Nga Eugjen Merlika/*
Të nderuar antarë të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, shumë të nderuar miq e të ftuar, qytetarë të Krujës të pranishëm, ……… !
Më takoi mua sot të ju përshëndes e t’u uroj mirseardhjen në këtë sesion të shoqatës sonë mbarëkombëtare. Falënderoj nga zemra Kryesinë e Shoqatës që më bëri këtë nderim të posaçëm, më të lartin që kam patur në jetën time, të kaluar nëpër kampet e internimit të komunizmit deri në moshën 47 vjeçe e në mërgim, në Vendin e lindjes së nënës sime italo – shqiptare prej afër një çerek shekulli.
Kruja, ky qytet i lashtë, zemra e Trojeve të Arbërit, sot na pret me bujarinë e saj karakteristike, madje proverbiale, nëse mbajmë parasysh faktin se njëqind vjet të shkuara, këtu nuk kishte një hotel, sepse çdo i ardhur, cilido t’ishte, strehohej në shtëpitë e familjeve bujare të saj. Sot ajo na uron, me gjithë zemër, punë të mbarë në veprimtarinë tonë rreth 11 – vjeçare, të Shoqatës mbarë kombëtare.
Dëshmia më e dukëshme e kësaj veprimtarie janë 12 vëllimet e botuara deri tani, të titulluara “E djathta shqiptare në shërbim të Shqipërisë etnike”,me kumtesat e pregatitura për të gjithë sesionet. Në to janë trajtuar gjërësisht e thellësisht problemet tona kombëtare të së shkuarës e të së sotmes, të qëndresës së shqiptarëve të lënë jashtë kufijve të shtetit e të përndjekjeve të pësuara prej tyre nga qeveritë fqinje, të përpjekjeve të tyre të gjithanëshme për të jetuar, si me ajrin, me ëndrrën Shqipëri. Besojma njerëzore e politike e Shoqatës, në këta vite të veprimtarisë së saj, ka qenë fjala “Atdhe”, pa të cilin “njeriu është një pikë e humbur në ngjarjet rastësore të kohës e të hapësirës”, siç shprehej dikur Lacordaire (1802 – 1860), një prift i njohur dominikan francez.
Në këtë qytet të lavdisë shqiptare u lindën të parët e mij, madje më i njohuri i tyre, Mustafa Merlika – Kruja, qe i deleguar nga populli dhe paria e këtij qyteti, kryeqendrës së epopesë madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të firmoste n’emër të tyre, dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Shpalljen e Pavarësisë së saj kombëtare, më 28 nëndor 1912, në Vlorë. Ky tubim i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, që është i trembëdhjeti, e që mbahet me temën “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e madhe e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në fund të shekullit XX”, do të sjellë jehonën e bëmave të shekullit të madh, por dhe të atyre pasardhës, me të gjithë ngarkesën e tyre të fitoreve e të humbjeve, të dhimbjeve të shumta e të gazit të pakët, të gjakut e të lotëve, të asaj që qe historia jonë e vërtetë.
Kjo Shoqatë ësht’ e lindur jashtë politikës, si nevojë për të zëvendësuar mungesat e saj në skenën shqiptare, nga njerëz që jetonin në krahina të ndryshme të trojeve arbërore e në Vende të ndryshme të botës. Pikëpamja e Atdheut, sipas tyre, është binjakëzuar me ato të lirisë e të demokracisë, duke i u afruar atij të Giuseppe Mazzinit, një nga etërit e Italisë së bashkuar : “Për derisa, vendase apo të huaj, ju keni një tirani, si mund të keni një Atdhe ? Atdheu është shtëpia e njeriut, jo e skllavit.”
Në tubimet e Shoqatës, ajka e studjuesve dhe intelektualëve shqipfolës, ka shkruajtur historinë e vërtetë të Shqipërisë, jo atë të shtrembëruar, deri në tjetërsim, nga historianët e regjimeve komuniste brënda e jashtë kufijve zyrtarë të saj. Në qindra kumtesat cilësore është folur për personazhet e historisë sonë, që janë errësuar qëllimisht nga ajo zyrtare, për përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar, të vrarë, të gjymtuar, të nxirë, të zhdukur nga kujtesa historike.
Në sajë të atyre studimeve i janë kthyer kujtesës historike të shqiptarëve figura të ndritura atdhetarësh, shtetarësh e martirësh të çështjes shqiptare, që ranë fli në luftën për idealin kombëtar, për Shqipërinë e bashkuar, për përparimin e demokratizimin e saj. Atyre u janë shtuar ndihmesat e atyre që u detyruan të lenë atdheun e zgjedhës komuniste e të kërkojnë një jetë tjetër në vënde të ndyshme të botës, por që nuk reshtën kurrë së punuari për të. Gjithësia kundërkomuniste shqiptare, e vënë në Vendin e Nderit të kujtesës historike, mendoj se është vepra më e lëvdueshme e më e dobishme e këtyre tubimeve, që filluan në Hamburg të Gjermanisë më 12 e 13 qershor 2004, e që vazhduan në qytete të ndryshme të Shqipërisë etnike deri sot, në Krujën e Gjergj Kastriotit.
Ka qenë një punë e madhe e të gjithëve, kryesisht e drejtuesve të saj, Prof. Muhamet Shatrit e sekretarit Nue Oroshi, të cilët kanë organizuar mbledhjet e janë marrë me botimet e vëllimeve të kumtesave, pothuajse gjithmonë edhe me sakrificat e tyre vetiake si edhe financiare.
Ky tubim duhet të çelë një shteg të ri në punën tonë. Krahas rikujtimit të së shkuarës, ne sot duhet të bisedojmë shtruar, me qetësi, me urti, si dikur në Kuvendet e Arbërit, rreth s’ardhmes sonë si shoqëri e, mbi të gjitha, si komb. Ka më se njëqind vjet që populli shqiptar është i ndarë në pesë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Problemet, me të cilët përballohemi, janë të shumtë e të larmishëm, por besoj se mund të njësohen në dy rrjedha kryesore : n’atë të zhvillimit, që përfshin ekonominë, pushtetet, jetën politike e administrative, marredhëniet me hapësirën kufizuese gjeografike shtetore e botën, dhe n’atë kombëtar që njësohet me pritmërinë e bashkimit të trojeve shqiptare në bashkësi administrative të mirëfillta.
Po t’i shtojmë këtyre faktorëve krizën morale të klasës politike, me korrupsione në nivele shumë të larta në shumicën dërmuese të administratës shtetërore, kemi një tabllo tepër të zymtë dhe aspak premtuese për t’ardhmen. Pjesëmarrja në NATO, apo marrëveshjet e shoqërizimit me BE, megjithë ndryshimin në ligjet, në përputhje me ata t’Evropës që, për ne shqiptarët, fatkeqësisht, mbeten kurdoherë në zbatim, vartësi e ndryshueshme interesash të grupeve të pushtetit, nuk kanë arritur të bëjnë tek ne hopin cilësor të domosdoshëm, për të hyrë seriozisht në rrugën e zhvillimit të vërtetë, si Vendet e tjera të Lindjes ish komuniste.
Punët nuk shkojnë më mirë as edhe në Kosovë, e cila ka pasur përfitimin e pranisë ndërkombëtare në të, që nga periudha e shkëputjes nga Serbia. Pa hyrë në analizë të hollësive të jetës ekonomike, fakti i dhjetra mijëra vetëve që kanë kërkuar strehim në Evropë nga Shqipëria dhe Kosova brënda këtij viti, dëshmojnë se politikat ekonomike të tyre nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar, duke sjellë përfundime gjysmë të dështuara.
Nuk po zgjatem më shumë në shkoqitjen e këtyre argumentave, që janë lëndë për tubime ekonomistësh e njerëzish të politikës, të cilët duhet të hartojnë strategjitë përkatëse e të marrin vendimet e duhura. Mendimi se hyrja e pritëshme në Evropë do të jetë fundi i të gjitha problemeve tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar dhe një alibi e politikës për të ligjëruar mungesat e saj. Në Evropë, kurdo që të na pranojnë, duhet të jemi në rregull me të gjitha parametrat socio – ekonomikë. Me të gjithë problemet që përballon sot Evropa, që nga masat ndëshkimore kundrejt Rusisë tek borxhet e Greqisë, nga dyndjet e miliona njerëzve prej luftërave në Lindjen e Mesme apo Afrikës drejt kufijve të saj, tek referendumi britanik për qëndrimin në BE dhe lindja e forcimi i forcave të reja antisistem e kundër traktateve në brendësi të saj, përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është një përparësi, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të saj, apo takimeve të organizuara nga diplomacia gjermane ndërmjet qeveritarëvet të gadishullit.
“Fillin e Arianës” për të dalë nga rruga pakrye dhe e ndërlikuar, në të cilin jemi futur për mungesat tona, duhet t’a gjejmë vetë, së pari duke shëndoshur sëmundjen morale të shthurjes, që ka pllakosur politikën tonë e, së dyti, duke kryer ato reforma rrënjësore, të cilat duhej t’ishin sendërtuar së paku njëzet vjet më parë. Këto çështje janë drejt për drejt të lidhura edhe me problemin tonë kombëtar, i cili na rëndon mbi shpinë prej më se një shekulli. “Atdheu ndoshta është si familja, i njihet plotësisht vlera kur nuk e kemi më.” shprehej shkrimtari i shquar francez Gustav Flaubert. Për ne, shqiptarët, fatkeqësisht, ai mbeti si një joshje mashtruese e paarritëshme, sepse që në lindje të Atdheut të pavarur, kufijtë e tij e gjymtuan krijesën e cila, edhe mbas më shumë se një shekulli, vazhdon të përpëlitet nga dhimbjet.
Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.
Në këtë drejtim duhet të jemi të vetëdijshëm se probleme të ngjashme me tonat, edhe se jo në këto përmasa, janë të pranishëm edhe në popuj të tjerë të rajonit e të kontinentit. Versaja qé një faqe e errët në historinë e Evropës me vendimet e saj dhe lufta e dytë botërore qé një dëshmi edhe e ndikimit të keq të tyre. Por Jalta i arkivoi, pa të drejtë ankimi, të njëjtat probleme, ndërsa periudha e re pas komuniste, edhe se më elastike në njohjen e shpërbërjes së shteteve të mëdha shumë kombëshe, ende nuk përballon nga kënd-vështrimi etnik ato parregullsi, madje përjashton nën termin “nacionalizëm” çdo prirje apo përpjekje për t’i vënë në diskutim.
Para se të arrijmë në kërkesat zyrtare për referendumet eventuale, që mund t’i hapin rrugën sendërtimit të dëshirës së madhe shekullore të bashkëkombasve tanë, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Mendoj se është një kusht i domosdoshëm të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Simbas ndonjë sondazhi opinioni, nuk e di sa të besueshëm, raporti ndërmjet përkrahësve të bashkimit e kundërshtarëve të tij është 62 me 38. 3/5 në mbështetje e 2/5 kundër nuk është një statistikë shumë shpresëndjellëse, nëse është e vërtetë. Duke mbajtur parasysh shumë faktorë kundërshtarë, duke filluar nga institucionet ndërkombëtare e një pjesë e politikës shqipfolëse që i bashkangjitet atyre, nga propaganda e huaj dhe e komunistëve shqiptarë kundër shprehjes “Shqipëri e madhe”, nga psikoza e frikës e diplomacisë ndërkombëtare për pasoja zinxhir të proçesit në zona të tjera, duhet të kemi një vullnet të fortë të mbi 80% të shqiptarëve për t’a nisur betejën.
Një tjetër vështirësi në rrugën e bashkimit është fakti se një shekull administrimi sllav mbi trojet shqiptare ka bërë që ato të mos mbeten etnikisht të pastra. Si pasojë e politikave asimiluese të Jugosllavisë mbretërore e më pas edhe komuniste, shpërnguljes së forcuar të popullsive në trevat shqiptare i ka pasuar mbushja e tyre me pakica sllave, gjë që ul ndjeshëm një miratim masiv në një referendum të mundshëm. Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë. Dëshmi e pakundërshtueshme e asaj strategjie të udhëheqjes komuniste shqiptare është fjala e Kryetarit të saj, Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë politike të Komitetit qëndror më 15 dhjetor 1947 :
“Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”
Nëse mbeti pa u realizuar ky synim i komunistëvet shqiptarë, duhet t’i jemi mirënjohës Titos i cili, mbas pak muajsh, u shkëput nga vartësia e Stalinit, në të cilën mbetën kryekëput, deri në fund të jetës së tyre, mendërisht drejtuesit shqiptarë.
Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.
Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.
Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.
Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish, por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e Shqipërisë, të Kosovës e ata shqiptarë të Maqedonisë. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.
Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.
U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Ne, si Shoqatë, duhet të punojmë për strategjinë e tij, duhet të ballafaqohemi me pjesë të tjera të shoqërisë sonë, por edhe me klasën politike e cila nuk duhet të mendojë se zotëron të vërtetën absolute.
Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.
Urojmë që kjo ditë të mbetet një ditë historike për Shoqatën tonë, për veprimtarinë e Saj e për rezultatet që presim të sjellë në dobi të idealeve, të dëshirave madhore, të ëndërrave tona, si shoqëri e si komb.
Rroftë e përparoftë gjithmonë Atdheu i ynë i përbashkët, Shqipëria e Gjergj Kastriotit e Nënës Terezë dhe e vëllezërvet Frashëri.
* (Fjala e hapjes së tubimit të XIII të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, më 14 gusht 2015 në Krujë)