• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zogjtë emisarë

January 14, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Ka disa muaj që një ambasador…, më saktë dy. Po përpiqen të fusin drejtësinë shqiptare në shinat e një vendi normal. Përpjekja e tyre është gati e mbivullnetshme. Pasi në kaosin shqiptar do nerva të forta. Do edhe këmbëngulje prej titani. Por duke menduar se i pari, ai që quhet Donald Lu. Vjen nga një shtet ku vërtet toleranca me krimin, korropusionin. Apo edhe hirearkinë e përjetshme në pushtet. Eshtë zero. Duket se diçka do ndodhë. Në mos për të mirën e drejtësisë apo politikës. Të paktën për shqiptarët që kanë humbur trush në pyllin e tifozerisë midis Metës, Ramës dhe Berishës. Kanë harruar prej kohësh vetveten. Madje duket sikur e kanë për kënaqësi që, nga një i vetëm diktator. Të udhëhiqen edhe njëzet vite të tjera. Thjesht e për qejf. Për të qënë ekuivalent me 45-vjeçarin e Enver Hoxhës. Nga tre të tillë. E gjitha është koferenca e shtypit të Berishës në Fb. Edhe pse në fillimet e botës virtuale shqiptare, i thoshte Edi Ramës që boll me cicërima nga ballkoni. Tani replikon me ata që i kundërvihen aty. Madje me tërsëllimë. E gjitha është panorama e vajtjeve të Edi Ramës tek zyra e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës. Herë me bluzën e Unicefit, herë me pallto të gjatë, herë me pantallona të shkurtra. Aq sa I bëri për ibret socialistët. Ata që mbetën duke e pyetur. Kush është Kryeministri I vendit? Edi ynë? Apo ish opozita dhe depozita. Ose, ose… m në këpucën e Berishës. E gjitha është, qetësia dhe dashuria e Kryetarit Meta. Që dieta e fundit e ka bërë vërtetë të frikshëm për Ramën. E gjitha është dhe opozita e dëshpëruar e një djali që dikur gëzonte dhe fitonte me një qetësi vërtetë elokuente. Por që se kush I fryu në vesh. Duke I thënë se bërtit se vetëm kështu mund të vish në pushtet. Dhe ai e filloi me të mallkuar votuesin popull. Ky quhet Lul Basha, por flet gjithmonë pasi ka kaluar një ose dy orë nga koferenca e Berishës në Fb.
E gjitha tjetër, është një heshtje me mburrje. Që shtypi, televizionet, gazetat virtuale. Denoncimin me ditë në diell të një gazetari. Për afera me numra të disponueshëm të Kryetarit etj. E la me krenari provinciali jetim mu në mes të sheshit të Tiranës. Bash aty pranë monumentit të Skëndërbeut. Mirë që ekziston një VOA. Një zë i Amerikës. Ai që shqiptarët e dëgjonin hajdutçe, me radiot Fatosi, ILLIRIA, e të tjera, skutave nëpër shtëpitë e tyre.
Dhe që I gëzoheshin demokracisë. Tashmë i janë nështruar asaj.
Ambasadori tjetër është kroatja Romana Vllahutin. Me një ekseriencë të gjerë në fushën e fjalës së lire. Një eksperte e forte që duket se I ka refuzuar prej kohësh kafetë ballkanase. Jo më kot sot edhe vendi nga ajo vjen, Kroacia. Ka sot arritjet e një vendi që e ka zili edhe Perëndimi.
Ata do e fitojnë betejën e nisur këta dy emisarë?
Në pamje të pare ka një gëzim histerik, përballë faktit që këta të huaj nuk lodhen të na pajtojnë. Ku një pjesë tjetër e madhe gëzojnë me konstatimet e tyre. Sidomos kur Donald Lu, me atë shqipen plot flutura drite. U vendos gishtin korifejve të drejtësisë. Kur tregon çartjen e modës në një vend të skofitur nga informaliteti.
Që edhe pse është më afër me Francën. I ngjan sot për nga korrupsioni dhe deshtimet civile, kolonive të saja. Botës së tretë.
Nga ana tjetër është një show, me vajtje ardhje. Ku njëra pale mallkon kismetin që u ra për pjesë. Pala tjetër mezi pret që të prishet I gjati me të shkurtrin. Ndofta një koalicion. Edhe pse thonë jo. Por duhet ta dimë të gjithë. Një koalicion i dytë mes PD-ës dhe LSI, do ishte një vetvrasje e dytë. Dhe ai demokrat që mban syrin shpresor tek kjo ëndërr e mbrapshtë. Nuk është demokrat, por thjesht pazarexhi.
Në fakt, gjithë gjasat janë për zgjedhje të reja. Por as këto nuk do të jepnin rezultatin e pritshëm.
Megjithatë, ne jemi tek emisarët e futjes së drejtësisë shqiptare në shina. Tek Lu-ja dhe Vllautini. E që ata të fitojnë. U duhet përpara se, ato, marrëveshjet nëpër selitë e partive. U duhet besimi qytetar. Ose më saktë përgjegjësia qytetare . E atij lloji shqiptar që dëgjonte Zërin e Amerikës. Atëhere kur shëmbëm diktaturën.
Atë që sot është një soj tjetër. E ndarë në tresh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Zogjtë emisarë

FJALIMI I FUNDIT I PRESIDENTIT OBAMA MBI GJËNDJEN E VENDIT

January 13, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama në fjalimin e tij të fundit të martën mbrëma mbi gjendjen e kombit, foli mbi arritjet dhe mbi sfidat me të cilat përballet vendi në politikën e mbrendshme ashtu edhe në politikën e jashtëme dhe ushtarake, duke thënë se cilat do qofshin problemet dhe sfidat, ato mund të zgjidhen nepërmjet debateve “ndërtuese dhe racionale”, ndërsa bëri thirrje për një atmosferë “politike më të mirë” në Washington.
Presidenti Obama në fjalimin e tij, që sipas tij ishte më i shkurtër se fjalimet e tija të mëparshme vjetore mbi gjëndjen e vendit, udhëheqsi amerikantheksoi se do fliste për katër çështje me rëndësi mbi të cilat, sipas tij, duhet të përqëndrohet vendi. Ai i tha Kongresit dhe kombit se ato janë: gjëndja ekonomike në vend, zhvillimi i teknologjisë, siguria e Amerikës dhe demokracia në vend. “A do t’u përgjigjemi ndryshimeve të kohës sonë duke u treguar të frikësuar ndaj të ardhmes duke e këthyer vendin në izolim dhe duke kundërshtuar njëri tjetrin,a po do të përballemi me të ardhmen me besim në vetveten tonë, me konfidencë në vlerat në të cilat ne besojmë, e që na dallojnë se kush jemi ne si popull, dhe në gjërat që mund të realizohen duke punuar së bashku”, tha Z. Obama.
Në fjalimin e tij ai natyrisht mbrojti përparimet që, sipas tij, ka arritur Administrata e tij gjatë 7 viteve të kaluara dhe shpalosi një agjendë me disa pika për vitin e fundit të administratës së tij, të një agjende politike e cila nuk ka giasë të realizohet gjatë këtij viti për arsye të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më vonë këtë vit. Ndërsa bëri thirrje për zhvillimin e një “politike më të mirë” në Washinton, Presidenti Obama i tha Kongresit që dominohet nga republikanët, se një atmosferë e re politike nuk do të thotë se ne duhet të biemë dakort për çdo gjë, por shtoi ai, “Demokracia kërkon një lidhje besimi bazë midis qytetarëve të një vendi.”
Në një referencë kritike të tërthortë ndaj deklaratave të kandidatit republikan për president, Donald Trump, sidomos në lidhje me imigracionin, Presidenti Obama tha se gjatë historisë në Amerikë janë shfaqur pikëpamje të tilla ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë përballur në periudha të ndryshme me ndryshime politike, ekonomike shoqërore dhe me imigracionin.Gjithmonë, historikisht,nënvijoi ai, kur janë shfaqur frikësime dhe shqetësime për të ardhmen, çdoherë ky vend i katejkaluar ato me sukses.Ai u tha amerikanëve të mos kenë frikë nga e ardhmja.
Duke folur mbi gjëndjen ekonomike në vend ai mbrojti politikën e tij ekonomike nga kritikët e krahut të djathtë duke thënë se, “Kushdo që mendon se ekonomia amerikane është në rënie, vetëm përhapin trillime.”
Në pjesën e fjalimit vjetor mbi politikën e jashtme të vendit, Presidenti Obama hodhi poshtë akuzat e kundërshtarëve të tij politikë se, “armiqtë e këtij vendi pofuqizohen dhe se Amerika po dobësohet.”Ai tha se cilësimi i grupit terrorist të ashtuquajtur shteti islamik, ISIL si një “kërcënim ekzistencial” ndaj botës dhe deklaratat e disave se kjo është “Lufta e Tretë Botërore”, është e tepëruar dhe e pa vend ndërkohë që vetëm u shërben interesave propagandistike të terroristëve,tha Presidenti Obama. ISIL duhet të eliminohet, ka thënë Presidenti Obama, ngase përbën një rrezik të madh ndaj civilëve, por sipas tij, ai grup nuk përbën një “kërcënim ndaj ekzistencës tonë kombëtare.”
Presidenti Obama shtroi pyetjen para Kongresit dhe sfidoi se siduhet të “Mbrojmë sigurinë e Amerikës dhe njëkohsisht të udhëheqim botën, pa u bërë polici i saj?” Ai kërkoi miratimin e një rezolute nga Kongresi që do të autorizonte përdorimin e forcës ushtarake kundër shtetit islamik, por shtoi se Shtetet e Bashkuara kërcënohen “më pak nga perandoritë keqbërse dhe më shumë nga rreziqet që vinë nga shtete të dështuara.”Nëlidhje me këtë, Presidenti Obama parashikoi se nga këto shtete të dështuara do të dalin grupet e ardhëshme terroriste anë e mbanë botës.” Në lidhje me këtë, Z. Obamatheksoi se Shtetet e Bashkuara“nuk mund të marrin përsipër rindërtimin e çdo shteti të zhytur në kriza.”Mbi një pikë të politikës së jashtëme, ai i bëri thirrje Kongresit që tani pas lidhjes së marrëdhënjve të Amerikës me Kubën, të hiqet embargoja ekonomike kundër atij vendi, duke shtuar se, “Lufta e Ftohtë ka marrë fund”.
Në fund të fjalimit vjetor, Presidenti Obama iu drejtua anëtarëve të Kongresit duke bërë pyetjen se si ata së bashku mund të realizojnë që atmosfera politike të pasqyrojë ato që janë më të mirat dhe jo më të këqiat në radhët tona duke nënvijuar një pranim të jashtzakonshëm nga ana e tij, ndërsa vetë mori përsipër një pjesë të përgjegjësisë për atë që është cilësuar si mosfunksionimi politik në Washington.Për situatën politike dhe për grindjet partiake në Washington, ai shprehu keqardhjen e tij sepse siç tha ai, mosmarrveshjet midis partive jo vetëm që “nuk janë përmirësuar, por në të vërtetë janë keqësuar”,dhe për këtë ai tha se merr përsipër përgjegjësinë që i takon dhe premtoi se do të përpiqet që këto marrëdhënje midis partive të përmirësohen më shumë,përderisa ai të jetë në Shtëpinë e Bardhë.Në të vërtetë edhe Governatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila mbajti fjalimin e palës Republikane, i mëshoi kësaj pike duke folur mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike në Washington, por duke ngarkuar me faj për situatën e krijuar të dypartitë kryesore, përfshirë Partinë Republikane.Ajo tha se “duhet të jemi të sinqertë me njëritjetrin dhe me vetveten”,shtoi ajo, duke theksuar se ndërsa “Demokratët mbartin përgjegjësinë më të madhe për problemet me të cilat përballet sot Amerika, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e tyre. Ne Republikanët duhet të përballemi gjithashtu me të vërtetën”,theksoi ajo. “Ne duhet të pranojmë kontributin tonë ndaj erozionit të besimit të publikut ndaj institucioneve dhe udhëheqjes amerikane. Ne duhet të pranojmë se edhe ne kemi luajtur një rol në mosfunksionimin e qeverisë. Kjo situatë duhet të ndreqet”, përfundoi Governatorja e shtetit Karolinës së Jugut, Nikki Haley në përgjigjen ndaj fjalimit të Presidentit Obama, në emër të Partisë Republikane.
Si për çdo president tjetër para tij, fjalimi vjetor i Presidentit Obama mbi gjëndjen e vendit të martën mbrëma, ishte një rast për të pasqyruar arritjet e tij në fusha të ndryshme të politikës së brendshme dhe të jashtëme gjatë vitit të kaluar dhe të njoftonte programe të reja për vitin në vijim.Por, pa marrë parasyshë se ç’mendon ai për sukseset e Administratës së tij gjatë vitit që kaloi, sondazhet më të fundit në vend tregojnë se 65% e amerikanëve besojnë se vendi është në rrugë të gabuar dhe se për këtë situatë janë përgjegjëse të dy partitë kryesore, Partia Demokrate që kontrollon Shtëpinë e Bardhë dhe Partia Repulikane që kontrollon Kongresin.

Filed Under: Analiza Tagged With: e vendit, FJALIMI I FUNDIT I PRESIDENTIT OBAMA, Frank shkreli, MBI GJËNDJEN

Krimet politike të SHIK-ut në Kosovë dhe dora e zgjatur e Fatos Klosit

January 12, 2016 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/
U mbushën 17 vjet që kur gazetari dhe atdhetari me emër, Enver Maloku, u vra pabesisht prej falangave të krimit shqiptar. Në foltoren e parlamentit të Kosovës e bija e Enver Malokut, Doruntina Maloku, i është drejtuar drejtpërdrejt kryeparlamentarit Kadri Veseli: “Z.Veseli jeni ju që duhet të jepni përgjegjësi për organizatën tuaj kriminale SHIK, e cila i ka terrorizuar popullin e Kosovës që nga përfundimi i luftës. Eshtë SHIK-u ai që e ka kapur sistemin e drejtësisë, sepse familjet e kundërshtarëve politikë të vrarë në atentate për të cilat mbi SHIK-un dyshimet i ka hedhur edhe NATO-ja, janë ende në kërkim të të vërtetës. Ata enden qe 16 vjetë poshtë e lart zyrave të prokurorëve vendës dhe të huaj në kërkim të drejtësisë”. E vërteta është se të gjitha vrasjet politike të pasluftës janë ende të pazbardhura. Kjo do të thotë se politika në Kosovë është e inkriminuar, sepse vetëm një politikë e inkriminuar kontrollon pushtetin gjyqësor dhe nuk lejon zbardhjen e krimeve politike që ajo vetë i ka kryer. Vrasjet politike nga radhët e LDK-së janë shumë e akoma më shumë janë kriminelët në parlamentin dhe politikën e Kosovës përgjegjës për kryerjen e tyre. Prandaj dekriminalizimi i parlamentit dhe politikës në Prishtinë është domozdoshmëri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Pa dekriminalizimin, pa dënuar fajtorët për vrasjet politike, si ajo e Enver Malokut, nuk mund të ndërtohet paqja sociale dhe konsensusi politik në Kosovë. Por këtë katarsis nuk mund ta bëjë Isa Mustafa, i cili është përzgjedhur në atë detyrë, pikërisht për të mbuluar krimet kundër aktivistëve dhe politikanëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhë nëse ai ndonjëherë flet për këto krime, në fakt nuk guxon të vejë gishtin mbi autorët, organizatorët dhe ideatorët e atyre vrasjeve, pasi është i kapur prej politikanëve kriminelë në pushtet e në opozitë. Kjo është arësyeja pse shumë prej politikanëve të Prishtinës, ndonëse kanë votuar ngritjen e Gjykatës Specialeve për zbardhjen dhe dënimin e këtyre krimeve, janë angazhuar për ta destabilizuar Kosovën, sepse nuk gjejnë mënyrë tjetër për të fshehur edhe më tej gjurmët e krimit. Ndërkaq lind dhe një dilemë tjetër: SHIK-un e Kosovës, të cilin e ka drejtuar në mënyrë jo institucionale e të paligjshme Kadri Veseli, e ka formuar aso kohë ish-shefi i shërbimit sekret të Shqipërisë, Fatos Klosi. Ai ka qenë gjithashtu drejtuesi de facto i kësaj organizate kriminale, siç shprehet zonja Doruntinë. Gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale do të duhet t’i shtrijnë hetimet tek SHIK-u shqiptar i kohës së Klosit, duke marrë në konsideratë se shumë bashkëpunëtorë të Fatos Klosit, me urdhër të tij, ishin të stacionuar si “këshilltarë” të Kadri Veselit dhe drejtuesve të tjerë të kësaj organizate të jashtëligjshme. Dora e zgjatur e Fatos Klosit është përgjakur në vrasjet politike në Kosovë, madje edhe në atentatin që iu organizua presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Përveç kësaj, Gjykata Speciale ka rastin të marrë në hetim dhe ekzaminojë atë që ndodhi me Dr. Rugovën: Pse dhe si u helmua ai? Cila dorë djallëzore e realizoi këtë kat kriminal? Cili nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kishte dorë në këtë vrasjen e tij përmes helmimit? Shqiptarët në Kosovë e dijnë se kush ishte i interesuar për likuidimin politik e fizik të Rugovës. Ata janë të vetëdijshëm se ndonëse Serbia nuk mundi ta likuidojë me dorën e Milosheviçit, ia bëri kurthin dhe e asgjësoi më dorën e shqiptarëve kriminelë. Këta kriminelë duhen zbuluar e dënuar. Sa më shpejt, aq më mirë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Edhe në këtë rast duhen shtrirë hetimet deri te ish-kreu i SHIK-ut shqiptar, Fatos Klosi.
Doktori sipas Edison Ypit dhe gazetarëve mercenarë Enver Bytyçi Debati dhe replikat midis politikanëve antiberishë kanë qenë një dukuri e zakonshme, me të cilën shqiptarët janë ballafaquar prej më shumë se 25 vite. Por rrallë herë ka ndodhur të kishte debate të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit me gazetarët. Ditët e fundit janë përfshirë në këtë debat pro dhe kundër disa gazetarë. Blendi Fevziu ka preferuar të bëjë replikë, duke e mbyllur me “dëshirën për të mos bërë replikë”. Andi Bushati ka preferuar të “mbrojë” valixhen e të atit, nëse perifrazojmë një gjetje të Çim Pekës. Italioano-shqiptari, Carlo Bollin,o ka zgjedhur ta çojë doktorin në gjyq, sepse për 25 vjet është ngopur me sulmet e tij mediatike kundër Sali Berishës. Ai përsëriste biznesmenin e preferuar të Ramës e Veliajt, duke thënë se na qenka persekutuar për dekada nga doktori. Edison Ypi është ndër të paktët në këtë vend, që preferon të stigmatizojë gjithë këtë paçavure mediatike konfliktuale. Ai e bën këtë në mënyrën e tij brilante, si idealist dhe i përkushtuar ndaj së vërtetës. Ai shkruan se kur Doktori ishte president, kryeministër apo kryetar i opozitës, thuajse të gjithë këta e të tjerë gazetarë me emër i lëpinin fundin e prapanicës. Tani që Doktori nuk ka pushtet ekzekutiv duan t’ia heqin edhe atë që ka: Pushtin moral e politik. Jo se tremben nga pushteti moral i Berishës, por se kanë frikë se mos rikthehet në skenën politike dhe “nëse Doktori bëhet dy herë nuse” nuk do të përsërisë më gabimet e shkuara, kur mbështeste këta gangsterë të gazetarisë shqiptare. Fevziu thotë se “nuk replikoj me Doktorin, sepse e kam patur mik”. Bushati thotë se “Kurrë nuk kam replikuar, por kësaj radhe nuk mund të hesht”. Ata nuk e quajnë replikë dhe kritikë faktin se nuk lënë rast në paraqitjet e tyre televizive pa përbaltur Sali Berishën. Baltën e bën Rama, këta thonë e bëri Berisha. E shumta, për t’u hequr si të pavarur thonë se “Rama po e bën si Berisha”. Bollino thotë se “Jam persekutuar gjithë kohës” nga Doktori. Ndërsa privilegjet që ka pasur nga këta që janë e ata të majtë që ishin në pushtet, favoret dhe bizneset që ka bërë me ta nuk i përmend. Ndërkaq ata që nuk janë përmendur me emër, por që kanë të njëjtin format e janë përkëdhelur nga e majta shkojnë edhe më tej. Vangjeli psh përpiqet të shpikë ngjarje, me të cilat Berisha nuk ka asnjë lidhje,si pengmarrje, djegje gazetash, vrasje, linçime. Nëse do të ishin të vërteta, Vangjeli dhe shefat e tij do ta kishin çuar “alpinin”Berisha në hell. Ky soj gazetarësh ka bërë çmos gjatë një çerek shekulli që ta linçojë Doktorin, ta provokojë, ta denigrojë dhe t’ia nxijë anët pozitive dhe veprat e padiskutueshme që ka bërë për këtë vend. Bushati thotë se “Doktori ishte doktor i babit të tij”. Po ka mjek në botë që nuk i viziton dhe kuron të sëmurët, çfarëdo e kushdo qofshin ata?! Mendja e Andit sajon edhe perversitete si këto. Natyrisht që Berisha është njeri. Në veprimtarinë e tij ka bërë gabime, ka marrë edhe vendime të gabuara, por ky lloj gazetarësh mercenarë i kanë shumëzuar në kub gabimet e Berishës, madje kanë shpifur vazhdimisht për vepra e qëndrime të paqena, me qëllim denigrimin e figurës së tij. Kanë analizuar dhe theksuar gjithmonë anë të qena e të paqena për t’i errësuar ato, si për asnjë udhëheqës e lider politik tjetër në Shqipëri. Kritika mediatike kundër doktorit është unikale në Europë. Ajo niset nga premisa “Përça e sundo”, një premisë e këshillueshme nga shërbimet sekrete dhe shtetet armiqësore me Shqipërinë. Ajo është kritikë e “inatit” shqiptar, që buron nga xhelozia për sukseset e Doktorit. Siç ishin të tilla qëndrimet e kundërshtarëve të Berishës në opozitë sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat për pranim në BE. Nga këto premisa xhelozie opozita e Ramës e çoi vendin në greminë, e bllokoi jetën politike, kulturore e deri diku dëmtoi rëndë zhvillimin ekonomik, derisa shqiptarët thanë “T’ia japim votën këtij të marri, se inshallah ndalon në marrinë e vet të shkatërrimit të Shqipërisë”. Tani të gjithë kritikët e marrë të Doktorit i përmbahen formulës “Fajin e ka Saliu”. Ndërsa Edison Ypiështë nga të paktët që në formën e tij të mrekullueshme rendit sukseset e Berishës në qeverisje: Panimin në NATO, liberalizimin e vizave, ndërtimin e rrugëve. Por këta antidkoktorët gazetarucë të implikuar e të paguar, kur vjen puna te këto suksese të Berishës, thonë jo. NATO, vizat, rrugët, qeverisja humanitare ishin dhuratë ose meritë e të tjerëve. Doktorin e përjashtojnë, sepse ndryshe nuk do të mundin ta denigrojnë. Dhe më paradoksalja vjen kur ata vlerësojnë e çmojnëme servilizëm liderët e sotëm në pushtet, vetëm pse dinë të flasin bukur, edhe pse nuk baëjnë asnjë punë, edhe pse janë e kundërta e Doktorit. Në fakt për shkak të favoreve që sigurojnë prej tyre. Për shkak të favoreve që donin të siguronin ata i serviloseshin shpesh herë edhe Doktorit. Edison Ypi do të mbetet një nga gazetarët më në zë për të vërtetën që ai u servir lexuesve dhe jo thjesht pse ai mbron Sali Berishën, por se thotë e mbron të vërtetën, ndonëse Edisoni asnjëherë nuk shkruan e nuk flet se “do të thotë të vërtetën”. Ata që shpifin dhe e shtrenmbërojnë të vërtetën, ata lobojnë dhe anonçojnë spote se “duan të shkojnë te e vërteta”. Ata që janë kundër vetëvendosjes, ata marrin emrin vetëvendosje. Ata që me inhumanitetin e tyre burgosin çdo ditë qytetarë e vendit, ata bëjnë thirrje për ndihmë humanitare. Doktori nuk kishte nevojë të fliste për humanizëm, sepse drejtimi nga e tij e shtetit ishte një drejtim human. Berisha nuk flet për të vërteta dhe jo të vërteta, sepse në personin e tij e vërteta është e ngjizur. Prandaj e kanë zët Berishën, madje i druhen rikthimit të tij. Kjo është arësyeja pse gazetarët mercenarë e sulmojnë atë edhe sot e duan t’ia zhveshin vlerat, virtytet, cilësitë që ai mbart si njeri, si familjar, si politikan, si burrështetasi i paarritshëm në llojin e vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe dora e zgjatur, e Fatos Klosit, Enver Bytyci, Krimet politike të SHIK-ut në Kosovë

Reforma në drejtësi

January 12, 2016 by dgreca

Kush dominon drejtësinë, dominon pushtetin/
NGA ILIR HASHORVA-New York/
Në mitologjinë fetare, në mënyrë metaforike, është treguar dëshira dhe shpresa e njeriut për një të ardhme më të mirë. Duke filluar nga India e Lashtë, nga Persia dhe, duke vazhduar me judaizmin e duke përfunduar me krishterimin, ajo dëshirë dhe ajo shpresë është shprehur me pritjen e ardhjes së të dikujt apo Zotit në tokë, i cili do të mundë të keqen, do të vendosë drejtësinë dhe paqen dhe do të bëjë që të flenë të përqafuar ujku me qengjin. Nga ana tjetër, historia na tregon se ajo ditë nuk ka ardhur dhe nuk ka shpresë të vijë.
Ndoshta njeriu nuk i kupton disa zhvillime në shoqërinë që ka krijuar vetë dhe mendon se, nga diçka imagjinare, një ditë problemet e tij do të zgjidhen shpejt dhe të gjitha, dhe e pret me padurim atë ditë. Kështu, gjatë komunizmit, shqiptarët pritnim çdo ditë arritjen e socializmit e, mjerisht, sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë largohej socializmi; me ikjen e komunizmit, shqiptarët shpresonin se të gjitha të këqijat ikën së bashku me të, kur ia mbërrin të këqija të tjera që nuk i kishin menduar kurrë më parë; pas mbylljes së firmave huamarrëse, njerëzit pritnin të merrnin paratë e tyre, por duhej të kishin pak durim, sa të bëhej transparenca, dhe përfunduan duke mos marrë praktikisht asgjë. Sot reforma e drejtësisë në Shqipëri po shihet plot shpresë si shihej ardhja e Zotit në tokë në mitologjinë fetare, për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për të vënë drejtësi.
Kjo reformë, që pritet të kryhet së shpejti, i ka ndarë njerëzit në dy, apo në tre grupe. Në njërin grup futen ata që përkrahin me të gjithë forcën çdo gjë që bën PS-ja, pra edhe reformën në drejtësi. Ata presin që pas asaj reforme çdo gjë të rregullohet, duke përfshirë edhe burgosjen e të këqijve, të zullumqarëve, të hileqarëve, të korruptuarve, e plot gjëra të tjera që mund të bëheshin edhe pa reformën, sepse nuk ka pasur ndonjë ligj që të pengonte shtetin dhe drejtësinë të vepronin kundër tyre. Në grupin e dytë futen ata që kundërshtojnë tradicionalisht çdo gjë që bën PS-ja, edhe kur ajo qëllon të bëjë diçka të mirë. Në grupin e tretë janë vetë punonjësit e drejtësisë që e kundërshtojnë reformën, sepse mendojnë se me miratimin dhe zbatimin e saj, ata jo vetëm do të privohen nga shumë privilegje dhe përfitime që kanë sot, por mund të përfundojnë edhe nëpër burgje.
Gati të gjithë ata që mbanin qëndrim ndaj reformës, që ose e mbështesnin ose e kundërshtonin, nuk ma merr mendja se e pranonin apo e kundërshtonin sepse dinin vërtetë se ç’përmbante ajo dhe se ç’do të bënte ajo. Diçka morën vesh kur “Komisioni i Venecias” bëri disa vërejtje për të. Madje, as të huajt, duke përfshirë edhe Ambasadorin Amerikan, Lu, dhe atë të BE-së, Vlahutin, që e mbështesnin me zjarr atë reformë, me sa duket, nuk dinin ndonjë gjë të madhe për të, përndryshe do të kishin bërë ndonjë vërejtje a sugjerim, para se projekti i reformës të shkonte te “Komisioni i Venecias”. Të huajt mendojnë se kur diçka reklamohet si e mirë nga qeveria jonë, aq më tepër kur ka të bëjë me drejtësinë, që është nga elementët kyç të mbarëvajtjes të shtetit dhe shoqërisë, është vërtet e mirë dhe duhet mbështetur. Qëndrimi i tyre i pa kondicionuar pro reformës lidhet edhe me mosnjohjen sa duhet të karakterit tonë dhe të zhvillimeve që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë një kohe të gjatë.
Me sa kam kuptuar, reforma nuk ka të bëjë shumë me bërjen e drejtësisë të pavarur apo të drejtë në ndihmë të qytetarit të thjeshtë e të ndershëm, ajo ka të bëjë më shumë me personin apo institucionin që do të ketë nën hyqëm drejtësinë, pasi ai që dominon drejtësinë, dominon pushtetin dhe te ne pushteti është gjithçka dhe, ky pushtet, për të qëndruar në këmbë, duhet të ketë të vetën drejtësinë.
Unë nuk kam ndonjë shpresë se reforma në drejtësi do të zgjidhë ndonjë gjë të madhe, por jo për arsyet e atyre që e kundërshtojnë reformën si kundërshtarë të PS-së. Arsyeja e parë e imja për të qenë skeptik është se nga përvoja e këtyre 25 vjetëve pas komunizmit, kam parë se, edhe kur është hartuar në të rrallë ndonjë ligj i mirë, me kohë ai ligj është bastarduar, apo është anashkaluar, duke i gjetur qindra mënyra për të mos e zbatuar, madje edhe duke e tjetërsuar. Nga ana tjetër, le ta zëmë se këtë reformë po hartojnë mirë njerëz të ndershëm e të zotë që u qan zemra për drejtësi, por cilët do ta zbatojnë? A nuk do ta zbatojnë atë punonjësit e drejtësisë, pikërisht ata që sot përfliten më shumë se të gjithë të tjerët për thyerje të çdo norme të drejtësisë?
Arsyeja e dytë e imja se përse reforma nuk do të kryejë ndonjë gjë të madhe është se ajo nuk mund t’u ndalojë politikanëve të lartë të mos ndërhynë në çështje të drejtësisë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, pasi parimi për ta është: “Atë që nuk ma ndalon ligji, kam të drejtë ta bëj”. Ata nuk kanë një ligj të tyre të brendshëm, një ligj të ndërgjegjes, i cili t’i ndalojë të bëjnë edhe atë të keqe që nuk ua ndalon ligji. Kështu, për shembull, Edi Ramën, kryeministrin e vendit, nuk e pengon asgjë që të ndërhyjë tërthorazi e të thotë për një kriminel (birin e një deputeteje të partisë së tij) që ka vrarë katër persona njëherësh, se ka për të bërë burg të gjatë para se të kthehet në shtëpi, duke i sugjeruar drejtësisë edhe masën e dënimit për të. Dhe drejtësia e dëgjon dhe, gjen një marifet, për të mos i dhënë këtij vrasësi masiv dënimin që meriton. Presidenti Nishani bën ballo presidenciale në vitin 2014, dhe, ndër të tjerët, fton në të edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, ndërkohë që ai është nën hetim nga drejtësia për vjedhje në Bankën e Shqipërisë. Dhjetë muaj më pas, pasi gjykata e ka marrë mesazhin e Presidentit, e deklaron të pafajshëm Ardian Fullanin!
Dhe një arsye tjetër se përse nuk kam besim se reforma do të kryejë ato që shpresojnë njerëzit është se, në përgjithësi, kur përgatitet të kryhet diçka e një rëndësie të madhe dhe kur ajo nuk kryhet si diçka nga zori, por si diçka që ndjehet së brendshmi, që përpara se të hartohet një ligj për të, që përpara se të vijë koha e zbatimit të tij, e gjithë atmosfera mbushet me një frymë mbështetje për të, qoftë edhe me veprime të thjeshta, por simbolike, nga ana e atyre që e nisin atë.
Në Afrikën e Jugut, për shembull, që para se të fillonin gjyqet e dëgjimit të “Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit”, një variant i përkryer i ngjashëm me atë të hapjes së dosjeve në Evropën Lindore, gjatë të cilave kriminelët e regjimit të mëparshëm do të shkonin dhe do të tregonin vetë krimet e tyre para atyre gjyqeve dhe në bazë të atyre tregimeve do të mund të merrnin apo jo amnistinë, atmosfera e përgjithshme u mbush me një propagandë shumë efikase për nevojën e pranimit të asaj metode.
Te ne, nuk ka shembuj të tillë, përkundrazi, ka shembuj që, edhe pse krijohet njëfarë mikroatmosfere në mbështetje të diçkaje të mirë, kur vjen koha për t’u bërë, ajo ose nuk bëhet, ose bëhet e kundërta. Për shembull, filloi njëfarë propagande për e hapjen e dosjeve të sigurimit dhe u përgatit populli për të njohur kriminelët dhe të vërtetat, të cilat do t’i zbulonin në njëfarë mase edhe dosjet e hapura, gjë që ishte edhe një element i drejtësisë, por, në vend që të bënte këtë, qeveria e Edi Ramës shkon dhe dekoron ata të cilët ishin përgjegjës për krimet dhe për krijimin e asaj strukture të urryer të dosjeve! Vazhdojmë: Gjatë fushatës zgjedhore u prek edhe problemi i kthimit të pronave dhe Edi Rama premtoi se, ndryshe nga paraardhësit e tij, do të kthente pronat, madje tha se do të kërkonte se mos kishte dokumente për prona të shqiptarëve edhe në arkivat italiane. Dhe, pronarët u mbushën me shpresë: “më në fund – menduan ata – erdhi ‘shpëtimtari'”. Por, ai, në vend që të bënte këtë, domethënë të çonte, për shembull, Artan Lamen në Itali të gjente dosjet e pronave të shqiptarëve, gjë që nuk ishte edhe e nevojshme se janë me mijëra dosje në vendin e tij që i ka zënë pluhuri dhe nuk hapen, e bën Artanin kryetar të një organizmi, të krijuar nga administrata e mëparshme, që ka për detyrë të pajisë me tapi ata që kanë grabitur pikërisht pronat e pronarëve që premtoi se do t’ua kthente dhe harton një ligj i cili e zhbën edhe ligjin e mëparshëm, përsëri shumë të keq, duke i hequr edhe shpresën e fundit pronarëve që në të ardhmen të marrin diçka nga pronat e tyre dhe këtë ligj ai e paraqet si ligjin e zgjidhjes përfundimtare të problemit të përjetshëm të pronave! Ai, në vend që ta shohë çështjen e kthimit të pronave edhe si një element shumë të rëndësishëm të drejtësisë, shkon dhe u ndan personalisht vërtetime pronësie grabitësve të pronave!
Për arsye si këto, mua nuk më shtyn gjë të besoj se reforma në drejtësi do të zgjidhë vërtet ndonjë problem. Ajo po bëhet me sforcim, më shumë nga ndërhyrja e huaj, sesa nga ndonjë shtysë e brendshme dhe, kur bëhet ashtu, do të gjenden qindra mënyra për të anashkaluar edhe ndonjë të mirë që mund të ketë. Ajo reformë mund t’u shërbejë atyre që sot janë në pushtet që të mbajnë më lehtë pushtetin dhe të lajnë disa hesape me kundërshtarë të tyre, ashtu siç mund t’u shërbejë edhe kundërshtarëve të tyre nesër të bëjnë të njëjtën gjë, dhe jo që të veje paqe, harmoni dhe drejtësi në shoqërinë tonë.

Janar, 2016 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, Reforma ne Drejtesi

LIGJI i RI I PRONAVE DHE MORALI QË PËRCJELL

January 12, 2016 by dgreca

Nga Axhem Ymeri/Per koalicionin e pronareve shqipetarë/
Ndodhemi ne ditet që pritet rivotimi i ligjit të pronave ne Parlament. Më shumë profesionalizëm dhe me të drejte; presidenti e ktheu për rishqyrtim dy ditëpara vitit të ri. Reagimi i menjehershëm i Kryeministrit brenda një jave nga kthimi i ligjit, pa e marre akoma Parlamenti në shqyrtim,se ligji do rivotohet siç është , ka një domethenie të madhe. E para gjë që kuptohet është se ligji është vet Edi Rama. Nuk ka rëndësi se si do ta lexojnë (ndoshta nuk e lexojne fare), deputetet arsyetimin e presidentit, ligji do votohet me urdhër, deputetet nuk duhet të arsyetojnë por vetëm duhet të ngrejne duart lart. Gazeta “TELEGRAF” e datës 8 Janar 2016 ka botuar një analize të Prof.Dr. Lush Susaj. Nga aty me erdhen të fresketa mësimet që jep psikologjia: “….. Psikopati ka etje dhe prirje të fuqishme për pushtet, pasuri dhe kontroll të pakufishem mbi të tjerët. Kjo psikopati’ uzurpon politikën, shtetin, institucionet dhe ua nxin jetën njerëzve, duke shkatëruar të tashmen dhe prespektivën.” Këto mesime të psikologjisë duhet të jenë udhërrefyese për çdo politikan dhe diplomat; nëqoftëse ata lexojnë. Unë nuk kam ndërmend të analizoj gjithë anët teknike të këtij ligji, por dua të përqëndrohem në moralin që ai percjell. Për të gjithë ata që duan të jenë të drejtë, ligji flet vetë (populli thotë:’’ben mu’ –si lopa )’’. Për efekt kujtese, theksoj se ligji nuk i kthen pronat edhe kur ato janë të lira. Ligji shtetëzon edhe kullotat e pakthyera, duke i futur nën emërtimin ‘’toka’’. Ligji të detyron për kompesimin financiar,pavaresisht se prona është e lirë dhe pronari nuk do para por pronën. Ligji, pronarin e shperblen me çmimin e vitit 1945, ndërsa llogaritë e tij i bën me çmimin e tregut sot. Ligji,pronarin e shperblen si toke are, kurse për vete e nxjerr në shitje si truall. Ligji të heq të drejtën e ankimit për themelin e çështjes, etj etj.
MASHTRIMET E LIGJIT. Ligji thotë se mbeshtetet në nenet 41 dhe 181 të Kushtetutes, në fakt është shkelja e atyre neneve. Ligji thote ( neni 2 /b) se ka qellim shpërblimin e drejtë, por asgjekundi nuk gjendet drejtesia në këtë ligj. Ministrat e drejtesise (aktuali dhe i mëparëshmi), pretedojnë se flasin në interes të shumicës, ndërkohë që pronarët i nxjerrin 1% të popullsisë. Por, profesori i statistikes zoti Zaloshnja , do befasohej nga shpikja se si del kjo perqindje ! Nëqoftëse pranojmë popullsinë 3 milion dhe numrin e dosjeve 30 mijë (që janë trajtuar, janë në trajtim dhe në pritshmëri, fakt i pranuar nga qeveritarët), rezultati nuk sjell përqindje popullsie! Emrat e pronareve në dosje janë prindërit ose gjyshërit tanë. Çdo dosje ka mbrapa 3 deri 4 breza që janë në bashkëpronësi. Minimumi çdo dosje ka 50 veta brenda. Kjo sjell që pronaret dalin (30 mijë dosje x 50 = 1milion e 500 mijë njerëz ose 50% e popullsisë). Pyesni Zaloshnjen që t’ju mësojë se si dalin përqindjet. Veç kësaj,zoteri ministra, llogarisni dhe pronarët shqipetarë që jetojnë jashtë shtetit të cilët presin që Shqiperia të bëhet shtet i së drejtës për të marrë pronat e tyre. Për këtë është mirë të lexoni gazeten ‘’ Diell’ që botohet ne Boston të Amerikes dhe të degjoni edhe zerin e zotit Loro Stajka, i cili ka dy vjet që po ju flet me shprehjen : “ po nuk zuri vend prona, nuk ze vend shteti”. Ministri Manjani është shprehur se me ligjin e vjetër do të duheshin 4 mijë vjet për ti kompesuar pronarët, kurse me të riun vetëm 10 vjet, ndërkohë që flet për një shperblim të drejte! Lind pyetje: keni vjedhur bankat e Zvicres apo do iu jepni pronarëve lugën bosh!? Në këtë rast ,vetëm për shperblim të drejtë ënuk mund të flitet, por euforia e postit që mbani bën që të vetëdiskreditoheni. Neve ,edhe mund të na mashtroni përkohësisht, por Gjykatën e Strasburgut nuk e mashtroni dot, ndaj mos u lodhni kot. Keni dy vjet që pretendoni se keni bashkëpunuar me grupet e interest, ndërkohe që vetem keni pretenduar tu inpononi mendimin tuaj. Ju keni ndryshuar rregullat në mes të lojës, pretendoni të korigjoni edhe vlerën e mendimeve të Strasburgut e shumë e shumë të tjera që vetëm ju injorojnë profesionin dhe iu diskreditojnë si njerëz. Kjo, qeverine tuaj e ben qesharake.
QELLIMI i LIGJIT. Nëpërmjet këtij ligji, qeveria pretendon të ” shitet’’ para botës se gjoja po i bën detyrat e shtëpisë. Ajo pretendon ta shuaj si problem çështjen e pronave, pavaresisht kush ha e kush qa’. Pronarët e vjetër gjithmone e kanë pësuar nga komunistët. Qeveria do të minimizoje faturën financiare, ndërkohë që do të shesi pronat private në ankand, me çmim tregu, të mbushi arkën e shtetit dhe xhepin e vet, duke bërë ndere e lezete brenda llojit. Nga ky ligj, gjithë pronaret e vjeter të kullotave bregdetare, ngelen pa prona sepse ato shtetëzohen,ndaj ata duhet të mendojnë se ku do venë! Patjetër që do shtohet pasuria personale e qeveritarëve dhe do sigurohen mandatet e tjera për të rjepur këtë popull të urtë deri në budallallëk. Kështu do lindin “kadafet shqiptarë”!
DEMAGOGJIA. Me 9 Dhjetor 2015, ministri i pushtetit vendor Z.Bledi Çuçi, organizoi në Universitetin Europian të Tiranës, një seminar për luften kundër korrupsionit. Aty u paraqit edhe një liber,(autor vete ministri), me masat që ka marre qeveria për luftën kundër korrupsionit. Pasi e lexova atë libër, nuk e di pse mu krijua përshtypja se Zoti Çuçi kishte hipur në një pemë boshtore (me rrënjë të thella) dhe po i priste degët “për zhdukjen e korrupsionit”. Jo , Zoti Çuçi ! Nuk shkulen themelet duke qëndruar në kat të dytë. Që të zhduket korrupsioni duhet luftuar nga rrënjët. Dihet që korrupsioni ushqehet kryesisht nga prona shteterore (siç e pranuat dhe ju vetë në seminar), aty lindin tenderat, fallsifikimet, ajo prone ndahet sipas ligjit 7501 edhe pas 25 vjetësh, aty lindin haterlleqet, vjedhjet, tjetersimi i pronave etj. Prona korrupton noterin, prokurorin, nëpunsin, gjykatësin dhe ministrin. Të gjithë këta qëndrojnë në katin e dytë ndërsa prona qëndron në katin e parë. Filloje nga themeli punën tënde, çoje pronën tek i zoti dhe mos u servilos në qeveri, duke votuar një ligj që shtetëzon edhe kullotat të cila prej mijera vjetesh janë të blegtorëve Dukatas. Me mentalitetin dhe organizimin e qeverisë tuaj, ju ushqeni korrupsionin. Ashtu sikurse një burim uji shuan etjeve e qënieve të gjalla, ushqen jeten e tyre dhe ndriçon e zbukuron gjithçka nëpërmjet dritës që prodhon, edhe prona bën të njejtën gjë, por edhe diçka mëshumë. Prona ka aftesi të shkaterroje moralin e njeriut , të fallsifikojë të vërtetën, të ushqeje korrupsionin, të nxisi kriminalitetin dhe të transformojë krejtesisht shoqerinë njerëzore nga qenie humane në qenie me psikologji shtazore. Për keto arsye gjen vend fundamental shprehja e Loro Stajkes se : “ po nuk zuri vend prona, nuk ze vend shteti”. Shpesh degjojme të thuhet : “….. të erdhi në dorë, shfrytezoje rastin”. Shprehje të tilla që përligjin moralin e hajdutit, e çojnë shoqërinë në degjenerim, krijojne bindjen se ajo shoqëri nuk ka aftësi të bëjë shtet.
MORALI i LIGJIT. Bota e qytetëruar kërkon të na thithi brenda vetes, por ajo trëmbet nga mentaliteti ynë. Askush nuk ka qejf të fusi në shtepinë e vet një hajdut. Qeveria e sotme shqipetare, nëpërmjet ligjit të ri të pronave ka ligjëruar vjedhjen shteterore. Në gjithë boten, prona mbrohet nga ligji, kurse tek ne prona vidhet nga ligji.Kjo shprehje nuk është nxitim apo lajthitje, por fakt, sepse ligji është një fakt kokëfortë. Që një ligj të jetojë i gjatë, ai duhet të ketë në themelin e vet drejtësinë dhe moralin e kohës. Në rastin konkret, as nuk bëhet fjalë për drejtesi, veç për mashtrim, padrejëtesi, cenim të barazisë juridike, cenim të sigurisë juridike, etj. Po marrim një shembull:
Për një ndërtim pa leje në 500 metra katror toke arë ( që sot është truall me 20 mije leke të reja për meter katror) , ndertuesi – shkelës ligji, paguan 400 mijë lekë gjithsej dhe del pronar i një trualli 500 metra katror me vlere (500 x 20mijë = 10 milion lekë të reja). Pra, shkeli ligjin dhe u pasurua. Po pronari i tokës çfarë fitoi?! Për 500 metra katror arë (që sot është truall), shteti i jep afërsisht gjysmën e pagesës që bën shkelësi , barazuar kjo me 200 mijë lekë të reja , ose një e 50 e vlerës e tokës së tij sot.
Ligji i ri persekuton popullsinë e zonave bregdetare, duke mos iu kthyer kullotat, ndërkohë që ne 2\3 e Shqiperisë kullotat kanë shkuar të pronari. Ku qëndron morali i ligjit?! Po barazia juridike?!
Arat e ndara sipas ligjit 7501 ndodhen vetëm në ultësirën bregdetare, sepse 60% e popullsisë në veri dhe lindje kanë marre secili pronën e vet. A ka moral një ligj që vepron vetem në 40% të territorit të tij legjitim?!
MORALI QEVERITAR Referuar shtypit të përditshëm, me 19 Nëntor 2015, deputeti Bshkim Fino u shpreh : “ … as nuk me intereson çështja e pronarëve…”. Ndoshta ka të drejtë se nuk ia di vlerën punës dhe pronës. Ai ka lindur në gurët e Gjirokastres dhe u bë Kryeminister me urdhër. Kaq ka parë, kaq di dhe këtë thotë. Por , a ka moral Qeveria Shqipetare sot që të merret akoma me pronarët të cilët janë goditur deri tani pesë herë?! Më 1945 pronat u shtetëzuan. Më 1956 , pronat u kolektivizuan dhe përsëri u shtetëzuan. Më 1981, u hoqën oborret dhe 20 dhitë’. Më 1991, Kuvendi ligjërisht iu ktheu të zotërve pronat dhe pas tre muajve, doli prapë zot i pronave private dhe i rishpërndau ato me ligjin famëkeq dhe fatkeq nr.7501. Më 2015, Qeveria, me ligj shtetëzon kullotat mbyll problemin e kthimit dhe hedh kocka për ti lepire pronarët! Ku e gjen mbështetjen morale ish-ministri i drejtësise kur thotë :” ….. është koha për një pakt kombëtar. Pronarët duhet të lëshojnë dicka nga vetja se shteti është i varfer e megjithatë bën lëshime, ka vendosur të japi 5 milion euro në vit”. Mirë pronarët që duhet të japin pronat, po 5milion dollarët mos vallë i jep Nasipi?! Nga vetja cfare jep Nasipi që merr mbi 2 milion lekë në muaj?! Pse duhet të vihet në kurriz të shqiptarëve kjo faturë financiare, ndërkohë që shume prona janë të lira dhe mund të kthehen fizikisht?! Pronarët kërkojn ë prona apo para ? Kur je shtet i varfer, pse merr përsip ër të paguash edhe ato që nuk ti kerkon kush?! Gjithë këto padrejtësi dhe kontradita të ligjit të ri të pronave, flasin për qëllime të mbrapshta , moral të ulët qeveritar , flasin për tendenca që krijojne hapsira për korrupsionin dhe vjedhje, flasin për injorancë juridike (vetdiskreditim), flasin për mungese të vizioni politik dhe diplomatik. Në mënyrë flagrante, ky moral qeveritar është në shkelje të Kushtetutës dhe konventave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sot Qeveria, në kundërshtim me Kodin Civil, regjistron në emër të shtetit, gjithë pronat që ajo mendon se janë të lira. Ky mund të jetë sa të dojë një shtet ligjesh por kurre nuk është një shtet i së drejtës.
PASOJAT E POLITIKES QEVERITARE PËR PRONAT Askush në botë nuk është i detyruar të qëndroje në një vend ku ska pronë. Kur njeriu nuk është pronar diku, ai leviz kudo për të gjetur punësimin më të favorshëm. Nëqoftëse do që një komb të zhvillohet, duhet të përpiqesh ti bësh njerëzit pronarë aty ku jetojnë. Dikur, para 80 vjetësh, fshati i Dukatit kishte vetem bageti të imta 147 mijë kokë. Me ligjin e ri ku qeveria shtetëzon kullotat e dukatasve , pas 3 vjetesh atje nuk do të ketë as ujqer sepse nuk ka më bageti në kullota. Djemtë do ikin të gjithë. Sot, pronarët e vjeter janë shumë herë me të varfër se të varferit. Njerezit kanë humbur besimin tek Qeveria , tek drejtesia dhe heshtin. Sapo ju jepet një mundesi, shqipetaret largohen si arixhinj, duke mallkuar vendin ku u linden. Ata rrojnë më mirë duke pastruar haletë e botës sesa në rrugët e atdheut. Kështu ata harrojne dhe gjuhën e tyre dhe tjetërsohen tërësisht. Këtu ku paraja del më lehtë me mashtrime e me vjedhje, se sa me punë të ndershme, fëmijët nuk shkojne më në shkollë, ata bëhen hajdutë xhepash, dyqanesh e bankash dhe pastaj dalin e shesin drogë, duke përfunduar ne burgjet e botës. Ata që shpetrojne nga burgjet, kthehen e bëhen deputetë e ministra dhe pastaj përfundojnë në miliarderë, duke shitur vendin e tyre dhe duke shtypur popullin e vet.
Pa prona, askush nuk ka atdhe. Askush nuk mban përgjegjësi për vendin ku lindi , kushdo harron dhe ndërron emrin dhe fenë. Kjo rrugë sjell lehtësisht shkombëtarizimin e një kombi. Ai që ka prone ka edhe detyrime ndaj pronës dhe shtetit,ndaj ai nuk ikën në Gjermani, por derdh djersen në vendin e vet dhe pasuron Shqiperinë. Politika qeveritare e shpronësimit të pronarëve dhe e shtetëzimit me metoda hajdute-ligjore, do bëjë që këtu të ngelen vetëm qeveriatarët dhe lakejtë e tyre kokëulur si dhe disa mijëra të vrarë për pronat. Le të mundohen sa të duan analistët nëpër televizione për të gjetur arsyet pse largohen shqipetarët. Arsyeja është një dhe vetëm një :Shqiperinë nuk e bëjnë dot hajdutët, besimi ka humbur, drejtësia është shuar. Nderkohe që populli vuan, këshilltaret e Qeverisë përpiqen të krijojnë truste (si trusti lulelakrës dikur në Gjermani), për të thithur fondet publike pa tendera, gjoja në emër të zhvillimit rajonal. Ka ardhur koha që të vertetat të thuhen hapur. Sado të aftë ti kesh këshilltaret zoti Kryeministër,nuk mund të drejtosh një shtet po nuk pate dhe vetë pak mend dhe zemër, sepse shpesh këshilltarët të fusin në pyllin e errët pa u kuptuar. Fakti që ti i merr përsipër para kohe gjërat, nëpermjet deklaratave të tua; nuk flet as për mënçuri dhe as për trimeri nga ana juaj. Kjo flet vetëm për papjekuri, mungese experience, ambicie dhe vetdiskreditim. Kryeministrat vijne dhe ikin , por Shqiperia mbetet dhe dikush do i dali zot me mend dhe me zemer. Ligji i ri i pronave ,veç sa ju ka nxjerrë bojën (diskredituar) si Qeveri. Nuk besoj të gjendet ndonjë jurist i ndershem , që mund t’ju japi të drejtë.
Per koalicionin e pronareve shqipetarë ,
Axhem Ymeri

Filed Under: Analiza Tagged With: Axhem Ymeri, Ligji i ri i pronave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 703
  • 704
  • 705
  • 706
  • 707
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT