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilin ky i fundit e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës, të hënën, ka nisur rrjedhja e afatit të parë ligjor prej 15 ditësh, për krijimin e qeverisë së re të vendit.
Thaci shkroi ne fb: Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. HTH
Marrë parasysh tentativat e deritashme të pasuksesshme për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë dy javëve të ardhshme priten skenarë të ndryshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që vendi t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që gjatë 15 ditëve të ardhshme, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të synojnë sërish që të konkretizojnë një marrëveshje për koalicion qeverisës. Në të kundërtën, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë një qeveri të pakicës nga ana e saj, me shpresën që t’i marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës për të nisur mandatin qeverisës.
“Nëse brenda këtyre 15 ditëve nuk e kemi një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për një koalicion dhe e dyta, ku qeveria Kurti, e pakicës, nuk do t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, atëherë shkojmë të skenari i tretë. Ky ka të bëjë me mandatarin e dytë, që e parasheh Kushtetuta e Kosovës, në kuadër të së cilës i mbetet një rol më aktiv dhe më i përfshirë i presidentit të Republikës, ku me anë të Kushtetutës do t’i jepet mandati partisë, të cilën e vlerëson presidenti i vendit se do të mund të formojë qeverinë”, ka thënë Krasniqi.(Evropa e Lire)