Nga Sulejman GJANA*/
Vizita e tretë dhe sërish madhështore e Putinit në Serbi, në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe dhe tanket ruse, ishte sfida e hapur dhe fyese e Serbisë për Brukselin, ishte përgjigjia brutale për përqafimet dhe përkëdheljet e baroneshës Ashton për rioshët Daçiç e Vuçiç. Por mbi të gjitha ishte përgjigjia poshtëruese për aksionin diplomatik integrues të Serbisë në Europë, ndërmarrë prej shteteve anëtare të BE, në shumicë edhe anëtare të NATO-s. Shtete këto të angazhuara pothuajse totalisht (ndonëse shpesh pa dëshirë dhe me ngurrime prej interesash) në kushtëzimin e Rusisë me sanksione pas aneksimit prej saj të Krimesë, pas aksionit separatist në Ukrainën lindore dhe pas kërcënimeve ushtarake të saj për zgjerimin e konfliktit ukrainas.
Dhe përgjigjen më të mirë “shpërblyese” për dashurinë pa kundërshpërblim të europianëve ndaj serbëve, e dha presidenti Nikoliç kur i deklaroi Putinit në Pallatin e Bardhë: “Shumë gjëra ne serbët i kemi bërë në të kaluarën bashkë me ju, dhe do t’i bëjmë edhe në të ardhmen. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj kur ka qenë fjala për Kosovën, ndaj dhe Serbia e serbët do t’i mësojnë fëmijët e tyre ta duan fort Rusinë”.
Pasi theksoi se serbët presin ndihmën e Rusisë në bujqësi dhe energjetikë, por sidomos në industrinë petrokimike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në kushtet e sanksioneve, Nikoliç i deklaroi Putinit me emocion: “Rusia është një mbështetje e fuqishme për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, sidomos në lidhje me Kosovën dhe Metohinë”.
Ndërsa Putin u deklaroi miqve serbë se “Qëndrimi proserb i Rusisë është një pozicion parimor që nuk do të ndryshojë kurrë”, dhe se “Rusia është e angazhuar për problemin e Kosovës, përmes rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Si qokë për vizitën dhe pritjen madhështore, Putini kishte sjellë në Beograd një paketë financiare ndihmash prej 1.2 miliardë dollarësh dhe garancinë se “ndihmat humanitare ruse për vëllezërit e vuajtur e të kërcënuar serbë në Kosovë do të vazhdonin edhe në të ardhmen”.
Gjatë kësaj vizite, Serbia dhe Rusia nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe tejet të rëndësishme, sikundër: Marrëveshja me Hekurudhat e Rusisë për rindërtimin e pjesëve veriore të hekurudhës në Serbi; Memorandumi për efikasitetin energjetik dhe furnizimin rus të Serbisë me energji elektrike; Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar; dhe më në fund “qershia mbi tortë”, Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak-teknik.
Dhe për të dëshmuar dashurinë personale e të serbëve për Rusinë, presidenti Nikoliç u rikujtoi me mburrje të pranishmëve të përzgjedhur për ceremoninë e pritjes, se në përgjigje të vizitës përkujtimore të 70 vjetorit të çlirimit rus të Beogradit, më 9 maj 2015, me ftesë të Putinit, ai do të merrte pjesë me gëzim të veçantë në ceremonitë moskovite për kremtimin e 70-vjetorit të fitores mbi fashizmin.
Vizita e fundit e Putinit në Beograd bëri bilancin e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera, por njëkohësisht ishte edhe kurorëzimi në fillimshekullin XXI i aksionit të pandalshëm e shekullor rus për ruajtjen e ndikimit mbi Serbinë dhe në zhvillimet ballkanike, sidomos në kushtet e ekspansionit rus drejt Lindjes dhe Juglindjes së Europës, si kundërpërgjigje ndaj ekspansionit të NATO dhe BE drejt Ballkanit Jugperëndimor dhe Lindjes së Europës.
Ishte pikërisht Putin ai që ripromovoi dhe intensifikoi aksionin total rus drejt Ballkanit dhe Serbisë, pas zbythjes prej një dekade që shoqëroi pushtetin e Jelcinit, të cilin “delfini” Putin e rrëzoi për paaftësi dhe rrezikim të objektivave politiko-ushtarakë ndërkombëtarë të Rusisë në kushtet e triumfit të Perëndimit mbi komunizmin dhe zhvillimeve gjepolitike pas Luftës së Ftohtë.
Parë në këtë mënyrë, Putini shkoi në Beograd për të korrur të mbjellat e dekadës së fundit, të cilat i futi në hambarin rus me ndihmën e çirakëve serbë, me presidentin Nikoliç në krye, të cilin e solli në fuqi në vitin 2012 pasi e mbajti dhe përgatiti gjatë në Moskë dhe e zbarkoi në Serbi me stafe dhe premtime të shumta ndihme ekonomike, si dhe me fushata të financuara e të përgatitura nga të dërguarit e Kremlinit në Beograd.
***
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ambasada ruse në Beograd u shndërrua në Mekë dhe Medinë të pelegrinëve ultranacionalistë serbë, të cilët përzgjidheshin dhe merrnin bekimin e Moskës për karrierë partiake e politike.
Natyrisht që ambasadorët e njëpasnjëshëm rusë nuk e humbnin asnjëherë rastin për t’u kujtuar serbëve se kishin mbështetjen e Rusisë, e cila, sipas tyre, do të përdorte veton dhe të gjitha mekanizmat bllokues në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të sabotuar pavarësimin, njohjen, anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës. Betim të cilin Rusia e mbajti, teksa me mburrje theksonte pafundësisht se ishte ajo që, “në mbështetje të popullit dhe kombit vëlla serb, sabotoi sistematikisht të gjitha objektivat perëndimore për Kosovën, sidomos gjatë periudhës 2005-2008”.
Pohimi i ish ministrit të Jashtëm të Federatës Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, në vitin 2004, se “Elita jonë intelektuale dhe politike e ka të qartë se proceset integruese të Federatës në bashkësinë perëndimore (nënkupto NATO dhe BE), kanë rëndësi jetike për ardhmërinë tonë, ndaj ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat në këtë drejtim…”, alarmoi Rusinë dhe shënoi fillimin e fundosjes dhe përfundimit të karrierës së Drashkoviçit, krahas pakësimit gradual të peshës politike dhe rezultateve të mëtejme zgjedhore të partisë që Drashkoviç kryesonte.
Ky fund fatkeq ishte edhe pasojë e kundër-reagimit adekuat të politikës dhe elektoratit serb për çdo aktor dhe faktor politik properëndimor në Serbi, objektiv ky i arritur padyshim edhe me ndihmën dhe kontributin e Rusisë, që ka dorë në të gjitha zhvillimet politike në Serbi.
***
Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës është vektori konstant politik dhe gjeostrategjik i Rusisë, që e konsideron këtë zgjerim si kërcënim ushtarak në kufijtë e saj.
Kur në prill të vitit 2008, në samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, SHBA-të propozuan ftesën e Aleancës për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë, Rusia u nervozua dhe menjëherë planifikoi strategjinë për sabotimin me çdo kusht të zgjerimit të NATO-s me vendet tjera të Ballkanit ende të paanëtarësuara.
Natyrisht që në krye të listës së vendeve ballkanike që nuk duheshin anëtarësuar, Rusia vendosi aleaten strategjike, Serbinë, të cilën e përzgjodhi edhe si shtetin ballkanik që do të balanconte ushtarakisht armiqtë historikë, Shqipërinë dhe Kroacinë properëndimore.
Por nervozizmi rus kaloi parashikimet dhe u shndërrua në kërcënim, pas propozimit amerikan në këtë samit, që NATO të fillonte menjëherë procedurat për anëtarësimin në Aleancë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Me këtë rast presidenti Putin deklaroi: “Zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë do ta konsiderojmë kërcënim për sigurinë e saj dhe do të ndërmarrim kundërmasat adekuate. Dhe e mbajti fjalën, teksa Gjeorgjinë e ndëshkoi duke e sulmuar ushtarakisht dhe duke e neutralizuar totalisht po atë vit, pra në vitin 2008, ndërsa Ukrainën e tmerroi dhe e ndëshkoi pas 6 vitesh, me pasojat e njohura të një konflikti që ende nuk dihet se kur do të përfundojë… Teksa më parë aneksoi Krimenë me peshë stërmadhe gjeostrategjike, ndërsa aktualisht ka marrë peng rajonet lindore të Ukrainës (gjithashtu me peshë të madhe gjeostrategjike dhe ekonomike) me ndihmën e separatistëve rusë të armatosur dhe drejtuar me telekomandë nga Rusia.
Strategjia e vendeve kryesore të NATO-s për të anëtarësuar njëkohësisht edhe në BE të gjitha vendet ish komuniste, sikundër Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungarija, Çekia e Sllovakia, është dëshmi e qartë e faktit të pohuar, në vitin 2008, nga ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hop Shefer, sipas të cilit “NATO dhe BE ecin sëbashku, dorë për dore”. Por pikërisht kjo strategji ka alaramuar Rusinë, që i konsideron të rrezikshme përpjekjet e NATO-s dhe BE për të integruar në këtë proces edhe Serbinë.
***
Në vitin 2010, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dumës ruse, Kostantin Koshaçev, deklaroi: “Anëtarësimi i Serbisë në NATO nuk do të ishte tjetër veçse legjitimim i agresionit kriminal të vitit 1999 të NATO-s mbi Serbinë, por njëkohësisht do të ishte edhe riposhtërim i kombit dhe popullit serb, të cilit me këtë rast iu shkëput me dhunë Kosova, që është djepi ku lindi dhe u mëkua kombi serb. Këtë agresion, asokohe Rusia-aleate strategjike e Serbisë e kundërshtoi me forcë dhe e konsideroi si poshtërim i patolerueshëm”.
Para dy vitesh, pyetjes së mediave serbe se çfarë do të humbiste Serbia nëse do të anëtarësohej në NATO, ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, iu përgjigj, qartë dhe në mënyrë lakonike: “Duke patur parasysh se Kosova është pjesa thelbësore e sovranitetit kombëtar serb dhe djep i kombit serb, si dhe duke qenë se Serbia është një vend vëlla i Rusisë, jam i detyruar t’ju ndërmend se me anëtarësimin në NATO Serbia do ta humbte përfundimisht Kosovën, duke e vetëpranuar këtë akt dhe realitet”.
Ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, e thelloi konceptin e kolegut të tij të atashuar në Bruksel, teksa deklaroi: “Ne rusët, të dashur vëllezër serbë, do ta respektojmë vendimin tuaj për të hyrë në NATO, por duhet ta dini se, duke u bërë pjesë e NATO-s, ju do të bëheni gjithashtu pjesë e një kërcënimi për sigurinë e Rusisë, çka do ju shndërronte automatikisht, nga një vend mik, në një vend armik”.
Kushtëzimin e njëanshëm politik të marrëdhënieve ruso-serbe, me moton “ose me Moskën, ose me Perëndimin”, Rusia po përpiqet ta shtrijë edhe në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, teksa nëpërmjet ambasadorit rus në Beograd, Konuzin, deklaroi para dy vitesh se “në qeverinë serbe ka ministra që janë pozicionuar hapur kundër firmave dhe kompanive ruse, dhe se firmat dhe kapitalet ruse trajtohen keq në Serbi, çka ne e konsiderojmë fyerje dhe kundërvënie…”.
Fakti që nga 28 vende anëtare të NATO-s, 24 vendet kryesore të saj e kanë njohur Kosovën, është përdorur dhe po përdoret vazhdimisht nga Rusia për të trembur dhe armiqësuar serbët me NATO-n.
Duke u kujtuar serbëve me ironi pikën 6 të kapitullit të titulluar “Qëllimet dhe parimet e zgjerimit”, të Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën përcaktohet qartë dhe prerë se në NATO pranohen vetëm shtetet që i kanë zgjidhur përfundimisht, apo që ndodhen në vijim të proceseve të suksesshme të zgjidhjes paqësore të problemeve territoriale me fqinjët dhe të njohjes reciproke, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i kujtoi publikisht Beogradit në vitin 2011, se përpiqet më kot të anëtarësohet në NATO, nëse nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nëse nuk heq dorë nga humbja e sovranitetit mbi të.
Pavarësisht klishesë “miqësore” të Putinit se “Çfarë është e mirë dhe e leverdisshme për Serbinë, është e mirë dhe e pranueshme edhe për Rusinë”, deri më tash Moska ka dëshmuar se Rusia e kundërshton haptazi dhe me force hyrjen e Serbisë në NATO, pasi kjo hyrje do të thoshte humbje e një placdarme ushtarake me rëndësi jetike e në mes të Europës. Por Rusia tmerrohet gjithashtu edhe nga ndikimi veriatlantik dhe europian në vendimet e elitës politike serbe lidhur me integrimin e saj në NATO dhe BE.
Moska ndjek me vëmendje dhe kënaqësi përdorimin e “kartës ruse” nga partitë serbe në pushtet, sa kohë që ndjeshmëria dhe dashuria për Rusinë është e lartë në mbarë elektoratin serb.
Moska gjithashtu nuk e fsheh dot kënaqësinë kur, gjatë fushatave zgjedhore, gjatë debatit politik në parlament dhe në vendimmarrjet e detyrueshme lidhur me proceset integruese të Serbisë, vërehet qartë prirja e Beogradit për të qëndruar në dy karrige, duke u përpjekur ta mbajë mirë edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin.
Madje gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi në vitin 2012, kandidati radikal Nikoliç ofroi si premtimin më të fortë zgjedhor mundësinë e ndërtimit të bazave ushtarake ruse në Serbi dhe instalimin atje të testatave ruse me mbushje bërthamore, që do ta shndërronin Serbinë në fuqi kuazibërthamore në mes të Europës.
***
Aktualisht, në Perëndim dhe kudo ekziston një paqartësi e dukshme në lidhje me të ashtuquajturën “asnjëanësi ushtarake” të vetëshpallur të Serbisë, e shprehur si gjoja detyrim shtetëror, bazuar thjesht në një fjali të shkruar në tekstin e një rezolute parlamentare, para disa vitesh. Dhe kjo paqartësi rritet akoma më shumë kur vërehet mungesë vullneti politik tek mbarë klasa politike dhe shoqëria serbe, për të hapur një debat publik të njimendtë, debat ky që do të qartësonte se çfarë nënkuptohet me“asnjanësi” dhe cilat janë garancitë përkatëse!?
Askush më shumë se Rusia nuk ka interes për këtë paqartësi lidhur me “asnjëanësinë” serbe, sa kohë që shfrytëzohet maksimalisht urrejtja serbe për NATO-n dhe fushatën e saj të bombardimeve, që paraprinë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe shkëputjen e saj nga Serbia në vitin 1999.
Për ultranacionalistët dhe shumicën e serbëve, “anëtarësimi i Serbisë në NATO do të thotë jo vetëm dorëzim vullnetar i një pjese të identitetit dhe sovranitetit kombëtar, por edhe riposhtërim pas poshtërimit që NATO u bëri serbëve në vitin 1999 dhe vënie e ushtrisë nën komandën e një strukture ushtarake armiqësore”.
Mendimi që mbizotëron në qarqet intelektuale, në klasën politike, në shoqërinë civile dhe qendrat studimore strategjike serbe, është ai sipas të cilit Perëndimi duhet t’i japë dhe garantojë Serbisë një status special, si parakusht për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Thënë ndryshe ata kërkojnë gjetjen e një lloj formule të “Anëtarësimit të kushtëzuar të Serbisë”, gjithmonë me kushtin e qartë që Serbia kurrë të mos detyrohet të marrë pjesë në veprime ushtarake të NATO-s kundër Rusisë, që kurrë të mos angazhohet në sanksione ekonomike kundër saj, kundër interesave të saj, apo të përfshihet në veprime të ngjashme në zonat e saj të influencës. Kushtëzim absurd ky që, kurrsesi, nuk mund të pranohet nga Perëndimi, e që mund të shërbejë në çdo kohë si pretekst… dhe për lojë me dy porta të Beogradit, midis Moskës dhe Brukselit.
Por deri kur të merret vendimi përfundimtar, si objektiv afatshkurtër dhe afatmesëm, Beogradi do të vazhdojë të bëjë rolin koketës që flirton me Perëndimin dhe fle me Lindjen. Dhe si kurtizane e vjetër 2 shekullore, do të zhvasë sa të mundet nga mëtonjësit, sidomos nga vendet e pasura perëndimore. Shembulli i kohës së Titos është tejet i freskët, teksa diktatori komunist u vetëshpall aleat i Perëndimit në Lindje, por që kurrë nuk e pranoi pluralizmin politik dhe demokracinë. Asokohe Beogradi kishte garant Çurçillin, sot ka garant Baroneshën Ashton.
Në fundore, kuptohet se Serbia ka dijtë gjithnjë të përdorë politikën dhe diplomacinë në shërbim të interesave të shtetit dhe kombit serb. Ndërsa për fat të keq, Shqipëria zyrtare vazhdon që prej 70 vitesh të përdorë këta instrumenta të rendësishëm, në shërbim të interesave të pushtetit dhe individëve çka cënon rëndë interesin e popullit dhe kombit shqiptar…
*Kryetar i PLL
DEZINFEKTIM I UDBASHËVE….
Triptik- PJELLORIA MAHNITËSE/
(Një lehtësi lapidare sundimi)/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin-Prishtinë/
1. Analogjia trishtuese
Teksa një ditë zbrisja shkallët e banesës sime në Prishtinë (Kodra e diellit), do t’më binte në sy një lajmërim a ofertë e shkruar si parullë në xhamin e korridorit që, fillimisht, mu duk se thoshte: “Bëjmë dezinfektimin e udbashëve”!
Për një çast ndala hapin i habitur dhe, njëkohësisht, i mrekulluar. O Zot, thashë me vete, kur qenkësh gjetur një bar i tillë?Ja zbulimi që do ta njerëzojë njeriun, sidomos njeriun e popujve të shtypur apo të posadalë nga nata e gjate e robërisë!
Ndërkaq, me tu afruar, do të vëreja i zhgënjyer se ajo nuk paskësh qenë veçse ftesë për “dezinfektimin e bubashvabave”. Por zhvendosja e gërmave nga avujt, rënja e ngjyrës dhe irnosja, e kishin deformuar atë në pamjen e arritjes madhore që do të emërtonte epokën tonë.
Megjithëse ngjan ende a, mbase, përjetë e pamundshme shpikja gjeniale, nuk do më shqitej një kohë përshtypja e një analogjie spontane mes insektëve të neveritshëm dhe spiunëve të pabotë. Dhe, natyrisht, në përballjen e ashpër të tyre për fronin e së keqes, do të fitonin këta të fundmit, urrejtësit e gëzuar të krijesës së vet!
2. Rrethi imbyllur
“Kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, shkruante rebelshëm Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës.
Dhe tani, qindravjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka jeta dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij.Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej.
Ndaj, rrjedhimisht, vetë jetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni.
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje?Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht!
3. Lehtësia e padurueshme e sundimit
“ Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat e ushtarak fiorentinas në “Princin” e famshëm (1513), këtë libër të librave mbi moralin e politikën.
Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtërisht se s’mund ti ofronte madhërisë princërore diç më tëmirë, se sa mundësinë për të përfituar në pakditë atë që ky kishte mësuar tërë jetën.
Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë, nënvizonte më poshtë se është i suksessshëm, prandaj, vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës.Rrjedhimisht, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, do të ndëshkohej rëndë prej saj…
Këto janë ligjet e historisë.Të kryehershme dhe eterne.Por a nuk njohin dhe atovetë të drejtën e përjashtimit? Natyrisht! Kosova është prova e shquar e këtij urdhëri, këtij mallkimi të përjetshëm të dialektikës.Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse koha e saj ka një pjellorimahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!
Behnin këndej rend tufanesh të përgjakura Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në motet e saj atë frymën ideale të Nikolos, përprishur e shprishur çdo gjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e shkonin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që fatkeqësonte jetën e brezave të flijuar.
A nuk është kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një kurajo e bujari të askund parë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatittë vet ta bëj të shtruar e truar për guvernantët fillhumbur, tashmë, të stolisur me petkun joshës të mashtrimit kombëtar!
Makiaveli pohonte se kohët, duke ndryshuar, ndëshkojnë princat që vuajnë mungesën e intuitës dhe marrëzinë e ndërkryer. Mirëpo, mjerisht, kohët e Kosovës shqiptare, megjithëse ndryshojnë shpesh, ruajnë me besë esencën, tharmin konstant ndër shekuj: pllenimin frytbartës përdemonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh të tyre, alternohen paprerë në role e misione të zinj, si vetë nata e saj!
“ISH-POLITIKANI“ ME ÇELËSAT E KASHTËS
Nga Fadil LUSHI/
Para disa vitesh një miku im që hiqet si “puro shehërli ” dhe paksa si “amerikano-shqiptar” (përndryshe biznesmen), në vigjilje të organizimit të manifestimit të Akademisë solemne kushtuar “Kongresit të Manastirit”, erdhi në zyrën time për të më vizituar. Me vete kishte një strajcë me disa sende të pëlqyeshme që i duheshin dhe që i shkonin manifestimit në fjalë. Këto materiale (në mungesë të mjeteve tona) ishin “më shumë se të mjaftueshme” dhe të mirëseardhura për Shoqatën e pedagogëve shqiptarë të Tetovës. Pos të tjerash më “dhuroi” edhe ca monedha “bojëjeshile” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një doracak ku ishin përfshirë imazhe të disa shqiptarëve mendjefemër që kishin vepruar në “tokën e premtuar”, një pikturë (kopje) e Abraham Linkollnit, një abetare me kapakë të zhubrosur, një stilolaps si atë të Mit’hatit, një hartë të Shqipërisë “etnike” dhe një fotografi të mbretit Ahmet Zogolli. Pasi m’i dorëzoi, më tha: “…, ki parasysh dhe ki në dijeni se ne të mërgatës Kongresin e organizojmë më mirë se ju !?”. Nuk e nguca. Jashtë asaj strajce kishte edhe një “fener dore”. Kjo ndihmë e tij sa më emocionoi, po aq edhe “ma trazoi gjakun dhe mendjen”, për arsye se paraprakisht kur një “kryebashkiaku katundi” iu drejtuam për ndihmë, ai në vend që të na jepte ndonjë lek, na tha troç: “Sa manifestime mëhallësh organizohen këtejpari, ju nuk jeni në prioritet…, unë nuk i kam ato mjete…”, kurse ne më vonë kuptuam dhe dëgjuam me veshët tonë se “lekët” i kishte destinuar për restaurimin e një kishe fshati. Se pse ky mik ma solli “fenerin” nuk e kuptova, por as që i parashtrova pyetje, duke menduar se ndoshta gjithë këtë e kishte me dhe për shaka…, prandaj dhe pyetja më mbeti majë gjuhës. Po edhe sikur ta pyesja, mendova, do ta trash batutën e radhës. Se ishte ”fener”, ishte, këtë e konceptova me “tamam”, por ama “fener” minierash nuk ishte, nuk ishte as “feneri i arabaxhiut” të atij mendjendriturit vlonjat, nuk ishte as “fener” makine, biçiklete, motoçiklete, “fener” gjuetari, as i atij hekurudhori, as “fener” i hajdutit e aq më pak i Diogjenit!? Ai ishte thjesht një “fener me karbit”.
Në ikje e sipër, miku im më tha: “Këto materiale do t’i përdorësh për alfabetin e Manastirit, ndërkaq fenerin do ta mbash për ditët kur nuk do të të shohin sytë…, kur do të të lërë takati i prapanicës si dhe kur do të të tradhtojë arsyeja jote, të cilën e shfrytëzon vend e pavend, sa për ta ushqyer atë “nacional-shovinizmin tënd të shfrenuar” dhe të të tjerëve si ti!?” Dhe shih ky “qerrata”, duke e përfunduar muhabetin, pos të tjerash i “dërdëlliti!?” edhe këto llafe: ”Nëse nuk arrin ta nxjerrësh mllefin me gojë e me shkrime, atëherë me këtë fener dore me karbit, do t’ua prishësh rehatinë gjumashëve!?”… Ia ktheva – ta bëj këtë budallaki në këtë moshë, nuk më shkon. Në të ikur ia përcolla një falënderim, mandej ia “futa a ia hoqa” një “sharje të ulët anadollake” dhe një “gjysmëshqiptare” (kjo sharje nuk ishte “seksuale”, përkundrazi ishte një “fyerje animale”, pavarësisht se ky gjest i ulët imi ishte paksa jashtë standardeve të moralit personal, po edhe atij kolektiv… (Që të dy “selamet” amerikano-shqiptari i kuptoi fare mirë dhe për këtë nuk u sikletos dhe nuk u hidhërua). Sharja “anadollake i dedikohej fenerit”, ndërkaq mirënjohja i shkonte kontributit të tij material si dhe mbështetjes morale. Mbaj mend, nuk u duk atypari në manifestimin në fjalë, jo se nuk e ftuam, por pse kishte pasur ca obligime të tjera më të rëndësishme. Pasi “ngela” vet ne zyrën time, ashtu ndër dhëmbë, i parashtrova pyetje “fiqirit tim”se pse pikërisht mua ma solli këtë “fener dore me karbit” (po ç’më duhet karbiti në këtë moshë, sidomos tash, pas gjashtë dekadash!?…, ndonëse intimisht ma ka “ëndja” që atë kanoçen e madhe të birrës së Korçës ta mbush me karbit, mandej t’ia “fus fitilin” dhe ta hedh në atë “oborrin e inatit dhe harresës sonë kolektive”, si dhe pranë derës së asaj mejhanes së bllokut tonë, ku qarkullojnë gjithfarë thashethemesh nga ana e atyre që bëhen “tapë” dhe që ia kthejnë shpinën shtëpisë së tyre. (Meqenëse më “mungonte informacioni i plotë” rreth karbitit, e pyeta një kolegun tim kimist se ç’kuptim kishte ky nocion, kurse ai ma ktheu: “Është një substancë kimike që ndryshe quhet karbur kalciumi (CaC2) dhe kur vjen në kontakt me ujin prodhon acetilen dhe nëse këtij të fundit ia fut zjarrin “bën potere të padurueshme”, andaj ki kujdes me karbitin!”. Pikërisht, ky shpjegim profesional i mikut tim, më ktheu në vaktin kur iu nënshtrova (ri)provimit nga lënda e kimisë. Meqë nuk dija ta lakoja këtë formulë, përsërita vitin. Lëre që ma ngjitën nofkën “ngelaq”, por edhe më përjashtuan a më shporrën nga gjimnazi i atëhershëm prestigjioz i Tetovës).
Lexuesit e nderuar (që humbasin kohën e tyre të çmuar duke lexuar shkrimet e mia) besoj se do të pajtohen nëse pjesën e dytë të këtij vështrimi do ta nisi dhe do ta përfundoj me “fenerin me karbit”, të cilin miku im “amerikano-shqiptar”, realisht duhej t’ia “dhuronte” një ikanaku politik të mëhallës së tij…, e “jo mua dhe bashkëpunëtorëve të mi”. Do t’ia kushtoj një ish-funksionari politik që dikur braktisi partinë politike dhe kryeparin e saj, një kryepar i cili e solli në “shehër” me opinga. Unë në këtë shkrim nuk do t’ia përmend emrin e as “partinë politike”, nuk do t’ia përmend as nofkën, për faktin se njerëzit të mos mendojnë se jam këmbë e krye “tarafxhi”…, nuk do të llafos as të shkuarën e tij të trazuar politike, e as qëllimet e tij, por thjesht do “të prek” vetëm një pjesë të historisë së vijimësisë së tij, në kërkim të një strehe të re politike. Një gjë e di, ai ndërroi të gjitha partitë politike shqiptare (ekzistuese) këtejpari në Maqedoni…, dhe ku shkonte a ku strehohej, lëre që bënte a hiqej si “i gjithëditur dhe i gjithëfuqishëm”, por edhe nxiste urrejtjen dhe përçarjen brenda në partinë politike “sezonale”…, dhe kur e zbulonin se kërkonte vendin e kryeparit si dhe çelësat e partisë, aq herë ia ngjitnin bishtin e lugatit, i jepnin një “fener dore” dhe “çelësat e kashtës” dhe, në fund, ashtu pamëshirshëm e dëbonin nga radhët e veta.
Dhe shih, për çudi, disa ditë më parë u duk në një medium nacional me ca kritika të zbehta drejtuar ca partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre. Nuk “harroi” të kritikojë edhe ca mediume për arsye se në kohë të fundit kinse nuk ia kishin rikujtuar bëmat e tij. Nëse ky ish-ikanak, mëton ta “ringjallë të kaluarën e tij politike”, po edhe nëse me të vërtetë parapëlqen të jetë në “shënjestër” të vëmendjes së opinionit publik, atëherë fillimisht do të duhet të “marrë avdes” dhe mandej detyrimisht duhet të ndërtojë “një sjellje krejtësisht të ndryshme”, një qasje të re bashkëpunuese dhe një komunikim të mirëfilltë, sidomos me ato mediume (qofshin ato pamore, dëgjimore a të shkruara), për të cilat mendon se “…, nuk ia fusin me tamam”. Nëse paraqitjet e tij edhe në të ardhmen do të kenë atë ngjyrën nostalgjike, atëherë përgjithmonë do të përjashtohet nga vëzhgimi dhe vëmendja mediatike. Në instancë të fundit, mediumet nuk janë e as që mund të jenë zona të ndaluara…, aq më tepër kur dihet se ato veprojnë sipas rregullave, standardeve, kritereve dhe kodit të gazetarisë…, dhe kjo s’ka si bëhet ndryshe. Ky, me “fenerin në dorë”, vazhdon t’u “vardiset” partive politike. Duke e përfunduar këtë shkrim, miku im i “formulave”, përsëri më sugjeroi: “Ki kujdes me fenerin me karbit!?”
Flluskat e sapunit
Arrestimi i zotit Hajredin Fratari/
Nga Reshat Kripa/
A i keni parë flluakat e sapunit? Ato i fryjnë fëmijtë dhe pasi lodrojnë disa minuta në ajër pëlcasin dhe nuk lenë asnjë gjurmë. Kështu ndodhi me një minisri të kryeministrit Edi Rama që arrestoi biznesmenin e njohjur Hajredin Fratari, pa patur asnjë provë fajësie për të. Ky nuk është rasti i parë i kësaj qeverie prepotente që ka në bazë të veprimtarisë së saj veprimet arbitrare. Por, si përfundoi kjo çështje? Pa mbushur 24 ore prokuroria e liroi atë si të pa bazuar në ligj. Çfarë mbetet për Ministrinë e Brendëshme dhe ministrin e saj zotin Tahiri për këtë arrestim të paligjshëm? Normalisht, në një vend demokratik ai duhej të jepte dorëheqjen, ashtu siç veprohet në vendet demokratike por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk njihet në vendin tonë. Ministri “i nderuar” vazhdon të qeverisë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Përse duhej arrestuar Hajredi Fratari? Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendëshme që kreu arrestimin, për mos pezullimin e punimeve deri sa t’i rinovohej leja e ndërtimit. Në rregull deri këtu. Por a paraqiste ndonjë rrezikshmëri shoqërore që duhej arrestuar? Unë nuk e kuptoj se ku qëndron kjo rrezikshmëri. A nuk do të ishte më e arsyeshme që procesi i tij të vazhdohej në gjendje të lirë pa krijuar këtë precedent që nuk është parë në asnjë rast tjetër? Por hakmarrja e verbër e një anarshisti që është në krye të pushtetit, nuk e harron se dikur ky biznesmen e ka akuzuar atë apo përfaqësuesit e tij për një ryfshet prej një milion dollarësh. A thua është kjo arsyeja e vërtetë e këtij arrestimi?
Kush është Hajredin Fratari. Një nga martiret që, kur në vendin tonë sundonte diktatura më e egër e sundimit komunist, guxoi të ngrihej kundër saj, ta kundërshtonte atë dhe të paguante pasojat e këtij kundërshtimi. Shumë vite burg do të pësonte. Do t’i kalonte ato nëpër kampet e ferrit të Spaçit, Qafës së Barit e të tjera deri sa, më në fund, do të shikonte dritën e lirisë. Mendonte se me përmbysjen e madhe erdhi dita që të gëzonte prodhimet e saj. Nuk u aktivizua në problemet politike. Mendoi se e ardhmja e tij ishte në biznesnin privat. Kështu filloi biznesin e ndërtimit, gjithmonë me ndershmëri e përkushtim. Gjatë të gjithë kohës, me aq sa i krijoheshin mundësitë, ndihmonte në ringjalljen e historisë së nacionalizmit shqiptar. Një shembull i qartë, në këtë drejtim, është financimi i projektit për lëvizjen nacionaliste në Mallakastër ku pasqyrohej përpjekja e kësaj treve për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe të pavarur, ku pasqyroheshin martirët e kësaj treve demokratike.
Një gjë e tillë do të binte në sy të qarqeve më të errëta të kombit tonë. Ato, si paraardhësit e tyre, menduan se me arrestimin e tij do të shuanin frymën nacionaliste të kombit shqiptar. Por gabuan. Vëreni qëndrimin e këtij kombi kundrejt ngjarjes së fundit mbi ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri në Beograd. Të gjithë, si një zë i vetëm u ngritën në këmbë për një Shqipëri etnike ashtu siç u thërriste flamuri i ngritur në mes të Beogradit.
Por qeveria që drejtonte shtetin dhe, në mënyrë të veçantë, kreu i saj, ishin të një mendje tjetër. Ata donin përulje me armikun e tyre të përjetshëm, pasi koka e tyre ishte kryeqendra e shtetit sllav. Dhe kryetari i shtetit shqiptar nuk kishte se si të mos i përgjigjej padronit të tij. Arrestimi i fundit e vërtetoi më së miri një gjë të tillë. Ai donte zhdukte çdo shenjë të nacionalizmit në Shqipëri.
Në këto çaste më vijnë ndër mend vargjet e një poeti të madh: “Por nuk u shuejt ende jo shqyptaria!” Shqyptaria do të rrojë ndër shekuj. Atë nuk mund ta pengojnë krimbat që i dalin rrugës. Por një aksiomë të tillë nuk arrijnë ta kuptojnë drejtuesit e shtetit shqiptar. Ata, ose trashëgimtarët e tyre, që pa iu dridhur dora, nënshkruanin ekzekutimin e një poeti të pafajshëm, nuk mund të pranojnë që në vend të ekzistojnë pasardhësit e idealeve të këtij këtij poeti martir, që punojnë dhe luftojnë për një Shqipëri demokratike, ashtu si të gjitha vendet e botës së lirë. Kjo është e paaritshme për mendjet e tyre të mykura.
Sidoqoftë, më së fundi drejtësia triumfoi. Hajredin Fratari është i lirë. Prokuria nuk gjeti asnjë provë për arrestimin e tij. Kjo tregon agresivitetin e qeverisë shqiptare karshi shtetasve të vetë, një kopje e shtetit të së kaluarës së hidhur që u përmbys në vitet 90-të. Por kjo kopje nuk mund të sundojë më në vendin tonë. Koha e saj ka perënduar. Bashkë me të të ka perënduar edhe koha e idhujve të saj. E drejta do të triumfojë mbi gënjeshtrën.
JA PSE I DISKRIMINON UEFA SHQIPTARET
Po të ishin unike qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës, a do të kishte mundur UEFA t’i diskriminoj shqiptarët?/
Nga Asllan Dibrani/
Mediat ndërkombëtare u skandalizuan me padrejtësinë, por pa efekt zyrtar qe u referua nga UEFA qe vendosi ngjarjen skandaloze në stadiumin e Beogradit ta kthejë në favor të serbëve duke u dhënë atyre fitoren 3 me 0 për ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë.
Ky vendim i ka lënë të shokuar shqiptarët, të lënduar për pafuqinë e tyre ndaj një gjykimi kaq të padrejtë. Po qe të ndodhte ndryshe me ndonjë vendim pro Shqipërisë, mund të irritonte jo vetëm Serbinë, por edhe ca shtete të tjera që shqetësohen nga shqiptarët sepese ajo që i shqetëson dominon nga vet gabimet e Ambasadorëve që Shqipërisë i prenë këmbë e duar në copëtimin e saj. Kështu që ndëshkimi për Shqipërinë ka qenë zgjedhja më e lehtë për UEFA-n e dominuar nga racizmi dhe njëanshmëria.
-Ndeshjen në mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte prioritare Shqipëria në disiplinë , kulturë dhe në kodin sportiv dhe pastaj nuk ka asnjë dyshim që UEFA nuk i ka dëgjuar koret raciste, as nuk i ka parë videot e huliganëve në fushë, goditjet e forcave të sigurisë ndaj futbollistëve shqiptarë, fotot e plagëve që ata kanë marrë me një ofensive terrori të pa parë ndonjëherë në fushën e futbollit !!!
Nga kjo pa drejtësi u krijuan plagë në zemrat e shqiptareve sot. Të gjithë e panë atë që ndodhi në Beograd dhe sot ndihen të fyer, të rrahur e të përdhunuar nga vendimi i UEFA-s dhe madje për këtë edhe u gjobit skuadra shqiptare!!!???… Një shuplakë kombëtare na dhanë dhe vet qeveritarët tanë nga qe u gjenden qengja pran Evropës dhe pran arrogancës serbo rebele kundër shqiptarëve. Qeveria shqiptare as qe reagoj në instancat ndërkombëtare për atë barbari serbe. Mezi ngritën një revoltë pa dal nga Tirana me një bisedë me ambasadorin serb në Tiranë , duke pire kafe, nga ideologjia komuniste se qengji i urtë pi dy nëna. Qeveria e Serbisë ngriti botën në këmbë duke u paraqitur si e viktimizuar, e provokuar, e sulmuar dmth dominoi ne opinion me propagandë duke reaguar në instancat ma të larta botërore për ngritjen e flamurit kombëtar atje gjë që , as që ka ndonjë lidhje me sportin ajo që pretendojnë serbët. Po të ishin në nivel kombëtar dhe në shërbimin e shqiptarëve qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës , të reagonte me kohë dhe të alarmonte botën për fatin e futbollistëve në ato momente nga fashizmi serbo-sllav gjendja do të kishte marrë një tjetër kuptim dhe epilog politik.
-Sikur të ishin në nivel qeveria e Shqipërisë me atë të Kosovës me reaguar me konferenca shtypi , me nota proteste ne nivele ndërkombëtare apo ne parlamentin evropian epilogu kishte me qenë ne favorin e Shqipërisë. Ma në fund shtrohet pyetja po të ishin unike qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës, a do të kishte mundur UEFA t’i diskriminoj shqiptarët aq brutalisht ?Gjithsesi se jo, fajet kryesore i kemi ne pastaj te tjerët!!!???…Lojtarët ishin të shkëlqyeshëm luajtën me dinjitet mbrojtën atdheun me vetëmohim , paçin nderin përgjithmonë në ballë të KOMBIT…
- « Previous Page
- 1
- …
- 865
- 866
- 867
- 868
- 869
- …
- 970
- Next Page »