Siguria kombëtare në rrezik, duhet plan strategjik për mbrojtjen e kufirit, me ekspertë të NATO-s
Përgatiti: Eneida Jaçaj/New York
Qeveria shqiptare duhet të marrë menjëherë masat për mobilizimin dhe fuqizimin e ushtrisë, si dhe të hartojë një plan strategjik për mbrojtjen e kufirit, me ekspertë vendas dhe të NATO-s, në kushtet kur situata politike ndërkombëtare po rëndohet çdo ditë. Siguria kombëtare kërcënohet nga konfliktet rajonale dhe më gjerë, aktet terroriste që mund të vinë nga Irani pas strehimit të muxhahedinëve në Tiranë, përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme, por edhe nga një konflikt i mundshëm botëror për shkak të garës për drejtimin e politikës globale, i cili mund të çojë në shpërthimin e një lufte masive. Qeveria e ka për detyrë të garantojë paqe dhe stabilitet në vend e rajon, dhe, në rast lufte, të mbrojë shtetin sovran duke përfshirë qytetarët, ekonominë, institucionet, të angazhojë rrjetin diplomatik për bisedime me shtetet e tjera, dhe të rrisë sigurinë kundër terrorizmit. Duke u gjendur përballë rrezikut të përmbysjes së të gjitha ekuilibrave, presionit në rritje të një lufte rajonale por edhe botërore, pasi shtetet kanë rritur mekanizmat mbrojtës duke u armatosur, qeveria shqiptare duhet ta shohë me shumë përgjegjësi dhe seriozitet marrjen e masave për mbrojtjen e kufirit tokësor, ajror dhe detar, hartimin e një plani strategjik afatmesëm dhe afatgjatë, rritjen e buxhetit për investime në ushtri, armatime, artileri, etj, krijimin e hapësirave strehuese për popullatën, zgjerimin e hapësirave spitalore, sigurimin e rezervave ushqimore, medikamenteve, etj, në rast të ndonjë rreziku të mundshëm që vjen nga jashtë.
Një nga çështjet më të nxehta që duhet diskutuar, edhe para programit të ri të fushatës elektorale, duhet të jetë pikërisht rritja e sigurisë kombëtare dhe marrja e masave të menjëhershme, si e vetmja mënyrë për të përballuar rrezikun që i kanoset shtetit shqiptar. Qeveria duhet të lërë mënjanë diskutimet boshe dhe aspak frytdhënëse, ndërsa duhet ta shohë të nevojshme zhvillimin e mbledhjeve të posaçme me ekspertë të sigurisë vendase, por edhe me ekspertë të huaj, për të arritur krijimin dhe realizimin e një plani mbrojtës strategjik, me të gjitha masat e tjera të nevojshme shtesë. Nuk është i mjaftueshëm fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe do të mbrohet nga kjo e fundit, pasi, nëse dy vende të NATO-s do të hynë në luftë me njëra-tjetrën, aleanca nuk do të ndërhynte si çdo të vepronte me një shtet tjetër që nuk do të ishte pjesë e saj.
Konkretisht, lufta për pushtet dhe territore, konflikti Kosovë-Serbi, Rusia dhe Ukraina nga ana tjetër, duke shtuar edhe qëllimet e Moskës dhe Beogradit për të ushtruar ndikimin e tyre në Ballkan; konflikti i kahershëm Turqi-Greqi, ndërhyrjet e Kinës në Taivan, rritja dhe zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, duke përmendur këtu edhe sulmin kibernetik të Iranit në Shqipëri; çështjet ekonomike, mosmarrëveshjet politike të brendshme dhe të jashtme, konflikti fetar, lufta për të dominuar dhe kontrolluar politikën e botës, (SHBA, Rusi, Kinë), e cila duket se ka rikthyer edhe njëherë në skenë Luftën e Ftohtë, po rrisin rrezikun për hapjen e një vatre të fuqishme zjarri, që do të trondiste nga themelet shtetet, duke i hapur rrugën një rendi të ri botëror.
Nëse do të shpërthente një luftë ku do të përfshinte të gjithë globin, pasojat do të ishin akoma edhe më të rënda se ajo e Luftës së Parë Botërore, pasi shumë çështje të reja dhe konflikte të kahershme të mbetura pezull nën agoninë e shteteve më të fuqishme, do të dilnin në qendër të arenës ndërkombëtare, ku do të shkaktonin humbje të mëdha në njerëz, dëme ekonomike, territoriale dhe materiale. Ekspertë të sigurisë dhe diplomatë kanë dhënë mendimet e tyre për një çështje kaq delikate, siç është mbrojtja e vendit dhe qytetarëve. Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një prononcim për gazetën “Dielli”, shprehet se Shqipëria ka nevojë më shumë për një plan strategjik mbrojtës sesa të armatoset. “Shqipëria ka nevojë për një strategji për mbrojtjen. Mbrojtja nuk është vetëm garanci nga NATO, por elementet e sigurisë, jo vetëm për garantimin e territorit, hapësirave ajrore dhe ato detare, por mbrojtja e popullsisë. Mungesa e strehimeve për popullsinë në raste lufte, strehimet antiatomike, rezervat shtetërore për ushqim, spitalet dhe medikamentet, përgatitja e popullsisë dhe vendosja e sinjalistikës paralajmëruese, si në rastet e sulmeve ajrore dhe veprimet që të do kryhen”, thotë Softa.
Softa ka sugjeruar dhe kthimin e shërbimit ushtarak për mbrojtjen e atdheut. “Mendoj kthimin e shërbimit ushtarak të reduktuar, dhe kultura në shkolla si një lëndë informuese. Fqinjët po rrisin kapacitetet ushtarake, si Serbia dhe Greqia, të dy vende me pretendime territoriale. Traktati i NATO-s, Neni 5 i saj hyn në fuqi kur një nga anëtarët apo disa anëtarë sulmohen, por ky nen nuk aktivizohet nëse dy anëtarë hyjnë në konflikt, rasti i konflikteve Turqi-Greqi”, shprehet Softa.
Konflikti Kosovë-Serbi është një konflikt që e kemi më afër vetes, ku Beogradi po luan me komunat serbe në Veri, duke i përdorur për të fituar terren politik dhe më pas territorial. Nëse do të shpërthente një luftë e radhës, aleatja e Serbisë, Rusia, do të aktivizonte forcat e saj, si një pretendente e vjetër për të dominuar, e cila do të gjente hapësirë për të ushtruar ndikimin e saj në Ballkan. Dhe ajo çka e bën situatën më dramatike është se Bashkimi Europian e ka përkrahur Serbinë, duke i vendosur sanksione të njëpasnjëshme Kosovës, ndërsa nuk ka vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit pas sulmit të një viti më parë, ku u vra polici kosovar.
Jo vetëm çështjet rajonale, por edhe ato botërore përbëjnë rrezik të madh për sigurinë e vendit. Kështu, ish-diplomati Roland Bimo, thekson për gazetën “Dielli”, se gara për të dominuar skenën botërore përbën kërcënim për paqen, duke sqaruar rolin e SHBA, Kinës dhe Rusisë.
“Vlerësohet se po kalojmë në një rend botëror të ndryshëm. Bota një polare ku SHBA ushtruan të pasfiduar rolin e polit të vetëm politik, ekonomik e në mënyrë absolute atë ushtarak, qysh nga përfundimi i Luftës së Ftohtë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duket se po zëvendësohet gradualisht me një rend botëror me disa qendra, (multipolar). Kina, Rusia dhe grupimet e aleancat e tyre kanë hyrë në garë për një vend më të dukshëm në skenën boterore, sipas tyre në përputhje me realitetet e reja ekonomike e politike. Rivalitetet, krahas luftrave tregtare dhe ekonomike, shfaqen edhe në kriza të rënda sigurie siç është agresioni gati prej 3 vitesh i Rusisë në Ukrainë dhe situata e tmerrshme që po kalon Lindja e Mesme, çka kërcënon një luftë rajonale me pasoja për të gjithë botën. Politikat e tre shteteve si më sipër, përbejnë kërcënim për paqen dhe sigurinë në bote. Për fatin tonë të keq, Shqipëria e në mënyrë të veçantë Kosova, ndodhen në një rajon siç është Ballkani Perëndimor, objekt i rivaliteteve të shtuara edhe si pasojë e lënies jashtë projektit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Bimo.
Roland Bimo bën thirrje që qeveria të marrë menjëherë masat në rast të një sulmi të mundshëm. “Në kushtet e vëmendjes së shtuar të SHBA dhe BE për Serbinë, dhe diplomacisë së sukseshme të kësaj të fundit, ekuilibrat bëhen edhe më delikatë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sakrificat që duhet të bëjmë për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen, sigurinë por edhe për diplomacinë e lobimin ndërkombëtar. Për këtë të fundit, diaspora mund e duhet të luajë një rol të rëndësishëm duke patur si shëmbull sukseset e mërgatës shqiptare në SHBA në vitet 1980-1990. Ngjarjet në Banjska, Kosovë, vitin e kaluar dhe heshtja perëndimore për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë apo dënimi i Serbisë, si nxitëse e destabilizimit, ndoshta sugjerojnë se garantimi i sigurisë përmes anëtarësisë së Shqipërisë në NATO dhe pranisë së NATO në Kosovë, duhet shoqëruar edhe me forcinin e sigurisë bazuar në burimet e brendshme”, shprehet Bimo.
Përpos përplasjes Kosovë-Serbi për asosacionin e komunave me shumicë serbe, paralajmërimin që dha Irani ndaj Shqipërisë me sulmin kibernetik, ditët e fundit bota është kërcënuar akoma më shumë për shpërthimin e një lufte të mundshme. Ishte Moska e cila kërcënoi Anglinë, se do të hakmerret nëse armët britanike do të përdoren nga Ukraina për sulme brenda territorit rus. Ndërsa SHBA ka qenë pika kyçe kryesore e Putinit, i cili e ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme me prodhimin e raketave me rreze të mesme veprimi. Kjo është një lojë politike strategjike që i ka rrënjët që nga Lufta e Ftohtë, është një garë e re por e vjetër në kohë dhe mendësi, për të përcaktuar se cili shtet do të drejtojë botën këtë herë. Por, deklarata të tilla kërcënuese, situata terrori dhe lufte, duhet të vënë në lëvizje qeverinë shqiptare për të mobilizuar ushtrinë dhe të shpëtojë popullsinë në rast rreziku.
Agim Nesho, diplomat, analist politik dhe njohës i fushës së sigurisë, thotë për “Diellin”, se Shqipëria duhet të ishte përgatitur që më herët për mbrojtjen e kufirit, duke qenë përballë konflikteve të hapura rajoale dhe botërore. “Në këto momente kritike për gjithë sigurinë europiane, konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme duhet ta kishin orientuar qeverinë, Shqipërinë, për t’u fuqizuar ushtarakisht për të sjellë në rajon atë ekuilibër forcash të nevojshme për të mbrojtur eventualisht Kosovën nga çdo kërcënim të mundshëm. Por regjimi kleptokratik i Tiranës është i fokusuar vetëm në mbajtjen e pushtetit të tij të korruptuar”, thotë Nesho.
Ai akuzon qeverinë se bashkëpunon me qarqet serbe, ndëra Kosovën e ka lënë në hije.
“Shqipëria nuk rrezikohet direkt nga synimet ekspansioniste të Rusisë, Serbisë apo fuqi të tjera, sepse ajo është anëtare e organizatës më të fuqishme të botës, NATO. Por gjysma e kombit kërcënohet nga oreksi ekspansionist i nacionalizmit serb, i cili kërkon të marrë Veriun e Kosovës dhe e mban atë si një konflikt të ngrirë. Fatkeqësisht, Republika e Kosovës është e vetme në këtë luftë për arsye se regjimi i Tiranës ka kohë që përkrah projektet serbo-ruse, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur, projekte që duan të realizojnë dominimin serb në Ballkan apo krijimin e Jugosllavisë së re”, shprehet Nesho. Rruga më e mirë dhe e drejtë do të ishte që konfliktet rajonale dhe botërore të zgjidheshin përmes dialogut, por duke qenë se situata vazhdon të acarohet edhe në ditët e sotme, qeveria duhet t’i garantojë qytetarëve të saj të gjitha mekanizmat mbrojtëse në rast të një lufte të mundshme.