• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesila Doda: Fashizmi grek dëboi djaloshin 17 vjeçar

February 13, 2017 by dgreca

*Një emër i lartë që e kemi harruar, e të paktën mund ta vendosnim në një rrugë a shesh në Pukë, është treguar zotni i vërtetë në atë kohë; Kolë Bibë Miraka, ish-ministri i brendshëm dha pasaporta shqiptare për mijëra hebrenj, të cilët me to u hodhën përtej në Italinë e Jugut të çliruar.

*Duhet të respektojmë sot, më shumë se kurrë katër anëtarët e ndritur të Këshillit të Naltë të Regjencës, Patër Anton Harapin, Mehdi Frashërin, Fuat Dibrën, Lef Nosin. Këta burra të lartë duhen respektuar, sepse jo vetëm rishpallën mëvetësinë e Shqipërisë pas pushtimit fashist, por sepse nuk i dorëzuan asnjë emer hebreu Gestapos.

Deputetja Mesila Doda, duke folur gjate ceremonine se hapjes te Autoritetit per Informimin mbi Dosjet e Ish Sigurimit. Hapja e plote dosjeve te ish Sigurimit te Shtetit mbetet nje sfide e politikes ne 26 vite pluralizem./r/n/r/nLawmaker Mesila Doda, speaks during opening ceremony of Authority for Information on files of Former State Secret police. The full opening of the files of the former secret police, remains a challenge in 26 years of political pluralism.
Deputetja Mesila Doda, duke folur gjate ceremonine se hapjes te Autoritetit per Informimin mbi Dosjet e Ish Sigurimit. Hapja e plote dosjeve te ish Sigurimit te Shtetit mbetet nje sfide e politikes ne 26 vite pluralizem./r/n/r/nLawmaker Mesila Doda, speaks during opening ceremony of Authority for Information on files of Former State Secret police. The full opening of the files of the former secret police, remains a challenge in 26 years of political pluralism.

Ligjvënësja Mesila Doda ka mbajtur një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë për dëbimin nga Greqia të një djaloshi shqiptar, ende minoren, vetëm 17 vjeç. Ai guxoi të bënte simbolin e shqiponjës, shenjës kombëtare të Shqipërisë në Portin Paksu në Pargë të Çamërisë.Deputetja e PDIU-së thotë se ky vendim gjykate është fashizëm i pastër dhe paraprin të njëjtën sjellje presekutimi të pashpirt si ndaj hebrenjve dhe shqiptarëve të Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më poshtë fjalimi i plotë i deputetes Mesila Doda:

Nëpërmjet medias greke dhe më pas asaj vendase, mësuam që një gjykatës i vendit fqinj ka dëbuar nga Greqia dhe ka shpallur “non grata” një djalosh shqiptar, vetëm 17 vjeç. Ka shumë rëndësi mosha në këtë rast, sepse i riu nuk ka mbushur ende moshën madhore dhe të paktën për të duhet të ishte shprehur një gjykatë për minorenët.Nejse, le të zbulojmë këtu, së bashku çfarë “krimi” të rëndë ka bërë ky fëmijë që meriton dëbimin dhe shpalljen “non grata”, thua se është agjent i shërbimeve inteligjente armike ose frymëzues i grupeve anarkiste apo terroriste.

Ky djalë ka bërë një foto me shpinë në Portin Paksu në Pargë të Çamërisë. Në këtë foto ai shfaqet poshtë flamurit të Greqisë duke bërë me pëllëmbët e tij simbolin kombëtar të shqiponjës së Shqipërisë. Ky është krimi që ka vënë në lëvizje autoritetet fqinje, në radhë të parë të hetojnë për të identifikuar këtë “kriminel”, 17 vjeçar. Më pas ka dalë një gjykatës dhe ka dhënë këtë vendim. Disa javë me parë një grup rekrutësh me origjinë shqiptare u dënuan për të njëjtën arsye.

Kaq qesharake dhe absurde është e tëra kjo, sa dëshiroj të mos jetë e vërtetë gjithçka është raportuar nga gazetat greke dhe shqiptare.

Të nderuar kolegë,

Askujt nga ne këtu në Kuvendin e Shqipërisë apo në qeveritë që kanë qenë, kjo që është dhe do të vijnë më pas, nuk mendon se kemi të drejtë të ndalojmë simbolet kombëtare të pakicave etnike apo kulturore. Besoj se bëjmë mirë që mos të ndrydhim askënd të jetë i lumtur për orgjinën e tij bullgare, malazeze, greke, ballkano-egjyptiane, rome e kështu me radhë. Askush nuk fiton duke ndrydhur tjetrin. Kudo që një grek e ka ngritur kulmin e tij nëpër në Shqipëri, e këtu nuk flas për zonat e minoritetit, por kudo, le ta shpalosë flamurin e vet dhe të bëjë me pëllëmbë çfarë zogu të dojë; kumurie, harabel, sorrë, petrit apo kanarinë. Unë, e para nuk do të lejoja askënd të guxonte të ndëshkonte dikë, sepse është krenar që i përket një kombi fqinj apo të largët. Kjo është demokracia që mëkon lirinë dhe bashkë me të tolerancën ndaj tjetrit, i cili është më pak se ty, më i vogël se ty.

Në Itali, kurrkush nuk ka ndaluar arbëreshët të festojnë me simbolet e tyre kombëtare, të lëvrojnë gjuhën, të thonë meshë në shqip. E njëjta sjellje është në këtë vend ndaj komunitetit grek në Brindizi. Shembuj ka plot nga vendet perëndimore, nga anëtarët e Bashkimit Europian, ku Greqia bën pjesë. Në fakt, me këto standarte të demokracisë çudi është që janë pjesë e një Bashkimi që ka për simbol lirinë, tolerancën.

Bashkëatdhetarët tanë në Greqi nuk kanë kurrfarë të drejte. Nuk ushtrojnë të drejtën e tyre të mësimit të gjuhës shqipe, veç disa kurseve gjysëm ilegale. Nuk festojnë dot me simbolet kombëtare, nuk ushtrojnë dot besimin e tyre, përveç në greqisht dhe në kishën greke. Myslimanët, katolikët, ungjillorët, por edhe ortodoksët shqiptarë jo vetëm nuk e thonë dot faljen apo meshën në shqip, por as fëmijët e tyre nuk i bekojnë dot apo t’i pagëzojnë sipas ritit të besimit që kanë. Duhet medoemos t’i “vaftisin” dhe t’i shndërrojnë në Jorgo, Vangjel, Spiridhon. Të më ndjejnë personat që mbajnë këto emra, sepse nuk e kam me bukurinë që ato përcjellin, por me dhunën shtetërore që t’i vendosin.

Unë mora shkas nga një djalë i ri, ende i mitur, i cili duhet të shkojë mbrapsht, sepse i pëlqen të thotë se është shqiptar. Ky është fashizëm! Po, po ky është fashizëm!

Hebrenjtë, jo shumë larg në kohë, u sulmuan pikërisht tek krenaria e tyre kombëtare, besimi, historia e tyre. Atje u gjet e keqja dhe fillimisht i shenjuan që t’i dallojnë nga të tjerët, pastaj i grumbulluan, në fund i dëbuan për në kampet e përqendrimit.

Edhe në atë kohë etërit tanë kombëtar mbrojtën më të dobëtit. Një emër i lartë që e kemi harruar, e të paktën mund ta vendosnim në një rrugë a shesh në Pukë, është treguar zotni i vërtetë në atë kohë; Kolë Bibë Miraka, ish-ministri i brendshëm dha pasaporta shqiptare për mijëra hebrenj, të cilët me to u hodhën përtej në Italinë e Jugut të çliruar.

Duhet të respektojmë sot, më shumë se kurrë katër anëtarët e ndritur të Këshillit të Naltë të Regjencës, Patër Anton Harapin, Mehdi Frashërin, Fuat Dibrën, Lef Nosin. Këta burra të lartë duhen respektuar, sepse jo vetëm rishpallën mëvetësinë e Shqipërisë pas pushtimit fashist, por sepse nuk i dorëzuan asnjë emer hebreu Gestapos.

Përse jua përmenda këto?

Sepse kjo jemi ne, shqiptarët. Këtë kemi trashëguar si vlerë. Lirinë dhe dashurinë për tjetrin. Prandaj, këtu është mëse e zakonshme që në një dasëm të këndohet edhe kënga italiane, edhe ajo greke. Kështu jemi gatuar.

Por ama, fqinjët tanë janë krejt e kundërta. Ata janë gatuar nga shembulli i heroit të genocidit. Po ju përmend vetëm një; Napoleon Zervën. Prandaj, një gjykatës në Parga ka burim frymëzimi vetëm dëbimin.

Dhe dëbimin e njohin fort mirë shqiptarët e Çamërisë dhe gjithë jugut. Kjo është arsyeja që kërkojmë ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e kësaj tragjedie. Një komision që po keni drojë ta ngrini, sepse nuk di ç’dreqën ju flasin në vesh, por me siguri në gjuhën greke ju pëshpërisin. Ne do flasim dhe do ngulim këmbë fort që të na dëgjojë dhe Athina dhe kush nuk do në Tiranë apo dikujt që duhet t’i mësohet veshi me termi Çamëri. Çështja shqiptare e genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë nuk është çështje e humorit me Greqinë, por e diplomacisë shqiptare e europiane. Aty është rruga jonë e aty do ta kërkojmë të drejtën tonë.

Na kërkojnë të jemi të duruar e të ulim kokën ndaj fqinjit. E vërteta është që jemi treguar të kujdesshëm e luajalë gjithë këto vite me Çështjen Çame, kemi pritur që t’i japin zgjidhje të tjerat parti politike pushtetare e jo pushtetare. E vërteta është që partitë luftojnë për pushtet dhe kauzat e mëdha ose i harrojnë ose mundohen t’i varrosin rrugës. Kjo është arsyeja që ne nuk harrojmë, nuk do harrojmë kurrë që politika kërkon përkushtim, dinjitet dhe guxim, guxim për ta mbajtur kokën lart përpara agresorit dhe të thuash të vërtetat jo me gjysëm zëri, por fort dhe bindshëm.

Të nderuar kolegë,

Kjo qeveri nuk mund të rrijë duarlidhur, nëse lajmi për dëbimin e djaloshit të shqiponjës është i vërtetë. Ambasadori i Greqisë duhet të ishte thirrur me urgjencë në Ministrinë e Jashtme. Një Notë proteste duhet të ishte hartuar me kohë e me vakt, ndërsa djali i dëbuar duhet marrë, arsimuar në shkollat më të mira të Shqipërisë, pa kurrfarë shpenzimi. Duhet formuar ai çun që nesër të jetë një mendje për të bërë para në Shqipëri dhe jo vetëm. Nuk mund të lëmë në mes të rrugës dikë që nuk ka drojë të bëjë simbolin e kombit të tij. Nuk mund të na kompleksojnë deri në këtë pikë, sepse pas kësaj na pret vetëm një udhë; asimilimi.

Filed Under: Analiza Tagged With: djaloshi cam, fashizmi, Mesila doda

Heshtja nuk tregon urtësi në këtë rast

February 13, 2017 by dgreca

-Intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur/

nga Majlinda BUSHJA/

2 Majlinda Bushja

Nuk ke për çfarë të flasësh më parë, në këto kohë të vështira. Shqetësim ka krijuar grabitja e bankave për të disatën herë, nga ana tjetër vetingu dhe përplasja Llalla –Lu kanë krijuar tensione të vazhdueshme në politikë, në parlament vazhdojnë si serial i radhës, zënkat, dhe disa ditë më vonë kemi protestën e 18 shkurtit të organizuar nga opozita. Ikën dhe 8 thasë me para, jo pak por, 3.2 milionë dollarë citojnë mediat. Të dhënat janë kontradiktore si gjithmonë në media, disa thonë ishin 7 thasë, të tjerat 10, e disa të tjera 8. Fakti që përforcohet gjthmonë e më shumë në këtë vend dhe rast, është kriza e sigurisë.

Në javën që lamë pas, të enjten në mbrëmje, emisioni “Opinion” në televizionin “Klan”, shtroi si temë diskutimi këtë problematik të përsëritur që është vërtetë shumë serioze, ku Fevziu i qau hallin policëve privat që marrin një rrogë prej 18 000 mijë lekësh në muaj, dhe mirë bëri. Ç’janë 180 mijë lekë në ditët e sotme, ku ritmi i jetës aq më tepër në kryeqytet është shumë larg kësaj rroge dhe çmimet krahasuar me vendet e tjera janë të larta. Por gazetari që punon prej disa vitesh në median e shkruar dhe elektronike nuk ja ka qarë ndonjëherë hallin kolegëve gazetarë që keqpaguhen, paguhen me vonesë, apo nuk paguhen fare, apo nuk i hyn gjemb në këmb, ndërkohë këmbët e kolegëve janë mbushur plot, e në rastin më të parë nxjerrin në shesh problematikën. Pothuajse rrallë herë është shtruar kjo temë për diskutim dhe më të guximshmit kanë guxuar të flasin.

Pasi, disa ditë më parë Deutsche Welle publikoi një artikull për gazetarët shqiptar që u pasqyrua edhe në mediat tona me titull: “ Gazetarët e Shqipërisë të pambrojtur”, ku trajtohej problemi i vonesave të pagave, kontratat individuale apo moskontratat fare, puna në të zezë dhe drobitjen e gazetarëve shqiptar në kushte pasigurie për punën dhe ekzistencën e tyre. Ndërkohë që gazetarët ngrenë zërin me forcë për të gjitha shqetësimet e qytetarëve duke vrapuar nga një skaj i vendit në tjetrin në çdo kohë, nuk kanë zë për të drejtat e tyre. Kur puna shkon aty, mbizotëron heshtje, por heshtja në këtë rast nuk është maturi, por nënshtrim. E kur çdo gazetar pajtohet me këtë nënshtrim, me frikën e humbjes së vendit të punës, ai ka pranuar të gjitha presionet e tjera që vijnë si rrjedhojë e së parës. Ndërkohë që flet gjithë ditën për të drejtën e vërtetën, ai, gazetari, fsheh të vërtetën e tij, dhe të drejtën e tij e ka lënë të fundit për nga radha. Mirëpo, askush nuk guxon të flasë e të mbrojë gazetarin, as ai vet, vetveten, e të kthejë faqen e historisë njëherë e përgjithmonë. Të paktët që guxojnë harrohen shpejtë dhe humbasin mes problematikave të përditshme.

Në këtë rast me të drejtë lind pyetja:  Pse duhet të flas Deutsche Welle  për gazetarët shqiptar të katandisur e të pambrojtur ku vet të zotët e punës vegjetojnë duke pranuar realitetin që nuk dihet për sa kohë do të jetë i tillë. E ku protestat s’ekzistojnë e as që merren me mend përveç një protestë të gazetarëve të televizionit A1News, një televizion në vitin e parë të tij. Askush nuk duhet të ketë frikë nga e drejta, nëse e meriton duhet ta gëzosh. Por nëse je gazetar këtu në Shqipëri ke frikë nga e drejta jote, kështu ka ndodhur këto 27 vite, të pas ’90-tës. Heshtja ka qenë e para dhe e drejta ka shkuar pas saj po në heshtje.

Nëse rikujtojmë, një raport të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, 3 maj 2015 , (Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias), shifrat janë tronditëse përsa i përket realitetit. Një realitet i maskuar që sa herë heq maskën të lë pa fjalë nga ku ndër të tjera në raport thuhet; “Në 23 gazeta të përditshme të vendit, vetëm në 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave korrekte në kohë; në 72 televizionet e vendit, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare të punonjësve, nga 71 radiot, vetëm në 8 paguhen rrogat në mënyrë korrekte dhe nga 250 webe dhe gazeta online të çelura pas periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre rezulton një sistem modest pagash. Pra, në 85 % të mediave të vendit gazetarët ose nuk janë paguar në kohë, ose nuk janë paguar fare”. Pavarsisht se, ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që atëherë gjerat nuk kanë ndryshuar. Shkrimi i Deutsche Welle  përforcon edhe njëherë faktin se gjerat nuk kanë ndryshuar. Këto të dhëna nuk përbëjnë lajm për qarqet gazetareske pasi dihen prej kohësh, por askush nuk merr guximin për të ndryshuar gjendjen ku puna të fuksionojë në bazë të rregullave dhe të çmohet me seriozitetin e shpërblimit të merituar. Nëse tregu mediatik është në krizë, nisur nga situata që flet vet sot, atëherë pse nuk duhet ta pranojmë, ku gazetari i paguar keq, apo i papaguar është më gjyhnaqarë se ata policët që janë paguar keq dhe janë të pamotivuar për ta bërë punën mirë. Pasi nuk rrinë bashkë arti i të shkruarit, me këpucët e grisura, por këto të fundit mund të shërbejnë për art. Madje janë tregues që intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Heshtja, indiferenca, intelektualet, Majlinda Bushja

Kosovë janë edhe katër komunat e veriut

February 9, 2017 by dgreca

–Kuvendi i Kosovës solidarizim me Ramush Haradinajn, ndërpret seancën për ta vazhduar të marten/

–Lexojeni të plotë në fund të kronikës fjalimin e kryeministrit Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës/Kuvendi-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-8shkurt2017Kuvendi-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-8shkurt2017-1Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës/Isa-Mustafa-Kuvend-Kosove

-Situata në Mitrovicë, interpelancë e kryeministrit Isa Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës me 23 pika në axhendë/

Isa-Mustafa-konference-shtyp-28dhjetor2016-2

PRISHTINË, 9 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare, ku në axhendën 23 pikëshe është edhe interpelanca e kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë. Interpelanca me shumë debate do vazhdojë pas pushimit që u dha pasdite.“Veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe qytetarë të saj janë edhe ata të katër komunave atje, si të gjitha të tjerave”, tha fillimisht Mustafa.Kryeministri u shpreh se, problemet në veri të vendit si edhe në çdo pjesë të Kosovës duhet t’i zgjidhim mbi bazë ligjore me mirëkuptim dhe në komunikim me qytetarët.“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitëtit dhe integritetit territorial të shtetit tonë. Ky është obligim kushtetues për të gjithë ne ashtu siç është sigurimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”, theksoi kryeministri Mustafa.Ai në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë ka folur edhe dje në mbledhjen e qeverisë duke njoftuar për marrëveshjen e arritur për rrënimin e murit afër urës në pjesën veriore të qytetit dhe planin për ndërtimin e sheshit atje.“Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë komuna e Mitrovicës Veriore, e cila ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidh”, tha kryeministri Mustafa.Ai bëri të ditur edhe se,  tash për ndërtimin e sheshit  ka kërkesë nga  vetë komuna e  Mitrovicës së Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të qeverisë së Kosovës në procesin e mbikëqyrjes së punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet sipas marrëveshjes dhe  projektit për revitalizimin e sheshit, që janë nënshkruar.Në seancën e sotme të Kuvendit kryeminsitri Mustafa ka edhe një interpelancë tjetër në lidhje me përgjegjësinë mbi Ligjin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës, të dyja të kërkuara nga subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje.Fillimisht, Kuvendi i Kosovës miratoi sot me shumicë rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, ndërsa pasi votuan vetëm 23 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh nuk kaloi propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pika këto për të cilat debati është shterur në seancën e kaluar. Votimi u zhvillua pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.Në axhendën e seancës së sotme janë edhe debati për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i Axhendës për Reforma Evropiane, si dhe disa preojektligje, mes të cilëve ai për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në axhendë është edhe votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, por nuk do mund të kalonte në votimin në seancë plenare nëse vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvend e grupit parlamentar prej 11 deputetësh e Listës Serbe, pasi duhen edhe më shumë se gjysma e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë – së paku 11 nga gjithësej 20 në parlemantin 120 anëtarësh.Prej gati katër muajësh,  nga 9 tetori 2016, Lista Serbe ka deklaruar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend, në kundërshtim të Ligjit për Trepçën, lidhur me të cilin iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në 31 tetor  shpalli vendimin se ky ligj është kushtetues. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka paralajmëruar se për shkak numrit të madh të pikave të rendit të ditës, seanca e nisur sot pritet të vazhdojë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.

Fjala e kryeministrit Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 9 shkurt 2017- Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa në interpelancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën në Mitrovicë.

Faleminderit z. Kryesues,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, qytetarë të nderuar,

Prolongimi i kësaj interpelance mund të them se nuk është çështje e kërkesës time. Ajo çfarë është kërkuar në Kryesi është vetëm të prolongohet për një seancë të Kuvendit, sepse nuk kam qenë këtu dhe unë në asnjë rast nuk kam bërë vërejtje që të mos mbahet interpelanca dhe të mos përgjigjem në këtë interpelancë.Dëshiroj vetëm të ripërsërisë se veriu i vendit të Kosovës është pjesë e Republikës së Kosovës, se qytetarët e katër komunave në veri, ashtu sikurse edhe qytetarët e gjitha komunave tjera, janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Prandaj, gjendjen në veri të vendit mund ta kuptojmë dhe ta trajtojmë më lehtë dhe pa ngarkesa, kur vetës ia sigurojmë dhe ia sqarojmë se po flasim për territorin tonë dhe po flasim për qytetarët tanë, pa marrë parasysh problemet e trashëguara dhe pa marrë parasysh problemet që sot po lindin.

Problemet në veri të vendit sikurse edhe në çdo pjesë të Republikës Kosovës duhet t’i zgjidhim mbi bazë ligjore me mirëkuptim dhe me komunikim me qytetarët.Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë.Ky është obligim kushtetues për të gjithë ne, ashtu siç është sigurimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.Qeveria e Kosovës dhe gjitha institucionet e vendit arritën që ta mbrojnë sovranitetin e shtetit, ta ruajnë stabilitetin e brendshëm përballë provokimeve destabilizuese që erdhën nga sjelljet provokuese të Serbisë. Me sjellje dhe me përgjegjësi shtetërore u ndal treni me parulla provokuese i nisur nga Beogradi. Në marrëveshje me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe me përfaqësuesit serbë nga radhët e deputetëve dhe ministrave në institucionet e Kosovës, si dhe me përkrahjen ndërkombëtare arritëm marrëveshjen për rrënimin e murit ndarës dhe për ndërtimin e një sheshi sipas ligjeve dhe standardeve të përcaktuara.Po ashtu, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të dëshmuar se fletarresti i lëshuar ndaj kryetarit të AAK-së dhe ish kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, është politik, është joligjor dhe është i pavlefshëm jo vetëm për Kosovën, por duhet të jetë i pavlefshëm edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Në të gjitha rastet, përgjigja jonë ishte institucionale dhe e vendosur në koordinim të plotë me të gjitha institucionet shtetërore, me presidentin e vendit dhe me kryetarin e Kuvendit. Në përballimin e sfidave gjatë kësaj periudhe, ne patëm përkrahjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. U dëshmua se ata kanë besim në institucionet e Republikës së Kosovës.

Këtë të diel, më 5 shkurt e hoqëm murin në Mitrovicë, në dobi të lëvizjes së lirë të qytetarëve, me një angazhim institucional dhe me një proces të brendshëm të bisedimeve mes Qeverisë dhe autoriteteve komunale të pjesës veriore të Mitrovicës.

Tashmë ka filluar realizimi i planit për shëtitoren në rrugën kryesore të qytetit sipas ligjeve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë për herë të parë ndërmjet Komunës së pjesës veriore të Mitrovicës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Të nderuar deputetë,

Janë dy probleme të cilat e ngarkojnë jo situatën në veri të vendit, por edhe në tërë vendin. Është shtrirja akoma e gjerë e strukturave paralele serbe në shumë komuna jo vetëm me shumicë serbe, por formalisht edhe në ato me shumicë shqiptare, në institucione shëndetësore dhe kompani publike dhe është ndikimi i drejtpërdrejt i Qeverisë së Serbisë në deputetët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë nga radhët e Listës Serbe. Prandaj, mendoj se kjo çështje duhet të shtrohet në mënyrë integrale, dhe jo vetëm si çështje e komunave të veriut, asaj të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesës veriore të Mitrovicës, por si problem i tendencave që Serbia akoma mundohet të ushtrojë ndikim në Kosovë. Përfundimisht, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e plotë të strukturave paralele dhe me ndërprerjen e ndikimit të strukturave të Serbisë tek përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës dhe me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Sa i përket veriut, Qeveria e Kosovës do të vazhdoj angazhimet për të konsoliduar më tej sovranitetin shtetëror në pjesën e veriore të vendit. Gjendja në veri ka ndryshuar pozitivisht, dhe këto ndryshime janë rezultat i drejtpërdrejt i dialogut në Bruksel. Zhvillimet negative kohëve të fundit nuk kanë mundur të zbehin këto rezultate dhe ne nuk kemi lejuar që ajo të ndodh. Me Marrëveshjen për Kufirin, është arritur që autoritetet shtetërore të Kosovës të vendosen në dy pika kufitare në veri, të cilat ishin sulmuar dhe djegur kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Këto pika gjenden aty ku është kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë. Kosova ka arritur të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit në këto fusha: në fushën e sigurisë ku Policia e Kosovës vepron nga viti 2014; në fushën e doganave nga viti 2012; në fushën e administratës tatimore. Kosova ka vendosur të gjitha ministritë dhe agjencitë shtetërore që kanë veprimtari lokale në këtë pjesë të vendit, kemi shuar strukturën ilegale me premisa paramilitare e ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”, ndërsa ish-pjesëtarët e saj janë bërë shërbyes civilë të punësuar në sistemin e Kosovës.

Është implementuar Marrëveshja për Kodin Telefonik dhe shteti i Kosovës ka marrë kodin e vet telefonik +383 i cili ka filluar edhe të implementohet. Është arritur marrëveshja për drejtësi, e cila marrëveshje do të filloj së shpejti të implementohet. Kemi hapur zyrat e regjistrimit civil në komunat veriore për t’i pajisur ata qytetarë me dokumente shtetërore të Kosovës. Kemi shuar strukturat paralele të Serbisë në fushat ku janë arritur marrëveshjet. Integrimi i komunitetit serb të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës është gjithnjë në rritje. Interesimi i tyre për jetë normale dhe prosperuese është fakt që shprehet nga vetë ata. Dialogu i Brukselit ka mundësuar që të hiqen të gjitha barrikadat në veri, të cilat ishin vendosur si reaksion ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe po ashtu është hequr edhe barrikada nga ura e Mitrovicës e cila do të lëshohet së shpejti dhe do të hapet së shpejti qarkullimi automobilistik dhe qarkullimi tjetër ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Këto zhvillime pozitive në veri të vendit krijuan mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të qytetarëve dhe komuniteteve. Qeveria e Kosovës vlerëson kontributin e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tejkalimin e tensioneve të krijuara dhe ndaljen e provokimeve destabilizuese nga ana e Serbisë dhe mund t’ju them se dy takimet e fundit në Bruksel, sa kanë qenë të rënda, aq edhe kanë dhënë rezultate në këtë fushë.Delegacioni jonë e ka bërë të qartë se mbesim të përkushtuar për paqe dhe për fqinjësi të mirë, por gjithnjë në kushte të respektimit të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes në punët e brendshme.Kosova tani ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian.

Të nderuar deputetë,

Kosova do të vazhdoj forcimin e shtetit përmes zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe komunitetit, integrimit, sigurisë dhe prosperitetit. Ashtu siç e dëshmuam në këtë periudhë, Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet shtetërore kanë zotësinë për të përgjigjur çfarëdo sfide në të cilën ne do të ballafaqohemi. Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, siç është marrëveshja për drejtësi dhe marrëveshjet tjera. Në këtë rast, dëshiroj të falënderoj veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, dhe vendet tjera për vendosmërinë e tyre që të përkrahin proceset euro integruese të Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Nga të gjitha interpelancat por edhe debatet që u iniciuan në Kuvend, tani kanë një emërues të përbashkët. Ky emërues është ndërprerja e dialogut, kushtëzimi i dialogut, ngrirja e dialogut. Dialogu me Serbinë në mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvillohet në interes të Republikës së Kosovës, sepse Kosova po ballafaqohet me probleme që nga përfundimi i luftës, të cilat nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes përpos dialogut. Me dialog ne nuk po zgjedhim problemet e Serbisë, sepse ne nuk po e cenojmë sovranitetin e Serbisë.

Por është e kundërta.

Si kryeministër i vendit konsideroj se dialogu nuk ka alternativë, konsideroj se politika e dialogut me fqinjët, edhe me Serbinë, është orientim strategjik i Republikës së Kosovës, ashtu siç është orientim i yni strategjik rruga eurointegruese dhe partneriteti i përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E kam thënë publikisht se asnjë nga ju, nga opozita, që sot po e kundërshtoni dialogun nuk do ta kundërshtonit këtë po të ishit në pozitë dhe po t’i kishit përgjegjësitë që ne i kemi.Ne njihemi dhe nuk harrojmë se si jemi betuar të gjithë ne që jemi këtu pa marrë parasysh në cilën anë jemi sot këtu, se si do ta vazhdojmë dialogun dhe kemi konkurruar dhe kemi bërë gara se kush është ai që do ta marrë dhe ta udhëheq dialogun. Edhe rezoluta si e tillë nuk meriton të përkrahet ndryshe ajo nuk shprehë asnjë interes të Kosovës përveç të një mllefi opozitar ose të një mllefi i cili nganjëherë lind edhe si pasojë e veprimtarive të papërgjegjshme dhe sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë.

Prandaj, do të ishte mirë që energjitë tona që po i shpenzojmë për të bllokuar dialogun, ose për të kundërshtuar bllokimin e dialogut t’i orientojmë pozitivisht në orientimin tonë për zhvillim ekonomik, për zhvillim social, për integrimin e serbëve në të gjitha institucionet e vendit tonë, për krijimin e mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok dhe për rrugën tonë euroatlantike.Faleminderit!

-Kuvendi i Kosovës solidarizim me Ramush Haradinajn, ndërpret seancën për ta vazhduar të marten/1 Kuvendi i kosoves

 Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e nisur sot me axhendën 23 pikëshe do vazhdojë të marten e javës së ardhshme pasi ndërpreu punimet para votimit të një projektrezolute pas debatit në interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë.Pas diskutimeve, në cilësi të iniciuesit të kësaj interpelance, deputeti Rexhep Selimi na Lëvizja Vetëvendosje prezantoi tekstin e projektrezolutës, nëpërmjet të cilës i kërkohej qeverisë që të zbatojë pa vonesë ligjet në fuqi për ndërtimet e paligjshme në veri, të heq çdo lloj pengese për lëvizjen e lirë në Mitrovicë, jo më larg se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të hartojë planin dhe kalendarin e kthimit të qytetarëve shqiptarë dhe rindërtimin e shtëpive të tyre në veri të qytetarit, qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e 25 gushtit 2015 të nënshkruara në Bruksel, si dhe në vend të negociatave me Serbinë në Bruksel, Kuvendi të angazhohet që të fillojë dialogun me qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serbë, për integrimin e tyre.

Para hedhjes në votim të projekt-rezolutës, fjalën e mori kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili kërkoi që në shenjtë proteste me vendimin për zgjatjen e ndalimit në Francë të Ramush Haradinajt, Kuvendi të ndërpresë punimet.

Kryeparlamentari Kadri Veseli njoftoi se ky është qëndrim edhe i grupeve të tjera parlamentare dhe në shenjë solidarizimi me Haradinajn, ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin të martën, në orën 10:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli ka bërë edhe një postim në ‘facebook’, ku shkruan: “Me keqardhje mësova për zvarritjen e marrjes së vendimit nga gjykata franceze për bashkëluftëtarin Ramush Haradinaj. Akuzat nga Beogradi kundër Haradinajt janë të papranueshme. Me këtë rast, solidarizohem me Ramushin, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke i siguruar se të gjithë jemi pranë tij dhe Institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen për lirimin e tij”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, e veriut, katër komunat, Kosovë janë edhe

Karshillëku antieuroatlantik

February 8, 2017 by dgreca

1 Çerçiz LoloçiNga Çerçiz Loloçi/ Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe mjaft politikanë të tjerë në Shqipëri kanë kontestuar rolin protagonist të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së Brukselit Romana Vlahutin për ndryshimet kushtetuese dhe sidomos për Reformën në Drejtësi. Madje përtej kësaj pakënaqësie, mediat pranë tyre ka nisur një fushatë të gjerë denigruese ndaj dy ambasadave më të rëndësishme, që janë njëheri edhe përfaqësues të dy nga partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Kjo nuk është hera e parë dhe e vetme kur, vendime apo reforma që duan të kthejnë në normalitet një demokraci të brishtë si kjo e jona, pra kur bëhen përpjekje për një klasë politike më të shëndoshë, për institucione më të konsoliduara, për një administratë publike që nuk përpjestohet mes partive dhe hyjnë deri edhe “të hurit dhe të litarit” përkundër konkurimit- të ngrihen pengesa nga më të pa konceptueshmet. Reforma në Drejtësi është vërtet jetike për vendin tonë dhe këmbëngulja në këtë rast nuk ka qenë as e Partisë Socialiste, as e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as e opozitës. Këtë e kanë kërkuar dhe kanë këmbëngulur më shumë ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Pikërisht për këtë shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës duke shpresuar në një rithemelim të republikës të grabituar babëzisht nga politikanë, ish kryekomunarë e kryebashkiakë, gjyqtarë e prokurorë dhe nëpunës të të gjitha niveleve. Të ishte për këtë klasë politike, për këta deputetë dhe ministra, asgjë nuk duhej bërë sepse kjo nuk prekte asnjë fije nga shpërdorimet që bënin me pushtetin, nga gjyqet farsë që janë bërë këto 27 vjet dhe politikanët më të lartë “kanë dalë vazhdimisht pa u lagur”. Modeli i partive kryesore në vendin tonë nuk ka asgjë të përbashkët me partitë europiane apo edhe ato të vende fqinje ku mandati i drejtimit s’mund të shkojë më shumë se dy të tilla dhe ku kryetarët e partive nuk sillen si kryetarë çetash të 100 e ca vjetëve më parë. Ky perceptim, por edhe realitet njëkohësisht, i bën politikanët tanë të pabesueshëm dhe të pavërtetë. Kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap që duhet përshëndetur, por paralelisht me të duhet bërë edhe kontrolli i krerëve më të lartë të partive kryesore duke iu nënshtruar ”makinës të së vërtetës”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Cerciz Loloci, Karshillëku antieuroatlantik

A egziston strategjia e edukimit ‘ te brezit te ri ne Shqiperi ?

February 8, 2017 by dgreca

Nga Filip Guraziu/

1 Filip

‘Njeriu’ perben  elementin me te rendesishem te platformes  se  zhvillimit se  nje shoqerije.  Mund te investosh shuma te medha per zhvillimin e nje vendi; te ndertosh rruge, ura , tunele,  etj., por cdo gje me pas nuk do te funksionoje si duhet  dhe do te shkoje drejte venitjes dhe  paralizes  ne se ‘Njeriu’ qe i shfrytezon dhe i perdoron ato vepra nuk do te jete i edukuar ,  kjo  jo vetem  ne aspektin  tekniko- profesional , por kryesisht  ne aspektin  moral, human dhe  patriotik.

Nuk eshte rastesi qe diktaturat kudo ne bote,  te djathta dhe te majta, vemendjen me ta madhe te propogandes se tyre ja paten kushtuar  edukimit te brezit te ri.   Ne nje mase me te vogel, po perseri me vemendje te veçante, trajtohet edhe sot  sektorit i edukimit  ne shtetet demokratike te botes.  Eksperiencat ne kete drejtim na bejne  te kuptojme dhe te bindemi se shoqeria shqiptare nuk mund te jete e shendetshme dhe e sigurte ne zhvillimin dhe  perparimin e saje drejte mireqenies ne se ‘sektori i edukimit’ qe trajton brezin e ri nuk ka si udherrefyes nje strategji te miremenduar  qe misheron kerkesat e normave morale bashkekohore qe kushtezon e ardhmja europiane.

Shoqeria shqiptare sot krenohet per disa simbole kombetare me te cilet lidhet identiteti i Arberit; neve jemi krenar qe jemi bashkekombas te Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe te Nane Terezes, dhe eshte e natyrshme qe puna edukuese me te rinjte behet dhe duhet te jete ne kete linje,  por ne kundershtim me kete, praktikat e koheve te fundit   provojne qe çdokush ( edhe personazhe rruge me identitet te dyshimte dhe  prapavije te qarte antishqiptare),  fare lehte bejne propagande krejte te kundert duke gjetur hapsire veprimi ne media dhe sheshe publike, gje qe ç’orjenton formimin e ndergjegjes se brezit te ri duke goditur  qelizen vitale te identitetit te shqiptareve! A duhet lejuar kjo?

Shqiptaret e permbysen  komunizmin duke hedhur ne kazanin e plehrave propoganden   imorale te ‘luftes se klasave’ qe ushqente urrejtjen klasore  dhe perbuzjen per kleriket dhe intelektualet nacionaliste  qe konsideroheshin  “armiq te klases”.  Sot ne demokraci, Shqiptaret mburren per qendrimin moralo-patriotik te klerikve te cilet me besimin ne Zot ju kundervuan haptas dhunes komuniste i njejti qendrim edhe  per intelektualet nacionaliste me bindje liberale te cilet punuan me perkushtim per ngritjen kulturore te shqiptareve. Keto konsiderata perbejne  elemente te rendesishem per formimin moralo-patriotik te brezit te ri, te pranuara unanimisht nga te gjitha forcat politike parlamentare, por perseri ne praktiken e perditshme ndodh e kunderta! Ne nje mori media televizive çfaqen  dite  dhe nate filma te prodhuar nga Kinostudio ‘Shqiperia e re’ te periudhes se diktatures, ku te rinjte e lindur ne demokraci, shohin dhe mesojne pra edukohen me “  imoralitetin dhe antishqiptarizmin e  klerikve ”, tradhetine e intelektualeve nacionaliste dhe poshtersine e klases borgjeze    (propagande tipike e diktatures komuniste)  A duhet lejuar kjo ?

Jo, kjo situate paradoksale dhe e demshme per edukimin e brezit te ri nuk duhet te ndodhe!  Deshiroj qe te moskeqkuptohem, personalisht  vleresoj punen e madhe artistike( pavaresisht moralit politik te kohes) qe ka bere ne vite Kinostudio ‘ Shqiperia e re’, por e çoj zerin per te bere thirrje  qe institucionet pergjegjese te edukimit  dhe ato te kontrollit te mediave vizive  ne nivel shteteror te reagojne per ta kontrolluar situaten duke bere seleksionimin e filmave qe transmetohen.  Gjej rastin te kritikoj  qendrimin indiferent dhe oportunist te drejtuesve te komuniteteve fetare shqiptare dhe ne veçanti te  drejtuesve te komunitetit katolik qe deri sot nuk kane protestuar me force per te kerkuar qe te marre fund diskriminimi moral i klerikeve nga filmat e periudhes komuniste!

Me keqardhje duhet te pranojme se organizimi dhe drejtimi institucional- shteteror shqiptar  i ‘sektorit te edukimit’ ende paraqitet i manget , pa strategji veprimi, per te mos thene qe eshte inegzistent. Indiferenca shteterore ndaj strategjise se edukimit ‘te brezit te ri’ veshtireson deri ne pengese  rrugen e shqiptareve drejte europes. Kembanat e alarmit bien!  Antishqiptaret punojne dite dhe nate kunder gjerave me te shtrenjta dhe simboleve te shqiptarizmit. Populli thote “gjejne shesh dhe bejne pershesh” perse?  Sepse Shqiperia ende muk ka shtet qe te mbroje simbolet, idealet dhe identitetin Shqiptareve, deri kur keshtu?

Filed Under: Analiza Tagged With: A egziston strategjia e edukimit ‘, Filip Guraziu, te brezit te ri ne Shqiperi ?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • 594
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT