• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kremlini e zbuloi fytyrën e vërtetë

July 23, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Para ca ditësh, siç është bërë e njohur nga mjetet e informimit masiv, ministria e punëve të jashtme të Rusisë dha shpjegime lidhur me votën kundër projektrezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar për vrasjet masive në Srebrenicë njëzet vjet më parë.
Për projektrezolutën që paraqiti Britania e Madhe, votuan dhjetë anëtarë, kurse katër prej tyre, midis tyre edhe Kina, abstenuan.
Pala ruse vuri veton për këtë projektrezolutë.Ngjarjet e Srebrenicës, sipas projektrezolutës angleze, qenë cilësuar si një gjenocid i pastër. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Vitali Çurkin “sqaroi” se projektrezoluta e propozuar nuk na qenkej konstruktive dhe se ajo të gjithë fajin ua hidhte vetëm serbëve, çka mund të sillte si pasojë konflikte të reja.
Me këtë rast, presidenti serb Tomislav Nikoliç, i entuziazmuar nga qëndrimi i Kremlinit, në një deklaratë të posaçme për mjetet e informimit masiv, tekstin e së cilës e pati botuar Blic, theksonte me të madhe se dita kur u vu vetoja ruse kundër projektrezolutës për Srebrenicën, qenkej një ditë e madhe për vendin e tij. Sipas fjalëve të tij, Rusia jo vetëm nuk lejoi të hidhej hije mbi mbarë popullin serb, por edhe vërtetoi se ajo është një mikeshë e vërtetë e Serbisë.
Një burim diplomatik rus u pati deklaruar gazetarëve se “projektrezoluta për Srebrenicën, ashtu siç ishte paraqitur, ishte e papranueshme” (Citohet sipas: “Rusia vuri veton në Këshillin e Sigurimit kundër Rezolutës për Gjenocid në Srebrenicë”. Marrë nga faqja e internetit “interfaks.ru”.08 korrik 2015).
Sipas këndvështrimit paradoksal të diplomacisë së Kremlinit, rezulton se për gjenocidin e tmerrshëm në Srebrenicë, nuk na qenkan fajtorë vetëm serbët! Por atë krim barbar, me përmasa të lemerishme në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, e kryen pikërisht bishat fashiste të Millosheviçit që përfaqësoheshin nga Karaxhiçi dhe Mlladiçi. Lexuesit nuk kanë ndonjë tjetër informacion për pjesëmarrje formacionesh të rregullta ushtarake të ndonjë shteti të huaj gjatë asaj vrasjeje masive, që të kujton krimet e Hitlerit gjatë Luftës II Botërore kundër hebrenjve dhe kundër popullsisë civile në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik.
Po si shpjegohet ky qëndrim kriminal i Kremlinit ndaj projektrezolutës britanike dhe entuziazmi alergjik i presidentit serb nga përkrahja ruse me veton në Këshillin e Sigurimit?
Shpjegimi është fare i thjeshtë. Edhe Beogradin, edhe Kremlinin, i bashkon psikologjia e krimit.Këtu e ca vjet të shkuara, zoti Xhafer Martini, në një artikull mbresëlënës me titull “Qytetërimi dhe barbaria nuk mund të bashkëjetojnë”, paraqet disa fakte interesante për kodin moral të serbëve. Ndër të tjera, ai shkruan:
“Serbët janë si hienat që vërsulen mbi kërma. Serbët jo vetëm e vrasin njeriun, por edhe e përçudnojnë kufomën në atë mënyrë, saqë ajo të mos identifikohet fare se ç’ka qenë: njeri, kafshë apo ndonjë gjallesë tjetër. Kodi i car Dushanit, ndryshe nga Kanuni ynë burrëror e njerëzor, parashikon dënime nga më të çuditshmet që nuk njihen as në popullsitë e egra të ndonjë zone të thellë të globit tokësor.Nga llojet e dënimeve për fajtorin, që janë të panumërta, parashikohen gjymtimet më të rënda trupore, si prerja e veshëve, prerja e hundës, prerja e duarve, nxjerrja e syve etj.” (Gazeta “Rimëkëmbja”, 21 nëntor 2000, f. 4).
Për analogji me krimet serbe kundër popullit boshnjak dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës, u rekomandoj lexuesve të respektuar të shfletojnë gazetën “Shekulli”, 27 tetor 2002, f. 17, në të cilën është botuar një fotografi befasuese me këtë diçiturë:
“Kufomat e dy luftëtarëve çeçenë, duke u tërhequr zvarrë pas një kamioni ushtarak rus”.
Dhe pranë dy kufomave duket një ushtar entuziast rus që është duke i goditur ato me shkelma. Më tutje, në një plan të dytë të fotografisë, këtë skenë makabre janë duke e soditur dy ushtarë të tjerë. Kurse pak më thellë, në planin e tretë të fotografisë, tre të tjerë ushtarë të ngeshëm rusë, hipur majë një autoblinde, vazhdojnë ta ndjekin me kënaqësi skenën e mësipërme.Sigurisht që kjo skenë rrëqethëse është vetëm maja e aisbergut të krimeve të përbindshme që shovinizmi rusomadh dhe makina e tij ushtarake ka kryer kundër popullit liridashës të Çeçenisë. Poshtërimi i kufomave të dy luftëtarëve çeçenë nga ana e ushtarëve agresorë rusë, zbulon fytyrën e vërtetë gjakatare të shovinizmit rusomadh dhe përmbajtjen e kodit moral të ushtarëve rusë (kopje e kodit moral të ushtarëve serbë), të cilët Kremlini i kishte lëshuar si bisha të tërbuara kundër një populli të vogël, por heroik.
Por, për t’u njohur më nga afër me psikologjinë e krimit që karakterizon Kremlinin, u propozoj lexuesve të nderuar të njihen me një rrëfenjë të të ndjerit Aleksandër Litvinjenko, ish-oficer i Shërbimit Federativ të Sigurisë, i cili ra viktimë e Putinit, pas demaskimit që ai u bëri përgatitjeve paraprake të tij për masakrimin e popullit çeçen:
“I gjendur si mysafir mes miqve të mi çeçenë, unë po ndiqja një film dokumentar, ku shihej qartë se si qarqet ushtarake ruse po fshinin nga faqja e dheut qytete dhe fshatra çeçene, duke shfarosur me egërsi dhe pa mëshirë gra, pleq dhe fëmijë. Për një orë e gjysmë, unë isha dëshmitar i krimeve të përbindshme dhe i torturave të llahtarshme të atyre njerëzve që u pati buzëqeshur fati për të lindur dhe për të jetuar në këtë botë si njerëz të lirë dhe krenarë.
U duhet dhënë haku autorëve të filmit, në të cilin nuk bëhej kurrfarë propagande: aty flitej vetëm me gjuhën e së vërtetës. Aty kishte vetëm të vërtetë dhe asgjë përveç së vërtetës. Dhe kur në kuadrin e radhës, nga ekrani i televizorit po më vështronte një plak i thinjur që kishte humbur çatinë mbi kokë, ose një vogëlush pesëvjeçar me pamjen e një burri të rritur, mua më erdhi turp tmerrësisht që jam rus dhe unë, si i ndotur me pisllëk kokë e këmbë, kisha dëshirë t’ia rrjepja me shparcë lëkurën vetvetes, së bashku me përkatësinë time kombëtare, si bir i popullit “të madh dhe të fuqishëm” rus. Tek po ndiqja të gjitha tmerret e asaj lufte, fatkeqësitë dhe vuajtjet e njerëzve të pambrojtur, shikoja burrat çeçenë që po shtrëngonin grushtat në heshtje, gratë çeçene që po qanin pa bërë zë, kurse unë dëshiroja vetëm një gjë: të bëja një dush me ujë të nxehtë dhe të vazhdoja të rrjepja, të rrjepja dhe përsëri të rrjepja gjithçka që ne e emërtojmë me fjalën “RUS”, në mënyrë që trupi im asnjëherë të mos lëshojë më erën e qelbur rusizëm.
Vladimir Bukovski¹, dikur, duke përsiatur për Rusinë dhe për rusët, pati deklaruar:
“Putini!?Ai nuk është rus,vrasës dhe fundërrina të tillanuk kanë kombësi.Rusë janë njerëz të tillë, si puna ime, si Saharovi dhe si Sollzhenjicini”.
Nuk ka dyshime se edhe këtë herë Vladimir Bukovski ka pasur të drejtë.Se njerëz të tillë, si puna e Putinit, nuk kanë kombësi. Poatëherësiibëhethallitme 145 milionëtetjerë, pa pëlqimin e heshtur të të cilëve nuk do të kishte në këtë tokë putinë dhe soj të degjeneruarish dhe maskarenjsh si puna e tij? Dhe ç’kombësie i përkasin këto miliona gjallesash të heshtura dhe të nënshtruara, të cilat, ende për forcë zakoni, vazhdojnë ta quajnë veten RUSË?
Atëherë çfarëështë lumturia? Lumturi do të thotë kur nuk e fsheh kombësinë tënde. Lumturi do të thotë kur nuk të vjen turp për Atdheun tënd. Lumturi do të thotë kur nuk të pështyjnë nga pas për faktin që ti je RUS!” (Citohetsipas: AleksandërLitvinjenko. “Çfarëështëlumturia?”.Marrë nga faqja e internetit “apocalypse-2012.com”.06qershor 2006).
Tek po ballafaqoja në përfytyrimin tim krimet e shtazërisë serbe në Srebrenicë dhe në Kosovë, me krimet e shtazërisë ruse kundër popullit heroik çeçen, nuk mund të rrija pa sjellë në kujtesë masakrimet barbare të nazifashizmit grek kundër popullsisë së pafajshme të krahinës shqiptare të Çamërisë. Dhe vetvetiu vjen e tëravijëzohet në kujtesë trekëndëshi dybrinjënjëshëm: me dy brinjët Moskë-Beograd dhe Moskë-Athinë dhe me bazën Beograd-Athinë. Një trekëndësh ortodoks ky, i mbarsur me një urrejtje shtazërore mesjetarekundër tre popujve të besimit islam në kontinentin tonë.Për krimet e Srebrenicës u përgatit një projektrezolutë me nismën e Britanisë së Madhe. Po për krimet e nazifashizmit grek kundër Çamërisë dhe për krimet e shovinizmit rusomadh kundër Çeçenisë, a do të kujtohet kush vallë për të përgatitur ndonjë projektrezolutë? Nuk e besoj. Se Shqipëria është një vend pa zot. Se klasa politike e Tiranës, gjatë 25 vjetëve,jo vetëm qëështë selitur si një servile e pështirë e Greqisë, por ka edhe paturpësinë ta konsiderojë atë si “fqinjen tonë strategjike”. Paçka se Greqia sot përfaqëson shtetin më të pamoralshëm të rruzullit tokësor. Sa për Çeçeninë, mund të thuhet me bindje se Putini atje i ka kopsitur punët me shumë kujdes: ka vënë në krye të saj një kukull të zgjedhur për merak, një tradhtar të regjur të popullit çeçen me emrin Ramzan Kadirov, i cili, sa herë bëhen zgjedhje presidenciale në Federatën Ruse, Kremlinit ia sjell votat të gatshme në tabaka, me rezultatin 99,99%.
————————-
¹VladimirBukovski (1942), shkrimtar, personalitet politik dhe shoqëror,ështënjëringathemeluesitelëvizjessëkundërshtarëvetëregjimitnëBashkiminSovjetik.Nëtërësi, aipatikaluar 12 vjetnëpërburgjedhekampetëpunëssëdetyruar.Në vitin 1976, autoritetet sovjetike e shkëmbyen me udhëheqësin e komunistëve kilianë Luis Korvalan (1916-2010), i burgosur politik.Pas këtij shkëmbimi, Bukovski u shpërngul në Angli, ku edhe jeton në Kembrixh.Në vitin 2007 ai vuri kandidaturën për president i Federatës Ruse, por komisioni qendror i zgjedhjeve nuk e regjistroi emrin e tij.Në vitin 2014, ministria ruse e punëve të jashtme nuk pranoi t’i jepte shtetësinë (E.Y.).

Tiranë, 23 korrik 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: e vërtetë, e zbuloi fytyrën, Kremlini, Prof. dr. eshref Ymeri

KOSOVA, VERË ME SHUMË PUNË TË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

July 23, 2015 by dgreca

-Priten edhe ndryshiumet kushtetuese drejt FAK-ut e Speciales/
-Shpërbëhet “Mbrojtja Civile” në komunat veriore me shumicë serbe/
– Para pesë vitesh, në 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Korrik 2015/ Vera e Kosovës me shumë vapë është edhe me shumë punë për institucionet shtetërore, që do kenë në axhenda edhe ndryshimet kushtetuese drejt transformimit të FSK në FAK, për të cilin ka kushtëzime nga Lista Srpska dhe krijimit të Gjykatës Speciale, për të cilën ka mungesë votash në Kuvend.
Te merkuren paradite është mbledhur qeveria, e pasdite për vazhdimin e seancëns plenare të ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, në 16 korrik, u mbidh Kuvendi i Kosovës, i cili nesër do të ketë edhe seancë të re.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherit zëvendëskryeministër e ministër i Jashtëm, i ka thirrur deputetët e partisë së tij për të diskutuar sot paradite rreth themelimit të Gjykatës Speciale. “Kuvendi i Kosovës nuk duhet të mbyllë sesionin pa përmbyllur këtë proces të rëndësishëm”, u shpreh ai pas takimit.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre10 serbë.
Në Kuvendin e Kosovës pritet që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave, ndërkohë që mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë të theksuara edhe sot në ballinat e shtypit kosovar janë se, shtyrja e votimit të Speciales është e dëmshme për Kosovën.
“Pres themelimin e Gjykatës Speciale. Shpresoj se do të bëhet së shpejti, dhe jo me vonesë dhe shpresoj që kjo do të na ndihmojë të gjithëve që të shohim Kosovën duke bërë progres në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar dje në Prishtinë Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baroneshën Joyce Anelay.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë u paralajmërua riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën që nuk votoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese, por në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
Sipas opinionit të opozitës, të theksuar edhe sot, “riprocedimi i Speciales përmbys rendin kushtetues”. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, cituar nga shtypi, “e ka ftuar qeverinë e Kosovës ta respektojë votën kundër të deputetëve për Gjykatën Speciale dhe të mos e riprocedojë këtë çështje më në Kuvendin e Kosovës”.
Ndërkohë, para se të futen në axhendë seance plenare të Kuvendit propozim-amendamentet kushtetuese të propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia e Kuvendit të hënën vendosi “t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Lista Srpska, me 10 deputetë, pjesë e koalicionit qeverisës në deklarata për media ka shprehë qëndrimin se, “nuk do të votojë transformimin e Forave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës derisa të përmbushen katër kushte”, të cilat janë: Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, emërimi nga komuniteti serb i zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, zëvendësi i komandantit të FSK-së të jetë poashtu nga radhët e komunitetit serb si dhe ndërprerja e privatizimit nëpër komuna, përfshirë Brezovicën (qendër turistike) dhe Trepçën (kombinatin xehtaro metalurgjik kimik ).
Ndërsa, nga ana e opozitës që e përbëjnë tre parti shqiptare, u deklarua se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Derisa nuk dihet kur do jenë në axhendë të seancave plenare ndryshimet Kushtetuese drejt FAK-ut e Speciales, sot dhe nesër në Kuvendin e Kosovës shqyrtohen e diskutohen çështje të tjera.

QEVERIA E KOSOVËS, KONKLUZIONE TË DIALOGUT NË BRUKSEL PËR SHPËRBËRJEN E “MBROJTJES CIVILE”

Ndërsa, qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” e cila funksionon në komunat veriore me shumicë serbe dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës. Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Vendimi i sotëm është pjesë e përmbushjes së obligimeve të qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm shuarjen e këtyre strukturave që kanë vepruar në veri të vendit, dhe integrimin sipas ligjeve të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Natyrisht që është një kosto shtesë sepse është fjala për 483 punonjës, mirëpo, poashtu jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Financave. Ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit, dhe natyrisht edhe buxhetit të punësimit. Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë, në mënyrë që t’i integrojmë këto struktura, dhe pastaj do të bëjmë shuarjen e tyre, dhe poashtu do të bëjmë edhe shfrytëzimin e të gjitha objekteve dhe hapësirave që janë shfrytëzuar për ato qëllime, për institucionet legale të Republikës së Kosovës, që veprojnë në veri të vendit”, tha kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se ky është edhe një obligim edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat janë quar përpara këto procese, duke shprehur besimin se po përmbyllet ky proces dhe se do t’i përmbyllen edhe proceset tjera që janë përpara.
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Me këtë rast ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, “arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile’ dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Marrëveshja parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, theksonte ministrja Tahiri.

VENDIMI I GJND PARA 5 VITEVE, VULË E LEGALITETIT TË SHTETËSISË SË KOSOVËS

Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, përkujton se sot shënojmë pesëvjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Ky vendim dëshmoi se aspiratat e popullit të Kosovës për pavarësi ishin legjitime, derisa akti i shpalljes ishte në përputhje të plotë me çdo normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare. Edhe sot u jemi mirënjohës të gjitha shteteve mike që na përkrahën në këtë fitore të madhe ndërkombëtare, që përbën edhe vulën e legalitetit të shtetësisë së Kosovës”, thekson Thaçi.
Para pesë vitesh, në 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.
“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së dretës ndërkombëtare”, theksohej më tej.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, per institucionet, shume pune

Diplomacia, “shtylla kurrizore” e shtetit

July 23, 2015 by dgreca

Shkruan:MSc.Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
ÇFARË ËSHTË DIPLOMACIA?/
Diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar tek fjalori i Oxfordit, diplomacia konceptohet si menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të negociatave. Ndërsa diplomati brtitanik Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”. Përkufizimi më i pranuar mbi diplomacinë është: Diplomacia është arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Metoda me të cilën këto marrëdhënie ndreqen dhe menaxhohen nga diplomatët pra Ambasadorët dhe të Ngarkuarit me Punë, cilësohet si puna ose zehja e një diplomati. Në këtë kuptim diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetit e akredituar. Diplomati britanik dhe teoricienti Sir Harold Nicolson, deklaron: “Diplomacia nuk është shpikje e as kalim kohe për ndonjë sistem politik të veçantë, por është element thelbësor në çdo marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet njerëzve me njerëzit dhe kombeve me kombet”.Cila është origjina e fjalës diplomaci ? Në aspektin historik fjala “diplomaci” vjen nga greqishtja e vjetër, që nënkupton një dokument me dy fletë, këtë koncept e morën dhe e zhvilluan romakët e vjetër, e cila mori formën e një leje pra dokument udhëtimi metalik i hollë i palosur në dy fletë. Kjo leje evoloi dhe u quajt “Diploma”, më vonë me ruajtjen, shpjegimin dhe arkivimin e këtyre dokumenteve vijmë në shekullin e 17-të, ku quhet “Res Diplomatica” dhe më pas në futjen e termit në diplomaci që nënkupton traktate dhe marrëveshje të ndryshme që nënshkruhen ndërmjet shteteve. Termin “Diplomaci” për herë të parë e ka përdorur në vitin 1796, Edmund Buke në Britaninë e Madhe. Ku dhe kur lindi diplomacia ? Diplomacia ka pasur një rrugëtim të gjatë historik si teori dhe praktikë që lidhet me thellësinë e shekujve e me shtetet antikë si Kina, Roma e vjetër, Greqia e lashtë. Vetë diplomacia ka lindur nga lufta, nevoja për paqe, komunikim, kompromis për çështje jetike si territoret dhe uji në komunitetet primitive parashtetërore. Ndërsa formën e saj më të qartë dhe të konsoliduar ajo e merr me krijimin e qytet-shteteve Greke, konkretisht në vitin 432 para erës së re që mund të quhet edhe si lindja e diplomacisë. Në këtë periudhë Sparta përveç luftës, përdori diplomacinë dhe krijoi aleancën e parë të quajtur “Liga e Peloponezit”, lindi lidhja shtet me shtet, bisedimi, komunikimi dhe përpjekja për ngritjen e një sitemi diplomatik. Në këtë kohë kishim edhe përfaqësuesit e parë diplomatik në Greqi në formën e lajmëtarit, negociatorit dhe konsullit që ishin: 1.) Angeles – Prezbys. 2.) Keryx. 3.) Proxenos. Zhvillimi historik i diplomacisë erdhi nga “Greqia e Lashtë”, “Roma e Vjetër” ndërsa në mesjetë kontributi erdhi nga “Perandoria Bizantine”, vazhdoi në mesjetën e vonë me “Rilindjen Europiane” që lidhet drejtëpërsëdrejti me Italinë, Fierencën dhe Milanon. Në këtë kohë lindi edhe termi “Ambasador” dhe u bë dërgimi i ambasadorit të parë nga Duka i Milanos në vitin 1455, sigurisht u zhvillua edhe teoria dhe praktika e diplomacise nga Nicolo Machiavelli i cili në vitin 1515 shkroi “Princin” dhe njihet për shprehjen “qëllimi justifikon mjetin”. Në fund të shekullit të 16 dhe fillim të shekullit 17, filloi etape e re për diplomacinë me kontributin e Francës së Luigjit 13-të dhe me Cardinalin Richalieu që njihet si sinonimi i “Raison d’etat” (Arsyeja Shtetërore). Richalieu për herë të parë krijoi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pas Francës u krijua në Britanine e Madhe dhe SHBA. Në gjysmën e shekullit të 17 në vitin 1648 në “Kongresin e Vestfalisë” përfundoi edhe lufta 30-të vjeçare dhe u shënua fillimi i “Diplomacisë Klasike Europiane”, e cila vendosi funksionin e misionit diplomatik të përhershëm. Në vitin 1789, Franca përjetoi “Revolucionin Francez” i cili ishte në kundërshtim me parimet e “Kongresit të Vestfalisë”, ndryshimet për diplomacinë vazhduan në vitin 1850 me “Kongresin e Vjenës”, Aleancën e Shenjtë, Koncertin e Europës të cilët u përpoqën për krijimin e Rendit të Ri Europian. Shekulli i 19 ishte i qetë, por kjo mori fund me fillimin e Luftës së I-rë Botërore në vitin 1914, këtu “Diplomacia Klasike” njeh lulëzimin e saj më të madhë dhe njihet si Diplomacia e Vjetër, Tradicionale ose e Oborreve. Etapat kryesore të zhvillimit të diplomacisë janë: 1.) Diplomacia klasike nga viti 1648 me Kongresi i Vestfalisë deri në Luftën e I-rë Botërore. 2.) Diplomacia Moderne nga mbarimi i Luftës së I-rë Botërore në vitin 1918, vazhdon me Luftën e II-të Botërore në vitet 1939 – 1945 deri në fillimin e viteve 1980 – 1990 , pra me përfundimin e Luftës së Ftohtë. 3.) Diplomacia Postmoderne filloi pas vitit 1990, pikërisht me “Rendin e Ri Ndërkombëtar”. Ligji ndërkombëtar për kodifikimin e së drejtës moderne diplomatike dhe për mbrojtjen e diplomatëve u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dha në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore në vitin 1963. Aty përcaktohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve, specifikohen priviligjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe misionit diplomatik që të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit. Qartësisht kjo konventë është guri themelor për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Tre janë kategoritë e Krerëve të Misioneve Diplomatike sipas studiuesit Ralph G. Feltham në librin “Diplomacia”, si më poshtë: 1.) Ambasadorë, nuncë apostolike krerë të tjerë misionesh në rang të njëjtë. 2.) Të dërguar, ministra të jashtëzakonshëm dhe ministra fuqiplotë. 3.) Ministra resident. 4.) I ngarkuar me punë. Këto kategori të mësipërme janë përcaktuar që nga Kongresi i Vjenës, i cili themeloi shërbimin diplomatik. Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këto janë funksionet e diplomatit: 1.) Përfaqësimi i shtetit dërgues në shtetin pritës. 2.) Mbrojtja në shtetin pritës e interesave të shtetit dërgues dhe e shtetasve të tij, brënda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare. 3.) Negocimi me qeveritë e shtetit pritës. 4.) Informimi me të gjitha mjetet e ligjshme për kushtet dhe zhvillimet në shtetin pritës dhe raportimi lidhur me ato të qeverisë së shtetit dërgues. 5.) Nxitja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pritës, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike, kulturore dhe shkencore. Aparati i posacëm shtetëror për zbatimin e diplomacisë përfshinë Politikën e Jashtme të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shërbimet Diplomatike dhe Shërbimet Konsullore. Format dhe llojet e diplomacisë kanë evoluar, por disa nga më të rëndësishmet janë këto: 1.) Diplomacia Klasike. 2.) Diplomacia Moderne. 3.) Diplomacia Postmoderne. 4.) Diplomacia Tradicionale. 5.) Diplomacia e Fshehtë. 6.) Diplomacia e Hapur. 7.) Diplomacia Dypalëshe.8.) Diplomacia Shumëpalëshe. 9.) Diplomacia e Samiteve. 10.) Diplomacia Bërthamore.11.) Diplomacia Ushtarake dhe e Mbrojtjes. 12.) Diplomacia Parlamentare. 13.) Diplomacia Ekonomike. 13.) Diplomacia Kulturore. 14.) Diplomacia Personale. 15.) Diplomacia Tranzitore. 16.) Diplomacia Shtërnguese. 17.) Diplomacia e Qetë. 18.) Diplomacia Zyrtare. 19.) Diplomaci Publike. 20.) Diplomaci Qytetare. Diplomati amerikan Leon B. Poullada, bënë këtë klasifikim të funksioneve të diplomacisë: 1.) Menaxhimi i konfliktit. 2.) Zgjidhja e problemeve. 3.) Ndërveprimi ndër-kulturor për një gamë të gjërë çështjesh. 4.) Negocimi dhe marrëveshja. 5.) Menaxhimi i programit dhe i vendimeve të politikës së jashtme të një shteti tjetër. Sudiuesit Hans J. Morgenthau në librin “Politika ndërmjet Kombeve” i vitit 2008, përcakton tre funksione bazë të diplomatit për qeverinë e tij përgjatë shërbimit diplomatik: 1.) Funksioni Simbolik. 2.) Funksioni Ligjor. 3.) Funksioni Politik.
Diplomati është personi që emërohet nga shteti dërgues për të përfaqësuar dhe zbatuar Politikën e Jashtme në shtetin e akredituar me mision diplomatik. Këtu përfshihen Shtetet, Organizatat Ndërkombëtare, Institucionet Ndërkombëtare, Organizatat Rajonale, Organizatat Jo-Qeveritatare dhe Organizatat e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Për shkak të rëndësisë së detyrës diplomati duhet të posedojë dhe zotërojë njohuri shumëdimensionale në këto drejtime:1.) Njohuri eksperti për gjeografinë, historinë, kulturën, institucionet, politikën, ekonominë, demografinë, burimet njerëzore, bujqësinë, financën, industrinë. 2.) Aftësi profesionale intelektuale për analizë, raportim, bisedim, negocim, përfaqësim, drejtim misioni, komunikim, prezantim në televizione dhe gjuhën e huaj përgjatë zbatimit të politikës së jashtme. 3.) Cilësi vetjake i sjellshëm, i qetë, i përshtatshëm, kurioz, i shkathët, kërkohen cilësi dhe njohuri të rralla për të qënë një diplomat i përkryer. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, e përcakton në këtë mënyrë përbërjen e personelit të misionit diplomatik: 1.) Kreu i misionit. 2.) Pjesëtarët e misionit. 3.) Pjesëtarët e personelit të misionit. 4.) Pjesëtarët e personelit diplomatik. 5.) Agjenti diplomatik. 6.) Pjesëtar i personelit adminisrativ dhe teknik. 7.) Pjesëtar i personelit të shërbimit. 8.) Punonjës privat.
Së fundi, mendimtarët e mëdhenj si Nicolo Machiavelli, Francesco Gurcciardini, Hugo Grotius, Cardinal Richalieu, Abraham de Wicquefort, Ernest Mason Satow, Sir Harold Nicolson dhe Henry Kissinger kanë lënë një ndikim të rëndësisë epokale për zhvillimin e diplomacisë, secili kontriboi në konceptimin teorik dhe praktik të diplomacisë. Sidoqoftë diplomacia është përshtatur, përshtatet dhe do të përshtatet me të gjitha zhvillimet dhe të papriturat që rezervon e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Siguria dhe paqja ndërkombëtare bazohen fortë tek diplomacia sepse me anë të diplomacisë mund të forcohet sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të gjithë globin. E ardhmja e diplomacisë është Diplomacia Globale, Diplomacia Kolektive, Diplomacia e Samiteve, Diplomacia Publike gjithmonë me hapin e kohës, sepse siç shprehet Hans J. Morgenthau: “Diplomacia është truri i pushtetit shtetëror”.

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomacia, Eraldo Mecalla, kombi, marrdheniet nderkombetare, shteti

Ligji i Arsimit të Lartë,pozitë–opozitë takohen në Gjykatën Kushtetuese

July 23, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Në Shqipëri vazhdojnë debatet për ligjin e ri për Arsimin e Lartë i cili miratua pas mesnatës së datës 21 korrik me votat e shumicës së majtë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha paralajmëroi dje një aksion për të penguar hyrjn e tij në fuqi, që nga ndërhyrja pranë presidentit deri të ankimimi në Gjykatën kushtetuese. Por nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se ligji përfaqëson një reformë revolucionarizuese të sistemit të lartë arsimor në vend. Seanca maratonë e datës 21 korrik në parlament dhe debatet e zjarrta mes shumicës dhe opozitës, nuk kanë mjaftuar për të zbutur zhurmën e madhe që ka shkaktuar ligji për arsimin e lartë. Përkundrazi. Edhe në ditët në vijim po vazhdojnë replikat në distancë mes palëve. Ja si u shprehën liderët e dy forcave kryesore politke në vend për këtë ligj të rëndësishëm.
Rama: Ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton askënd.
Kryeministri Edi Rama mbrojti ligjin e arsimit të lartë, të kaluar ditën e martë në seancën e posaçme të Kuvendit, duke deklaruar se ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton asnjë nga e drejta e arsimimit. “Produkti është shumë i mirë dhe është për të ardhur keq kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mëyrën më të papranueshme. Ligji garanton konkurrencë dhe që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër për të kryer me sukses përfundimet ku ata dëshirojnë”, tha Rama. Ligji mbështete financiarisht jo vetëm këtë shtresë, por edhe studentët e shkëlqyer dhe ata që zgjedhin programet e përcaktuara si prioritet kombëtar.
“Ky është një ligj që hap rrugën për të sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane pas 20 e ca vitesh korrupsion dhe privilegjesh për një kastë që është financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka kthyer mbrapsht investimin e marrë”, deklaroi kryeministri. Rama ripërsëriti se financimi shtetëror shkon i gjithë për të mirën publike, për rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Basha: Në Kushtetuese ligjin e arsimit të lartë. Rama-Meta, shkatërruan autonominë
Partia Demokratike paralajmëoi kundërshtimin deri në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar ditën e martë nga mazhoranca.
“Ne do të marrim një aksion të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të çdokujt, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e mijëra gjimnazistëve? Si goditen të zotët, të aftët? Si stimulohen të paaftët? Çfarë do të thotë kjo për studentët? Një fushatë ndërgjegjësuese që nis sot e do të vazhdojë. Së dyti Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion masiv institucional, që nga Presidenti e deri tek Gjykata Kushtetuese, ku opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve që kanë të drejtë”, tha Basha. Për opozitën është akoma më e qartë se ligji u shërben interesave të një pakice njerëzish. “Me vendimin e djeshëm është hapur një betejë e madhe me njërën anë qeverinë dhe pakicën klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shpërblyen dje, dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët, që nga fëmijët e deri tek prindërit e gjyshërit”, u shpreh kreu i opozitës. Basha ironizoi duke thënë se ligji i arsimit të lartë është votuar nga deputetë pa diplomë, me diploma të rreme dhe me rekorde kriminale. Basha përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancë plenare nga deputetët e opozitës, kur thanë se ligji do të rrisë kostot dhe tarifat duke u hequr të drejtën e arsimimit shtresave të varfra. Por jo vetëm kaq. Sipas Bashës, ligji shkatërron cilësinë përmes shkatërrimit të autonomisë me një qëllim të vetëm; vënien nën kontroll të pedagogëve. “Me këtë vendim, Rama-Meta kërkojnë të përdorin si marioneta pedagogët, në shtesa të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike shkencore që janë dhe duhet të jenë”, deklaroi Basha.
Ligji i ri, i cili është kundërshtuar dhe nga një pjesë e pedagogëve dhe studentëve, do të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm akademik, në mënyrë që gjatë këtij harku kohor të përgatiten dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjykata Kushtetuse, Ligi per Arsimin e Larte, pozite opozite, Shefqet Kercelli

Quo vadis, arsimi shqiptar ?

July 22, 2015 by dgreca

MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Aristoteli, filozofi më i madhë i botës antike shprehet mbi rendësinë e arsimit: “Rrënjët e arsimit janë të hidhura, por fruit është i ëmbël”. Në rastin e Shqipërisë, arsimi ka pasur një rrugëtim dhe tranzicion tepër problematik. Ndërsa sot në prag të miratimit të “Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”, debatet dhe kundërshtimet ndërmjet aktorëve të botës akademike si pedagogë, profesorë, akademik dhe klasave politike dhe të shoqërisë janë tepër të zjarrta. Si gjithmonë politika dhe politikanët politizojnë gjithçka, për më tepër edhe arsimin shqiptar çka nuk duhet të ndodhte kurrë.Përfitimet ndërmjet shoqërisë dhe arsimit janë reciproke, “më jep të jap” në këtë kuptim individi nga arsimimi fiton njohuri intelektuale dhe profesionale të cilat shtojnë shanset e punësimit, ndërsa shteti zhvillon potencialin ekonomik dhe intelektual të shoqërisë për të ardhmen.
Nuk është aspak rastësi që viti 2015, e gjen arsimin shqiptar në një pikë kritike dhe kaosi total në të kuptuarin e situatës drejt. Është e qartë se problemi nuk është as tek ligji i ri i arsimit me tipare “anglo-saksone” që pritet të miratohet sepse nëse shikohet me kujdes dhe paanëshmëri ai rrit konkurrencën e drejtë, meritokracinë, sitemin e vlerave dhe respektimin e parimeve bazë të arsimit të lartë shqiptarë edhe nga ana kushtetuese. Problemi qëndron tek dekadat e ikje-ardhjeve qeveritare që kanë goditur thellë sistemin e arsimit dhe botën akademike shqiptare, ku numri i universiteteve në raport me popullsinë nuk kishte asnjë lidhje, diploma të blera, fusha studimi jo në koherencë me kërkesat e tregut të punës, mësimdhënie jo profesionale, mungesë e kërkimit shkencorë, grada shkencore Ba, Ma, Dr, Prof. As, Prof. Dr të fituara pa përmbushur kriteret akademike dhe ligjore dhe student jo korrektë e aspak të predispozuar për të studiuar në të cilën ka mbizotëruar fenomeni i Universiteteve “Kafene”.
Thelbi i arsimit të lartë shqiptar dhe elementët përbërësë janë: 1.) Institucionet publike dhe private, uiversitetet dhe akadmitë, fakultetet dhe departamentet, pedagogët dhe studentët. 2.) Financimi i arsimit nga shteti, privati ose donatorë. 3.) Rregullat e veprimtarisë dhe sjellja në sitemin arsimor. Ana pozitive e këtij ligji ose reforme nga pseudo reformat e të shkuarës, është tek muajt e gjatë të konsultimit me shumë aktorë, grupe interesi, ekspertë dhe profesionistë. Synimet e ligjit janë të qarta rritja e cilësisë, zgjerimi i autonomisë, kontrolli i cilësisë, respektimi i kuotave dhe kritereve të pranimit të studentëve, përcaktimi qartë i numrit dhe pagesës së stafit akademik, përcaktimi i tarifave të studimit dhe buxheteve të universiteteve.
Normalisht me gjithë këto vite reformash që vetëm emrin kanë të tilla, shoqëria dhe aktorë të tjerë janë bërë shumë mosbesues dhe kjo me të drejtë. Për një të ardhme të sigurtë dhe të sukseshme në BE, duhet të forcojmë sitemin arsimor me anë të kësaj kryereforme. Rendësia e arsimit të lartë në shqipëri përtej çdo interesi, përtej çdo partie ajo lidhet drejtëpërsëdrejti me çdo familje shqiptare prandaj është me interes kombëtar.
Në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë më 10 korrik 2015, Kryeministri Edi Rama theksoi: “Unë jam shumë krenar që në ditët në vijim, parlamenti i Shqipërisë do të miratojë ligjin e ri për Arsimin e Lartë, që në radhë të parë është lajm i shkëlqyer për prindërit e këtij vëndi, të cilët investohen me mish e me shpirt që fëmijëve të tyre t’i japin mundësinë e një shkollimi të lartë dhe që në këmbim të marrin satisfaksionin e jashtëzakonshëm të përmbushjes së aspiratave të fëmijëve të tyre”. Kryeministri shtoi: “Historia e universitetit nënë dhe universitetit njerkë, mbaron”. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, mbi ligjin e arsimit të lartë u shpreh: “Reforma për arsimin do të rrisë kostot për studentët, do të rrisë kostot për xhepat e tyre. Ato do të kenë të vështirë për shkak të papunësisë dhe varfërisë në rritje”.
Që të kryhet një analizë e plotë mbi Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencore në Shqipëri duhet të kalosh njëri pas tjetrit të 144 nenet dhe 69 faqet e ligjit. Fatëkeqësisht shumica e personave flasin përpara se të lexojnë sepse i pëlqejnë analizat e pabazuara në lexim. Natyrisht kjo reformë mbi arsimin nuk është aspak e nxituar dhe vjen pas një kohe të gjatë planifikimi të detajuar, e bazuar në shumë pika në “Ligjin e Arsimit të Lartë” i vitit 2007. Reforma bazohet tek vlerat europiane dhe vazhdimësia e “Proçesit të Bolonjës”. Ky ligj është i rëndësishëm sepse zhduke edhe dallimet e Universiteteve Publike dhe Private, duke i kaluar në formën e një institucioni të pavarur publik.
Në nenin e parë të Arsimit të Lartë sanskionohet se misioni i arsimit të lartë është, “një e mirë dhe përgjegjësi publike”. Kjo tregon qartë se vizioni për një arsim cilësor dhe të shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët. Në mënyrë që kjo ide dhe vizion të realizohet ka edhe kosto, siç do investim tjetër, por individi dhe shoqëria duhet të mendojnë për të ardhmen , nuk ka shtet në botë që kërkon të përkeqësojë situatën e arsimit sepse ai është themeli i kombit sot dhe në të ardhmen. Mendësia aktuale mbi arsimin duhet të ndryshojë, kjo është diçka e natyrshme që në botë dhe Europë në vendet e zhvilluara ka ndodhur përpara 50 viteve.
Për të realizuar këtë koncept kërkohet punë e jashtëzakonshme nga të gjithë aktorët kryesorë për të eleminuar korrupsionin, mungesën e kërkimit shkencore, nepotizmin, administrimin e gabuar dhe jo ndasi të kota, çdo reformë është e ashpër në fillim por më pas shfaqen përfitimet. Suksesi i këtij ligji pikërisht qëndron tek diskutimet dhe këndëvështrimet e ndryshme, që tregojnë emancipim në mentalitetin e shoqërisë Shqiptare dhe ndryshimet madhore që do të sjellë ligji.
Shqipëria, sot gjëndet përpara ndryshimeve të mëdha, ka ardhur moment i përcaktimit të modelit europian dhe demokratik të sistemi arsimor, në qendër të së cilës do të jenë këto elemente: 1.) Autonomia universitare që përfshinë liri akademike, administrative, strukturore dhe financiare. 2.) Kërkimi shkencor si metodë mësimi. 3.) Implementimin e kulturës, traditës dhe praktiës në të gjithë sistemin arsimorë. 4.) Sistem i unifikuar i arsimit të lartë privat dhe shtetëror me skemën e një institucioni të pavarur publik. Në këtë mënyrë universiteti do të jetë vendi, ku demokracia, liria, drejtësia, vlera, virtyti dhe meritokracia do të mbizotërojnë.
Sot që diskutojmë sistemi i arsimit është i tejmbushur me antivlera si klientelizmi, inkopetenca, mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni, elemente të një universiteti “familjar”. Universiteti si djepi i demokracisë duhet të zhvillojë shoqërinë dhe jo të presë nga shoqëria zhvillimin.Sinqerisht, shpresojë që kjo reformë do ti rezistojë kohës dhe të mos kthehemi në përsëritje të së shkuarës, me reforma mbi reforma. Ligji i ri bazohet tek nevoja e shoqërisë shqiptare, të lodhur nga 25 vite papërgjegjshmërie në sistemin arsimor, për të implementuar vlerat dhe provojat më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Flitet për interesa nga palë të ndryshme, nuk mund të fshehim që mund të ketë të tilla por të mirat që sjell ligji mbizotërojnë, duke shëruar dukuritë negative, duke rritur cilësinë, besimin tek arsimi dhe zhvillimin ekonomik.
Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencorë bazohet tek Ligji i Arsimit të vitit 2007 dhe tek parimet e “Proçesit të Bolonjës”. Dy aspektet kryesore të ligjit mbi arsimin janë: 1.) Aspekti i kontrollit, menaxhimit dhe administrimit të universiteteve duke ja deleguar këto detyra organizmave si: QSHA (Qëndra e Shërbimeve Arsimore), AKFAL (Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë), KALKSH (Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimi Shkencor). 2.) Aspekti organizativ, financues dhe buxheti.
Megjithatë mendimet, opinionet, diskutimet, këndëvështrimet e çdo qytetari, pedagogu, studenti, politikani apo çdo personi të interesuar që kanë vlera dhe virtyte duhet të dëgjohen dhe duhet të jenë të dorës së parë. Siç thekson Nelson Mandela: “Arsimi është arma më e fuqishme që ju mund të përdorni për të ndryshur botën”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi shqiptar, Eraldo Mecalla, Quo vadis

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • 777
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT