• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Korrigjimi i gabimit me gabim

December 16, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/

Në një shikim të parë, falja publike që Edi Rama kërkoi nëpërmjet një esse-je të publikuar në mediat e vendit lidhur me dekorimin e një ish-hetuesi, i cili dikur kishte torturuar dhe figura të njohura si i ndjeri At Zef Pllumbi dhe Prof. Sami Repishti është për t’u vlerësuar. Të paktën pasi tregon që kryeministri është në gjendje të reflektojë ndaj akteve e veprimeve të gabuara të qeverisë së tij. Këtë e përforcon edhe vendimi i pak javëve më parë duke ndryshuar me 180 gradë qëndrimin e tij përsa i përket taksimit të biznesit të vogël, duke i hequr apo ulur ndjeshëm taksat në kohën kur kjo katëgori biznesi dhe të vetëpunësuarit kishin filluar të mbyllnin bizneset apo të burgoseshin për mospagim detyrimesh ose për moslëshim kuponi tatimor. Tani, duke i u kthyer faljes së kërkuar nga kryeministri , pasi ta kesh lexuar deri në fund esse-në e tij, nuk është aspak e vështirë të arrish në përfundimin se kemi të bëjmë thjesht me demagogji. “Falja” e kërkuar nga Edi Rama më shumë është një përpjekje për “të larë duart” nga një gabim i rëndë i administratës së tij “rastësor” apo “i qëllimshëm”. Nuk ka si shpjegohet ndryshe një kërkesë për falje pa reflektuar me veprime konkrete të cilat do të vinin gjërat në vendin e duhur. Së pari, në kohën që mediat publkonin esse-në e tij ai duhej të kishte vënë në lëvizje strukturën përkatëse për të rishikuar listën e të dekoruarve duke qëmtuar emrat e “mëkatarëve” të kohës së diktaturës për t’u a hequr më pas dekoratën e dhënë nga Ministria e Mbrojtjes duke anulluar vendimin e gabuar. Të paktën kështu viktimat dhe të afërmit e viktimave të të përfolurit Shyqyri Çoku, në rastin e bërë publik, do të ndjeheshin disi më të lehtësuar. Gjithashtu, kreu i qeverisë duhet të jetë i ndërgjegjshëm se në listën e të dekoruarve nga ministrja e tij e mbrojtjes ka dhe shumë “Çokër” të tjerë. Nga lista e të dekoruarve e bërë publike disa javë më parë, gjë që u bë shkas për ndezjen e debatit, nga njohuritë që kam mund të them se mbi 20 të dekoruar kanë qene pjesë e aparatit represiv të kohës së diktaturës si hetues, prokurorë apo funksionarë të sigurimit famëkeq të shtetit. Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, kryeministri duhej të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë ata zyrtarë të tij duke filluar nga ministrja, të cilët përpiluan listën e dekorimeve dhe e firmosën atë. Logjikisht, për deri sa kryeministri ndjehet i detyruar të kërkojë publikisht falje, do të thotë se ai ose dikush prej ekipit që ai drejton ka bërë faj dhe për këtë duhet të përgjigjet administrativisht deri dhe në shkarkim nga detyra apo duke u dorëhequr. Personalisht këto dekorime nuk i shikoj të shkëputur nga rishfaqja e portreteve e fotove të diktatorit komunist nëpër ceremoni festive zyrtare, nga ceremonitë përkujtimoire të ngjarjeve që instaluan diktaturën komuniste në Shqipëri, siç ishte i ashtuquajturi “kongres” i Përmetit”, shallet e kuq e nderimet me grusht nga zyrtarë e figura të PS-së etj. Të marra së bashku, mendja ta do se nuk janë gjë tjetër veçse teste të radhës për të arritur tek reahabilitimi I diktatorit dhe periudhës së tij. Le të marrim rastin e dekorimeve. Duke pasur parasysh se lufta ka mbi 70 vjet që ka mbaruar dhe moshën e të dekoruarve i bie që gjatë luftës këta të kenë qenë nga 10 deri 15 vjeç, athere për ç’kontribut mund të bëhet fjalë? Ndoshta ministrja e mbrojtjes vlerëson si kontribut ngjitjen e trakteve të partisë komuniste nëpër mure dhe shpërndarjen e tyre?!.. Më e besueshme është që dekoratat u janë dhënë për kontributin e tyre në shërbim të diktaturës. Së treti, Rama, në vend që të kërkojë llogari në ekipin e tij, zgjedh rrugën më të lehtë duke fajësuar Sali Berishën, gjithmonë në bazë të parimit “fajin e ka Saliu”, slogan, i cili jo vetëm e ka humbur efektin por ndikon negativisht, pasi kushdo përdorimin e këtij slogani të stërkonsumuar e shikon si mjet për të justifikuar mosrealizimet apo mëkate të tjera të qeverisjes. Edi Rama mundohet të shesë gafën e dekorimit si pasojë e një ligji të dekretuar në vitin 1994 nga Sali Berisha, athere presaident. Por, para se të servirte këtë version, ai duhej të kishte gati dhe arsyetimin për të shpjeguar se përse vetë Berisha gjatë viteve që ka qenë në pushtet nuk ndërmori aventurën për të dekoruar e nderuar të paktën një të vetëm nga xhelatët e hetuesisë e të burgjeve. Po kështu ai duhej të ishte në gjendje të sqaronte se për ç’arsye PS nuk shprehu ndonjë objeksion ndaj dekretit të Berishës. Në të vërtetë, po të bëjmë një retrospektivë të këtyre 25 viteve rezulton se socialistët, në cilësinë e trashëgimtarëve të PPSH-së kanë qenë shumë më të interesuar dhe kanë bërë demarshe për të nderuar individë dhe akte të kohës së diktaturës. E kundërta po, ka ndodhur. Në vitin 1995 pra vetëm një vit më pas , parlamenti me shumicë demokrate votoi dhe ligjin për genocid, në bazë të të cilit dënoheshin të gjithë të akuzuarit për persekutim e shkelje të të drejtave të njeriut gjatë sundimit komunist. Ishin pikërisht socialistët që e kundërshtuan këtë ligj, megjithse nuk qenë në gjendje të pengonin arrestimin dhe dënimin e disa ish kudrove të lartë të MPB së e hetuesisë së kohës së diktaturës. A është vallë në gjendje Rama të shpjegojë se si është e mundur që nga njëra anë Berisha paska qenë I interesuar të nderojë hetuesit dhe xhelatët e tjerë të birucave dhe nga ana tjetër të mbështesë një ligj i cili në vend të dekoratës u rezervonte prangat? Në vend që kapet pas një dekreti të 21 viteve më parë për të akuzuar Berishën si shkaktar të dekorimeve skandaloze do të bënte mirë të merrte masa për ata që e futën në një telash të tillë duke filluar nga ministrja e tij e mbrojtjes, e cila me t’u bërë publike funksionet dhe bëmat e një pjese të të dekoruarve duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Nga ana tjetër kjo do ta shkarkonte vetë kryeministrin dhe nga akuzat për praninë e portreteve të diktatorit në ceremoni festive zyrtare, dhe aktë të tejra ku shprehet nostalgjia për Hoxhën e regjimin e tij, gjë që pas aferës së dekorimeve s’besoj që të jetë një tekë e disa pleqve fanatikë me të cilët sipas Ramës nuk i a vlen të merresh.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, Korrigjimi i gabimit, me gabim

Program Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian

December 16, 2015 by dgreca

-Qeveria e Kosovës: Liberalizimi i vizave të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme/

-Përshëndetet miratimi i konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian/

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 16 dhjetor 2015/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015/ Kosova bëhet me Program Kombëtar për Zbatimin  e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në Strasburg, këtë vit në 27 tetor, projekti u miratua sot në mbledhjen e qeverisë, ndërsa në një deklaratë u kërkua që liberalizimi i vizave për kosovarët të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme, pasi dje Këshilli i BE-së bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.Qeveria e Republikës së Kosovës, në deklaratën nga mbledhja e sotme, përshëndet miratimin  e konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.

“Këto konkluzione vulosin faktin që Kosova ka pasur një vit të suksesshëm në aspektin e integrimit evropian, dhe rikonfirmon përkushtimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, thekson deklarata.

Qeveria kosovare tha se, e mirëpresim faktin që Këshilli e thekson nënshkrimin e MSA-së si një marrëveshje të parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës.

“Përshëndesim thirrjen e shteteve anëtare për të konkluduar MSA-në, që ajo të hyj në fuqi, dhe të filloj së zbatuari. Nga ana e Kosovës janë bërë të gjitha hapat ligjor dhe përgatitjet tjera të nevojshme që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt, në fillimin e vitit të ardhshëm”, shprehet qeveria.

Sa i përket procesit të Liberalizmit të Vizave, qeveria e Republikës së Kosovës merr në konsideratë konkulzionet e Këshillit të BE-së që shpreh vullnetin dhe optimizmin e përgjithshëm të vendeve të BE-së që procesi të lëvizë përpara, duke pasur parasysh rëndësinë e përmbushjes së kushteve të parashtruara në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të njëjtë përmbushjes së kushteve dhe konfirmon se të gjitha kriteret janë përmbushur në përputhje me udhërrëfyesin. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bëhet realitet pa vonesa të mëtutjeshme”, thekson deklarata.

Qeveria e Republikës së Kosovës tha se është në pritje të publikimit të raportit të fundit vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, e cili duhet të pasohet me rekomandimin për liberalizimin e vizave brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Të gjitha këto veprime janë të pashmangshme dhe do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016”, u tha më tej në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shtoi se, i ka parasysh konkluzionet që ndërlidhen me fushat prioritare për reforma, dhe përkushtohet që të zbatoj këto reforma në kontekstin e ri të integrimit evropian të krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.

“Presim që ky realitet i ri të krijoj kushte të nevojshme për të dinamizuar përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, theksoi qeveria në deklaratën e miratuar në mbledhje.

Qeveria e Republikës së Kosovës njëherësh u bën thirrje shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që t’i ofrojnë Kosovës të gjithë mbështetjen dhe instrumentet në dispozicion si ndihmesë për të adresuar reformat sa më shpejt të jetë e mundur.

“Në këtë drejtim, mirëpresim edhe thirrjen e Këshillit për të gjetur modalitete për të ecur përpara edhe me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për të mundësuar qasjen e Kosovës në Programe të BE-së”, vijon deklarata.

Qeveria riafirmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë drejtim do të luaj rol aktiv në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ky proces ka nevojë për një rezultat të qartë që do të siguroj normalizimin e plotë të marrëdhënieve në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme duke i lejuar dy shteteve të ndjekin rrugën e tyre drejt BE-së, pa lënë mundësi të bllokadave për anëtarësimin në BE në të ardhmen”, thekson më tej deklarata e qeverisë kosovare.

Qeveria gjithashtu vlerëson thirrjen e Këshillit për të tejkaluar situatën e krijuar nga partitë opozitare dhe dënimin e dhunës dhe pengesës së punës së Kuvendit, si dhe rithekson qëndrimin që kjo situatë duhet të zgjidhet përmes një dialogu institucional në mënyrë që të ketë një fokus në zbatimin e reformave evropiane.

“Në fund, qeveria e Republikës së Kosovës është e inkurajuar nga fakti që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ka përsëritur zotimin ndaj politikës së zgjerimit, dhe perspektivës evropiane të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin e vetë ndaj axhendës evropiane duke përfshirë zbatimin e reformave kyçe në fushën e sundimit të ligjit, reformave ekonomike dhe reformat tjera të nënvizuara me qëllim të realizimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, përfundohet në deklaratë.

Qeveria, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi katër projektligje: Për Falimentimin, për Energjinë Elektrike, për Rregullatorin e Energjisë dhe për Ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për realizimin e Projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit.

Në mbledhjen e qeverisë me 17 pika në axhendë u miratua edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emrimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Marrveshja e Stabilizim-Asociimi, program kombetar, qeveria e Kosoves

Jemi bërë pis

December 15, 2015 by dgreca

…Eshtë luftë pa kompromis qeverisja, lartësi. O bëhesh Enver me haluçinacione gjumi. O qaraman i përjetshëm. Megjithëse ka dhe një rrugë fare të hapët. Atë që ofrojnë martirët… të cilëve ti sapo u kërkove ndjesë./

Nga Ilir Levonja-Florida/

Edi Rama i kërkoi falje publikisht padër Zef Pllumit dhe profesor Sami Repishtit. Po ndërsa i pari është pranë Zotit të tij me misionin e mbushur. Duke lënë për së pari një mëshirë të madhe përballë krimit dhe torturave çnjerëzore. Luftës së njëriut ndaj njeriut. Duke i kujtuar shoqërisë së tij se tjetër është të dukesh. Dhe tjetër të ndihesh. Mëshira për xhelatin është dashuri. Që Zoti ia jep shpirtit të fortë. Megjithatë në atë shoqërinë tone një shpirt i tillë është akoma humbacak. Kjo për shkak se aty vetëm sa duken. Dhe aspak nuk ndihen. I dyti është akoma gjallë dhe me një mendje të kthjellët dhe po kaq paqësore. Ofron për treçereshekulli ura komunikimi dhe bashkëpunimi.

Duke shmangur pikërisht frymën ideollogjike mbi të cilën po shinohet demokracia, jo më e re shqiptare. Nuk ka për të vonuar. Madje unë e parafytyrojë se si po sillet në muzgjet e dimrit amerikan. Brenda dhomave, duke nënqeshur me faljen ideologjike të Edi Ramës. Me ankesën e pendurakut të shtirur duke qeverisur përjetësisht, plot ankesa, ndaj dhe vetëm një emri. Ai quhet Sali Berisha.Edi Rama rrahu gjoksin se fitoi me një million vota. Dhe sot qeveris me një million ankesa ndaj vetëm një personi. Edi Rama flet për shtetin e së drejtës. Dhe sot ankohet për padrejtësitë e një shtetari unik. Edi Rama foli për mirëqënie, zhdukje të papunësisë.

Dhe sot ankohet se nuk e lë Sali Berisha. Edi Rama mburret se mori 1 million vota. Megjithatë ankohet se po nget një makinë që e ka projektuar paraardhësi i tij. Dhe jo rastësisht në internet është hedhur. Bashkë me faljen plot lot krokodili të Kryeministrit. Një video montazh me arrestimin e Sali Berishës. Më mire nga të gjithë ne, e di vet lartësia e tij që loja me Saliun është për të mbuluar dështimin. Dhe duke e ditur se Sali Berishën nuk e arreston dot. Ai vetëm qahet.

Eshtë luftë pa kompromis qeverisja lartësi. O bëhesh Enver me haluçinacione gjumi. O qaraman i përjetshëm. Megjithëse ka dhe një rrugë fare të hapët. Atë që ofrojnë martirët… të cilëve ti sapo u kërkove ndjesë. Kjo është hedhja e bazave të shtetit të së drejtës, pa ankesa, pa pendesa të shtirura, pa qaravitje, pa frymë ideologjike, pa dasime jug­veri, pa fantazinë e provincialit ballkanas, bëj si them unë dhe jo si bëj unë. Kjo është më fisnikja…, ajo e bashkëpunimit dhe e ndjesës së madhe karshi një populli që do apo nuk do ti, eshtë fytyra martire e padër Zefit dhe e profesorit që akoma frymon këtu në Amerikë. Por kjo nuk ndodh, pasi ti vet e thua. Jemi bërë pis të gjithë. Shumë mire që nuk e përjashton veten. Por kaq është vetëm llafollogji. Fakti është kokëfortë, i qartë. Si ai që ti mban në krahë, në aleancën tënde të madhe mbi bulevardin e 21 janarit. Përpara se të arrestosh Sali Berishën, u thuaj rolexave të drejtësisë shqiptare, të arrestojnë aleatin tend. Pastaj, edhe veten e tyre… Ti shko më këmb. Ty të pëlqen të ecësh më këmbë. Biles vish një bluzë me logon e faljes. Mblidhuni bashkë se, ka vend me bollëk. Dhe falja është më pranë Zotit nga hijet e qelisë. Veç ashtu mund t’i ndjesh emrat të cilëve vërtet u falesh publikisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Jemi bere pis

“Vetëvrasja e një kombi” – “Kolaboracionistë” e “patriotë” …

December 13, 2015 by dgreca

*  Kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?. /

*Duke shfletuar librin “Vetvrasja e nje kombi”/

Nga Reshat Kripa*/

Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg  takova ata burra të rrallë që, në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, më treguan të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të  ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.

Nuk e di sepse por, në këto çaste, më vijnë ndër mend vargjet e pavdekshme të Ndre Mjedës:“Lirinë e keni ju, na hekrat kemi!”

Dikush do të më thotë se  hekurat, që ndrydhën një popull të tërë për gati gjysmë shekulli, i hodhëm poshtë njëzetepesë vjet më parë. Po, i dashur mik, keni të drejtë, por ju harroni se hekurat nuk janë vetëm ato që diktatorët i përdornin për të lidhur kundërshtarët e regjimit. Mua më duket sikur poeti nuk kishte vetëm këto lloj hekurash parasysh por, më tepër, ato që ndrydhnin ndërgjegjen e njerëzve, ato që nëpërmjet slloganeve demagogjike mundoheshin të fitonin kredibilitet në sytë e opinionit publik. Dhe këto lloj hekurash ishin më të rënda se ato që përdornin diktatorët.

E pra, kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?

Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Të ashtuquajturit historian të periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën e pushtuesve në radhën e kolaboracionistëve. Pikërisht për këtë emërtim, shumë prej këtyre politikanëve, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku kishin gjetur një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi.

Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori pretendonte se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh.

Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës,  komunistët, mjeshtra të mashtrimit,  hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit  pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:

 

Bijt’e Stalinit jemi ne,

                                    Që derdhim gjakun an’e mbanë

                                    Sa të valojë përmbi dhe,

                                    Flamuri drapër e çekan!

 

Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.

Ju lutem, më falni për këtë  hyrje pak a shumë të gjatë, por të gjitha këto më dolën parasysh kur përfundova së lexuari kujtimet e  një “nacionalisti të ndezuar dhe antikomunist” siç ishte Kol Bib Mirakaj, biri i  një familje të shquar të rrethit të Pukës që fillon me atë të Bib Ndoj Mirakës që më 1912, së bashku me Frrok Bajraktarin, Hajdar Nimanin dhe 47 burra të tjerë, çelën kushtrimin në shtatë bajrakët e Pukës dhe u organizuan në luftë duke thyer forcat turke dhe duke ngritur flamurin e kuq me zhgabën dykrenore te kisha e Qielzës dhe duke vazhduar me bijtë e tij, Pashuk Bib Mirakajn i cili u vu në krye të rezistencës antikomuniste duke dhënë edhe jetën e tij në vitin 1946, Pal Bib Mirakaj që vazhdoi rrugën e të vëllait, Pashukut, deri në vitin 1951 dhe më pas kaloi në Jugosllavi për të vazhduar përpjekjet për një Shqipëri të lirë dhe, në mënyrë të veçantë, më i dëgjuari prej tyre, Kol Bib Mirakaj, i cili në vitin 1941 udhëhoqi forcat vullnetare në luftë kundër sulmeve shoviniste të  çetnikëve serbë dhe malazes që kishin depërtuar në pjesën veriore të Shqipërisë, duke i dalë zot Shkodrës heroike. Në këtë betejë Kol Bib Mirakaj u plagos rëndë në këmbën e majtë dhe shpëtoi nga vdekja vetëm në saj të ndërhyrjes së mikut të tij nga katundi i Midhes në Pukë, Prendush Colit. Ja si u shpreh intelektuali vlonjat Ago Agaj, një figurë tjetër e shquar e nacionalizmit shqiptar, në ceremoninë përkujtimore për përcjelljen e tij në banesën e fundit:

I  lidhur me atdhenë e vet ngushtësisht, të cilin e kish larë me gjakun e tij, të vëllait dhe të birit më të madh dhe shumë të tjerë të fisit të tij , si ndoshta askush nga neve të tjerët, nuk donte të largohej nga buza e Adriatikut, se i dukej sikur valët e tij e mbanin të lidhur me atdheun. Ai thosh përhera: “Kur të detyrohem të largohem shumë nga Shqipëria, asht ma mirë të vdes”.

(Ago Agaj, “Salikimi i Kol Bib Mirakajt”, “Shqipëria e Lirë”organ i Bllokut Kombëtar Indipendent, 15 gusht 1968, faqe 4)

Por të mos harrojmë edhe birin e tij, Ndoc Kol Mirakajn, një nxënës i shkëlqyer i gjimnazit të Shkodrës dhe i universitetit të Torinos në Itali në degën e Inxhinierisë Politeknike, drejtues i lëvizjes kunderkomuniste që kishte si objekt shkatërrimin e çerdheve komuniste  në Kosovë dhe në Shqipëri, që pranon më mirë të vetevritet se sa t’u dorëzohet hordhive komuniste më 29 gusht të vitit 1949.

Kjo është historia e kësaj familje të madhe. Por le të kthehemi te autori i librit të përmendur më sipër, te Kol Bib Mirakaj. Propaganda komuniste është munduar me çdo mjet ta errësojë këtë figurë të shquar, duke i atribuar lloj-lloj shpifjesh dhe emërtimesh por, kurrë nuk ia arriti qëllimit të saj. Figura e këtij nacionalisti të shquar sot është vendosur në piedestalin e figurave të shquara të këtij kombi. Ai, së bashku edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Patër Anton Harapi, Rexhep Mitrovica, Ago Agaj, Xhafer Deva,  e të tjerë,bashkëpunuan me italianët apo gjermanët me qëllimin e vetëm se, në këtë mënyrë, do t’ia arrinin qëllimit për lulëzimin e Shqipërisë Etnike e cila, për herë të parë në historinë e këtij vendi, u krijua në sajë të vullnetit të këtyre dy vendeve, gjë që nuk e kishte bërë asnjë vend tjetër i botës. Ja si shprehet Kol Bib Mirakaj për këtë çështje:

Kam dhanë bashkëpunimin tim jo me “kambë në kapërcyell”, por lealisht e me guxim, pa kompromis,me bindje të ndërgjegjëshme, se pas fatit të kryem dhe në rrethana që gjindej Atdheu ( vetë në pamundësi me i ba ballë okupacionit me forcë, e ndërkombëtarisht abandonue në fatin e vet) ajo ishte e vetmja mënyrë me mujtë me i vjeftë çashtjes kombëtare deri sa Atdheu të gjindej në ato rrethana.

N’anën tjetër, kishe bindjen se ajo fazë historie, ndoshta, ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit Shqiptar për me arrijtë në bashkimin e tij, në kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufijtë Etnikë. Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me historinë, për me realizue aspiratën më të madhe e të drejtë të tij, për t’afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurrizin e tij prej shekujsh.

Kjo bindje u vërtetue tanësisht në prill të vitit 1941, me zmadhimin e Shqipënisë ndër kufiojtë etnikë.

 Po i të njejtës linjë me të është edhe Patër Anton Harapi kur, në vitin 1945 në sallën e gjyqit, u deklaronte gjykatësve kriminelë:E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.

            Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!”

Le të sjellim tani një shembull nga e majta shqiptare: Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.

Si duhet ta quajmë veprimin e këtij heroi, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Si shpjegohet që ky luftëtar, që kishte luftuar edhe kundër gjermanëve në Spanjë, tani bashkohet me ta? A mos duhet quajtur tradhëtar? Jo dhe jo. Atë e thirri zëri i atdheut.  Ishin pikërisht gjermanët që i sillnin lirinë e atdheut, që e shkëpusnin nga robëria shekullore e serbomëdhenjve.  Ai, së bashku me intelektualët shqiptarë që cituam më lart, luftonin për  Shqipërinë Etnike. Ishte pikërisht Gjermania që e kishte kthyer Shqipërinë në kufijtë e saj natyral, me përjashtim të krahinës së Çamërisë. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.

Shfletoj internetin dhe ndalem tek faqja për patriotin Vaso Pashë Shkodrani. Lexoj:  Administrator në Ederne në vitin 1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883.  Qënia në këto detyra nuk e pengoi të mendonte dhe të punonte për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? A nuk i shërbeu edhe ai Turqisë? Atëhere, përse Vaso Pasha quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist?

Vazhdoj më poshtë me Ismail Qemalin: Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912.

Atëhere përse Ismail Qemali quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist? Pyetjet e tjera janë të njëjta si për rastin e Pashko Vasës.

Nëse do të vazhdojmë më tej do të shohim se edhe udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe eshtrat e tij prehen atje dhe jo ne vendlindjen e tij dhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim.

Atëherë, përse të mos e quajmë të njëjtë edhe veprimin e këtyre intelektualëve tanë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore?

Një argument tjetër që vërteton se ata nuk ishin “kolaboracionistë” është ai se, sipas kritereve të demokracive perëndimore, nuk është provuar se Kol Bib Mirakaj, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ago Agaj apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar të ketë qenë kolaboracionistë. Në vendet ku regjimet e tyre shquheshin për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata kishin qenë kolaboracionistë, përkrahës të fashizmit etj, atëherë asnjërit nuk do t’i lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.

Ja një shembull tjetër për sa thamë më sipër : Qeveria shqiptare iu kërkoi aleatëve kthimin e atyre që ata i quanin “kriminelë lufte”. Le të citojmë zotin J. E. Jacobs, funksionar për shërbimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Në një letër miqësore drejtuar Zeusit shqiptar, që mban datën 5 korrik 1945,  ai shkruan:

I dashuri, Gjeneral-Kolonel Hoxha,

     Tue iu referue bisedimit tonë të pasun para disa javësh të shkuara mbi çështjen e kthimit të kriminelëve të luftës shqiptarë, dëshëroj t’ju njoftoj se letra me datë 22 qershor 1945 e Ministrit të Drejtësisë, drejtue Komitetit Ndërkombëtar të Luftës në Londër, i asht dërgue atij komiteti.

            Në mbështetje të listës së 43 kriminelëve të luftës të pretenduar, që asht pregatitur më datë 23 shkurt 1945, atë listë e kisha me vete në Caserta, në udhëtimin e fundit ku u bisedue kjo çështje.Me gjithë se nuk mund t’ju siguroj se çfarë masa do të merren, unë mund të them se autoritetet në Caserta janë duke e investigue këtë çështje dhe mundësisht në një kohë të shkurtër mund të mirret ndonjë masë.

            Me respekt, i dashuri Gjeneral-Kolonel.

            Jam fort i sinqert i juej.

Zoti Jacobs ishte një personalitet i majtë. Megjithatë le ta lemë atë dhe të vazhdojmë se si rrodhën ngjarjet e mëpastajme. Sado që u mundua legata shqiptare në Romë të merrte informata mbi këta “kriminelë lufte” nuk ia arriti qëllimit. Në një relacion që Zv/ministri i jashtëm Mihal Prifti i dërgon Legatës Shqiptare në Paris, midis të tjerave shkruhet:  Legata prej Rome na njofton se është në pamundësi  të bëjë relacionin mbasi i mungojnë informatat (Viti 1952, Dosja 95/1, Fleta 14/8).

Gjithashtu në një letër që Mihal Prifti i drejton Ministrisë së Drejtësisë shkruhet:

Sikurse është në dijeninë tuaj kjo Ministri kërkoi nga Qeveria franceze, dorëzimin e  kriminelëve të luftës. Në përgjigje të kërkesës sonë, Qeveria Franceze deklaroi se për dorëzimin e tyre në bazë të ligjit francez datë 10 mars 1927, nevojiten këto dokumenta:

  1. Lista e krimeve që kanë kryer
  2. Mandat arrestimi ose në mungesë, kopjen e dënimit të gjyqit
  3. Origjinalin, ose kopjen autentike të librave gjyqësorë mbi të cilat bazohet kërkesa e Qeverisë Shqiptare (K. RN. S. L. K.2 1.4.1952)

Natyrisht që Qeveria Shqiptare nuk mundi kurrë t’i siguroj këto dokumenta pasi nuk i dispononte. Atëherë ajo kërkoi vizë në Ambasadën Franceze për të dërguar në Paris dy të ashtuquajtur dëshmitarë, Xhavit Qesen dhe Riza Caushanin, vizë që iu mohua nga ana e Ambasadës Kjo vizë nuk iu refuzua së koti. Iu refuzua se ata predikonin për diçka që nuk i përgjigjej realitetit. Iu refuzua sepse personat që kërkonin ata për t’i gjykuar ishin ajka e kombit shqiptar dhe një gjë të tillë Europa dhe e gjithë bota e dinin mirë.      

Le të kthehemi tani në një temë tjetër:  “Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe”? Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Kol Bib Mirakaj,  Mithat Frashëri, Abas Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe xhelatët e tjerë. Ishin ata, ndjekësit besnikë të tyre që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për ta duke iu thurrur hymne lavdie dhe kur e panë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruan fletën dhe u kthyen në socialistë apo demokratë.

Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij është Kol Bib Mirakaj, është Abaz Kupi sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit janë mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. tani për tani, ata  kanë arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, kanë arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë ata i prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

* Percjelle nga Editori i Diellit ne promovimin e librit te Kole Bibe Mirakaj”Vetevrasja e nje Kombi”, 13 Dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: “Vetëvrasja e një kombi" - “Kolaboracionistë” e “patriotë”, Kole Bibe Mirakaj, reshat kripa

Nëntë problemet e Universitetit të Prishtinës

December 13, 2015 by dgreca

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka marrë një varg kritikash nga ekspertë të kësaj fushe. Ata kanë evidentuar 9 probleme, me të cilat përballet aktualisht Universiteti i Prishtinës. Mësimdhënia jo e rregullt, personeli i pakualifikuar, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës, mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, plagjiatura e punimeve të diplomave, janë vetëm disa nga problemet që thuhet se po e përcjellin arsimin e lartë në Kosovë.

Se gjendja në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruara, pajtohet edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami.

Ai thekson se Universiteti i Prishtinës mund të ketë edhe më shumë se nëntë probleme, me të cilat ballafaqohet, por, që sipas tij, problemi kryesor është cilësia e dobët.

“Problemi kryesor në Universitetin e Prishtinës, është cilësia e dobët e mësimdhënies. Po tregoj disa elemente pse është e dobët. Akoma metodat e mësimdhënies nuk janë të trendit, nuk janë praktike dhe nuk janë të dobishme për studentët tanë”.

“Kemi profesorë të shkëlqyeshëm, sidomos profesorë që vijnë nga universitetet ndërkombëtare, tëcilët përpos që kanë sjellë njohuritë e veta, kanë bërë një revolucion duke sjellë metoda të reja, por akoma metodat e mësimdhënies në Kosovë janë klasike, janë të vjetra”, thekson ministri Bajrami.

Dyshime për cilësinë e dobët të mësimdhënies ka edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

“Është e dhimbshme, në një emision që është në formë kuisi, në njërin nga Universitetit Publike të Kosovës, derisa moderatori e pyet studenten se çfarë mesatare e ke në studime, ajo deklarohet se e ka mesataren e 9.68.Dhe, në pyetjet që i shtron nga matematika dhe e pyet se sa është A/A apo A+A dhe studentja në asnjërën nuk di të përgjigjet, derisa nota mesatare 9.68 e ben studente brilante përkrah numrat, por a është vlerësuar ai student apo vetëm i është vendosur një numër aty”, tregon Zejnullahu.

Si problematikë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, rektori Zejnullahu thekson edhe personelin e pakët akademik në raport me studentët.

Ai ka thënë se me këtë personel vështirë se mund të arrihen rezultatet e duhura.

Në Universitetin e Prishtinës, raporti i personelit akademik për student, është 1 profesor me 52 studentë, derisa ky raport në Shqipëri është 1 me 24, në Serbi 1 me 23, në Maqedoni 1 me 17, dhe në Kroaci 1 me 9.

Për të gjitha këto probleme në Universitetin e Prishtinës kërkohen referoma, që sipas Arsim Bajramit, ministër i Arsimit, janë të domosdoshme dhe kjo mund të bëhet, vetëm se duhet konsensus shoqëror dhe shtetëror.

“Ky konsensus duhet të ndërtohet tani në Kosovë dhe nuk kemi kohë të humbim asnjë ditë. Unë, si ministër, po punoj me tërë kapacitetin tim që t’i vetëdijesoj të gjithë që mbështetja për Universitetin, nuk është mbështetje për individin, por është për një institucion, i cili krijon një stabilitet të përgjithshëm shoqëror, social dhe politik”.

“Ne duhet të vetëdijesohemi që universiteti të mos përdoret si trampolinë për arritjen e efekteve politike të kujtdoqoftë”, thotë Bajrami.

Hulumtimi i ekspertëve të arsimit vë në pah se Universiteti i Prishtinës është parë nga elitat politike si burim i rekrutimit për aktivistët dhe si një makinë efikase për të marrë diploma akademike për të ngritur statusin shoqëror, për të siguruar pensione jetësore pas veprimtarisë politike dhe si mundësi për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.

Dukagjin Popovci, njëri nga ekspertët e arsimit që ka përgatitur hulumtimin e titulluar “Reformimi i Universitetit të Prishtinës – mision i mundur”, ka treguar se gjatë hulumtimit, janë parë mangësi të mëdha në Universitetin e Prishtinës.

Njëra nga mangësitë e cekur në këtë studim ka qenë edhe plagjiatura, si një formë e mashtrimit në universitet dhe veçanërisht e pranishme te shkrimi i punimeve të diplomës.

Shumë shpesh, punimet e diplomës të studentëve thuhet se janë plagjiat nga librat apo punimet e paraqitura në vitet e mëparshme, e nganjëherë ato as që janë të shkruara nga vetë studentët.

Derisa, si një problem mjaft i theksuar, tregon Popovci për Radion Evropa e Lirë, është paraqitur kopjimi, ku afër 80 për qind e studentëve të anketuar, kanë deklaruar se kopjojnë gjatë provimit.

“Në përgjithësi, dukuria e mashtrimit dhe kopjimit mendoj se është, në një mënyrë, problem i nivelit të ulët të vetëdijes shoqërore në përgjithësi, për dëmin që shkakton kjo dukuri, sepse kopjimi dhe mashtrimi nuk fillojnë në universitet dhe nuk fillojnë me punimet e diplomës, por fillojnë qysh më herët”.

“Ne e dimë që fëmijët qysh në shkollën fillore dhe të mesme kopjojnë dhe kjo është arsyeja se pse kemi dyshime serioze në besueshmërinë e testeve kombëtare, siç janë testi i arritshmërisë dhe maturës, dhe kjo pastaj vazhdon edhe në universitet”, thekson Popovci.

Për ta eliminuar këtë dukuri, shton Popovci, profesorët nuk duhet ta bazojnë vlerësimin tyre vetëm në teste, por edhe në metoda të tjera, të cilat kopjimin e bëjnë të pakuptimtë.

Në anën tjetër, Halim Hyseni, ekspert i çështjeve të arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjendjen në sistemin e arsimit të lartë e vlerëson alarmante.

Ai konsideron se për t’i eliminuar këto probleme që ka Universiteti, duhet të krijohen mekanizma adekuat.

“Nëse duhet të ketë cilësi të mirë të arsimit, ajo duhet të jetë në Universitetin e Prishtinës. Unë jam qind për qind i bindur që nëse në UP është kjo gjendje me cilësi të ulët të mësimdhënies, në kolegjet private dhe në universitetet tjera publike të hapura, kjo gjendje është edhe më e keqe”, deklaron Hyseni.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit.

Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë.

Sot, Kosova është e para në Evropë me 6.669 studentë në 100 mijë banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 3.987.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Universitetit, Nëntë problemet, të Prishtinës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 715
  • 716
  • 717
  • 718
  • 719
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT