• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dalldia e identitetit te shkrimtari Thanas Medi

August 9, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Duke lexuar romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, Thanas Medin e mendoj si një murg hijerëndë që rrëfen një histori mitike. Skeleti origjinal i historisë së vllehëve nomadë plotësohet vazhdimisht derisa merr përmasat e një romani të plotë. Ngjarjet ndërthuren në intrigën e rrëfimit, lidhen e radhiten në mënyrë të tillë që të imitohen e të përfytyrohen si ngjarje të ndodhura në kufijtë e paradoksit, të përfshirjes në të kaluarën të atyre kulturave që, pa dyshim, nuk do të përfshiheshin në të tashmen, si rrjedhojë e ndryshimeve në formë. Me këtë vepër, shkruar me saktësi antropologjike dhe me një ndjeshmëri etnografike thuajse të shndritshme, shkrimtari u shndërrua në paradigmë prej krijuesi gjenial të etnologjisë vllahe, të trashëgimisë së shkëlqyer të këtij populli vital, frymëzues dhe protagonist në momente të rëndësishme historike.

Arumunët, ose vllehët e Shqipërisë, janë ndjerë historikisht si pjesë përbërëse e popullit dhe e shtetit shqiptar, me një lidhje rreth 1000-1500 vjeçare me shqiptarët. Ata kanë kontribute të vyera në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë, e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo nuk është një gojëdhënë, por e gdhendur në shkrime e dokumente. Populli shqiptar e njeh mirë kontributin dhe vlerat e pakicës arumune. Shumë nga figurat e shquara të kombit shqiptar e kanë vlerësuar lart kontributin e arumunëve dhe u kanë kështuar vëmendje të veçantë. Në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, ç’do të bëhet”, botuar në Bukuresht në 1899, Sami Frashëri shkruan: “Ky popull (arumunët), mik i shqiptarëve, ka atdhe Rumaninë dhe ka dhënë ndihmesë të madhe në luftën dhe pavarësinë e Shqipërisë, kështu që ne shqiptarët e kemi një detyrim ndaj këtij populli, por ky detyrim duhet shlyer me qëndrimin tonë miqësor dhe me një përkrahje gjithëpërfshirëse në mënyrë të atillë që ta zhvillojë kulturën e gjuhën e vetë duke e mbrojtur nga asimilimi…”.

Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, të trondit si me tematikën që trajton, ashtu edhe me forcën përshkruese të karaktereve që të mbesin të pashlyera në mendje. Autori përshkruan si rrallëkush psikologjinë e komunitetit vllah, me vlera njohëse, kreative dhe njerëzore.

Në këtë vepër zbulova imitimin krijues, nëpërmjet intrigës së një përvoje të përjetuar në një kohë të caktuar, dëgjova dhe mësova për gjuhën e tokës, gjuhën e shpirtit, gjuhën e trupit, gjuhën e sedentaritetit, gjuhën e besës (etninë) e arumunëve (vllehëve) të Shqipërisë…

Romani i kushtohet një dalldije të madhe, identitetit, që herë zgjohet, herë përgjumet te popujt etnikë, në këtë rast te vllehët nomadë, me rrënjë latine. Mesazhi i veprës është i qartë: identitetit duhet të jetë vertikal ose diakronik, që të përcillet e transmetohet brez pas brezi në histori.

Shkrimtari Thanas Medi përshkruan, me ngjyrime shumë të thepisura, pikërisht pasigurinë identitare në xhunglën e regjimit komunist që sundoi për 50 vjet në Shqipëri. Nëse sheh sot identitetin e arumunëve të Shqipërisë, duhet të shohësh që ekziston një ndryshim i madh para vitit 1992 dhe pas vitit 1992. Mund të thuhet se para 1990-ës ata kanë patur një identitet gjuhësor që i ka dalluar nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore nga shqiptarët, pra nuk ka patur konflikt identiteti. Pas vitit 1992 shohim një zgjim identiteti. Arumunët (vllehët) u njohën për herë të parë në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 si një grup pakicash deri në epokën komuniste (1967). Nga viti 1967 deri më 1992, ata njiheshin si shqiptarë të thjeshtë dhe nga viti 1992 deri më 2017, ata njiheshin si një pakicë kulturore dhe gjuhësore. Me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare. 

***

Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i cilësuar nga disa njohës të letërsisë si  një sagë  fisnore, ka mjaft nota biografike.

Në këtë gdhendje sublime të artit letrar, Th. Medi, përveç zjarrit të rrallë patriotik shkarkon arsenalin prozodik të një shkrimtari me shpirt poeti. 

Në roman gëlojnë karaktere nga më të çuditshmet dhe secili me profilin dhe veçoritë e veta si  Arhonda Buba, Sokrati dhe Katerina, Riza Kërpi apo Dhimitarqi. Në këtë kryevepër autentike të letërsisë shqipe, autori i paraqet gjërat ashtu siç i sheh dhe siç i ndien vetë. Ai i qëndron besnik natyrës së vet. Ndaj arti i tij është i vërtetë, pasi autori ka futur në të shpirtin e vet.

Shkrimtari Thanas Medi tashmë ka skalitur një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës, duke shkelur në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet. Origjinaliteti dhe individualiteti krijues i këtij autori mund të prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
Thanas Medi i thyen teknikat narrative, duke zhvendosur strukturat dhe imazhet arketipale, personazhet nuk i sheh më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por  nga brenda- jashtë. Kështu ai ka bërë hapin e madh drejt një letërsie që kthen spiritualitetin dhe sinqeritetin, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës , ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive.
Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik. Gjuha e gjallë e dinamike, thellësisht emocionale dhe me tone lirike, e ngjeshur në ide e domethënie, e shkruar me nerv dramaturgjik, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash, ku shpalosen realitete të magjishme fantastike. Rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. 

Ky roman, vlerësuar nga Ministria e Kulturës me “Çmimi i Madh Kombëtar për Letërsinë”, është pasuar me vepra të tjera tw suksesshme të autorit si “Hija e mallkuar”, “Kohë e djegur”, ”Valsi i një dasme fantazëm”, Çmendina e Athinës”.

Për herë të parë pas viteve’90, në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Kuteli, romani shqiptar vjen në një trajtë ndryshe. 

. 

Filed Under: Analiza

Ndërthurja e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare me atë të vendit pritës

August 8, 2024 by s p

Anita Duriçi/

E kemi dëgjuar shprehjen « Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë». Sistemi zvicerian ka menduar dhe për sot edhe për 100 vjet. Këtë gjë duhet të përpiqet që të bëjë çdo mësues i kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë në secilin vend ku jeton dhe punon dhe jo vetëm. Në mënyrë që rezultatet e punës sonë të jenë pozitive duhet të ndërthuren një sërë faktorësh në sasinë e duhur, por duhet shumë mund sepse mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet një herë në javë, pra 2-3 orë mësimore dhe në këtë pak kohë ne duhet të bëjmë mrekullira. Përmendëm mrekullira sepse të transmetosh një gjuhë, do të thotë të përçosh njohuritë, kulturën, dashurinë për atë kulturë e gjuhë dhe që të arrijmë këtë duhet të ndalemi tek mënyra sesi i tejçojmë këto njohuri dhe sa e mundësojmë që i gjithë ky informacion të përthithet nga nxënësit.

Të flasësh apo shpjegosh gjuhën dhe kulturën shqipe nuk mjafton. Cfarë mund të nevoitet tjetër? Le të ndalemi pak në secilën pikë që lidhet me mësuesit dhe nxënësit në diasporë.

Nxënësi është një sfidë më vete sepse secili nxënës ka aftësi të ndryshme nga të tjerët, stil të ndryshëm pune, po ashtu dhe vështirësi të ndryshmen nga shoqet shokët. Pra detyra jonë eshtë që të përqendrohemi jo vetëm në nivel të përgjithshëm por edhe inidivual në mënyrë që të mos lëmë askënd pas.

Të dhënit mësim në vend të huaj është një sfidë me vete e cila kërkon jo vetëm aftësi të fituara gjatë punës dhe jetës por edhe aftësi gjuhësore në të dyja gjuhët. Nevojitet njohje e sistemit arsimor të vendit pritës dhe gjithashtu një sfidë tjetër është përshtatja e mësimdhënies me atë të vendit ku jetojnë dhe shkollohen nxënësit, në mënyrë që lëndët në gjuhën shqipe të vijnë sa më natyrshëm.

Për këtë arsye duhet që mësuesi të ketë një njohje të mirë të zhvillimit të një ore mësimi në shkollat e vendit pritës dhe të përpiqet që ti përafrojë sado pak metodat e mësimdhënies.

Rendësia e përshtatjes me sistemin arsimor të vendit pritës është e domosdoshme sepse 90% e fëmijëve në diasporë janë lindur në DHE të huaj. Praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës. Në rastin e Zvicrës por edhe të disa vendeve të tjera, shpesh herë politikat e integrimit të vendit favorizojnë përshtatjen e iniciativave në mësimdhënie, por jo gjithmonë.

Përshtatja e metodave të mësimdhënies të vendit të origjinës me ato të vendit pritës sjellin lehtësi në përvetësim të njohurive, lehtësi në mësimdhënie, zhvillim të vazhueshëm të praktikave mësimore dhe mbi të gjitha zhvillim duke ndjekur ritmin kohës.

Kur nënvizojmë se praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës kemi parasysh ndërthurjen e teorisë me ushtrimet, sasinë e testeve të përjavshme apo ato mujore, organizimin e orës mësimore në formë loje, në formë debati, praktike në klasë ose në natyrë, përdorimin e teknologjisë dhe gjithashtu përshtatjen e nivelit mësimor dhe vlerësimit me nota me nivelin dhe aftësitë e nxënësit.

Që ti marrim parasysh të gjitha elementet e lartpermendur nuk duket si dicka e pamundur dhe me të drejtë gjithkush do mendonte se kjo është e lehtë. Cdo mësues në diasporë përballet me vështirësi të ndryshme si përshembull klasat janë heterogjene, mungesa e unifikimit të një plani mësimor, mungesa e modeleve të testeve dhe provimeve të gatshme, mungesa e eksperiencës së mësimdhënies në vendin pritës, mos njohja e rregullave të vendit. Vështirësi tjetër është përshtatja dhe ndërthurja e aftësive ( gjuhësore, teknike, metodike, etj në mënyrë që një orë mësimore të organizohet sa më mirë. Duhet që çdo mësues të ketë një nivel të mirë gjuhësor në të dyja gjuhët, të ketë motivim dhe dashuri të madhe për punën edhe kur kushtet mund të mos jenë shumë të favorshme. Punën na e vështirësojnë edhe orët e pakta në dispozicion për zhvillimin e mësimit. Atëherë si të përshtasim mësim e gjuhës shqipe me atë të vendit pritës ?

Së pari, të përpiqemi që ti realizojmë kriteret e lartpërmendura, të organizohen herë pas here seminare formuese, të lehtësohet pak puna e mësimdhënësit edhe nga vendet mëmë dhe të organizohen aktivitete që nxënësit njohuritë e marra ti vendosin në praktikë. Librat që i kemi në dispozicion ti mbajmë si shtyllë mbeshtetëse por ti pasurojmë cdo ditë orët mësimore me informacion shtesë, ushtrime më tërheqëse, detyra dhe pyetësorë që lidhen me teorinë por edhe me jetën në vendin pritës dhe për më tepër të përfshijmë teknologjinë në orët mësimore.

Duhet pasur parasysh se gjuha dhe kultura amtare luan një rol kyç në integrimin e brezit të ri, për këtë arsye duhet që mësuesi të përpiqet që edhe njohuritë që duam të transmetojmë të jenë të ngjashme me ato të vendit pritës.

Pra shpjegimi dhe organizimi i orëve mësimore të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai i një ore mësimore të shkollës së vendit pritës. Njohja e gjuhës dhe kulturës forcon rrënjët e identitetit dhe njohja e kulturës së vendit pritës nëpërmjet gjuhës shqipe, bën që të forcohe vetëvlerësimi teksa njohin rrënjët tona dhe njëkohësisht mikpresin kulturën e vendit ku jetojnë.

E gjitha kjo bën që të ketë gjithëpërfshirje në jetën dhe sistemin e vendit pritës edhe në vitet e ardhshme kur nxënësit që do të jenë qytetarë të vendeve të ndryshme të botës të mos përballen me vështirësi që gjuha shqipe i eliminon nëse mësohet sic duhet. Mbi të gjitha gjithë kjo punë do ti ofrojë nxënësve një ngrohtësi amësore në mëmëdhe por edhe në vendet ku jetojnë.

Pak më sipër u përmend organizimi i një ore mësimore në kushte sa më të favorshme për përthithjen e njohurive dhe për këtë mund të ndalemi pak tek roli i lojrave dhe aktiviteteve në procesin e mësimit.

Ka shumë forma, por le të ndalemi vetëm tek një tematikë, përshembull 10 lojra për tu njohur me njëri-tjetrin. 1. Rrethi i emrave 2. Karta e identitetit 3. portreti kinez 4. I zhdukuri 5. Topi me emër 6. Zip zap 7. Tele-blerje 8. Stuhi në det 9. Akrostiku 10. Kuize si Kahoot… janë disa nga lojrat që i përdorim në kantonin e Vaud-it dhe që gjatë seminarit u shpjeguan me detaje në menyrë që mësuesit e pranishëm të shkëmbenin eksperiencat por edhe të krijonin idenë sesi falë lojrave dhe përdorimit të teknologjisë mund të arrijmë të mësojmë shqipen edhe të perceptojmë realitetin që na rrethon me anë të gjuhës shqipe.

Lojrat online, kuizet dhe pyetësorët e ndryshëm i nxisin fëmijët të mësojnë më lehtë dhe në mënyrë argëtuese dhe ti mbajnë mënd më mirë ato cfarë kanë mësuar në klasë.

Ka shumë e shumë forma por ajo që duhet të kemi parasysh është që në mësimin e gjuhës shqipe të përfshijmë edhe ngjarje, dukuri dhe fenomene të vendit pritës, të përfshijmë teste, lojra, të pasurojmë materialet shtesë të mësimdhënies dhe mbi të gjitha të kemi në qendër nxënësin me të gjithë vecoritë që e karakterizojnë. Vetëm duke u përpjekur mund të arrijmë t’ju ofrojmë nxënësve një mësim cilësor dhe gjuhës shqipe vendin që meriton.

Gjithçka që ja vlen, merr kohë! Jo pa qëllim po e mbyll me këtë shprehje për të treguar se kalimi nga gjuha e vendit pritës si gjuhë amtare tek gjuha shqipe është një proces i gjatë. Edhe ajo që ne po bëjmë është një proes i vazhdueshëm i cili do kohën e tij që të japë rezultate. Me siguri e gjithë kjo punë e madhe që po bëhet nga mësuesit në diasporë do të japë frytet e saj dhe fëmijët tanë do të flasin bukur e pastër gjuhën shqipe.

Filed Under: Analiza

PSIKOHISTORIA BUXHOVIANE

August 8, 2024 by s p

Nga Ramadan Musliu/

Një autor që arrin të ndërtojë një opus sistematik, çfarë është vepra letrare, publicistike dhe historiografike e Jusuf Buxhovit, kulmi i rezultatit për të është kur vepra e tij i nënshtrohet një procesi të valorizimit, domethënë të një stadi të receptivitetit, akt që veprën autoriale e fut shkallë-shkallë nga klasika, në grupin e veprave ekzempël, që janë paradigmatike për kohën kur u krijuan si vlera të verifikuara për periudhat e tjera.

Vepra letrare e Jusuf Buxhovit fillin e ka në librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus impozant si vëllim, ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama. Pjesën komplementare të Jusuf Buxhovit përben edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).

Një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm i të arriturave në këtë fushën e historiografisë është vepra voluminoze:”Kosova”I,II dhe III, më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera,. domethënë historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme të dihomisë shtetërore midis “periferisë si qendër dhe qendrës si periferi”, që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.

Me veprën historiografike, e cila kërkon një qasje të specializuar ekspertësh, dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela,drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një mozaik të plotë nga i cili del profili i një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij politike, ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi, ai që kërkon idealitetin në të gjitha sferat e jetës. E gjithë kjo nxjerr në pah koherencën botëkuptimore të autorit, pra veprimin e një mendjeje paradigmatike intelektuale që është jetësisht i lidhur me proceset historike të etnisë.

Jusuf Buxhovi në radhë të parë është shkrimtar, krijues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, autor, që siç thamë, i më shumë se 30 veprave në zhanrin e tregimit, novelës, dramës,romanit, por që pjesa qendrore i takon romanit. Që në tregimet e para autori arrin të ndërtojë bërthamën tematike, amzën e rrëfimit, tematikën që arrin të bëhet obsesion autorial, së pari lojën si kuptim i thellë i ekzistencës njerëzore me të gjitha modulacionet e saj, dhe, së dyti, që është më kryesorja, historinë si ekzistencë kolektive në kontuum kohor. Tema e historisë nga vepra në vepër vjen duke u zgjeruar, duke pësuar modulacione dhe duke u bërë një refleksion permanent, e cila do të përfundojë si një botëkuptim, si një filozofi e historisë, e cila doemos se autorin do ta detyrojë, them kushtimisht, të kalojë edhe në domenin e shkencës, duke sjellë jo vetëm interpretime interesante, por edhe një pikëvështrim të ri të historisë së etnisë, që në periudhat më të hershme dhe riinterpretimin ndryshe të fatit kombetar, në periudhat më të vonshme.

Kështu seria e romaneve “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, (1982), “Nata e shekujve”, (1985), “Galeria e te vdekurve”,(1987), “Libri i të mallkuarve”,(1989), “Prapë vdekja”,,I-II-III, (1991,1993,1995), “Qyteti i dënuar me vdekje”,(2000), “Letrat për Kryeprincin”,(2000), “Vera e fundit e Gjin Bardhit” (2003), “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun “Kodi i Dashurisë” (të botuara në vitet 2004-2006), dhe “Udhëtimi i Mendim Drinit”, (2006), imponon një klasematikë historike, e cila mbështetet në dokumentin historik, përkatësisht empirinë historike dhe përpunimit të tyre, me ç’ rast faktografia historike merr dimensionin subjektiv, domethënë atë artistik, atë që i falet fiksionit, përkatësisht imagjinatës autoriale dhe sistematikës që kërkon filozofia autoriale e historisë. Duhet thënë se në narracionin romanor të këtyre veprave mbizotëron parimi i kronologjisë, domethënë preokupimi dhe trajtimi i historisë nacionale, që zë fill në antikitet, për të kaluar pastaj nëpër të gjitha stadet që e shpijnë nga e sotmja. Në planin e trajtimit artistik nisma me dokumentin shënon anën “fizike” të botës, trajtim i reales, i asaj që ka ndodhur dhe që në forma të ndryshme është ruajtur si një lloj empirie historike, për të kaluar pastaj në anën metafizike të botës dhe të vetë procesit historik, që mbruan atë komponentën artistike. Brenda këtyre dy skajeve shtrihet fusha e gjerë e refleksionit, e cila tangjenton me filozofinë e historisë, domethënë pikëvështrimin autorial dhe interpretimin e faktografisë nga prizmi vetiak, duke vjelë më këtë rast përvojat hegeliane e sidmos niçeane e shopenhaueriane në “përpunimin” e procesit historik.

Si fushë e markuar dhe më e preferuar del mesjeta, koha e prerjeve në ndërgjegje, periudhë e mbizotërimit të konflikteve religjioze, kohë e gërshetimit të mosmarrveshjeve grandioze civilizuese dhe përleshjeve mes tyre, e ballafaqimeve vendimtare të koncepteve civilizuese të burimeve të ndryshme dhe të kundërta, por gjithherë duke e shquar diagonalen nacionale në të.

Në kontinuitetin narrativ buxhovian ndeshet një proces permanent i evoluimit të formave të trajtimit të historisë. Evoluimi ka të bëjë me modifikimin e brendshëm të percepcionit historik por edhe të procedimeve artistike dhe të teknikave të trajtimit të fabulës historike. Nga procedimi klasik, që e ndeshim te romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, ku e gjithë historia apo ngjarja, në kuptimin narratologjik, ndërtohet duke rrëfyer një “gjendje epidemie” (I.Rugova), procedim që ndeshet edhe te romanet vijuese, “Galeria e të vdekurve” dhe “Libri i të mallkuarve”, kalohet në rrëfim-meditim, në një refleksion mbi ngjarjen, domethënë se shkojnë paralelisht, drama historike, zakonisht presupozohet si një tragjedi etnike, me dramën në ndërdijen e personazhit. Ky procedim, po qe se duam t’i japim një status teorik, mund të trajtohet si një “psikohistori”, në pajtim me pikëpamjen e njohësit të kësaj problematike, Frank Fernar, që është një formë e individualizuar e perceptimit të historisë përmes mekanizmave subjektivë. Pikërisht ky lloj trajtimi , i cili arrin ta rrudhë fabulimin në refleksion, i mundëson autorit ta projektojë një lloj filozofie të historisë, e cila herë është një koncept i ciklizmit historik, siç e percepton filozofi mesjetar italian, Xhanbatista Viko, që pastaj të evoluojë në një “frymë absolute”, si formë iniciale e historisë që e afirmoi botëkuptimi niçean për zhvillimin e historisë njerëzore, për tu shfaqur pastaj si një botë e vullnetit dhe e përfytyrimit, që të përmbyllet me idenë autoriale mbi ngadhënjimin e perandorisë të së mirës. Autori nga rrëfimi i ngjarjes, i historisë , i fabulimit kalon në refleksion, në psikohistori, në të rrëfyerit e përjetimit të frymës historike. Duke u marrë më këtë lloj të mbindërtimit artistik, duke u lëshuar në krahët e refleksionit, autori i jep vetes mundësinë që të merret me rivlerësimin e historisë, veçanërisht historisë nacionale, për të nxjerrë konsekuenca për të sotmen dhe për të anticipuar të ardhmen. Po qe se opusin e tij romanor e vështrojmë nga kjo pikëpamje do të ndeshemi më fenomenin e projektimit të të sotmes në planin historik, por edhe hipostazim të një filozofie politike në praktiken aktuale. Kështu, duke lexuar, madje tani duhet rilexuar, romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, do të ndeshim profilin e intelektualit dhe rolin e tij në histori. Pikërisht zhvillimet politike të mëvonshme kanë vërtetuar këtë supozim të autorit mbi rolin dhe përgjegjësinë e intelektualit në raport me historinë.

Vështrimi i historisë, duke ndjekur kronologjinë strikte, prek segmentet më të ndjeshme të ekzistencës kolektive të etnisë që nga antikiteti deri në ditët e sotme. Brenda këtij korpusi romanor është me interes të veçohet trilogjia e ashtuquajtur “gjermane”, ku përfshihen romanet “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, ku preken raportet gjermano – shqiptare, duke filluar nga sfera e kulturologjisë e deri te raportet historike e aktuale të natyrës politike. Këtë relacion të këtij binomi autori e arsyeton me argumentin historik mbi gjenealogjinë e lashtë dhe të një burimësie të njëjtë, por që ka dimensione të ndryshme: madhështinë tragjike të historisë gjermane dhe historinë tragjike të një civilizimi të rënë pellazgo-ilir. Derisa trilogjia gjermane trajton raportet gjermano-shqiptare në diakroni dhe sinkroni, ajo pasohet nga romani “Udhëtimi i Mendim Drinit”, që është vazhdim, kësaj radhe në planin refleksiv, i trashëgimisë mendore gjermane dhe projektim i një filozofie të historisë, që është në një farë mënyre eksplikim i tezave niçeane mbi procesin historik të një kombi. Në këtë roman kemi një fabulim të minimalizuar, të rrudhur deri në maksimum, që jepet trajtën e refleksionit të thellë mbi rolin e individit, mbi konceptin e zhvillimit të historisë, mbi vullnetin për fuqi, por edhe mbi botën si vullnet dhe përfytyrim e që është thelbi i historisë shopenhaueriane. Në qendër të kësaj filozofie është individi, forca e vullnetit të tij, pra të një individualiteti të jetërsuar fizikisht, por mendërisht superior, çfarë është Mendim Drini. Kësisoj bëhet një prerje e trungut historik të etnisë, për të nxjerrë ata rrathët koncentrikë të epokave të shënuar njëri pas tjetrit me gjithë empirinë e vet tragjike. Edhe ky roman, si edhe romanet e tjera, bëjnë apel për vetëdijesimin historik dhe për shquarjen e forcës së brendshme të etnisë që ka akumuluar gjithë atë përvojë, e cila mund të shndërrohet në një energji që do të gjenerojë perspektiven e etnisë. Dimensioni nacional edhe këtu është ajo lepeza gjithëpërfshirëse tematike që derivon nga amza historike. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se autori nga romani në roman ndjek një vijë të vazhdueshme të përdorimit të procedimeve të reja dhe teknikave të nduarnduarta , duke filluar nga ditari, rrëfimi linear, rrëfimi i tipit epistolar e deri te hulumtimi i teknikave të ashtuquajtura të pasqyrimit të historisë përmes prizmit të dokumentaritetit dhe fakticitetit.

Avancimi në përdorim të teknikave shihet veçanërisht te romanet më të fundit, “Dosja e hapur” (2014) dhe “Dosja B”, (2016), që janë romane-kronikë, të mbështetura në dokumentaritet dhe pluralitet procedimesh, ku elementi më shques i rrëfimit romanor del të folurit për tabutë politike, domethënë ligjërim pa eufemizëm, rrëfim i drejtpërdrejtë, konkret deri në gjuhën e dokumentit.

Të gjitha këto na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një korpus romanor që lidhen mes veti në mënyrë ciklike, që domethënë se janë shfaqje e një vizioni autorial me një spektër të gjerë të vështrimit të problematikave. Prandaj, në fund, mund të nxjerrim si konstatim, madje edhe kategorik, se i gjithë ky opus ndërtohet nga një autor i një profili origjinal, i një intelektuali aktiv, një sfiduesi i të së kaluarës dhe të tashmes dhe anticipuesi i të ardhmes dhe perspektivës historike të etnisë, që janë të rrallë sot edhe në letërsitë e mëdha.

(2018)

Filed Under: Analiza

E ngarkuara me Punë e SHBA mesazh në gjuhën shqipe, Nancy VanHorn: Mbështes Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian

August 6, 2024 by s p

“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Nancy VanHorn dhe jam e nderuar të filloj punë si e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve këtu në Tiranë.

Nga viti 2007 iu bashkova shërbimeve të jashtëm të SHBA. Kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat e Ukrainës, Armeni dhe Rusi.

Jam e emocionuar që jam në Shqipëri dhe që do të punojmë për qëllimet e përbashkëta, për të promovuar vlerat demokratike. Për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-së, për të çuar përpara rritjen ekonomike. Jam e përkushtuar që të mbështes Shqipërinë në rrugën drejt BE dhe të forcojmë lidhjet mes dy vendeve tona.

Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të njoh dhe kulturën e pasur të Shqipërisë dhe për këtë më duhet ndihma juaj. Kam tri pyetje për ju; cilin vend duhet të vizitoj të parin, cilin ushqim duhet të provoj patjetër dhe cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni?

Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi, të zbuloj, mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, shprehet ajo.

Filed Under: Analiza

Poeti “Malet e Dibrës”

August 3, 2024 by s p

Nga ARIF MURRJA/

Në një takim me intelektualë dibran, piktori i nderuar Zaim Elezi theksoi: “Mjaft më me lavdinë e kaluar”. Nuk mbaj mend fjalë për fjalë diskutimin e tij brilant, por mesazhim i tij sipas meje ishte: dibranët duhet t’i tregojnë Tiranës dhe Shqipërisë, se cilët janë sot. E kaluara jonë historike na nderon, por përmendja e shpeshtë nuk na bën ne, të jemi të lavdishëm.

Thuhet përsëritja është mëma e dijes, por kur ajo teprohet bëhet baba i mërzitjes. Në gjuhën ekonomike ky konsum i tepruar i lavdisë së shkuar jep dobi shtesë rënëse. Përsëritja e shpeshtë e lavdisë së shkuar, kalon në mburrje.

Kjo më nxiti për të kthyer sytë tek e sotmja. Kujtohemi për të sotmen, kur ajo bëhet e shkuar. Duhet të njohim të sotmen, që kur të bëhet e shkuar, të ndjekë lavdinë mijëravejçare të Dibrës e dibranve.

Këtë ese do t’ia kushtoj poetit Mentor Shquti, i njohur me pseudonimin Malet e Dibrës. Ai ka lindur më 30.03.1971 në fashati Hotesh në Luzni të Dibrës. Arsimin fillor e ka mbaruar në fashtin e lindjes, ndërsa atë 8-vjeçar në fshatin Katundit i Ri, po në Luzni. Dëshira e familjes, e sidomos e vëllait të madh Hamitit për të filluar arsimin e mesëm; e mundi ngelizhenca e tij, për të mos e përfunduar. Mentori rrjedh nga një familje e ndershme dhe puntore. Prindërit e tij, Dilaveri dhe Xhemilja rritën shtatë fëmijë, dy djem dhe pesë vajza. Ai është fëmija më i vogël i tyre. Babai i tij kishte një qetësi olimpike, ndërsa nënë e tij kishte një mençuri të lindur. Nënë Xhemilja ishte motra e të ndjerit Sali Palluçi, luznakut mendjendritur të muhabetit alegorik dhe të interpretimit të kanunit. Mentori është i martuar me Marjetën dhe kanë dy fëmijë, Dilaverin dhe Angjelinën.C:\Users\Admin\Documents\M. Shquti.jpg

Deri në vitet 90-të punoi në kooperativën Luzni. Sfidat e jetës pas viteve 90-të e çuan emigrant në Greqi, ku në më shumë se tre dekada punon atje. Në këto vite pune të vështira, ai ka treguar ndershmëri dhe përkushtrim duke fituar respektin e të gjithve. Frymëzimi i tij poetik për familjen, vendlindjen, patriotizmin, atdhedashurinë, padrejtësinë dhe ndershmërinë, e kanë bërë një vjershëtar të jashtëzakonshëm. Ai demostron se talenti mund të shkëlqejë edhe në mungesë të shkollimit. Shpërthimi poetik i tij, lindi në moshë të vonë (mbi 40 vjeç). Kjo vonesë i dha mundësinë të zhvilloj një krijimtari unike dhe të maturoj frymëzimin poetik. Kjo tregon se pasioni i vërtetë nuk njeh moshë. Krijimtaria e tij është një zë i veçantë dhe i çmuar për Dibrën dhe përtej saj. Poeti Malet e Dibrës shpreh me vargje ndjenjat dashurore të zemrës së tij për vendlindjen. Poezitë e tij shpalosin trimërinë e të parëve, bukurinë e natyrës, vlerat e kulturës dhe traditës dibrane.

Si një lexues dhe ndjekës i poezisë së tij, ndjehem krenar për kontributin e tij me vlerë dhe jam me fat që jam bashkëkohësi i tij. Krijimtaria e tij ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes. Ai i thur vargje e poezi, jo vetëm Luznisë e Dibrës, por Shqipërisë dhe Kosovës. Bukuritë e trojeve shqiptare dhe historitë e lavdishme, rrijnë shumë rehat në vargjet dhe strofat poetike të tij.

Në përfundim, Malet e Dibrës është një personalitet në poezinë patriotike. Ai ka sjellë frymën e tij krijuese me pasion, ndershmëri dhe dëshirë për të shprehur ndjenjat dhe vlerat e tij. Krijimtaria e tij në vargje magjike është thesar që ruan hijeshinë dhe lavdinë e shqipatrizmës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT