• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËNUES TË MITIT APO RRËNUES TË KOMBIT?

September 7, 2017 by dgreca

-Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë./

-Pyetje për një katolike dhe një ortodoks që Gjergj Kastriotin e quajnë mit komunist-/

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/Debatet e mia për qëndrimin meskin ndaj Gjergj Kastriotit nuk i bëj vetëm me vëllezërit e mi shqiptarë myslimanë, por edhe me ata që janë katolikë apo edhe ato ortodoksë si Fatos Lubonja, por që ndajnë mes vetës të njëjtin qëndrim e mendim nihilist e mohues. Kur lexon shkrimet e mendimet e këtyre vetëshpallurve anti-kastriot, të duket  sikur lavdia e historisë ua ha barkun. Ose nuk kanë tjetër me se merren dhe u gjet sebepi për të rrëzuar jetën e veprën e Gjergj Kastriotit nën pretekstin absurd të rrëzimit të Mitit, të vetmit figure kombëtare gjithë evropiane që kanë shqiptarët e pa të cilin del të jemi popull nomad ashtu siç duan të na quajnë armiqtë e djeshëm e të sotëm apo dhe të nesërm të Shqipërisë.Ca e ndërtojnë imazhin e vet duke ndërtuar, po ja që paska edhe nga ata që duke mos pas prirje ndërtuese, mesa duket u lëshohen kazmës për të rrënuar bazamente monumentesh që njerëzit kanë ngritur në nderim të historisë por edhe të vetvetes.

Ky kor i përzishëm ndaj një monumenti në sheshe e në zemrat e shqiptarëve, edhe mua si shumë të tjerëve më irriton, ndaj gjej rast ti përgjigjem kësaj motre shqiptare katolike shkodrane Jona Leqejza që mjerisht ndan të njëjtin mendim degradues me rrënuesit e “miteve”. Do të flas hapur, se e vërteta mund të jetë e ashpër por kurrë nuk bën dëm.

Nuk bën të shkruhet apriori me një retorikë të zbërdhultë, si një mulli që bluan pa pasur një kokërr misër në mokërr. Gjergj Kastriotin moj zonje  e nderuar shqiptare katolike shkodrane, ndaj të cilit anti-kastriotët shfryjnë si çyryk vapori me avull të shekullit të 19, nuk e krijoj retorika komuniste, siç ju e citoni duke ja faturuar lavdinë e Gjergj Kastriotit diktatorit Enver Hoxha. Kjo është si të flasësh përçart. Gjergj Kastriotin, ende pa lindur diktatori Enver Hoxha, madje 4 shekuj para se të lindte ai, e krijoj nevoja historike për tu mbrojtur e për të përballuar hordhitë barbare të lindjes që po i shkretonin tokat arbërore, burrat i vrisnin, gratë i bënin robinja, vajzat pasi i përdhunonin i fusnin në haremet e veta ose i shisnin, ndërsa djemtë kush qe mbi 14 u pritej koka dhe kush qe më i vogël dërgohej në kampe për tu bërë mish për top në ushtrinë turko-osmane.

A keni lexuar “Rrethimin e Shkodrës” të madhit Marin Barleti. 300 djemve të rinj luftëtarë të Drishtit që ju dorëzuan në besë ushtrisë turko osmane( besë karakteristike turko-osmane kjo), ju pre koka në një ditë përpara mureve të kështjellës së Rozafës. “300 djemve luftëtarë të Drishtit që dorëzuan në besë, ua prenë kokat një e nga një, për tmerr e turp të tyre” shkruan Barleti për pabesinë e pushtuesve. Po edhe kjo masakër gjaku është një mit. Po edhe në qoftë ashtu, është një mit me gjak shqiptari. A keni dëgjuar për jeniçerët. Nuk e di sa e si e lexoni historinë, por jemi të detyruar, pa bërë leksion të mërzitshëm, tu themi se heronjtë i krijon së pari koha në të cilën jetojnë e më pas vjen jehona. Dhe pas bëmave të mëdha që stepën Evropën në rrezik prej hordhive turko-osmane, figura e Gjergj Kastriotit u krijua ndër bashkëkohësit e vet, por edhe në Evropë duke e konsideruar heroin më të lavdishëm të shekullit te XV. Dhe kishte emra të mëdhenj historik Arbëria në atë kohë; Lek e Nikoll Dukagjini, Lek Dushmani, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani e të tjerë të cilët tashmë më të vërtetë të duken si mite e legjenda, por kanë qenë persona real dhe bëmat e tyre në histori janë të mëdha.

Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë. Dhe këngëtarët popullorë padyshim janë në të drejtën e tyre të lavdërojnë bëmat e heronjve të popullit të vet. Ndër të gjitha kombet bëhet kështu e jo vetëm tek ne. Merr Simon Bolivarin në Amerikën Latine. Është krijuar edhe një shtet me emrin e tij. Bolivari është  kthyer në një mit që askush nuk guxon ta nëpërkëmbin e çmitizojnë sepse e linçojnë publikisht. Ne as kemi qenë e as jemi në këtë gjendje. Përkundrazi kemi arritur deri në atë stad “përparimi” në degradimin të figurave që përbëjnë shenjën më të fortë të identitetit kombëtar sa e përdhosim të vetmen figurë kombëtare të njohur ndërkombëtarisht si shpëtuesi i Evropës. Dhe motivohemi sikur po e objektivizojmë historinë, siç bën mjerisht Fatos Lubonja, një analist për të cilin kam respekt, por që kalon në absurd në këtë rast se i duket se është specialist edhe për skënderbejadën, të cilën mendon se mund ta shkërmoqë si mit i vjetër e dalë kohe. Nuk guxon njeri ta pyes sepse të quan analfabet i historisë nga që nuk kemi tejqyrën e tij.

Por le të ndalojmë pak në këtë përqasje të mbrapsht ndaj fenomenit Gjergj Kastrioti. Të shohim se përse një realitet historik mori përmasat e legjendës.   Dhe kur. Pas 5 shekuj që ishte  harruar nga populli i mbetur i shtypur e në errësirën e mosdijen që mbolli dhunshëm pushtimi osman. E më tej nevoja për të krijuar një shtet të pavarur të shqiptarëve e bëri të natyrshme të gërmohet në histori dhe të rikrijohet figura e tij me aq fakte sa kishin. Por prapë si në rastin e parë në viti 1444 e deri në 1468 kur vdiq, ishte nevoja historike për atë, ndaj dhe u konsiderua si një mit ani pse ai ishte histori e vërtetë. Edhe intelektualët e shquar evropianë e pranuan rikrijimin e figurës historike dhe në saj të këtij “miti”, që i bezdis aq shumë nihilistët e historisë kohës së trishtuar të  Oliver Jens Schmitt, një historian kafenesh,  u arrit të bindeshin qarqet diplomatike evropiane që të kishte një shtet të shqiptarëve të Gjergj Kastriotit.

Është e sigurt se pa atë “mitin” e atij që sot po e konsiderojnë të papranueshëm dhe duan ta shprishin si plaka leshtë në gërhanë, nuk do të kishte sot një shtet shqiptar, as Kosovë nuk do të kishte dhe shqiptarët do të tjetërsoheshin me dhunë e vrasje siç bënë serbët dhe grekët në shekullin e XX. Me mit pa mit ai ishte një realitet historik, betejat i ka kryer, nuk i mohon dot as zvicerani Oliver Jens Schmitt, as orthodoksi Fatos Lubonja, as katolikja Jona Leqejza, aq më tepër radikalët islamikë. Por gjithsesi rilindësit tanë dinin çfarë po bënin, nuk kishin këtë mendjen tonë “të ndritur” që dimë vetëm të rrëzojmë e jo të krijojmë. Rilindësit e thirrën nga mesjeta apo e rikrijuan nuk ka rëndësi, por qëllimi ishte për të zgjuar këtë popull që flinte nën injorancën osmane, pra e bënë veprën e figurën e Gjergj Kastriotit si një pishtar për të parë udhën e lirisë.

Pa ndriçimin e mendjes dhe krijimin e shpresës nuk mund të bëhej asgjë. Natyrisht se ka gloria, por prapë se prapë është glorifikim i ngjarjeve shkuara për nevoja historike të kohës. Siç më lart e përmendëm kështu kanë bërë të gjithë popujt, francezët, amerikanët, anglezët me dhjetëra figura të tilla në historitë e tyre. Ne kemi vetëm një e duam ta shkërmoqim në emër të ca egove apo të revansheve fetare të atyre që janë pre e fanatizmit e padijes. Të kesh një hero kombëtar nuk është dëshirë apo ego individuale, është aspiratë kolektive, është shprehje e dëshirës për një indentitet të fortë përfaqësues. Shumë qytetarë amerikanë as që dinë ku bie Shqipëria, pyesin ku bie, e u themi diku në mes të Greqisë dhe të Italisë, të cilat i njohin se grekët kanë madhështinë e lashtësisë, italianët shkëlqimin romak dhe Garibaldin por kanë edhe Verdin. Dhe ata, amerikanët pra, thonë ahaaa…sikur të thoshin nuk e dimë dhe kaq. Por, po tu përmëndësh e kujtosh se një nga poetët më të mëdhenj amerikanë, me shtatore në Washington DC dhe në Boston, Henry Wadsworth Longfellow,  ka bërë një libër poemë për Skënderbeun ata ndjejnë afinitet dhe realizojnë njohjen.

Tani u dashka, sipas ca mendjeve shqiptare, të rrëmbejmë kazmën e ta shkërmoqim mitin se ky po na penguaka për të hyrë në suazën e perandorisë së re neo-osmane që po piketohet prej mendjeve të mykura në Ballkan.  

Lavdia e Gjergj Kastriotit nuk ka si të jetë një mit i komunizmit të Enver Hoxhës, siç e cilëson zonja katolike shkodrane Jona Leqejza, apo siç elaboron Fatos Lubonja me skepticizmin e tij karakteristik në intervista  që hyjnë si pykë në mes të lajmeve në News 24 e ku pyetja ju bë për Gudarët e Krokutët e Akademisë së mykur të Shkencave, ku ai nuk gjen asnjë vërejtje e kalon tek miti i Gjergj Kastriotit që u dashka zhbërë. Apo ekzemplari tjetër Kreshnik Çollaku, eksponenti i seksioneve të partisë demokratike që komenton nëpër media sociale si të ishte një riosh fanatik fetar, apo duke shkuar me tej siç do  ta paraqesë Gjergj Kastriotin banda e injorantëve të terrinës fetare neo-osmane në jazëk portalin “Impakt”.

Ju pëlqen apo jo këtyre apo atyre, me ose pa mit, i madhërishmi Gjergj Kastrioti, aty është, në histori, e do mbetet edhe kur tërë batalioni i kazmaxhinjëve apo mendje kandarëve e tërë handraku i këtij vendi do të shkojnë në amshim.

Kot lodheni. Ai e ka fituar betejën mbi invadorët e Atdheut të tij, por do ta fitojë edhe betejën historike mbi të gjithë ata që hedhin baltë mbi gur mbi fytyrën e tij të ndritur në histori, gurë themel të kombit shqiptar. Të jeni të sigurtë që do ta fitojë edhe betejën me kazmaxhijtë.

Hani sa të doni fara kungulli kur nxirrni qentë në shëtitje. Ai atje është. Në kohë me diell e kohë me shi. Në ngrica e furtunë. Nuk pyet as për rrufe e bubullima. Kur të tjerët struken ai aty qëndron. Madhështor si ai. Dhe do të jetë në jetë të jetëve.

Pas pyetjes që i kam bërë hierarkisë (e jo individëve) të komunitetit mysliman lidhur me qëndrimin rreth Gjergj Kastriotit, shtroj pyetjen edhe përpara atyre që i përkasin religjioneve të tjera e që merren po aq ligsht me heroin kombëtar të shqiptarëve:
Është koha të deklaroni, jeni rrënues të mitit apo rrënues të kombit?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Heroi dhe miti, Kolec Traboini, kombi

POLITIKA PUTINISTE DHE ERDOGANISTE, SHPATA E DEMOKLEUT MBI BALLKANIN PERËNDIMOR

September 6, 2017 by dgreca

Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli./

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, anëtarë të Kongresit Amerikan, në grupe dhe individualisht, kanë vizituar disa vende të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të parë së afërmi situatën politike dhe ushtarako-ekonomike në atë rajon dhe për të biseduar me udhëheqësit e atyre vendeve mbi shqetësimet e vazhdueshme amerikane dhe të Evropës Perëndimore, në lidhje me influencën e Rusisë dhe të Turqisë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perendimor por edhe më gjërë. Në këtë frymë ishte edhe vizita e Zëvëndës – Presidentit të Shteteve të Bashkuara në fillim të gushtit që kaloi, në Podgoricë, në kuadër të mbledhjes së nivelit të lartë të Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vizita e Z. Pence në Mal të Zi, Estoni dhe Gjorgji, pasoi vizitën që bëri më heret Presidenti Trump në Poloni dhe në Gjermani. Më heret, përfaqsues të lartë të administratës amerikane, si Sekretari i Mbrojtjes Xhim Mattis dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Reks Tillerson ishin dërguar në Evropë për të qetësuar shqetësimet e shprehura nga vendet afër kufijve me Rusinë dhe njëkohsisht për t’i siguruar ato se Washingtoni mbështet Aleancën e NATO-s si dhe sovranitetin e vendeve ish-sovjetike, por që ende nuk janë anëtare të saj, siç është Gjorgjia.

Mund të thuhet pra se i gjithë ky aktivitet diplomatik, mbrenda disa javëve nga ana e Shteteve të Bashkuara, kishte për qëllim të zhdukte çdo dyshim të vendeve anëtare të NATO-s dhe të tjerëve, se Washingtoni është i zotuar si gjithmonë për mbrojtjen e përbashkët, në rast të një sulmi, të vendeve anëtare të NATO-s, ashtu siç parashikohet në nenin 5 të aleancës. Për më tepër, gjatë vizitës së tij në Evropë, përfshirë Malin e Zi, Zëvendës-presidenti amerikan Pence, përveç se foli për marrëdhëniet bilaterale dhe politikën mbrojtëse, ai theksoi edhe vlerat e lirisë, të demokracisë dhe tolerancës fetare, duke inkurajuar vendet ballkanike që të lidhen me perëndimin dhe të kundërshtojnë përpjekjet ruse, për të përçarë aleancën NATO, e cila e konsideron Rusinë si një kërcënim të sigurisë dhe paqës në kontinentin evropian.

Në vazhdën e këtyre vizitave të zyrtarëve më të lartë amerikanë kohët e fundit në rajonin e Ballkanit, ishte ajo e Senatorit republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, njëkohsisht edhe Kryetar i Komisionit të Senatit Amerikan për Sigurinë Kombëtare. Gjatë takimeve të tij në Beograd me zyrtarët serbë, Senatori amerikan u bëri thirrje autoriteteve serbe që të mos i japin statusin diplomatik personelit rus në atë që Moska e cilëson si një “qendër humantitare” ruse, shumë të përflur në Nish të Serbisë, por të cilën shumë ekspertë dhe agjenci perëndimore të shërbimit të fshehtë, thonë se është një çerdhe spiunazhi. Ligjvënsi amerikan i tha Presdientit të Serbisë, Vuçiq, se akordimi i statusit diplomatik personelit në qendrën ruse në Nish, do të ishte, “Një shenjë shumë e keqe” dhe nuk do t’i shëbente interesave të Serbisë, sidomos sa u përket investimeve perëndimore në atë vend. Qendra “humanitare” ruse në Nish — për të cilën kam shkruar edhe më heret e që është hapur në vitin 2012 – sipas shumë vërejtësve të çështjeve të Ballkanit, në të vërtetë, shërben si një qëndër spiunazhi kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos kundër interesave perëndimore në atë rajon, por përdoret edhe si qëndër propagande për të influencuar opinion publik në favor të politikës dhe diplomacisë së Rusisë në rajonin e Ballkanit. Senatori Xhonson u tha bashkbiseduesve në Beograd se nëqoftse Serbia dëshiron investime nga perëndimi, “Ajo duhet të tregojë shënja se preferon stilin qeverisës të demokracive perëndimore dhe tregun e lirë dhe jo llojin e agresionit që, fatkeqsisht, po demonstron aktualisht Vladimir Putin-i i Rusisë”.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Senatori Ron Xhonson komentoi mbi gjëndjen në Ballkan dhe mbi marrëdhëniet ruso-amerikane, duke theksuar se, “Është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të tregojnë interesim më të madh ndaj këtij rajoni, duke marrë rolin udhëheqës”. Tani është një kohë e përshtatëshme që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian dhe në radhët e demokracisë Perëndimore”u citua të ketë thënë, për ndryshe shtoi ai, rajoni,“Shumë lehtë mund të bie nën influencën ruse”. Senatori Xhonson u shpreh gjithashtu se Rusia po bën çdo gjë të mundur për të destabilizuar autoritetet vendore, me qëllim për të parandaluar animin e tyre drejtë Perëndimit”, duke thënë se ne duam që vendet e Ballkanit të, “Anojnë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja”.

Gjatë vizitës së Senatorit Xhonson në rajon, ai vizitoi edhe Prishtinën, ku u takua me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin në detyrë, Isa Mustafa. Senatori amerikan i siguroi udhëheqsit më të lartë të Kosovës, sipas një njoftimi për media, se, “Administrata e presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqën dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ndërkaq, dhe përballë kësaj situate, shtetet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, duhet të vendosin — ndërkohë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë në nivelin më të ultë ç’prej shembjes së Murit të Berlinit, por njëkohësisht edhe duke marrë parasyshë përkeqsimin e marrëdhënieve të Turqisë së Erdoganit me Perëndimin, e sidomos me Gjermaninë – se kah do t’ia mbajnë ato, siç u shpreh Senatori Xhonson: nga Lindja a po nga Perëndimi? Distancimi i dukshëm i Turqisë nga Perëndimi, nën regjimin e Presidentit Erdogan, mund të nevojitë një pozicionim të ri nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,edhe në marrëdhëniet me Ankaranë.

Nuk ka dyshim se influenca e stilit të qeverisurit nga Putini dhe Erdogani në rajonin e Ballkanit, minon demokracinë dhe inkurajon disa prej të “fortëve”të Ballkanit që të ushtrojnë një pushtet autoritar në disa prej vendeve të rajonit, duke shkelur dhe duke abuzuar me të drejtat e njeriut dhe me normat demokratike.

Prandaj, vendet ballkanike duhet të vendosin njëherë e mirë nëse modeli udhëheqës për ‘ta është ai perëndimor, a po preferojnë modelin e Putinit dhe Erdoganit: njëri dëshiron ringjalljen e perandorisë sovjetike e tjetri ringjalljen e perandorisë otomane, në kurriz të popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Ndërsa pretendojnë integrimin e plotë ekonomik dhe politik me Evropën, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të flirtojnë njëkohësisht me udhëheqës të tillë, si Erdogani e Putini, të cilët kanë minuar demokracinë, jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që atyre u “shkelë” këmba. Ndërkohë që marrëdhëniet e Turqisë me Evropën sa vinë e keqësohen dhe ndërsa lidhjet midis Putininit e Erdoganit po përmirësohen, qoftë edhe në sipërfaqe — shpejt do të vijë koha që udhëheqsit shqiptarë në Ballkan duhet të vendosin se kah do t’ia mbajnë, drejtë Perëndimit apo drejtë Lindjes?

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati duke folur të mërkurën në Shkollën Verore të Këshillit Kombëtar të Integrimit në Tiranë, me të drejtë u shpreh se, “Topi është në fushën tonë”, ndërsa theksoi se, “Nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar, diologun politik që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”.

Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Politika Putiniste dhe Erdoganiste

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën konstituive në 7 shtator

September 6, 2017 by dgreca

-Koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma pas marrëveshjes për bashkëqeverisje me AKR-në sot bëri marrëveshje edhe me Listën Serbe/1 kuvendi 7 shttaor

-“Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator”, ka shkruar Gazeta DIELLI në 24 gusht 2017 në raportimin e korrespondentit në Prishtinë me titull “Kosovë-Dështon Kuvendi, nuk përmbylli seancën konstituive”/

-Dita e 7 Shtatorit 2017 është dita e 27 vjetorit të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, me të cilën Kuvendi në seancën në Kaçanik shpallte Kosovën Republikë në vijimësi të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut/

PRISHTINË, 6 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Para mesnatës së sotme është ftuar për nesër, 7 shtator, vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të nisur para më shumë se një muaji, në 3 gusht, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para gati tre muajve – 11 qershorit 2017.

“Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”, është pika e vetme e axhendës së vazhdimit të seancës, që do nisë në orën 11:00, sipas njoftimit zyrtar dërguar nga Kuvendi sonte pas orës 23:00.

Vazhdimi i seancës konstituive u ftua pasi gjatë ditës së sotme dhe në mbrëmje janë zhvilluar bisedime mes koalicionit parazgjedhor fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe Listës Serbe, që rezultoi me marrëveshje. Më parë koalicioni fitues i zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje me AKR-në që ka 4 deputetë, e cila e braktisi koalicionin me LDK-në që e kishte lidhur para zgjedhjeve.

Sipas marrëveshjeve, në qeverinë e re të udhëhequr nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, do ketë ndarje të posteve minsitrore e të tjera mes partive bashkëqeverisëse, ku përfshihen edhe ato të komuniteteve pakicë joserbe. Lista Serbe do udhëheqë me 3 minsitri, një më shumë se në qeveritë e kaluara të Kosovës, sipas raportimeve të orëve të mbrëmjes.

Derisa vononte konstituimi i Kuvendit që duhet të pasohet me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, qeveria e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi në 30 gusht 2017 mbledhjen e 154-të, të tetën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të nëntën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.

Mbledhja e qeverisë në detyrë pikërisht dy muaj pas zgjedhjeve, në 11 gusht, u mbajt edhe me disa ministra të rinj të emëruar nga kryeministri Isa Mustafa, i cili njoftoi ndryshimet në kabinet pas zgjedhjes së disa ministrave për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

U bë e ditur se, ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e qeverisë së re të Kosovës.

Mbledhja e 2 gushtit mund të ishte e fundit e qeverisë në detyrë, pasi për një ditë më pas ishte ftuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pas së cilës mund të zgjidhej qeveria e re, por seanca vetëm nisi dhe mbeti e papërfunduar, pa zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Seanca nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, i cili sipas deklaratave të deputetëve tjerë nuk kishte votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, pas dhënies së betimit të deputetëve, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.

As në 4 gusht nuk vijoi seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës meqë vijoi mungesa e deputetëve të koalicionit fitues, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare.

Kuvendi i Kosovës edhe në 10 gusht gjatë vazhdimit të seancës konstituive nuk arriti të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pasi përsëri nuk merrte pjesë koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili si fitues i zgjedhjeve është i vetmi subjekt që ka të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të para tre viteve.

Më pas vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ishte ftuar nga kryesuesi-deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, për 14 gusht, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, ishin të pranishëm vetëm 53 deputetë.

Ndërkohë, mes këtyre zhvillimeve, në 4 gusht është mbajtur takimi i parë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive, ku vendos për mbajtjen edhe të takimit të dytë në 9 gusht, ku koalicioni PDK-AAK-Nisma ka kërkuar edhe një takim tjetër pas një jave dhe më pas thirrjen e seancës në 17 a 18 gusht.

“Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, në 16 gusht 2017”, theksonte njoftimi dërguar nga Kuvendi.

Kryesusi i seancëse konstituive, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte bërë një deklaratë se nuk do ftonte më takime konsultative të partive parlamentare, megjithate e ftoi.

Në 16 gusht përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur serish në takim konsultativ, të tretin, ku u vendos që seanca konstituive Kuvendit të Kosovës të vazhdojë të enjten, në 24 gusht, në orën 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takimet konsultative duke theksuar se ato janë të panevojshme dhe se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.

Edhe në 24 gusht dështoi vijimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të ftuar për herë të gjashtë dhe u ndërpre pas replikave të liderit të VV Albin Kurti dhe liderit të PDK Kadri Veseli, e deklarimeve tjera, mes të cilave ishte ai i përfaqësuesit të koalicionit të LDK, Avdullah Hoti, i cili tha se sot vendi po hyn në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa paralajmëroi organizimin e tryezave konsultative në kërkim të zgjidhjes.

Ishte i pamundur vazhdimi e përfundimi i seancës konstituive pasi përfaqësuesi i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, Enver Hoxhaj, tha se e kanë emrin për kryeparlamentar, por nuk i kanë numrat, dhe u duhet edhe pak kohë, “më pak se dy javë e më shumë se 10 ditë”.

Në ndarjen e 100 vendeve për shqiptarët në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ku PDK-AAK-Nisma ka 39 mandatë, Lëvizja Vetëvendosje 32  dhe LDK-AKR-Alternativa 29, nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re.

Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.

 

Koalicionet paszgjedhore u bënë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që këtë vit në Kosovës zhvillohen edhe zgjedhjet lokale – në 22 tetor, që janë të rregullta.

Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat ishin poashtu të parakohshme.

 

***

 

“Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator”, ka shkruar Gazeta DIELLI në 24 gusht 2017 në raportimin e korrespondentit në Prishtinë me titull “Kosovë-Dështon Kuvendi, nuk përmbylli seancën konstituive”

Dita e 7 shtatorit 2017 është dita e 27 vjetorit të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, me të cilën Kuvendi në seancën në Kaçanik shpallte Kosovën Republikë në vijimësi të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të seancës së mbajtur para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë në gjendje shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi serb i Beogradit. Dita e 7 shtatorit mund të jetë ditë reflektimi të deputetëve e partive parlamentare drejt dhënies fund humbjes së kohës e vonesave në krijimin e institucioneve shtetërore të Kosovës të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, Seanca 7 shtator

Atdheu dhe Kombi – çështje madhore që nuk ndan por bashkon

September 6, 2017 by dgreca

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/

Kapur pas titullit e jo prej përmbajtjes shumë shqiptarë mysliman janë pozicionuar ashpër ndaj shkrimeve të mia por duke prekur dhe personalitetin tim, mirëpo ideja dhe thelbi i shkrimit tim ishte se pa Gjergj Kastriotin nuk mund të kishte e Shqipëri e as shqiptarë. Këtë të vërtetë unë e kam nxjerre nga historia dhe nuk është amplifikim i ideve apo platformave të ndokujt tjetër, apo agjende politike platformash qëllimkëqija, prandaj me duket ai acarim që e kalon etiken krejt pa ndonjë bazë morale dhe i paarsyeshëm. Shkrimi im në atë rast, por edhe tërë shkrimet e mija në fushë të gazetarisë nuk janë të pozicionuara kurrë fetarisht, nuk kanë të bëjnë me fe dhe trajtojnë vetëm probleme në interes të popullit dhe kombit shqiptar. Sepse këtu, more vëllezër shqiptarë, edhe në rastin e incidentit me mbulimin e shtatores së Gjergj Kastriotit, nuk është punë feje po punë kombi. Një grup ekstremistësh islamikë përpiqet të manipuloje shqiptarët myslimanë, nëse këtë ju nuk e kuptoni sot, do bini viktimë e tyre herët a vonë.

Luftoj me këta ekstremistë ka 20 vjet. Ky është thelbi i shkrimeve të mia, të shpëtojmë njerëzit nga influenca e nga manipulimet radikale. Ju që shani nëpër forumet sociale jeni të falur, por e vërteta nuk mbulohet me shoshë, doni apo nuk doni ju, dua apo nuk dua unë. Kush ndjehet shqiptar pavarësisht nga feja, duhet ti dalë zot Kombit dhe At Themeluesit të tij Gjergj Kastrioti. E kjo për të gjithë qëndron njësoj. Askush nuk ka pse të mendojë se e do Atdheun më shumë se tjetri.

Gjithsesi qoftë, tek qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit ndahen rrugët, atdhetarët nga tradhtarët e bukëshkalët, shqiptarët nga bacil mbetjet e turko-osmanëve apo dhe armiqve historikë, kushdo qofshin. Të tjerat i dini vetë. Mjafton ti shihni e ti ndiqni ngjarjet me qetësi dhe kthjelltësi, dhe patjetër me dashuri për këtë vend e për këtë popull. Po ju sjell një shkrim timin të shkurtër (si shkrim brenda shkrimit) publikuar 20 vjet me parë kur nisa polemikat me disa studentë ekstremistë që po përgatiteshin në universitetet e lindjes me një program të qartë për radikalizmin e shqiptarëve myslimanë të Shqipërisë dhe ndezjen e një konflikti fetar që edhe sot e kësaj dite është në agjendën e tyre me qellim krijimin e një shteti Neo-Osman në principet e Kalifatit Islamik.

*           *           *

Në raport me kombin, feja është një çështje e disi më e vogël, personale, e një njeriu në të drejtën e lirinë e tij themelore për besim, por atdhedashuria është një çështje madhore e miliona njerëzve. Mund te them vetëm kaq, se ju student në Universitetin Islamik në Kuala Lumpur të Majlazisë, O. J., shfaqni një urrejtje e mllef kundër kristianizmit dhe veçmas katolicizmit sa unë nuk kam dalluar tek asnjë shqiptar tjetër me fe myslimane apo fe tjetër. Kundërpërgjigja që ti i jep zotit Ardian Vehbiut, në tërësi, zbulon patosin tënd të jashtëzakonshëm për pushtuesit turko-osman të Shqipërisë, që e përdori fenë islame si një mjet për të shkombëtarizuar shqiptarët. Në të vërtete, pavarësisht konvertimit ku me dhunë e ku me privilegje, nuk ja arriti, por ndikoi në vonesën historike për shkëputjen nga Turqia.

Këtu gjen kontekst historik shprehja poetike e Pashko Vas Shkodranit ”Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që në të vërtetë është një lajtmotiv atdhetar dhe jo ateist. Ju kot e pa baza e sulmoni edhe atë. Misionarët e fundamentalizmit islamik nga viti 1992-1997 u përpoqën, me para, me fondacione gjoja bamirëse, dhe me të gjitha mënyrat ta kthenin Shqipërinë në një shtet avangardë të Islamizmit radikal në Evropë dhe ndër ato bij shqiptarësh (në qoftë se e ndjeni veten të tillë), që ranë viktime e këtij revanshi oriental, jeni edhe ju. E kuptoj që të vjen ndoshta hidhur kur i dëgjon këto fjalë por dije se nisem nga asnjë faktor tjetër veç dhimbjes se ty në këtë rrugë që ke nisur, do të zbehen cilësitë si shqiptar. A nuk e pyet veten pse ke kaq mllef ndaj Skënderbeut? “Shpirti islamik i shqiptarit – sipas teje,- me tu bërë Shqipëria e pavarur, i liroi vendin të afërmeve të Vatikanit e Athinës… sepse Stambolli kish vdekur”.

Tani të pyes hapur, pse e jeton ti që ke lindur tepër vonë ketë “dramë historike”.

Këtë dramë e kanë përjetuar para teje ca si Haxhi Qamili e Musa Qazimi, të cilët rrëmbyen pushkët, ngritën flamurin e Turqisë dhe bënë kryengritje, e tek hiqnin zvarrë atdhetarët shqiptarë, thërrisnin si të çakërdisur “Dum Babën!”, domethënë babë Sulltanin e Stambollit. Të jetosh si dramë çlirimin nga pushtuesi vetëm për faktin se me atë të lidh feja, do të thotë se të janë fashitur e shuar ndjenjat kombëtare dhe e ke zëvendësuar me diçka tjetër. Raporti me Atdheun është guri i provës për çdo atdhetar të vërtetë. Ti mos pandeh se në Greqi nuk kishte mysliman në revolucionin e 1821. Edhe sot po të shkosh në Athinë do të gjesh grekë me mbiemër turk, por janë kreshtanë. Në Athinë ku kam jetuar pesë vjet, kam parë marketin me emrin Alizoti, kishte familje Haxhi, Vrioni, Karahasani e soj-soj. Ajo që ndodhi pas 1821 ishte se populli masivisht e braktisi fenë që erdhi bashkë me pushtuesin, gjë që populli ynë nuk e bëri. Është mirë apo keq kjo që ndodhi me ne, do ta kuptosh nga qëndrimi i Europës ndaj vendeve Islamike.

E për të gjykuar dhe arritur tek e vërteta mos u nis nga ato që thonë diplomacitë, por nga ato që bëjnë shtetet perditë. Europa ka qenë e mbetet tepër konservatore. Ju duhet ta dini çfarë ka thënë para pak kohësh Helmut Kohl: “Turqia myslimane nuk ka vend në Evropën kristiane” ( është fjala për Bashkimin Evropian), lexo gazetën “Bota Sot”, Zvicër 1997.

Nuk e kuptoj edhe urrejtjen e jashtëzakonshme që shfaqni ndaj Kadaresë sikur ky qenka “spiun”( fjalët e tua). Thelbi i kësaj urrejtje, me sa kuptoj, qëndron në një propozim miqësor që Kadare ka bërë dy vite më parë që, ne si komb, ndër kombet kristiane më të para në Evropë (në Durrës ka ardhur vetë Apostulli Shën Pali), pra ti kthehemi origjinës në fenë që kemi pasur. Ky nuk ishte propozim për tjetërsim por kthim i natyrshëm e i vullnetshëm tek vetvetja, ashtu siç e kishim para se të na pushtonin turko-osmanët. Pas kësaj Kadareja u sulmua rreptë nga mjaft fanatikë, sa ky u detyrua të mbrapsej nga ideja vet dhe të deklaronte në panik në një takim me shqiptarët kosovarë në Gjermani të cilët e akuzuan si anti islamik, se “edhe unë jam mysliman”. Krejt e pakuptimtë kjo deklaratë. Asnjë shkrimtar në botë nuk del të deklarojë besimin në publik sepse besimi është një çështje krejt vetjake. Në qershor 1995 kam botuar në gazetën “Egnatia” shkrimin satirik për gazetarin Mefail Maliqi që deklaratën e Ismail Kadaresë e konsideronte si një fitore islamike (lexo: e pjesës radikale), kur Kadare para së gjithash është një shqiptar e nuk i takon një pjese të popullsisë me besim fetar, por gjithë popullit të vet. Shkrimi im mban titullin “Gazetari Mefail Maliqi i bie fyellit në një vrimë”, por ti edhe pas kësaj deklarate të vonë e sulmon Kadarenë. Mos vallë edhe sulmi yt është në vorbullën e fanatizmit që e ndan popullin pjesë-pjesë? Pyet veten me qetësi dhe përpiqu të jesh më shumë shqiptar se sa fetar, sepse atdheu të lind, besimin e fiton por edhe mund ta humbësh nëse besimi të tronditet. Kur vdes njeriu në tokën e atdheut i pushojnë eshtrat përjetë.

Atdheu është mbi çdo gjë, mbi priftërinjtë e hoxhallarët. Besimi është një çështje vetjake e brendshme e një njeriu që nuk lind nevoja të demonstrohet.

Atdheu dhe Kombi janë një çështje madhore e miliona njerëzve në një kauzë të përbashkët që nuk ndan por bashkon.

*         *           *

Kjo ishte për atëherë, shkruar e publikuar plot njëzet vjet më parë në Boston, shtator 1997 me një dëshirë të mirë që studentët shqiptarë nëpër universitetet islamike të mos radikalizoheshin, por ata mjerisht siç ishin përgatitur ashtu dhe vazhduan, duke u përpjekur me çdo kusht e çdo mënyrë të ndikonin tek shqiptarët myslimanë me qëllim për ti përdorur ata për programet e tyre ekstremiste. U përqendruan se pari me propaganda fetare, duke treguar gjoja epërsinë e një kodi fetar mbi një tjetër, pastaj nisen përpjekjet për rrënimin moral të figurave që përbejnë themelet e kombit shqiptar. Bënë atë që bëjnë ndërtuesit kur duan të rrënojnë një shtëpi e të ngrenë një tjetër, pra të shembin shtetin shqiptar laik e të ndërtojnë një shtet fetar islamik radikal, e për këtë u hodhën edhe në rrënimin e historisë. Përfituan nga ideja se historia e krijuar në kohën e monizmit ishte manipuluar dhe duhej një histori e re sepse, sipas ekstremistëve turko-osmanët, nuk kanë qenë pushtues por shpëtimtarë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Pra vrasësin e paraqesin si shpëtimtar dhe pushtimin Osman pesë shekullor e konsiderojnë si një lumturi e madhe e pa rrëfyer më parë dhe këtë ua paska fshehur shteti shqiptar.

Në avancim të ideve të tyre për ndërtimin e Shqipërisë Kalifat, sulmuan me të gjitha mjetet e propagandës Gjergj Kastriotin, gur themelin e kombit shqiptar. Pastaj nisën të merren me figura të tjera përfaqësuese që e ngrenë prestigjin e shqiptarëve në botë, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe e zgjeruan objektivin e sulmeve me Ded Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e tjerë. Duke përdorur mjete teknologjike bashkëkohore arritën të përhapin idetë e tyre shkatërrimtare nëpërmjet rrjetave elektronike, por përfituan nga tolerance e tepruar e disa kanaleve televizive të Tiranës që u lanë hapësirë për propaganda antikombëtare këtyre kasnecëve të neo-osmanizmit turko-arab. Duke përfituar nga zhgrehja e apatia e Akademisë së Shkencave të Tiranës që ka rënë në duart e ca njerëzve të paaftë e karrieristë, në media e kudo nuk harruan ta ngrinin lart një figurë ndër më të urryerat në historinë e kombit shqiptar, Esat Toptani, të cilin e kanë pudrosur zellshëm edhe gazetarë në ekranet televizive apo duke botuar libra me qëllim për ta rehabilituar, ndërkohë duke denigruar djaloshin trim shqiptar Avni Rustemi.

Në këto rrethana, ajo që ndodhi në sheshin qëndror në Tiranë me monumentin e Gjergj Kastriotit, ngjarje të cilën kërkojnë ta minimizojnë pushtetarët përgjegjës për këtë kryeskandal, nuk është gjë tjetër veç qershia mbi tortë e ekstremistëve fundamentalist islamikë, që arritën të influencojnë edhe mbi drejtuesit e komunitetin shqiptar mysliman, të cilët të paktën në një ditë u bënë palë me ekstremistet. Edhe dalje e një figure hierarkike të komunitetit mysliman në Tiranë, duke i kërkuar falje e ndjesë komunitetit katolik për çfarë ndodhi turpësisht me shtatoren e Gjergj Kastriotit, është pjesë e provokimeve djallëzore sepse Gjergj Kastrioti nuk është figurë vetëm e komunitetit shqiptar katolik, por ai është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhën në botë duke përfshirë dhe shqiptarët mysliman, ortodoksë, evangjelistë dhe ateistë. Nuk e dimë sa në këtë ndjesë të dalë boje ka dorë djallëzia apo është e gjithë mosdija, niveli mediokër i oratorit, dhe mungesë e intuitës kombëtare.

Nuk është tepër herët për të thënë se si do të jenë rrjedhimet e deri ku na çon kjo rrugë revanshesh të fanatizmit fetar, për më tepër edhe të vrullit që kanë marrë hordhitë e neo-osmanizmit në trojet shqiptare. Nuk është tepër herët për të venë alarmin që ti pritet rruga mizorisë ogurzezë të fanatizmit fetar. Mendjelehtësia, anashkalimi, duke u fshehur pas tolerancave vetëmburrëse, nuk është gjë tjetër veç një vetëvrasje, të cilën populli shqiptar nuk e meriton se mjaft ka vuajtur nëpër shekuj.

Prandaj them, se kur flasin e shkruajmë në mbrojtje të identitetit tonë si shqiptarë, nuk është punë feje por është punë kombi dhe atdheu.

Shtator 1997-2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Atheu, bashkimi, Kolec Traboini, kombi

Sekretari Mattis dhe Gjeneral Dunford, opsionet e SHBA për Korenë e Veriut

September 4, 2017 by dgreca

Sekretari Mattis dhe Gjeneral Dunford,  mbi opsionet e mundshme ushtarake me Korenë e Veriut/
valet e termetit ne North Kore mbas bombes me hidrogjen.Nga Cheryl Pellerin/

Seksioni i lajmeve, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA/ 

Përktheu për “Diell-in”, Shefqet Kërcelli /      

WASHINGTON, 3 shtator 2017 – Në një konferencë shtypi të mbajtur pasditen e datës 3 shtator, para Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, sqaroi qëndrimin e SHBA pas testit të fundit bërthamor, më i madhi i kryer nga Koreja e Veriut. Zoti Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara kanë shumë opsione ushtarake për t’u marrë me provokimet e Kim Jong Un dhe ne e informuam Presidentin Donald J. Trump për secilën prej tyre në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë Konferëncë zoti Mattis shoqërohej nga  Gjeneral Joe Dunford, Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ushtrisë Amerikane. Fillimisht zoti Mattis tregoi një hartë, ku tregohet tërmeti i shkaktuar nga shpërthimi i bombës me hidrogjen. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet Programit nga rreziku i Tërmeteve {USGS}, i lidhur me rrjetet rajonale sizmike, tregon një hartë mbi situatën e krijuar nga tërmeti i magnitudës 6.3, i ndodhur 3 shtator 2017, 22 kilometra në Lindje-Verilindje të Sungjibaegam, Koreja e Veriut. Kjo hartë lëvizëse e realizuar në kohë reale tregon intensitetin e tërmëtit mbas shpërthimit të bombës, tha zoti Mattis.

Rreth orës 11:30 të mëngjesit, EDT, Shërbimi për paralajmërimet nga rreziqet e tërmeteve në SHBA, zbuloi një shpërthim të magnitudës 6.3, rreth 13 kilometra në lindje-verilindje të Sungjibaegam, Koreja e Veriut, i cili ndodhet pranë vendit ku Koreja e Veriut ka kryer shpërthimet bërthamore në të kaluarën, sipas një deklarate të USGS.Institucione dhe organizata të tjera të specializuara për zbulimin sizmik gjithashtu raportuan shpërthimin dhe rezultatet e pasojave sizmike, që shkaktoi shpërthimi. Ndërkohë Agjencia Qendrore Koreane njoftoi se, shkencëtarët e Koresë së Veriut kishin kryer në bazën veriore të testimit nuklear, testin e një bombe hidrogjeni të ndërtuar për t’u vendosur në kokën e një rakete balistike ndërkontinentale, duke e përshkruar pajisjen si një armë termonukleare me dy faza.Raportet e medias thonë se, testi ishte më i fuqishmi nga gjashtë shpërthimet paraardhëse që nga v.2006, por ende nuk ka matje zyrtare të forcës së armës së hidrogjenit. Arma e testuar mbrëmë ishte një bombë shkrirëse, e quajtur bombë hidrogjeni ose armë termonukleare. Armët e këtij lloji, të tilla si ato që ranë në Hiroshima dhe Nagasaki në Luftën e Dytë Botërore, nganjëherë quhen bomba atomike. Për një bombë me hidrogjen, sipas një dokumenti të vitit 2012, nga Martin E. Hellman, një profesor i Universitetit të Stanfordit, atomizimi është  një element primar që shkakton eksplozionin dhe ndezjen e mbushjes me hidrogjen. Qendra e Zbatimeve Teknike të Forcave Ajrore në Bazën Ajrore të Patrick, Florida, është organizata e vetme federale, misioni i së cilës është zbulimi dhe raportimi i të dhënave teknike nga shpërthimet e huaja bërthamore. Qendra operon dhe mirëmban një rrjet global të pajisjeve të zbulimit të ngjarjeve bërthamore, të quajtur 3.600-sensorët, rrjeti më i madh i sensorëve në Forcat Ajrore, që janë përfshirë në Sistemin e Zbulimit të Energjisë Atomike të SHBA.Kur zbulohet një shpërthim nëntokësor, nënujor, në atmosferë ose në hapësirë, ngjarja analizohet për efektet bërthamore dhe gjetjet raportohen tek autoritetet komanduese kombëtare.Qëndrim i hekurtNë komentet e tij, zoti Mattis tha se, i kishte bërë të qartë presidentit se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për të mbrojtur veten dhe aleatët e saj, – Korenë e Jugut dhe Japoninë – nga çdo sulm.”Angazhimet tona në mesin e aleatëve janë të hekurta” shtoi sekretari. “Çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara ose territoreve të tij, duke përfshirë territorin e SHBA, Guam, ose aleatët tanë, do të shoqërohet me një reagim masiv ushtarak, një përgjigje efektive dhe e madhe”.Një zë i unifikuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.Gjithashtu zoti Mattis tha se Kim Jong Un, duhet të marrë parasysh zërin e unifikuar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”Të gjithë anëtarët e këtij këshilli, ranë unanimisht dakord mbi kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut dhe ata mbeten unanim në angazhimin e tyre për denuklearizimin e gadishullit Korean,” tha ai. Koreja e Veriut ka sfiduar sanksionet e OKB-së dhe presionin ndërkombëtar për të zhvilluar armë bërthamore dhe raketa provë, që potencialisht mund të arrijnë SHBA-të.
“Ne nuk jemi duke kërkuar për asgjësimin total të një vendi, përkatësisht Korenë e Veriut, por siç thashë, ne kemi shumë mundësi për ta bërë këtë”, shtoi Mattis.Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se, do të ketë një takim për testin bërthamor të Koresë së Veriut, mëngjesin e datës 4 shtator.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mattis dhe Gjeneral Dunford, Opsionet per Korene, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 547
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT