Arben Iliazi/
Duke lexuar romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, Thanas Medin e mendoj si një murg hijerëndë që rrëfen një histori mitike. Skeleti origjinal i historisë së vllehëve nomadë plotësohet vazhdimisht derisa merr përmasat e një romani të plotë. Ngjarjet ndërthuren në intrigën e rrëfimit, lidhen e radhiten në mënyrë të tillë që të imitohen e të përfytyrohen si ngjarje të ndodhura në kufijtë e paradoksit, të përfshirjes në të kaluarën të atyre kulturave që, pa dyshim, nuk do të përfshiheshin në të tashmen, si rrjedhojë e ndryshimeve në formë. Me këtë vepër, shkruar me saktësi antropologjike dhe me një ndjeshmëri etnografike thuajse të shndritshme, shkrimtari u shndërrua në paradigmë prej krijuesi gjenial të etnologjisë vllahe, të trashëgimisë së shkëlqyer të këtij populli vital, frymëzues dhe protagonist në momente të rëndësishme historike.
Arumunët, ose vllehët e Shqipërisë, janë ndjerë historikisht si pjesë përbërëse e popullit dhe e shtetit shqiptar, me një lidhje rreth 1000-1500 vjeçare me shqiptarët. Ata kanë kontribute të vyera në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë, e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo nuk është një gojëdhënë, por e gdhendur në shkrime e dokumente. Populli shqiptar e njeh mirë kontributin dhe vlerat e pakicës arumune. Shumë nga figurat e shquara të kombit shqiptar e kanë vlerësuar lart kontributin e arumunëve dhe u kanë kështuar vëmendje të veçantë. Në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, ç’do të bëhet”, botuar në Bukuresht në 1899, Sami Frashëri shkruan: “Ky popull (arumunët), mik i shqiptarëve, ka atdhe Rumaninë dhe ka dhënë ndihmesë të madhe në luftën dhe pavarësinë e Shqipërisë, kështu që ne shqiptarët e kemi një detyrim ndaj këtij populli, por ky detyrim duhet shlyer me qëndrimin tonë miqësor dhe me një përkrahje gjithëpërfshirëse në mënyrë të atillë që ta zhvillojë kulturën e gjuhën e vetë duke e mbrojtur nga asimilimi…”.
Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, të trondit si me tematikën që trajton, ashtu edhe me forcën përshkruese të karaktereve që të mbesin të pashlyera në mendje. Autori përshkruan si rrallëkush psikologjinë e komunitetit vllah, me vlera njohëse, kreative dhe njerëzore.
Në këtë vepër zbulova imitimin krijues, nëpërmjet intrigës së një përvoje të përjetuar në një kohë të caktuar, dëgjova dhe mësova për gjuhën e tokës, gjuhën e shpirtit, gjuhën e trupit, gjuhën e sedentaritetit, gjuhën e besës (etninë) e arumunëve (vllehëve) të Shqipërisë…
Romani i kushtohet një dalldije të madhe, identitetit, që herë zgjohet, herë përgjumet te popujt etnikë, në këtë rast te vllehët nomadë, me rrënjë latine. Mesazhi i veprës është i qartë: identitetit duhet të jetë vertikal ose diakronik, që të përcillet e transmetohet brez pas brezi në histori.
Shkrimtari Thanas Medi përshkruan, me ngjyrime shumë të thepisura, pikërisht pasigurinë identitare në xhunglën e regjimit komunist që sundoi për 50 vjet në Shqipëri. Nëse sheh sot identitetin e arumunëve të Shqipërisë, duhet të shohësh që ekziston një ndryshim i madh para vitit 1992 dhe pas vitit 1992. Mund të thuhet se para 1990-ës ata kanë patur një identitet gjuhësor që i ka dalluar nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore nga shqiptarët, pra nuk ka patur konflikt identiteti. Pas vitit 1992 shohim një zgjim identiteti. Arumunët (vllehët) u njohën për herë të parë në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 si një grup pakicash deri në epokën komuniste (1967). Nga viti 1967 deri më 1992, ata njiheshin si shqiptarë të thjeshtë dhe nga viti 1992 deri më 2017, ata njiheshin si një pakicë kulturore dhe gjuhësore. Me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare.
***
Romani “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i cilësuar nga disa njohës të letërsisë si një sagë fisnore, ka mjaft nota biografike.
Në këtë gdhendje sublime të artit letrar, Th. Medi, përveç zjarrit të rrallë patriotik shkarkon arsenalin prozodik të një shkrimtari me shpirt poeti.
Në roman gëlojnë karaktere nga më të çuditshmet dhe secili me profilin dhe veçoritë e veta si Arhonda Buba, Sokrati dhe Katerina, Riza Kërpi apo Dhimitarqi. Në këtë kryevepër autentike të letërsisë shqipe, autori i paraqet gjërat ashtu siç i sheh dhe siç i ndien vetë. Ai i qëndron besnik natyrës së vet. Ndaj arti i tij është i vërtetë, pasi autori ka futur në të shpirtin e vet.
Shkrimtari Thanas Medi tashmë ka skalitur një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës, duke shkelur në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet. Origjinaliteti dhe individualiteti krijues i këtij autori mund të prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
Thanas Medi i thyen teknikat narrative, duke zhvendosur strukturat dhe imazhet arketipale, personazhet nuk i sheh më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por nga brenda- jashtë. Kështu ai ka bërë hapin e madh drejt një letërsie që kthen spiritualitetin dhe sinqeritetin, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës , ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive.
Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik. Gjuha e gjallë e dinamike, thellësisht emocionale dhe me tone lirike, e ngjeshur në ide e domethënie, e shkruar me nerv dramaturgjik, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash, ku shpalosen realitete të magjishme fantastike. Rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë.
Ky roman, vlerësuar nga Ministria e Kulturës me “Çmimi i Madh Kombëtar për Letërsinë”, është pasuar me vepra të tjera tw suksesshme të autorit si “Hija e mallkuar”, “Kohë e djegur”, ”Valsi i një dasme fantazëm”, Çmendina e Athinës”.
Për herë të parë pas viteve’90, në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Kuteli, romani shqiptar vjen në një trajtë ndryshe.
.