• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një mendim ushtarak ndryshe”…

July 18, 2024 by s p

Eksperti i sigurisë dhe ushtaraku i lartë z.Asllan Bushati sjell para publikut shqiptaro-amerikan botimin e tij më të fundit në fushën e sigurisë kombëtare “Një mendim ushtarak ndryshe”. Mbi 40 artikuj të shkruar në një hark kohor prej 10 vitesh, botuar në gazetën “Dielli” e media të tjera, paraqesin një kontribut të vyer të një prej ekspertëve me shumë eksperiencë në ushtrinë shqiptare. Autori Bushati sqaron se miqtë që i dhanë shtysë në botimin e librit janë: Armand Vinçani, Bashkim Shehu, Idriz Lamaj, Bujar Verzivolli, Hasan Ademaj, Muharrem Dezhgiu, Fatos Valteri, Lekë Përlleshi etj. Në botimin e këtij libri autori falenderon miqtë e ndjerë: Dalip Greca, Zef Balaj, Gjon Bucaj, Zef Përnocaj, Jonuz Ndreu dhe Musli Mulosmani.

Autori sqaron se baza shkencore dhe publicistike ku janë bazuar citimet në libër janë: Stefan Zanovic (Stephan Zannovich), Prof. Kristo Frashëri, Prof. as. Bernard Zotaj, Dr. Paulin Marku, Uran Butka, Julian Amery, David Smajli etj. Çështja e parë që autori trajton me profesionalizëm në libër është: “Kodi moral i Gjergj Kastriotit- Skënderbeu princi i Matit dhe mbreti i shqiptarëve” pasuar nga shkrimi “Drejtimet nga erdhën pushtuesit osmanë” apo shkrimi “Pjesë nga veprimtaria ushtarake e Lidhjes së Prizrenit” etj. Një vend shumë të rëndësishëm në libër zë çështja e Kosovës, NATO, UÇK, Batalioni “Atlantiku”, lufta në Ukrainë, konflikti Izrael-Hamas, armët bërthamore si katastrofa globale etj. Në shkrimin “Rusia një dashakeqe e përhershme e kombit shqiptar” autori shprehet se Shqipëria nën ombrellën sovjetike erdhi pas prishjes me jugosllavët ku Shqipëria komuniste në çdo segment të jetës u “pushtua” nga sovjetikët. Ata nëpërmjet këshilltarëve të tyre të vendosur pranë çdo posti ushtarak e civil, për dymbëdhjetë vite, drejtuan shtetin shqiptar në funksion të interesave të tyre, sikur të ishte një republikë shtesë e BS-së. Kjo ka lënë gjurmë të rënda në mënyrën e politikëbërje, drejtimin e shtetit, diplomaci, punën e shërbimeve inteligjente, në ushtri, metodën e punës në drejtim e vendim, madje deri në ditët e sotme në Shqipëri, ngulmon autori Bushati. Me punën e tij, rezultatet, përkushtimin, dinjitetin dhe integritetin e lartë në shërbim të atdheut z.Asllan Bushati ka krijuar një emër të nderuar në radhët e drejtuesve më të suksesshëm të ushtrisë shqiptare në të gjitha pozicionet që ka mbajtur me nder e krenari si Drejtor i Kimisë e Armkontrollite Komandant Divizioni etj. Libri “Një mendim ushtarak ndryshe” përbën një kontribut publicistiko-shkencor të rëndësishëm për forcat e armatosura, agjencitë inteligjente dhe katedrat e fushës së sigurisë dhe mbrojtjes. Z.Bushati la pas një trashëgimi të shkëlqyer teksa shërbeu me përkushtim e profesionalizëm për 28 vite si komandues në strukturat e kimisë ushtarake dhe gjithëarmëshe. Kontributi i Asllan Bushatit në Federatën Vatra, gazetën Dielli, Ligën Shqiptaro-Amerikane, Shoqatën Skenderbej dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës meriton respekt dhe mirënjohje.

Sokol Paja

Filed Under: Analiza

Oponencë Euroatlantike ndaj Ligjit Grek të luftës me Republikën e Shqipërisë

July 17, 2024 by s p

Dr. Halil HYSENI/

Temperaturat e ngritura sezonale, 80 – vjetori i Genocidit Çam, aktiviteti i PDIU, e angazhuan Kryesinë e Kuvendit ton Popullor. Konform medias, përfaqësuesit në Kryesi kanë dakortësi për të nxitur Kuvendin drejt një akti, për të katalizuar çështjen e Ligjit Grek të Luftës. Planifikuar për datën 18 korrik 2024. Angazhimi i anëtarëve të Kuvendit, i Kryesisë së tij, i vetë Kuvendit në zgjidhjen e cilitdo problemi që cënon sigurinë e vendit, pengon fqinjësinë e mirë vlen admirim. Vlen të vlerësohet lart. Përfaqësuesve tanë në parlament i bën nder, është në meritë të tyre cilado inisiativë a kërkesë për abrogimin e ligjit të Grek Luftës dhe zhbërjen e pasojave të tij. Angazhimi i deputeteve të PDIU reflekton vlerësimin e merituar nga komuniteti që i mbështet.

Ani pse është pjese e “job description” të parlamentarëve, edhe pse është puna e tyre, e paguar, përkushtimi në çështjet kombëtare, përfshi ato që rrokin Çështjen Çame shënjon dinjitet.

Faqja zyrtare e Kuvendit, në kalendarin e punimeve për periudhën 1 korrik – 26 korrik 2024 ende nuk e pasqyron të planifikuar ndërsa në rubrikën ‘Konferenca e Kryetarëve’ njoftohet për shqyrtimin, më datë 09 korrik 2024, të Projektdeklaratës “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” propozim i Grupit Parlamentare “Demokraci dhe Integrim”.

Ligji i Luftës / Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike” ka tetëdhjet e ca vjet që mbahet në këmbë, me artifica e për interesa. Është edhe për këtë arsye që cilido akt e procedurë që e adreson duhet të jetë e filtruar mirë, pa ekuivoke, me objekt, kërkime e terma të qartë, si ne lëndë ashtu edhe në parashtrim.

‘DEKLARATË’ versus ‘REZOLUTË’

Agjencia telegrafike Shqiptare, pjesmarrës në mbledhjen e Kryesisë, aktorë dhe media, folën per nje “Rezolutë” te Kuvendit, të planifikuar për tu kaluar në Seancën Plenare në datën 18 korrik 2024, ndërkoh zyrtarisht në rubrikën ‘Konferenca e Kryetarëve’ njoftohet për shqyrtim të një Projekt ‘Deklarate’. Në media ofrohet një draft i saj.

Flitet për “Ligjin e luftës”. Pesha e termit, vlera e pasojave të tij, serioziteti i cështjes; implikimi politik e trajtimi juridik nuk e pranon ambiguitetin. Përfaqësuesit e tij duhet të ia thon qartë popullit. Do vendoset për një Rezolut apo do shprehen me një Deklarat. “Deklarata” është tjetër gjë dhe “Rezoluta” është tjetër gjë. “Deklarata” është pohim, “Rezoluta” është vendim. Kuvendi, për rastin, mundet te prodhojë ose Rezolut ose Deklarat por nuk prodhon një akt hemafrodit edhe, edhe. Një akt edhe, edhe është një akt as, as.

Dallimi Rezolut – Deklarat nuk është vetëm leksikor. Dallimi është thelbësor e qëndron në vetë lëndën. Qëndron në pasojat që sjellin. Dallimi mes dy termave është i qartë edhe në faqen zyrtare të Kuvendit. Në Rubrikën “Dokumenta”jo më kot gjendet veç rubrika “Deklarata” dhe veç rubrika “Rezoluta”. Përzierja e tyre, në eter, ambiguiteti i hedhur, ndoshta padashje sjell dëm.

Akti i pritshëm, Rezoluta ose Deklarata për vet natyrën e tij do ti kundrejtohet njëherësh dy auditoreve. I drejtohet publikut dhe institucioneve Shqiptare, do i drejtohet edhe Institucioneve eksperte të palës përballë. Nëse për përdorim të brendshëm adresohemi verbalisht me “Rezolutë” ndërsa institucioneve dhe ekspertizes përballë u përcillet në letër “Deklarate”, është thënë shumçka. Populizëm brenda, vakum për jashtë. Ekspertët dhe jo vetëm ata mbajnë shënim.

Vetë titulli i Projektdeklaratës, i përbërë nga dy fjali të bashkërenditura “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” ngec. Është shtuar një pale e panevojshme dhe uj në përmbajtje.“Heqja e ligjit” është veprim juridik unilateral. Forcimi i bashkëpunimit është veprim bilateral. Përse duhet të kthejm një veprim të pastër unilateral (te palës Greke) në një detyrim të dyanshëm (edhe per ne)? Për ta kushtëzuar ?!.

‘EX NUNC’ versus ‘EX TUNC ’

Projektdeklarata, në titullin e saj kërkon heqjen e Ligjit të luftës. “Heqja”, në kuptimin e saj literal por edhe në kuptimin funksional, brenda konteksit të vetë fjalisë – Titull, nënkupton heqjen = mënjanim e pengesës (ligjit të luftës) për të vijuar më tej, për të mundësuar forcimin e bashkëpunimit. Shkurt, Ligjin e heqim (tani) e të forcojm bashkëpunimin (në vijim). Shkurt, në draft deklaratë, në titull e përmbajtje adresohet shfuqizimi “ex nunc” i Ligjit.

Për të përcaktuar kohështrirjen e fuqisë së një akti, përdoren gjërë dy terma ligjore “ex nunc” që do të thotë ‘nga tani e pas’ dhe ‘ex tunc’ që do të thotë “që nga fillimi” / “që at’herë”.

Mbështetur në të vërtetën historike, në Të Drejtën dhe në interesin tonë kombëtar duhet shprehimisht të kërkohet shfuqizimi ‘Ex Tunc’ i “Ligjit të luftës”. Të shkruhet shprehimisht në akt. Bashkë me shfuqizimin e mundshëm të konsiderohet nul e pavlerë, që nga data e hyrjes së Ligjit në fuqi, edhe aktet, edhe praktikat e krijuara në zbatim të “Ligjit të luftës”.

Nëse mbetemi te shfuqizimi “ex nunc” i “Ligjit të luftës”, efektet nuk shtrihen përpara datës së pritshme të shfuqizimit të vet aktit. Në këtë rast Palës Greke nuk i kërkojm. I dhurojm.

Përmes kërkimit për shfuqizim “ex nunc” të ligjit, Ipso juro pranojme të pavërtetën se përgjat luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte vend armik i Greqisë, e për rrjedhojë vend armik i aleancës fituese, e për pasojë nuk bën pjesë në vendet fituese. E kundërta është fakt i pranuar botërisht, nga vendet aleate fituese të Luftës së Dytë Botërorë. Radhitja me vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore është ndoshta trashëgimia më e vyer që solli lufta Nacional-çlirimtare.

Përmes kërkimit për shfuqizim “ex nunc” të ligjit Ipso juro heqim dorë nga të drejtat, e qytetareve Shqiptar në Republikën Helene, të drejta të humbura prej tyre përgjat qënjes në fuqi të ligjit. Nuk është kjo që duam.

Sa më sipër nuk bëhet teori juridike, Jo. Për paralelizem me vjen përher ne mendje shënjimi i theksuar në Tiranë i Ministrit Kocias se Marrveshja (e Detit) ka fuqi “erga omnes”.

‘LIGJI’ versus ‘LIGJET’

Në Projekt Deklaratën e ofruar nga media, po edhe më herët në veshët e cilitëdo qytetari Shqiptar, kërkesat dhe deklamimet e qeverive dhe politikanëve tanë për shfuqizim të Ligjit të Luftës kan ardhur gjithnjë në njëjës. Gjithmon thuhet Ligji i Luftës. Qytetarit normal i është treguar dhe ka dëgjuar se egziston një Ligj Lufte dhe këtë ligj, shteti Grek e mban ne fuqi sepse nuk do tu’a kthej tokat Çamëve. Për qytetarin më të lëçitur, me Ligjin e Luftës nënkuptohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”.

E vërteta është se nuk është një ligj, nuk jan dy ligje, është një korpus i tërë normash dhe praktikash që e kalçifikojnë gjëndjen e luftës dhe e pa mundësojnë adresimin e Çështjes Çame, përmes shfuqizimit, në njëjës, të Ligjit të Luftës. Edhe pse Ligji i Forcës Nr. 2636 përben gurin themeltar, ustallarët Grek kan krijuar dhe vijojnë të krijojnë një ngrehinë legjislative perfide, e aftë të qëndroje pa u rrëzuar, edhe nëse hiqet guri i themelit, edhe nëse shfuqizohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940.

Në korpusin e normave për Ligj të Luftës mund të përmendim, por pa u kufizuar: Ligjet Nr. 2636 dhe Nr. 2637 të vitit 1940; Ligjet Nr. 45 dhe Nr. 86 të vitit 1945; Ligji Nr.900 i vitit 1946; Dekret Ligjet Nr. 422 i vitit 1947 dhe Nr. 1138 i vitit 1949; Ligji Nr. 4506, i vitit 1965, etj, si edhe mjaft praktika dhe akte nënligjore mbështetur në to e për zbatim të tyre.

Kërkimi i mundshëm për heqjen vetëm të Ligjit Nr.2636 /40 dhe të pasojave juridike që burojnë vetëm nga ky ligj shkon në përfitim të palës Greke.

Nesë një ditë të bukur, Pala Greke, vendos ta shfuqizoj “ex nunc” Ligjin e Luftës (Forcës), Nr. 2636 të vitit 1940, pa e prekur korpusin e normve të lidhur me të, nesë vendos ta shfuqizoj Ligjin por pa i anuluar pasojat negative të korpusit të Ligjeve, at’here, ajo thjesht i bën dhurat vehtes. Ne marrim lugen bosh, ndërsa shteti Grek veç përfitimeve, që padyshim do të kërkoj e do marrë ne këmbim, do t’i heq vetes edhe një ngarkesë negative. Shteti Grek do t’ë çlirohet nga një barrë anti Evropiane, anti NATO, do trumpetojë paqe por do ti ruaj të paprekura përfitimet e “luftës”.

Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa kërkuar shfuqizimin e sejcilës dhe të gjitha normave të lidhura me të është boomerang.

Nuk mund të paragjykojmë, pa lexuar, draftin final që urojmë të miratohet në Kuvend.

Është në nder të Kuvendit që përmes një “Rezolute” ku të kërkohet shfuqizim ‘ex tunc’ i Ligjit të Forcës Nr. 2636 të vitit 1940 dhe ‘tërë kuadrit normativ’ dalë në zbatim dhe plotësim të tij, të përcaktojë waterlinjën, të vejë nën detyrim institucionet shqiptare, si edhe ti përcjellë impulsin e duhur palës përballë. “Deklarimi” për heqjen “ex nunc” të ‘Ligjit “të Luftes” Nr. 2636 të vitit 1940, është koncesion, i radhës.

*ish/Zëvendës Ministri Jashtëm.

Filed Under: Analiza

Trump i shpëton atentatit, God saved America

July 15, 2024 by s p

Koment nga Rafael Floqi/

Një lëvizje e vogël e kokës dhe sot do të flisnim për obituarin e Donald Trump. Deshti zoti e mbrojti atë, deshti Zoti e mbrojti Amerikën .

Në postimin në rrjetin e tij social, ish-presidenti falënderoi gjithashtu “të gjithë për mendimet dhe lutjet tuaja dje, pasi ishte vetëm Zoti që parandaloi të ndodhte e pamendueshmja”.

“Ne NUK do të kemi frikë, por në vend të kësaj mbetemi elastik në besimin tonë dhe sfidues përballë Ligësisë,” tha ai.

Trump tha gjithashtu: “Dashuria jonë shkon për viktimat e tjera dhe familjet e tyre” dhe ai tha se po lutet “për shërimin e atyre që u plagosën dhe të mbajë në zemrat tona kujtimin e qytetarit që u vra në mënyrë të tmerrshme”.

“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë Karakterin tonë të Vërtetë si Amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë,” shton ai.

Një përpjekje për të vrarë një ish-president, e kapur në kohë reale, trullos vendin. Kjo ishte tentativa e parë për vrasjen e një presidenti aktual ose ish-amerikan në epokën e mediave sociale, dhe teoritë e konspiracionit, drejtimi i gishtave dhe mjeshtëria e lojërave të fushatës lëvizën me shpejtësinë e internetit, shumë më shpejt se faktet aktuale të asaj që ndodhi në të kaluarën. Mitingu i fushatës së Presidentit Donald J. Trump në Butler, Pa. Vrasja e John F. Kennedy në vitin 1963 e la vendin në pikëllim të hutuar.

Natyrisht, teoritë e konspiracionit do të përhapeshin dhe filmi i Abraham Zapruder për momentet e fundit të Kenedit do të studiohej për dekada. Por së pari, pati zi. Vrasjet e Robert F. Kennedy-t dhe Rev. Dr. Martin Luther King Jr. në vitin 1968 do të tronditnin sërish ndërgjegjen publike, duke i lënë amerikanët të pyesin se çfarë do të ndodhte me vendin e tyre.

Por në epokën e memeve, postimeve X, të Vërtetave, Threads dhe. Tërbimi, faji, madje edhe komedia ishin fjalët kryesore të vitit 2024. Një foto e zotit Trump, me grusht lart, me flamurin amerikan që valëvitej lart, u bë ikonë në një çast. Brenda pak minutash nga pamjet e para televizive të zotit Trump duke rrëmbyer veshin e tij të plagosur të shtunën, zërat në të majtë po e quanin atë të inskenuar, megjithëse nuk ishin emra të njohur.

Jo shumë kohë më vonë, emra shumë më të mëdhenj nga e djathta, duke përfshirë senatorin J.D. Vance nga Ohio, një finalist për të qenë kandidati i zotit Trump, ishin vendosur në argumentin se demokratët kishin krijuar terrenin për një tentativë vrasjeje duke i inkuadruar zgjedhjet e 2024-ës si një betejë mes forcave të demokracisë dhe ushtarëve të fashizmit.

“Sot nuk është vetëm një incident i izoluar,” shkroi zoti Vance në faqen e rrjeteve sociale X, në pronësi të miliarderit të preferuar të së djathtës, Elon Musk. “Premisa qendrore e fushatës së Bidenit është se Presidenti Donald Trump është një fashist autoritar që duhet ndalur me çdo kusht. Kjo retorikë çoi drejtpërdrejt në tentativën për vrasjen e Presidentit Trump”. Z. Scott mori shenjën: “Për vite me radhë, demokratët dhe aleatët e tyre në media kanë ngjallur pamatur frikën, duke e quajtur Presidentin Trump dhe konservatorët e tjerë kërcënime për demokracinë,” shkroi ai. “Retorika e tyre nxitëse vë në rrezik jetë.”

Informacioni që qarkulloi në internet në ato orët e para pas të shtënave ishte në të njëjtën kohë shumë i detajuar. Intervista e BBC-së e një njeriu që ishte gati për tubim ishte mahnitëse: Ai tregoi se si kishte parë një burrë me pushkë duke u zvarritur në një çati aty pranë dhe, për disa minuta, u përpoq të paralajmëronte policinë. Akoma fotografitë dukeshin se tregonin trupin e të armatosurit në çati pasi ai u vra. Një tjetër pjesëmarrës në tubim tregoi se kishte bërë përpjekje për shpëtimin e jetës ndaj personit që vdiq në vendngjarje.

Megjithatë, motivet e personit të armatosur, aq më pak identiteti i tij, mbetën të pakonfirmuara nga autoritetet për orë të tëra. Të dhënat tregojnë se Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, ishte regjistruar si votues republikan në Pensilvani, por raportet federale të financimit të fushatës tregojnë gjithashtu se ai i dha 15 dollarë një komiteti progresiv të veprimit politik më 20 janar 2021, ditën kur presidenti Joe Biden u betua në detyrë. FBI emëroi Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani, si subjekt i përfshirë në atentat. Përveç pjesëmarrësit në tubim që u vra, dy të tjerë u plagosën rëndë. Por bota nuk e dinte se kush ishin ata.

Udhëheqësit demokratë, duke përfshirë z. Biden, zëvendëspresidentin Kamala Harris dhe ish-presidentin Barack Obama, dënuan gjerësisht dhunën politike. Një pushkë e tipit AR-15 u gjet pranë njeriut që besohej se ishte ai që qëlloi, gjë që mund të kishte nxitur më shumë thirrje demokratike për ndalimin e armëve sulmuese, por drejtuesit e partisë mbajtën gjuhën.

Çatia ku ishte shtrirë personi ishte më pak se 150 metra (164 jard) nga vendi ku Trump po fliste, një distancë nga e cila një gjuajtës i mirë mund të godiste në mënyrë të arsyeshme një objektiv me madhësi njerëzore. Për referencë, 150 metra është distanca në të cilën rekrutët e ushtrisë amerikane duhet të godasin një siluetë të përmasave njerëzore për t’u kualifikuar me pushkën M-16. Ajo duhet të ishte ruajtur nga shërbimi sekret.

Shumë republikanë fajësuan shpejt dhunën mbi Biden dhe aleatët e tij, duke argumentuar se sulmet e vazhdueshme ndaj Trump si një kërcënim për demokracinë kanë krijuar një mjedis toksik. Ata vunë në dukje në veçanti një koment që Biden u bëri donatorëve më 8 korrik, duke thënë se “është koha për ta vënë Trumpin në shënjestër’

Por në epokën e internetit ka gjithmonë dikush që nuk e bën këtë. Republikanët gërmuan thellë për të gjetur zëra më të paqartë në të majtë, si London Lamar, një senator i shtetit demokrat në Tenesi, i cili dha një mesazh të ndryshëm. Zonja Lamar shkroi, pastaj u fshi, “ekstremizmi nga regjimi MAGA na ka sjellë në këtë moment”, por jo përpara se konservatorët të kishin rrëmbyer pamjet e ekranit dhe t’i dërgonin ato duke fluturuar nëpër internet. Një ndihmës i panjohur i Përfaqësuesit Bennie Thompson, demokrat i Misisipit, u bë një rast i mirë për disa nga e djathta për sugjerimin, “ju lutemi të merrni disa mësime për të shtënat”, edhe kur anëtarët aktualë të Kongresit po hidhnin bombat e tyre të zjarrit nga e djathta. “Prokurori republikan i rrethit në Butler County, PA, duhet të ngrejë menjëherë akuza kundër Joseph R. Biden për nxitje të një atentati,” shkroi Përfaqësuesi Mike Collins, Republikan i Gjeorgjisë. Një kolege gjeorgjiane, Përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene, sugjeroi: “Demokratët donin që kjo të ndodhte”. Midis përdoruesve më të rinj të mediave sociale, një imazh i fytyrës së zotit Trump të fotoshopuar në një portret të famshëm të Vincent van Gogh me një vesh të fashuar, pjesërisht të amputuar, u shpërnda gjerësisht, shpesh me një “shumë shpejt?” bashkangjitur.

Brenda pak minutash pasi u publikua lajmi për të shtënat, zoti Musk gjeti momentin për të miratuar zyrtarisht zotin Trump për 189 milionë ndjekësit e tij në X, diçka me të cilën ai kishte flirtuar më parë. Më pas, ai e kaloi mbrëmjen duke forcuar ndjenjat pro-Trump dhe duke kritikuar një miliarder liberal të teknologjisë, Reid Hoffman, pasi një herë tha se do të donte ta kishte bërë zotin Trump “një martir të vërtetë”.. Edhe Jeff Bezos, i cili është larguar nga politika, u shpreh, duke deklaruar në mediat sociale se “ish-presidenti ynë tregoi hir dhe guxim të jashtëzakonshëm nën zjarrin e vërtetë”.

E njëjta foto ishte sfondi i përfundimit të Donald Trump Jr për babain e tij:

“Ai nuk do të ndalojë kurrë së luftuari për të shpëtuar Amerikën”.

Filed Under: Analiza

STRATEGJIA E PERËNDIMIT PËR TË LËNË PUNËT PËRGJYSMË

July 13, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Tragjedia e tashme e Ukrainës është shembull se si mund të çoroditen fatet e një shteti, punët e të cilit janë lënë përgjysmë nga ana e aleatëve të tij. Integrimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i saj në NATO, janë lënë në gjysmë të rrugës, gjë që i ka lënë dorë të lirë Rusisë që sot të bëjë gjenocid dhe urbicid në atë vend. Vërtet, Ukraina është lënë në baltë nga aleatët e saj perëndimorë, shkaku i kalkulimeve hileqare të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, ku koncensusi në vendimmarrje shumë herë përdoret si kartë hileqare nën mëngë, për të realizuar politika egoiste dhe okulte. Në rastin e Ukrainës shtete si Franca dhe veçmas Gjermania, për shkak të interesave të veta egoiste e okulte me Rusinë, e kanë bllokuar rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe BE. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e kanë lënë në baltë edhe më shumë. Ato i kanë dhënë Ukrainës garancione pa mbulesë për sovranitetin e saj, në këmbim të dorëzimit të arsenalit bërthamor, por pa ia hapur rrugën e anëtarësimit në NATO. Marrëveshja e Budapestit e vitit 1994, ndërmjet Rusisë e Ukrainës, e garantuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, do të duhej ta kishte një klauzolë që dorëzimi i arsenalit bërthamor të kishte si kompensim anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Por, nuk e ka pasur. Ukrainës i janë dhënë premtime, pa garancione. Rjedhimisht ajo marrëveshje është tradhti ndaj Ukrainës, sepse ia kanë hequr nga dora arsenalin bërthamor, të cilin po ta kishte sot, Rusia nuk do të guxonte kurrë ta sulmonte. E mbetur në gjysmë të rrugës së anëtarësimit në BE dhe NATO, sot Ukraina është viktimë e agresionit barbar rus dhe e kërcënuar me rikthim nën tutelen ruse, ose me copëtim të vendit. Meqë agresioni rus është duke vazhduar e duke u intensifikuar, sot nuk mund të dihet si do të përfundojë kjo tragjedi e Ukrainës, por qysh sot mund të dihet se aspirata e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, po paguhet me çmim tepër të lartë, ndërsa BE dhe NATO ende janë duke harmonizuar politikat e veta, se si të ndihmojnë Ukrainën, por veëtm nga distanca.

Loja e moçme e Perëndimit me premtime pa mbulesë

Strategji të tilla të dhënies së premtimeve pa mbulesë, të nxitjes së rebelimeve dhe të lënies pastaj në “fatin e vet”, Perëndimi ka testuar edhe në të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, e cila u shndërrua në një tragjedi arabe. Rebelimi kundër sundimeve gjakatare e totalitare në Tunizi, në Egjipt, në Libi e në Siri, u inkurajua nga bota perëndimore, me synimin që ato shtete të shndërroheshin në shtete demokratike. Por, kur zhvillimet morën drejtim të përgjakshëm, popujt e atyre shteteve u lanë në fatin e vet dhe e paguan me gjakun e vet një tentativë të pasuksesshme për t’u liruar nga sundimet gjakatare. Përderi sa në Egjipt ndodhi restaurimi i diktaturës, Libia faktikisht u shpërbë, Tunizia mbijetoi por me kriza që nuk po reshtin, Siria u shndërrua në storien më të përgjakshme të së ashtuquajturës “Pranvera Arabe.” Siria u shndërrua në arenë të luftës politike e të luftërave sektare, të rivaliteteve të shteteve të rajonit, Iranit, Turqisë e Arabisë Saudite dhe të matjes së muskujve të Fuqive të Mëdha, SHBA e Rusisë, në rend të parë. Siria u shkatërrua pothuajse tërësisht dhe në fund mbeti si trofe lufte i Rusisë, me Asadin si sundimtar kukull. Triumfi në Siri e inkurajoi Rusinë që të mësynte Ukrainën, e bindur se Perëndimi ishte i përçarë dhe i dobët. Në të vërtetë Perëndimi ashtu u paraqit në Siri, ku edhe hoqi dorë nga përkrahja e ideve fillestare të së ashtuqujaturës Pranvera Arabe dhe la të shkërryhen barbarisht në tokën e Sirisë, jo vetëm organizata paramilitare terroriste e shtete të rajonit dhe Rusia gjakatare.

Një nga rastet ku Perëndimi i la punët përgjysmë dhe u largua në panik, duke lënë që gjërat të rikthehehsin në pikën zero, në duart e talebanëve, ishte edhe Afganistani. Ndonëse Afganistani ishte një projekt i gabueshëm dhe tragjik që nga fillimi i pushtimit të tij nga SHBA dhe aleatët e saj, edhe aty punët u lanë përgjysmë, pasi ishte nxitur njëfarë vesternizimi i shoqërisë afgane. Vetë fakti që kishin instaluar një qeveri kukull, që mori ikën dhe e la vendin në kaos, është dëshmi se ishin adoptuar politika të instalimit të qeverive kukulla, e jo të trasnformimit të mirëfilltë të mbarë shoqërisë afgane. Bartja me avionë e ish bashkëpunëtorëve të armatës amerikane dhe të administratës properëndimore dhe degëdisja e atyre në vende të ndryshme kliente të SHBA-së, ishte një tabllo e dështimit të projektit amerikan e perëndimor, në stilin e njohur të lënies së punëve përgjysmë, që u jep mundësi armiqve për hakmarrje edhe më të egër. Sot talebanët janë më të fortë në pushtet se sa në vitin 2001!

Punët e lëna përgjysmë në Ballkan kërcënojnë ta rikthejnë luftën

Nga zhvillimet në Ukrainë, në botën arabe e në Afganistan, në sfondin e strategjisë perëndimore që punët të lihen përgjysmë, mund të kuptohet shumë më lehtë edhe gjendja në Ballkan. Veçmas mund të kuptohen krizat e mbetura të hapura në Kosovë e në Bosnë e Hercegovinë, ku punët janë lënë përgjysmë që nga fillimi. Në rastin e BeH, Marrëveshja e Dejtonit ka sjellë një paqe të brishtë, por nuk ka sjellë zgjidhje të qëndrueshme për shtetin. Republika Serpska ka mbetur si shtet në shtet, me të njëjtën ideologji armiqësore ndaj shtetit boshnjak dhe me të njëjtat lidhje me Serbinë e me Rusinë. Kapacitetet destabilizuese të Repubika Serpskas janë të tilla që në çdo moment mund të bllokojnë funksionimin e institucioneve qendrore të Bosnes, po edhe të fillojnë konflikte të armatosura. Pas gjithë asaj lufte të përgjashme dhe pas gjenocidit serb në Srebrenicë, punët sërish kanë mbetur përgjysmë, ku serbët janë shpërblyer në vend se të ndëshkoheshin për agresionin e faktuar të Serbisë kundër BeH dhe për gjenocidin në Srebrenicë.

Punë e lënë përgjysmë është edhe puna në Kosovë. Marrëveshja në Rambuje nuk u arrit (fatmirësisht.) Marrëveshja e Kumanovës ka larguar forcat serbe nga Kosova, por pa pasur ndonjë qëndrim për statusin e Kosovës. Nga ana tjetër rezoluta 1244 ka tentuar të ofrojë një kompromis lidhur me statusin e Kosovës, duke e koncptuar Kosovën brenda RFJ-së po edhe duke e lënë mundësinë e deklarimit të popullsisë, pas një periudhe tranzitore. Pra, në të gjitha drejtimet puna ka mbetur përgjysmë, gjë të cilën e ka vazhduar edhe Procesi i Vjenës, shumë më keq ai i Brukselit. Pra, në vend se të organzizohej një referendum, ku pas një periudhe trevjeçare të administrimit ndërkombëtar, popullsia të votonte për statusin e Kosovës, ashtu si e lejonte rezoluta 1244, u fillua Procesi i Vjenës, i cili e proklamoi një pavarësi të kushtëzuar. Për shkak të statusit të kushtëzuar, Kosova nuk arriti të konsolidohej si shtet dhe u bë arenë e lojërave të ndyta, që nga ndikimi i Serbisë, raporti i Dik Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës deri te Gjykata Speciale, që janë thikë mbas shpine Kosovës, jo vetëm nga armiqtë e saj, po edhe me dorën e aleatëve të saj. Puna e lënë përgjysmë, ua hapi portat e eskperimentimeve të derisotme, të cilave nuk po u shihet fundi. Ndikimi politik i Serbisë në Kosovë sot është më i madh se sa në vitet nëntëdhjetë, kur Kosova ishte e okupuar, por tërësisht refuzuese ndaj çdo tentative serbe.

Edhe Perëndimi ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës

Në fakt, edhe aq sa ka kryer punë për pavarësinë e Kosovës, Perëndimi e ka bërë qartaqejfas, sepse nuk kanë qenë fare në favor të pavarësimit të Kosovës. Këtë gjë e konfirmon edhe njeriu më dashamirës i Kosovës në faqe të dheut nga bota perëndimore, Madlen Ollbrajt, kur pohon se: “I kisha kërkuar njërit prej këshilltarëve të mi më të afërt, James O’ Brien-it arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit, të lidhej me ambasadorin Cheistofer Hill dhe të dy të kryesonin bisedimet. Së bashku kishin propozuar një zgjidhje interesante, në bazë të së cilës Kosova do të mbetej brenda Jugosllavisë e do të krijonte një polici të re me forca civile, si edhe institucione të tjera vetëqeverisëse. Pa ia mbyllur dyert pavarësisë, që mund të vinte më vonë, propozimi kërkonte një periudhë të ndërmjetme prej të paktën tre vjet, përpara se të mirrej në shqyrtim kjo çështje delikate.”

Ndërsa për bisedën e zonjës Ollbrajt me presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviqin në Rambuje, Ollbrajt sjellë këtë detaj me rëndësi: “I thashë se zgjidhja politike që kishim paraqitur ishte e mirë për vendin e tij. Ajo do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovë brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësinë ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin.” Pra, njeriu më dashamirës i Kosovës, njëherësh diplomati më kompetent në atë kohë, e kishte në mendje e në tavolinë këtë projekt autonomist, e jo pavarësinë e Kosovës.

Këtë gjë e saktësin edhe strategu i mëvonshëm i Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Pardju, i cili konstaton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negocuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, nga rruga që ka ndjekur shtefotmimi i Kosovës është e qartë se Kosova është bërë shtet prej zorit e jo nga logjika e hekurt e interesave gjeopolitike të Perendimit, gjë që ne kemi dëshirë ta sforcojmë, si gjoja fakt. Për arsye se është formuar si shtet, si pasojë e refuzimit arrogant të Millosheviqit ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, e jo si projekt i Perëndimit, Kosova është lënë qëllimisht për këto dy decenie si projekt gjysmak.

Mësimet që duhet të nxjerrë Kosova

Si pasojë e këtij realiteti, Kosova është e pavarur, por pavarësinë e saj nuk e pranojnë pesë shtete të BE. Kosova është e pavarur, por katër shteteve të NATO-s nuk e pranojnë pavarësinë esaj, ndonëse NATO e tyre ushtron mandat legal sigurie në Kosovë. Bile, jo vetëm Kosova e Bosnja, po edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali I Zi janë për një kohë të gjatë si projekte përgjysmë. Për atë arsye, në Mal e Zi pati tentim të grushshtetit nga shërbimet ruse e serbe, ndërsa në Maqedoninë e Veriut poashtu pati një rebelim me elemente të grushtshtetit në Sobranje. Pranimi i këtyre dy shteteve në NATO, i ka larguar nga zona e rrezikut direkt të intrvenimti rus e serb, ndonëse Mali i Zi ka pësuar sërish një goditje me fitoren e forcave proserbe. (Në rastin e Malit të Zi duket sikur fitorja e forcave proserbe e ka pasur edhe miratimin e Perëndimit, për ta detronizuar sundimin e Gjukanoviqit, sikundër që trazira në Sobranie, duket sikur e dhënë pretekstin për të rrëzuar pionin rus, Gruevskin.)

Çka mund të mësojmë ne si Kosovë nga këto përvoja të punëve të lëna përgjysmë nga Perëndimi, për kohën e tashme dhe të ardhshme? E para, duhet ta kemi para sysh rrezikun që Kosova mund të përfshihet në skenarët e konflikteve, në pajtim me përvojat e deritashme të krizave të lëna pa u zgjidhur plotësisht. Fjala vjen, ideja për shkëmbimin e territoreve ka qenë në funksion të rindezjes së konflikteve. Po edhe aktivitetet e tashme diversioniste në veri të Kosovës janë në funksion të rindezjes së konfliktit. Prandaj, duhet të bëhet politikë e matur dhe të mos hyhet në skenarë me të panjohura. E dyta, shtetet anëtare të BE dhe të NATO-s që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, janë nxitëse të konflikteve, sepse e ushqejnë ambicien e Serbisë për ripushtimin e Kosovës. Ato e dinë se ish federata e Jugosllavisë më nuk ekziston, e dinë se e ka shpall të shpërbërë komisioni i Badenterit, e dinë se Kosova nuk mund të kthehet nën Serbi pa luftë, po prapë e mohojnë pavarësinë e Kosovës. Ndaj, ekspertiza e shteteve të BE-së nuk duhet të pranohet, madje as në Procesin e Brukselit, sepse mund të ketë brenda vetes edhe elemente komplotiste të shteteve armiqësore. E treta, duhet të jetë e qartë se edhe Perëndimi zhvillon në shumë raste politika jo të moralshme, ku tregu i armëve mund të dominojë mbi politikën, të drejtën dhe mbi moralin. Prandaj aleanca me Perëndimin duhet të jetë strategjike, por e peshuar në çdo detaj. Verbërisht nuk duhet t’i besohet askujt. Kush ka dilema në këtë qasje, vetëm le ta shikojë Sirinë dhe Ukrainën!

Filed Under: Analiza

Uran Kostreci dinte t’i këndonte Lirisë duke rrëfyer…

July 13, 2024 by s p

Agim Baçi/

Politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon –Delsol, përmes një pyetjeje në librin e tij “Idetë politike në shekullin e XX-të” shtronte një nga çështjet që ne si shoqëri nuk kemi guxuar t’i japim një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish- komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”

Në fakt, jo vetëm politologu Millon-Delsol, por edhe sociologu Zygmunt Bauman, poeti dhe filozofi Çesllav Milosh, apo kriminologu i madh norvegjez, Nils Christie, kanë ngritur si alarm për shoqëritë postkomuniste pikërisht rutinizmin e së keqes, burokratizimin e krimit dhe sidomos neutralizimin e qëndrimeve etike të shoqërisë ndaj së keqes. Eshtë pikërisht kjo e fundit që rrezikon çdo shoqëri, sidomos shoqëritë që nuk kanë guxuar të lexojnë të shkuarën kriminale si një e keqe që fle mes nesh edhe kur ke arritur ta lexosh mirë atë.

Pas bishtinimit për pyetjet thelbësore ndaj së keqes dhe mbështetjes nga një pjesë jo e vogël e shoqërisë, fatkeqësisht ne mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pa shumë nga dëshmitarët e së shkuarës, gjë që mund të humanizojnë dhe relativizojë të keqen, duke e lexuar si normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë. Kjo tendencë lidhur me relativizimin e së keqes nga ata që mbrojnë filozofinë e së shkuarës, nuk ka qëllim vetëm që të rishkruajë vetëm të shkuarën, por edhe të kërkojë të kontrollojë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji. Dhe kjo është pasoja kur ne rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri postkomuniste që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, nuk mund të kemi as ata që mund të falnin.

Por, a do vijojmë ta shohim të shkuarën tonë nën diktaturë vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?

Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentative e përhershme të së keqes, si në tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht. E për aq kohë sa nuk e mendojmë si realitet i së shkuarës sonë, nuk do të mundet dot ta zbojmë nga jetët tona, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare.

***

Në këto 34 vite ne vite kemi patur njerëz që i kanë thënë të vërtetat me zë të lartë. Uran Kostreci, që u nda nga kjo jetë 3 vite më parë (12 Korrik 2021), ishte një nga ata guxoi, jetoi dhe i tha të vërtetat. Ai, si shumë bashkëvuajtës të tjerë, jetoi pa pasur nevojë ta shihnim si hero. I kishte thënë brenda burgjeve të vërtetat, i tha dhe në Liri, duke kërkuar që ne mos të harronim të rrëfenim të vërtetat e së shkuarës me zë të lartë. Si Kostreci janë edhe dhjetra të tjerë, të cilve ISKK u ka marrë dhe botuar dëshmitë, duke i analizuar e rrëfyer në shkolla e media, si pjesë e një amaneti.

Rëfimet e Kostrecit, At Zef Pllumit, Lekë Previzit, Lekë Tasit, Ejll Çobës, Tanush Kasos, Bedri Blloshmit, Sami Repishtit, Visar Zhitit, Fatos Lubonjës e shumë të tjerë që kanë dëshmuar për mizoritë që kanë pësuar nga xhelatë si Edmond Caja, Kristo Vangjeli, Rrapo Dhimo, Maringlen Rrapi, Thoma Jano, Mark Pëllumbi, Shyqyri Çoku, e shumë të tjerëve, të cilët më shumë se ligji tregonin zellin e tyre torturues, janë dëshmi që tregojnë më shumë se sa dhejtra libra historie.

Dëshmitë e tyre duhet të jenë udhëzuesi ynë moral që zëri i tyre, e vërteta e tyre të mos mbulohet e mos të vijojmë të jetojmë me gënjeshtrën trinzare të “krimeve të askujt”. Të paktën, Uran Kostreci dinte t’i këndonte Lirisë duke rrëfyer.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT