• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Muri ishte gjithmonë aty

December 27, 2016 by dgreca

Foto nga Anton Marku 2

Shkruan: Anton Marku/Vjenë/ Edhe këtë herë, si dhe gjithmonë përgjatë historisë, po dëshmohet se luftërat nuk mbarojnë atëherë kur ndalen. Ato vetëm trasformohen në beteja të reja. Ky është rrëfimi për atë se si dështoi tentimi për tëbashkuar një shtet duke ndarë një qytet./

1-muri-mitrovices

Ura (parahistori)

Në fillim, menjëherë pas fjalës, ishin ata. Jetuan shekuj të tërë pranë e pranë pa i besuar njëri-tjetrit asnjëherë gjer në fund. Flisnin gjuhë të ndryshme, nuk lidhnin krushqi mes vete dhe as që ëndërronin njësoj. Vetëm legjendat dhe këngët i kishin të ngjajshme. Shumica të huazuara nga fqinjtë. Megjithatë, i njëjti shi i lagu, i njëjti dielli i poqi, pinë nga të njëjtat burime. Pa arritur asnjëherë të bëhen armiq. Ashtu klasikë. Që të kuptonin më mirë gjuhën e lumit, dikush u tha se do ishte mirë të ndërtonin një urë. Ai që foli i pari nuk u tregoi se për të duheshin të dy anët. Dhe as që i dha emër. Atë ja dhanë vet ata që e ndërtuan. E quajtën ‘‘Ura Jonë’’. Dhe erdhi koha kur njëra palë u plak. Tjetra u rrit. Në anën e erës shtoheshin arkivolet. Në atë të detit djepat. Për një moment u bë ngushtë. Edhe pse tokë kishte mjaft, disa nuk mund të ndaheshin aq lehtë nga dheu. Të tjerët filluan të hyjnë në të. Me trup. Tek koka u vinin nga një gur. A kryq.

Këtu e gati njëzet vjet më parë i ishte afruar shpesh vdekjes por ajo nuk e deshi. U tha se ajo kishte të drejtë në jetë por jo dhe në vdekje. E liga i donte të vdekura ëndërrat, jo urën. Dhe pothuajse ja arriti. Ishte kjo koha kur nëpër të kalonin vetëm qentë endacakë, ndonjë nga të çmendurit e zakonshëm të të dyja anëve të qytetit dhe eventualisht ndonjë i huaj. Shpesh me dyftyrësi të paftyrë. Ajo i mbijetoi luftës së fundit dhe nuk e pati fatin e urës së Mostarit që të hidhet në erë apo një fshati të Srebrenicës që mbeti e shkretë pasi që nuk kishte më njerëz që do kalonin mbi të. Nga asnjëra anë.   Ku ka ura ka dhe mure. Vetëm se ata janë të padukshëm. Ata janë në kokat e njerëzve. Në kokat tona. Dhe të tyre.Deri tani është besuar se jo gjithçka është e humbur. Ka ardhur dita që të mos besohet më.

 Kthimi në realitet

Që nga paslufta, asnjëra palë, as ajo kosovare, as ajo serbe, e aq me pak bashkësia ndërkombëtare, nuk ishin të interesuara që të evitonin konfliktet e mundshme që mund të ndodhnin në të ardhmen, të zgjidhnin mosmarrëveshjet aktuale dhe të gjenin një rrugë të ndërmjetme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. Fjala kompromis nuk egzistonte në fjalorin e tyre edhe ashtu të vobektë negociator. Për më tepër ato ishin mëshumë të fokusuara në pozicionim dhe ripozicionim përpara procesve tjera, që si rrjedhojë do të mund të sillnin ndonjë hap më përpara në integrimet evropiane. Dhe ndodhi ajo që ndodhë gjithmonë pas lojërave të tilla. U krijua një hendek mosbesimi edhe më i madh se më parë. Tani as lutjet as kërcënimet nuk bëjnë më punë. Përfaqësimi nuk do të thotë automatikisht edhe përfshirje. Integrimi nënkupton inkuzion, jo vetëm sipërfaqësor por dhe përmbajtësor. Një ofertë serioze për serbët e veriut të Kosovës, pos për politikanët e tyre, mungoi për shumë vite. Në disa raste, atyre ju dha zëri por jo dhe mundësia e kontributit, e cili, ç’është e vërteta, do duhej të ishte i sinqertë dhe i pakushtëzuar, në proceset dhe sfidat nëper të cilat po kalonte vendi. Ata disi u lanë jashtë. Po ashtu duhet thënë se edhe nga ana serbe refuzimi ishte fjalë pothuajse e përditshme. Ashtu si dhe injorimi dhe cinizmi nga pala tjetër.

Aktualisht, megjithë nisjen dhe vazhdimin, së paku deklarativ, të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ajo që është arritur në këtë aspekt është pothuajse baraz me pak më shumë se asgjë. Për mëtepër, me apo pa dëshirën e saj, Kosova po shkon drejt jetësimit të njërës prej dy koncepteve: a) krijimin e një shoqërie multietnike (minus serbët) dhe b) krijimin një sistemi monoetnik, i dominuar absolutisht nga populli shumicë, atij shqiptar në këtë rast. Pritjet e bashkësisë ndërkombëtare ishin (dhe mbase ende janë) transformimi i saj në një shoqëri moderne, në të cilën të gjithë qytetarët e saj, të cilët e konsiderojnë atë si atdhe të tyre, të kenë  mundësi dhe shanse të barabarta për jetë të qetë dhe prosperitet individual dhe grupor. Së pari me nënshkrimin e pastaj zvarritjen apo bojkotimin e zbatimit të marrëveshjve të arritura, disa më shumë e disa me pak, të gjithë po dëshmojnë se mbase në teren duhet të ndodhin ndryshime thelbësore, të cilat do njihnin një realitet të ri, i cili tashmë është vetimponuar. Në këtë ekuacion opcioni i tretë duket i largët.

 Një kaptull i ri

Ata që ende i kanë të mbathura çizmet e luftës e kanë të vështirë të kthehen anash e të bëjnë një gjysmërreth. Rrotull vetes dhe të tjerëve. Veriu dhe jugu i vendit ka 17 vite që nuk komunikojnë mes vete. E tëra qëata bëjnë është shkëmbimi i informatave. Asgjë më shumë se kaq.

Për të dalë nga ky rreth vicioz duhet dhe pak kokë. Jo vetëm muskuj.

Veriu po vazhdon të përballet me një utopi reale në të cilën protagonistët po përpiqen të parashikojnë se si do të mund të duket e ardhmja. Në anën tjetër politikanët kishin raste të panumërta të dëshmojnë se politika u shërben nevojave të (gjithë) qytetarëve, jo vetëm të tyre. Në vend të kësaj fitohet përshtypja se ata po provojnë të ndryshojnë të kaluarën pasi që të tashmen nuk po kanë sukses. Në të vërtetë ata luajnëbixhoz nën moton ‘‘të fitojmë sa më shumë duke humbur sa më pak’’. E në këtë lojë nuk do ketë fitues. Përkundazi, të gjithë do jenë humbës.

Fakt i cili vështirë se mund të mohet është e dhëna se Kosova kopjoi strategjinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vendosi stablitetin para demokracisë dhe mirëqenies. Edhe qeveria kosovare, për sa i përket veriut, përdori dhe vazhdon të përdorë këtë kartë. Me shumë se gjithçka tjetër asaj i intereson që atje të mos shënohen incidente ndëretnike. Për të tjerat nuk duket se shpreh ndonjë shqetësim. Rezultat i kësaj politike, nëse vazhdohet me këtë qasje dhe ritëm, në shtigje afagjata, mund të jetë: ashtu siç Serbia e humbi definitivisht Kosovën, edhe Kosova rrezikon të mbetet pa veriun e saj. Në këtë kontekst duhet pranuar se, në një formë apo tjetër, kjo pjesë.

Vjenë: 27 dhjetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, gjithemone, Muri aty ishte

Serbia më të dhëna të zymta : Popullsia po plaket

December 27, 2016 by dgreca

1-sebia-plaket

Projeksionet demografike parashikojnë që në Serbi, deri në vitin 2030, përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç do të rritet në 21 për qind ndërsa ajo e mbi moshën 80 vjeç do të jetë 5 për qind/Ismeti profil

Nga Ismet Azizi/Sipas të dhënave nga hulumtimi “Gjendja e njerëzve të moshuar në fshat” deri në vitin 2030, përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç do të rritet në 21 për qind ndërsa ajo mbi moshën 80 vjeç do të jetë 5 për qind, parashikojnë projeksionet demografike për Serbinë. Tashmë në Serbi, sipas regjistrimit të vitit 2011, 17.25 për qind e popullsisë është më e vjetër se 65 vjet. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se nga viti 2002 deri në vitin 2011, popullsia rurale ka rënë për 311,139, ose 10.9 për qind, shkruan Novosti.Shtëpitë e fshatrave të boshatisura dhe fshatrat që po vdesin në rajonin e Pirotit, veçanërisht ato që janë më afër degës lindore të Korridorit 10, gjithnjë e më shumë janë   interesante për të huajt. Për disa mijëra euro   mund të blihet një shtëpi e mirë me një kopsht dhe një tokë e cila nuk është punuar për dekada të tëra.Gjashtë vjet më parë francezi Michael Michael (41) me origjinë nga Guinea, ka blerë një shtëpi në Çiniglavc të vjetër. Që atëherë janë shitur disa shtëpi në fshatrat si Çiniglavc, dhe së fundmi në fshatin Sreqkovc, në anën e djathtë të Korridorit 10, dy familje turke kanë blerë dy shtëpi.Në mesin e atyre që janë të interesuar për shtëpitë e vjetra janë bullgarët, veçanërisht ata paraardhësit e të cilëve vijnë nga ky rajon. Këto shtëpi, sidomos turqve u shërbejnë për pushim gjatë rrugës kur vijnë nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera perëndimore ose kur kthehen nga Turqia për në këto vende. Ata thonë se shtëpitë i blejnë me pak para e cila gjë për ta nuk paraqet ndonjë problem. Banorët e fshatit Sreqkovc thonë se fshati i tyre po vdes. Sikur mos të ishin pensionistët, të cilët pas pensionimit kthehen në pronat e tyre, fshatrat tani më do të ishin tërësisht të braktisura.Fshati pa njerëzve vdes. Është më mirë që vijnë ketë njerëz nga jashtë se sa mos të ketë fare. Vendi ynë është i pastër. Nnuk besoj se këto dy familje nga Turqia do të merren me bujqësi por në qoftë se ka njerëz, do të jetë më mirë për ne’ – thotë një fshatar për gazetën e përditshme Novosti.

Çmimi i pronave në vitet e fundit janë ngritur pas shpronësim përgjat koridorit të dhjetë, ndërsa më parë disa hektarë me ara dhe nji  shtëpi është shitur për vetëm 2.000 euro, ndërsa në fshatrat malore edhe më të lirë.Trendi i blerjes së shtëpive të vjetra në fshatrat afër rrugëve kryesore është vërejtë pesë -gjashtë viteve të fundit edhe në Bullgari, të cilat i kishin blerë gjermanët, austriakët,…Mosha mesatare e popullsisë së Serbisë është 42 vjet. Serbia radhitet në vendin e III –të në Evropë për nga vjetërsia mesatare e popullsisë. Para Serbisë është Gjermania me moshë mesatare 44 vjet dhe  Italia 43.Mesatarja e lindjes te një grua në Serbi është 1,4 ndërsa për t’u siguruar ripërtëritja e thjeshtë e popullsisë duhet të jetë 2,1.

Zyrtarët serb për demografi konsiderojnë se edhe mosha mesatare në Serbi është gjithnjë e më e plakur. Pas tri vjetësh, sipas tyre, mosha mesatar e popullsisë në Serbi do të jetë 46 vjet.Vendet më të zhvilluara të Evropës problemin e rënies së numrit të popullsisë mund ta zvogëlojnë me migrime me ardhjen e popullësisë nga Afrika dhe Lindja e Afërme, por se si do të përfiton shteti serb nga migrimet koha do ta tregojë. Në të ardhmen prioritet i shumë vendeve ballkanike me përjashtim (përedhe pak kohë) të Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë problemi zvogëlimi të numrit të popullsisë sepse pa njerëz, nuk ka mundësi të zhvillimit ekonomik.

Filed Under: Analiza Tagged With: : Popullsia, Ismet Azizi, po plaket, Serbia më të dhëna të zymta

KISHA KATOLIKE I ZBON POLITIKANËT, JANULLATOS U BËN JATAK

December 26, 2016 by dgreca

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe gruaja e tij Monika Kryemadhi, gjate nje vizite tek Kryepeshkopi, Anastas Janullatos, ne Kishen e re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, ne Tirane, me rastin e dites se Krishtlindjeve. /r/n/r/nParliament Speaker Ilir Meta and his wife Monika Kryemadhi, during a visit to the Archbishop, Anastas Janullatos, at the new Orthodox Church "Resurrection of Christ" in Tirana, on the occasion of Christmas. Day.
Nga KOLEC TRABOINI /
1-janulla
E pashëmbëllt ajo çfarë ndodhi në këtë Krishtlindje 2016. Një akt historik mund të themi. Kisha Katolike e bindur më së fundi edhe ajo se shkaktarët e shkatrrimit të Shqipërisë janë politikanët shqiptarë, vendosi që të mos pranojë asnjë politikan në festimin e Krishtlindjes, dhe ta festonte atë me besimtarët e vet, njerëzit e thjeshtë. Dhe ashtu ndodhi. Mirëpo djajtë për të janë djaj. Dreqër me brirë. Ata i nxjerr nga dera dhe hyjnë si lukuni nga dritarja. Po kësaj radhe kjo kastë e fëlliqur politike, këta hajdute që vunë pasuri përrallore, ja mësyni Kishave Orthodokse, të bindur se shërbetori i grekëve që ka uzurpuar kryesinë e Autoqefales së Fan Nolit do ti pranonte. Dhe kishin të drejtë në pandehmën e tyre. Greku dinak i pranoi djajtë e politikës, u bëri jatak,u foli fjalë miradie, ua bëri mendjen çorbë greke, sepse ata në të vërtetë punojnë në të njëjtën linjë me politikat e tij dhe ato të Greqisë që duan greqizimin e Jugut të Shqipërisë dhe shkatrrimin e Veriut. Kësisoj në këtë festë Krishtlindjesh festuan edhe djajt. Djajt e politikës dhe misionari i Greqisë që ka uzurpuar Kishën Orthodokse dhe ka shkatrruar Autoqefalinë me ndihmën e po këtyre djajve antishqiptare Janullatosi është një gozhdë e ngulur në zemër të shqiptarizmës. Ne Krishtlindje ngriti meshë greqisht sikur të ishim shtet raja i Greqisë. Përmbys Noli në varr atje në Forest Hill të Bostonit. Po shqiptarët edhe në kohë të turkut ngrinin meshë shqip e ky na solli grekofoninë. Është një agjent i mirefilltë i inkuadruar në qëllimet shoveniste të skuadroneve ultranacionaliste greke. Ai duhet të shporret nga Shqipëria. Mjaft më! Qëndrimi i tij edhe më tej në krye të Kishës Orthodokse Shqiptare është një katastrofë kombetare. Në foto flamuri i vjetër grek mbi Katedralen e Janullatosit në qendër të Tiranës për të cilën kemi shkruar kohë më parë. Dhe portreti i grekut Janullatos me mbishkrimin 25 vjet në Shqipëri në meshë nuk flet shqip, por greqisht sepse kështu është urdhëruar nga Megaloidheja shoveniste e Athinës.
25 dhjetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Janullatosi, Jatak Politikes, Kisha katolike i zbon, Kolec Traboini

FIBRA MORALE E SHOQËNISË NË SH.B.A TREGON VITALITETIN E VET

December 25, 2016 by dgreca

48-repishti-300x212Nga Sami Repishti/Ridgefield ,CT. USA.- “Në se Myslimanët  detyrohen me u rregjistrue (si persona të dyshimtë) ne, të gjithë do të regjistrohemi”./

   Kjo deklaratë e guximshme dhe fisnike u ba në mbledhje të ndryshme ndër-fetare, mbas nji serie aktesh vandale, të konsiderueme si “krime të urrejtjes” kryesisht kundër popullsisë myslimane, me nji herë mbas fitores së kandidatit republikan Donald J. Trump. Si rrjedhim, Myslimanët, Izraelitët dhe të Krishtenët po bashkohen në grupe të organizueme me kundërshtue çdo hap diskriminues kundër cilësdo palë që kercënohet.

  Grupe të përbashkëta formohen dhe koalicione ndër-fetare krijohen çdo ditë. Në radio-televizionet amerikane, figura të shqueme të botës politike deklarojnë haptazi se “të gjithë do të rregjistrohemi. Kështu që Policia nuk do të jetë në gjendje me veprue”. Gratë myslimane dhe izraelite bajnë mbledhje të përbashkëta me u organizue kundër ekstremizmit që rrezikon shoqëninë amerikane nga nji formë e re neo-fashiste. Zonja izraelite nga Kalifornia Mahela Morrow-Jones që ndihmon në krijimin e grupit të parë të përbashkët të Motrave në Santa Barbara deklaroi: “Në qoftë se myslimanët detyrohen me u rregjistrue, të gjitha ne do të rregjistrohemi”.

    Zonja myslimane Vaseem Firdau, nji managjere e Exxon-Mobil Corporation tha: “Tue dëshmue këto zhvillime njeriu nuk e ndien veten të pashpresë. Kjo veprimtari ashtë ushqim për shpirtin. Megjithate janë 60 miljonë persona që votuen për Trump-in…Kjo nuk më frikëson, por duhet të kemi nji plan veprimi”.

   Nji aspekt shumë i randësishëm i kësaj veprimtarie qytetare në sherbim të demokracisë liberale amerikane ashtë aktiviteti i shtypit amerikan. Gazetat ma të njohuna në këte vend kanë marrë nji qendrim të premë kundër valës së urrejtjes së krijueme nga fushata elektorale.

  Ma poshtë do të lexoni nji artikull që kërkon qetësimin e shpirtënve të qytetarëve të acaruem nga propaganda negative, si model i përpjekjeve me sigurue zhvillimin e pandërpremë demokratik të Shteteve të Bashkueme të Amerikës, me kultivim të tolerancës fetare, dhe afrimin e besimtarëve myslimanë e të krishtenë. Myslimanë, izraelitë, të krishtenë janë të bashkuem se vetëm nji rezistencë e organizueme ashtë përgjigja ma e mirë kundër akteve të urrejtjes, sidomos urrejtjes fetare. Fryma e kësaj lëvizje popullore ashtë mirëkuptimi për mendimet e tjetrit, respekti i ndërsjellë, dhe bashkëveprimi i organizuem.

                                                      ***           

  NJI  “GËZUAR  KRISHTLINDJA”  MYSLIMANE

(Nga:Mustafa Akyol. Author i librit “The Islamic Jesus; How the King of the Jews Became a Prophet of the Muslims” (“Jezusi Islamik; Si u ba Mbreti i Jahudijëve nji Profet për Myslimanët”)  

   Istanbul,(Turkey)-Miliarda të krishtenë rreth e rrotull botës janë të ndezun nga  dëshira me festue Krishtlindjen këte w eek-end. Ata të bashkësisë  së besimit të dytë fetar nga numri, Myslimanët, nuk e bashkëndajnë të njajtin entuziazëm. Në nji numër të vogël vendesh, si p.sh. Arabia Saudite, Brunei dhe Somalia, festimet e Krishtindjes janë të ndalueme. Në Turqi, vendi i im, ata nuk janë të ndalueme, por disa grupe islamike akoma organizojnë protesta kundër Krishtlindjes, pemët dhe veshjet e Plakut që bien dhurata, e shikohen si imponim i botës perëndimore.

   Ndërkaq, shumë të tjerë myslimanë rreth e rrotull botës kanë të drejtë që festojnë Krishtlindjen në shtëpitë e komshijve si dhe bashkëndajnë ditën e shenjtë. Nga këto, kujtoj pronarët e nji restauranti turk në Londër që vendosi të ofrojë dreka e darka falas për të vorfënit pa strehë dhe për pleqtë për Krishtlindje si dhe nji tregtar mysliman në Bagdad që vendosi nji pemë të Krishtlindjes në solidaritet me të krishtenët që persekutohen nga i vetëquejtuni ‘Shteti Islam’

.  Myslimanët që respektojnë Krishtlindjet kanë të drejtë, por jo vetëm sepse respektimi i besimit të tjetrit ashtë në vete nji virtyt. Ata kanë të drejtë sepse Krishtlindja ashtë festimi i mrekullisë së lindjes së Jezusit, që ashtë nji temë e fuqishme jo vetëm në Testamentin e Ri por edhe në Kuran.

  Dy kapituj të Librit të Shenjtë Mysliman japin hollësina mbi lindjen e Jezusit, hollësina që janë mjaft afër tregimit në Ungjillin simbas Lukës.

  Ashtu si e tregon Kurani, nji ditë, Engjëlli i afrohet Marijes dhe i thotë se Zoti ka vendosë me i dhurue asaj “nji djal të pastër”. Maria përgjigjet:” Si ashtë e mundun që unë të lindi fëmi me qenë se asnji burrë nuk më ka prekë?” Engjëlli spjegon:” Zoti krijon çdo gja që Ai dëshiron”. Atëherë, “Zoti kaloi tek Maria frymën e shpirtit tonë,” e ajo  u ba me barrë me Isan, ose Jezusin.

   Ka, pa dyshim, mënyra se si tregimi mysliman i Jezusit ndryshon nga versioni kristian që festohet në Krishtlindje. Testamenti i Ri tregon se lindja e Jezusit ka ngja në Bethlehem, në grazhdin e nji hoteli (hani) ku Maria ishte bashkë me burrin e saj, Jozef. Në Kuran, Maria ka lindë Jezusin në “nji vend të largët” krejtësisht e vetme, dhe nen nji pemë palme. Ashtë interesante me shenue se tregimet gjinden edhe në ungjillet apokrifale të lindjes, si dhe në zbulimet e reja arkeologjike që korrespondojnë me versionin e Kuranit për ngjarjen.

   Ajo që ashtë themelore, Kurani ndryshon nga Bibla për divinitetin e Jezusit. Për myslimanët, Libri  Shenjtë ngulë kambë se Ai (Jezusi) ka qenë nji qenie njerëzore dhe nji profet. Herë mbas here, Kurani përcakton Jezusin si “Mesia”. Ashtu si paraqitet Mesia në Judaizëm: nji shërbestar i jashtëzakonshëm i Zotit, e jo si Zoti i mishnuem si njeri. Jezusi i Kuranit gjithashtu ashte dergue për popullin e Izraelit, e si “konfirmim i Torah” dhe ngulë kambë në nji monoteizëm të rreptë. Jezusi i Islamizmit, mund të thuhet, ashtë ma shumë nji Jezus Hebraik.

 Sidoqoftë, Islamizmi dhe Krishtënimi bashkëndajnë shumë aspekte në adhurimin e tyne per Isanë dhe Meriemen, Jezus dhe Marie. Myslimanët janë, në fakt, i vetmi popull jo-kristian në botë që besojnë se Jezusi ka lindë nga nji nanë virgjineshë.

   Për shekuj me rradhë, Myslimanët kanë pranue këte version si të vertetë ashtu si shkruhet. Studjuesët e Kuranit gjatë Mesjetës kanë debatue hollësina si për shembull, si ashtë e mundun që Zoti kaloi “frymën” tek Maria, tue pranue si të vertetë se virgjënia e Maries ka qenë nji akt i Zotit. Sayyid Qutb, fundamentalisti egjiptian i shekullit 20 përshkruen barrën e Miriamit si “ngjarja ma e çuditshme e njerëzimit në të gjithë historinë që kemi  dëshmue”.

   Në vitin 2002, në nji libër të shkruem si kritikë e Islamizmit, nga Emir F. Caner dhe Ergut M .Caner, dy turq të konvertuem në Krishtënim dhe që u banë ministra të Southern Baptist Church, argumentojnë se Myslimanët janë ma shumë të krishtenë në këte pikë se janë “të krishtenët liberalë”, të cilët kërkojnë interpretime metaforike të kësaj mrekullie të mahnitëshme.

   Me rritë edhe ma shumë natyrën e jashtëzakonshme të Jezusit, Kurani e quen ate (Jezusin) “Fjala e Zotit”. Shkollarët myslimanë kanë qenë të habitun nga kjo terminologji që Kurani nuk e përdorë për asnji tjetër figurë. Teologët e krishtenë kanë qenë të çuditun, gjithashtu, sepse kjo të kujton Ungjillin simbas Gjonit, i cili përcakton Jezusin si Fjala e Zotit, e “bahet njeri dhe ec në mes nesh”.

   Interpretimi i këtyne paraleleve ndërmjet Kuranit dhe burimeve të herëshme kristiane varet pjesërisht nga feja e interpretuesit. Të krishtenët mund të mendojnë se islamizmi ka huazue prej tyne. Myslimanët, nga ana tjetër mund të mendojnë se shumë tregime nga krishtenimi kane parapri  ato të tyne. Ajo për të cilën na të gjithë jemi dakord ashtë se këto dy besime të mëdha abrahamike, me gjithë konfliktet e ashpra në mes tyne, kanë shumë gjana të përbashkëta. Këte vit, me tensionet në mes Myslimanëve dhe të Krishtenëve në Europë, Shtetet e Bashkueme dhe vende tjera  me tensione gjithashtu, nji ngjashmëni e këtill meriton të kujtohet.

  Populli i Arabisë Saudite dhe Brunei që pengojnë  festimin e Krishtlindjes pa asnji dyshim janë gabim. Edhe sikur kjo të mos ishte nji festë myslimane, nuk ka asnji arsye të ofendojmë Krishtlindjet. Lindja e mrekullueshme e Jezusit- profet, Mesia, dhe “Fjala e Zotit”- nuk duhet të ofendojë asnji mysliman. “Salamu-alejkum”, ose “Paqa Qoftë mbi Ju” për myslimanët duhet të shoqënohet me urimin e komshijve të krishtenë me 25 dhetor, pa hezitim, gjithashtu me urimin “Gëzuar Krishtlindjen!”

  (Marrë nga gazeta The New York Times, 22 dhetor 2016)

———————————————————————————————————

(Përktheu nga  anglishtja Sami Repishti)

=================================================================

Filed Under: Analiza Tagged With: FIBRA MORALE E SHOQËNISË, NE SH.B.A, Sami repishti

Murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë” rezolutat

December 24, 2016 by dgreca

1-muri-mitrovices

Çështja e ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, është karakterizuar me debate dhe mospajtime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëseancën e fundit.Seanca për këtë çështje ishte thirrur nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, ku është kërkuar të dihet nga Qeveria e Kosovës, se a kanë qenë në dijeni për ndërtimin e një muri të tillë.Madje, kjo parti kishte përgatitur një projekt -rezolutë, në të cilën, ndër të tjera kërkohej shkarkimi i Ministres për Dialog,Edita Tahiri, ndërprerja e bisedimeve në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, si dhe Qeveria e Kosovës, përmes organeve të veta të ndërmarrë të gjitha masat që të rrënohet muri që është në ndërtim e sipër.Për votimin e kësaj rezolute nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.Në anën tjetër, analistë për çështje politike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës është dashur që t’i qartësojë hapat e ardhshëmqë do të marrëpër zgjidhjen e këtij problemi.Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kuvendi është i pafuqishëm për të marrë vendime apo miratuar ndonjë rezolutë për shkak të problemeve që kanë ndërmjet vete partitë në Kuvendin e Kosovës, por edhe për shkak të paqartësive që përmbajnë rezolutat.“Një prej arsyeve që këto rezolutat e Kuvendit nuk po arrijnë ta kenë fuqinë e tyre është se shpesh herë janë të paqarta, nuk parashohin veprime konkrete. Dhe, më shumë bazohen në rrafshin politik të përfitimit të vëmendjes politike dhe të konsumimit ditor, sesa që rezolutat, të cilat janë realiste dhe parashohin veprime konkrete për t’u zbatuar”, thotë Krasniqi.Analisti Halil Matoshi, ndërkaq, thotë se rezolutat nuk kanë ndonjë efekt në zgjidhjen e problemit të krijuar pas ndërtimit të murit. Ai shprehet se në këtë drejtim Kuvendi i Kosovës nuk ka asnjë lloji fuqie.“Kjo me murin është një maskaradë e radhës sa për të tentuar që të shfaqen zëra patriotikë, por që nuk ka asnjë fuqi ndikimi. Kjo sepse rreth murit mund të ndikojë vetëm këmbëngulja e Brukselit zyrtar dhe Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Kuvendi i Kosovës në këtë drejtim nuk ka asnjë lloji fuqie”, vlerëson Matoshi për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë transparent.Sidoqoftë, Matoshi thotë se Kuvendi i Kosovës, asnjëherë nuk ka arritur që të pavarësohet dhe të marrë vendime kredibile, përpos vendimeve që kanë qenë të shtyra nga faktori ndërkombëtar.Albert Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të qartësojë se çfarë në fakt ka përmbajtur marrëveshja e arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar:“Fuqia e Kuvendit të Kosovës është duke kërkuar qartësisht nga Qeveria se çfarë hapash konkretisht duhet të ndërmarrë. Për shembull të kërkojë nga Qeveria që të bëhet një inspektim i gjendjes atje. Duhet të tregojë se çfarë në fakt përmban ajo marrëveshje, për shkak se ka shumë paqartësi dhe shpesh herë faji hidhet sa në nivel komunal, sa në nivel qendror, Kuvend dhe kështu duke e shpërndarë nuk ka ndonjë adresëtë saktë se kush është përgjegjës për atë veprim” .Gjatë debatit dhe mosmarrëveshjes për këtë çështje në seancën Kuvendit, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka duke e quajtur murin joligjor, ka thënë se ky mur nuk ka lindur në bazë të projekteve në Bruksel.Në asnjë moment në Bruksel, ka thënë ai, nuk është diskutuar për murin dhe nuk ka qenë muri pjesë e këtij projekti.Ndryshe, me vendim të autoriteteve lokale të veriut të Mitrovicës,ditë më parë filloi ndërtimi i një muri, me një lartësi prej mbi dy metrash, duke ngjallur reagime të fuqishme dhe rritur tensionet.Ndërtimi i murit u bë në kohën kur po kryheshin punimet për revitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, pas heqjes së “Parkut të Paqes”, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, me qëllim të rikthimit të normalitetit në qytetin e ndarë të veriut të Kosovës.(Kortezi Nadie Ahmeti RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Murin në Mitrovicë, nuk e “rrënojnë”, rezolutat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 605
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT