• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTEKSTI, TEKSTI DHE TEKSTURA NË KËNGËN E “HIKMETES”

June 18, 2016 by dgreca

Folklori është prova kryesore e kulturës, e njerëzimit, folklori është një “autobiografi simbolike”, e njerëzve. Folklori është një pasqyrë e kulturës, një lente për shoqërinë, një çelës për sjelljen, një projeksion i mendjes, thotë folkloristi Alan Dandes./

Shkruan: Ylberza Zejnullah Halili/në Institutin Albanologjik të Prishtines/

Ndërsa Dan Ben Amos në studimin e tij “Toward a definition of Folklore in context” (Drejt përkufizimit të folklorit në kontekst) shkruan: Materiali folklorik mund të jetojë më gjatë se përdoruesit e tyre, atëherë kur kultura e tyre si një e tërë është zhdukur, në mënyrë që të jenë mbijetesat e kohëve të shkuara. Sipas tij, këngët mund t’i zhvendosin mediet, kufijtë e gjuhës, të kalojnë nga një kulturë në tjetrën, dhe ende të ruajnë gjurmë të mjaftueshme të ngjashmërisë që të na mundësojnë për të njohur një bërthamë të ngjashmërisë në të gjitha versionet e tyre.

Më tutje, ky studiues shton se: Folkloristët i kanë klasifikuar materialet folklorike për sa i përket kontekstit të tyre social, thellësisë së kohës, dhe mediumit të transmetimit. Kështu folklori nuk është menduar si ekzistues, pa ose i ndarë nga një grup i strukturuar. Nuk është një fenomen sui generis. Pa marrë parasysh sa është përcaktuar, ekzistenca e tij varet nga konteksti i tij shoqëror, i cili mund të jetë ose një grupim gjeografik, gjuhësor, etnik apo profesional. Së fundi, ajo ka për të kaluar nëpër kohë të paktën pjesërisht me anë të kanaleve të transmetimit gojor.

Balada “Kënga e Hikmetes” është baladë realiste e kushtëzuar nga mërgimi ekonomik. Kënga ndërtohet me mbi 400 vargje nëntë rrokëshe, të cilat edhe mund të bashkohen për shkak të ritmit të ngadalshëm të këngës dhe të formohet tetëmbëdhjetërrokëshi. Rima është e pranishme dhe është e puthur. Kënga karakterizohet nga struktura epiko-lirike dhe narracioni i zgjeruar. Ka edhe strukturë dramatike që kushtëzohet nga konflikti i brendshëm i individit i rrëfyer nga narratori në vetën e tretë. Janë të pranishme situata të ngarkuara emocionalisht, sidomos në fund të këngës ku është edhe klimaksi i konfliktit. Kënga ndërtohet edhe nga figura të ndryshme si krahasimi: Si sorkadhe shtatë purtkë-e; enumeracioni: Jet pa shkollë, jet pa shtëpi-e/Jet pa prind, jet pa vllazni-e/Jet pa burrë, besa jet pa fmijë-e/Jet pa plang, o jet pa voter/Jet pa shoqe, edhe jet pa motër/Jet pa t’mirat që vijnë në sofër; epiteti: moj e pabesë, etj. Por, në përgjithësi e karakterizon gjuha e thjeshtë e popullit.

“Kënga e Hikmetes” është këngë që njihet nga populli ynë. Është kënduar me çifteli nga rapsodë të ndryshëm shqiptarë. Kontekstin e këngës e përbëjnë situatat e caktuara shoqërore dhe historike si: frika nga asimilimi, martesat e përziera etnike.

Sado me nota elegjiake, vargjet janë një protestë kundër këtyre fenomeneve që i shkaktuan plagë të rënda jetës familjare të Hasan Fazlisë, personazhit të këngës. Mund të themi se kënga ka të gjitha karakteristikat e baladës në të cilën shprehet fuqishëm fati tragjik i individit shqiptar, krahas edhe tragjedisë që pëson e tërë familja e tij.

Martesa e përzier etnike

Migrimi në shkallë të gjerë, zhvillimi i industrisë dhe urbanizimi dhe transformimi i mënyrës së jetës shkaktoi shpërbërjen e kohezionit të mbetur të pakicave kombëtare. Në dekadat e fundit u bë një tendencë e përgjithshme për të braktisur kulturën popullore dhe, në rast të pakicave, të braktisin gjuhën e tyre amtare, gjithashtu. Numri i martesave të përziera në mes të grupeve të ndryshme etnike gjithashtu u rrit. Lidhur me këtë kemi një ballafaqim të dy pozicioneve: të Hikmetes që tenton të shmanget nga ato që mund të cilësohen si kutlura të trashëguara etnike dhe babait të saj q synon t’i ruajë.

Kënga që po trajtojmë shpreh këtë fenomen dhe botën emocionale të kosovarëve sepse qëndron në lidhje të ngushtë me jetën e tyre individuale dhe brenda caqeve familjare, duke shprehur në një mënyrë botëkuptimet dhe qëndrimet etike të masave shqiptare të Kosovës ndaj çështjeve që ndërlidhen me jetën individuale familjare dhe shoqërore dhe në këtë rast me çështjen e martesës mes bashkëshortëve të etnive të ndryshme.

Subjekti lirik i këngës, rrëfen marrëdhëniet familjare dhe jetën e pastajme të bashkëshortëve duke dhënë një tablo realiste të kushteve në të cilën jeton Hasan Fazlia dhe familja e tij, ai ishte martuar me boshnjake dhe kishte krijuar familje:

“Nis u ngrit e u pasunue, me një boshnjake u martue.

Me një boshnjake u martue, nji jeté lluksoze ai tu kalue.

Nis e u shtu oh familja ti e, djem e vajza plot sa dush ne shpie.

Vajz i kish le i pari femie, si surkadhe pa një te mete ja kan lan emrin Hikmete.”

Në fillim të këngës shohim një notë antipatriarkale, dhe një harmoni mes familjes dhe dy bashkëshortëve. Fëmija i parë i tyre është një vajzë e bukur e quajtur Hikmete që për Hasan Fazlinë është pika e tij e dobët. Dëshira e tij është ta shkollojë vajzën, por mbi të gjitha që të jetë e ndershme dhe të martohet me shqiptar. Dhe këtu nënvizohet ideja se atij i mungon gjithçka që nënkupton Shqipërinë dhe shqiptarët:

“Për shok t’jetës e përgjithmonë

Ni shqiptar ta kisha dhanë

Qysh na thotë kanuni i t’parit

Ti e merr ni bir t’shqiptarit

N’qoftë se m’vet mu, ban kësisoj

Jetën time se ve n’lojë

Sa për mu ba qysh të dush”

 

Frika për asimilim

Një tjetër protestë që shpërfaq kënga është edhe kundër asimilimit dhe humbjes së identitetit. Ky është motivi kryesor i kësaj kënge, çka edhe çon në përjetimin e kësaj drame tragjike nga audienca apo pranuesit e këngës. Në këtë këngë Hasan Fazlija e sheh preferencës e tij për martesën e vajzës si diçka vendimtare në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Këngëtari popullor e gjykon Hasan Falzlinë sepse sa i takon lirisë së zgjedhjes së bashkëshortit, ai e këshillon të bijën që burri i saj të shqiptar, ndonëse  vetë ishte i martuar me boshnjake. Kënga pasqyron pikëpamjet që mbështeten në rregullimin familjar patriarkal. Theksohet standardi i dyfishtë nga ana e babait të cilit i lejohet të martohet me një grua të etnisë tjetër, por vajzës së tij i mohohet kjo liri nga ana e tij, kjo pjesë qon edhe në pjesën kulminante të konfliktit. Hikmetja shkollohet dhe bie në dashuri me një dentist serb Aleksandrin, për të cilin babai nuk di asgjë, ndërsa nëna ka një rol ndikues te e bija për zgjedhjen e të dashurit:

Me Doktor zemren e ngjiti,

45 vjeqar, ishte i vjetër dhe beqar.

Tjetër kombé dhe tjetër faré,

……………………………….

oh e murr Aleksandri edhe e çoj ne shpi.

Oh qysh kané thané e qysh kané kallxue,

Nana e veté e ka msitnue, e msitnoj ja humbi jetën,

humbi burrin dhe Hikmeten.

Pa marrë parasysh se në familjen patriarkale i zoti i shtëpisë dhe meshkujt e tjerë kanë pozitë të privilegjuar, sidomos në marrëdhëniet e bashkësisë fisnore dhe në relacione me botën jashtë familjes, prapëseprapë nëna është personaliteti kryesor në lidhje me jetën e brendshme të vajzës. Për ndryshim nga i ati, i cili gëzon autoritet të patundshëm, sidomos fëmijët e gjinisë femërore ia besojnë nënës ndjenjat e veta intime në mënyrë që me përvojën e saj dhe dashurinë e sinqertë, t’u japë ndihmën e nevojshme.

Ndikueshmëria e këngës

“Kënga e Hikmetes”është kënduar nga rapsodë të ndryshëm. Motivi i saj është bartur edhe në filmin “Hikmetja”, produksion i kinematografisë kosovare. Kënga e përcjellë filmin nga fillimi deri në fund. Vetë fakti që kjo këngë ka prodhuar një film, qoftë ai edhe mesatar për nga vlerat artistike, tregon qartë se ndikimi I këngës dhe perceptimi a pranimi i saj ka qenë tejet i njohur dhe publik. Siç thoshte Dan Ben Amos materiali folklorik mund të jetësojë më gjatë se përdoruesit e tyre dhe këngët mund të zhvendosen në media të ndryshme të komunikimit, në bazë të kësaj premise motivet dh tema e këngës është bartur në film dhe i ka ruajtur tiparet përmbajtësuese duke na lënë të kuptojmë se receptuesi i këngës ka dashur jo vetëm t’i dëgjojë por edhe t’i shohë të vizuelizuara motivet e “Hikmetes”.

*Ylberza Zejnullah Halili , është Asistente hulumtusese e Folkorit në Institutin Albanologjik të Prishtines. Ka studiuar Letërsinë Shqipe dhe Gjuhën Angleze në Universiteti i Prishtinës

 

Filed Under: Analiza Tagged With: të Prishtinës, Ylberza Zejnullah Halili/në Institutin Albanologjik

Nëntë problemet e Universitetit të Prishtinës

December 13, 2015 by dgreca

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka marrë një varg kritikash nga ekspertë të kësaj fushe. Ata kanë evidentuar 9 probleme, me të cilat përballet aktualisht Universiteti i Prishtinës. Mësimdhënia jo e rregullt, personeli i pakualifikuar, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës, mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, plagjiatura e punimeve të diplomave, janë vetëm disa nga problemet që thuhet se po e përcjellin arsimin e lartë në Kosovë.

Se gjendja në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruara, pajtohet edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami.

Ai thekson se Universiteti i Prishtinës mund të ketë edhe më shumë se nëntë probleme, me të cilat ballafaqohet, por, që sipas tij, problemi kryesor është cilësia e dobët.

“Problemi kryesor në Universitetin e Prishtinës, është cilësia e dobët e mësimdhënies. Po tregoj disa elemente pse është e dobët. Akoma metodat e mësimdhënies nuk janë të trendit, nuk janë praktike dhe nuk janë të dobishme për studentët tanë”.

“Kemi profesorë të shkëlqyeshëm, sidomos profesorë që vijnë nga universitetet ndërkombëtare, tëcilët përpos që kanë sjellë njohuritë e veta, kanë bërë një revolucion duke sjellë metoda të reja, por akoma metodat e mësimdhënies në Kosovë janë klasike, janë të vjetra”, thekson ministri Bajrami.

Dyshime për cilësinë e dobët të mësimdhënies ka edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

“Është e dhimbshme, në një emision që është në formë kuisi, në njërin nga Universitetit Publike të Kosovës, derisa moderatori e pyet studenten se çfarë mesatare e ke në studime, ajo deklarohet se e ka mesataren e 9.68.Dhe, në pyetjet që i shtron nga matematika dhe e pyet se sa është A/A apo A+A dhe studentja në asnjërën nuk di të përgjigjet, derisa nota mesatare 9.68 e ben studente brilante përkrah numrat, por a është vlerësuar ai student apo vetëm i është vendosur një numër aty”, tregon Zejnullahu.

Si problematikë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, rektori Zejnullahu thekson edhe personelin e pakët akademik në raport me studentët.

Ai ka thënë se me këtë personel vështirë se mund të arrihen rezultatet e duhura.

Në Universitetin e Prishtinës, raporti i personelit akademik për student, është 1 profesor me 52 studentë, derisa ky raport në Shqipëri është 1 me 24, në Serbi 1 me 23, në Maqedoni 1 me 17, dhe në Kroaci 1 me 9.

Për të gjitha këto probleme në Universitetin e Prishtinës kërkohen referoma, që sipas Arsim Bajramit, ministër i Arsimit, janë të domosdoshme dhe kjo mund të bëhet, vetëm se duhet konsensus shoqëror dhe shtetëror.

“Ky konsensus duhet të ndërtohet tani në Kosovë dhe nuk kemi kohë të humbim asnjë ditë. Unë, si ministër, po punoj me tërë kapacitetin tim që t’i vetëdijesoj të gjithë që mbështetja për Universitetin, nuk është mbështetje për individin, por është për një institucion, i cili krijon një stabilitet të përgjithshëm shoqëror, social dhe politik”.

“Ne duhet të vetëdijesohemi që universiteti të mos përdoret si trampolinë për arritjen e efekteve politike të kujtdoqoftë”, thotë Bajrami.

Hulumtimi i ekspertëve të arsimit vë në pah se Universiteti i Prishtinës është parë nga elitat politike si burim i rekrutimit për aktivistët dhe si një makinë efikase për të marrë diploma akademike për të ngritur statusin shoqëror, për të siguruar pensione jetësore pas veprimtarisë politike dhe si mundësi për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.

Dukagjin Popovci, njëri nga ekspertët e arsimit që ka përgatitur hulumtimin e titulluar “Reformimi i Universitetit të Prishtinës – mision i mundur”, ka treguar se gjatë hulumtimit, janë parë mangësi të mëdha në Universitetin e Prishtinës.

Njëra nga mangësitë e cekur në këtë studim ka qenë edhe plagjiatura, si një formë e mashtrimit në universitet dhe veçanërisht e pranishme te shkrimi i punimeve të diplomës.

Shumë shpesh, punimet e diplomës të studentëve thuhet se janë plagjiat nga librat apo punimet e paraqitura në vitet e mëparshme, e nganjëherë ato as që janë të shkruara nga vetë studentët.

Derisa, si një problem mjaft i theksuar, tregon Popovci për Radion Evropa e Lirë, është paraqitur kopjimi, ku afër 80 për qind e studentëve të anketuar, kanë deklaruar se kopjojnë gjatë provimit.

“Në përgjithësi, dukuria e mashtrimit dhe kopjimit mendoj se është, në një mënyrë, problem i nivelit të ulët të vetëdijes shoqërore në përgjithësi, për dëmin që shkakton kjo dukuri, sepse kopjimi dhe mashtrimi nuk fillojnë në universitet dhe nuk fillojnë me punimet e diplomës, por fillojnë qysh më herët”.

“Ne e dimë që fëmijët qysh në shkollën fillore dhe të mesme kopjojnë dhe kjo është arsyeja se pse kemi dyshime serioze në besueshmërinë e testeve kombëtare, siç janë testi i arritshmërisë dhe maturës, dhe kjo pastaj vazhdon edhe në universitet”, thekson Popovci.

Për ta eliminuar këtë dukuri, shton Popovci, profesorët nuk duhet ta bazojnë vlerësimin tyre vetëm në teste, por edhe në metoda të tjera, të cilat kopjimin e bëjnë të pakuptimtë.

Në anën tjetër, Halim Hyseni, ekspert i çështjeve të arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjendjen në sistemin e arsimit të lartë e vlerëson alarmante.

Ai konsideron se për t’i eliminuar këto probleme që ka Universiteti, duhet të krijohen mekanizma adekuat.

“Nëse duhet të ketë cilësi të mirë të arsimit, ajo duhet të jetë në Universitetin e Prishtinës. Unë jam qind për qind i bindur që nëse në UP është kjo gjendje me cilësi të ulët të mësimdhënies, në kolegjet private dhe në universitetet tjera publike të hapura, kjo gjendje është edhe më e keqe”, deklaron Hyseni.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit.

Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë.

Sot, Kosova është e para në Evropë me 6.669 studentë në 100 mijë banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 3.987.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Universitetit, Nëntë problemet, të Prishtinës

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT