• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themeli i së keqes…

July 9, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Për të vërtetën nuk e di dhe nuk mund ta di nese e di kush se ku e ka themelin e keqja për Shqipërinë e shqiptarët në thellësitë e shekujve pasi asnjë komb i botës nuk ka mbetur 3 milion përgjatë 300 viteve të fundit. Me që nuk jam studiues e historian nuk po futem thellë në histori por po ju referohem fillimeve të levizjes demokratike në Shqipëri apo të jem më i saktë për atë që dikur besonim se ka qenë lëvizje demokratike pasi rastësisht kam ndodhur edhe unë aty ku është zhvilluar kjo levizje si student i 90-tës. Po filloj tek levizja demokratike kështu po e quaj për marrëveshje fjale për faktin se para 34 vjetesh shqiptarët patën një shpresë të madhe për të një të ardhme ndryshe mbas një periudhe vërtetë jo dinjitoze po them pa dashur të prononcohem as trim mbas lufte e as i zgjuar pas kuvendit. Së fundi dëgjova një deklaratë të z.Rama se demokracia na paska lindur e vdekur gjë që për mua nuk është e vërtetë pasi fatkeqësisht demokracia në Shqipëri nuk është ngjizur ndonjëherë.

Për fatkeqësinë e Shqipërisë e shqiptarëve në 90-tën shqiptarët të dalë nga izolimi ekstrem ju paraqit një klonim komunist si demokraci. Natyrisht që kjo nuk u bë as për sport e as për humor por sipas një projekti të detajuar klonit të tyre komunistët i vunë detyrë të relativizonin krimet e tyre duke shmangur dënimet e kriminelëve e sigurisht vazhdimësinë ekonomike të tyre. Besoj se shumica e shqiptarëve që kanë mbetur në Shqipëri pasi dihet se kanë mbetur mosha e tretë e mbajnë mend se kush kanë qenë në kohën e komunizmit shitëse, banakiere e magazinier e shumë të tjerë të kësaj kategorie. Gjithashtu dihet se ku kanë qenë ndërtuar objektet e shërbimit social sigurisht në qendrat e qyteteve e natyrisht mbi trojet e privateve të konfiskuara nga regjimi komunist e pronarët u degdisen burgjeve e internimeve.

Opozita e klonuar me sekretar partie e deri djali i kryprokurorit kasap komunist ju dha shërbetorëve të komunizmit qendrat e qyteteve duke krijuar fillesat e kapitalisteve me pinjollët e tyre. Meqë e konsoliduan vazhdimësinë e tyre në qytete së bashku me moskthimin e ndërtesave të banimit të sekustruara ju kthyen fshatit me ligjin 7501.

Ligji 7501 ju mohoi përfundimisht pronarëve të tokave pronat e tyre duke ua vrarë edhe shpresën që ka arritur të jetojë edhe gjatë diktaturës, gjë që e futen vendin ne kaos e anarki duke e dënuar Shqipërinë me varfëri e shkombëtarizim që pasojë me më së pakti tetë mijë të vdekur e po aq kanë prerë biletën e vdekjes.

Pra kloni komunist jo vetëm garantoi vazhdimësinë komuniste por vendosi edhe themelet e kapitalizmit mbi hajninë e poshtërsinë ekzaktësisht atë që po gëzojnë sot shqiptarët e mbetur akoma në Shqipëri, por arritën të mbajnë peng vetë të ardhmen e Shqipërisë.

Themelet e një shteti nëse nuk vendosen mbi ligj e drejtësi atëherë ose shteti rrëzohet si në 1997 ose shteti bëhet përfaqësues i asaj ekonomie siç e përshkrova më lart që në shqip njihet si shteti i mafies.

Nuk ka e nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe në Shqipëri kur një adoleshent që vidhte një celular dënohej 6 muaj e ai që vidhte gjysmë milioni pronë, shteti i mafies i jep tapinë madje vetë kryeministrat e atij vendi që quhet Shqipëri. Tani të gjithë qahemi se po na vjedhin voten, taksat, ilaçet, tenderat pasuritë publike e tani së fundi edhe jetën por një zë nuk e lëshoi kush kur u vodh pasuritë e pronat e të tjerëve e po të doni edhe pasuria e shtetit. Edhe nëse dikush foli u la i vetmuar e madje edhe u abondonua siç ndodhi me të ndierin Kalakula. Lirinë e demokracinë madje edhe zhvillimin e prosperitetin e gëzojnë ato kombe e popuj që luftojnë që ti kenë.

Filed Under: Analiza

Atmosfera politike dhe zgjedhjet parlamentare në Francë

July 9, 2024 by s p

Artan Kutra

Radio France International (RFI)/

Në përfundim të zgjedhjeve legjislative 2024 në Francë, deputetët e parë filluan të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Dyert e Pallatit Bourbon (Parlamentit) u hapën zyrtarisht në orën 14.00 për të mirëpritur disa nga 577 deputetët e legjislaturës së re.

Jo të gjithë deputetët e zgjedhur do të mbërrijnë në të njëjtën ditë. Deputetët e së majtës “La France insoumise” – “Franca e panënshtruar” kanë planifikuar të mblidhen të martën në mëngjes.

Një Asamble Kombëtare pa shumicë absolute.

Pas befasisë së zgjedhjeve legjislative ku u frenua qartë rritja e së djathtës ekstreme, Franca po kërkon tashmë një shumicë parlamentare përpara se të emërojë një personalitet të aftë si kryeministër për të bashkuar dhe udhëhequr një qeveri të re.

Është një kokëçarje e madhe, në një atmosferë politike të turbullt.

As Fronti i Ri Popullor (me rreth 190 vende), as Kampi Presidencial (me rreth 160 vende), e as Bashkimi Kombetar (me 140 vende) nuk mundën të arrinin shumicën absolute, pra që të kishin 289 deputetë. E majta ka nisur manovrat kryesore për të përzgjedhur brenda rradhëve të saj një kandidaturë për postin e kryeministrit. Kjo duhet të kristalizohet brenda kësaj jave. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka dy mënyra për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër. Ose duhet gjetur një konsensus në rradhët e së majtës, ose duhet organizuar proçesi i votimit në mes tyre (të panënshtruarit, socialistët, të blertët dhe komunistët). Po në të njëjtat ujra të paqarta për momentin po lundrojnë edhe të djathtët e kualicionit të qendrës.

Pas përfundimit të balotazhit, kryeministri Gabriel Attal, mbërriti në Presidencë rreth orës 11 të mëngjesit për të paraqitur dorëheqjen e tij, në përputhje me traditën republikane. Por Macron ka refuzuar duke i kërkuar të qëndrojë në detyrë edhe për ca kohe, për të “siguruar stabilitetin e vendit”, ndërkohë që Parisi do të presë Lojërat Olimpike në më pak se tre javë. Pra nga këto zgjedhje legjislative u arrit t’i pritet rruga ekstremit të djathtë të Marinë Le Penit dhe Jordan Bardelës, por nuk është e thjeshtë të gjendet formula e bashkëjetesës midis presidentit Makron dhe kryeministrit të ardhshëm. Prej këtej do të qartesoheshin edhe rrugët e së ardhmes së Francës por edhe të politikës së jashtmë të saj.

Jashtë kufijve të Francës, situata politike ishte ndjekur me shumë vëmendje. Pothuajse të gjithë kryeministrat evropianë, liderët e forcave politike dhe diplomacitë e larta, i mbanin sytë tek vala e rritjes së ekstremit të djathtë dhe tek aftësitë për koalicionin e “Barrikadës” përballë ekstremeve.

Që nga Polonia e deri në Itali, nga Spanja në Gjermani, nga Brukseli e në Angli, të gjithë kërkonin të shquanin nuancat e ardhshme të Francës, të këtij vendi me pozitë të rëndësishme në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në Lindje, Kremlini i njohur për simpatinë që kishte për Partinë e Le Penit, Bashkimi Kombëtar, tregoi se nuk kishte as “shpresën” dhe as “iluzionin” e një përmirësimi në marrëdhëniet e tij me Parisin.

Edhe Ballkani, Shqiperia apo Kosova nuk mund të shikonin pa vëmendje këtë proçes politik të fuqishëm të Francës në 4 javët e fundit.

Prej këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej edhe një herë pozicioni dhe politika e jashtme e Francës dhe e Europës në lidhje me rajonin tonë.

Ishin zgjedhje me një rreze të gjerë influence në Evropé e në Ballkan.

Si reagoi Partia e Ekstremit të djathtë Bashkimi Kombetar ?

Ishte një surprizë dhe një zhgënjim për këtë parti të ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh sondazhet e fundit paraprake që e nxirrnin në krye. Ishte një zhgënjim i papritur për këtë Parti të ekstremit té djathte të Marinë Le Penit dhe të Jordan Bardelës, që 4 javë më parë fituan zgjedhjet evropiane, dhe parashikonin të ngjiteshin për herë të parë edhe në pushtet.

Në kéto kushte, Marinë Le Penit, nuk i ngelet veçse të thotë se pas 1 apo 2 vjetësh do të vijë sërisht në skenën politike, me përpjekje më të mëdha, për të marrë postin e lartë të Presidentit.

E përsëri ngelet e hapur rruga e votës së popullit francez për të përcaktuar të ardhmen e tij, por në një farë mënyre edhe sferën e ndikimit më gjerë në Europë.

Filed Under: Analiza

Kritika e politikës së identitetit është raciste ose e vonuar

July 7, 2024 by s p

Artan Nati/

Një debat i ashpër mbi drejtësinë sociale dhe politikën e bazuar në identitet duket se ka shpërthyer vitet e fundit në botën perëndimore dhe pak fusha të jetës mbeten të paprekura nga konfliktet kulturore. Për disa, politika e bazuar në identitet është përqafuar si një strategji efektive për të luftuar diskriminimin dhe margjinalizimin. Për të tjerët, mund të duket se politika e identitetit ka rezultuar në luftëra kulturore që përfshijnë konflikte të dhunshme dhe një shkëmbim shkatërrues të etiketimeve.

Politikat e bazuara në identitet shpesh lidhen me çështje të debatueshme si aborti, homoseksualiteti, të drejtat transgjinore, pornografia, multikulturalizmi dhe racizmi. Konfliktet e identitetit përfshijnë gjithashtu orientime themelore si feja dhe ideologjia, si dhe çështje politike që variojnë nga liria e fjalës deri te shpërndarja e pasurisë dhe privilegjeve.

Debatet mbi këto çështje kanë sfiduar pikëpamjet e vendosura mbi barazinë dhe kanë sjellë një kërkesë alternative për barazi të bazuar në identitet si një qasje më e mirë. Edhe vetë termi politika e identitetit është i debatuar, pasi shumë do të pretendojnë se ai është në thelb i njëanshëm dhe përdoret nga ata që kundërshtojnë betejat për drejtësi sociale nga grupet e margjinalizuara.

Kërkesa për njohjen e identitetit të dikujt është një koncept kryesor që shpjegon shumë nga ajo që po ndodh sot në politikën botërore. Pjesa më e madhe e asaj që ndodh sot në botë apo edhe në nivel personal e më gjerë nuk mund të shpjegohet thjesht  me motivimin ekonomik, por  është e rrënjosur në të vërtetë në kërkesën për njohje, dinjitet dhe shpesh për supremaci. Sipas Hegelit, historia njerëzore u nxit nga një luftë për njohje. Ai argumentoi se e vetmja zgjidhje racionale për dëshirën për njohje ishte njohja universale, në të cilën njihej dinjiteti i çdo qenieje njerëzore. Njohja universale është sfiduar që atëherë nga forma të tjera të pjesshme të njohjes bazuar në komb, fe, sekt, racë, etni ose gjini, ose nga individë që duan të njihen si superiorë. Rritja e politikave të identitetit në demokracitë moderne liberale është një nga kërcënimet kryesore me të cilat përballen ato, dhe nëse nuk mund të kthehemi drejt kuptimeve më universale të dinjitetit njerëzor, ne do ta dënojmë veten në konflikt të vazhdueshëm.

Pavarësisht nga pozicioni i dikujt ndaj luftërave aktuale të kulturës, duket e qartë se ato përfshijnë si luftën për drejtësi sociale, ashtu edhe luftën për pushtet. Dhe pyetja është si më poshtë:  A ofron politika identitare, siç po manifestohet aktualisht, një rrugë të përshtatshme drejt drejtësisë sociale, apo është kthyer në një recetë për antagonizmin kulturor, polarizimin politik dhe forma të reja padrejtësie?

Popullsia me ngjyrë ankohet se shumica e udhëheqësve janë të bardhë, gjë që është e vërtetë. Feministet ankohen se shumica janë burra, gjë që është gjithashtu e vërtetë. Së shpejti, gratë me ngjyrë do të ankohen si për seksizmin e burrave me ngjyrë radikalë, ashtu edhe për racizmin e nënkuptuar të feministeve të bardha,  të cilat vetë po kritikohen nga lezbiket për supozimin e natyrshmërisë së familjes heteroseksuale. Ajo që të gjitha këto grupe duan nga politika është më shumë se drejtësi sociale dhe në fakt po prodhon antagonizëm të brendshëm.

Ekziston një hipotezë se politika e identitetit dhe “korrektësia politike”, veçanërisht në të majtë, gjeneroi një reagim të ashpër që zgjodhi Trump në 2016 dhe shancet janë që ai të rizgjidhet në nëntor përsëri. Ky reagim ndonjëherë kuptohet si një kthesë e vetëdijshme ndaj politikave të identitetit të së majtës, duke prodhuar identitetin e shtresës së mesme të bardhë, dhe nganjëherë si thjesht acarim i thjeshtë i shtresës së mesme i [të bardhëve] amerikanë me elitat kulturore dhe një afrim drej gatishmërisë së Trump për të injoruar tabutë dhe devotshmëritë e tyre. Një pjesë e pretendimit në lidhje me politikën e identitetit është se ajo është vetë-shkatërruese dhe kështu duhet të hidhet poshtë, pavarësisht nga meritat e saj thelbësore. Në gjuhën e filozofisë politike, pretendimi është se vëmendja ndaj shqetësimeve të pakicave shkel një kërkesë që normat ose idealet të demonstrojnë stabilitet kur veprohet. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj ideje, duket se është e rëndësishme të tregohet se është e gabuar përpara se të kthehemi te meritat aktuale të politikës së identitetit.

Në botën bashkëkohore, diversiteti  në bazë të racës, përkatësisë etnike, fesë, gjinisë, orientimit seksual etj, është edhe një fakt jetësor edhe një vlerë. Për shumë arsye është një gjë e mirë për shoqëritë. Ekspozimi ndaj mënyrave të ndryshme të të menduarit dhe të vepruarit shpesh mund të stimulojë inovacionin, kreativitetin dhe sipërmarrjen. Njerëzit shpesh i rezistojnë homogjenizimit në kultura më të mëdha, veçanërisht nëse nuk kanë lindur në to. Ata duan që vetja e tyre specifike të njihet dhe jo të shtypet. Ata duan të ndiejnë një lidhje me paraardhësit e tyre dhe të dinë se nga kanë ardhur. Edhe nëse nuk janë pjesë e kulturës, ata duan të mbajnë gjuhët indigjene të botës që po zhduken shpejt, dhe praktikat tradicionale që kujtojnë mënyrat e mëparshme të jetës. Gjërat nuk duhet të jenë në këtë mënyrë. Identitetet kombëtare mund të ndërtohen rreth vlerave politike liberale dhe demokratike, dhe përvojave të përbashkëta që ofrojnë indin lidhës rreth të cilit mund të lulëzojnë komunitete të ndryshme. India, Franca, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë shembuj të vendeve që janë përpjekur ta bëjnë këtë. Një ndjenjë e tillë gjithëpërfshirëse e identitetit kombëtar mbetet kritike për ruajtjen e një rendi të suksesshëm politik modern për një sërë arsyesh. Një demokraci liberale është një kontratë e nënkuptuar midis qytetarëve dhe qeverisë së tyre, dhe midis vetë qytetarëve, sipas së cilës ata

heqin dorë nga disa të drejta në mënyrë që qeveria të mbrojë të drejta të tjera që janë më themelore dhe më të rëndësishme. Identiteti kombëtar ndërtohet rreth legjitimitetit të kësaj kontrate; nëse qytetarët nuk besojnë se janë pjesë e të njëjtit shtet, sistemi nuk do të funksionojë. Por cilësia e demokracisë varet nga më shumë sesa thjesht pranimi i rregullave bazë të sistemit. Demokracitë kanë nevojë për kulturën e tyre për të funksionuar. Ato nuk prodhojnë marrëveshje automatike; në të vërtetë, ato janë domosdoshmërisht koleksione pluraliste të interesave, opinioneve dhe vlerave të ndryshme që duhet të pajtohen në mënyrë paqësore. Demokracitë kërkojnë diskutim dhe debat, gjë që mund të ndodhë vetëm nëse njerëzit pranojnë disa norma të sjelljes për atë që mund të thuhet dhe të bëhet. Qytetarët shpesh duhet të pranojnë rezultate që nuk u pëlqejnë ose preferojnë, në interes të një të mire të përbashkët; një kulturë tolerance dhe simpatie reciproke duhet të kapërcejë pasionet partiake. 

Filed Under: Analiza

A është paqja në Bosnje dhe Hercegovinë në rrezik?

July 7, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini

MA University of Galway, Ireland./

Zgjedhjet lokale në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) janë planifikuar për datën 6 tetor 2024. Megjithëse Bosnja dhe Hercegovina mori dritën e gjelbër për të filluar negociatat për anëtarësim në BE në mars të këtij viti, ky akt përfaqëson një gjest simbolik nga BE-ja ndaj BiH për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Situata e brishtë politike dhe tensionet etnike qëndrojnë në zemrën e këtij vendi të ndarë, me Republika Srpska (RS) dhe Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës (FBiH) si dy entitete kryesore.

Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, ka shpallur se është në proces një propozim për “ndarje paqësore” nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke përkeqësuar më tej situatën në BiH dhe duke kërkuar një përfshirje të shtuar nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe NATO. Kjo sepse propozimi për ndarje bie në kundërshtim flagrant me Marrëveshjen e Dayton-it dhe paraqet një kërcënim serioz për paqen.

Dodik është duke intensifikuar përpjekjet për të shpallur pavarësinë e Republika Srpska, duke shkaktuar tensione të tjera që mund të çojnë në konflikt në një vend që tashmë është i brishtë për sa i përket paqes dhe sigurisë, duke rrezikuar seriozisht qetësinë ekzistuese.

Një nga motivet e Dodik për të përshkallëzuar situatën është largimi i vëmendjes nga grabitja e burimeve publike, situata e vështirë ekonomike dhe financiare dhe sanksionet amerikane (OFAC) të vendosura ndaj zyrtarëve kryesorë të Republika Srpska, përfshirë Milorad Dodik dhe anëtarët e familjes së tij. Si rezultat, ai po përpiqet të mbrojë pasurinë e tij dhe atë të oligarkisë së tij duke transferuar para dhe asete të tjera në parajsa fiskale dhe në vendet fqinje ku ai zhvillon aktivitete intensive biznesi. Vlerësohet se rreth tre miliardë euro kapital i përkasin Milorad Dodik dhe oligarkisë së tij, të cilat qarkullojnë në Ljubljanë e krejt Slloveninë.

Ndërkohë, strukturat politiko-kriminale kanë përshkallëzuar sulmet dhe goditjet ndaj mediave të pavarura, gjyqësorit (HJPC) dhe gazetarëve. Një shembull i kësaj është çështja RTVBN, ku Instituti Shtetëror për Metrologji i BiH (IMBiH) nën drejtimin e Milica Ristović Krstić, një drejtoreshë e emëruar nga Dodik, ka ndërprerë ilegalisht sistemin ekzistues të matjes së audiencës, duke privuar mediat nga një matës kyç për të ardhurat nga reklamat. Kjo ka ndodhur në përpjekje për të krijuar një monopol mbi matjen e audiencës dhe për të forcuar kanalet televizive të lidhura me regjimin e Republika Srpska.

Një tjetër shqetësim i madh është përpjekja për të dobësuar Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë të Bosnjës dhe Hercegovinës (HJPC) përmes draftit të ri të Ligjit mbi HJPC, që synon të zvogëlojë kompetencat e tij dhe ta vendosë nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo do të dobësonte angazhimin dhe rolin e HJPC përmes vendimeve të mundshme të favorshme për strukturat në pushtet, duke ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit dhe duke rritur ndikimin politik mbi drejtësinë.

Kriminalizimi i shpifjes në legjislacionin penal të Republika Srpska është një tjetër çështje e ndjeshme. Kuvendi Kombëtar i Republika Srpska (NARS) ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal të RS, duke rikthyer shpifjen si një vepër penale pas një mungese 20-vjeçare. Ligji i miratuar është kritikues për median e pavarur dhe aktivistët e shoqërisë civile, duke rrezikuar lirinë e shprehjes dhe duke nxitur vetëcensurë në media.

Dodik gjithashtu po përdor Bankën e Zhvillimit-Investimeve të Republika Srpska (IDB RS) si një platformë të re për të anashkaluar sanksionet amerikane. Në një përpjekje për të shmangur ndikimin negativ të sanksioneve në bizneset e kontrolluara nga Dodik dhe familja e tij, Asambleja Kombëtare e Republika Srpska ka iniciuar miratimin e Ligjit për Bankën e Zhvillimit-Investimeve të Republika Srpska, duke synuar të realizojë operacione financiare të brendshme duke injoruar sanksionet amerikane.

Në vend që të adresojnë çështjet kryesore për qytetarët e RS, si zhvillimi ekonomik dhe rritja e standardeve, qeveria dhe Asambleja Kombëtare e Republika Srpska shpenzojnë energji të madhe për të mbrojtur korrupsionin dhe krimin e Milorad Dodik dhe familjes së tij. Kjo situatë është një shembull i qartë i një entiteti ku të gjitha institucionet janë nën kontrollin e një personi dhe oligarkëve të tij besnikë.

Të gjitha këto zhvillime sjellin në kujtesë vitet 1990, me një kthesë të re ku elitat politike në të gjithë Ballkanin Perëndimor mbështesin unanimisht anëtarësimin e vendeve të tyre në BE. Tensionet dhe problemet në Bosnje dhe Hercegovinë mbeten një sfidë e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke kërkuar veprime të koordinuara nga bashkësia ndërkombëtare për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës.

Filed Under: Analiza

Zhvillimi i arsimit në trevat shqiptare gjatë Mesjetës

July 6, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Studimet për historinë e arsimit në trojet shqiptare janë përqëndruar kryesisht pas fillimit të shkrimit shqip dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pa i ndërprerë studimet për këtë periudhë, është e nevojshme që historianët tanë në përgjithësi dhe sidomos ata që merren me studimin e historisë së pedagogjisë të përqëndrohen më shumë në arsimin në trevat shqiptare në kohën e Vjetër dhe të Mesme, të njohura si periudhat e arsimit në gjuhë të huaj, kur si gjuhë e shkollës dhe mësimit përdoreshin greqishtja dhe latinishtja. Pavarësisht nga mangësitë e theksuara formuese dhe informuese, arsimi mesjetar edhe në trevat shqiptare u bë pararendës i arsimit në gjuhën e popullit(shqipe), që u zhvillua përmes vështirësish për shkak të pushtimit osman.

Niveli i zhvillimit arsimor të një vendi është tregues i qartë i zhvillimit shoqëror të tij. Me këtë shqetësim duhet t’i shohim studimet tona edhe për arsimin mesjetar. Ndërkohë që Evropa po shkon drejt unifikimit, ajo është e vëmendëshme ndaj ndihmesës që jep secili vend në kulturën e përbashkët. Shqiptarët po kërkojnë të integrohen si bartës të një gjuhe dhe kulture të veçantë në Evropën multikulturore.

Në Mesjetë u krijua për herë të parë një hapësirë kulturore europiane. Paraardhësit tanë, jetuan në këtë hapësirë si banorë të barabartë me fqinjët e tyre. Por ata jetuan si ilirë, arbër dhe shqiptarë, në një zonë tampon midis kulturave, që e begatoi edhe më shumë këtë hapësirë, duke i dhënë disa përparësi krahasuar me territoret e brendëshme monokulturore.

Duke lexuar veprën “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, (grup autorësh, Tiranë 2003) dhe librat e disa studiuesve të shquar: Jashar Rexhepagiç, “Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918.” (Prishtinë, 1970); Hajrullah Koliqi, “Historia e Arsimit dhe e Mendimit pedagogjik Shqiptar,” (Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Prishtinë, 2002); Ludovik Shllaku, “Shkollat klerikale”, (Shtëpia Botuese Camaj-Pipa 2002 ), që janë marrë posaçërisht me historikun e arsimit shqiptar, si dhe studiues të tjerë, që e kanë trajtuar këtë temë, shihet se periudhës së Mesjetës i lihet shumë pak hapësirë. Pa shumë pretendime, do të parashtroj edhe ndonjë fakt të ri, apo dhe ide, që do të ndihmojë sadopak në studimet e ardhëshme.

…

Që nga fillimi i Mesjetës së herëshme dhe deri në prag të Rilindjes Evropiane është një periudhë e gjatë kohore që në shkencën e historisë është quajtur Koha e Mesme. Studiuesit e historisë së arsimit shqiptar, mbështetur në të dhënat arkeologjike dhe dokumentet historike, kanë sjellë të dhëna për institucionet arsimore mesjetare në trevat shqiptare. Studimet e tyre janë një bazë e mirë për punën, që do të bëhet në të ardhmen. Si arritje të historisë së pedagogjisë sonë mund të theksohen tezat se manastiret baziliane bizantine dhe benediktine katolike kanë qenë edhe në vendin tonë qendra të dijes dhe të kulturës, se në trevat shqiptare janë krijuar shkolla pranë manastireve, katedraleve dhe famullive, të cilat kanë arsimuar një masë njerëzish për nevoja fetare, por edhe nevoja të tjera, se veprimtaria e urdhërave domenikanë dhe françeskanë ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi u bënë nismëtarë të zhvillimit të arsimit elementar, të mesëm dhe të lartë, si dhe të shkrimit e arsimit shqip.

Megjithatë, të dhënat për periudhën mesjetare lejojnë që të nxirren edhe përfundime të tjera të rëndësishme. Duke qenë se arësimi mesjetar ka qenë kishtar, ose i ndikuar nga kisha, studimet për arsimin në trevat shqiptare duhen parë në lidhje me studimet për zhvillimin e krishtërimit. Në Mesjetë, deri në pushtimin turk, niveli i zhvillimit shoqëror dhe kulturor i trevave shqiptare ishte i krahasueshëm me vendet e tjera të Evropës. Në prag të pushtimit osman në territoret shqiptare kishte 80 seli peshkopatash, me manastire, katedrale, abaci e kisha të tjera. Në ato rrethana arsimimi ka qenë shumë i përhapur dhe i hapur për të gjithë ata që donin të bëheshin klerikë. Edhe fëmijët e kultivuesve të tokës mund ta vazhdonin shkollën. Ndërsa për aristokracinë krahas arsimimit monasticik, përdorej edhe të mësuarit në kështjellë, i cili ndonëse kishte për qëllim formimin e kastës sunduese, në thelbin e vet ishte kishtar.

…

Dokumentat e oborreve princërore shqiptare dëshmojnë se aristokracia e trevave tona ishte e arsimuar dhe zotëronte një apo më shumë gjuhë të kulturës. Kështu në oborrin princëror të Muzakajve përdorej si gjuhë zyrtare greqishtja, te Balshajt latinishtja dhe sllavishtja, ndërsa te Kastriotët të tre gjuhët, ndonëse sllavishtja kishte ndikim shumë më të vogël se dy gjuhët e tjera. Formimi i klasës aristokratike me nivelin më të përparuar për kohën është dëshmi e një shoqërie të zhvilluar. Këtë zhvillim të oborrit princëror duhet ta shohim në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm që egzistonte në vend, pasi nëpunësit ishin pjesë e atij populli. Nga ana tjetër dinjiteti i princërve nuk lidhej vetëm me nivelin kulturor të oborreve, por edhe të subjekteve të tyre, një pjesë e të cilëve padyshim ishin të arsimuar.

Në trojet shqiptare janë formuar gjatë Mesjetës disa qendra të rëndësishme fetare me rëndësi për të gjithë gadishullin tonë. Justiniana Prima ishte seli e Vikarit Apostolik që kishte në varësi kishat e një pjese të madhe të Ballkanit; ndërsa pas pushtimit të qytetit prej barbarëve kjo seli u transferua në Ohër. Patriarkati i Ohrit kishte nën juridiksion në shekullin X popullësinë greke bullgare dhe serbe. Qyteti i rëndësishëm bregdetar i Durrësit deri në shekullin X ishte seli metropolite me juridiksion mbi 15 ipeshkëvi të tjera. Ndërsa Arqipeshkëvia e Tivarit kishte nën juridiksionin e saj 12 ipeshkëvi katolike në territoret e Shqipërisë, Dalmacisë dhe Serbisë. Këto qendra të rëndësishme klerikale, krahas problemeve të tjera të formimit shpirtëror të njerëzve, janë marrë edhe me arsimimin e popullsisë.

Në rrethinat e Ohrit, gjatë sundimit të mbretit Simeon, Klementi dhe Naumi, nxënësit e Cirilit dhe të Metodit kryen veprimtari misionare për përhapjen e shkrimit sllav. Klementi hapi në trojet shqiptare një numër kishash, manastiresh dhe shkollash. Brenda shtatë vjetësh 3500 nxënës të këtyre shkollash u bënë priftërinj, mësues, e tjerë. Ky numër i madh i nxënësve të punësuar, si dhe të tjerëve të papunësuar dëshmon se në këtë rajon kishte një rrjet të gjërë institucionesh fetare dhe arsimore, pavarësisht se shkollat mund të kenë qenë për një rajon më të gjërë, ndoshta për të gjitha viset nën juridiksionin e Patrikanës së Ohrit.

Në Durrës, në vitet tetëdhjetë të shekullit XIV është themeluar njëri ndër universitetet e para të Evropës; universiteti i parë mesjetar në Ballkan, (Studium generale) me 9 magjistra dhe 100 nxënës, i cili shërbente si qendër studimesh edhe për Bosnjën, Dalmacinë dhe Hungarinë. Veprimtaria e Universitetit të Durrësit u ndërpre në vitin 1501, kur hordhitë osmane pushtuan qytetin.

Ndërsa qendra arqipeshkvnore e Tivarit ka shkollën e parë benediktine në trojet shqiptare, që në shekullin XI. Pas saj në atë qytet u ngritën edhe shkolla të tjera episkopale, rregulltare, qytetëse, zejtare, e tjerë. Ky rrjet i gjërë shkollash ka ndikuar në përgatitjen e klerikëve,murgjëve, noterëve, shkruesve, e të tjerë, që nevojiteshin shumë në atë periudhë të zhvillimit të disa qyteteve bregdetare shqiptare dhe dalmate.

Një veçori e trojeve shqiptare është se u trashëguan shumë qytete antike, të cilat në Kohën e Vjetër patën arritur nivel të lartë zhvillimi. Qytete të tilla si Durrësi, Shkodra, Lezha, Ulqini, Vlora, Orikumi, Berati, mbetën qendra të rëndësishme urbane, të arsimit dhe kulturës.

Duke kaluar në Mesjetë, ato u transformuan. Dihet se qyteti mesjetar ishte në radhë të parë, qytet ipeshkvnor, seli e ipeshkëvit dhe vendi i një manastiri të rëndësishëm.

…

Nëpër territoret shqiptare kalonte kufiri kulturor midis botës romake, greke dhe pas vitit 880 , kur sllavishtja u njoh si gjuhë liturgjike prej Papës Gjoni VIII edhe i botës sllave. Kështu territoret shqiptare u gjenden në mes të presionit të tre kulturave të ndryshme, që luftonin gjithësecila për dominim. Në Shqipërinë e Veriut mbizotëronte riti latin dhe latinishtja, në Shqipërinë e Jugut riti grek dhe greqishtja, në Shqipërinë e Mesme diku njëra gjuhë e diku tjetra. Pushtimet bullgare e serbe bënë që të përdoret për pak kohë në disa treva edhe shkrimi sllav. Ky rivalitet bëri që trojet shqiptare të jenë në qendrën e vëmendjes së palëve, duke mos u parë si periferi e ndonjë hapësire kulturore të veçantë, por si një qendër ku përplaseshin ritet, kulturat dhe gjuhët e ndryshme.

Për vetë rrethanat, çdo sundues i ri, pas pushtimit ose rritjes së ndikimit politik në vend, ka zhvilluar edhe veprimtari misionare. Rolin më të madh në përhapjen e krishterimit, dijes dhe kulturës në trevat shqiptare gjatë Mesjetës, si kudo në Evropë e kanë patur manastiret. Termi monasticizëm vjen prej greqishtes “monachos”, që do të thotë person i vetmuar dhe shpreh rrugën e jetës që zgjidhnin burra dhe gra të caktuara, që tërhiqeshin nga jeta e përditëshme tokësore dhe i përkushtoheshin shërbimit shpirtëror.

Në fillim monasticizmi u zhvillua në Lindje, që në shekullin IV, pastaj në gjysmën e parë të shekullit VI u përhap edhe në Perëndim. Për egzistencën e tij në trevat shqiptare dëshmon Codex purpureus i shekullit VI dhe Codex aurum i shekullit X, të gjetur në manastirin e Beratit, si dhe shumë dorëshkrime që gjenden në Arkivin e Shtetit dhe tetë arkivat rajonalë në vendin tonë, shkrime biblike, liturgjike (gregoriane, ambroziane, bizantine), martirologji në gjuhët greke, latine, perse, arabe. Gjithashtu egzistenca e shkruesve në shekullin X në Berat, Korçë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër është e dokumentuar nga pikëpamja paleografike.

Dokumenta me rëndësi të madhe për historinë e Mesjetës së herëshme në Ballkan janë “Analet e priftit të Dioklesë”. Vetë autori i Analeve duhet të ketë patur një nivel të lartë kulture. Gjithashtu gjetja e dorëshkrimeve të gjuhëve lindore në trevat shqiptare dëshmon se ka patur manastire të rëndësishme kristiane. Në manastirin e shejtorëve Serge e Bacchus, pranë Shkodrës vinin të qëndronin mbretërit dhe princët kishin varret e tyre. Mbretëresha Helena e Serbisë, një franceze katolike, ndërtoi për françeskanët kishën dhe manastirin e Shën Mërisë në Shkodër dhe manastirin e Shën Markut në Ulqin. Këto manastire që gëzonin përkujdesje mbretërore ishin padyshim më të njohura se të tjerët.

Sipas dokumentave, në Shqipëri ka patur 30 manastire benediktine, ndër të cilët në Shirgj pranë Shkodrës, si dhe në Durrës, Rubik, Orosh, Bokjan, Ndërfanë, Kurbin, e tjerë. Sipas Shuflajt benediktinët i ndërtuan manastiret jashtë qyteteve, në zemër të popullsisë shqiptare.

Pavarësisht nga ndryshimet në rit midis manastireve baziliane lindore dhe benediktine perëndimore, kishte shumë gjëra të përbashkëta: murgjit ishin të angazhuar me lutje, punë, veprimtari kulturore dhe arsimore si lexim, shkrim, kopjim, mësim përmendësh i psallmeve, e tjerë. Si te bazilianët edhe te benediktinët studiohej literatura e etërve të kishës, botoheshin libra dhe kishte biblioteka.

Në fillim manastiret ishin të vetmet institucione arsimore dhe kishin monopolin e arësimit. Sapo fëmija bënte 6 vjeç, prindi e dorëzonte në manastir, ku ai edukohej për t’u përgatitur për klerik .Arsimi ishte falas. Falë Biblës mësoheshin leximi, kënga, psallmet. Një ekip ekspertësh të UNESCO-s, që u bëri studimin në vend dorëshkrimeve të vjetra, të zbuluara në trevat shqiptare, e konsideron Arkivin Qendror të Shtetit si “njërin ndër më të rëndësishmit në Ballkan”. Veprimtaria e rëndësishme e krijimit dhe kopjimit, që është zhvilluar ndër manastiret shqiptare ka qenë një veprimtari e mirëfilltë arsimore për kohën, domethënë rezulton se në trevat tona kanë qenë disa nga qendrat më të rëndësishme ballkanike të kulturës.

Arsimi monasticik i përket periudhës së Mesjetës së herëshme, kur shoqëria ishte rurale dhe shqetësimi kryesor ishte përgatitja e klerikëve. Me rritjen e qyteteve, manastiret gradualisht humbën monopolin mbi arsimin. Me legjislacion kishtar u krijuan shkollat e katedraleve dhe famullive. Koncili III i Lateranit këshillonte mbajtjen e një mësuesi të gramatikës në çdo katedrale dhe në Koncilin IV kjo masë u zgjerua në të gjitha kishat e mëdha. Në vazhdim të këtyre masave çdo kishë metropolite u udhëzua të mbante një mësues teologjie, për të mësuar klerin lokal. Pranë famullive u vendos të zhvilloheshin kurse të shkrimit dhe të leximit me të rinjtë, për t’i aftësuar ata që të shkruajnë dhe të lexojnë. Për herë të parë në arsim bëhet një revolucion i madh dhe kisha del jashtë problematikës së saj, duke menduar për arsimimin e një numri sa më të madh njerëzish. Në shkollat e katedraleve jepej lexim gramatikë, latinisht, shkrimet e shejta, astronomi që nevojitej për njohjen e festave të lëvizëshme. Sipas konceptit të kohës, dija ishte e rëndëndësishme, se shërbente si mjet për të njohur zotin. Në Mesjetë Bibla ishte mbi të tjerat. Shën Augustini, njëri ndër etërit e kishës pati thënë se “ muzika, numrat, bimët, kafshët, gurët e çmuar dhe të gjithë të tjerat ndihmojnë për të kuptuar më mirë Biblën”.

Të dhënat e dokumentuara për praninë e shkollave shqiptare datojnë prej shekullit X e këtej. Në këtë periudhë kemi një stabilizim të hapësirave të ndikimit të sejcilit rit fetar, me katolikët në veri dhe ortodoksit në jug, të cilët kanë patur një zhvillim të përafërt arsimor.

Disa shkolla ortodokse sllave kanë egzistuar midis liqenit të Ohrit dhe të Prespës që në shekullin X. Por shkolla më e vjetër ortodokse e dokumentuar në trojet shqiptare është e manastirit të Spanojt në liqenin e Janinës, e ngritur që më 1206 prej themeluesit të despotatit të Epirit, Mihal I Ëngjëlli. Afërsisht i kësaj periudhe është edhe manastiri i Ardenicës me shkollën e vet të shekullit XIII, … ku mësonin të gjithë klerikët e Myzeqesë dhe të Beratit, shkollë e cila ka vazhduar deri më 1684, kur është mbyllur. Përmenden edhe shkollat e manastireve të Shën Ion Theollogut të Kamenicës, Navaricës dhe Stillos, të hapura që në vitin 1275, shkolla e manastirit të Zvërnecit në Vlorë, që ka egzistuar deri në vitin 1376. Me vendimin e sinodit të Konstandinopojës, klerikët ishin të detyruar të jeprnin mësim falas.

Në krahinat veriore dhe verilindore të Shqipërisë gjatë kohës së sundimit të mbretërve serbë filloi të përdoret edhe shkrimi në gjuhën slave. Në zonën e Shkodrës në këtë periudhë u ndeshën të tre kulturat: bizantine, slave dhe latine.

Asnjëherë nuk u shua ndikimi perëndimor në trojet shqiptare. “Latinët” e Dyrrachiumit, që egzistuan gjithnjë, u shtuan me rënjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1204 dhe sidomos në periudhën që vijon me krijimin prej Anzhuinëve të “Mbretërisë së Shqipërisë” në vitet 1273-1304.

Vepër e benediktinëve ishte kthimi i Shqipërisë së Veriut në katolicizëm, ndërtimi i një numëri të madh manastiresh, dhe objektesh të tjera të kultit dhe përgatitja e murgjëve dhe klerikëve të tjerë për shërbesat fetare. Pas tyre erdhën domenikanët dhe françeskanët, të cilët trashëguan prej benediktinëve përvujtësinë dhe dashurinë për dijen dhe kulturën, por ishin më të lidhur se ata me njerëzit. Ata i dhanë hov të madh zhvillimit të arësimit. Në kohën e domenikanëve dhe françeskanëve trojet shqiptare u mbushën me objekte kulti dhe shkolla. Klerikët dhe murgjit shqiptarë shërbyen edhe në vendet e tjera. Studiuesi i njohur i Mesjetës shqiptare Milan Sufflay e përshkruan kështu Ndërfanën dhe Shën Palin e asaj periudhe“më në jug fare, ndër gjind shqiptarë, ndërmjet dy lumenjëve të Fanëve, në krahinën prej nga në të katërmbëdhjetin shekull dilnin priftërinjë për krejt Dalmacinë, gjendeshin Abacia e Shën Palit dhe Abacia Shën Mëria e Ndërfanës.” Prania e klerikëve shqiptarë në trevat dalmate është tregues i pranisë në vendin tonë të qendrave të nevojëshme arsimore për përgatitjen e klerikëve, si dhe i nivelit të kënaqshëm të formimit të tyre, sa morën përsipër edhe funksione të larta drejtuese. Mungesa e klerit vendas në Raguzë në shekujt XIV-XV u plotësua me priftërinjë dhe rregulltarë nga Shqipëria e Veriut. Kuvendi i Raguzës ishte i mbushur me rregulltarë shqiptarë; Guardiani dhe Kustodi i françeskanëve ishin shkodranë dhe Priori i domenikanëve ishte ulqinak. Në vitin 1385, Provinciali i françeskanëve të Sllavonisë ishte një shqiptar.

Qendrat arsimore të domenikanëve dhe të françeskanëve në Shqipëri qenë të shumta. Falë veprimtarisë së tyre funksionuan shkollat: në Ulqin në vitin 1258-1571, në Kotorr në vitin 1266-1591, në Durrës më1278, në Shkodër më 1345-1487 Në Lezhë më 1483-1512, në Tivar nga gjysma e dytë e shekullit XI, si dhe në Drisht, Novobërdë, e tjerë. Sufflay përmend shkollat e Shën Barbarës dhe Shën Crasie në Shkodër dhe shkollat e Shën Crucis, Shën Gjergjit dhe Shën Mërisë në Drisht.

Në shekullin XIII-XV, disa qytete bregdetare si Durrësi, Shkodra, Ulqini, Kotorri kishin arritur në një nivel të lartë zhvillimi për kohën. Ata kishin njëfarë vetqeverisje, statutin, monedhën dhe administratën e vet. Ky nivel zhvillimi kërkoi kualifikimin e njerëzve për të organizuar jetën qytetare, duke nxitur zhvillimin e shkollave urbane, që u panë si përpjekje për organizimin e jetës qytetare me ligje dhe statute.

Krahas rasimit fetar u zhvillua arsimi urban, në shkolla të pavarura për noterë dhe tregëtarë, etj. Lëndët mësimore konsideroheshin si ndihmëse të doktrinës së shejtë. Shkollat urbane në fillim ndryshuan vendin, pastaj përmbajtjen. Ato krijuan një traditë të mirë dhe u bënë të nevojëshme për banorët, veçanërisht të qyteteve. Duket se arsimi privat u përhap shumë në Veriun e Shqipërisë. Me zhvillimin e shoqërisë qytetare u bë njëfarë ndarje shoqërore e punës, ku tregëtaret dhe zejtarët ishin të interesuar të merrnin me pagesë mësues për fëmijët e tyre. Ndërkohë kishte një shtresë intelektualësh që jetonin, përmes shkrimeve e kopjimeve. Nga trevat shqiptare kishte edhe njerëz të interesuar për të gjetur mësues privat, ashtu edhe mësues të interesuar për të fituar përmes profesionit të mësimdhënjes. Magistër Johani, doktor në gramatikë deklaron se i premton dhe i detyrohet presbiterit Andrea nga Shën Pali i Pultit se do t’i mësojë nipin e tij Nikollën të lexojë dhe të shkruajë sipës mënyrës tregëtare dhe do t’i mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijnë të përkthejnë. Falë nivelit të lartë të mësuarit, një pjesë e madhe e 24 noterëve dhe shkruesve në Raguzë ishin shqiptarë. Por nuk mungonin as mësuesit privatë. Këshilli i madh i Republikës i caktoi 10 perperë Teodorë Nikollës nga Drishti, për të paguar qiranë e lokalit, ku do të mësonte fëmijët e Stanjës. Qytetarët këmbëngulnin në ruajtjen e shkollave laike urbane. Pas pushtimit të Ulqinit prej Venedikut më 1406, një përfaqësi e qytetarëve paraqiti kërkesën për të mbajtur për nevojat e qytetarëve një noter që do të shërbente për të shkruar dokumentet e tyre, si dhe do t’u mësonte fëmijët.

Të dhënat e deritanishme lejojnë të nxirret konkluzion për nivelin e intelektualëve arbër të kohës. Prifti Nikollë Durrësaku, më 1250 ishte sekretar i papës Inoçenti IV. Në një letër të Inoçentit IV më 1254 urdhërohet Provinciali i Françeskanëve të Kalabrisë të paraqesë për ipeshkëv të Kratones magistrum Nicolaum de Durachio. I ardhur prej vendit të tij, doktori në Teologji, fra Nikolla de Samaxis u paraqit si legat, përfaqësues i Balshës II te Senati i Venedikut. Kjo traditë e pasur intelektuale e shqiptarëve do të jepte më vonë humanistët e mëdhenj shqiptarë të Rilindjes Evropiane, të cilët qëndrojnë denjësisht përkrah njerëzve më të ditur të Evropës së atëherëshme.

Pas shekullit XII, fryma poetike dhe bukuria e latinishtes u zbehën nën ndikimin e zhvillimit të shkollave dhe të universiteteve, që e bënë gjithnjë e më shumë gjuhë të shkollës dhe të teknikës, të profesorëve, nxënësve,priftërinjëve,sekretarëve, e tjerë. Askush nuk mendonte më në latinisht, por shkruante në atë gjuhë. Rënia e latinishtes u shoqërua me rritjen e përdorimit të gjuhëve kombëtare. Krahas mësimeve që merrnin në shkollë, prindërit u transmetonin gojarisht fëmijëve, baladat, legjendat, jetën e shejtorëve në gjuhët popullore. Ky lloj mësimi e paraqiste botën lokale përmes traditës dhe mitit. Tradita popullore u transmetua gojarisht brez pas brezi, deri sa u shkrua. Poemat u krijuan në vendet me kërcënimin më të madh, në gadishullin Iberik dhe gadishullin Ballkanik. Për nje periudhë kohe në Europë u përdor dygjuhësia, latinishtja së bashku me gjuhët popullore. Pastaj latinishtja ua lëshoi vendi këtyre gjuhëve.

Trojet shqiptare ndoqën të njejtën rrugë, veçse në kushtet e pushtimit osman, procesi i përhapjes së leximit dhe shkrimit shqip zgjati më shumë në kohë. Kështu në vitin 1584, në Letnicë të Shkupit dhe pak më vonë, në Stubëll të Gjilanit kanë funksionuar kolegje fetare(shkolla të larta), ku përveç teologjisë studiohej edhe filozofia e klasikët. Ndërkohë kishte filluar mësimi i shqipes në Kurbin, Pdhanë, Velë, Blinisht, Janievë të paktën nga shekulli XVII, ndërkohë që për arsimimin fetar të klerikëve të ardhshëm ishte përdorur gjuha e vendit(shqipe) si gjuhë ndihmëse në vijimësi e pandërprerje.

Rënien e latinishtes e favorizoi shpikja e shtypshkronjës, e cila bëri që të shtohen shumë shtypshkrimet dhe të rritet numri i librave në gjuhët popullore që ishin në qarkullim. Përkthimet e librave të shejtë dhe librat me karakter fetarë ishin tekstet e para të përdorura në gjuhët popullore.

Arsimimi në gjuhën shqipe i pati fillesat në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Por në kushtet e pushtimit turk, ky proces eci ngadalë dhe përmes vështirësishë të shumta. Ishin klerikët shqiptarë që përdorën të parët gjuhën shqipe, dhe që ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona dhe në kushtet e veçanta të vendit nën pushtim u detyruan për tre shekuj rrjesht të ishin edhe mësuesit e vetëm të shqipes në vend. Në fillim u hapen shkollat shqipe pranë kuvendeve, katedraleve dhe kishave, pastaj u hapën edhe shkolla private shqip, ndonëse numri i tyre mbeti i kufizuar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT