• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË HISTORI NGA DIKTATURA E ZBRITUR NË TRANZICIONIN RURAL

December 22, 2014 by dgreca

Njërit prej atyre që diktatura i kishte zgjedhur si trashëgimtarë të saj/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Është një histori shqiptare që do të zgjasë me tranzicionin. Histori plehu. Merreni si të doni, fiksion, narracion apo tregim të jetuar prej njërit nga ata që e ka plehurosur Shqipërinë. Një pesticid që e helmon edhe dheun e tokën.
Në diktaturë, ishte i biri i njërit nga të nomenklaturës të kuqe. Nga ata që ia dinin vetëm partisë ngritjen. Kjo i jepte krekosje.Fryhej si gjel. I trashë, i bymyer, i shkurtër, i paformë, truqullur, që ia kishin futur në kokë se do të bëhej një enver i vogël. I vogël sa një gogël nga të qenit. Pasi mbaroi universitetin e Tiranës në degën në fjalë, e dërguan të perfeksiononte të menduarin proletaro-stalinist në Paris. Atje diktatura dërgonte vetëm sakatët e sojit të saj, që gomerë shkonin e gomerë ktheheshin. Gomerë me Sorbonë. Ky u kthye si nga të qenit, që këtu në Perëndim përpara se ta hedhin në koshin e mbeturinave, veshin dorezat plastike dhe e fusin në qeska apostafat.
Prej andej u kthye edhe më i trashë, edhe më i qullur, si një spec i mbushur me plastelinë, i gatshëm të përulej, të merrte çdo formë, deri edhe formën e mbeturinave ushqimore trupore.
Dhe fati dukej se i ndihte. Deri sa gjeti të martohej me një të sojit të vet, si një siguri për të ardhmen. Ta shihnit, në fakt ju e keni parë, se si u fry edhe më nga hiçësia. Në Bibliotekën kombëtare të Tiranës kishte një vend fiks. Dhe vinte dhe shkonte i krekosur. Shtrihej përmbys mbi libra dhe flinte mbi to me sy hapur, vigjëlues. Aty i vinin gardistët e rinj, që e duatrokisnin sa herë që tështinte dhe shpërndante pështymën në dyshemenë e Bibliotekës Kombëtare, gjithnjë si një thes mbeturinash ushqimore trupore.
Kishte një krekosje idiote që e mban edhe sot në tranzicionin rural. Dhe prapë i gjenden pranë ca idiotë që e duatrokasin sa herë pështyn glasa sorranësh pleq. Sepse tani ngjan me një thes të shfryrë, plluq- lluq. Por nga të krekosurit nuk heq dorë. E ka inerci të kohës të diktaturës, të kohës kur e kishte të siguruar Parisin, prej ku u mundua të çonte mendimin proletaro-enverist dhe prej nga ku gdhë shkoi e gdhë u kthye, një lluq-plluq.
Më kujtohet se këtë krekosje e kishin familjare, të ushqyer nga partia.Ishte e frikëshme. Bënin gjëma në emër të partisë, merrnin njerëz në qafë. Jetonin në një vilë të shpronësuar, të dhuruar nga regjimi. Që e kishin përvetësuar. Asnjëherë nuk e kishin pyetur veten për banorët e asaj vile. Ose duke e ditur fatin e tyre të egër, bëheshin edhe më të egër. Të shihnin nga poshtë-lart, të shihnin me sytë e çeliktë të partisë. Të ftohtë, bosh, kriminelë sytë e partisë të plehut. Me këta sy e hodhën në mes të rrugës një vajzë të bukur shqiptare. Me flokë të verdha gjithë onde, e kam parasysh si tani, isha në fillore, ajo sapo kishte mbaruar gjimnazin. Por këta të plehut e hodhën në mes të katër rrugëve sepse të jatin e vajzës të bukur bionde e dënoi partia.
Dhe pastaj pasi e vërvitën në mes të katër rrugëve, të pafaj, të pafajshme, të pastër si drita e diellit, ata pa asnjë brerje ndërgjegje edhe sot e kësaj dite, e zëvendësuan me një femër tjetër, që e veshën me krekosjen e sorranëve të familjes.
Kur u përmbys diktatura thamë se shpëtuam prej krekosjes të thasëve me mbeturina ushqimore trupore, që në Paris shkuan ashtu i qenit dhe ashtu u kthyen. Por, të paktën shpëtoi ajo vajza bionde, me flokë me onde dhe sy të kaltër, e cila ka një emër të bukur nga historia shqiptare. Ajo vajza vuajti të zezat, hoqi skëterrën, por ama shpëtoi nga thesi me fekale, ndërsa shqiptarët e ngratë jo, u paska rënë risk që t’i kenë ende nëpër këmbë, ashtu të trashë, të lyrshëm, si derra të kënaqun prej mizerjes të mbjellë si filozofë proletarë të antinjeriut.
Mua sa herë më del përpara ky plehu, më kujtohet gjithnjë ajo vajza me krela të verdha, e cila ka një emër të bukur. Ajo e njeh të krekosurin ashtu si duhet, familjarisht. Dhe kushedi sa herë e ka pështyrë dhe e pështyn, sa herë i ka mallkuar, me racë e farë, aq herë sa e ka çuar nëpër mend atë periudhë të zezë të jetës të saj të re, mbetur në mes të rrugës nga kriminelë të mbushur sot me urrejtje, sepse nuk i lamë të bëheshin ashtu si kishte vendosur t’i bënte partia e krimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, NGA DIKTATURA E ZBRITUR NË, nje histori, TRANZICIONIN RURAL

Mediat sociale dhe lufta psikologjike

December 21, 2014 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/
Propaganda është manipulim i qëllimshëm i emocioneve dhe mendimeve të njerëzve për të bindur ata të besojnë ose të bëjnë gjëra të caktuara.
***
Bindjet fundamentaliste janë më të lehta për t`u përligjur me argumente racionale, por ato kanë forcë tërheqëse emocionale më të madhe pikërisht sepse janë më primitive.
Kur përmendim fundamentalizmin, shpesh mendojmë për fundamentalizmin islamik, por ne jemi dëshmitarë të ringjalljes së prirjeve fundamentaliste në mbarë bllokun ish komunist e më gjerë. Këto prirje kanë bashkë elemente kombëtare dhe fetare. Ato nuk kanë ideologji të shtjelluara dhe plotësisht të zhvilluara – por e marrin frymëzimin nga e kaluara e turbullt. Me shembjen e komunizmit, lufta midis koncepteve të shoqërisë së hapur dhe shoqërisë së mbyllur nuk ka përfunduar. Ajo vetëm se ka marrë një formë tjetër. Asaj mënyre të menduarit, që aktualisht lidhet me konceptin e shoqërisë së mbyllur, ndofta i shkon më mirë cilësimi tradicional se dogmatik. Në rastin e fundamentalizmit islamik ky formulim tashmë është kryer. Edhe në rastin e fundamentalizmit grek, serb, “maqedon” e rus formulimet janë të kryera…
***
Zhvillimi i mediave masive moderne ka çuar në përhapjen e dezinformatave, propagandës…
Mediat sociale janë shumë të rëndësishme në fushatat e tilla de-stabilizuese. Këto teknika ishin dhe janë duke u përdorur me aftësi të madhe në Shqipëri, kundër Shqipërisë, në favor të Greqisë, Serbisë, Turqisë…(Kur them “Shqipëri” mendoj për gjithë trojet shqiptare).
Të përqendrohem në rrezikun e madh të politikës greke ndaj vendit tonë e cila me dorën e zgjatur të saj, agjentit, uzurpuesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ateistit dhe mumies të nxjerr nga sarkofagu, qoftëlargut Anastas Janullatos, synon tjetërsimin e shqiptarëve të besimit ortodoks dhe lojën me zjarr me trojet tona në “verio-epir”. Ky kancer prej “prifti” kujdeset të sigurojë që anëtarët, këshilltarët dhe kontaktet e tij që ia mbajnë “topat” me duar, si për shembull Vangjel Dule, Pirro Prifti…të jenë në rrjet.
Ashtu që lufta psikologjike nëpërmjet mediave sociale është e qartë. Dhe të jeni të sigurt se përhapja e mesazheve antishqiptare (në favor të grekëve) është ultra-ngjitëse…
***
Propaganda në maskim
Propaganda është një formë efektive e komunikimit që përdoret për të promovuar agjendat e fshehura.
Manipulon masat
Propaganda në praktik është përdorur si një term për veprimtarinë misionare.
Në vitet 1940, nocioni i “propagandës” ishte në mënyrë të qartë negativ, dhe propaganda u zëvendësua me termin më neutral si: bindje, komunikim dhe informacion.
Qëllimi i propagandës së kohës tonë ende është për të kontrolluar të menduarit dhe sjelljen e audiencës (publikut).
Dërguesi i propagandës nuk është i lidhur nga e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara; luan lirisht në emocione dhe paragjykime. Një shpërndarje e balancuar e gënjeshtrës dhe të vërtetës mund të jetë më efektive se objektiviteti dhe përfaqësime të sakta për të bindur – atëherë dhe atje.
***
Pesë argumente të rreme:
Propaganda thjesht mund përkufizohet si manipulim elite e masave të pashkolluara.
Unë kam përgatit një përkufizim ku fokusi është mbi propagandën me program të fshehur të dyfishtë, si në aspektin e mjeteve ashtu dhe qëllimeve. Ai që i hynë propagandës, posedon gatishmërinë dhe aftësinë për të aktivizuar emocionet dhe paragjykimet në arritjen e objektivave psikologjike dhe jo atyre logjike. Në studimet e mia kam identifikuar pesë lloje të ndryshme të argumenteve të rreme të përdorura në propagandën:
Merrni njeriun në vend të topit: Argumenti më i famshëm i rremë bazohet në sulm personal dhe jo për të diskutuar mbi çështjen.
Një tjetër variant është, mbi të gjitha, lojë për galeri, për të arritur mbështetje dhe miratim populist.
Një lloj i tretë është duke luajtur kinse i vjen keq për ne, dhe në të njëjtën kohë të kërkojë simpatinë dhe mbështetjen që na takon.
Një teknikë e katërt është që të luajë në pozicionin e pushtetit me apel për kërcënime, frikë dhe autoritet që ligjërisht mund të detyrojë zgjidhje
Versioni i pestë i argumentimeve të rreme konsiston në paraqitjen e pretendimit si e vërtetë sepse nuk është provuar se është i rremë. Ose padia mund të paraqitet si e rreme nëse nuk është vërtetuar se ajo është e vërtetë.
***
Natyra e propagandës
Qëllimi i propagandës është menaxhimi dhe kontrolli i besimit dhe sjelljes. Të largoj vëmendjen e opinionit nga gabimet në informim dhe arsyetim. Propagandistët përdorin paragjykimet dhe dezinformatat për të krijuar besime të reja për çështjet, si për shembull duke luajtur në neveri për të vërtetat e caktuara ose në mbështetjet fanatike për iluzionet e caktuara.
Propaganda kombinon: argumentim dhe aktivizimin e emocioneve. Kur emocionet dhe paragjykimet aktivizohen, qëllimi është për të parandaluar reflektimin për sa i përket dëshmive – një rezultat i synuar me argumente të rreme.
Faktet dhe trillimet përzien në një mënyrë të sofistikuar. Një propagandist kujdeset të siguron ato elemente faktike që i japin besim propagandistit para se në kuzhinën e tij të gatuaj informata të rreme dhe deformime (shtrembërime) që marrësi (dëgjuesi, lexuesi) i konsideron të besueshme.
Propagandisti i tregon si të parëndësishme gabimet e veta, ndërsa faji dhe përgjegjësia hidhet mbi të tjerët. Propaganda duhet të jetë e lehtë, në stilin bardhë/zi.
Njerëzit me rolet – veçanërisht në aparatin publik ose “Shtëpinë e Zotit” (si mumia Janullatos) – të lidhur me besimin dhe lehtë-besim, i kanë kualifikimet më të mira për të mashtruar tufën e zakonshme. Dhe, kjo ndodh në një cilësi zyrtare, ose në mënyrë të tërthortë përmes njerëzve prapa skenave.
***
Jemi dëshmitarë të ngjarjeve dramatike që kanë kapluar vendin. Anarkia, me të vërtetë mungesa e kontrollit, shoqëri pa ligje pa kontrollin e qeverisë. Mungesa e çfarëdo forme të autoritetit politik dhe/ose të hierarkisë sociale. Papunësia. Varfëria e skajshme. Ikja masive e rinisë në Perëndim. Vrasjet. Hakmarrjet primitive ndaj familjarëve të pafajshëm. Çrregullim politik dhe konfuzion. Mungesa e parimeve udhëzuese, për shembull, standardet e përbashkëta dhe objektivat. Prandaj domosdoshmërish të ndërgjegjësohemi. Nuk është e vështirë për të jetuar nën një mot të vështirë kur ju keni rroba të mira me vete.
Unë nuk jam duke shkuar në shtëpi që të shtrihem në kauç me orë të tëra. Unë shqetësohem nga një stil pasiv jetësor dhe jam i lumtur kur ushtroj kondicionin, forcën, shkathtësitë luftarake. Kjo nuk është në lidhje me paratë. Unë dua të fitojë diçka dhe të jap një kontribut për Kombin tim dhe Tokën e Shenjtë të gjyshërve të mi. Nëse edhe unë kontribuoj që të ngre çështjen kombëtare vetëm 1%, mund të jetë e mjaftueshme për të fituar. Unë nuk jam më një nxënës, dhe do të mundohem që të jem një shembull i mirë veçanërisht për fëmijët e mi… “Unë jam krenar për vendin prej nga vij, ky është mesazhi që unë do të jap ty” – më thoshte gjyshi im.

*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, dhe lufta psikologjike, Mediat sociale

VJEDHJA E PRONËS PRIVATE NË ULQIN KONSIDEROHET SI NGJARJE E VITIT

December 19, 2014 by dgreca

E Drejta e pronës është e drejtë e njeriut/
Nga Frank Shkreli/
Sipas një njoftimi në portalin e Komunës së Ulqinit, të martën u nënshkrua në hapësirat e komunës së atij qyteti marrveshja, midis Kryetarit të komunës, Fatmir Gjekaj dhe përfaqsuesit të kompanisë turke “Aqua Park & Entertainment”, Sahret Hajdarpasic, për ndërtimin e një akva parku që konsiderohet se do të jetë më i madhi në Ballka i këtj lloji. Thuhet gjithashtu se në bazë të kësaj kontrate, kompania turke e cila sipas lajmeve për këtë projekt do të investojë 7 milionë e gjysëm dollarë, paska “marrë me qira” për 30-vjetë tokën ku do të ndërtohet parku. Në sipërfaqe, ky duket një lajm i mirë për atë zonë e cila ka shumë nevojë për investime dhe për një zhvillim ekonomik. Deri këtu gjithçka në rregull.
Por ajo që lexuesi nuk mëson nga njoftimi zyrtar i komunës së Ulqinit dhe madje as nga mediat të cilat dhanë njoftimin në lidhje me këtë marrveshje, është se toka e cila thuhet se kompania turke “ka marrë me qira”, është pronë legjitime me dokumentacion tapie e familjes Rudaj nga Shtoji i Ulqinit dhe se pronarët e tokës nuk kanë dhënë miratimin e tyre për këtë projekt. Familja Rudaj ka bërë një deklaratë për publikun me të cilën kundërshton vendosmërisht këtë marrveshje midis komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke “Polin”, për të ndërtuar akva parkun në tokën e tyre që ua kanë lënë të parët, andaj marrveshja nuk ka miratimin e tyre dhe si e tillë marrveshja nuk ka vlerë. Familja Rudaj thotë se si rrjedhim i shkeljes së të drejtave të saj të pronësisë, ajo do të kërkojë të drejtat e veta në nivel vendor, shtetëror dhe ndërkombtar. Ja edhe Deklarata e familjes Rudaj në lidhje me këtë situatë të krijuar në komunën e Ulqinit:
“Ju njoftojmë se parcela kadastrale nr. 2088 në sipërfaqe prej 25.541 metër katrorë është pronë kontestuese e familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit. Këtë e dëshmon vendimi i Komisonit për këthim dhe kopmensim Nr. 030-ul-6-97-05, e datës 17.09.2014, i lëshuar në Tivar si dhe nga vëndimi i Ministrisë së Financave të Malit të Zi, e datës 20.05.2011.
Nga Drejtoria shtetërore për patundshmëri, posedojmë gjithashtu vendimin Nr. 954-1470/11, të datës 5.12.2011, me të cilin lejohet regjistrimi për ndryshimin e asaj pjesë të parcelës. Këtë tokë na e ka marrë shteti komunist në vitin 1949.
Ne familjarët posedojmë madje edhe dokumentin e shitblerjes së kësaj toke, nga viti 1857, të nënshkruar nga kadia Shaqir Isuf, autoriteti vendor turk i asaj kohe.
Kuvendi Komunal i Komunës së Ulqinit ka marrë vendimin që në këtë pronë të ndërtojë akva parkun. Ne si familje nuk e kemi pranuar këtë vendim, për të cilën gjë, zyrtarisht i kemi njoftuar drejtuesit e Komunës së Ulqinit dhe investitorin. Por, ata janë këmbëngulës në aprovimin e vendimit të tyre dhe nuk kanë marrë parasysh kërkesën tonë. U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi.”
Ulqin, 15 dhjetor 2014 Familja Rudaj
Kjo ishte deklarata informuese për publikun nga familja Rudaj e lëshuar të hënën, në prak të nënshkrimit të marrveshjes për ndërtimin e akva parkut në Shtoj të Ulqinit, duke nënvijuar njohjen zyrtare, jo një herë, por dy herë se toka ku është në plan të ndërtohet akva parku, është në të vërtetë dhe legjitimisht toka e familjes Rudaj.
Ky rast në rrethin e Ulqinit duket si një shembull i qartë i asaj që mund të quhet vjedhje e pasurisë private nga shteti. Është kjo një traditë e regjimeve naziste dhe komuniste të cilat gjatë shekullit të kaluar grabitën pasurinë private pa asnjë konsideratë për pronarët legjitim, për të pasuruar veten. Fatkeqsisht, kjo trashëgimi e këtyre regjimeve është ende gjallë në disa raste, pasi në pjesën më të madhe, ndonëse në këto 25-vitet e fundit ç’prej shembjes së komunizmit, prona private e cila ishte konfiskuar nga regjimi komunist, tashmë i është këthyer të zotit. Përveç vendosjes së lirisë dhe demokracisë, këthimi i pronës private tek i zoti, ishte në të vërtetë një prej përfitimeve nga shëmbja e komunizmit dhe si i tillë më vonë u konsiderua, sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara por edhe nga BE-ja, si një kriter me rëndësi për të vlerësuar përparimin e ish-vendeve komuniste për antarësim në organizatën e NATO-s dhe në Bashkimin Europian. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë deklaruar shpesh se këthimi i pronës private të vjedhur dhe të konfiskuar nga shteti, është edhe një provë e zhvillimit të një shteti ligjor e demokratik, dhe janë shprehur njëkohsisht se ligjet jo-diskriminuese mbi pronësinë, janë tepër të rëndësishme edhe për zhvillimin e një ekonomie të tregut të lirë.
Besoj se një ndër ato shtete që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian thonë se, “duket se e kanë të vështirë të administrojnë rivendosjen e të drejtave të pronësisë pronarëve të cilëve u takon toka”, është edhe Mali i Zi dhe rasti konkret i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit. Ajo tokë nuk është as e komunës së Ulqinit as e qeverisë malazeze, por me tapi e dokumentacion i takon familjes Rudaj. Sipas deklaratës së mësipërme, familja Rudaj me të drejtë ka vendosur që të luftojë për të drejtat e saj ligjore dhe kushtetuese për të marrë pronën që i takon asaj gjysh pas gjyshi dhe të vendosë vet mbi përdorimin e asaj parcele prej 25,5 mijë metra katrorë, ashtu si dëshiron dhe sipas interesave të veta.

Këthimi i pronave të konfiskuara nga cilido shtet qoftë, është i ndërlikuar ndërsa përbën gjithmonë një proces të rënduar dhe si rrjedhim duket se përpjekjet e familjes Rudaj për këthimin e tokës së tyre nuk do të jenë aspak të lehta duke amrrë parasyshë se do t’i duhet të luftojë jo vetëm Podgoricën yzrtare, por edhe autoritetet vendore, përgjegjësia e të cilave në rend të parë është të mbrojnë interesat e qytetarve të vet. Gjatë nënshkrimit të marrveshjes midis Komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke, Polin për ndërtimin e akva parkut në mallin e familjes Rudaj, Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka e paraqiti marrveshjen si një mesazh të mirë për investuesit tjerë, duke shtuar se, ”Ulqini nuk ka kohë të presë. Na nevojiten investimet, vendet e reja të punës, klimë e mirë investuese”, tha kryekomunari ulqinak. Kjo që thotë kryekomunari i Ulqinit mund të jetë e vërtetë, por kjo nuk mund dhe nuk duhet të arrihet në kurriz të pronarve të ligjshëm të tokave dhe kundër vullnetit të tyre. Është për tu çuditur se sipas shtypit vendas, gjatë nënshkrimit të marrveshjes, dëshmitarë të këtij uzurpimi të të drejtave të pronësisë së familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit, ishte pothuaj e gjithë përfaqësia politike shqiptare në Ulqin, përfshirë kryetarët e PDS-së dhe PSD-së në Ulqin, Loro Nrekiq dhe Selim Resulbegoviq, Lidhjes Demokratike dhe Iniciativës Qytetare “Perspektiva”, Mehmet Bardhi dhe Amir Hollaj, si dhe drejtori ekzekutiv i UBA, Ibrahim Milla.
Komuna e Ulqinit me shumicë dërmuese shqiptare është lënë tepër gjatë pas dore ekonomikisht, gjë që gjithnjë po detyron shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone të asaj zone. Gjithkush i dëshiron investimet që do të ndihmonin në përmirsimin e jetës, sidomos të shqiptarëve në atë rajon. Por, të nderuar përfqsues politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të jeni të sigurtë se nuk mund të ringjallet ekonomia dhe as nuk mund të tërhiqni investitorë të huaj duke u premtuar atyre rrëmbimin në mënyrë arbitrare të pronës private dhe përdorimin e pasurisë private që i përket tjetër kujt. “Asnjë fuqi në botë nuk ka të drejtë të rrëmbejë pasurinë tonë, pa miratimin tonë”, ka thënë John Adams, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara dhe një tjetër burrshteti amerikan, John Jay ka deklaruar se, “Prona është me siguri një e drejtë aq e rëndësishme për njerëzimin sa edhe vet liria”. Është thënë edhe se e drejta e pronës private është e drejtë e njeriut. Kur të humbni të drejtën e pronës, kini humbur të gjitha të drejtat e njeriut dhe çdo gjë tjetër. Dhe kjo është pikërisht arsyeja se pse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të mbrojnë të drejtën e pronësisë private të qytetarëve të vet, e jo ta shkelin dhe ta abuzojnë atë.

Filed Under: Analiza Tagged With: KONSIDEROHET SI, NGJARJE E VITIT, VJEDHJA E PRONËS PRIVATE NË ULQIN rank Shkreli

ÇFARË DO ZONJA BUÇPAPAJ KËTU – M’U HAKËRRUA ARBEN IMAMI NË MES TË PARLAMENTIT!

December 17, 2014 by dgreca

…Ata kanë çerek shekulli si uzurpatorë të pushtetit politik, ndërsa vazhdojnë të na çajnë dërrasa dhe na bëjnë moral, krejtësisht të zhveshur nga morali, krejtësisht të dalë boje, krejtësisht të shterur, duke mos u bërë syri tërr sepse u mungon ndërgjegjia./
… prej 1991 deri sot Arben Imami është pjesë e kupolës./
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sa herë vjen dhjetori prej çerek shekulli fillon retorika e atyre që vuajnë nga sindromi i kultit të individit duke e mbajtur veten si përmbysësit e diktaturës. I kanë të gjitha mjetet për ta bërë. Sidomos kur dërdëllisjet e tyre bien në veshin e shurdhër të popullit shqiptar.
Pardesytë e Bardha që shërbyen deri në minutën e fundit si elita e superstrukturës komuniste, si gazetarë, pedagogë, zyrtarë të lartë, mjekë – me një skenar preciz të studiuar më së miri nga diktatori i fundit Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit – i përdorën studentët e dhjetorit dhe protestat mbarëpopullore për të uzuarpuar pushtetin politik.
Ata ishin thirrur atë dhjetor me qëllim nxjerrjen jashtë loje të studentëve dhe e për ta kthyer zemëratën e uraganit popullor në energji të djegur dhe të padëmshme për nomenklaturën.
Sepse nuk ishin problemi studentët. Problemi ishte populli. Studentët bëheshin disa mijra, ndërsa populli ishte qindra mijë. Populli ishte ai që e priti Sekretarin e Shtetit James A. Baker 3d në Sheshin Skënderbe.
Le t’i kujtojmë disa emra duke nisur nga Sali Berisha, mjek, sekretar partie që kujdesej për shëndetin e nomenklaturës më të lartë komuniste. Le të vazhdojmë me Eduard Selamin, pedagog i estetikës marksiste leniniste, Preç Zogaj nga gazetar tek Zëri i Rinisë në selinë e KQPPSH drejtor redaksie në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri; Besnik Mustafai, kishte punuar në zyrat e Nexhmije Hoxhës me Fatos Nanon, ashtu si Arben Imami me Edi Ramën dhe të gjithë së bashku me Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Tritan Shehu, Genc Pollo etj, të gjithë këta nuk kishin vuajtur asnjë grimë nga diktatura, përkundrazi kishin qenë të përkëdhelurit e saj.
Po si është e mundur që të përkëdhelurit e diktaturës, të jenë prej çerek shekulli edhe kupola politike e një sistemi tjetër politik?
A e uzurpuan ata pluralizmin në Shqipëri për të konvertuar sistemin nga diktatorial në gjoja demokratik?
Përse nuk e konvertuan të paktën Shqipërinë në një demokraci normale?
Sepse nëse do ta bënin, do t‘u duhej të largoheshin nga skena politike, por ata nuk nuk e lëshojnë pushtetin politik me asnjë kusht.
Mendoni sa e trishtë, për fëmijët që ishin 10 vjeç në fillim të viteve `90 e sot janë 35 vjeçarë dhe përsëri kanë mbi krye të njëjtët njerëz.
Për çerek shekulli tranzicion universitetet më të mira të botës kanë nxjerrë gjenerata të rinjsh shqiptarë të kualifikuar, me kompetenca në fusha të ndryshme, njerëz të rinj me integritet, për të cilët ka nevojë Shqipëria por të cilët s’kanë vend në Shqipëri.
Sepse kupola e mban të uzurpuar pushtetin politik, ekonomik dhe mediatik.Duke mbajtur peng demokracinë shqiptare dhe shqiptarët!
Ne nuk ishim kundër tyre. Vijojnë të jenë ata kundër nesh.
Ne nuk thoshim përse ata të jenë në PD, sepse ne mendonim se çdo kush ka të drejtë të konvertohet dhe të ndryshojë, bile edhe kriminelët pendohen dhe kërkojnë ndjesë.
Ndërsa ata ishin kategorikisht kundër nesh, dhe kur them kundër nesh, kam parasysh të gjithë elitën e re, përfshi të persekutuarit, klasën e pronarëve dhe të intelektualët e ndershëm pa dallime politike.
Të gjithë emrat që kam përmendur më sipër dështuan sepse e zëvendësuan veten me nomenklaturën e matufëve të byrosë politike, dhe nuk i dhanë rinisë vendin e denjë për të jetuar.
Duke u nisur nga takimi që patën tek Opinion katërshja Zheji, Imami, Zogaj dhe Bushati, po i kujtoj Arben Imamit një ngjarje ndodhur në vitin 1994.
Salla e Parlamentit të Shqipërisë ishte plot e përplot me të ftuar e gazetarë për të përcjellë mocionin e mosbesimit nga Partia Aleanca Demokratike e Arben Imamit, Preç Zogajt dhe Neritan Cekajt kundër Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Skënder Buçpapaj, të cilin e kishin thirrur në interpelancë, sepse Televizioni i Shqipërisë përmes një komenti të tij kishte denoncuar vizitën e delegacionit të kësaj partie në Beograd, në kohën e kulmit të kasaphanave të Milosheviçit në Bosnjë, kur Sarajeva vazhdonte të ishte e rrethuar dhe represioni antishqiptar në Kosovë ishte në kulmin e tij.
Dhe ndërsa në sallën e Parlamentit të Shqipërisë vijonte arroganca e krerëve të Aleancës Demokratike, ngrihet Arben Imami dhe duke treguar me gisht nga lozha ku isha ulur më hakërrehet: „E çfarë do zonja Buçpapaj aty“! Hakërrimi i tij ishte skandaloz i mbushur gjithë mllef dhe urrejtje klasore!
Unë kisha të drejtë të isha në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Së pari, sepse ai parlament ishte i një vendi që pretendonte se ishte demokratik. Së dyti, kisha të drejtë të isha aty si gazetare. Kisha filluar të botoja komentet e para ku kërkoja hapjen e dosjeve dhe largimin e spiunëve që në vitin 1991; prej marsit deri në tetor të 1992 kisha kontribuar në Radion Zëri i Amerikës dhe kur Arben Imami më hakërrehej nga salla e parlamentit të Shqipërisë punoja si redaktore tek Zëri i Rinisë dhe freelancer tek gazeta Republika ku Ylli Rakipi m’i botonte shkrimet e mia në faqen e parë. Asaj dite kisha shkuar në parlament si bashkëshortja e kreut të RTSH. Dhe kjo ishte e drejta ime.
Por Arben Imami and Co nuk pranonte assesi që Drejtor i Përgjithshëm i RTSH të ishte Skënder Buçpapaj dhe që gruaja e tij të mund të punonte si gazetare, profesion që e kisha nisur vetëm pas rrëzimit të diktaturës.
Arben Imami ishte njëri nga pedagogët që shoqëruan studentët në takimin e dhjetorit me Ramiz Alinë.
Ai përfshihet me deus ex machina dhe zgjidhet deputet i PD në zgjedhjet e 1991 dhe 1992.
Më 1992 Arben Imami shkëputet nga PD me grupin e mocionistave dhe bashkë me Cekën, Zogajn e disa të tjerë formojnë Partinë Aleanca Demokratike në opozitë me PD.
Në vitin 1997 merr pjesë aktive në rrëzimin e qeverisë Berisha.
Më 1997 Aleanca Demokratike hyn në aleancë me PS dhe gjatë qeverisjes socialiste Arben Imami ndërron tre portofole ministrash.
Në zgjedhjet e 2005 kalon në krahun e Berishës dhe pa marrë parasysh se ishte një nga kundërshtarët e tij më të egër të vitit 1996-1997 ai emërohet prej Berishës si shef i kabinetit kryeministror, ndërsa në mandatin e dytë të Berishës ka portofolin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe aktualisht është deputet i PD-së!
Pra prej 1991 deri sot Arben Imami është pjesë e kupolës.
Cilat kanë qenë meritat e tij? Për çfarë mund të krenohet?
Ai dhe të tjerët e kupolës?
Se janë trashëgimtarët e rrugës që i drejtoi Ramiz Alia.
Ata kanë çerek shekulli si uzurpatorë të pushtetit politik, ndërsa vazhdojnë të na çajnë dërrasa dhe na bëjnë moral, krejtësisht të zhveshur nga morali, krejtësisht të dalë boje, krejtësisht të shterur, duke mos u bërë syri tërr sepse u mungon ndërgjegjia.

Filed Under: Analiza Tagged With: ELIDA BUCPAPAJ., Hakerrimi-Parlament-Arben Imami

European or Ottoman Shrine Towards the past Ottoman Balkan or towards the forthcoming Europe?

December 16, 2014 by dgreca

BY SAIMIR LOLJA/
An European architecture causes European feelings and the actual design of the Grand Moslem Shrine in Tirana, in proximity to the Albanian Parliament, does not follow the European direction. To be part of European civilization does not stand for an entrance into European Union by passport check only, in particular for politicians only who have already years that have “entered” the European Union. Those who have been voted to be representatives and governors of Albanians exert their civil responsibilities to serve the Albanian advancement and unification through their decisions, including for spiritual shrines.
The expected design of the Grand Moslem Shrine in Tirana, a gift from the past government, would convert Tirana into a petite Istanbul because it the scenery in Istanbul or in Arabic towns and in Tirana will be the same. Which means that enthusiastically Turkey will invest such a structure of the shrine.
Solution for the architecture of the Grand Moslem Shrine in Tirana is a design similar to the Moslem Shrine inaugurated in Rijeka of Croatia in 2013.
Every time Albanians and non-Albanians see a Moslem Shrine in Tirana designed according to European architecture, Albanians will percept themselves and non-Albanians will percept Albanians as part of the Southeast Europe, part of Europe, not part of the Ottoman Balkan, not an Anatolian extension, not bearers of Arabic way of living and thinking that do not merit European civilization and care. Whenever a grand mosque in the capital Tirana is seen of heard of as designed with Anatolian or Arabic style, Albania will be perceived as Albanistan, beyond the fence of the European Union and civilization, as a country that does not bear European rights and obligations, and as a population that avoids the European enlightenment.
The tradition of Moslem faith in Albania has its own features and has the national purpose above all. These typical and national messages require expression and inclusion in the designed architecture of the prospective Grand Moslem Shrine in Tirana.
The religious shrines are spiritual centers where an individual can voluntarily find peace, respect, harmony and relief. The expected design of the Grand Moslem Shrine in Tirana does not reflect the European Albanian model for the future. The Albanian progress and unification cannot be achieved by Greece sponsoring the construction of the Orthodox Cathedral and by Ottoman Turkey sponsoring the Grand Mosque in Tirana.
What Ottomans did achieve by the force of arms, it appears that they are retrying to get by the means of emotional ideas. This highlights the saying by Victor Hugo (1802-1885): “One [population] can resist the invasion of an army but one [population] cannot resist the invasion of ideas”.(Photo:Rieke-Kroaci,2013

Filed Under: Analiza Tagged With: European, forthcoming Europe?, or Ottoman Shrine Towards the past Ottoman Balkan or towards the, Saimir Lolja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 855
  • 856
  • 857
  • 858
  • 859
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT