• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE ZGJEDHJET AMERIKANE

November 4, 2024 by s p

– E ardhmja e Republikës së Kosovës duhet dhe mund të përcaktohet vetëm nga shumica e popullit të saj

Agim Aliçkaj

         Zgjedhjet amerikane këtë vit filluan në motin shumë të ftohtë të shtetit të Iowa-s.  Këto zgjedhje tregojnë të jenë shumë të vështira dhe të çuditshme, demokratike por jo krejt normale. Amerika është vendi i çudirave, ku gjithçka është e mundur.

         Askush nuk e di se kush do të fitojë këtë herë.

        Partia Demokratike, pasi presidenti Biden u tërhoq nga gara për shkak të problemeve serioze të moshës, ka emëruar zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten e saj për President. Ajo është një femër minoritare, relativisht e panjohur në krahasim me Trump dhe konsiderohet shumë liberale.

         Kandidati i partisë republikane, ish-presidenti Trump, gati 80 vjeç, i dënuar për 34 vepra penale, është i ndërlikuar dhe i paparashikueshëm. Ai refuzoi të pranonte zgjedhjet e humbura të vitit 2020, gjë që i shtyu mbështetësit e tij të sulmonin Tempullin e demokracisë – Capitol Hill. Sistemi demokratik amerikan mbizotëroi.

         Janë disa çështje që ndikojnë në vendimin e shtetasve amerikanë se për kë do të votojnë, si situata ekonomike, emigracioni, të drejtat riprodhuese, marrëdhëniet me jashtë, etj. Por këtë herë duket se votuesit do të vendosin më shumë kundër sesa për kandidatin. Premtimet boshe, gënjeshtrat dhe mungesa e mirësjelljes janë shqetësuese. Ndarja dhe urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë ka arritur kulmin.

        Mbështetësit e kandidatit Trump mendojnë se politikat e administratës Biden, veçanërisht imigracioni jashtë kontrollit, po shkatërrojnë Amerikën. Ata të zonjës Harris e konsiderojnë zotin Trump si të paqëndrueshëm mendor dhe të rrezikshëm me tendenca diktatoriale, që mund të shkatërrojë demokracinë amerikane.

         Mbështetësit më të fortë të zëvendëspresidentes Harris janë gratë, disa pakica dhe republikanët të pakënaqur me sjelljen e ish-presidentit Trump. Ndërsa, përkrahja më e madhe për Trump vjen nga nacionalistët, konservatorët ekstremë, izolacionistët dhe burrat, veçanërisht ata të një moshe më të re që besojnë se diktatura ofron forcë dhe siguri. 

         Republikanët parimorë, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence, Liz Cheney, Mitt Romney dhe qindra të tjerë janë veçanërisht të rëndësishëm. Ata janë të ofenduar nga sjelljet e ish-Presidentit Trump, e fajësojnë atë për nxitjen e sulmit të 6 janarit të 21 janarit në Capitol Hill dhe e konsiderojnë atë një rrezik për partinë e tyre dhe demokracinë amerikane. Ata shpresojnë se humbja e Trump do ta kthejë partinë republikane në rrugën e ish-presidentit të famshëm Ronald Reagan.

         Zgjedhjet amerikane kanë rëndësi të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Amerika e ka ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës dhe është e interesuar ta mbrojë atë si një projekt historik humanitar dhe strategjik. Mirëpo mbështetja amerikane për Kosovën mund të ndryshojë në intensitet dhe formë, varësisht nga problemet botërore dhe interesat gjeopolitike të administratës aktuale. 

         Administrata e ish-presidentit Donald Trump nuk bëri gjë qenësore për Kosovën, përveç njohjes së pavarësisë nga Izraeli për interesa të veta dhe të Izraelit. Emisari Richard Grenell u korruptua tërësisht nga regjimi fashist serb dhe tentoi bashkë me opozitën ta shkatërrojë demokracinë e Kosovës, ta ndajë ose ta kthejë  Kosovën nën sqetullën e Serbisë përmes Marrëveshjes për normalizim ekonomik.

         As administrata e Presidentit Biden nuk pati ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Kjo vjen si befasi, sepse ai personalisht konsiderohet si një përkrahës i madh i Kosovës dhe një kritik i ashpër i gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë.

         Gabimi kryesor ishte sepse, i zënë me probleme të mëdha botërore, administrata e tij ia la çështjen e Kosovës pamëshirësisë dhe padrejtësisë evropiane. Politika e njëanshme evropiane e përkëdheljes të agresorit serb dhe nënshtrimit të popullit të viktimizuar të Kosovës dështoi. Me te dështoi edhe politika amerikane.

         Lind pyetja, cilën palë duhet të mbështesë dhe të votojë komuniteti shqiptaro-amerikan?

         Realiteti është se komuniteti shqiptaro-amerikan është i ndarë në të dyja anët. Veprimi dhe bashkëpunimi me të dyja partitë kryesore ka qenë shumë i suksesshëm në katër dekadat e fundit. Shembull për këtë është Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga legjendat e lobimit në Washington Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

          Këtë herë, pas një shqyrtimi dhe vlerësimi të thellë të shumë fakteve, edhe Joe Dioguardi, i cili është një republikan konservator, doli në mbështetje të zonjës Kamala Harris. Shirley dhe shumica e Bordit të LQSHA ndajnë të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se Trump është i paparashikueshëm dhe ka potencial për të marrë vendime drastike. Me Presidentin Harris, më e keqja që mund të ndodhë është që status quo-ja të vazhdojë edhe për pak kohë.

         Ne nuk gjykojmë ata bashkatdhetarë dhe aktivistë të komunitetit tonë, të cilët për arsyet e tyre mbështesin kandidatin Trump. Mirëpo presim që kontaktet me selinë e tij t’i shfrytëzojnë për të siguruar mbështetje për interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar, e jo për foto-op dhe të marrin detyra për të bërë presion ndaj qeverisë së Kosovës.

          Dhe të mos harrojmë se komuniteti shovinist serbo-amerikan më së shumti mbështet Trump dhe ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me emisarin Grenell i cili është plotësisht në shërbim të interesave serbe. 

         Sapo u bë e ditur se zëvendëspresidentja Harris i është drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan me një letër ku i falenderon për kontributin e dhënë dhe i fton të marrin pjesë në demokracinë amerikane. Kjo duhet të  na e bëjë më të lehtë për të votuar për të.

         Pavarësisht se kush i fiton këto zgjedhje, puna jonë në Washington në interes të Kosovës dhe çështjes kombëtare duhet të vazhdojë. Ushtrimi i ndikimit në çdo administratë nëpërmjet Kongresit Amerikan sjell rezultate të favorshme.

          Kosova duhet të sigurojë mbështetjen amerikane duke forcuar demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit të shtetit, e jo duke bërë lëshime ndaj kërkesave destruktive serbe dhe të padrejta evropiane. Asociacioni serb pa njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hyrjen e Kosovës në NATO paraqet vetëvrasje.

         Populli i Kosovës ka në dorë që në zgjedhjet e 9 shkurtit, qeverisja e vendit t’i jepet edhe për një mandat treshes së shpresës, aftësisë dhe sigurisë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Por ata, duhet të kenë kujdes që të mos përçahen në këto momente vendimtare për Kosovën. Kosova dhe mbarë kombi shqiptar ende kanë nevojë për unitetin e tyre.

         Liderët e fortë, të pakorruptuar dhe demokratikë, të mbështetur nga shumica e popullit, janë garanci për shtetin e Kosovës.

         Opozita është ende totalisht konfuze, nuk e ka të qartë se për të fituar zgjedhjet duhet të kërkojnë falje për gabimet e së shkuarës dhe të bëhen më të mirë se pozita. Sharjet, kritikat pa vend, shpifjet dhe qëndrimet e ngjajshme me ato të fashistëve të Beogradit nuk bëjnë punë. KM i Shqipërisë Edi Rama është i preokupuar me rehabilitimin e Serbisë dhe veprimet korruptive në Shqipëri.

         Gjëja më e rëndësishme është se ekzistenca e Republikës së Kosovës nuk mund të varet ekskluzivisht nga askush dhe nga asnjë administratë amerikane apo evropiane. E ardhmja e Republikës së Kosovës duhet dhe mund të përcaktohet vetëm nga shumica e popullit të saj, askush tjetër.

         Edhe pse jo perfekte, SHBA është ende vendi më i fortë, më demokratik dhe më i mirë në botë. Amerika është shtëpia e njerëzve të shumë prejardhjeve dhe etnive nga e gjithë bota. Kosova është vendi më i ri në botë, ndërsa populli shqiptar është ndër më të vjetrit dhe më paqësorët në Evropë. 

         Prandaj populli amerikan dhe populli shqiptar janë të mbrojtur nga vetë Zoti. 

         Urime dhe suksese në zgjedhjet e 5 Nëntorit Amerika jonë e dashur!

Filed Under: Analiza

Zgjedhjet 2024 në SHBA dhe Kosova: Çfarë Duhet të Dijmë!

November 3, 2024 by s p

Faton Bislimi/

Me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, të gjithë sytë janë të kthyer nga gara presidenciale mes Kamala Harris dhe Donald Trump. Përveç garës për president, një tjetër çështje vendimtare është se cila parti do të marrë shumicën në Kongres – në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo do të ketë ndikim të thellë për shqiptarët dhe, veçanërisht, për Kosovën. Gjerësa stabiliteti i Ballkanit vazhdon të jetë i brishtë, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë orientimin dhe intensitetin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

Kamala Harris dhe Trashëgimia e Mbështetjes Amerikane për Kosovën

Nëse Kamala Harris zgjidhet presidente, shqiptarët e Kosovës mund të presin që mbështetja e SHBA-së për vendin të vazhdojë dhe të përforcohet, duke pasur një administratë që e sheh Kosovën si një aleat strategjik në rajon. Kamala Harris përfaqëson vlera të përbashkëta me ato të Joe Biden, i cili ka pasur një rol të veçantë dhe të pandërprerë në mbrojtjen e interesave të Kosovës në Washington që nga ditët e tij si senator. Harris do të përpiqet të forcojë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, duke siguruar që Kosova të mbetet një partner i besueshëm dhe i mbrojtur nga rreziku i destabilizimit rajonal.

Donald Trump dhe Marrëveshja e Washingtonit e Shtatorit 2020

Në shtator të vitit 2020, administrata Trump ndërmjetësoi Marrëveshjen e Washingtonit midis Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohej në normalizimin ekonomik midis dy vendeve. Ndërkohë që kjo marrëveshje kishte synim krijimin e mundësive ekonomike, ajo nuk trajtoi çështjet politike dhe të sigurisë që janë në themel të marrëdhënieve problematike midis Kosovës dhe Serbisë, duke mos përfshirë njohjen e ndërsjellë dhe çështjet e të drejtave të njeriut. Një fitore e mundshme e Trump do të sillte një qasje më të distancuar ndaj stabilitetit afatgjatë të Kosovës dhe Ballkanit, duke e zhvendosur fokusin në interesat ekonomike, por duke lënë pas dore nevojën për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Trashëgëmia e administrates Trump, sidoqoftë, nuk ishte pa gjurmë pozitive për Kosovën: ajo mundësoi themelimin e ushtrisë së Kosovës, si dhe solli njohjen shumë domethënëse nga Izraeli.

Rëndësia e Shumicës në Kongres për Kosovën dhe Shqiptarët

Nëse Demokratët arrijnë të ruajnë ose të fitojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, shqiptarët dhe Kosova do të përfitojnë një mbështetje më të qëndrueshme dhe më të plotë. Demokratët tradicionalisht kanë qenë të angazhuar për promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në mbarë botën, dhe kanë treguar një përkushtim të qëndrueshëm ndaj Kosovës. Me shumicën e tyre në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, politikat që mbrojnë sovranitetin e Kosovës do të kishin më shumë mundësi të kalojnë, dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës do të forcoheshin. Një Kongres nën udhëheqjen e Demokratëve do të mundësonte gjithashtu që mbështetja financiare dhe diplomatike për Kosovën të ruhej dhe të rritej.

Nga ana tjetër, nëse Republikanët fitojnë shumicën në një ose të dyja dhomat e Kongresit, mbështetja për Kosovën do të përqendrohej më shumë në marrëveshjet ekonomike dhe më pak në çështjet e të drejtave të njeriut dhe sovranitetit. Ndonëse disa Republikanë kanë treguar mbështetje për Kosovën, politika e përgjithshme e partisë për Ballkanin gjatë administratës Trump ka qenë më e paqëndrueshme dhe më e fokusuar në marrëveshje pragmatike, ku mund të mungojë mbështetja afatgjatë dhe e palëkundur që Kosova ka kërkuar nga SHBA.

Çfarë Do të Thotë për Kosovën Shumica e Kongresit?

Për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, një Kongres nën kontrollin e Demokratëve ofron shpresa për një angazhim më të madh të SHBA-së në Ballkan dhe për stabilitetin afatgjatë të Kosovës si shtet i pavarur. Me shumicën e Demokratëve, Kosova mund të presë një mbështetje më të fortë në përballjen me sfidat ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet e Rusisë dhe të Serbisë për të ndikuar në rajon. Një Kongres i tillë do të përpiqet të rrisë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik midis Kosovës dhe SHBA-së dhe të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Nëse Republikanët fitojnë shumicën, politika për Kosovën mund të përqendrohet më shumë në marrëveshje pragmatike ekonomike dhe në qasje që minimizojnë angazhimet afatgjata në Ballkan. Një fitore e Republikanëve në Kongres do të mund të çonte drejt një rishikimi të përkrahjes strategjike, duke lënë hapësirë për lëshime të mundshme ndaj Serbisë dhe duke krijuar një presion më të madh mbi Kosovën për të bërë kompromis në çështje themelore të sovranitetit. Krejt kjo, nën supozimin se një Administratë Trump fokusin do e kishte tek Rusia dhe lufta me Ukraninën, respektivisht përfundimi i saj i menjëhershëm.

Harris v. Trump dhe Dialogu Kosovë-Serbi

Me specifikisht, casja e Washingtonit ndaj dialogut mund të ndryshojë nëse ka ndryshim në qeverisjen e SHBA-ve. Mos të harrojmë, demokratët janë multilateralistë, pra, duan të kryejnë punë duke provuar të kënaqin të gjithë, gjersa republikanët janë goxha unilateralistë, pra, nuk mërzitën fort për të tjerët por fokusohen në objektivat e tyre. Këto janë atribute ideologjike të dy taborreve kryesore politike ne SHBA.

Andaj, neve si klasë politike dhe shtet, duhet të jemi të gatshëm qe të vazhdojmë e ruajmë marrëdhënjen tonë me SHBA në cilindo variant. Dallime mund të kemi, por ato kurrë s’duhet të bëhen hendek në marrëdhenjet Kosovë-SHBA ngase edhe nëse ne kemi të drejtë, fatkeqësisht në kohën e zhvillimeve dinamike ndërkombëtare në të cilën jemi tash, pragmatizmi dhe interesat madhore gjeostrategjike te SHBA-ve marrin prioritet. Kosova asnjëherë s’duhet të dalë nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane ngase është pikerisht kjo orbite që na solli deri tek liria e pavarësia.

Shqiptarët dhe Kosova: Një Zgjedhje që Do të Prekë të Ardhmen

Rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit në SHBA nuk janë vetëm një çështje për të ardhmen e Amerikës, por një vendim me ndikim të thellë për të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan. Duke u mbështetur tek mbështetja e SHBA-së për Kosovën si një aleat i besueshëm dhe i përhershëm, shqiptarët janë të vetëdijshëm se një administratë pro-Kosovës dhe një Kongres që ndan të njëjtat vlera do të përforcojnë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e vendit në një rajon të paqëndrueshëm. Ndërsa amerikanët vendosin për presidentin dhe përbërjen e Kongresit të ardhshëm, shqiptarët e Kosovës dhe diaspora në Amerikë presin me shpresë që zgjedhjet e ardhshme të sigurojnë një partner të palëkundur për pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Dr. Faton Bislimi është aktivist politik në SHBA dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.

Filed Under: Analiza

Votuesit po e shohin njëri-tjetrin sipas ndarjes partiake me armiqësi në rritje

November 1, 2024 by s p

Përktheu Rafael Floqi

UASHINGTON (AP) – Presidenti Joe Biden u përpoq të shpjegonte këtë javë se ai nuk mendon vërtet se mbështetësit e Donald Trump janë “plehra”, por kjo nuk do të thotë se njerëzit e tjerë nuk besojnë se etiketa përshtatet herë pas here.

“Unë do të thoja se disa prej tyre janë plehra,” tha Samantha Leister, 32 vjeç, e cila shkoi për të parë Kamala Harris në një miting në Harrisburg, Pensilvani.

Po për pjesën tjetër të tyre? Pasi, prindërit dhe vjehrri i të cilit po mbështesin Trumpin, Leister thotë se ata janë “të gabuar”.

Po atë ditë, në tubimin e Trump në Green Bay, Wisconsin, ideja për të votuar për Harris ishte e pamundur të kuptohej.

“Unë mendoj se ata janë të paarsimuar dhe i besojnë të gjitha gënjeshtrat,” tha Shawn Vanderheyden, 44 vjeç, i cili shkoi të takonte Trumpin me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla. “Është për të ardhur keq.”

Vanderheyden ende ka besim te disa njerëz që po mbështesin nënpresidenten demokrate, duke thënë “shpresojmë që ata të hapin sytë”.

E vërteta e qëndrueshme e politikës amerikane – ajo që padyshim do të zgjasë polemikën mbi komentet e Biden dhe fushatën presidenciale të këtij viti – është se shumë votues të Trump dhe Harris e shohin njëri-tjetrin me përbuzje dhe dyshim. Në rastin më të mirë, ata ndihen të hutuar nga njerëzit që mbështesin palën tjetër dhe të shqetësuar për të ardhmen e vendit pas zgjedhjeve.

Dasia mes amerikanëve nuk është e re, por intervistat me votuesit në shtetet e fushëbetejës zbulojnë se ajo vetëm sa po bëhet më e thellë dhe më e pakapërcyeshme. Ka ndarë familjet dhe miqtë, dhe i ka shtyrë njerëzit më tej në fiset e tyre politike.

Disa thanë se besojnë se vendi po shkon drejt një copëtimi edhe më dramatik.

Braxton Wadford, 20 vjeç, parashikoi se do të kishte një “eksod masiv” të amerikanëve pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush fiton. Ai tha se njerëzit në të dyja palët nuk mund të imagjinojnë të jetojnë nën udhëheqjen e partisë kundërshtare.

“Ëndrra amerikane po kthehet në largim nga Amerika”, tha Wadford, i cili votoi herët për Trump në Karolinën e Veriut.

Jennifer Phelan, 60 vjeç, ka qenë vullnetare për fushatën e Harris në të njëjtin shtet, duke i shtyrë votuesit e pavendosur të votojnë për nënpresidenten. Ajo është e shqetësuar për zgjedhjet dhe nuk mund ta kuptojë pse janë kaq afër.

“Duket shumë si një karikaturë e së mirës dhe së keqes,” tha ajo në mitingun e Harris në Raleigh.

Armiqësia politike është ndërtuar për një kohë, e ndihmuar nga trazirat historike. Kishte shpërthimin e një pandemie globale, një kryengritje të dhunshme në Kapitolin e SHBA dhe protesta mbarëkombëtare për padrejtësinë racore – dhe kjo ishte vetëm në harkun e një viti të vetëm.

Qendra Kërkimore Pew zbuloi se demokratët dhe republikanët po bëhen më të prirur për t’i parë anëtarët e partisë tjetër si jointeligjent, dembel, imoral ose të pandershëm. Dhe pothuajse të gjithë kanë një pikëpamje shumë ose disi të pafavorshme për palën kundërshtare, sipas një sondazhi të AP-NORC nga shtatori.

Travis Waters, 54 vjeç, tha se mbështetësit e Trump-it janë “të shkëputur nga realiteti”. Ai nuk ka asnjë të afërt me të që është një mbështetës i Trump – dhe ai nuk po kërkon të shtojë ndonjë.

“Unë do të mendoj se njerëzit me të cilët zgjedh të shoqërohem nuk janë njerëz që mbështesin pushtimin e Kapitolit, që thonë se Haitianët po hanë kafshë shtëpiake dhe thonë gënjeshtra,” tha Waters ndërsa priste në radhë për eventin e Harris në Harrisburg.

Trump ka qenë një figurë dominuese në politikën amerikane për gati një dekadë, duke kontribuar në polarizimin duke demonizuar kundërshtarët e tij politikë dhe duke nxitur një ndjenjë persekutimi midis ndjekësve të tij.

“Shiko si ju kanë trajtuar,” tha ai në një nga mitingjet e tij këtë javë. “Ata ju kanë trajtuar si plehra.”

Ishte një referencë ndaj komenteve të Biden pas ngjarjes së fundit të Trump në Madison Square Garden, ku një komedian e quajti Porto Rikon një “ishull lundrues mbeturinash”.

Gjatë një thirrjeje për fushatën e organizuar nga grupi i avokimit hispanik Voto Latino, Biden tha se “të vetmet mbeturina që shoh që qarkullojnë atje janë mbështetësit e tij. Demonizimi i tij i latinëve është i pandërgjegjshëm dhe është joamerikan.

Biden më vonë theksoi se ai po fliste për retorikën, jo për mbështetësit e Trump. Dhe Harris tha se ajo nuk pajtohet “me çdo kritikë ndaj njerëzve bazuar në atë për kë votojnë”.

Norma Jeffcoat, 72 vjeç, tha se ishte prekur nga kritikat për mbështetjen e saj për Trump.

“Kanë dashur që mendojnë se po votoj për një racist,” tha ajo në një tubim në Karolinën e Veriut. “Më thyen zemrën. Unë e dua shumë vendin tim.”

Jeffcoat është besnike e devotshme ndaj ish-presidentit, i cili tha se ka vuajtur padrejtësisht nga ndjekjet penale, sulmet politike dhe tentativat për vrasje.

Një flamur Trump i varur jashtë shtëpisë së saj është copëtuar nga era, por ajo hodhi poshtë përpjekjet e burrit të saj për ta zëvendësuar atë.

“Unë thashë ‘jo’,” tha Jeffcoat. “Po qëndron atje deri pas zgjedhjeve sepse simbolizon gjithçka që ai ka kaluar”.

Nick Sandquist, 47 vjeç, tha se Trump ishte një hipokrit për të kritikuar Biden për komentin e tij “mbeturina”.

“Është ironike që Donald Trump të përdorë thirrjen e emrit për avantazhin e tij”, tha ai në një tubim të Harris në Wisconsin. “Ne nuk jemi tipi ju duhet të shqetësoheni për sulmin në Kapitol.”

Ai tha se herë pas here flet për zgjedhjet me vëllain dhe babanë e tij, të cilët mbështesin Trumpin, por “nuk shkon shumë mirë”.

Ishte një refren i zakonshëm edhe nga të tjerët, të cilët e përshkruajnë diskutimin e politikës si më shumë telashe sesa ia vlen.

“Për çdo gjë që themi, ata kanë një përgjigje qesharake,” tha Debi Franz, 66 vjeç. “Është e tmerrshme të thuash sepse nuk kemi më shumë biseda. Është e pafrytshme.”

Burri i saj, Phil, 68 vjeç, u pajtua.

“Unë thjesht e shmang atë,” tha ai ndërsa prisnin që Harris të dilte në skenë në Madison.

Por të paktën një person vendosi t’i jepte një goditje këtë javë.

Annette Uhlenberg, 52 vjeçe, mori pjesë në mitingun e Harris në Raleigh dhe tha se ishte frymëzuar nga fjalimi i saj për ngritjen mbi mosmarrëveshjet politike.

Kështu ajo bëri një foto me shenjën e saj të fushatës, shkroi një mesazh për vendosjen e “e vendit mbi partinë” dhe ua dërgoi atë tre miqve të saj që ajo beson se do të votojnë për Trump.

Asnjëri prej tyre nuk ia ktheu menjëherë.

Por ndoshta, shpreson Uhlenberg, “të paktën të hap derën për bisedë.

Filed Under: Analiza

Ministrja Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: Koha për reciprocitet të plotë në të drejtat e shqiptarëve në Serbi

November 1, 2024 by s p

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, theksoi nevojën për respektim të plotë dhe të barabartë të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi, duke bërë thirrje për reciprocitet mes dy vendeve në trajtimin e minoriteteve.

Gërvalla argumentoi se ndërsa Kosova ka krijuar hapësira të sigurta për integrimin e plotë të qytetarëve serbë në vend, Serbia ka neglizhuar vazhdimisht të drejtat e shqiptarëve, duke mos përmbushur as standardet bazë të të drejtave të njeriut.

“Ne jemi të gatshëm të aplikojmë parimin e reciprocitetit për të siguruar që pakica shqiptare në Serbi të ketë të njëjtat të drejta që pakica serbe gëzon në Kosovë,” deklaroi Gërvalla.

Ajo nënvizoi se shqiptarët në Serbi vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik dhe kufizime të rënda në qasje në arsim, punësim, dhe përfaqësim politik, një trajtim që bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian për të cilat Serbia pretendon të aspirojë.

Ministrja Gërvalla i bëri thirrje Serbisë që të përmirësojë nivelin e të drejtave të pakicave, në përputhje me standardet evropiane, dhe theksoi se Kosova do të vazhdojë të ndjekë politika që mbështesin dhe integrojnë qytetarët serbë në institucione, pavarësisht presionit nga Beogradi.

“Respektimi i të drejtave të minoriteteve është një tregues kyç i përkushtimit të një vendi ndaj paqes dhe demokracisë,” tha ajo, duke ftuar Serbinë të bëjë hapa konkretë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Fjala e Gërvallës ishte një thirrje e qartë për bashkësinë ndërkombëtare që të monitorojë dhe mbështesë përpjekjet për reciprocitet dhe barazi të të drejtave në rajon, duke vendosur drejtësi për të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes etnike.

Filed Under: Analiza

HASAN TAHSINI, SHKENCËTARI DHE DIJEPËRHAPËSI ENCIKLOPEDIST

October 31, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Çdo të bëhej me stërnipat e Skënderbeut, do të shqelmoheshin në errësirën e historisë, apo do të ringriheshin me një forcë të re? Rrotull tyre të tjerët me kohë kishin hartuar planet për t’i gllabëruar? Osirisi egjiptian në pranverën e lulëzuar ringjallej, a do të ecnin ata në gjurmët e tij? Këto ishin pyetjet që koha shtronte atëherë përpara elitës shqiptare. Hasan Tahsini ka meritën e pashlyeshme se në zemrën e Perandorisë turke, ndoshta më parë se të tjerët e kuptoi se një popull përpara se të fitojë pavarësinë, duhet të jetë i pasur me ndërgjegje, pa të cilën asnjë ndjenjë lirie nuk zgjohet dhe pa të cilën nuk ka atdhe. “Tahsini nuk e pranoi kurrë parrullën perandorake romake “Ubi bene, ibi patria”, parrullë sipas së cilës pasuria njehësohet me atdheun. Përkundrazi, dashurinë për atdheun ai e konsideron si dashurinë më të vërtetë, sado i varfër të jetë atdheu”. Si shkencëtar dhe dijepërhapës enciklopedist, Tahsini është një figurë që edhe sot, pas 200 vjetësh nuk është përsëdytur, në përmasa të tilla, në historinë e kulturës shqiptare. I formuar fillimisht si hoxhë, me dije dhe kulturë islame lindore, mbiformohet me dijet dhe shkencat perëndimore europiane, pikërisht, në Universitetin e Sorbonës, në Paris të Francës, një nga universitetet më të përparuar e më të njohur të kohës, duke punuar disa vjet në Observatorin e vëzhgimeve të kozmosit, veprat e tij, «Historia e qenies ose e krijimits, ndër dijet më të vështira, të abstraksioneve më të lartë, «Sekretet e ujit dhe të ajrits apo «Psikologjia», të gjetura, dhe të tjera të humbura, janë përpunime dhe përhapje e dijeve filozofike, shkencave të natyrës, tëmatematikës, astronomies apo psikologjisë, në gjirin lindor të Perandorisë Osmane. «Ndër ne, ka shkruar Sami Frashëri, gjenden dijetarë në lëmin e dijeve antike dhe në lëmin e dijeve të reja, po nuk gjenden njerëz që të zotërojnë së bashku këto dy grupe, janë shumë të paktë. Hoxhë Tahsini është në krye të këtyre dijetarëve të rrallë. Ai, përveçse zotëronte së bashku dijet edhe shkencat e këtyre dy grupeve, po nuk kishte as shembëllim. Prandaj unë besoj se njerëzit tanë të ditur, intelektualët, nuk do të preken kur do të mëtojnë që në atdheun tonë në këtë qindvjeçar titullin «savant», i ditur, nuk e meriton askush tjetër, përveç Hasan Tabsinif.

MES SHKOLLAVE TË LINDJES ME ATO TË PERËNDIMIT

I ndodhur në pikën kohore nyje të afrimit të shkollave të Lindjes me ato të Perëndimit, Hasan Tahsini nisi të gjejë përbërësit plotësues dhe të përpunojë ndërkomunikimin mes tyre, duke i ngritur vlerat e secilës në rrafshin universal. Përpjekjet për t’i afruar dhe ndërfutur, integruar këto dy kultura, e zgjerojnë mjaft përmasënuniversale me një lëndë të thellë humanizmi mbarënjerëzor. Në shtator të vitit 1869, Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi, bashkëpunëtorët që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes, si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë, janë dëshmia më e qartë e nivelit dhe thelbit të tij dije-përhapës illuminist. Për këtë arsye, Hasan Tahsini është nga ata heronjtë e mendimit, që ngjan si dy pika uji sa me dijetarët arabë të mesjetës, ashtu dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit të vet. Aq më tepër që ai ka qenë doktor në jurisprudencën islame, por zotëronte njëherësh edhe dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. Pra, një pinjoll i Lindjes, që priret kah mendësisë së Perëndimit, me qasjen e vet origjinale intelektuale ndaj kësaj kulture. Shekulli XIX në Ballkan është shekulli i kombeve dhe kombi shqiptar kishte nevojë për udhëheqje të virtytshme, për karaktere të fuqishëm. Traditat e vendit, rrethanat ku ai gjendej dhe “dritat” franceze që kishin filluar të depërtonin edhe në perandorinë osmane, mendjes së tij i bënin thirrje për të shqelmuar mendësinë e vjetër. Në Paris, mbi dhjetë vjet me vullnetin e tij të çeliktë, ai u bë përçuesi i vetëdijes së barazisë, lirisë dhe drejtësisë, duke mbetur fare mirë fetar, por aspak fanatik banal. Këtu ai arriti në përfundimin se fetë venë e vijnë, por kombet mbeten. E përsiatur me gjëndjen shqiptare, ky parim, sipas tij, paraqitej si një epërsi e tyre karshi fqinjëve, për të cilët feja ishte edhe kombësi, ndërkohë që për shqiptarët, megjithëse analfabetë, feja kishte mbetur vetjake, kombi i tyre ishte mbi gjithçka. Vetë historia e feve dhe studimi i “Dritave” e kishte bindur rilindasin tonë që të përqafonte Deizmin, botëkuptimin filozofik sipas të cilit Perëndia pasi ka krijuar botën nuk pranon më të ndërhyjë në punët e saj, natyrë apo shoqëri, pasi ajo i ka hartuar njëherë e mirë ligjet themelore, me të tjerat le të merren vetë njerëzit. Kjo rrymë filozofike shigjetat i drejtonte kundër monarkisë absolute, bartësit e të cilit nuk pushonin së thirruri edhe me shkrim se zanafilla e tyre i përkiste hyjnive dhe jo majmunëve, siç ngjiste me njerëzit e djersës, turq, shqiptarë, kaurë heretikë. Deizmi theksonte se shoqëria njerëzore, herë pas here, ka nevojë për ligje, të domosdoshme për shkak të vetë kërkesave objektive të saj, të realizuara me ndihmën e arsyes, e vetmja perëndi mbi tokë. I ndihmuar kështu nga kjo filozofi dhe nga shkenca, Tahsini u shndërrua në tolerant dhe iluminist largpamës. Në këtë pikëpamje, s’do të qe keq të shtojmë edhe idenë e Nolit, që besonte se në lëvizjen kombëtare shqiptare prijësin ideologjik do ta bëjë iluminizmi francez, i cili përqafoi teorinë dhe praktikën e një shteti të bazuar në një kombësi me kulturë dhe gjuhë të përbashkët, jo me një fe dhe mbret absolut. Nisur nga ky përcaktim, Tahsini do të qe i pari prej aradhës së iluministëve shqiptarë që do të ndriçonin Rilindjen. Por ajo çka e dallon mendimin e këtij autori është se ai ishte mëse i vetëdijshëm se vetëm virtyti i kthente Heraklinjtë mitologjikë në historikë. Virtyti e shtyn njeriun që e mëshiron të dëshirojë cka është historikisht e domosdoshme, e ti largohet cdo aventure. Pa virtyt nuk ka veprim moral, virtyti është fuqi, solidaritet, është themeli i bukurisë dhe madhështisë.

VIRTYTI ËSHTË AFTËSIA NJERËZORE PËR TË BËRË TË MIRËN

Po ç’kuptonte ai vallë me virtyt, një nocion aq i debatuar që në lashtësi. Për të virtyti është aftësia njerëzore për të bërë të mirën dhe për të luftuar ligësinë, është trimëria, çiltërsia, burrëria, ndershmëria, dashuria për çështje sublime, siç është ajo e atdheut. “Mehdi Frashëri na tregon se Tahsini ishte i pajisur me të gjitha këto cilësi. Kjo e bindte të mos shqetësohej për tradhëtinë e mendjeve të ulëta, ai mbështetej në kurajën qytetare, morale, një virtyt që e mposht gjithmonë poshtërsinë. Nëpërmjet kulturës që ua transmetonte edhe të tjerëve me jetën plot nivel njerëzor që bënte dhe për moralin që mëshironte Hasan Tahsini u kthye në një ideal shpirtëror për popullin e vet”. (306) Sipas Hegelit, “virtyti qëndron në substancën shpirtërore të një populli, pasuri e veçantë drejt qytetërimit, por edhe të çdo individi që i vë detyrë vetes arritjen e një ideali jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ecur drejt qytetërimit.” (307) Ky aspekt i qytetërimit është kontributi më i madh që mendimi erudit i këtij rilindasi dha në qerthullin iluminist të Rilindjes kombëtare. Vetëm një mendje e shëndoshë humaniste, plot pasion për të parë qytetërimin në vendin e vet mund të sillej kështu në ato kohë të egra për çdo iluminist që shkruante dhe rronte në zemër të osmanizmit. Kjo trajektore mendimi që nis me Tahsinin gjen një pikë tjetër mbështetje në rrethin e klerikëve myslimanë me “Fe rrëfenjësen” e Said Najdenit (Hoxhë Vokës), shkruar në vitin 1900. Nga titulli duket se ky libërth është shkruar vetëm në funksion të fesë, por nga përmbajtja ndihen fort themelet e çështjes kombëtare. Si deist i mirëfilltë, autori nënvizon se pavarësisht se Zoti është i madh, dëshira e tij është që njeriu të mos presë gjithçka prej tij. Shqiptari i vërtetë duhet të djerësitet për atdheun e vet. Njerëzit njihen nga puna me vlerën që kryejnë, ajo i gllabëron dhe i nderon ata. “Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës Veriore”, pyet ai, “kanë shkuar me shpejtësi kaq përpara? Vetëm se qytetarët e tyre kanë djersitur dhe nuk kanë nderë dorën për të lypur. Ndryshe nuk mund të ktheheshin nga një tokë e egër në pjellorë e të lulëzuar” (308). Ai thekson se atdheu i tij nuk ka nevojë vetëm për fe, por edhe për përparimin e gjithanshëm material të lidhur me diturinë. Të gjitha ata që mendojnë se dituria është kundër fesë janë armiq të këqinj të këtij vendi. Nga dituria vetëm e mira vjen. Një vend i begatë materialisht dhe shpirtërisht u përgjigjet armiqve po me ato armë. “Lëkurëkuqët amerikanë u mundën sepse jetonin në epokën e gurit, ndërsa kundërshtarët e tyre, në atë të armëve të zjarrit e të topave”. Sait Najdeni mendonte se Atdheu dhe njeriu është mbi gjithçka. Si islamın ashtu dhe krishtërimin, ai i shikonte si besime që domosdo i zbusin njerëzit, i bëjnë të ndershëm, modestë e të sjellshëm. Sipas tij, njeriu ka nevojë edhe për një pedagogji morale tjetër, sepse kujdesjet e familjes dhe të shtetit nuk mjaftojnë.

BESIMI I VËRTETË FETAR ÇON NË RINGJALLJE TË THELLË SHPIRTËRORE

Besimi i vërtetë fetar çon në ringjallje të thellë shpirtërore, në të mirë të virtyteve qytetare e kombëtare. Njeriu nuk mund të jetë fetar dhe egoist njëkohësisht. Fanatizmi fetar apo laik përdhos gjithcka. Një komb mund të dalë fitimtar për një kohë, por vetëm virtytet e mbajnë gjallë përgjithnjë. Po të sjellim në vëmendje kohën në të cilën shkruante, vepronte dhe predikonte, ky dibran që jetoi vetëm 39 vjet, do ta vlerësojmë akoma dhe më tepër origjinalitetin e mendimit të tij. Një tjetër përbërës madhor i këtij qerthulli iluminizmi, në mos më i madhi dhe më kontribuesi, ishte Sami Frashëri. E kjo nuk duhet parë vetëm në veprën e tij manifest të vitit 1899, në atë program sintetik, në atë strategji dhe taktikë të lëvizjes kombëtare të kohës, siç është “Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet” por shumë më parë, në “Fjalorin e shkencave” (Kumus al’Alarm) ose ndryshe “Enciklopedia e Gjeografisë dhe historisë”, të botuar midis viteve 1889-1895, një vepër goxha e vëllimshme me 4830 faqe, për të cilën ai punoi intensivisht për plot 12 vite e për të cilën mund të quhet me plot të drejtë “Volteri shqiptar”. Nëse bëjmë një shqyrtim të përshkrimit të termave të këtij fjalori, do të gjejmë se ai është bazuar në kulturën e tij erudite, por edhe se është ndikuar shumë nga iluminizmi francez. Sipas mendjes së Samiut, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset, qytetërimi ka ecur pa u ndalur dhe shoqëria që nuk i përshtatet këtij përparimi të përgjithshëm mbetet prapa, ndërkohë që shoqëritë e tjera përparojnë dhe të shkosh përpara do të thotë t’i afrohesh të vërtetës e lumturisë. Ai vëren me forcë se pasuria, idetë morale dhe shpirtërore, mund të realizohen vetëm me arsim. Aludimi për atdheun e vet është i qartë, ndaj ai shton: “Një komb për të shpëtuar nga prapambetja, nuk duhet të kënaqet nga gjendja e tanishme, por duhet të përpiqet gjithmonë të përparojë”. (309) Nga ana tjetër, zhvillimin e qytetërimit dhe të shkencave ai e lidh ngushtë me luftën politike dhe shoqërore të një populli. Fitorja e kësaj lufte i hap më pas rrugë të reja zhvillimit të mëtejshëm të qytetërimit. P.sh. duke trajtuar qytetërimin e lashtë grek, ai shpjegon se për të rëndësi vendimtare pati lufta për demokraci dhe republikë. Ajo e bëri Athinën mesin e botës së qytetëruar të asaj kohe. Në mënyrë të veçantë iluministi shqiptar jep edhe ndryshimin midis qytetërimit grek dhe atij të lashtë lindor. “Filozofët grekë e qëruan diturinë nga pallavrat e besës së asaj kohe… qe i pari Thalesi ai që e shqeu cipën e besës që mbulonte urtësinë, duke e treguar atë ashtu të bukur e lakuriqe siç është në të vërtetë”. (310) Pohim ky krejt i kthjellët, të cilin vetëm një iluminist i madh mund ta shprehte kaq shkoqur. Si kudo, edhe në Greqinë e asaj kohe, forca penguese ishte fanatizmi. Ai e kishte të qartë se fanatizmi, pavarësisht nga format që merr, laike apo fetare, si në lashtësi ashtu dhe në ditët tona, ishte përpjekur të gjykonte për të tashmen me syrin e së kaluarës. Megjithatë, sipas mendimit të prerë të Samiur ” urtësia nuk mbytej, por sa vinte e shtohej”. Ky mendim mbi rolin negative të fanatizmit në zhvillimin e qytetërimit botëror është tepër i ngjashëm me parrullën e Volterit “Ecrasez l’infame”. Këtë problem iluministët e zgjidhën duke qenë të bindur se po bënin një revolucion në mendjet e njerëzve të epokës ku jetonin. Këtë shpresë kishte dhe Sami Frashëri për të ardhmen e popullit të vet.

QYTETËRIMI

Sipas tij, qytetërimi e ka arritur kulmin e vet me filozofinë franceze të shekullit XVIII. “Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme dhe e pavdekur, lum ata kombe që janë ndritur e përparojnë të ngrihen në këtë qytetëri. Ky qytetërim është pa anë e pa fund, ai shtohet çdo orë e çdo ditë, e do të mbulojë gjithë dheun e do të ndricojë gjithë kombet e dheut”. Po kaq i drejtë është koncepti i tij edhe për burimin e qytetërimit, të cilin nuk e gjen kryesisht te klasat e larta, porte punonjësit, te produkti i tyre dhe tek intelektualët krijonjës. “Ai gjeti për të parën herë qysh mbillet e korret gruri, qysh tirret leshi, etj. Punonjësit krijues vunë gurin e parë të qytetërimit, që atëherë e tëhu qytetaria ka vajtur gjithnjë përpara, herë me vrap e herë ngadalë”. (312) Mendim ky identik me atë të Volterit, i cili shkruan: “Janë dashur të ekzistojnë farkëtarët, karpentierët, muratorët, bujqit, para se të ekzistonte një njeri që të kishte kohë për t’u marrë me mendime të thella d.m.th filozofi, shkencë, art, etj.” I goditur është edhe përcaktimi i qytetërimit si një mënyrë jetese e njeriut, dhe kjo jo vetëm në kuptimin shpirtëror, por edhe material. Ai me të drejtë nuk quan kulturë vetëm lëndët shoqërore dhe artistike, por edhe ato teknike. Në artikullin Qytetaria ai përshëndet industrializimin kapitalist si një dukuri që do t’i sjellë të mira njerëzimit. Madje, shpjegon se “rruga e zhvillimit kapitalist evropian dhe amerikan ishte për të shumë më e leverdisshme nga pikëpamja e zhvillimit të pandërprerë të qytetërimit, se sa ajo e feudalizmit ushtarak osman”. (Marrë nga libri i autorit: “Histori e Mendimit Shqiptar”)

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT