• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse nuk miratohet një rezolutë për Masakrën e Tivarit në Kuvendin e Malit të Zi !?

July 12, 2024 by s p

Xheladin Zeneli/

Me 28 Qershor 2024, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi , me votat e deputetëve të shumicës parlamentare e cila udhëhiqet nga subjekti politik ‘Lëvizja për Europën Tani’ (PES), u miratua Rezoluta për “gjenocidin në Jasenovac “. Jasenovac është emri i një kampi përqendrimi i kohës së Luftës së Dytë Botërore i cili ishte krijuar nga autoritetet e atëhershme të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH) ku janë mbajtur dhe kanë vdekur me mijëra njerëz kryesisht me përkatësi serbe, por edhe të përkatësive të tjera si romë, hebrenjë, boshnjakë si dhe disidentë politik kroat.

Lidhur me këtë ngjarje të hidhur të kaluarës së tyre , janë distancuar dhe kanë marrë përgjegjësinë qeveri të ndyshme të shtetit të tanishëm kroat, me ç’rast ata në vazhdimësi kanë kerkuar falje publike.

Mirpo, kur Kuvendi i tanishëm i Malit të Zi, hap një faqe të tillë të historisë e cila bën fjalë për krimet e kohës së Luftës së Dytë Botërore në hapësirat e ish Jugosllavisë, pse atëherë anashkolohet dhe mohohet një krim i rëndë me përmasa gjenocidi i cili ka ndodhur në Tivar (Mal të Zi) në pranverën e vitit 1945 ku janë vrarë dhe masakruar reth 4000 shqiptarë !?.

Gjatë kohës së monizmit në ish Jugosllavi Masakra e Tivarit me dekada të tëra është mbajtur e mshehur nga autoritetet e atëhershme të Jugosllavisë dhe për të cilin nuk është guxuar të flitet. Po si të flitet për një krim i cili është planifikuar dhe egzekutuar nga vetë strukturat e të ashtuquajturës Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugoslavisë dhe ka qenë pjesë e skenarit të tyre për shfarosjen dhe eliminimin fizik të burrave dhe djemëve shqiptarë nga Kosova.

Ky skenar është realizuar në atë mënyrë kur PKJ (Partia Komuniste Jugosllave) në bashkëpunim me shtabet partizane jugosllave në Kosovë kanë organizuar mobilizimin e rekrutëve shqiptarë me arsyetimin kinëse për të shkuar në frontet e Sremit e të Vojvodinës dhe atë të Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë, për të luftuar kundër forcave gjermane (!?).Siç u vertetua më vonë ky ishte një mashtrim tepër i madh sepse ata, pra rekrutët shqiptarë pas një marshimi të gjatë disa ditor nga Kosova dhe të pa armatosur siç ishin, u sollën në Tivar me një qëllim: për tu vrarë e masakruar në mënyrë ç’njerëzore dhe barabare nga njësitë partizane sllavo-komuniste, konkretisht nga divizioni i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze.Për të fshehur gjurmët e krimit të tyre, ata zhduken kufomat e të vrarëve duke i hjedh një pjesë të tyre në det.

Masakra e Tivarit ka qenë vetëm një pjesë e krimeve sistematike që janë realizuar ndaj shqiptarëve në periudha të ndryshme të historisë së shtetit jugosllav.Në Mal të Zi, prej fundit të shekullit 19-të deri në fillim të shekullit 20-të janë vrarë e masakruar me dhjetra mijëra shqiptarë nga regjimet e ndryshme sllavo-malazeze të cilët kanë pasur synim spastrimin etnik dhe kolonizimin e trojeve shqiptare, por kjo është një temë në vehte. Pra,kur flitet për krime dhe gjenocid ndaj një populli tjetër, janë shqiptarët ata të cilët e kanë pësuar dhe janë viktimizuar më shumë se askush tjetër në këtë pjesë të hapësirës ballkanike.

Edhe pas rënies së komunizmit, vazhdon të mos i jepet vëmendje e duhur Masakrës së Tivarit nga ana e Malit të Zi zyrtar

Sikurse nuk mjafton që për Masakrën e Tivarit është heshtur për katër dekada e gjysëm të periudhës së monizmit, fatkeqësisht kjo ngjarje tragjike vazhdon të mohohet dhe të neglizhohet edhe gjatë kohës së plurazimit politik në Mal të Zi. Si pushteti 30-vjeçar i udhëhequr nga Partia Demokratike Sociliste (DPS) ashtu edhe pushteti aktual me në krye subjektin politik “Lëvizja Europa Tani” (PES), nuk kanë treguar kurrfarë gatishmërie për zbardhjen dhe njohjen e Masakrës së Tivarit. Përndryshe si shpjegohet fakti që ende deri më sot në vendin e ngjarjes në Tivar, nuk egziston një memorial për viktimat e pafajshme që u vranë në mënyrë mizore nga regjimi gjakatar i kohës.

Kur bëhet fjalë për ballafaqimin me të kaluarën, apo njohjen e krimeve që janë bërë ndaj të tjerëve, në këte drejtim Mali i Zi zyrtar ndjek rrugën e Serbisë e cila poashtu nuk reflekton dhe nuk e pranon të kaluarën e vet kriminale dhe gjenodiciale ndaj shqiptarëve.Në fakt, është Serbia me në krye Aleksandër Vuçiq-in e cila për qëllimet e veta politike ndikoj në miratimin e rezolutës për “gjenocidin në Jasenovac”, përmes kryetarit aktual të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, si mënyrë e revanshizmit për miratimin e rezolutës mbi “gjenocidin në Srebrenicë”, kohë më parë Këshillin e OKB-së.

Është shumë paradoksale miratimi i rezolutës për “gjenocidin në Jasenovac” nga ana e shumicës parlamentare e Kuvendit të Malit të Zi, për një krim që ka ndodhur në Kroaci por njëkohësisht duke mohuar dhe shfaqur mospërfillje për një krim tjetër që ka ndodhur në vendin e tyre, pra në Tivar.Gjithashtu, vlen të theksohet se viktimat në Jasenovac i takonin përkatësive të ndryshme kombëtare, kurse ata në Tivar, ishin të gjithë me përkatësi shqiptare.

Vitin e ardhshëm (2025) është 80-vjetori i Masakrës së Tivarit .Mendoj se është detyrë dhe obligim i përfaqësuesve politik të shqiptarëve në Mal të Zi si dhe subjekteve politike shqiptare, posaçërisht atyre të cilat janë pjesë e kualicionit qeveritar, pra pjesë e pushtetit aktual, që të inicojnë dhe propozojnë një rezolutë për Masakrën e Tivarit në Kuvendin e Malit të Zi. Gjasat që një rezolutë e tillë të miratohet nga shumica parlamentare janë pothuajse të barabarta me zero, por është me rëndësi të merret një hap i parë në ndërgjegjësimin institucional si dhe vetëdijësimin e opinionit të brendshëm publik lidhur me një ndër krimet më të rënda të Luftës së Dytë Botërore që është kryer në emër të “luftës çlirimtare” ndaj shqiptarëve,brenda territorit të Malit të Zi.

Xheladin Zeneli

Filed Under: Analiza

Nga viti 1969 në 2024 – Shënimi i Naum Priftit, albumi dhe fshirja e historisë

July 10, 2024 by s p

Julika dhe Rafaela Prifti/

Ky shënim i shkrimtarit Naum Prifti mbajtur me dorëshkrimin e tij në 1969 nis me një obzervim nga shfletosja e albumit me ilustrime për 25 vjetorin e socializmit në Shqipëri. Atëherë këto botime ishin investime propagandistike të pushtetit, të cilat kishin tirazh të madh dhe ishin prodhuar për konsum të gjerë. Botimet si albumi i takonin sferës më të rëndësishme të imazhit të Shqipërisë sepse në to përjetësoheshin fitoret dhe sukseset e socializmit. Të tilla publikime kalonin në disa filtra partiake dhe burokratike.

Prandaj reagimi i parë i një vëzhguesi si Naum Prifti është befasia e shoqëruar me kureshtje dhe humor për fotografinë e lopëve me diçiturën për deputetët e Kuvendit. Me pyetje shpotitëse, ai sikur hamendëson për kuptimin e një fotoje në albumin kushtuar një çerekshekulli socialist.

Por historia e shënimit shkon edhe më larg. Duke gjurmuar albumin në fjalë për të ilustruar shkrimin e Naum Priftit, të ruajtur në fletore origjinale me dorëshkrimet e tij, ju drejtuam për ndihmë Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Qendror të Shtetit. Ekzemplari nuk gjendet. Në botimin e rezervuar në Bibliotekë janë lopët e fotografuara por jo diçitura e famshme “Deputetët e Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”

Botimet “me gabime” apo lajthitje të tjera zhdukeshin nga qarkullimi dhe nga bibliotekat. Edicioni i ri zëvendësonte paraardhësin dhe nuk mbetej më gjurmë e botimit origjinal. Aso kohe shënimi i një vëzhgimi që hodhi në letër Naum Prifti pas shfletosjes së një albumi, ishte me rrezik ta mendoje e jo më ta shkruaje. Por sot ai botim nuk gjendet më. Njësoj sikur nuk ka ekzistuar kurrë.

Shënimi është jo vetëm qesendisje por edhe zbulim dhe dokumentim i praktikave të destinuara që shërbenin vetëm për qëllime ideologjike.

Intuitivisht dhe me vetëdijen e artistit, Naum Priftit e ndjente si detyrim moral dhe përgjegjësi personale mbajtjen e shënimeve pa e ditur as fatin e tyre dhe as fatin e tij, në atë regjim dhe në atë kohë. Pas 55 viteve, largpamësia e shkrimtarit dhe vërtetësia e shkrimeve, sado e thjeshtë, është e pamohueshme.

Lopë dhe Deputetë në albumin e 25 vjetorit të Shqipërisë Socialiste

Naum Prifti

Në vitin 1969 albumi “25 vjet Shqipëri Socialiste” ka një fotografi lopësh, që siç mund ta shohë gjithkush, nuk është kaq e thjeshtë. Ato ngjajnë si lopë, kurse, sipas shpjegimit të diçiturës, janë “Deputetë të Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”

Tani gjithkush ka të drejtë të pyesë, si është e mundur që në një botim zyrtar, të kaluar e rikaluar faqe për faqe nga forumet më të larta partiake, t’ u bëhet një përcaktim i tillë Deputeteve të Kuvendit Popullor, anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave të qeverisë dhe të cilësoheshin kaq pa mëshirë personalitete të larta të kohës.

Shaka e hollë, ironi therrëse, për praktikën dhe rolin e Kuvendit në RPSH, apo punë armiqësore e ndonjë agjenti te fshehur?

Nuk dihet në se synimi ka qenë t’u rrëfehej deputetëve që s’ishin veçse një tufë lopësh që muallitnin sipas një avazi të caktuar apo nëse dikush ka dashur të fyejë lopët e urta e paqësore?

Filed Under: Analiza

Dy fjalë për këngën polifonike të Labërisë

July 10, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Marrë nga shkrimi i përgatitur për botim: Tuneli i Llogarasë dhe mjerimi i përdorimit politik të këngës polifonike.

….Kënga polifonike tashmë dhe pasuri e UNESKO-s dhe është një dukuri thellësisht shqiptare ku në të isua, si bashkim zërash të harmonizuar është elementi kryesor. Bashkë me marrësin, hedhësin dhe kthyesin ata përbëjnë një ansambël të përkryer të polifonisë labe. Kur këto janë në harmoni të plotë, kur zërat nuk “hahen” kur kënga vete “gjym,” ajo vjen e dallgëzuar e lozonjare si valët e detit, në një ditë plot diell, kur këndohet për një leshverdhë trëndelinë, ose dashuri të humbur diku, dikur; vjen si gjëmim malesh kur këndohet për atdheun dhe luftëtarët e lirisë; dëgjohet dhe ndihet si shushurima e rrëkeve pas shirave pranverorë, kur i këndohet bukurisë së një vajze; kthehet në një det të trazuar e dallgë të shkumbëzuara pas përplasjes në shkëmbinjtë e thepisur kur sjell lajmin e vrasjes së një djali të ri; vajton si violina në duart e një muzikanti virtuoz, kur i këndohet halleve e derteve të panumërta të shqiptarit, e kështu pa mbarim. Nuk ka sferë të jetës shoqërore që të mbetet jashtë temave të këngës polifonike. Ato shoqërohen sipas rastit me britma gëzimi, me thirrje për tu bashkuar në gëzime dhe hidhërime, nga marrësi, hedhësi apo kthyesi. Ndërkaq isua herë si dallgë deti, herë si nanuritje kur nëna ve në gjumë fëmijën, herë si bubullimë para rrebeshit të shiut, herë si përzierje e zërave të bilbilave në agimet e majit, herë me zhurmën e përrenjëve që derdhen nga malet pas shkrirjes së dëborës, e herë si krisma armësh në luftë, shoqëron këngën që është unike në llojin e saj dhe ka lindur bashkë me labin. Nuk mund të mësohet në asnjë shkollë apo akademi muzikore kënga labe. Ajo mësohet vetëm në trevat ku ka fillesat e saj e trashëgohet brez pas brezi. Nëse ndodh që kënga polifonike përdoret për qëllime politike, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit të saj historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj.

Filed Under: Analiza

Themeli i së keqes…

July 9, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Për të vërtetën nuk e di dhe nuk mund ta di nese e di kush se ku e ka themelin e keqja për Shqipërinë e shqiptarët në thellësitë e shekujve pasi asnjë komb i botës nuk ka mbetur 3 milion përgjatë 300 viteve të fundit. Me që nuk jam studiues e historian nuk po futem thellë në histori por po ju referohem fillimeve të levizjes demokratike në Shqipëri apo të jem më i saktë për atë që dikur besonim se ka qenë lëvizje demokratike pasi rastësisht kam ndodhur edhe unë aty ku është zhvilluar kjo levizje si student i 90-tës. Po filloj tek levizja demokratike kështu po e quaj për marrëveshje fjale për faktin se para 34 vjetesh shqiptarët patën një shpresë të madhe për të një të ardhme ndryshe mbas një periudhe vërtetë jo dinjitoze po them pa dashur të prononcohem as trim mbas lufte e as i zgjuar pas kuvendit. Së fundi dëgjova një deklaratë të z.Rama se demokracia na paska lindur e vdekur gjë që për mua nuk është e vërtetë pasi fatkeqësisht demokracia në Shqipëri nuk është ngjizur ndonjëherë.

Për fatkeqësinë e Shqipërisë e shqiptarëve në 90-tën shqiptarët të dalë nga izolimi ekstrem ju paraqit një klonim komunist si demokraci. Natyrisht që kjo nuk u bë as për sport e as për humor por sipas një projekti të detajuar klonit të tyre komunistët i vunë detyrë të relativizonin krimet e tyre duke shmangur dënimet e kriminelëve e sigurisht vazhdimësinë ekonomike të tyre. Besoj se shumica e shqiptarëve që kanë mbetur në Shqipëri pasi dihet se kanë mbetur mosha e tretë e mbajnë mend se kush kanë qenë në kohën e komunizmit shitëse, banakiere e magazinier e shumë të tjerë të kësaj kategorie. Gjithashtu dihet se ku kanë qenë ndërtuar objektet e shërbimit social sigurisht në qendrat e qyteteve e natyrisht mbi trojet e privateve të konfiskuara nga regjimi komunist e pronarët u degdisen burgjeve e internimeve.

Opozita e klonuar me sekretar partie e deri djali i kryprokurorit kasap komunist ju dha shërbetorëve të komunizmit qendrat e qyteteve duke krijuar fillesat e kapitalisteve me pinjollët e tyre. Meqë e konsoliduan vazhdimësinë e tyre në qytete së bashku me moskthimin e ndërtesave të banimit të sekustruara ju kthyen fshatit me ligjin 7501.

Ligji 7501 ju mohoi përfundimisht pronarëve të tokave pronat e tyre duke ua vrarë edhe shpresën që ka arritur të jetojë edhe gjatë diktaturës, gjë që e futen vendin ne kaos e anarki duke e dënuar Shqipërinë me varfëri e shkombëtarizim që pasojë me më së pakti tetë mijë të vdekur e po aq kanë prerë biletën e vdekjes.

Pra kloni komunist jo vetëm garantoi vazhdimësinë komuniste por vendosi edhe themelet e kapitalizmit mbi hajninë e poshtërsinë ekzaktësisht atë që po gëzojnë sot shqiptarët e mbetur akoma në Shqipëri, por arritën të mbajnë peng vetë të ardhmen e Shqipërisë.

Themelet e një shteti nëse nuk vendosen mbi ligj e drejtësi atëherë ose shteti rrëzohet si në 1997 ose shteti bëhet përfaqësues i asaj ekonomie siç e përshkrova më lart që në shqip njihet si shteti i mafies.

Nuk ka e nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe në Shqipëri kur një adoleshent që vidhte një celular dënohej 6 muaj e ai që vidhte gjysmë milioni pronë, shteti i mafies i jep tapinë madje vetë kryeministrat e atij vendi që quhet Shqipëri. Tani të gjithë qahemi se po na vjedhin voten, taksat, ilaçet, tenderat pasuritë publike e tani së fundi edhe jetën por një zë nuk e lëshoi kush kur u vodh pasuritë e pronat e të tjerëve e po të doni edhe pasuria e shtetit. Edhe nëse dikush foli u la i vetmuar e madje edhe u abondonua siç ndodhi me të ndierin Kalakula. Lirinë e demokracinë madje edhe zhvillimin e prosperitetin e gëzojnë ato kombe e popuj që luftojnë që ti kenë.

Filed Under: Analiza

Atmosfera politike dhe zgjedhjet parlamentare në Francë

July 9, 2024 by s p

Artan Kutra

Radio France International (RFI)/

Në përfundim të zgjedhjeve legjislative 2024 në Francë, deputetët e parë filluan të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Dyert e Pallatit Bourbon (Parlamentit) u hapën zyrtarisht në orën 14.00 për të mirëpritur disa nga 577 deputetët e legjislaturës së re.

Jo të gjithë deputetët e zgjedhur do të mbërrijnë në të njëjtën ditë. Deputetët e së majtës “La France insoumise” – “Franca e panënshtruar” kanë planifikuar të mblidhen të martën në mëngjes.

Një Asamble Kombëtare pa shumicë absolute.

Pas befasisë së zgjedhjeve legjislative ku u frenua qartë rritja e së djathtës ekstreme, Franca po kërkon tashmë një shumicë parlamentare përpara se të emërojë një personalitet të aftë si kryeministër për të bashkuar dhe udhëhequr një qeveri të re.

Është një kokëçarje e madhe, në një atmosferë politike të turbullt.

As Fronti i Ri Popullor (me rreth 190 vende), as Kampi Presidencial (me rreth 160 vende), e as Bashkimi Kombetar (me 140 vende) nuk mundën të arrinin shumicën absolute, pra që të kishin 289 deputetë. E majta ka nisur manovrat kryesore për të përzgjedhur brenda rradhëve të saj një kandidaturë për postin e kryeministrit. Kjo duhet të kristalizohet brenda kësaj jave. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka dy mënyra për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër. Ose duhet gjetur një konsensus në rradhët e së majtës, ose duhet organizuar proçesi i votimit në mes tyre (të panënshtruarit, socialistët, të blertët dhe komunistët). Po në të njëjtat ujra të paqarta për momentin po lundrojnë edhe të djathtët e kualicionit të qendrës.

Pas përfundimit të balotazhit, kryeministri Gabriel Attal, mbërriti në Presidencë rreth orës 11 të mëngjesit për të paraqitur dorëheqjen e tij, në përputhje me traditën republikane. Por Macron ka refuzuar duke i kërkuar të qëndrojë në detyrë edhe për ca kohe, për të “siguruar stabilitetin e vendit”, ndërkohë që Parisi do të presë Lojërat Olimpike në më pak se tre javë. Pra nga këto zgjedhje legjislative u arrit t’i pritet rruga ekstremit të djathtë të Marinë Le Penit dhe Jordan Bardelës, por nuk është e thjeshtë të gjendet formula e bashkëjetesës midis presidentit Makron dhe kryeministrit të ardhshëm. Prej këtej do të qartesoheshin edhe rrugët e së ardhmes së Francës por edhe të politikës së jashtmë të saj.

Jashtë kufijve të Francës, situata politike ishte ndjekur me shumë vëmendje. Pothuajse të gjithë kryeministrat evropianë, liderët e forcave politike dhe diplomacitë e larta, i mbanin sytë tek vala e rritjes së ekstremit të djathtë dhe tek aftësitë për koalicionin e “Barrikadës” përballë ekstremeve.

Që nga Polonia e deri në Itali, nga Spanja në Gjermani, nga Brukseli e në Angli, të gjithë kërkonin të shquanin nuancat e ardhshme të Francës, të këtij vendi me pozitë të rëndësishme në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në Lindje, Kremlini i njohur për simpatinë që kishte për Partinë e Le Penit, Bashkimi Kombëtar, tregoi se nuk kishte as “shpresën” dhe as “iluzionin” e një përmirësimi në marrëdhëniet e tij me Parisin.

Edhe Ballkani, Shqiperia apo Kosova nuk mund të shikonin pa vëmendje këtë proçes politik të fuqishëm të Francës në 4 javët e fundit.

Prej këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej edhe një herë pozicioni dhe politika e jashtme e Francës dhe e Europës në lidhje me rajonin tonë.

Ishin zgjedhje me një rreze të gjerë influence në Evropé e në Ballkan.

Si reagoi Partia e Ekstremit të djathtë Bashkimi Kombetar ?

Ishte një surprizë dhe një zhgënjim për këtë parti të ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh sondazhet e fundit paraprake që e nxirrnin në krye. Ishte një zhgënjim i papritur për këtë Parti të ekstremit té djathte të Marinë Le Penit dhe të Jordan Bardelës, që 4 javë më parë fituan zgjedhjet evropiane, dhe parashikonin të ngjiteshin për herë të parë edhe në pushtet.

Në kéto kushte, Marinë Le Penit, nuk i ngelet veçse të thotë se pas 1 apo 2 vjetësh do të vijë sërisht në skenën politike, me përpjekje më të mëdha, për të marrë postin e lartë të Presidentit.

E përsëri ngelet e hapur rruga e votës së popullit francez për të përcaktuar të ardhmen e tij, por në një farë mënyre edhe sferën e ndikimit më gjerë në Europë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT