• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKADEMIA SHQIPTARE  NË FAVOR TË AVANCIMIT TË STATUSIT TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI TË VERIUT 

October 24, 2024 by s p

Gjatë muajit korrik në Maqedoninë e Veriut, për opinionin shqiptarë është me interes  iniciativa,  nga ana e VLEN, për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencës dhe të Arteve. Nuk është befasi se një  ide e tillë nuk është  pritur mirë nga subjektët politike maqedonase, por,është për të habitur animoziteti në mes shqiptarëve në raportët e tyre pozitë-opozitë, duke harruar së avancimi i pozitës dhe statusit të shqiptarëve duhet të jetë çështje parësore e jo interesat personale e partiake. 

Nail  Draga

Si më parë dhe tash kur kemi të bëjmë me çështjet e avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të parët të cilët reagojnë pas subjekteve politike janë  akademikët maqedonas me animozitetin e tyre kundër shqiptarëve, sepse institucionin e Akademisë e kanë trajtuar si pronë ekskluzive të tyre, duke margjinalizuar shqiptarët, e madje hapur duke i fyer  sikurse ishte botimi i enciklopedisë.

Ndonëse edhe me herët kanë ekzituar ide, por gjatë verës, në muajin korrik  opinionit iu prezantua  iniciativa  nga VLEN për krijimin e  Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art, si kundër përgjigje ndaj diskriminimit të vazhdueshëm dhe të  papërfaqësimit të shqiptarëve në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të RMV.  

Do të themelohet Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV 

Pikërisht në lidhje me këtë çështje  zëvendëskryeministri Izet Mexhiti përmes një statusi në faqen e tij në Facebook ka shkruar  se po jetësohet ideja për krijimin dhe institucionalizimi i Akademisë  së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut. Madje ai cekën se ky institucion fillimisht do të financohet nga komunat, e më pas, do të punojmë drejt sigurimit të mbështetjes shtetërore, duke e bërë këtë Akademi një institucion të qëndrueshëm dhe të financuar në mënyrë të duhur. Ne besojmë fuqimisht se Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art do të shërbejë si një pikë referimi për të gjithë ata që aspirojnë të përparojnë në këto fusha dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar mes tjerash Mexhiti.

BDI  është kundër  Akademisë shqiptare 

Ndonëse kemi të bëjmë me një iniciativë e cila duhet të mbeshtetet  nga të gjithë shqiptarët, ndodhi e kundërta, sepse kundër ishin nga partia politike e BDI-së. Madje nga BDI këtë deklaratë e kanë quajtur si skandaloze pasi me idenë që e paraqet VLEN-i kjo Akademi mund të llogaritet si institucion lagjesh, por jo dinjitoz për intelektualët shqiptarë.

Në sajë të deklaratës nga ana e BDI-së thuhet se “ndodhi edhe kjo në vazhdën e serialit “një skandal në ditë” të vazalëve dhe shërbëtorëve të VMRO-së në rolin e poshtëruesve të popullit shqiptar, si pjesëmarrës jolegjitim, pa vullnetin e popullit, në qeverinë monoetnike. Për 30 ditë, na kthyen prapa për 30 vjet! Në përpjekje për të shfaqur ndonjë rezultat dhe për ta ndaluar rënien e lirë që po poshtëron kombin, VLEN paska “themeluar” “AKADEMINË” e shkencave dhe arteve e cila do të finansohet, imagjinoni, nga Komunat, rast i vetëm në botë, një akademi mahallash. Kështu ndodhi me Muzeun e Lirisë, Teatrin për fëmijë dhe me dhjetëra improvizime tjera komunale që shërbyen për të hedhur hi syve. Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më tëpër akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me “idenë e madhe komunale” që poshtërson akoma më tepër shqiptarët” thuhet në reagimin e BDI-së.

Anomiziteti brenda shqiptarëve

Nga një reagim i tillë nga ana e BDI-së, del qartë se në skenë është  animoziteti  ndaj inicuesve dhe atyre qe mbeshtesin ate,  në rastin konkret ndaj kokurrentëve politik(VLEN), të cilët tash janë  në raporte të kundërta në skenën politike në Maqedoni të Veriut. 

Në kontekst të tyre raportëve zëvendëskryeministri, Arben Fetai, duke nxjerrë një fakt nga“ Instituti për politika publike Arben Xhaferi“, ka shtuar se nga BDI nuk duhet ta kundërshtojnë idenë por të kërkojnë falje për të bëmat e tyre famkeqe.

“Për 22 vite qeverisje të BDI-së, në Akademinë e Shkencave është punësuar një shqiptar, nga gjithsej 63 të punësuar (numrat e vitit 2022). Ky institucion që paguhet nga taksat tona nxorri enciklopedinë famëkeqe që fyu tërë kombin shqiptar, poashtu gjatë qeverisjes së BDI-së.  Të njëjtit e paskan sulmuar nismën e Koalicionit VLEN për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art. Sikur të kishin një trohë fytyrë, këta do kërkonin falje për veprat e tyre dhe do heshtnin edhe për 22 vite tjera”, ka shkruar Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të mirë.

Megjithatë, sipas koalicionit VLEN Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Arte do të fokusohet ekskluzivisht në shkencë, art, duke shmangur përfshirjen e politikës. Objektivi, sic thuhet, është të krijohet një mjedis ku shkenca dhe arti mund të lulëzojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Pushteti me qasje unitariste 

Nga ana tjetër nga  VMRO-DPMNE janë deklaruar se në RMV nuk duhet të ketë akademi tjetër të shkencave përpos ASHAMV. Madje  kryetari i kësaj partie, njëherë edhe kryeministër, Hristijan Mickoski thotë se nuk duhet të mendohet për ndarje, por për bashkim. Një qendrim i tillë nuk është befasi sepse ndaj shqiptarëve vazhdon sindromi i kohës së monizmit edhe tash në pluralizëm, nga del se janë kundër institucionëve  që avancojnë pozitën e shqiptarëve në këtë mjedis.

Akademia Shqiptare në favor të identitetit kombëtar

Shqiptarët në MV kanë kapacitete kadrovike, profile e profesioneve të ndryshme që janë dëshmuar me tituj e botime të ndryshme me vlera shkencore e kulturore. Ata mund të përbëjnë një akademi model edhe për të tjerët si në MV por edhe në regjion.

Pikërisht duke pasur kapacitete  të tilla ata e  meritojnë  akademinë  autonome sepse janë përbuzur nga akademia maqedonase. Më sa jemi të informuar aktualisht në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve në MV janë katër shqiptarë, edhe pse e kanë merituar të jenë edhe disa tjerë. Por, maqedonasit  Akademinë nga themelimi i saj(1967) e kanë trajtuar  si subjekt i tyre, ndërsa  shqiptarët aty ishin të huj  apo të padëshiruar. Duke pasur një qasje  dhe animozitet  të tillë në vazhdimësi, iniciativa për themelimin  e Akademisë Shqiptare është i arsyeshëm, andaj duhet  angazhim serioz me individë të përkushtuar dhe të guximshëm për realizimin e një nisme të tillë, e cila është në favor të avancimit të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Mungon  Libri Shkollor në shqip

Pas luftës në vitin 2001, në Maqedoni të Veriut,  shqiptarët u bënë pjesë e qeverisë, ku ka qenë kohë e mjaftueshme për angazhimin konkret sidomos në fushën e arsimit, po për fat të keq nuk është treguar kujdesi i duhur, që nuk mund të arsyetohet me asgjë. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe të dhënën   se në disa mandate ministri i arsimit ka qënë shqiptar, por ka munguar angazhimi konkret në këtë dejtim. 

Andaj, nuk është për t´u çuditur se programet mësimore e tekset shkollore, janë të imponuar për shqiptarët si  në kohën e monizmit. Në veçanti kemi të bëjmë me lëndet e identitetit kombetarë siç janë historia, gjeografia e kultura muzikore, që dëshmohet  në mënyrë transparente përmes teksteve shkollore që janë në përdorim në shkollat më mësim në gjuhën shqipe. 

Andaj si zgjidhje nga kjo situatë shqiptarët duhet të inicojnë themelimin e Entit të Teksteve dhe të Mjetëve Mësimore në Shqip, përkatësisht Libri Shkollor,  i cili do të përgatiste programet mësimore dhe tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë, e jo si tash që janë nën çdo nivel dhe diskriminuese për shqiptarët. 

Çdo neglizhencë ne këtë drejtim nga partitë politike të shqiptarëve  e sidomos të atyre që janë pjesë e qeverisë  nuk mund të arsyetohet me asgjë, andaj duhet angazhim konkret me kuadra  profesionale të dëshmuara  dhe të guximshëm, duke qenë në favor të barazisë qytetare e nacionale dhe  të  avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve ne Maqedoninë e Veriut.

(Tetor  2024)

Filed Under: Analiza

𝗦𝗵𝘁𝗲̈𝗽𝗶𝗮 𝗲 𝗕𝗮𝗿𝗱𝗵𝗲̈, 𝗪𝗮𝘀𝗵𝗶𝗻𝗴𝘁𝗼𝗻 𝗗.𝗖., 𝗠𝗮𝘀𝗼𝗻𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗠𝗲𝗻𝗱𝗲̈𝘀𝗶𝗮 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻𝗲

October 23, 2024 by s p

𝗗𝗿. 𝗕𝗹𝗲𝗱𝗮𝗿 𝗞𝘂𝗿𝘁𝗶

(𝗔𝗹𝘂𝗺𝗻𝗶 𝗶 𝗗𝗲𝗽𝗮𝗿𝘁𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲̈ 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁)/

Në këtë ditë, më 13 tetor 1792 u vendos guri i themelit për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, e titulluar në fillim si Vila Ekzekutive ose Godina Presidenciale. Arkitekti i përzgjedhur ishte James Hoban, amerikan me origjinë irlandeze. Punëtorët ishin skllevër vendas, të cilëve më vonë iu bashkuan gurgdhendës të aftë nga Edinburgu, Skoci.

Presidenti i parë, George Washington nuk jetoi kurrë në Shtëpinë e Bardhë por ishte John Adams, presidenti i dytë (1797-1801), ai që u zhvendos në rezidencën presidenciale ende të papërfunduar. Në një letër drejtuar bashkëshortes së tij Adams shkroi:

“Lutem që Zoti t’i japë bekimet më të mira kësaj shtëpie dhe kujtdo që do të banojë në të. Askush, përveç Njerëzve të Ndershëm dhe të Urtë, mos drejtoftë kurrë nën këtë çati.”

Dekada më vonë, me insistimin e Presidentit Franklin Roosevelt (1933–45), ky citat u gdhend në oxhakun e dhomës zyrtare të ngrënies poshtë portretit të Abraham Lincoln.

Pavarërisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C. dhe në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që zgjodhi tokën dhe mbikëqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan. Në të gjendet përzierja më mistike e mundshme e simboleve pagane, deiste, iluministe, masonike dhe të krishtera, të cilat, parë nga sytë amatorë, nuk shpalosen si një buqetë e larmishme e harmonisë shoqërore por si një konflikt.

Sipas shumë spekullimeve, këto simbole flasin qartë që babai i këtij shteti duket se ishte pionier i riteve pagane dhe simbolikave universale, deiste dhe humaniste, të cilat fshihen në hijen e simbolit të kryqit të etërve të kombit amerikan. George Washington ishte deist dhe mason e ka ngritur shumë spekullime por e vërteta e urbanistikës së Washington D.C., është ndryshe

Sipas teoricienëve konspirativë, ndërtesat dëshmojnë për frymën iluministe dhe masonike, por në fakt, pothuajse çdo ndërtesë publike e kryeqytetit mori inspirimin nga arkitektura egjiptiane, greke, romake, dhe ajo e Rilindjes. Arkitektët e parë të Washington D.C. ishin William Thornton dhe Benjamin Latrobe, të dy të zgjedhur nga Thomas Jefferson. Latrobe ishte mason, aë do të thotë ndërtues, dhe ai i dha natyrën joniane, dorike, dhe korintase elementeve të ndërtesave publike të Washington D.C., të cilat, si “urdhra arkitektonikë” përfaqësojnë mençuri, forcë, dhe bukuri.

Pentagrami (Ylli me pesë cepa) në rrugët e Pentagonit, linja stelare e ndërtesave qeveritare, monumenti i George Washington, etj., janë bërë prej kohësh objekt diskutimi mbi domethënien masonike, por e vërteta është se urbanistika e Washington D.C. është thjesht gjeometri dhe gjeometria konsiderohet si standardi më i lartë i dijes njerëzore. Aftësia për të konvertuar plane të skicuara nga letra në objekte reale betoni dhe tulle ndër shekuj është konsideruar një akt hyjnor në rregullin e universit.

Washington D.C., e ka të pëcaktuar në kushtetutë sipërfaqen e vet. Neni 1, Paragrafi 8 i Kushtetutës së SHBA siguron të drejtën e një territori që nuk kalon dhjetë milje katrorë për të shërbyer si vendi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. District of Columbia u emërua nga një komitet i ngritur nga Presidenti Washington në vitin 1791. “Columbia” është version femëror i mbiemrit të Cristopher Columbus, i idealizuar si një nga etërit hero nga amerikanët e shekullit të tetëmbëdhjetë. Më datë 12 tetor 1792, 300-vjetori i mbërritjes së Colombus në kontinentin e ri, u festua dita e parë e Ditës së Colombus. Një ditë më pas, më 13 tetor, u zhvillua ceremonia e vënies së gurit të parë për Shtëpinë e Bardhë. Kjo datë ishte 485-vjetori i arrestimit të Templarëve në Francë ndaj edhe janë ngritur shumë spekullime, sikurse edhe shumë të tjera, si për shembull viti 1776 i pavarësisënsë SHBA që gjoja përkon me krijimin e ilumintatit në po atë vit, e gabime të tjera historike të pabazuara por të shpërndara masivisht nga librat fiction të shekullit të 20-të.

Washington D.C., është i vetmi qytet në botë që ka rrugë me kthesa 108 gradë. Këndi 108 gradë është elementi që zbulon prezencën e pentagonëve dhe pentagrameve në një dizenjo të caktuar. Kjo ka shkaktuar trillime mbi simbole masonike dhe satanike, por e vërteta është se format janë përshtatur me hapësirën e kufizuar prej dhjetë miljesh katrorë.

Duke marrë parasysh nivelet e thella të simbolizmit, shihet qartë një ndërthurje e kulturave botërore dhe dijes epokale njerëzore. Washington D.C. është një mikro replikë e qendrave më të hershme urbane të Mesopotamisë, luginën e Nilit, Indet, Lumin e Verdhë, Azia Juglindore, Amerika Qendrore, Afrika Perëndimore, Athina, Roma, Firenze, etj.

Këto vende të lashta zbulojnë lidhjen e ndërtuesve të tyre me vendndodhjen e qytetit, orientimin në të katër drejtimet kardinale, elementet qendrore monumentale si tempujt, pallatet, piramidat, altarët dhe bulevardet e kortezhit të cilat i lidhnin këto vende me pushtetin. Projektimi i këtyre ansambleve tregojnë një dëshirë për të shpallur lidhjen midis forcave hyjnore dhe sunduesve të këtyre qyteteve, midis botës së mësipërme dhe qytetin mbretëror në tokë.

Etërit amerikanë ishin njerëz poliglotë, me një dije të gjithanshme të thelluar e me qasje universale. Ata ishin të krishterë, humanistë, iluministë, pasionantë të dijes, kulturës dhe historisë. Gjurmët e botëkuptimit të tyre dallohen edhe te Libraria e Kongresit ku ndërthuren shumë organikisht simbole humaniste, letrare dhe të krishtera. Te njëri afresk, në katin e dytë të murit verior të librarisë është shkruar një varg biblik, marrë nga Proverbat 4:7, “Dituria është gjëja më kryesore në jetë. Ndaj merre diturinë dhe t’i kuptosh të gjitha”. Në po të njëjtin kat gjendet një afresk tjetër, por marrë nga William Shakespeare, Vepra Henri IV, Pjesa II, Akti IV, Skena 7, “Injoranca është mallkimi i Perëndisë, ndërsa dituria na jep krahët që na çojnë për në parajsë”.

Respekti për dijen e lashtë manifestohet edhe në Ndërtesën e Gjykatës Supreme, në të cilën në një nga reliefet është gdhendur Moisiu, Konfuci, filozofi kinez (551-479 para Krishtit) dhe Soloni, ligjvënësi grek (638-558 para Krishtit). Në po këtë relief janë të gdhendur edhe një lepur dhe një breshkë, të cilët nuk janë thjesht për dekorim, por si ilustrim i një nga fabulave të Esopit, Lepuri dhe Breshka, e cila si moral ka që ligjet nuk duhen bërë me shpejtësi, por me durim.

Ekziston një mit i përhapur ndërkombëtarisht se masoneria kontrollon SHBA, e mbarë botën. Por, faktet tregojnë të kundërtën.

Më 5 janar 2007, Kongresi Amerikan, miratoi një rezolutë, e njohur si Rezoluta 33, e cila, pranon kontributin e masonerisë në krijimin e shtetit amerikan. Kjo rezolutë, e miratuar në ditët e para të vitit, por 230 më vonë pas krijimit të SHBA, dëshmon se ajo nuk ka qenë kurrë në qendër të meritave historike dhe për më shumë se dy shekuj ka qenë e humbur në betejën me Krishterimin dhe patriotizmin amerikan në tërësi. Dikush mund të spekullojë me numrin e Rezolutës, pra 33, si shkalla mjeshtërore masonike, por të krishterët mund të argumentojnë se përkon me vitet e moshës së Krishtit kur u kryqëzua, etj, e kësisoj nuk merret për bazë.

Në Rezolutën 33 shkruhet: Kjo rezolutë njeh me mijëra Masonë në çdo shtet të këtij Kombi dhe i nderon ata për kontributet e tyre të shumta që kanë dhënë për kombin gjatë gjithë historisë sonë. Vëllazëria Masonike meriton një njohje formale të historisë së saj të gjatë në përkujdesjen që kanë dhënë për qytetarinë dhe shembullin e tyre të standardeve të larta morale; dhe Freemason-ët kanë respektuar dhe festuar gjithmonë Ditën e Shën Gjonit, 24 qershorin, si dedikim për shenjtorin e tyre mbrojtës.

Ky tekst i dëshpëruar për t’u bërë pjesë e historisë nuk i shkon për shtat një miti që sundon botën. Masoneria dhe Deizmi, të rrethuara me frymën patriotike amerikane të kohës, dhanë impaktin e tyre gjatë luftës për pavarësi ashtu siç e dhanë edhe shumë grupime të tjera politike, fetare dhe patriotike, dhe asgjë më shumë. Ato ishin tranzitore, pa devijuar aspak identitetin amerikan dhe mbi të gjitha për të mos pasur asnjë ndikim kontrolli as mbi popullin e SHBA dhe as të popujve të tjerë të botës.

Ajo që e dallon amerikën dhe çdo gjë që ka lidhje me të është se është një shtet me përbërje, qeverisje dhe histori unike. Sistemi i shtetit amerikan është unik. Kushtetuta unike. Ofiqi i Presidentit unik. Dhe koncepti i të qënit një Amerikan i Mirë është tërësisht unik, koncept që nuk ekziston në vende të tjera. Ndaj çdo krahasim apo interpretim nga sy e mendje me kombësi tjetër nuk arrin dot t’i përafrohet mendësisë amerikane. Kjo nuk e bën Amerikën më të mirë nga popujt e tjerë, thjesht të ndryshme.

Historia nuk gjykon ajo vetëm kërkon të vërtetën ndër të gjitha hapat që ka ndërmarrë njerëzimi, zgjedhja e njeriut është nëse e kërkon të vërtetën në dritë apo në kthinat e fshehta të errësirës ku nën bukurinë dhe misticizmin e aparencës, nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të zbulosh.

Filed Under: Analiza

Udhëtim në histori e në kohë me veprën e Milan Kunderës

October 22, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Personazhit kryesor të romanit “Shakaja” të Kunderës, Ludovikut, i kushton shumë shtrenjtë një frazë që shkruan në një letër të tij dërguar një shoku, se “Optimizmi është opium për popullin”, pasi menjëherë pas denoncimit të kësaj fraze nga një miku i tij, ai përjashtohet nga universiteti dhe dërgohet në një kamp pune për t’u “riedukuar”. Fraza ishte një parodi e citatit të njohur të Marksit, se “Feja është opium për popullin” dhe vinte në lojë entuziazmin komunist të ndryshimit të situatës kulturore dhe ekonomike në Çekosllovakinë e viteve ’50. Romani “Shakaja” konsiderohet një pasqyrë e totalitarizmit komunist në Çekosllovakinë e asaj kohe dhe për momentin dhe kohën kur u botua, u konsiderua një risi e veçantë, pasi prezantonte në Perëndim se ç’ndodhte mbrapa Perdes së Hekurt. Romani përshkruan atmosferën mbytëse të vitit 1948, vitit kur u instalua totalitarizmi në Çekosllovaki. Dhuna u shpejtua në mënyrë të konsiderueshme me “goditjen e Pragës” në shkurt të vitit 1948, që hapi plotësisht portat e instalimit monopolist të pushtetit të Partisë Komuniste Çekosllovake në jetën politike të Çekosllovakisë. Që në fillim të krizës në shkurt, të provokuar nga dorëheqja e shumicës së ministrave jokomunistë, të cilët pas disa ditësh u burgosën, përveç të tjerëve, sllovaku Jan Ursini, president i Partisë Demokratike dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Gotvaldit u detyrua të jepte dorëheqjen në vjeshtë të vitit 1947. Po ashtu edhe Prokop Drtina, ministri i Drejtësisë, që të dy udhëheqës të rezistencës antifashiste.

Proceset e para të mëdha në Çekosllovaki, krejtësisht të fabrikuara goditën në prill dhe maj të vitit 1948 drejtuesit e Partisë Demokratike Sllovake: 25 veta u dënuan nga 1 deri në 30 vjet burg. Objektivi kryesor i dhunës gjyqësore dhe policore dukej se u vendos që nga ky moment: Kërkohej të goditej “armiku” në ushtri dhe shërbimin e sigurimit, po ashtu dhe udhëheqësit politikë demokratë liberalë ose demokratë socialistë, që deri në shkurt 1948 kishin qënë aleatë, shpesh partizanë shumë të sinqertë të bashkëpunimit me komunistët. Një proces i tillë skandaloz i dhunimit të të drejtave të njeriut është ai i politikanes dhe aktivistes së rezistencës çeke Milada Horakovas. Procesi i Milada Horakovas, që dallohet për shumë arsye: është procesi i parë spektakolar (shprehje e huazuar nga një specialist i madh i dhunës, historiani çek Karel Kaplan), është procesi i parë i përgatitur drejtpërdrejt nga “këshilltarët sovjetikë” drejtues të lartë të shërbimeve speciale, që kishin ardhur të drejtonin. Milada Horáková (née Králová, 25 dhjetor 1901 – 27 qershor 1950) ishte një politikane çeke dhe një anëtare e lëvizjes së rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një viktimë e vrasjes gjyqësore, e dënuar dhe ekzekutuar nga Partia Komuniste Çekosllovake me akuza të trilluara për komplot dhe tradhti. Shumë figura të shquara në Perëndim, përfshirë Albert Einstein, Vincent Auriol dhe Ëinston Churchill, bënë kërkesë për faljen e jetës së saj. Ajo u ekzekutua në burgun Pankrác të Pragës duke përdorur një variant primitiv ekzekutimi: varje. Ajo vdiq pasi u mbyt për më shumë se 13 minuta. Eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë. Dënimi i saj u anulua në 1968. Ajo u rehabilitua plotësisht në vitet 1990 dhe pas vdekjes iu dha Urdhri “Tomáš Garrigue Masaryk” (Klasa I) dhe “Urdhri i Kryqit të Bardhë të Dyfishtë” (Klasa 1) 117 dhunën me ngritjen e një mekanizmi, që më vonë u bë “klasik” (skenar i spektaklit të përgatitur me shumë kujdes, “pohime” të mësuara dhe të recituara, makina e madhe e propagandës të ngritur rreth këtij spektakli etj.) Ky proces shënoi një etapë të rëndësishme në dhunën politike në Europë e, jo vetëm në Europën komuniste: U var, një grua pjesëmarrëse një grua (mjaft e guximshme) që në fillim të pushtimit të Çekosllovakisë në mars 1939, një grua e burgosur për afro 5 vjet nga nazistët, një grua demokrate, një grua që nuk kishte menduar kurrë të luftonte diktaturën komuniste me anë të armëve. Kjo atmosferë mbytëse politike e viteve staliniste në Çekosllovaki u pasqyrua dhe në kulturë dhe letërsi. Paradoksialisht , në vitin 1948 që Kundera përshkruan në ngjarjete romanit, dënimin e Ludovikut, ai vetë pranohet anëtar i Partisë Komuniste Çekosllovake. Por entuziasmi komunist mesa duket iu venit dy vjet më vonë kur në vitin 1950 ai dhe shkrimtari çek Jan Trefulka (1929-2012), u përjashtuan nga partia për shkak “të veprimtarisë antipartiake”. Në vitin 1956, Kundera përsëri u pranua në Partinë Komuniste. Në vitin 1970 për së dyti u përjashtua prej saj.

Destalinizimi i Çekosllovakisë nuk është se përmbysi mendësinë totalitare në Çekosllovaki pas çdo lloj lirie individuale që shkonte ndesh me dogmën dënohej dhe paragjykohej. Romani Shakaja i Kunderës u botua në 1967 duke i paraprirë ngjarjeve të pranverës së Pragës në 1968. Bashkë me artistët dhe me shkrimtarët e tjerë, si dramaturgu çek Vaclav Havel (Václav Havel, 1936-2011), në vitin 1968 edhe Kundera u angazhua në Pranverën e Pragës. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e optimizmit reformist që u shua në gusht të po atij viti me invadimin sovjetik të Çekosllovakisë. Kundera edhe më tej mbeti i angazhuar në reformën e komunizmit çek dhe polemizoi publikisht ashpër, në shtyp, me Havelin, duke thënë se çdokush duhet të jetë i matur për arsye se “ende askënd nuk e burgosin për shkak të mendimit”, ndërsa “pesha e Vjeshtës së Pragës do të mund të ishte më e madhe se pesha e Pranverës së Pragës”. Shtypja brutale e Pranverës së Pragës nga ana e trupave të Traktatit të Varshavës, me Bashkimin Sovjetik në krye dëshmoi se komunizmi tashmë ishte atrofizuar dhe se regjimet monopartiake nuk ishin më të afta për të reformuar vetveten. Me fjalët e sudiusit Tony Judtit, “Iluzioni se komunizmi ishte i reformueshëm, se stalinizmi kishte qenë një kthesë e gabuar, një gabim që ende mund të korrigjohej, se idealet bazë të pluralizmit demokratik mundet në njëfarë mënyre të jenë të pajtueshme me strukturat e kolektivizmit marksist: ky iluzion u shtyp nën zinxhirët e tankeve, më 21 gusht 1968 dhe nuk e mori veten më kurrë. Aleksandër Dubçek dhe Programi i Veprimit i tij nuk qenë fillim, por fund”.

Kundera duket se i parapriu me një vit ngjarjeve të mëdha. Ai u arratis dhe kërkoi azil në Francë në vitin 1975, një vit përpara miratimit të Kartës së Helsinkit më 1976 që me doktrinën e saj mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ndihmoi në farkëtimin e rezistencës antikomuniste në Europën Lindore. Mbi bazën e këtyre lirive të nënshkruara edhe nga shteti çekosllovak u hartua Karta 77, dokumenti bazë i rezistencës antikomuniste në Çekosllovaki. Karta 77 ishte një iniciativë qytetare jozyrtare në Republikën Socialiste të Çekosllovakisë nga viti 1976 deri në 1992, emërtuar pas dokumentit Karta 77 nga janari 1977. Anëtarët themelues dhe arkitektët qenë: Jirí Nimec, Václav Benda, Ladislav Hejdánek, Václav Havel, Jan Patocka, Zdenik Mlynár, Jirí Hájek, Martin Palouš, Pavel Kohout dhe Ladislav Lis. Shqipëria staliniste vazhdoi të ishte e izoluar, duke mos rehabilituar marrëdhëniet me vendet e ish-Bllokut komunist, por edhe duke refuzuar të merrte pjesë në procesin e Helsinkit më 1975- 1976. Në këtë mënyrë, ajo ishte i vetmi vend europian që nuk iu bashkangjit kësaj iniciative për paqen dhe sigurinë në Europë. Frika e regjimit komunist shqiptar për aderimin në prosecin e KSBE-së kishte të bënte me adaptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, çka do të sillte heqjen e dënimit të kundërshtarëve politikë dhe pakësimin e dhunës, që në terminologjinë zyrtare komuniste quhej diktatura e proletariatit. Sipas variantit të komunizmit stalinist, besnik i të cilit qëndroi Enver Hoxha deri në fund të jetës së tij, ndaj të ashtëquajtuarve armiq merren masa shtrënguese, shtypëse, deri në likuidimin fizik.

Për këtë arsye vepra e Kunderës mbeti e panjohur derisa u përkthye në vitet 90’ në shqip , fillimisht nga Mirela Kumbaro dhe në vitet e fundit dhe nga Saverino Pasho. Ajo përcolli për herë të parë te publiku shqiptar groteskun, vetëironinë dhe sarkazmën e prozës së Kunderës duke e njohur me ankthin dhe ngrehinën e memories kolektive dhe totalitarizmit. Leximi i saj ndihmon në dekodifikimin e së shkuarës komuniste por edhe rrëzimin e klisheve postkomuniste mbi rikthimin në mitet e së shkuarës të viteve 30’. Ai zhvilloi një narrativë individuale që prej vendosjes në Francë, pavarësisht faktit që pas rënies së komunizmit vepra e tij nga kritika kryesisht në vënedet ish lindjes komuniste u quajt e tejkaluar. Temat e memories kolektive , përgjegjësisë ndaj së shkuarës, individualitetit dhe lirisë personale janë tema universale dhe Kundera i lëvroi mjeshtërisht duke na lënë një trashëgimi të çmuar letrare.

Burimet:

1- Xhevat Zejneli. Me rastin e vajtjes në amëshim Milan Kundera.

2- Dorian Koçi. Tokat çeke dhe shqiptare. Pikëtakime historike, kulturore dhe diplomatike.

Filed Under: Analiza

Ndërlidhja strategjike e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë

October 21, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Analiza e situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme dhe lidhjet e saj me luftën në Ukrainë na tregon një panoramë të gjerë të një konflikti të ndërlikuar me pasoja globale. Vrasja e fundit e drejtuesit të Hamasit nga ushtria izraelite është pjesë e një strategjie të gjerë të dobësimit të grupeve terroriste të mbështetura nga Irani. Kjo përkrahje e Iranit për grupet terroriste në rajon nuk është e izoluar, por përfaqëson një pjesë të bashkëpunimit më të gjerë strategjik midis Iranit dhe Rusisë për të sfiduar ndikimin perëndimor dhe për të zgjeruar kontrollin e tyre në rajonin arab.

Irani, i nxitur nga Rusia, po përdor këto grupe për të destabilizuar rajonin dhe për të minuar sigurinë e Izraelit, një aleat kyç i Perëndimit. Nga ana tjetër, Izraeli është mbështetur fuqimisht nga Perëndimi, në të njëjtën mënyrë siç Ukraina ka marrë mbështetje për t’i rezistuar pushtimit rus. Këto dy konflikte, ai në Ukrainë dhe ai në Lindjen e Mesme, janë pjesë e të njëjtës përpjekje globale për të ndaluar zgjerimin e ndikimit rus dhe për të mbrojtur interesat strategjike të Perëndimit.

Pushtimi i mundshëm i Gadishullit Arab nga Irani do të kishte pasoja të rënda gjeopolitike. Kjo do t’i jepte Rusisë qasje të lirë në Mesdheun Lindor dhe mundësinë për të kontrolluar ngushticën e Hormuzit dhe kanalin e Suezit, dy rrugë strategjike për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin me energji. Rusia do të ishte në gjendje të diktonte kushte Perëndimit dhe botës për furnizimet me energji dhe mallra, duke minuar në këtë mënyrë stabilitetin ekonomik dhe sigurinë globale.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se dalja e lirë e Rusisë në Oqeanin Indian do të kërcënonte supremacinë detare të SHBA-së, e cila për dekada ka siguruar qarkullimin e lirë dhe të sigurt të tregtisë ndërkombëtare. Kjo e bën konfliktin në Lindjen e Mesme të një rëndësie të veçantë për interesat strategjike të Perëndimit, i cili nuk mund të lejojë që rajoni të bjerë nën ndikimin e Rusisë dhe Iranit.

Zgjatja e konflikteve, si në Ukrainë ashtu edhe në Lindjen e Mesme, është e lidhur drejtpërdrejt me dobësimin gradual të kapaciteteve ushtarake të Rusisë dhe Iranit. Në këtë pikë, vendet arabe kanë një interes të veçantë për t’u çliruar nga ndikimi i Iranit, ndërsa Turqia, si anëtare e NATO-s, po ashtu ka një interes strategjik për të parandaluar që Irani të rritë ndikimin e tij në Gadishullin Arab.

Izraeli, nga ana tjetër, ka ndjekur një politikë të afrimit me vendet arabe dhe Turqinë në përpjekje për të krijuar një front të përbashkët kundër kërcënimeve të përbashkëta. Megjithatë, sulmi i fundit terrorist nga Hamasi ka ngrirë këto përpjekje, duke tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet në rajon.

Në përfundim, dobësimi i Rusisë në Ukrainë dhe dobësimi i Iranit në Lindjen e Mesme përbëjnë një interes të përbashkët për vendet arabe, Turqinë, Izraelin dhe Perëndimin. Përfituesit më të mëdhenj nga një përmbysje e këtij ndikimi do të ishin vetë këto vende, të cilat do të çliroheshin nga rreziku i destabilizimit afatgjatë dhe zgjerimit të Rusisë dhe Iranit në rajon. Prandaj, përfundimi i këtyre dy konflikteve nuk do të vijë deri sa kapacitetet ushtarake të Iranit dhe Rusisë të mos përbëjnë më rrezik për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe Evropës.

Filed Under: Analiza

Vatra Hartford – Connecticut fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar

October 20, 2024 by s p

Vatra Hartford – Connecticut fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT