• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPERI-GREQI, LIGJI I LUFTES NE MES

July 26, 2015 by dgreca

*Më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane të përbërë nga 140 000 ushtarë, nën një shi të furishëm, filluan sulmin ndaj Greqisë në një front prej 200 km/
*A ekziston ligji i luftës me Greqinë? Si ta komnetojmë qëndrimin e Nikolaos Kotzias?/
*-Duçja, kishte besim tek kjo fitore, mbasi informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke./
*-Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”.
*-Njëkohësisht Greqia, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”./
*-Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë/
*-Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni/
*-Në Korrik 1987, qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”, pjesën politike/
Nga Albert Z. ZHOLI/
-Ditët e fundit (15 korrik, 2015), në Shqipëri, bëri një vizitë zyrtare, Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Nikolaos Kotzias. Ndër temat që u hodhën në tryezën e bisedimeve ishte dhe ai i “Ligjit të luftës”, Greqi- Shqipëri, i shpallur nga Mbreti i (asaj kohe) Greqisë, Konstandin, i cili nxori Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasri armike”, pas sulmit që i bëri Italia fashiste më 28 tetor 1940 (tetë divizione të përbërë nga 140 000 ushtarë) shtetit grek. Qysh ahere, kanë kaluar plot 75-vjet dhe ky ligj është diskutuar dhe pështjelluar si në kalendat greke të lashtësisë. Dikur u tha se ky ligj u hoq nga qeveria e Andrea Papndreut, disa thonë se u hoq pjesërisht, ndërsa në vizitën e fundit të ministrit të Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias në Tiranë, ai theksoi se nuk ka ligj lufte midis dy vendeve. Mediat greke theksuan në këtë vizitë se, në këmbim të një kompromisi për paktin detar, ministri Kotzias do të premtojë abrogimin e ligjit të luftës dhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Më datë 15 korrik, gjatë Konferencës për shtyp me Ministrin Bushati, Ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias, deklaroi: Nuk ekziston ligji i luftës me Shqipërinë, ai duhet të konfirmohet. Ndërsa ka një reagim serioz nga historiani Xhufi i cili theksoi se, jo vetëm ky ligj ekziston, por marrëveshja për Paktin Detar nuk duhet të zhvillohet pa u hequr ky ligj. Duke pasur parasysh sa më lart lindin një sërë pyetjesh:- Kur dhe pse u vendos ligji i luftës? A ishte i drejtë dhe i bazuar në ligjet e kohës? Pse ekziston ende dhe pas 75-vjetësh ky ligj? A e ka hequr Andrea Papandreu këtë ligj (në Korrik 1987, qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”) kur ishte Kryeministër, apo e ka hequr pjesërisht? Duke qenë se për një periudhë të gjatë kam gërmuar në arkivat greke për këtë problem (kur kam qenë gazetar në Athinë), po sjell disa fakte rreth ligjit absurd të luftës.
Lufta e dytë botërore dhe qeveritë kuislinge
Lufta e dytë botërore ka hyrë nëpër analet e historisë si lufta më e egër që ka parë historia e njerëzimit. Në këtë luftë jo vetëm që u vranë rreth 50 milionë njerëz, por kjo luftë do të kujtohet me dhimbje dhe me interes edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me rolin aktiv të spiunazhit, aviacionit por edhe sidomos për mënyrën më të perfeksionuar të efekteve politike –propagandistike që përdorën vendet agresore ndaj vendeve që pushtuan. Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia militariste, për interesat e tyre pushtuese, përdorën ndaj vendeve që pushtuan të ashtuquajturën aleanca, për të justifikuar krimet çnjerëzore. Pushtimet e dhunshme me plumba, bomba predha, zinxhirë tankesh apo shpimet me bajonetë, këto vende u munduan që t’i mbulonin formalisht duke krijuar regjencat, qeveritë kuislinge, të cilat sipas pushtuesve do të kishin “autoritetin politiko-juridik të qeverive të pavarura”. Qeveritë kuislinge u bënë modë në këtë luftë, që megjithëse u propaganduan gjerësisht nga pushtuesit sidomos në vendet e lindjes. Ato në sytë e opinionit ishin tepër qesharake dhe pa vlerë, ku nga masat popullore ato u quajtën qeveri kukulla.

Dekreti mbretëror i Greqisë

Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushton Shqipërinë. Një ditë më parë mbreti zog largohet nga Shqipëria. Pak kohë më vonë pas pushtimit, pushtuesi italian do të formonte një qeveri kuislinge. Dhe, një vit më vonë, pra më 1940, Konti Çiano, përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej ministrit të jashtëm të Greqisë Z.Metaksa. Ultimatumi i ngjante atij që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit, Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin Italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi Z. Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës Z.Metaksa nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai, iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit. Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140 000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Në këtë sulm, Duçja donte t’i jepte një “mësim” të mirë Hitlerit, mbase shumë pushtime të tijë, (Hitlerit) ai i merrte vesh nga radiot dhe nga gazetat. Edhe Duçja tashmë dëshironte që Hitleri, pushtimin e Greqisë nga Italia ta merrte vesh nga gazetat. Ai kishte besim tek kjo fitore, mbase informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;
1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.
2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.
3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i së Drejtës Ndërkombëtare.
Dhe ajo që vlen për tu theksuar me forcë është se Dekteti Mbretëror kërcënonte se “DO TË KONSIDERONTE TRADHËTI KOMBËTARE AKTIN E CDO QEVERIE GREKE QË DO TË NDËRRMERRTE HAPIN E VENDOSJES SË MARËDHËNIEVE DIPLOMATIKE ME SHTETIN ARMIK SHQIPËRINË…”
MBAS LUFTE…
Jo shumë kohë mbas luftës së Dytë Botërore, vendet e shpallura agresore dhe vendet viktima të luftës u ulën në tryezat e bisedimeve për të sheshuar problemet e së kaluarës dhe për të shtruar urat e miqësisë të së ardhmes… Këtu mund të përmendim Gjermaninë me Francën … Në të njëjtën rrugë ecën edhe Italia me Greqinë të cilat nënshkruan pakte dhe marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi. Por këtu qëndron edhe çudia ! Me Italinë u nënshkruan sa e sa marrëveshje, ndërsa me Shqipërinë ngelej në fuqi Dekreti Mbretëror !!! Pra “Ligji i Luftës”. Dhe kjo gjendje me Shqipërinë nuk ishte çështje muajsh apo vitesh, por dekadash të tëra . Ende Shqipëria konsiderohej vend armik. Si rrjedhojë, midis dy vendeve ishin të ndërprera marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, humane, kulturore-artistike… Ndërmjet dy vendeve ishte vendosur një perde e hekurt ndarje deri në armiqësi. Dhe një nga çuditë ndodh në Maj 1971. Në Greqi kryhet grusht shteti, dhe vjen në fuqi junta ushtarake e kolonelëve grekë me në krye Papadhopulin. Dhe ishte pikërisht ky ushtarak, që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Lind pyetja, se cilat ishin motivet kryesore që e nxitën Papadhopulosin të merrte këtë nismë!? Së pari mendohet se duke ardhur në pushtet me grusht shteti, i papërkrahur prej komunitetit ndërkombëtar, junta ushtarake e pa Shqipërinë si një faktor të ri, për të dalë prej izolimit. Së dyti, duke bërë një hap të tillë ndaj një vendi komunist, siç ishte Shqipëria, garda e kolonelëve mendonte se do të fitonte kredon e lakmuar, se gjoja ajo me këtë veprim nuk I përkiste së djathtës ekstreme, por një qeverie dhe një vendi demokratik. Së treti, mendohej që me këtë hap edhe komunistët grekë dhe në tërësi partitë komuniste në lindje dhe në perëndim do të besonin se nuk kishin të bënin me një juntë puçistësh ushtarakë apo me një klikë uzurpatore antidemokratike siç po cilësohej nga Komuniteti Ndërkombëtar. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Midis Shqipërisë dhe Greqisë u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Megjithatë dekreti mbretëror mbetej një kërcënim gjithnjë evident. Pavarësisht se u vendosën marrëdhëniet diplomatike, ku si rezultat juridikisht dhe praktikisht ishte zhvleftësuar Dekreti, dhe zyrtarisht kishte këmbime në të gjitha fushat ( sigurisht me kufizime), kuptohej që marrëdhëniet midis dy vendeve nuk arrinin nivelet e dëshiruara, mbase sërish ndihej frika e Dekretit dhe kufizimet midis dy sistemeve të kundërta. Marrëdhënie u vendosën, por Dekreti nuk u abrogua.
Abrogimi i Dekretit
Dekreti mbretëror, ngeli për dekada një relike e shëmtuar e shkruar e zezë mbi të bardhë, ndoshta edhe si një dëshirë dhe ëndërr e keqe e qarqeve ultranacionaliste, me paragjykime donkishoteske, tipike provinciale ballkanase. “Megaloidheja”, (Greqia e Madhe) kur heshtur dhe hapur, po vegjeton ende e kësaj dite si një ëndërr e keqe nëpër subkoshiencat e qarqeve greke. Dhe ky problem duket sikur u zgjidh në Korrik 1987 kur qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”. Derisa të hidhej ky hap specialistë grekë të Së Drejtës Ndërkombëtare, vlerësuan se me çfarë lloj akti të barasvlershëm juridikisht duhej abroguar një dekret Qeveritar. Tashmë Greqia nga monarki, kishte kaluar në një sistem Repuplike Parlamentare. Sipas specialistëve abrogimi I një ligji të tillë I barazvlefshëm me një Vendim të Këshillit të Ministrave ( Vendim Qeverie). Me shpalljen e vendimit dhe firmosjen nga kryeministri, Greqia zyrtare e konsideroi publikisht Dekretin të hequr me ligj.
Dy pjesët e këtij ligji
Ky veprim i qeverisë Greke nga njëra anë abrogonte plotësisht pjesën politike të dekretit. Pra atë të heqjes së “LIGJIT TË LUFTËS”, Ndërsa shtojcën që fliste për pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk e prekte fare. Pra, dekreti u hoq i pjesshëm. Arsyet për këtë ndarje janë të shumta. Së pari tek pjesa e dytë e Dekretit prekeshin interesa të shumta të veçantë dhe të ndjeshme ekonomike. Së dyti kjo pjesë mund të prekë interesa individësh apo grupe individësh në Greqi (në planin ekonomik). Pra është kjo pjesë e dekretit për të cilën bëhet zhurmë sot e kësaj dite, nga ku pretendohet se “ Ligji i Luftës” me Greqinë nuk është hequr. Pra pjesa ku Dekreti shpall “…pasurinë e shqiptarëve, pasuri armike…” duke i vënë ato (pasuritë e shqiptarëve) në “sekuestro konservative”, është sot e kësaj dite pjesa e pazgjidhur e “Ligjit të Luftës”

Reagimet e qarqeve shoviniste
Është mëse e saktë, se ndërsa një pjesë e mirë e popullit grek as që e shkonte ndërmend se ekzistonte një ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë, sërishmi nga shumë që kishin dijeni për këtë ligj ky abrogim u prit me mirësi, sidomos nga forcat progresiste dhe demokrate greke, të cilët edhe e përshëndetën këtë hap të qeverisë së Papandreut. Ndryshe ndodhi me qarqet ultranacionaliste, monarkiste dhe një pjesë të qarqeve fetare. Në unison, të gjitha këto qarqe organizuan dhe filluan një sërë protestash kundër Vendimit të Qeverisë së Papandreut. Gjithë shtypi i djathtë e kundërshtonte me forcë këtë akt të Qeverisë. Thirrjet frenetike që arrinin deri në ekstazë, filluan të akuzonin Qeverinë për Tradhti Kombëtare. Në gjithë këtë valë antiqeveritare nuk munguan edhe rastet e violencës. Në krye të të gjithë këtyre protestave qëndronin ithtarët e klaneve fashiste EPEN. Organizatat nacionaliste të ashtuquajtura vorioepiriote, QEVA etj…sikundër grupimi antishqiptar i grekëve të Amerikës POAKA. Ata theksuan se Dekreti duhej hequr me anë të Parlamentit.
Dekreti përballë miqësisë së popujve
Aktualisht, në kohën kur po flasim, në Greqi ndodhen më shumë se 700 mijë emigrantë shqiptarë. Viti 1991, do të mbahet si viti i lidhjes së miqësisë më të madhe ndërmjet dy popujve tanë nga më të vjetrit në Evropë. Ky vit, ishte viti i shpërnguljes masive të shqiptarëve mbas rënies së komunizmit drejt fqinjit tonë jugor, dhe kjo për arsye ekonomike. Populli grek u hapi portat e shtëpisë, u shtroi sofrën me bujari vëllezërve shqiptarë. Politikat armiqësore shumëvjeçare i kishin ndarë artificialisht këta popuj që kanë shumë gjëra të përbashkëta. As “ Ligji i Luftës”, as telat me gjemba nuk mund të ndanin miqësinë e trashëguar në shekuj deri në lidhje gjaku. Duke parë realitetin e sotëm, ku shqiptarë e grekë punojnë bashkë, kanë krijuar lidhje martesore, aktivitete të përbashkëta tregtare, apo bashkëpunimi i vazhdueshëm kulturor, tregon qartë se “ de fakto”, e çdo Dekreti Mbretëror midis dy popujve nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Popujt duan paqe, punë, mirëkuptimì. Politikat duhet ta ulin peshën e tyre të acarimit përballë dëshirës së popujve për bashkëjetesë paqësore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albert Zholi, Ligji i Liftes, Ministri Grek, Nikolaos Kotzias, Shqiperi-Greqi

Për kë po vriten shqiptarët e Maqedonisë

July 25, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Sa herë që afrohen fushatat zgjedhore në partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, marrim njoftime grindjesh, sherresh e vrasjesh.
1)Më 9 maj të 2015 Kumanova u gdhi nën të shtëna dhe shkëmbime zjarri. Televizionet jepnin një mot gjysëm të grinjtë. Por me helikopterë të policisë që patrullonin. Asfalti i rrugëve me gëzhoja fishekësh. Rrugët me mjete të blindura. Madje që evakuonin edhe civilë. Nga ana tjetër vinin të paqarta lajmet e viktimave. Se çfarë ishin ata qytetarë, shqiptarë të Shqipërisë. Shqiptarë të Kosovës. Shkurt shqiptarë nën emrin e një tjetër UÇK-je. Vinin aludime për trazira të porositura nga Serbia deri dhe Rusia. Ndërkohë luhej edhe me Shqipërinë etnike. Shqipërinë e madhe. Shqipërinë e munguar të shqiptarëve. Atë që është pengu dhe frymëzimi. Ndaj pati edhe vërshime dialogësh, shkëmbime me inat dhe sharje mes njëri-tjetrit. Mes shqiptarëve. Palë që brohorisnin bijë liridashës. Dhe palë që u dukej një aventurë. Palë që ishin një me pushtetin. Dhe palë që i quanin tradhëtarë, të shitur etj. Shkurt një zallamahi.
Megjithatë, në protetstat e opozitës. Protestave të Zaevit. Pas ngjarjeve të Kumanovës. Shqiptarët marshuan si kurrë më parë. Përkrah maqedonësave opozitare. Madje lidhën dhe flamujt e kombësive. Duke dëshmuar në fund të fundit qënësinë në një shtet multietnik, por shtet i tyre.
Megjithatë prapë të vrarët, apo ish ushtarët e UÇK-ës. Nën sfondin e një Kumanove gri, çative të shqyera, erës së blozës, fishekëve të zbrazur, mureve të rrëzuar… grindjeve dhe deklaratave të liderëve me shkëlqim stemash partie… shtypistave, ashtu dhe kështu. Pra të vrarët, varrosen me nderime shembullore.
2) Në kushtet e sotshme që janë shqiptarët e Maqedonisë, shto edhe ato që ne dimë nga memoria, pyetjes mbi viktimat i është përgjigjur një gojë plot mllef. Shkjau. Qoftë ky serb, maqedon, malazes. Dhe njerëzit gjithmonë ishin të dijshëm. Të kujt janë këto viktima? Të shkjaut. Të maqedonit. Të serbit. Kaq. Dhe ne që ishim mësuar t’ia ngjeshim shkjaut.
Dhe për dreq, përsosmërisht, ndër breza, është mbrujtur një farë urrejtje sa ia kalon një kohe reale, njerëzore. Një urrejtje prej çeliku dhe betoni. Urrejtja ndaj shkjaut.
Urrejtja ndaj diskriminimit. Urrejte ndaj besimit. I quajmë serbë shqiptarët ortodoksë. I quajmë malazesë, grek, maqedonë. Dhe me një dashuri çmenduri për radikalizmin islam. Aq sa dhe synetllikun e shpallin me fushata suksesi. I quajnë arritje kërkesën e plotësuar ndaj Turqisë për të sjellë ca kirurgë që të bëjmë synet djemtë. Të gjitha për inat të shkjaut. Madje nën këtë inat mund të vritemi edhe me njëri-tjetrin. Të vrasim fiqinjin, vëllain. Ta quajmë tradhtarë, spiunë. Shkurt shkja. Shkurt zallamahi. Potere, për turkoshqiptarët e rinj. Dhe zhurmë për shqiptarët e vjetër e të rinj.
3)Kështu edhe në muajin maj. Një armatë shqiptarësh u ndesh me policinë dhe aty u vranë disa syresh. U tha nga policia maqedone, megjithëse aty në polici ka, kishte edhe shqiptarë. U tha ish ushtarët e UÇK-ës nga Kosova. Dhe rezulton që pjesa më e madhe janë e datlindjeve nga 71, 85, 91. Zoti të na mëshirojë që po i kujtojmë kështu. Por UÇK-ja vet u kurorëzua në Lap, në mars të motit 1991. Dhe e mbaroi misionin me çlirimin e Kosovës 1999. Dhe sot quhet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. I bie të ndodhi përsëri, që për inat të shkjaut, të vënë në punë propogandën kundër vetes. Kundër njëri-tjetrit. Sa akoma shqiptarët e Kosovës grinden se kush është në fakt UÇK-ja. Ajo e ekzilit apo jo e Lapit. Kështu edhe në Maqedoni. Kështu edhe në Shqipëri. ndaj rezulton se përdorimi i UÇK-ës, në Maqedoni, në Kumanovë, është pjesë e kësaj zallamahie shqiptare.
Dhe ne me atë trumbetimin tonë prej flluskash patriotizmi prodhojmë dëshmorë.
4) Mirëpo nëse të ndjerët e kësaj natyre na i justifikon policia e shkjaut, mund edhe t’i quajmë dëshmorë. Edhe pse termi rrjedh nga një kohë tjetër. Uzurpimesh, pushtimet. Pra të natyrës pushtues, vatan. Por kur ka një qeveri, kur ka një bashkëqeverisje… dhe ne jemi pjesëmarrës në ‘të. Maqedonasve u lind e drejta t’i quajnë grupe terroriste etj.
Sidoqoftë, e çfarëdoqoftë, prapë me ndjesë për jetët e humbura. Le t’i justifikojmë kështu. Por si t’ia bëjmë këtyre vrasjeve tona? Dëshmorë të kujt do ta quajmë komandant Shqiponjën, Kumanovë? I vrarë dy ditë më pare nga shqiptarët. Dëshmorë të kujt do ta quajmë Artan Musliun, Strugë? I vrarë sot nga shqiptarët. Të kujt janë këta dëshmorë, shqiptarë të Maqedonisë? Po këta të vrarë mes shqiptarëve, përpara syve të shkjaut, si do i quajmë. Çfarë emri do uu vëmë?
Sillem e them, mirë me maqedonin, për shkak edhe të asaj urrejtje prej çeliku e betoni… që palësh ua kemi ngjizur edhe fëmijëve. Dhe ata më keq nga ne, me fëmijët e tyre. Nuk e kuptojë, përse po vriten tani me njëri-tjetrin? Mos kanë ngatërruar shkjaun? Pra na jepni një përgjgije. Dëshmorë të kujt do i quajmë.
Do i shpallim heronjë. Por të kujt?
5)Me që e nisëm me Kumanovën dhe për dëshmorët e saj. Duhet të ketë qënë data 26 maj. Kur ceremonisë së varrimit të heronjëve, iu kundërvu një analist i njohur me emrin Enver Robelli. Ai kumton me një titull të ashpër. ”Një vend që kriminelët i nderon si heronj, ardhmërinë e ka të errët” Më tutje ai vazhdon po me mllef. ”Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetshpallur lanë pa shtëpi qindra banorë. Vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre, e marrin shqiptarët e Maqedonisë, jo haraçmbledhësit e Kosovës”. Mirëpo shqiptarët kudo që janë, se shqiptarë janë, zakonisht më shumë dëgjojnë analistët brenda partive. Dhe lufta në emrin e shkjaut, të lirisë dhe Shqipërisë së madhe, bëhet pikërisht nga haraçmbledhësit e shumtë në Ballkan.
Ndofta edhe nga një fakt kokëfortë që hera herës del në në analet e memories sonë. Që ne e kemi të pamundur ta gjejmë me njëri-tjetrin. Sidomos në liri.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Ilir Levonja, Per ke po vriten, shqiptaret

Vrasja e dytë e Enver Hadrit

July 25, 2015 by dgreca

Nga Enver Robelli/
Një mafioz serb, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit, aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, pasi është kapur nga policia kroate, ka arritur të humbë pa gjurmë në Split. Për këtë skandal po hesht Qeveria e Kroacisë, po aq sa edhe ajo e Kosovës
Enver Hadri kishte një ideal. Ai ideal quhej një Kosovë e lirë dhe e pavarur, e cila banorëve të saj u garanton mirëqenie dhe jetë me dinjitet. Ai ishte i vetëdijshëm se ky ideal s’mund të realizohej pa informimin e opinionit botëror mbi përmasën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi jugosllav dhe serb. Për këtë qëllim Hadri themeloi në Bruksel një komitet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dhe për këtë qëllim ai bashkëpunoi me shumë aktivistë evropianë për të drejtat e njeriut dhe politikanë në kryeqytetin e Belgjikës. Hadri jetonte në Bruksel që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ai e njihte mirë gjuhën frënge dhe ishte integruar në shoqërinë belge – një përparësi e madhe në krahasim me aktivistë të tjerë, të cilët veprimtari kombëtare e quanin edhe fabrikimin e intrigave brenda diasporës.
Ditën e diel të 25 shkurtit 1990, rreth orës 16:30, rrugëtimi i Enver Hadrit mori fund. Derisa Hadri, i cili drejtonte një veturë të markës “Opel”, në një rrugë në Bruksel po priste hapjen e semaforit për të vazhduar udhëtimin, atij iu afrua një automjet i markës “Golf”. Një pasagjer hapi dritaren, nxori një armë me shurdhues dhe qëlloi dy herë Hadrin. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin “Saint-Pierre” të Brukselit. Vrasësi profesionist e kishte qëlluar drejtpërdrejt në kokë.
Janë përmendur në mediume dhe nga autoritetet belge tre persona, të cilët mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e Enver Hadrit. Ata janë: Andrija Lakoniq, Veselin Vukotiq dhe Darko Ashanin. Që të tre rrjedhin nga bota gjysmështetërore e krimit të organizuar jugosllav. Sidomos në vitet ‘70 dhe ‘80 Shërbimi sekret i diktatorit Josip Broz Tito kishte intensifikuar luftën kundër kundërshtarëve politikë në diasporën kroate dhe atë shqiptare.
Autoritetet gjermane supozojnë se Shërbimi sekret jugosllav ka vrarë rreth 70 emigrantë në disa vende perëndimore. Së paku 13 raste të këtij kapitulli të përgjakshëm nuk janë mbyllur ende nga drejtësia gjermane. Aktualisht në Mynih gjenden para gjyqit dy udbashë kroatë, të cilët akuzohen për eliminimin e disidentit Stjepan Gjurekoviq.
Ndërkohë drejtësia belge po e kërkon Andrija Drashkoviqin, një bashibozuk i nëntokës ballkanike, të cilin gazeta kroate “Jutarnji list” në një portret e përshkruan si “sharmant, të rrezikshëm dhe të pasur”. Drashkoviqi, babai i të cili ka punuar në kombinatin “Trepça”, dyshohet po ashtu për pjesëmarrje në vrasjen e Enver Hadrit.
Në fund të qershorit Andrija Drashkoviq u arrestua në Aeroportin e Splitit. Sipas mediumeve kroate të etura për rrëfime sensacionale, ai kishte ardhur në Kroaci me avion privat, kishte shijuar jetën nëpër bregdetin dhe ishujt kroatë dhe përmes Aeroportit të Splitit planifikonte të kthehej në Beograd. Pak pas arrestimit Drashkoviq u lirua me kaucion prej 100 mijë eurosh.
Ai u urdhërua të qëndronte në një hotel në Split. “Drashkoviqit i është marrë pasaporta, ai nuk guxon ta braktisë Splitin, e gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të ekstradohet në Belgjikë”, kishte deklaruar gjykatësi Damir Romac.
Nga mesi i javës së kaluar Drashkoviqi duhej të ekstradohej në Belgjikë. Dhe sërish foli gjykatësi Romac: “I kemi telefonuar Drashkoviqit në apartamentin ku ishte i vendosur, por ai nuk është lajmëruar”.
Me sa duket Kroacia me këtë deklaratë qesharake të një gjykatësi nga Spliti dëshiron ta mbyllë këtë kapitull. Kjo është skandaloze, sepse si vend i anëtarësuar së fundi në Bashkimin Evropian, Kroacia duhet të jetë shembull edhe për shtetet e rajonit sa i përket sundimit të ligjit. Pas zhdukjes së Drashkoviqit nga hoteli në Split, Qeveria e Kroacisë ka heshtur. Kësaj heshtjeje i është bashkuar edhe Qeveria e Kosovës.
Nuk e ka përshëndetur as ndalimin e Drashkoviqit më 24 qershor në Split, por as nuk ka shprehur shqetësim për ikjen e tij tejet të diskutueshme. Autoritetet në Kosovë e kanë shpallur Enver Hadrin hero, disa rrugë në Kosovë bartin emrin e tij, në Pejë i është vendosur një bust. Të shpallësh hero një veprimtar është ndoshta puna më e lehtë, por të respektosh idealet e tij dhe të angazhohesh për zbulimin e vrasësve të tij është detyrë e përhershme e një qeverie. Me po aq indiferencë sa rastin e atentatit ndaj Hadrit, autoritetet në Kosovë e kanë shikuar edhe vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës afër Stuttgartit.
Derisa pala gjermane ende zhvillon hetime dhe përpiqet t’i gjejë vrasësit e tyre, drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë kurrë detaje se kush qëndron, ta zëmë, pas vrasjes së Selim Broshës, një punëtori të Shërbimit sekret jugosllav, i cili mund të ketë qenë njëri prej atyre që përmes vëzhgimit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës hapën rrugën për kryerjen e atentatit.
Enver Hadri u vra së pari në vitin 1990. Për herë të dytë ai simbolikisht po vritet në vitin 2015 – me heshtje dhe injorim të fatit të tij tragjik. Kjo sjellje e qeveritarëve të Kosovës tregon – sërish – mungesën e madhe të respektit për viktimat e terrorit komunist jugosllav. Ndërkohë, derisa qeveritë në Prishtinë dhe Zagreb heshtin, mediumet serbe triumfojnë.
Gazeta “Veçernje novosti” shkruan se Drashkoviqi mund të ketë ikur “me amin të kroatëve”, sepse ai në Kroaci “ka miq të shumtë me ndikim”. Po kjo gazetë e citon edhe një herë gjykatësin Damir Romac, i cili do ta meritonte çmimin për budallallëk nëse një i tillë do të ekzistonte për fushën e drejtësisë: Romac thotë se Drashkoviqi nuk kishte dhënë ndonjë shenjë se po planifikonte të ikte. Një i dyshuar për vrasje që do të jepte shenja se do të arratisej nuk do të ishte profesionist në veprimtarinë e tij mafioze.
Drashkoviqi është kalibër tjetër dhe këtë autoritetet kroate e kanë ditur mirë. Edhe për figurën e Enver Hadrit nuk mungojnë informacione në Kroaci. Në festivalin e filmit dokumentar “Zagrebdox” më 2013 ishte shfaqur filmi “Meet Enver Hadri”, në të cilin tregohej rruga jetësore e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut.(Kortezi:Koha.net)

Filed Under: Analiza Tagged With: e Enver Hadrit, Enver Hadri, Robelli, vrasja e dyte

Shqipëri- Mbyllet stërvitja rajonale “Joint Reaction -2015”

July 25, 2015 by dgreca

Moren pjese:Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Qendra Koordinuese e NATO./
Nga Shefqet Kërcelli/
Në datat 21-24 korrik 2015, në vendin tonë u zhvillua stërvitja “Joint Reaction 2015”, me pjesëmarrjen e vendeve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës Koordinuese të NATO. Gjithashtu në stërvitje morën pjesë me statusin e vëzhguesit përfaqësues nga Rumania dhe Sllovenia. Qëllimi i kësaj stërvitje është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërinstitucional, por dhe mes vendeve të rajonit, Kartës së Adriatikut dhe SHBA për përballimin e emergjencave civile.  Stërvitja ishte si një situatë reale për koordinimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional në rastet e emergjencave civile, Me gjithë kompleksitetin dhe shkallën e vështirësisë që përmbante në vetvete ajo i shërbeu forcimin të bashkëpunimit rajonal dhe si një platformë mbi të cilën mund të ndërtohen plane konkrete bashkëpunimi në të ardhmen, u shpreh edhe major Anton Gachev, pjesëmarrës nga Bullgaria;  “Stërvitja i përmbushi në mënyrë absolute objektivat e vendosura dhe kjo stërvitje shërben si një bazë për të zhvilluar dhe përmirësuar planet, procedurat standarde si dhe përfshirjen e ndihmës ndërkombëtare gjatë operacioneve të emergjencave civile”- ky mendim reflektonte njëherazi mendimin e shumicës së pjesëmarrësve në stërvitje. Një tjetër aspekt i rëndësishëm ishte edhe përfshirja e strukturave të Forcave të Armatosura dhe roli i tyre mbështetës në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile. Sic theksoi major Radu Curic, përfaqësues nga Mali i Zi, “Në shumicën e vendeve, Forcat e Armatosura lujanë një rol mbështetës në operacionet e emergjencave civile, megjithatë ky rol është shumë i rëndësishëm dhe kyc. Gjatë përmbytjeve në Malin e Zi, roli i Forcave të Armatosura ka qënë esencial”, theksoi major Curic. Në ditën e vizitorëve të shquar, DWD, që u zhvillua në Ministrinë e Mbrojtjes, morën pjesë zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri, ambasadori i SHBA në Tiranë z. Donald Lu, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të pushtetit vendor, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues nga dikastere dhe institucione të tjera që marrin pjesë në këtë stërvitje etj. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli në fjalën e saj nënvizoi se, këto lloj stërvitjesh tashmë reflektojnë qasjen e përbashkët për të angazhuar kapacitetet tona ushtarake dhe rritur ndërveprueshmërinë e tyre, për të adresuar së bashku rreziqet dhe kërcënimet me të cilat mund të përballemi. Ministrja Kodheli vlerësoi ndihmën e dhënë nga partnerët tanë për këtë stërvitje, sidomos të SHBA dhe, siç tha ajo, “’Joint Reaction – 2015′ dëshmon rolin politik dhe ushtarak të SHBA në shërbim të sigurisë tonë dhe sigurisë e paqes në rajon”.
Gjithashtu stërvitjen “Joint Reaction – 2015” e përshëndeti zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj stërvitjeje të përbashkët shumëkombëshe për çështjet e emergjencave civile, si dhe falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre për realizimin me sukses të kësaj veprimtarie stërvitore shumë të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin.   


Filed Under: Analiza Tagged With: “Joint Reaction -2015”, Mbyllet stërvitja rajonale, Shefqet Kercelli

KOSOVA DO VAZHDOJË DIALOGUN ME SERBINË, POR ZBATIMI I MARRËVESHJEVE ËSHTË I DOMOSDOSHËM

July 24, 2015 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë për shtyp deklaroi edhe se:/
-Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale/
-Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja/
-Marrëveshje edhe me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim/
Në foto: Kryeministri i Kosovës, Isa-Mustafa dhe ministri i Financeve, Avdullah Hoti në konferencë shtypi-Foto nga B.Jashari/
—
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Korrik 2015/-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot se dialogu në Bruksel me Serbinë do të vazhdojë, por zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm.
“Dialogu do të vazhdojë, mirëpo çdo vazhdim i dialogut ndërlidhet me kërkesën tonë në Bruksel që të bëhet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Këtë e kemi biseduar edhe me përfaqësuersit e BE-së edhe me SHBA-të. Fuqishëm na mbështesin në këtë pjesë. Zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm”, theksoi Mustafa.
Gjatë një konference shtypi, në përgjigje të interesimit për mosfillimin e zbatimit sot të marrëveshjes Prishtinë-Beograd për njohjen reciproke të policave të sigurimit, Mustafa tha se “kemi mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë”.
“Serbia nuk i është përmbajtur afateve që sot të fillojë përmbushja e marrëveshjes. Nuk kemi anulim dhe as pezullim të marrëveshjes. Serbia ka informuar se nuk është në gjendje, nga dita e sotme, të zbatojë marrëveshjen, për arsye se duhet të punojë që t’i përmbushë edhe disa prej detyrimeve që janë në të”, tha Mustafa në konferencën për shtyp.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “çështja e Gjykatës Speciale është ajo mbi të cilën po punohet”.
“Ajo që mund t’ju them sot për sot është se ne kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë në Kuvend.Nuk mund të flasë për data, por po flas për një përkushtim tonin që kjo çështje të kryhet dhe jemi të përkushtuar që të përfundojë para pushimeve të Kuvendit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Në konferenca për shtyp, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka prezantuar realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika. Në fillim të konferencës po ashtu ka theksuar se në ditët në vijim, opinioni publik dhe mediat do të informohen edhe për çështjet e tjera të rëndësishme aktuale.

FJALA HYRËSE E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA NË KONFERENCËN PËR SHTYP:

Ne si Qeveri jemi angazhuar në mënyrë përmbajtjesore që të realizojmë programin tonë qeverisës gjatë kësaj periudhe kohore, veçmas i kemi dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve mbështetëse për zhvillim ekonomik.
Kemi aprovuar një pako të re fiskale e cila nxit bizneset dhe poashtu balancon kapacitetin e konsumit familjar.
Përshkallëzimi me Ligjin e TVSH-së ofron normë të zvogëluar prej 8% për një numër të konsiderueshëm të mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen si bazike për konsumin e qytetarëve. Poashtu, ulja e TVSH-së në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e çmimeve të produkteve, dhe poashtu do të ndikoj edhe çmimet e energjisë elektrike të cilat do t’i paguajnë qytetarët tanë, që janë më të ulëta për pjesën e TVSH-së se sa që kanë qenë më parë.
Për të stimuluar sektorët prodhues, të gjitha makineritë që do të përdoren në procesin e prodhimit në pajisjet teknologjike dhe Teknologjinë Informative si dhe në lëndët e para, do të kemi lirime nga TVSH-ja.
Këtë e kemi bërë me qëllim që të nxisim sektorin privat të prodhimit, dhe poashtu të ngrisim pajisjen teknologjike të ekonomisë.
Kemi bërë ndryshime edhe në Ligjin për Tatimin e të Ardhurave Personale dhe në Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.
Ligji mbi Faljen e Borxheve i aprovuar seancën e fundit të Kuvendit, konsiderojmë se është një ligj i cili është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bizneseve dhe i cili krijon një momentum të ri, dhe një atmosferë dhe klimë të re, sa i përket ngritjes së disiplinës financiare të personave fizik, përkatësisht qytetarëve tanë, në përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ndaj kompanive publike.
Ne e kemi bërë rishikimin e Buxhetit në këtë vit, e kemi finalizuar atë dhe ky rishikim është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Buxheti tani është në një vlerë prej 1 miliardë e 535 milionë euro. Kemi ulur parashikimin për Buxhetin prej 52 milionë euro, si parashikim që është vlerësuar se është real edhe nga ekspertët tanë edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krahasuar me vitin e kaluar, ne kemi të hyra më të larta prej 14%.
Me anë të rishikimit si dhe me programin e FMN-së, ne kemi bërë një kursim prej 49 milionë eurosh. Ky kursim ka të bëjë veçmas me shpenzimet rrjedhëse, përkatësisht shpenzimet korrente, mirëpo përkundër këtij kursimi, ne do të arrijmë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona sa i përket investimeve kapitale, do të paguajmë me rregull pagat deri në fund të vitit, me përvojën e punës të cilën ne kemi filluar ta paguajmë, do të paguajmë të gjitha subvencionet për kategoritë e veçanta sociale dhe ato shoqërore, do të kemi furnizim të rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe me material shpenzues për institucionet e Republikës së Kosovës.
Raporti 6 mujor financiar, i aprovuar këtë javë në Qeveri, tregon poashtu për një progres të dukshëm për sa i përket realizimit të buxhetit si në të hyra ashtu edhe në shpenzime. Sa i përket shpenzimeve, mund të them se kemi arritur që të ulim shpenzimet për 3 për qind, që kanë të bëjnë kryesisht me shërbimet dhe efektet e uljes së këtyre shpenzimeve arrijnë në 3 milionë eurove gjatë vitit. Është fjala për uljen e shpenzimeve të telefonisë, shpenzimeve për derivate, shpenzimeve për udhëtime, shpenzimeve për blerje të mobileve dhe shpenzime të tjera.
Kemi përgatitur poashtu përmes Ministrisë së Financave edhe Strategjinë e Kontrollit të Brendshëm Financiar që synon që për 4-5 vitet e ardhshme të përmirësoj sistemin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit me qëllim të mbrojtjes së burimeve publike, përkatësisht parasë publike, që është në harmoni me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe poashtu në harmoni me kërkesat e donatorëve të jashtëm financiar.
Qeveria në mbledhjen e fundit poashtu ka bërë ndryshimin e akcizave, dhe me këto ndryshime ne do të kemi efekte pozitive sa i përket buxhetit, sa i përket mirëqenies sociale, dhe sa i përket aktiviteteve ekonomike, mirëpo nuk do të kemi asnjë efekt negativ, përpos ata të cilët merren me lojëra të fatit, me kazino dhe me fishekzjarre, do të paguajnë më shumë se sa që kanë paguar deri më tani.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja. Ne këtë Marrëveshje e konsiderojmë se është shumë pozitive për Kosovën, sepse me këtë Marrëveshje ne arrijmë që të bëjmë ndryshimin e Rregullës Fiskale, e cila lejon që Qeveria për investime publike për projekte kapitale, të rrit financimin e saj përmes agjencive të ndryshme financuese, përkatësisht përmes shfrytëzimit të burimeve të jashtme, dhe poashtu përmes kësaj Marrëveshje përmirësohet dhe ruhet stabiliteti fiskal dhe stabiliteti financiar, duke ngritur nivelin e rezervës fiskale dhe duke e përmirësuar strukturën e Buxhetit. Pra, është modifikuar Rregulla Fiskale, tani jemi në fazën që po e përgatisim Ligjin për Pagat, dhe këtë Ligj për Pagat do ta procedojmë para muajit shtator në Kuvend, me të cilin do të unifikojmë tërë sistemin e pagave në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në fund të vitit do të fillojmë me aplikimin e prokurimit elektronik, që është poashtu një prej objektivave tona shumë të rëndësishme.
Tani jemi në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive. Kemi arrit marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim sa i përket financimit të hekurudhës, kemi dhënë garancionet e Qeverisë lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban për Prishtinën, dhe poashtu jemi në marrëveshje me këtë bankë për programet zhvillimore që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, që kanë të bëjnë me ujësjellësin dhe që kanë të bëjnë me kanalizimin në zonat rurale.

Tani në Qeveri kemi aprovuar Planin Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave, me cilin plan ne planifikojmë që të bashkojmë drejtorinë e të hyrave dhe drejtorinë e doganave në një drejtori të përbashkët, me të cilën ne do të racionalizojmë sa i përket organizimit të administratës së këtyre dy drejtorive të deritanishme, sa i përket mbulimit të terrenit, dhe sa i përket ngritjes së mëtutjeshme të disiplinës në grumbullimin e parasë publike dhe të efiçiencës së parasë publike.
Po punojmë edhe në projekte të tjera për të cilat unë më gjerësisht do t’iu informojë së bashku me ministrat përkatës. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, që ka për qëllim që të krijomë kushte për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për thjeshtëzimin e procedurave të tërheqjes së këtyre investimeve.
Po punojmë për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, në mënyrë që sa më shpejtë të përmbyllet edhe kjo, dhe poashtu po punojmë edhe në projektin e “Kosovës së Re”, në mënyrë që të sigurojmë energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën.
Jemi poashtu edhe në negociata në mënyrë që të shohim mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për “Kosovën A”, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe Autostradën për në Merdar, dhe në projektet tjera, për të cilat do të shfrytëzojmë rastin, edhe ato që kanë të bëjnë me bujqësi, që t’iu informojmë së bashku me ministrat e ministrive përkatëse.
Faleminderit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu me Serbine, Kryeminsitri Mustafa, zbatimi i marrveshjeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 772
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT