Nga ARIF MURRJA/
Në një takim me intelektualë dibran, piktori i nderuar Zaim Elezi theksoi: “Mjaft më me lavdinë e kaluar”. Nuk mbaj mend fjalë për fjalë diskutimin e tij brilant, por mesazhim i tij sipas meje ishte: dibranët duhet t’i tregojnë Tiranës dhe Shqipërisë, se cilët janë sot. E kaluara jonë historike na nderon, por përmendja e shpeshtë nuk na bën ne, të jemi të lavdishëm.
Thuhet përsëritja është mëma e dijes, por kur ajo teprohet bëhet baba i mërzitjes. Në gjuhën ekonomike ky konsum i tepruar i lavdisë së shkuar jep dobi shtesë rënëse. Përsëritja e shpeshtë e lavdisë së shkuar, kalon në mburrje.
Kjo më nxiti për të kthyer sytë tek e sotmja. Kujtohemi për të sotmen, kur ajo bëhet e shkuar. Duhet të njohim të sotmen, që kur të bëhet e shkuar, të ndjekë lavdinë mijëravejçare të Dibrës e dibranve.
Këtë ese do t’ia kushtoj poetit Mentor Shquti, i njohur me pseudonimin Malet e Dibrës. Ai ka lindur më 30.03.1971 në fashati Hotesh në Luzni të Dibrës. Arsimin fillor e ka mbaruar në fashtin e lindjes, ndërsa atë 8-vjeçar në fshatin Katundit i Ri, po në Luzni. Dëshira e familjes, e sidomos e vëllait të madh Hamitit për të filluar arsimin e mesëm; e mundi ngelizhenca e tij, për të mos e përfunduar. Mentori rrjedh nga një familje e ndershme dhe puntore. Prindërit e tij, Dilaveri dhe Xhemilja rritën shtatë fëmijë, dy djem dhe pesë vajza. Ai është fëmija më i vogël i tyre. Babai i tij kishte një qetësi olimpike, ndërsa nënë e tij kishte një mençuri të lindur. Nënë Xhemilja ishte motra e të ndjerit Sali Palluçi, luznakut mendjendritur të muhabetit alegorik dhe të interpretimit të kanunit. Mentori është i martuar me Marjetën dhe kanë dy fëmijë, Dilaverin dhe Angjelinën.
Deri në vitet 90-të punoi në kooperativën Luzni. Sfidat e jetës pas viteve 90-të e çuan emigrant në Greqi, ku në më shumë se tre dekada punon atje. Në këto vite pune të vështira, ai ka treguar ndershmëri dhe përkushtrim duke fituar respektin e të gjithve. Frymëzimi i tij poetik për familjen, vendlindjen, patriotizmin, atdhedashurinë, padrejtësinë dhe ndershmërinë, e kanë bërë një vjershëtar të jashtëzakonshëm. Ai demostron se talenti mund të shkëlqejë edhe në mungesë të shkollimit. Shpërthimi poetik i tij, lindi në moshë të vonë (mbi 40 vjeç). Kjo vonesë i dha mundësinë të zhvilloj një krijimtari unike dhe të maturoj frymëzimin poetik. Kjo tregon se pasioni i vërtetë nuk njeh moshë. Krijimtaria e tij është një zë i veçantë dhe i çmuar për Dibrën dhe përtej saj. Poeti Malet e Dibrës shpreh me vargje ndjenjat dashurore të zemrës së tij për vendlindjen. Poezitë e tij shpalosin trimërinë e të parëve, bukurinë e natyrës, vlerat e kulturës dhe traditës dibrane.
Si një lexues dhe ndjekës i poezisë së tij, ndjehem krenar për kontributin e tij me vlerë dhe jam me fat që jam bashkëkohësi i tij. Krijimtaria e tij ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes. Ai i thur vargje e poezi, jo vetëm Luznisë e Dibrës, por Shqipërisë dhe Kosovës. Bukuritë e trojeve shqiptare dhe historitë e lavdishme, rrijnë shumë rehat në vargjet dhe strofat poetike të tij.
Në përfundim, Malet e Dibrës është një personalitet në poezinë patriotike. Ai ka sjellë frymën e tij krijuese me pasion, ndershmëri dhe dëshirë për të shprehur ndjenjat dhe vlerat e tij. Krijimtaria e tij në vargje magjike është thesar që ruan hijeshinë dhe lavdinë e shqipatrizmës.