• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fejton: Rënia e Lali Erit ” S’të ka SPAK-u shpirt, s’të ka Rama xhan !

December 9, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi

Një ditë pas shqetësimeve të pafundme, kur të gjithë prisnin një lëvizje të tij, një fotografim i beftë i Erion Veliajt në avionin Hamburg-Tiranë, nën një kasketë të zezë dhe një xhup të madh skiatori, përbënte më shumë se një thashetheme. Ai u përpoq të ishte i padukshëm, duke shmangur çdo kontakt me mediat dhe të gjithë ata që e prisnin me pyetje të prera. Të tjera lajme ishin më të rënda, por kjo ishte vetëm pjesa e parë e një skenari që duket se po përgatitet për Veliajn: ajo që mund të jetë një fund i pashmangshëm, të paktën për karrierën e tij politike.

Atij iu bë sikur gazetarët po këndonin në kor “O lali ‘O lali ç’të gjeti skandali.

Një hetim pasuror që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut të Tiranës është si një gjëmë që e ndjek atë prej muajsh. Rreth një vit më parë, kur skandali 5D shpërtheu, ai kishte ende një mbështetje të fortë nga ata që diktonin ritmet e politikës shqiptare. Por sot, pas çdo kontrolli të BKH-së dhe çdo lajmi të ri që nxjerr në pah lidhjet e tij me figura të dyshimta, situata është shumë më e ndërlikuar. Pas kontrolleve të fundit në shtëpinë e bashkëshortes dhe në zyrat e shoqatës së Ajola Xoxës, spekulimet janë të pafundme, dhe shumë media kanë vënë duar në kokë. 

Vetë Veliaj, në një reagim të vonuar në rrjetin social “X”, ka pranuar se është nën hetim, por ka kërkuar që të mbështetet nga drejtësia, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ky reagim evaziv, i kombinuar me heshtjen e tillë të shumë politikanëve që dikur ishin më afër tij, është një pasqyrë e shkëlqyer e asaj që ndodh pas mureve të Partisë Socialiste. Ajo që dikur ishte një rrugë e hapur drejt një karriere politike të qëndrueshme, tani është kthyer në një labirint të mbushur me dilema dhe frikë.

Deri më tani, SPAK ka heshtur. Hetimet kanë përfshirë disa aspekte të jetës së Veliajt, përfshirë financat e tij dhe ato të familjarëve, si dhe lidhjet e mundshme me disa projekte publike, për të cilat janë ngritur dyshime të forta. Pavarësisht hetimeve që kanë përfshirë emra të njohur të politikës dhe administratës, Veliaj mbetet një figurë në hije. Duket se prokurorët janë treguar më të kujdesshëm me të, duke vonuar çdo veprim konkret, duke e lënë atë të “shijojë” çdo ditë një mundësi për të shpëtuar.

Ndërsa jevgu i lagjes po këndonte “Të ka lali shpirt, të ka Rama xhan.”

Ndërkohë, në terrenin politik, gjithçka ka ndryshuar për Veliajn. Çdo hap i tij është i shoqëruar nga pyetje dhe spekulime: Do të arrijë të dalë nga ky labirint hetimesh dhe të mbrojë karrigen e tij si kryebashkiak, apo do të shndërrohet në një tjetër shembull të pushtetit të pasigurt, që një ditë do të shembet nga kambanat e drejtësisë? Politikanët që dikur e shihnin si një të ardhme të PS-së, tani i janë larguar, duke mos i dhënë mbështetje as në luftën më të ashpër. 

Hetimi pasuror është si një breshëri plumbash që mbulon çdo hap të tij. I përfshirë në projekte të diskutueshme dhe skandale që përfshijnë inceneratorin e Tiranës, 5D-në dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, ai është nën hetim si një peshk që përpiqet të shpëtojë nga rrjetat. Po, nga njëra anë, ka pasur shumë biseda se ‘si do të ndodhë’, nga ana tjetër, për të vërtetën, hetimi është një histori që po vonohet si një episodi i “Game of Thrones”, dhe do të na thotë kur të vijë koha.

Ndër më të njohurit, ku përmendet emri i tij, janë hetimet mbi atë që njihet si afera e inceneratorëve dhe ai ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar kohë më parë në atë që njihet si çështja “5D”. Po ashtu ne hetim janë edhe pasuritë e kryebashkiakut dhe të afërmve të tij. 

Ndërkohë, Veliaj u thirr më 30 prill në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës për çështjen 5D që a s’e di.

Në shtator këtë vit, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei publikoi një shkrim të gjatë që lidhte qendrën Harabel me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës.

Ndërsa fshesaxhia e rrugës po këndonte “Të ka lali shpirt, s’të ka Rama xhan.”

Por kjo heshtje ka të tjera kuptime. Kryeministri Rama, i cili ka qenë si një baba që thotë “E di që ke bërë diçka, por po pres të shoh nëse mund ta ndihmojmë”, është i menduar si një strateg me dy mendime. Nga njëra anë, ai e di që ka prova të forta për korrupsionin e Veliajt që janë më se të qarta. Po nga ana tjetër, kuptohet që Veliaj është gjithashtu një makineri zgjedhore, dhe ai ka punuar që të mbledhë pushtet financiar dhe mbështetje. Kjo është ndihma që ndihmon!

Dilemat po shtohen edhe nga drejtësia, me një SPAK që është më i sjellshëm me Veliajn sesa me të tjerët. Të tjera emra që kanë përfunduar në hetim janë trajtuar më shumë si “shqetësim publik”, por për Veliajn çdo gjë po shkon në ngadalë. Të gjitha këto janë të fshehura deri sa të vjen një moment i ndryshëm. Po, po, ka mundësi që ai të humbë gjithçka që ka fituar në pushtet, por si gjithmonë, gjithçka mund të ndodhë pas disa orësh në një avion nga Hamburgu.

Një pyetje mbetet: A do ta shpëtojë një PR i përshtatshëm një Veliaj të shkatërruar? Jo, se është më e vështirë sesa të heqësh një kasketë të zezë që të fsheh gjithçka.

Por ka edhe një dilemë tjetër që të gjithë e shtrojnë: Do të hedhë hapin përfundimtar Rama dhe do të “shesë” delfinin e tij? Deri tani, kryeministri ka lëshuar sinjale të dyfishta: mbështetje verbale ndaj Veliajt, por gjithashtu ka lënë hapësirë për drejtësinë të veprojë. Ky ambiguitet politik ka krijuar pasiguri, jo vetëm për Veliajn, por edhe për të gjithë ata që mbështesin liderët e partisë.

Nëse ai do të shkojë në burg apo vetëm do të përballet me arrest shtëpie, kjo mbetet të shikohet. Po ashtu, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të pas zgjedhjeve të ardhshme. Por një gjë është e sigurt: figurën e tij të shkatërruar nga akuza dhe hetime të pasurisë, nuk mund ta shpëtojë asnjë seancë PR-i.

Po si e mbylli Veliaj këtë episod? Po, si një profesionist i vërtetë… me një kasketë dhe një xhup skiatori, gati për të “shkëlqyer” në fushën e drejtësisë! Thjesht, ai ka harruar të marrë edhe patinat për fundin e tij spektakolar!

Ndërsa një lypës i vogël rom, duke përmjerrë tek pema e Bashkisë po këndonte “ O lali Eri, O Lali Eri, ç’të gjeti qederi”

Filed Under: Analiza

NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS MADHËSHTORE TË PROF.SAMI RREPISHTI

December 7, 2024 by s p

(ME RASTIN E NDARJES NGA JETA ME 27 NËNTOR 2024)

 Nga: Hysen S.Dizdari  // Tiranë me, 07 .12.2024

 Prof.Sami Rrepishti ka thenë:

  • “ATDHEU NUK MË KA ASNJI FAJ. EDHE SOT UNË THEM: SHQIPËRI MË JEP NDER ME JEP EMNIN SHQIPTAR ”! 
  •  “ RESPEKTI PËR JETËN DHE DINJITETIN E ÇDO PERSONI ASHTË NË KRYE TË LISTËS SË DETYRIMEVE TONA NË JETË.”

Unë kam patur fatin e veçantë , të prezantohem me Prof.Sami Rrepishti, në vitin 2018 me rastin botimit të librit tim : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ,kur një kopje të librit e ja dergova me postë në ShBA.

Prof.Samiu , i cili pasi e mori librin tim e  lexojë më dërgojë  një urim të veçantë për  botimin e tij.

Nga ky moment,  kami patur  korrospondencë  të vazhdueshme në rrugë elektronike.Nga komunikimet me Prof.Sami Rrepishtin , unë ruaj kujtimet më të mira, si një nga intelektualët  më të Mëdhej të  Kombit  Shqiptarë .

Nga korrospendenca  me Prof.SamiuRrepishti ruaj dy nga kujtimet më brilante të tij.
1-Në vitin 2019, më konfirmojë më email se ai, do ti dhuroj Biblotekën e tij personale: “Lidhjes  Shkrimtarve  Shqiptare- Amerikane “ në   ShBA. 

2-Po në vitin 2019 ,ai më konfimojë me email, se arkivin tim përsonal kam vendosur t,ja dhurojë: Muzeut Historik të qytetit të lindjes tij,Shkodres.

Kam besim se amaneti i tij do të respektojn me korrrektësi nga pasëardhësit e tij, dhe arkivi i tij përsonal ti kthehet, Shqipërisë  dhe konkretisht Muzeut të qytetit të Shkodres.

Profesor Sami Rrepishti ishte shembulli i intelektualit të rrallë e atdhetarit vetimatarë i cili vuri gjithëçka ,pasurin, familjen ,jetën e tij në shërbim të atdheut e Kombit  Shqiptarë. 

Duke vlersuar kontributin madhore për Shqipërinë Prof..Peter R.Prifti, autor dhe historian ka theksuar:

 ,,…Për mendimin tim, Prof. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualeve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”.

Po e vazhdoi këtë shkrim me një thënje të Prof.Nderuar Sami Rrepishti ,gjatë  një interviste  dhënë ish Kryeredaktorit të Gazetës ”Dielli”, z. Dalip Greca ai  theksoi : ,,Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder me jep emnin shqiptar”! Dallimi në mes të tri diktaturave ashtë vetëm nga ngjyra. Të tria kanë nji objektiv: shtypjen e individit, heqjen e lirive personale, dhe forcimin e konformitetit të shoqënisë, ku çdo qytetar ashtë vetëm nji “objekt” që shërben “partinë” dhe asgja ma shumë. Unë kam përjetue të tri diktaturat dhe me humbje të mëdha: babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë. Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës…,,

 Profesor Sami Rrepishti lindi në qytetin e Shkodres më datën 6 prill 1925 në një familje me tradita të mëdha atdhetare e potriotike , dy prinderit e tij ishin,Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit .

Ndoqi mësimet  në shkollën fillore “Oso Kuka”, pastaj përfundoi me rezultate të larta gjimnazin e Shkodres. Në vitin 1942 pasi kishte përfunduar maturën ,me konkurs  fitoj një burse të Ministria Arsimit për të vazhduar shkollën e Larte në Fakultetin e Historisë të Firences, Itali.

Persekutimi i familjes Rrepishti filloje ne vitin 1943 ku në fshatin e tyre të origjinës Rrepisht të Malësis Madhe të krahinës të Shkodres ,autoritetet fashiste e arrestojnë të atin atdhetarin  Hafiz Ibrahimi ,për shkakë se kishte strehuar nipin e tij i cili kishte ide komuniste dhe pasi e  torturojnë  rëndë  i ati i tij vdes nga toturat e autoriteteve fashiste   me datën 29 shtator 1943.

Por persekutimet ndaj familjes atedhetare Rrepishti nuk kanë të ndalur dhe kështu në muajn maj të 1946 mori pjesë në varrimit e Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi dhe vetem pak muaj me vonë me  datën  22 tetor 1946, e arrestojnë forcat e sigurimit të  shtetit komunist dhe e akuzojnë me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. 

Pasi e mbajnë 14 muaj në hetuesi e denojnë me 15 vjet burgë.

Pasi vuajti 10 vite burg nëpër burgjet e sistemit komunist ,ai në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe pas burgu detyrohet të punojë si puntore krahu në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike  Shkodër.

Ja konkluzioni i tij i thelluar si i mbijetoje me rezitencën e tij burgjve komuniste , në intervistën dhënë Gazetes, “Dielli”, ish kryeredaktoti, Dalip Greca ai thekson : ,,Rezistenca e “bashkëvuejtësve” ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë. Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare…,,

Me datën 22 gusht 1959 arratiset në Jugosllavi ku si emigrant politik izolohet; pastaj përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci,nga i cili më daten 1 shtator 1961, arratise dhe vendoset në Trieste,Itali  në kampin e refugjatëve San Sabba, ku  fitoi të drejtën e azilit politik. Pasi qëndërojë 6  muajë në kampet e Capua-s dhe Latina–s, pranë Napolit dhe Romës,  më  daten 9 prill 1962, emigroi për në ShBA.

 Në 25 vjetorit e shoqates Atdhetare  “Vatrës“, takon edhe  idelogun e revolucionit Qershorit të  të vitit 1924  mikun e babait tij  poetin e madh  atëdhetarin, Fan S. Noli.

Në vitin 1968 merr nënshtetësin amerikane dhe pastaj vazhdoi studimet në  Universitetin Amerikane ,ku  në vitin 1977 përfundoi Doktoraturën në Departamentit e Frëngjishtës në City University of New York .

Pastaj për  gjatë  25 vjeteve  ka kryer detyra të rëndësishme duke filluar nga detyra e pedagogut në kollege-t amerikane, pastaj qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New  York, kordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm.

Prof . Samiu Rrepishti e kishte ëndërr të shikonte Kosovën e lirë dhe kështu  në muajn prill të vitit 2000 ai ralizon ëndërrën e tij të vjetër duke vizituar Kosovën e çliruar nga pushtuesit e huaj. Ja se me durim e Fisnikeri ai e spjegon kush ka qënë dhe është edhe sot qëllimi i jetës tij . Në interviste dhënë Gazetes  “Dielli” ai theksoi: 

“Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër. Përsa kohë që ka burra, gra, fëmijë të pafajshëm që vuejnë për çdo arsye qoftë dhe në çfarë do mënyre qoftë, duhet të jetë detyra e çdonjenit nga ne me luftue këte të keqe pa kompromis. Çdo spjegim, çdo justifikim me i ikë kësaj detyre të shenjtë nuk ka vlerë. Çdo gja tjetër ashtë e dorës së dytë. Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi ashtë në krye të listës së detyrimeve tona në jetë. Nji parim themelor i këtill na frymëzoi edhe në burgje e kampe pune të detyrueshme, dhe krijoi nji lëvizje solidariteti me ata që vuejshin ma shumë se na: me ndihmue, me përballue së bashku, me qetësue shpirtrat e trazuem, me ngushëllue ata që nuk ngushëlloheshin, e kështu me rradhë…!,,

Prof.Samiu Rrepishti është autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe çamëri, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar.  Intelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty Internationalnë ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. 

Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar. Ne vitin 1968, formoi organizaten “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. 

Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). 

Në vitin 1978, formonë shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000.

Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli. 

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). 

Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekreta i saj (1992-1996).

Prof.Sami Rrepishti  bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) – grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C. 

Të gjithë jeten e tij ai ja kushtoi, studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. 

Mirënjohje  për sakrificat e tij sublime  për Shqipërinë e Kombin Shqiptarë. I përjetshën qoftë kujtimi i tij.

DISA NGA VEPRAT KRYESORE TË TIJ JANË:

  • Libri- “Pika loti”, Tregime,Botuar ne vitin  1997
  • Libri – “Kosovë, prill 2000”, Bashkautor ,Botuar ne vitin  2000
  • Libri – “Nën hijen e Rozafës”, Botuar, viti 2004
  • Libri – “Dialektika e rendit dhe rebelimit tek A. Malraux”, Stdudim,viti  2011
  • Libri – “Lotë- lavdi e lumni”, publicistikë,2016
  • Libri –  “Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”.Publicistikë, Viti 2016

Filed Under: Analiza

PO ME MALËSORË Ç’KINI?!

December 6, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Edhe unë, malësor jam! 

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Këtë javë, në Parlamentin e Shqipërisë, Kryetarja, Zonja Elisa Spiropali iu drejtua deputetit Frrok Gjini, që siaps lajmeve zuri foltoren pa u thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, me këto fjalë: “Për çfarë e kërkoni fjalën? Apo edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin fjalën vetë…”.  Dua të them prej fillimit se unë – në asnjë mënyrë — nuk e aprovoj mënyrën se si sillen parlamentarët shqiptarë në sesionet zyrtare. Nuk ma merr mendja se parlamentarët shqiptarë, po ta shikojnë veten në pasqyrë, e ndjejnë veten krenarë me sjelljet e tyre gjatë këtyre tre dekadave të ashtuquajturit “tranzicion demokratik”– qofshin ata të opozitës apo të pozitës. Ky është një problem institucional me të cilin duhet të merren instancat e Kuvendit – por grindjet politike dhe përleshjet fizike në parlamanet  nuk janë problem as faji i “malësorëve”, as si grup, as si krahinë. 

Fjalët e Kryetares ishin të nxituara dhe të pa vend.  Thuhet se Albert Einstein ka thënë se po të kishte një orë kohë për të zgjidhur një problem, atëherë ai do të shpenzonte 55 minuta duke menduar për problemin dhe pesë minuta do mendonte për zgjidhjen e problemit. Kjo thënje më kujtoi edhe fjalët e gjyshit tim malësor: Mendo tri herë e fol një herë, bir!

Pyeta veten kush mund të jenë “malësorët” në Kuvendin e Shqipërisë, që shkaktojnë ka shumë “sherre”, në organin më të lartë legjislativ të shtetit shqiptar, sipas Kryetares së Kuvendit!?  Nuk dij, por nëqoftse ka ndonjë deputet që e mban veten malësor, nuk besoj se flet dhe sillet në emër të gjithë malësorve, kudo që janë.  Nuk besoj se është, as më i mirë as më i keq, sa i përket grindjeve e konfliktualitetit midis deputetve — se të tjerët që përfaqësojnë krahina të tjera të Shqipërisë — për aq sa kam parë e dëgjuar nga zhvillimet e punimeve të Kuvendit shqiptar, këto tre dekada, “demokraci”.  Thashë me vete, po mund të ketë ndonjë malësor që ndërpret punimet e parlamentit në Tiranë, po ç’faj kanë të shkretët malësorë të përhapur anë e mbanë Shqipërisë e trojeve shqiptare, përfshir ne në mërgim, për një akt të një personi në Kuvendin shqiptar, që shkaktoi një reagim të tillë përgjithsues nga Kryetarja e Parlamentit. Po, ç’faj kanë sot malësorët që të përgojohen për keq dhe të ofendohen si grup e si krahinë në Kuvendin e Shqipërisë, sikur ata nuk kanë halle të tjera të mbijetesës, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë pa dallime politike, feje a krahine? Se ne shqiptarët, pa dallim, përpiqemi të mbrojmë dhe të ruajmë bashkjetesën fetare e krahinore dhe t’ia tregojmë botës si një prej vetive tona që shumë pak popuj gëzojnë vlera të tilla kombëtare. Larg duart nga përçarjet krahinore!   

Më duhet të them se u zhgnjeva për së tepërmi kur lexova këtë lajm e që më la një shije të keqe në gojë! Dallime të tilla, krahinore me qëllim ose pa qëllim dhe një diskurs i tillë politik, nuk kanë vend Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë që malësorët, në përgjithësi, si persona, grup e krahinë po ofendoheshin në trupin më të lartë legjislativ shqiptar, si njerëz konfliktual që nuk nderojnë as nuk zbatojnë rend as qetësi – qindra malësorë të tjerë nga të gjitha trojet dhe nga mërgimi – ishin mbledhur në Tuz të Malësisë së Madhe për të përuruar Monumentin madhështor kushtuar të Përgjithmonshimit, Heroit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe — Frank Shkreli: Përmendorja e Gjergj Kastriotit. Skënderbe në Tuz të Malësisë së Madhe -Mbrojtësit t’Atdheut e të Qytetrimit Europian | Gazeta Telegraf – Atje përball Malit të Deçiqit ku legjendari Ded Gjon Luli më 6 prill 1911 ka ngritur për herë të parë në 500-vjet pushtimi otomano-turk, flamurin e Gjergj Kastriotit –Skenderbe – një vit para se të valvitej flamuri në Vlorë me 12 Nentor, 1912.  Ditën që malësorët në Tuz zbuluan shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbe – simbolit të bashkimit kombëtar – rastësisht lexova në disa portale se atje nuk kishte asnjë përfaqsi atë ditë në Tuz – sado të vogël – as nga Tirana, as nga Prishtina zyrtare.

Më duhet të jem i sinqert se unë nuk njoh shumë deputetë malësorë të Kuvendit të Shqipërisë. Ata edhe mund të jenë ndryshe nga malësorët që kam njohur e njoh unë. Por edhe po të ketë të tillë, gjë që nuk e besoj, përgjithsimet kurrë nuk janë të mira. Janë fals, ka thenë Mark Twain. Malësorët që kam njohur unë jo vetëm në vendlindje, por dhe rrugëve të mërgimit  –gjatë më shumë se 50 e sa viteve, kanë qenë malësorë të “logut të kuvendit”, kur të gjithë në ato kohë, flisnin dhe jepnin mendimin në takime. Por, ama, kishte rregull, rregulla tradicionale që nuk shkeleshin – një nder to ishte të flisnin me rend, të dëgjoheshin të gjithë dhe të mos ofendohej askush. 

Këta ishin malësorët që unë kam njohur gjatë jetës time – dhe nuk do të ishte keq që edhe brezi i sotëm i shqiptarëve t’i njihte ata si i njoh unë. Ose të dinte pak më shumë, ashtuqë të mos përgjithësohen gjërat.  Malësorët si shqiptarë, protagonistë të Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, janë malësorët që, kryesiht, kam njohur unë. 

Po i kërkoj ndjesë Ernest Koliqit pasi po parafrazoj një artikull që kam lexuar kohë më parë prej tij ku ai shkruante për malësorët e Malësisë së Madhe se ata përparimin dhe lirinë e kanë dashur dhe e duan, por jo në shkëmbim të humbjes së lirisë. Se ndoshta mund të mos ketë ndonjë popull në Evropë si shqiptarët e Malësisë së Madhe që e duan lirinë si ata, që plotësimin e nevojave të tij, si popull, e gjënte në liri. Rrobat e malësorit, zhele-zhele valviteshin si flamur i grisur në luftëra shekullore, për të ruajtur nderin dhe lirinë – lirinë e vet dhe të fisit. 

Pasi po flasim për “malësorët”, Albanologu i njohur Robert Elsie ka shkruar një libër siç kanë shkruar edhe të huaj të tjerë për malaësorët dhe Malësinë e Madhe.  I ndjeri Robert Elsie, në librin e tij të fundit, profilizon fiset dhe bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe — Frank Shkreli/ Robert Elsie: Fiset e Shqipërisë | Gazeta Telegraf,  si, Hoti, Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Gruda, Trieshi, por pa përjashtuar fiset e bajraqet e krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Malësisë së Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së Mirditës, zonës së Matit e të tjera.  Ai i cilëson këto fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si tepër të veçanta në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i “Vetmi shembull i vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në mesin e shekullit të 20-të”. 

Megjithëse këto krahina, mbeten edhe sot më pak të zhvilluara dhe si rrjedhim malësorët po detyrohen të largohen nga kullat e tyre,  jo vetëm në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth saj, Sir Noel Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar në parathënie të librit “Fiset e Shqipërisë” të Robert Elsit, se “Ishin këto fise — të cilat megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin Osman, por pothuaj kurrë nën kontrollin otoman – përbënin bazën për identitet shoqëror, për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.

Siç tregon edhe mbiemri im, unë jam malësor krenar, pjesëtar i njërit prej këtyre fiseve (Shkrelit) që sipas eskpertit britanik Sir Noel Malcolm janë përpjekur që gjatë shekujve të ruanin identitetin shoqëror të shqiptarëve dhe drejtësinë vendore, por pa u trembur nga sfidat as nga veprimtaritë ushtarake gjatë shekujve.

Frank Shkreli

A map of the mountains

Description automatically generated
A group of people in a room

Description automatically generated

Filed Under: Analiza

Dëshmor i Atdheut, kryegjyshi botëror i Bektashinjve Sali Njazi Dede

December 5, 2024 by s p

Foto: wikipedia.org

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Përkujtojmë në Ditën e Flamurit, dëshmorin e Atdheut Sali Njazi Dede, në ditën e rënies heroike në krye të detyrës për mbrojtjen e bektashizmit shqiptar, ballkanas dhe botëror.

Ishte koha kur Rilindja Kombëtare po gjallëronte ndjenjën atdhetare, doktrina bektashiane po gjente mbështetje gjithnjë e më të gjërë në popull. Kjo dhe për shkak të besimit me realitetin shqiptar e ballkanik, por dhe për frymën tolerante që përcillte. Për të riun Sali Njazi ndikimi i teqesë së Starjes, të Leskovikut, të Qesarakës dhe Kreshovës, lanë gjurmë të thella, për imazhin e pastër dhe real të bektashizmi. Në moshën 8 vjeçare u gjend në Stamboll, ku ndoqi mësimet në Haxhi Bektash. Falë trashëgimnisë shpirtërore shqiptare, u fut në rrugën plot mirësi bektashiane në vitin 1897. Ai tërhoqi vemendjen e Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dedeit pasi dorëzohet si dervish në rrugën e Hakut, mori mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed dhe çelsat e diturisë mistike.

Në vitin 1908 Dede Fejziu e ngarkon Salih Njazin me detyrën e pajtimit të cilën e realizoi më zgjuarësi, largpamësi dhe lidhje me të drejtën, gjithnjë i karakterizuar nga një jetë e pasur shpirtërore, adhurimi ndaj Krijuesit i dha rezultate.

Kështu Kryegjyshit Bektashian Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, e cakton Sali Njazi në postin e lartë të udhëheqjes, duke i treguar botës bektashian vlera të veçantë të edukimit, përmes të cilave lindin e rritnin njerëz me tipare të tillë shpirtërorë.

Emri i mirë i Sali Njazi shqiptarit, i kish kaluar me kohë kufijtë e perandorisë. Falë reformave të ndryshme dhe udhëzimeve për të ruajtur pastërtinë shpirtërore bektashiane, duke u përcjellë me respekt ndër milonat e besimtarëve në mjaft vende të Ballkanit, Mesdheur e deri në Azinë e Largme.

Kur Mustafa Qemal Ataturku vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, mori mbështetjen morale dhe materiale të Sali Njazi Babait dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Ishte ky hirësi në detyrën e kryegjyshit botëror që protestoi tek Qemal Ataturku, kur parlamenti u mbylli teqetë, dhe pse bektashinjtë e kishin ndihmuar në luftën e viteve 1923-1924 për çlirimin e vendit.

Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede, me origjinë shqiptar nga Starja e Kolonjës mendoi për transferimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, u këshillua me këshillat gjyshërore dhe erdhi në Shqipëri më 28 janar 1930. Drita ishte çelur në Shqipëri falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës i cili mori në mbrojtje besimet fetare.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka histori të hershme dhe sot është një nga të katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri që gëzon autorit të plotë. Me punën e tij të palodhur Hirësia e Tij, Kryegjyshi Sali Njazi, fis shqiptar, njihej si Papa i gjithë bektashinjvet të botës, u vendos në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë dhe Krye i madh i këtij besimi.

Ishte hirësia e tij që bëri kongrese, miratoi strukturë dhe bëri organizimin e bektashizmit. Më doktrinë bektashiane bëri që shqiptarizma të shtrihej dhe në hapësira të tjera ballkanike. Korrespodenca e Sali Njazi Dede me mjaft teqe në Ballkan e botë zgjidhi probleme të pronave, të personelit dhe të doktrinës së bektashizmit. Mbështetur në këtë doktrinë u manifestua qëndrimi në kryegjysh në Ballkan, por sidomos në Shqipëri që mbajti hapur dhe shtoi teqetë dita-ditës.

Duke qenë një drejtues i aftë, ai ishte dhe krijues i talentuar i letërsisë fetare, sepse ishte një atdhetar i madh. Mëndja dhe dora e tij nuk firmosi pushtimin e vendit nga Italia më 1939. Ai kishte ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe e ngriti bektashizmin në Shqipëri në një përmasё të re historike, duke pasuruar traditën bektashiane që vazhdon dhe sot. Me këtë qëndrim vërtetoi thënien e Haxhi Bektash Veliut se me fikjen e dritës nga Lindja, ajo ka për t’u ndezur në Perëndim.

Kur parlamenti turk urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në peradorinë osmane, Sali Njazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Natyrisht ai e dinte fort mirë se bektashizmi në trevat shqiptare kishte kaluar shekuj që ish lindur dhe rritur, ndaj dhe transferimi i qendrës botërore të këtij besimi, po shihej si një ogur i bardhë për shqiptarët, pavarësisht se çfarë feje i përkisnin. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur në Shqipëri, por dhe garancitë pa asnjë interes të Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Kjo padyshim bëri që Sali Njazi Dede duke u këshilluar me këshillat gjyshërore në vende të ndryshme, me Mbretërinë Shqiptare mori vendimin për të prurë qendrën botërore bektashiane në Tiranë. Ky akt madhor, qëndron plot dinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së bektashizmit në Shqipëri, Ballkan dhe në botë.

Sali Njazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Europës të krishterë. Kleriku i shquar predikoi frymën tradicionale të besimit bektashian dhe të besimtarëve të thjeshtë. Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Njazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve.

Sali Njazi Dede u vu në krye të punëve të vështira për organizimin sa më të mirë të besimit veçanërisht në trojet shqiptarë. Ai arriti të kultivonte tek çdo besimtar që zemra e tij të rrihte me dashurinë e madhe për atdheun.

Me kujdes fetar dhe intelektual përgatiti kongrese dhe statute bektashianë, si klerik i devotshëm, ishte i pari në zbatimin konkret të kodeve zakonorë bektashiane. Kudo në doktrina ai shfaqi urtësi dhe thjeshtësi emblematike, ruajti traditën brenda besimit, nguliti pavarësinë e ideve dhe të veprimit, edukoi ndenjën e atdhetarisë, si dhe mëri të natyrshme ndaj pushtesit.

Për të gjitha këto vlera atdhetare Sali Njazi Deden në 28 nëndorin e vitit 1941, u vra nga dora armike, duke menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Sali Njazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë. Të gjithë klerikët kanë dëshmuar atdhetari dhe dlirësi shpirtërore po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore.

Figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emëtimin e pullës shqiptare në vitin 2001. Ai ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” vendim nr. 505, datë 20.12.2011, Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, nga Presidenca është vlerësuar me “Urdhrin e Klasit të Parë” në vitin 1993 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2019. Këto dhe të tjera vlerësime i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës.

Kjo figurë e ndritur prej kleriku dhe martiri do të mbetet përjetësisht një figurë komplekse, e cila do të mbetet dhe një shembull i shkëlqyer dinjiteti, krenarie, mirësie dhe atdhedashurie. Sali Njazi Dede ishte dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit, ishte modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai na e mësoi rrugën, kështu duhet të ecim…

***

Më 28 nëntor të vitit 1941.

Ekzekutohet nga pushtuesit italianë Sali Njazi Dede, Kryegjyshi Botëror Bektashian, pasi kish refuzuar të firmoste pushtimin e Shqipërisë.

Italianët i vendosën para dokumentin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe, në cilësitë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, i kërkuan të firmosë këtë akt, ku pushtimi, duhej të quhej: “ftesë nga vetë shqiptarët”.

Por, me qëndrimin e atij atdhetar Sali Njazi Dede kundërshtoi duke thënë: “Ky është pushtim dhe asgjë tjetër! Nuk mund të firmos për robërinë e shqiptarëve, për pushtimin e vendit tim!”.

Kjo qëndresë nuk mund të ‘përtypej’ nga pushtuesit italianë, ndaj e ekzekutuan klerikun dhe patriotin e çështjes kombëtare shqiptare në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Filed Under: Analiza

SPANJË, 1975 / “MBRETIN LEKA I E ADMIROVA SHUMË PËR GJITHÇKA QË PO BËNTE PËR TË MBAJTUR SHQIPTARËT TË BASHKUAR NË MËRGIM…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE E MBRETËRESHËS SUZANË, NËNËS SË PRINC LEKA II

December 5, 2024 by s p


Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 11 qershorit 1975, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Spanjë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Jeta e re e mbretëreshës Suzanë

Intervistë ekskluzive

Pas dasmës së mbretit të shqiptarëve Leka dhe vajzës australiane Susan Cullen-Ward, Mbreti dhe nusja e tij do të vizitojnë Australinë për të takuar komunitetet shqiptare në këtë vend.

Nga Anne Matheson në Madrid

Monarkët në mërgim, mbretër dhe mbretëresha të kurorëzuara ende në fronet e tyre, dhe përfaqësues të shtetit nga e gjithë bota e lirë, do të marrin pjesë në festimet e dasmës së mbretit Leka I të shqiptarëve me Susan Cullen-Ward of Cumnock, NSW, në Francë në fundi të shtatorit.

Gjithashtu, do të jenë të pranishëm më shumë se 1000 nënshtetas të mbretit në mërgim, që përfaqësojnë 76 komunitetet shqiptare të shpërndara në mbarë botën e lirë.

Tridhjetë e katër vjeçarja Sue Cullen-Ward do të jetë dy herë e martuar dhe tri herë e bekuar nga shqiptarët, me një bekim të katërt nga prifti i Kishës së Anglisë. E para nga dy martesat do të jetë civile. Tjetra, në përputhje me kushtetutën shqiptare, do të kryhet nga Avokati i Përgjithshëm, Selim Beu, këshilltar kryesor i mbretit.

Sue do të njihet më pas për shqiptarët si Mbretëresha Suzani, shqiptimi i emrit të saj.

“Vendosa të mos e ndryshoj emrin në martesë, megjithëse më sugjeruan”, tha ajo. Ajo shpreson të zotërojë mjaftueshëm gjuhën shqipe, një gjuhë që e ka të lehtë për t’u shkruar, por e vështirë për t’u shqiptuar, në mënyrë që të jetë në gjendje të mirëpresë njerëzit e burrit të saj në dasmën, që do të mbahet tre javë pas martesës civile në kështjellën mesjetare të Markezit të Calderon-it në Toledo, Spanjë.

Mbreti Leka dhe mbretëresha e tij do të bekohen nga myslimanët (ai është mysliman, siç janë 75 për qind e popullit të tij), Kisha Ortodokse e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kisha e Anglisë.

Nëna e Mbretit, Mbretëresha Geraldinë, është një nga dhjetë për qind e shqiptarëve që janë katolikë. Sue do të mbetet anëtare e Kishës së Anglisë.

Fakti që ajo është e divorcuar (ajo ishte e martuar për pesë vjet me një anglez, Richard Williams, por ata u divorcuan katër vjet më parë) nuk është pengesë për martesën e saj me një mbret mysliman.

“Profeti Muhamed u martua me një të krishterë dhe pati një divorc,” tha një zëdhënës i mbretit, “kështu që ky është precedenti ynë.”

Sue do të veshë një pjesë të kostumit kombëtar të Shqipërisë për pritjen e dasmës, si dhe diademën dhe bizhuteritë e familjes mbretërore, të transmetuara nga mbretëresha Geraldinë.

Kostumi, një pallto e gjatë e bukur e qëndisur me shumë fije ari, do të mbulojë fustanin e saj të nusërisë, të cilin rrobaqepësja australiane e Sue, znj. Hughes, po fluturon për në Madrid për ta bërë.

Ajo nuk do të mbajë kurorë.

Unaza e fejesës e Susan Cullen-Ward. Diamanti është një diamant i rrallë i pastër i bardhë në formë markeze ovale me skajet e mprehta, i mbështetur nga gjashtë diamante të mëdha baguette. Mbretit iu deshën gjashtë muaj për të gjetur gurin e përsosur. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

Ndër të parët që dërguan urimet e tyre më të ngrohta kur u shpall fejesa ishin miqtë e ngushtë të mbretit, Mbreti Baudouin dhe Mbretëresha Fabiola e Belgjikës.

Krerë të tjerë të kurorëzuar që dërguan urimet e tyre dhe që do të jenë në dasmë ishin Shahu i Persisë dhe Mbretëresha Farah Diba, Mbreti Hysein i Jordanisë dhe Mbretëresha Alia, Mbreti Bhumibol dhe Mbretëresha Sirikil të Tajlandës.

Gjenerali Franko nuk mundi të ishte i pranishëm në drekën e festimit pas shpalljes së fejesës, por ai u përfaqësua nga gruaja e tij, Senora Franco, dhe pasardhësi i tij i emëruar, Princi Juan Carlos dhe gruaja Princesha Sophia.

Mbreti Simon i bullgarëve, gjithashtu që jetonte në mërgim në Spanjë, dhe mbretëresha e tij Margarita, ambasadorë nga shumë vende, ambasadori australian në Madrid dhe një kushëri i Sue-së, David Brown nga Sydney, në Evropë për një kurs studimi, ishin ndër ftuarit e tjerë.

Mbretëresha Geraldinë shtroi drekën dhe duke harruar për një çast formalitetin, e përqafoi Suzanën, duke e puthur ngrohtësisht.

Nëna Mbretëreshë më tha privatisht : “Unë e doja Sue që nga momenti që e takova. Gjatë dy viteve që ajo kaloi në Spanjë, u njohëm. E shoh shumë të sinqertë, të ngrohtë dhe të ndjeshme ndaj çështjes sonë.”

Fotot e fejesës së mbretit Leka I dhe Susan Cullen-Ward, me Nënën Mbretëreshë, Mbretëreshën Geraldinë dhe Baronin Faray von Blomberg. Baroni, i cili “rregullon martesat mbretërore”, tha se ishte përpjekur më parë të organizonte një martesë për Mbretin, por kishte hequr dorë, duke kuptuar se Leka do të martohej vetëm me dashuri. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

“Ajo është një vajzë e lezetshme. Nuk u habita kur Madhëria e Tij ra në dashuri.”

Të tjerë në botën e sofistikuar të mbretërve në ekzil dhe miqtë e tyre aristokratë, megjithatë, ishin të befasuar, madje të tronditur dhe të zhgënjyer.

“Ai mund të ishte martuar me ndonjë nga princeshat e shumta evropiane,” psherëtin gruaja e një diplomati.

“Ne e konsideronim Madhërinë e Tij si një nga beqarët më të kualifikuar në Evropë”, tha redaktorja e një reviste.

“Askush prej nesh nuk kishte dëgjuar më parë për Susan Cullen-Ward”, tha ajo, duke nuhatur dhe përmendur një listë të gjatë të jet-setterëve, trashëgimtareve amerikane dhe vajzave të familjeve aristokrate me të cilat emri i tij lidhej në rubrikat e thashethemeve.

Leka I është gjigand, magjepsës dhe me karakter heroik.

Ai nuk është vetëm një burrë shtatlartë, por mban edhe dy armë, është një ushtar i stërvitur në Sandhurst, një pilot avioni, një ekspert në infiltrim dhe luftën guerile.

Midis këshilltarëve të tij kishta nga ata që u përpoqën të organizonin një martesë midis mbretit të tyre dhe njërës prej princeshave gjermane me një pasuri dhe një kështjellë për të formuar një aleancë.

Baroni von Blomberg, puna e të cilit konsiston në rregullimin e martesave mbretërore dhe këshillimin e anëtarëve të familjes mbretërore, ishte gati për të organizuar shpalljen e fejesës. Ai më tha se kishte qenë gjithmonë aktiv në prapaskenë.

“Por kuptova se përpjekja për të martuar mbretin Leka ishte një detyrë e pashpresë dhe se nëse ai do të martohej, do të ishte falë dashurisë,” rrëfeu ai.

“Dhe është mjaft e qartë se Mbreti është marrëzisht i dashuruar me Sue.”

Kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje. Fytyra e Mbretit gjallërohet me një buzëqeshje djaloshare sapo Sue hyn në dhomë ose flet me të.

Ndërsa Susan Cullen Ward në këto ditët e para të trajnimit për të qenë mbretëreshë respekton me ngurtësi protokollin dhe i referohet atij gjithmonë si “Madhëria juaj”, Mbreti e quan atë thjesht “e dashur”.

Dashuria e tyre u rrit nga admirimi i ndërsjellë dhe miqësia e ngrohtë në dy vitet që Sue jetoi në Madrid.

Çifti u takua në Sydney në një darkë, dhe përsëri për një kohë të shkurtër në Londër. Ajo ishte rrugës për në Sorbonë në Paris për të vazhduar studimet e saj për art. Ajo ishte trajnuar në kolegjin teknik East Sydney dhe ishte një stiliste tekstile, dekoruese e brendshme dhe mësuese arti në shkollën e saj të vjetër, Presbyterian Ladies College, Orange, dhe më vonë në PLC, Pymble.

“Madhëria e tij nuk më ftoi në Madrid.” — shpjegoi Sue. “Don Jose del Valle dhe gruaja e tij Eliza më ftuan të shkoja në Spanjë për pushime. Nuk u largova kurrë prej aty.”

Është e vështirë për çdo çift të përcaktojë momentin kur ata ranë në dashuri nëse kjo dashuri ka qenë graduale. Por Susan është plotësisht e sigurt se pse ra në dashuri.

“E gjeta veten duke u interesuar gjithnjë e më shumë për kauzën e Madhërisë së Tij”, tha ajo.

“E admirova shumë për gjithçka që po bënte për të mbajtur shqiptarët të bashkuar në mërgim si një popull që ruan lidhjet, traditat dhe kulturën e tij.”

Mbreti Leka shpjegoi se ai nuk është Mbreti i Shqipërisë siç përshkruhet ndonjëherë. Ai vend i vogël është nën një regjim komunist. Ai është Mbreti i Shqiptarëve.

Jashtë vendit të tyre janë mbi pesë milionë shqiptarë, në 35 kombe të ndryshme.

Ka 80.000 shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe 16.000 në Australi.

Pas dasmës së tyre, Mbreti Leka do ta çojë Mbretëreshën Suzani në një udhëtim mbretëror për ta prezantuar atë para popullit të tij.

“Komunitetet e para që do të vizitojmë janë ato në Australi,” tha ai. “Më të vjetrat janë në Mareeba dhe Cairns në Queensland, më të fundit në Shepparton dhe gjetkë në Victoria.”

Mbreti Leka e viziton popullin e tij të paktën një herë në vit.

“Ata më ftojnë. Unë e paguaj vetë biletën time.” shpjegoi ai. “Pastaj për tre ditë i pres, ose duke shtrënguar duart ose duke i përqafuar siç është zakon. Mundohem të flas me të gjithë.”

Princi Leka ishte vetëm tre ditësh kur mbretëresha Geraldinë dhe foshnja e saj u larguan nga vendi pas pushtimit të Musolinit në 1939.

Ajo dhe fëmija shkuan në Egjipt dhe më pas në Londër. Ata qëndruan atje deri në vitin 1945, jetuan në Egjipt deri në 1954 dhe në Francë deri në 1962.

Pas vdekjes së babait të tij në mërgim, mbretit Zog, në vitin 1961, Princi Leka u ngjit në fron. Ai dhe nëna e tij u shpërngulën në Spanjë.

Mbreti dhe Susan-a do të jetojnë në Madrid pasi të jenë të martuar.

“Madhëria e Tij është shumë e mirë në dizajnimin e brendshëm,” tha Susan. “Ne do të ndërtojmë dhe arredojmë shtëpinë tonë së bashku. “Së bashku do të ndërtojmë dhe arredojmë shtëpinë tonë. Nuk do të jetë një pallat, por do të jetë mjaft i madh për të akomoduar mysafirë.”

Jeta e mbretëreshës Suzani do të jetë shumë më formale në Spanjë sesa ajo e mbretëreshës Geraldinë në Shqipëri.

Mbretëria në mërgim ruan fasadën. Dhe spanjollët, ndonëse kanë përmbysur monarkinë e tyre, e respektojnë protokollin mbretëror. Ata kanë së paku tre familje mbretërore në mërgim që jetojnë në Madrid.

Mbreti Leka është një biznesmen me interesa në industrinë e rëndë dhe çelikun. Por ambasadorët në Spanjë duhet ta vizitojnë gjithmonë atë, pavarësisht rëndësisë së çështjes.

Ai është një mbret dhe qeveria spanjolle insiston që ai të trajtohet si i tillë, edhe pse froni i tij është një karrige në një zyrë të mobiluar me pjesë nga ekspozitat dhe pallatet mbretërore të së kaluarës.

Selim Beu nuk e zbut kurrë vigjilencën për kushtetutën dhe traditat shqiptare. Si këshilltar i mbretit, ai nuk kurseu asnjë përpjekje për të siguruar jo vetëm që martesa të ishte rreptësisht në përputhje me kodin civil shqiptar, por edhe që jeta brenda oborrit të jetohej sipas traditave më të rrepta.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT