• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ABAZ KUPI, I VLERESUAR DHE I ANATEMUAR NGA ENVER HOXHA

April 7, 2015 by dgreca

*Cila është e vërteta e rezistencës shqiptare në 7 prill 1939?/
* Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist/
Nga Dalip Greca/
E fshehta e rezistencës shqiptare me 7 prill qëndron ende e kyçur në arkivat italiane. Media fashiste u përpoq që të fshihte të vërtetën duke u përpjekur që ta paraqiste pushtimin si një dëshirë të vetë popullit shqiptar.
Këtij qëllimi i shërbeu më pas edhe skenari i Asamblesë Kombëtare, ku Xhafer Ypi lexoi mesazhin, ashtu siç e kishin përpiluar italianët.Madje edhe kur iu dorëzua kurora Mbretërore Viktor Emanuelit, është i njëjti kujdes, “gjithëçka ka ardhur nga dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me Italinë”.
Gazetat italiane, edhe ata që guxonin të kritikonin veprimet aventuriere të Duçes, e fshehin rezistencën. Ja se si e jep tablon e pushtimit shtypi italian : “Katër të shtëna, dhe operacioni “Shqipëria “arkivohet. Ishte një luftë pa luftë, por regjimi është në delir. “Bota duhet ta dinte,” bërtet Mussolini nga ballkoni i tij i famshëm, “se ne kemi fuqinë të shtyjmë përpara.” (ital. “tireremo diritto”).
Më 16 prill, Viktor Emanuali, disi i hutuar, pranon kurorën shqiptare. Shtypi i regjimit flet për “sukses pa precedent”, por fitimet politike janë zero.“ Pra gati asgjë për rezistencën shqiptare. Ajo injorohet me qëllim.”.Po cila ishte e vërteta?
Ka një polemikë interesante të Faik Konicës me botusin e gazetës “The New York Times” për vërtetësinë e përrallave italiane për bashkimin vullnetar të Shqipërisë me Italiane dhe për vërtetësinë e rezistencës së 7 prillit 1939.
Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist
Me 31 maj 1939, Faik Konica, i dërgonte një letër botuesit të gazetës “The New York Times” të titulluar ”Pushtimi Italian i Shqipërisë, i rishqyrtuar”. Konica e falenderon botuesin për informacionin e botuar nga gazeta e tij më 30 maj 1939 prej korrespondentit të saj në Romë, ku shkruhej ”Forcave të armatosura shqiptare iu është kërkuar të bashkohen me forcat italiane”. Faiku shkruan:” Si në tekst, ashtu edhe në titujt ju vini, fjalët ”iu është kërkuar”,- në thonjëza-një shenjë pikësimi që nuk është përdorur kurrë më saktë se këtu.”Përmes stilit të vet të njohur, mjeshtri diplomat e publicist, sjell për lexuesit ngjarjet e pas perdes diplomatike të fashizmit, kur thotë se “Qeveria e Shqipërisë pa dyshim që s’flet me zërin e vet.Ajo është e detyruar të thotë se Poli i Veriut përputhet me Ekuatorin nëse kështu thotë Italia. Duke satirizuar qeverinë italiane dhe agresionin e saj, Faiku shkruan se “Unë mendoj se shumë njerëz duhet ta kenë ndryshuar mendimin që ka mbizotëruar deri më sot se italianët, si komb, janë inteligjentë, pavarësisht nga karakteristikat e tjera jo mikluese.” Fjala dominuese nëpër gazeta i paraqet ata të neveritshëm, shton Faiku.
Zemërgjërsia e tyre, sipas Konicës matet me agresionin që kryen në Shqipëri.Duke folur për qëndresën shqiptare me 7 prill dhe përpjekjen italiane për ta mohuar atë, Konica shkruan:”Italianët, në dëshirën e tyre të pashpresë për ta bërë botën të besojë se nuk ishin agresorë, por miq të thirrur nga populli për ndihmë, shpallin me paturpësi se nuk pati fare rezistencë.Nga ana tjetër, shqiptarët llogarisin rreth dymbëdhjetë mijë italianë të vrarë; dhe grekët si fqinjë të afërt dhe vëzhgues, janë dakort.
Megjithatë, arsyeton Konica, le t’i marrim këto shifra të ekzagjeruara nga emocioni. Ai shkruan se ka në dorë letra nga të huaj neutralë dhe të painteresuar, që u ndodhën në Durrës në kohën e agresionit.Nuk mund t’i bëj publike këto letra, por mund t’ia tregoj një përfaqësuesi të akredituar në Tiranë. Faiku thotë se ata e çojnë numrin e të vrarëve vetëm në Durrës, minimumi në një mijë ushtarë italianë.Por nga ana tjetër, italianët deklarojnë se në të gjithë Shqipërinë janë vrarë vetëm 25 ushtarë italianë dhe se këtë e kanë bërë “banditët” edhe pse ndërmjet të vrarëve kishte edhe studentë.Konica shton, për hirë të argumentit le të pranojmë shifrat e italianëve; por kemi të drjtë për disa konkluzione. Meqenëse zbarkimi u bë në katër pika, në çdo pikë duhet të jenë vrarë mesatarisht nga gjashtë vetë; dhe meqë dihet me siguri se italianët disa herë qenë të detyruar të tërhiqen në anijet e tyre, mund të themi me të drejtë se sa herë vritej një ushtar, të tjerët ia mbathnin.
Konica ironizon: Nëse kjo është e vërtetë , Italia duhet të ketë dërguar në Shqipëri kampionët e vrapimit, që e kishin treguar më parë veten në Guadalajara (Lufta Civile Spanjolle).
Qëndresa e 7 prillit

Historiografia komuniste thuajse e ka lënë anonime rezisitencën e 7 prillit. Ajo gati të gjithë rezistencën e lë pa emër. Është vlerësuar vetëm Mujo Ulqinaku, i cili është heroi i pa kontensuar edhe në ditët e sotme sepse me gjakun e vet dëshmoi rezistencën shqiptare. Mirëpo në jetëshkrimin e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, ai paraqitet gati i shkëputur. Mujo Cakuli(Ulqinaku) jepet si një nënoficer i shkëputur nga të tjerët, që nuk i përkiste asnjë ushtrie, madje ai qenkish vënë në krye të marinarëve të braktisur, që oficerat i lanë dhe ikën. Ai sipas Enciklopedisë shqiptare, vrau dhejtëra fashistë.
Asnjë fjalë për të tjerët në rezistencë. Injorohet kontributi i komandantit të 7 prillit, majorit Abaz Kupi.
Nga ana tjetër as italianët, nuk ia patën njohur qëndresën Abaz Kupit, por atë vetë, e patën shpallë si shumë të kërkuar, ndërsa familjen ia internuan.Anglezët e luftës së Dytë Botërore, përkundrazi, e kishin vlerësuar lartë qëndresën e Abaz Kupit.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam pasur shumë raste bashkëpunimi”. Në letrën e Abaz Kupit flitet për qindra të vrarë nga italianët. Gjithësesi shifra nuk është e konfirmuar. Ndërsa Enver Hoxha, që fillimisht ia njohu qëndresën Abaz Kupit, shkruantë se ishin qindra të vrarë ditën e erzistencës. Nga ana e tij Zavalani, në historinë e Shqipërisë, nuk jep shifra, por pohon rezistencën.
Enver Hoxha e pat ngritur në qiell heroizmin e Abaz Kupit në vitet e para të luftës, por më pas ai e shpalli armik.

Enver Hoxha për Abaz Kupin (i paçensuruar)

Se kush ishte Abaz Kupi i vërtetë, para se Enver Hoxha të çensuronte veten e tij, mjafton që të sjellim të plotë, artikullin e shkruar nga vetë ai dhe botuar në gazetën “Zëri i Popullit” Nr. 13-14 shkurt 1943.
Artikulli mbante titullin” Bazi i Canes, Myslym Peza, Baba Faja Martaneshi”. Ky artikull u ribotua pas luftës në librin “Enver Hoxha-Vepra, Vell I, por pa pjesën që fliste për Bazin e Canes.Artikulli nuk ka nevojë të komentohet, majfton që të çojmë ndërmend kalvarin e Familjes Kupi, përplasjen e saj nëpër kampe internimi e burgje, më keq se ç ‘kishte vepruar fashizmi. Enveri ia mohoi Bazit të Canes edhe Durrësin, edhe Krujën, edhe betejat e tjera.
***
Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parrullë:Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.
Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.
Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte ne Molo me qindra të vrarë.
Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej:Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.
Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vëlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’termbeshin, sado që ishin një grup njerëzish.
Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.
Në emigracion këtj s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.
Fashtrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.
Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.
Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhëtarëve.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: abaz kupi, Enver Hoxha, i levduar dhe i anatemuar

Mjegulla e dendur fsheh dritën-Zgjohu shqiptar!

April 3, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti*/
Zgjohu shqiptar! Ti nuk mund të ndryshosh të kaluarën. Mëso të lidhesh me historinë tënde, si dhe formësimin e të tashmes dhe të ardhmes në mënyrë që jeta jote të jetë më në përputhje me jetën që ti me të vërtetë duash ta jetosh.
***
Liria e pakontrolluar dhe e pakufi shndërrohet në anarki. Edhe më keq në një shoqëri ku nuk sundon ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.
Mediumet shqipfolëse janë të mbushura me historia amorale seksiste dhe kriminale, praktikohet mënyrë jo-kritike ndaj fenomeneve negative të importuara nga jashtë që janë duke kontribuar në një prirje në rritje të gjuhës eksplicite, seksit dhe dhunës në film, TV, kulturës popullore. Këto pseudo-mediume (të financuara nga armiqtë tanë) përveç që botojnë lajme të rrejshme (kinse shtetet perëndimore kërkojnë punëtorë nga trojet shqiptare, dhe mashtrojnë nevojtarët ta braktisin vendin) etj, janë edhe në shërbim të degjenerimit të qytetarëve. Propagandojnë “vlerat” e njerëzve të prishur, të fëlliqtë, të korruptuar, pedofilë, krijesa të shëmtuara pa asnjë normë morali, ngatërrestarë, mafioz e kriminel me veprime të shkathëta por dredharak e tinëzarë që me dinakërinë e tyre i nxjerrin kokëçarje Kombit dhe Atdheut.
Është tragjikomike kur një kanal TV, që pretendon të jetë serioz e kombëtar, nuk merret me gazetarinë kritike dhe hulumtuese, por është duke shpenzuar lek në programet televizive banale: “Big Brother”, “Kallashi”dhe pisllëqe tjera të këtij soji. Marrëzi totale, degjeneruese për rininë etj që i shikojnë këto plehra, dashurohen në to, i bëjnë model jetese. Situata e ngjashme edhe me mediumet tjera, portalet elektronike ose botimi i shtypur. Absurditet zhurmëmadh.
**
Duket se ekstremistët e të gjitha llojeve ndajnë një ndjenjë të humbjes dhe pafuqisë
Fjala është për ndikimin e amoralit në rekrutimin e ekstremistëve, terroristëve.
Duhet biseduar për terroristët e tanishëm, terroristët e ardhshëm, dhe ideologjive që i bën ata së bashku dhe shkakton agresionin e tyre.
Terroristët, pavarësisht nga ndryshimet në kombësi, gjuhë, religjion, ideologji, racë, profesion, kontinent, shtetësi, kanë shumë të përbashkëta dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë veten – dhe të tjerët. Ata ndajnë një ndjenjë të pafuqisë dhe humbjes, që shoqëria thjesht nuk do t’u japë atyre (dhe njerëzve të tyre) pozitën që ata besojnë se me të drejtë e meritojnë. Megjithatë, duket më shumë personale kur dikush planifikon të shkatërrojë veten dhe të tjerët.
***
Shoqëria moderne perëndimore ka edhe shumë dobësi, shpërblen aftësinë fizike, karizmin, pasurinë, bukurinë dhe shkëlqimin seksual. Shumë prej atyre të cilët mendojnë se nuk mund të konkurrojnë në këto arena, marrin një alternativë tërheqëse në ideologjinë dhe në fenë e politizuar, që përmbajnë veti të tjera. Atje mund të jetë një mbrojtës i palëkundur dhe pa kompromis i një çështjeje, rastit apo mbrojtësit të besimit që jep statusin dhe sigurinë. Ata që bëhen zëdhënës për një grup me qëndrimet që shumica i perceptojnë si ekstreme, mund të gëzojnë një vëmendje të re. Papritmas, ata përjetojnë të ulen në tribuna. Ata demonstrojnë dhe marrin mikrofona të drejtuara në drejtim të tyre nga reporterët serioz. Ata janë parë. E ndejnë veten krenar, të rëndësishëm.
Ata që shohin të tjerët të përfshirë dhe të vlerësuar, por jo veten, tentojnë për të fajësuar një shoqëri të degjeneruar që vlerëson karakteristika të rreme. Këtë e bëjnë zakonisht përmes një grupi ideologjik të themeluar si shpjegim. Dhe, kjo është depresion.
Dhe, pastaj është seksi. Çlirimi seksual nuk ka qenë i çliruar për të gjithë. Shumë shpërthime të dhunshme kriminele rrjedhin nga burrat që kanë humbur një marrëdhënie dashurie, apo duke luftuar për të gjetur. Mediat janë të mbushura plotë me protagonistë në gjendjen e sëmurë, vrasës, mashtrues, maniak dhe pervers të cilët janë në kundërshtim me rrethinat dhe reagojnë duke ngritur veten si një mostër për mënyrën se si njerëzit duhet të jenë. Ata përfundojnë në izolim, në një errësirë, prej së cilës jo gjithmonë nxirren jashtë.
***
Forcat kryesore në luftën kundër ekstremizmit të gjithëllojshëm duhet të jenë ata burra dhe ato gra të sigurta me autoritet, të cilët punojnë në kopshte fëmijërore, shkolla, universitete. Ndoshta duhet të kemi më shumë prej tyre edhe në segmentet tjera të jetës, për shembull në shoqatat-klubet sportive etj. Ndoshta ata mund të ndihmojnë fëmijët për t’u parë dhe në fillim të ndjehen të vlefshëm, jo për shkak të bukurisë së tyre trupore (e cila në shumë raste trashëgohet dhe nuk varet prej tyre) por t’i bëjë ata të vetëdijshëm se ka gjithmonë mundësi për të bërë diçka me veten e tij dhe pastaj edhe me botën.
Tani është koha që të ngriheni dhe le të shndritë drita juaj!
Thirrja ime që të ngriheni dhe të lejoni shkëlqimin e dritës së juaj është një inkurajim për secilin prej jush për të udhëhequr Atdheun në një kauzë të fuqishme – për të ngritur flamurin – dhe të çojë këtë brez në virtyt. Nëse ju doni të bëni një ndryshim pozitiv në botë, ju duhet të jeni të ndryshëm nga ajo pjesë e botës së degjeneruar.
A keni ndonjë gjë në jetën tuaj që ju duhet për të ndryshuar? Po. Ju mund ta bëni atë. Ndonjëherë rruga është e vështirë, gjithashtu nganjëherë mund të duket sikur një mjegull e dendur fsheh dritën.
**
Qysh në fëmijërinë e hershme kam filluar ushtrimet me (Mixed Martial Arts) që përbëhet nga një numër të elementeve nga disa disiplina të ndryshme të artit luftarak, kurse në moshën 14 vjeçare prindërit e mi zbuluan se isha edhe një notar i talentuar. Notova prej bregdetit në një ujdhesë në kohë rekord 4 orë dhe 25 minuta. Duke dashur një sfidë, më vonë (në moshën 17 vjeçare) u përpoqa për të notuar nga brigjet e Kalifornisë në Santa Catalina Island – rreth 34 km.
Në këtë udhëtim notimi unë u lodha shumë pas notit prej 15 orësh. Erdhi një mjegull e dendur dhe shkatërroi, pengoi shikimin në vijën bregdetare. Prindërit e mi, trajneri, gjyshi dhe dy ungjit, të hipur në një anije familjare, gjithmonë ishin pranë meje, dhe unë i thash babait tim se nuk besoj se do arrijë të realizoj. Babai dhe trajneri më inkurajonin të vazhdojë, por e gjithë që unë mund të shihja ishte mjegulla. Unë hoqa dorë nga ai udhëtim noti, duke u arsyetuar se shkaku ishte uji i ftohët, por kur hipa në barkë, zbulova se isha dorëzuar vetëm më pak se 2 km nga bregu. Pas disa ditësh e pranova se nuk ishte ujë i ftohtë dhe nuk ishte distanca shkaku për të hequr dorë. Unë u munda nga mjegulla.
Më vonë u përpoqa për të notuar përsëri dhe përsëri erdhi një mjegull e dendur duke ma penguar shikimin. Por këtë herë unë qëndrova dhe arrita bregdetin. Kur kësaj radhe më pyetën se çfarë bënë dallimin, përgjigja ime ishte se unë kisha një imazh mendor të bregdetit në mendje përmes mjegullës së dendur dhe gjatë gjithë notit.
Për mua, vija bregdetare ishte qëllimi im. Ndërkaq, tani, për secilin prej nesh, një Shqipëri Natyrale, e pastruar nga fëlliqësitë, është qëllimi ynë i përbashkët.
***
Shqiptarë, mbajeni fokusin! Përmbushni normat! Mos e humbni prej syve qëllimin e juaj shekullor. Mos lejoni mjegullën e dendur të ndotjes së moralit dhe zërat devijues të dashakeqëve të ju ndalojnë nga arritja e qëllimeve, notimin përmes detit të trazuar deri në bregdet.
Shqiptarë! Zgjohuni dhe çohuni nga pluhuri!
Kjo është koha e juaj, dhe puna e juaj ka filluar! Tentimet e armikut për të na shkatërruar për së brendshmi – thellësinë e ndjenjave tona, do të dështojnë. Tani është koha për të qenë të denjë…
Të vrasësh diçka shpirtërisht të gjallë është më vështirë se të sjellësh në jetë diçka të vdekur.
* USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, fsheh driten, Mjegulla e dendur

Sa të rrezikshëm janë myslimanët e Amerikës?

April 3, 2015 by dgreca

Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 autoritetet janë shqetësuar se myslimanët me banim në Shtetet e Bashkuara mund të radikalizohen dhe të angazhohen në sulmet terroriste në vend. Kohët e fundit grupi ekstremist Shteti Islamik u bëri thirrje simpatizantëve të tij të vrasin njerëz nga një listë me ushtarë amerikanë. Por një studim nga disa universitete në Karolinën e Veriut arrin në përfundimin se myslimano-amerikanët nuk janë prekur nga këto presione radikalizimi.
Sally Ayad, një myslimane e rritur në Shtetet e Bashkuara, nuk është prekur nga problemet politike në Lindjen e Mesme:
“Lajmet, ato që ndodhin jashtë vendit, nuk i dëgjonim kur po rritesha. Nuk na kërkonte njeri të mbanim njërën anë apo tjetrën”.
Për myslimanët në xhaminë e saj në Raleigh të Karolinës së Veriut dhe në pjesë të tjera të vendit është e njëjta situatë. Por tani shumë prej tyre besojnë se të tjerët i shohin si terroristë të mundshëm.
Që nga sulmet e 11 shtatorit, komunitete të tilla myslimane në Shtetet e Bashkuara kanë qenë objekt skepticizmi dhe shqetësimi. Por një studim tregon se këto shqetësime janë pa vend.
Studiuesi Charles Kurzman regjistroi numrin e myslimanëve që dyshohen se kanë planifikuar apo shkaktuar dhunë gjatë kësaj periudhe.
“Kemi identifikuar 250 individë që janë arrestuar, ose që janë angazhuar në akte që mund të konsiderohen si terrorizëm”.
250 mund të tingëllojë si numër i madh, por përbën një përqindje të vogël të popullatës myslimane afro 3 milionëshe në Shtetet e Bashkuara.
Në listë përfshihet autori i shpërthimit në Maratonën e Bostonit Dzhokar Tsarnaev, autori i sulmit në Bazën Fort Hood, Nidal Hassan dhe somalezo-amerikani Abdirahman Muhamed, i cili u përpoq të bashkohej me ekstremistët në Siri.
Numri i të vrarëve nga këto sulme terroriste nga myslimano-amerikanë arrin në 50 vetë, që nuk krahasohet me një statistikë tjetër thotë zoti Kurzman:
“Që nga 11 shtatori në Shtetet e Bashkuara ka pasur mbi 200 mijë vrasje”.
Ndërkaq, shqetësime të tjera për sigurinë publike janë aksidentet automobilistike apo lehtësia e blerjes së armëve të zjarrit, të cilave nuk u kushtohet shumë vëmendje si rezultat i përqëndrimit tek terrorizmi, thotë ai.
“Kemi ngecur tek problemi i ballafaqimit me terrorizmin; kemi një politikë për zero tolerancë ndaj kësaj dhune, por tolerancë shumë më të madhe për akte të tjera dhune”.
“Asnjë besim fetar nuk është përgjegjës për terrorizëm. Njerëzit janë përgjegjës për terrorizëm dhe dhunë”.
Presidenti Barak Obama foli për radikalizmin në takimin me temë “Ballafaqimi me Estremizmin e Dhunshëm”.
Por eksperti i terrorizmit të brendshëm David Schanzer thotë se takimi nuk duhet të ishte marrë me kërcënime të brendshme dhe ndërkombëtare.
“Duke i bashkuar këto dy probleme u kemi dhënë amerikanëve përshtypjen se tmerret që po ndodhin jashtë vendit dhe numri i njerëzve që veprojnë atje është i ngjashëm me atë në Shtetet e Bashkuara, kur në fakt nuk është ashtu”.
Policia vazhdon hetimet mbi vrasjen e tre studentëve myslimanë në Karolinën e Veriut për të vërtetuar nëse motivi ishte urrejtja fetare. Pavarësisht se çfarë del nga hetimet, shumë myslimanë thonë se që nga sulmet e 11 shtatorit e ndjejnë se shihen me dyshim.(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: myslimanët e Amerikës?, Sa të rrezikshëm janë

VULLNET POLITIK DHE BASHKPUNIM I TË GJITHË AKTORËVE

April 2, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Kaqë nevojitet, “Vullnet politik dhe bashkpunim i të gjithë aktorëve”, citohet nga gazeta Illyria e New Yorkut të ketë thënë Z. Mathew Holiday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur — gjatë një tubimi që u mbajtë të mërkurën në hapësirat e Ministrisë për Mirëqenie Sociale dhe Rinisë në Tiranë. Fjala është për “Vullnet politik dhe bashkpunim i të gjithë aktorëve” në Shqipëri, qofshin ata aktorë shtetërorë, qeveritarë, shoqërorë dhe individë të veçantë — ndihma e të cilëve është e një rëndësiethelbësorepër të gjetur varret masive të personave të zhdukur, me gjyq dhe pa gjyq, nga regjimi komunist shqiptar gjatë periudhës 1944-199 — për t’i gjetur dhe për t’i identifikuar ato viktima të komunizmit, numri i të cilëve sipas vet autoriteteve shqiptare, llogaritet të jetë mbi 6000 persona. Ky ishte apeli që u bëri autoriteteve shqiptare,Z. Mathew Holliday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur të mërkurën në Tiranë.
Në portalin e Ministrisë Për Mirëqenje Sociale thuhet se në këtë tryezë konsultuese, siç e quan ajo tubimin, morën pjesë zëvendësministrja e MSR-së, znj.Gentjana Sula, përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, z. Matthew Holliday, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, si dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe intelektualë. Njoftohet gjithashtu se, siç thuhet, me mbështjetjen e kësaj Ministrie, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë do krijohet sektori i të zhdukurve, i cili gjithnjë sipas Ministrisë së lartë përmendur, është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës. Ndërkaq, edhe përfaqsuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, Mathew Holliday, në emër të organizatës së tij, premtoi ndihmesën teknike dhe mjekësore për të gjetur dhe për të identifikuar personat që kanë humbur si rrjedhojë e krimeve të komunizmit kundër popullit të vet dhe fati i të cilëve nuk dihet për pothuaj 70-vjetë tani. Ndonëse apeli i tij të gjithë aktorëve nuk përmendet në portalin e Ministrisë, ai nuk humbi kohë që të paralajmëronte se suksesi i kësaj ndërmarrjeje varet nga “vullneti politik, meqënëse mund të zbulohen fakte historike dhe dëshmi, ndaj duhet bashkëpunim i të gjithë aktorëve”,theksoi ai. Që ky proces të shënojë sukses, do të nevojitet gjithashtu dëshmia dhe bashkpunimi i ish-zyrtarëve të regjimit komunist, mbrenda dhe jashtë institucioneve të tanishme të shtetit shqiptar. Është e pamundur që të mos ketë dokumentacion dhe të mos ketë dëshmitarë që dinë se ku gjënden shumica e këtyre varreve masive, nevojitete vetëm “vullneti politik dhe bashkpunimi i të gjithë aktorëve”.Vetë Ministria njofton në portalin e saj se është evidentuar “numri i personave të zhdukur në mbi 6000 veta dhe se numri i varreve masive të pa identifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin, në rreth 30 vënde ekzekutimi”.Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ka ofruar ndihmesën teknike dhe ekspertizën mjekësore.Atëherë ku qendron problemi, pse nuk bëhen hetimet e nevojshme për zbulimin dhe për identifikimin e eshtrave të të zhdukurve nga regjimi komunist?
Zëvendësministrja Sula u shpreh se trajtimi i kësaj teme prek thelbin e drejtësisë së munguar dhe se shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyre personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje, duke shtuar se “Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrativ, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve.” Zëvendësministrja Sula, tha se,“Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, theksoi znj.Sula.
Megjithëse vonë dhe ndonëse mbetet për tu pa serioziteti i kësaj nisme, është mirë që të pakën po flitet për këtë fenomen-plagë të pazgjidhur të shoqërisë shqiptare dhe që Ministria e Mirëqenjes Sociale organizoi një tubim të tillë për një çështje që kërkon zbardhje për një çerek shekulli tani.
Njerzit që dëshirojnë informacion, mbi të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave të zhdukura të komunizmit, shpresojnë dhe luten që kjo nismë, jo vetëm të jetë një hap drejt “Një kapitulli të ri”, siç pretendoi zëvëndës-ministrja Sula, por duhet të konsiderohet si një përgjegjësi morale dhe shtetërore, qëkjo çështje të zbardhet njëherë e përgjithmonë.
Por,fatkeqsisht vetë njoftimi në portalin e kësaj Ministrie mbi takimin e mbajtur në Tiranë në lidhje me këtë çështje, të bën të dyshohet mbi seriozitetin e angazhimit zyrtar të autoriteteve shqiptare për realizimin e ndonjë suksesi eventual të kësaj ndërmarrjeje, ndërkohë që thuhet se,”suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe eksperienca që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur”. Duket sikurë topi i kësaj nisme po hidhet në kopshtin e Komisionit Ndërkombëtar.
Vetë përvoja e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur gjatë viteve të kaluaranë marrëdhënjet e tija me autoritetet shqiptare duket se nuk ka qenë e kënaqshme, kryesisht për arsye të mungesës së interesimit të Tiranës zyrtare për këtë çështje.Në portalin e tij mbi Shqipërinë, Komisioni Ndërkombëtar duket se shpreh pesimizëm mbi seriozitetin e autoriteteve shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në lidhje me këtë, Komisioni thotë se ndonëse,”Ç’prej vitit 1991, autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore në lidhje me viktimat e ish-regjimit, gjithnjë mbizotërojnë dyshimet dhe mos interesimi për fatin e personave të zhdukur dhe për identifikimin e vendeve ku mund të jenë varret e të zhdukurve”, duke shtuar se në Shqipëri, “pothuaj nuk është bërë asgjë për tu ofruar ndonjë ndihmë konkrete familjeve të të zhdukurve.” Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur thotë gjithashtu se mungesa e informacionit dhe mosinteresimi zyrtar për të afërmit e tyre të zhdukur nga regjimi komunist është diçka tepër e vështirë që të pranohet nga familjet e tyre.Për më tepër, kjo mungesë informacioni dhe mos angazhimi zyrtar për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve, sipas Komisionit Ndërkombëtar, “Po pengon gjithashtu mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare.”
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur pohon se megjithë përpjekjet e pakta institucionale të Shqipërisë për të zgjidhur çështjen e të zhdukurve të regjimit komunist, janë familjarët e këtyre viktimave ata që kanë vazhduar të kërkojnë dhe të zbulojnëvet eshtrat e të afërmve të tyre. Duke lexuar raportin vihet re njëfarë zhgënjimi me përvojën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur në Shqipëri. Komisioni pohon se në prill të vitit 2010 përfaqsues të këtij enti ndërkombëtar kanë filluar kontaktet e rregullta me qeverinë shqiptare, me disa grupe jo qeveritare që merren me të drejtat e njeriut si dhe me familjet e të zhdukurveduke u ofruar atyre ndihmë teknike për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve. Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar i datës 18 qershor, 2014, theksohet se në tetor të vitit 2012 Kryeministri i atëhershëm, Z. Sali Berisha kishte lënë të nënkuptohej se ai do të organizonte një konferencë në mbështetje të propozimeve të bëra nga Komisioni Ndërkombëtar për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve nga komunizmi, por ç’rej asaj kohe nuk është shënuar ndonjë përparim në këtë fushë, përfundon raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur.
Është e qartë siç ve në dukje edhe Komisioni Ndërkombëtar se autoritetet shqiptare, tani dhe më përpara gjatë këtyre 25 viteve, ç’prej shembjes së komunizmit, nuk kanë treguar vullnetin e nevojshëm politik dhe as nuk kanë ofruar bashkpunimin e duhur për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist. Për më tepër, duket sikur ata presin që dikush tjetër të merret me këtë çështje,por kjo është përgjegjësia e autoriteteve të Shqipërisë, nëqoftse ato janë me të vërtetë serioze. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, ashtu siç ka premtuar, mund të japë ndihmesën e tij teknike në këtë mes, por jo në një boshllëk dhe në një atmosferë mungese të vullnetit të mirë dhe të bashkpunimitserioz nga autoritetet përkatëse. Andaj që ndihmesa e këtij komisioni të dalë me sukses në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist në Shqipëri, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ngulë këmbë ekziston nevoja për një vullnet politik më serioz dhe për bashkpunimin e aktorëve në të gjitha nivelet qeveritare të Shqipërisë, nëqoftse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë të vendosura, siç tha edhe zëvendësministrja Gentjana Sula “për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve”.
Kjo përgjegjësi nuk mund t’i kalohet askujt tjetër sepse kjo është njëpërgjegjësi themelore e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare të Shqipërisë. Por familjet e të zhdukurve vazhdojnë të shpresojnë kundër shpresës se një ditë do të mësojnë fatin e keq të të afërmëve të tyre se ku, kur dhe pse u zhduken ata pa shënjë e pa gjurmë. Mbetet për t’u parë nëse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë serioze, që më në fund, të përballen me këtë çështje. Zbulimi i së vërtetës është obligim ligjor dhe moral i autoriteteve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ndaj mijëra familjeve të viktimave të komunizmit të cilat 25 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit ende presin me durim të zbulojnë të vërtetën mbi fatin e të dashurve dhe të afërmëve të tyre të zhdukur nga regjimi komunisti diktatorit Enver Hoxha! Por, zbulimi i së vërtetës kërkon bindjen morale,vullnetin e mirë dhe bashkpunimin e të gjithëve, që fatkeqsisht kanë munguar gjatë 25-viteve të fundit,e që sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur njëkohsisht vazhdon të pengojë mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare.”

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE BASHKPUNIM, Frank shkreli, I TË GJITHË AKTORËVE, VULLNET POLITIK

Histori koalicionesh me impakte pozitive

April 2, 2015 by dgreca

Nga ARTUR AJAZI/
Sulmet politike mbi koalicionin PS –LSI, dhe qeverisjen e tyre, a duken ato si reagime nervoze në situatën e krijuar, apo si argumente politike ? Historia e koalcioneve në demokracinë shqiptare është e njohur për dukuri të tilla që nuk përbën asnjë lloj precedent në pluralizëm . Duke parë retrospektivën politike, konstatojmë se qysh në vitin 1992, kur PD mori pushtetin në mënyrë plebishitare, në qeverinë e tij Berisha ftoi socialdemokratët e Gjinushit të cilët iu përgjigjën pozitivisht. Por edhe në vitin 1997 kur Nano dhe koalicioni i tij fituan bindshëm zgjedhjet , në qeverinë e tij nuk mungonin edhe themeluesit e PD si Zogaj, Imami, Ceka etj. Akrobacirat e tilla, të provuara nga dy kampet e politikës realisht kanë dhënë rezultate pozitive, dhe kanë dëshmuar funksionim normal bashkëqeverisës, duke krijuar një mirëkuptim madje perfekt. Muajt e fundit nervoziteti që po shfaqet tek lidershipi i PS ndoshta nuk ka asnjë kontekst të justifikuar nga historia e koalicioneve të politikës. Ai mbetet në kufijtë e një përpjekje për të prodhuar alibi që duan të justifikojnë humbjen e PD dhe aleatëve. Por nga ana tjetër duket se realisht po përgatitet ruajtja e pozicionit të Ramës në krye të PS , pavarësisht se statuti, ( kushtetuta e socialistëve) qartazi e përcakton largimin e kryetarit dhe shpalljen e emrave të garuesve të rinj. Kjo është iniciativë e vetë Edi Ramës në Kongresin që e zgjodhi në mënyrë jo trasparente. Për të krijuar një iluzion të rremë ër fitoren e 23 qershorit, dhe për të krijuar alibitë që duhet të mbajnë Ramën kryetar partie, shpesh sulmohet politikisht koalicioni kundërshtar por edhe aleatët, të cilët janë jo vetëm një normalitet politik, por edhe një domosdoshmëri për stabilitetin e vendit. Koalicionet janë hapat e mundshëm institucionalë dhe parimorë që bëhen në demokraci, alibitë e tjera janë vetëm pazare dhe ndotnin më shumë politikën në Shqipëri. Alibitë gjithmonë kanë rezultuar jo vetëm jofunksionale, por kanë patur një faturë të madhe në proceset integruese Shqipërisë . E ndërsa para 23 qershorit në PS nuk mund të flitej për koalicion me LSI, kjo e fundit kishte opsione të tjera, racionale dhe efektive. Ndaj ajo me shumë vishtirësi dhe pas një vendimarrje të vështirë zgjodhi rrugën konstruktive, atë të bashkëpunimit me PS nuk përbën herezi dhe as argument për të bërë moral. Sulmet e shpeshta ndaj LSI shpesh të pa bazuara, janë pjesë e dëshprimit për mosarritjen e objektivit. Gjithmonë kanë synuar për ta nxjerrë jashtë loje si formacion politik, dhe kjo është vërtetuar edhe në dy zgjedhjet parlamentare të viteve 2005 dhe 2009 . Rezistenca e LSI-së në këto zgjedhje ishte befasuese, pasi ishte nën një presion shumë të madh, por edhe e ndëshkuar nga penalitete me kodin zgjedhor. Ato vijuan më pas me pabarazinë e fushatës. Mbijetesa politike e LSI ,për të fituar jo vetëm zgjedhjet, por edhe për të nxjerrë nga politika figurat e vjetra e ktheu atë në “kyçin” e zgjidhjes në 23 qershor. Duke i thirrur kujtesës, konstatojmë se LSI mbetet një standart që duhet vlerësuar, dhe që ka sfiduar fanatikët dhe esktremistët . Zgjidhja dhe zgjedhja e LSI mbetet impak pozitiv, dhe kontribut i standartit të bashkëjetesës politike edhe mes kundërshtarëve tradicionalë politikë. Si forcë politike ajo dha shembullin e sfidës, sipas të cilës pas garës zgjedhore, mund të bashkëpunohet e bashkëqeveriset edhe me kundërshtarin politik. Votuesit shqiptarë kanë arsye të ndjehen europianë për koalicionet e reja së pari sepse Shqipëria është tashmë në konturet demokratike të bashkëpunimit me aktorët politikë dhe e dyta , se përfundimisht ka marrë fund politika që synonte krijimin e kultit të individit që përfaqëson një njeriun me impakt të rrezikshëm në administrimin e pushtetit. Me iniciativën e saj LSI ka rrëzuar një psikologji që padrejtësisht ishte në polikën shqiptare, dhe kishte ngushtuar rrezikshëm polarizimin negativ që akoma vazhdon të jetë prezent. Mendoj se ky koalicion me LSI ka patur jo vetëm një impakt pozitiv në kulturën demokratike dhe në stabilitetin e vendit, por ka patur ndikimet e veta edhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane, duke nisur me marrjen e statusit kandidat për në BE, por edhe me vazhdimin e pandalshëm të reformave të cilat do ta shpajtojnë futjen e vendit në familjen e madhe europiane.
Karikature nga Bujar Kapexhiu:Interes Paraelktoral

Filed Under: Analiza Tagged With: Artur Ajazi, Histori koalicionesh, me impakte pozitive

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 816
  • 817
  • 818
  • 819
  • 820
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT