• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e Gjergj Kastriotit…

May 7, 2024 by s p

Vite më parë, atdhetari patriot, dhe miku im i nderuar, Tonin Mirakaj, me bamim në Amerikë, më dërgoj më rrugë postare, rrevistën Jeta Katolike, (organ i Kishës Katolike “Zonja e Shkodrës”, New York.

Në këtë numër, flitej në përgjithësi për Heroin tonë kombëtar, Gjegj Kastriotin-Skënderbeun.

Ndër artikujt e shumtë, që flisnin rreth këtij heroi, në ditëlindjen e 613 të Tij, (ndësa sot që unë po e shruaj këtë shkrim, ëshë ditëlindja e 619 e Tij), lexova me shumë endje, e kurreshtje të madhe, një shkrim të mrekullueshëm të profesorit të nderuar, Sami Repishti, me titull: “Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, për jetë të jetëve”; pastaj lexova shkrimin e Leonardo Berishajt me titull: “Ditëlindja e Gjergj Kastriotit”; vazhdova të lexoja kumtesën e Gjon F. Ivezajt, dhe më së fundi, arrita tek shkrimi mjaft interesant i Gjeneral Asllan Bushatit, me titull: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, dhe Dita e Shëngjergjit”, të cilin mendova ta ndaj me lexuesit e shumtë shqipëtar, që po ashtu si dhe unë, mendoj se do ta gjejnë mjaft interesant, dhe informues, në këtë ditë të madhe, që megjithse gjithmonë e kemi quajtur Dita e Shëngjergjit”, çuditërisht,as edhe njëherë, s’e kemi lidhur me ditëlindjen e Heroit tone kombëtar, Gjergj Kastriotit!

Prandaj, vendosa që në këtë ditëlindje të Heroit tonë kombëtar, të ekstraktoj nga shrimi i Gjeneral Bushatit, vargje dhe paragrafe, që Ai me një thjeshtësi të madhe shpjegon origjinën e emrit të festës së sotme, pra “Ditës së Shëngjergjit”, të cilën unë po e ndajë sot me ju, dhe të gjithë bashkatdhetarët e mi, të nderuar, kudo që jetojnë, dhe punojnë, në trojet Shqiptare, e diasporë.

Atëherë, le të shikojmë se çfar shkruan Gjeneral Bushati në lidhe me këtë:

“Siç dihet, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, lindi me 6 Maj, 1405, dhe u largua nga kjo jetë me 17 Janar 1468, duke na lënë pas një pasuri shumë të madhe: Ai fitoj 25 beteja kunra Perandorisë Osmane, fuqia më e madhe ushtarake e asaj kohe; dhe përveçse mbrojti trojet Shqiptare, dhe ato Europiane, Ai u bë edhe si mbrojtës i Krishtërimit botëror, e mbi të gjitha, me epopejat që organizoj e drejtoj, Ai na la faqebardhë para botës në përgjithësi, dhe kombeve të tjera Europiane, në veçanti.

Vdekja e Tij, ishte një humbje e pazevendësueshme për të gjithë Shqiptarët, si për ato katolikë, ortodoksë, ashtu dhe për atë pakicë shumë të vogël njerëzish, që gjatë asaj përjudhe ishin konveruar në myslimanë.

Në këtë deshprim të madh popullor, u ngritën shumë versione, dhe u dhanë shumë mendime se si kjo figurë, të mbetej përgjithmonë jo vetëm në zemrat dhe mendjet e Shqiptarve, -por, nëse do të ishte e mundur, edhe në të gjitha zemrat e botës së Krishterë.

Kështu, hapi i parë u ndërmorë nga besimtarët Katolik, në të gjitha kishat Shqiptare të asaj kohe, ku me një këmbëngulje të madhe, i kërkohej klerit udhëheqës katolikë, t’i propozonte Papës, që Gjergj Kastrioti, të shpallej “Shejt”, dhe 6 Maj, pra ditëlindja e Tij, të pagzohej si “Shëngjergji”.

Megjith përpjekjet e vazhdueshme që udhëheqësia Katolike Shqiptare bani gjatë viteve 1468 – 1478, për të rrealizuar deshirën dhe vullnetin e popullit, Papa pas 10 vitesh diskutimi, shprehi qëndrimin zyrtar të Papatit, se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është “Kalorsi i Krishtit”, dhe se Ai meriton të gjitha nderimet nga Kisha Katolike, por duke qenë se në tehun e shpatës së Tij kanë përfunduar shumë jetë njerëzish, Ai nuk mund të shpallet shejt.

Me këtë qendrim të Papatit, u pajtua edhe Patriarkana e Stambollit, e kështu, u mbyll përfundimisht mundësia e shejtërimit të Gjergj Kastriotit tonë, por trysnia popullore nuk u shua aspak, deri atëherë, kur Kleri Shipëtar, -në konsultë me besimtarët e vet, vendosi që ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, pra 6 Majin, ta shpallte festë popullore mbarë-Shqiptare, pra për të gjitha besimet, dhe kjo ditë feste do të emrohej “Dita e Shengjergjit”, dhe përveç kësaj, një krahinë e tërë, në Jug të kështjellës së Stelushit, që ishte edhe vendëlindja e Gjergj Kastriotit, do ti jepej emri, “krahina e Shëngjergjit”, një emër, i cili vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite.

Po kështu, aty u vendos që, ritet e celebrimt të kësaj dite të shenuar, pra “Ditës së

Shëngjergjit” s’do të mbaheshin në kisha, (vlent të theksohet se në trojet Shqiptare të asj kohe, nuk kishte xhamia), por në çdo shtëpi, lagje, fshat, e qendra të banuara, duke rrespektuar rregullat e mirëpranuara nga të gjitha palët.

Shumë nga këto rregullat vazhdojnë edhe në ditët e sotme të aplikohen si atëherë.

Pra, edhe në ditët e sotme, pvarësisht nga besimi, njerëzit përshëndesin njeri-tjetrin duke thëne: “Gëzuar Shëngjergjin”, ndërsa në dyert e shtëpive, dhe në evathave të bagëtive, vendosin degë arrash të njoma, në shenjë urimi për shëndet, prodhimtari të bollëshme bulmetnash, e begati. Po kështu, me një degë arre, njerëzit preknin miqësisht njëri-tjetrin, duke thënë : “ta lashë”, një gjest dashamirës, që gjithashtu, nënkuptonte shprehjen uruese: “Gëzuar Shëngjergjin”.

Në këtë ditë, pra në Ditën e Shëngjergjit, bëhet edhe ndarja e qingjave, dhe kecave, nga delet dhe dhitë (gjatë natës), me qëllim që t’ju mjelet qumshti, e kështu, fillon edhe mbledhja e bulmetit të ri.

Djemët visheshin mirë, dhe fillonin me trokitjen e vezëve të ziera, dhe të ngjyrosura (huazuar kjo, nga riti i Pashkëve), pastaj vazhdonin të uronin njëri-tjetrin, duke shkëmbyer arra, fiq të thatë, bukë fiku, e mana të thatë, e pas këtyre, mblidheshin në grupe të ndryshme sipas moshave, dhe luanin “kala dibranqe”, dhe bënin mundje me kapje për beli. Në fund të aktiviteteve të asaj dite, shpallej fitusi i “Ditës së Shëngjergjit”, që kishte vlerë vetëm për atë vit.

Ndërsa, vajzat visheshin me veshje të bukura, dhe shpalosnin para njëra-tjetrës qëndisjet, apo punëdoret e ndryshme që kishin ba, gjatë përjudhës dimrore.

Edhe ushqimi i “Ditës së Shëngjergjit”, kishte dy veçanti të dallueshme nga ditët e tjera, sepse, si për drekë, ashtu dhe për darkë u servirte tavë me mishë të pjekur me qumësht, si dhe laknuer (byrek) me djathë të njomë, miell misri, dhe tlyen (gjalp).

Pra, kjo mënyrë manifestimi ndiqej në të gjitha trojet Shqiptare, por fatkeqësisht, me kalimin e kohrave, trysnitë e vazhdueshme të pushtuesit, ndaj popullësisë shqiëtare, kishin qëllim që ti detyronn ata, që të zhduknin çdo gjë, që lidhej me emrin e heroit të tyre kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Nëpërmjet konvertimeve të shumta, kur shumë shqipëtar u detyruan të ktheheshin në mysliman, filluan edhe ndahsitë fetare. Dhe gjatë kësaj përjudhe, sipas besimeve, dhe ndahsive fetare, u krijuan edhe festa të tjera, gjë që gradualisht solli zbehjen e festimit të kësaj dite, deri në atë shkallë sa disa prej trevave shqiptare, fatkeqësisht po shkojnë deri në harrimin e plotë të saj.

Megjithatë, ka mjaft zona shqiptare që edhe sot vazhdojnë ta festojnë këtë ditë me shumë dashuri, dhe me po ato rite si para 520-530 vjetësh. Kjo është më e theksuar sidomos në brezin e tokave që kanë qenë nën zotrimin e Kastriotëve.

Duke përkujtuar Gjergj Kastriotln-Skënderbeun, këtë burrë të madh të Kombit tonë, këtë gjenial të mendimt të thellë, dhe strateg ushtarak, në ditëlindjen e Tij, -(pra sot, në “Ditën e Shëngjergjit”, 6 Majin), ne jo vetëm nderojmë të shkuarën dhe të sotmen tonë, -por njëkohësisht, çimentojmë themelet historike të Kombit tonë Shqiptar.

Kjo Ditë, pra 6 Maj, apo Dita e Shëngjergjit, duhet të shpallet me një dekret të veçantë, si një Festë Zyrtare, dhe Ditë Pushimi për të gjithë kombin Shqiptar.

Edhe unë, në emër të komunitetit Shqiptaro-Australian, ju uroj nga zemra:

Gëzuar Ditën e Shëngjergjit, ditëlindjen e Heroit tone Kombëtar!

Dr. Zekri Palushi, Australi, 6 Maj, 2024

Filed Under: Analiza

A është patriotizmi një virtyt, apo një ves?

May 6, 2024 by s p

Artan Nati/

Unë vazhdoj të besoj se Shqipëria është e veçantë. Megjithatë, unë refuzoj të besoj se Shqipëria është e jashtëzakonshme, që do të thotë përjashtimi i të gjitha vendeve të tjera. Kjo nuk më bën jopatriotik. Mendoj se ky fakt thjesht sugjeron mendim racional dhe një ekzaminim historik me sy hapur.

Ne jemi në gjendje shumë më të keqe ekonomike, politike dhe kriminalitet të lartë si brenda e jashtë vendit. Nuk është faji i komshijve tanë. Është faji ynë, kolektivisht, dhe nuk na ndihmon fakti që kemi liderët më “patriotë”, të cilët kur diskutohet për dështimet spektakolare të tyre, shndërrohen në nacionalistë duke fajësuar shtetet fqinnje apo edhe më keq kundështarët e tyre politikë.

Megjithatë, kur diskutojmë veçantinë e superioritetin e kulturës, gjuhës dhe zakoneve tona, mendoj se mbart me vete erën e nacionalizmit. Ne nuk duhet të kemi këtë retorikë si objekt kryesor diskutimi. Përzierja e nacionalizmit, religjiozitetit dhe entuziazmit emocional është vdekjeprurëse. Kjo ka bërë që ne të biem në grackën e armiqve tanë.

Që pas luftës së dytë botërore ne përqafuam komunizmin dhe komunistët shqiptarë persekutuan gjithë popullin dhe veçanërisht shtresën intelektuale dhe borgjeze të vendit.

Kjo nuk na bën të jashtëzakonshëm. Na bën një enigmë dhe na detyron të gjejmë të keqen te vetja.

Është e vështirë të mendosh për ndonjë arritje fantastike pas viteve 90, mgjs demokracia e re (nqs mund ta quajmë demokraci) pati arritje të padiskutueshme. Shpërbërja e shtetit në 97-tën si edhe korrupsioni masiv dhe krimi i organizuar që bëjnë ligjin në Shqipëri nuk na bëjnë aspak të veçantë, por përkundrazi duhet të kuptojmë se armiku më i madh i yni është vetvetja.

Një komponent kyç i nacionalizmit është demonizimi i të tjerëve dhe kurrë vetvetja, klasa politike dhe kultura jonë. Natyrisht nuk mund të mohojmë rrolin negativ dhe pengues të komshijve tanë, por kjo është një arësye më shumë për të përsosur veprimtarinë tonë, sepse vetëm kjo është në kontrollin tonë.

Të sugjerosh se shkaktari kryesor janë vendet fqinje është njëlloj sikur të pranosh se vendi ynë drejtohet nga engjëjt. Dinakërinë e tyre, politikanët tanë duan ta shesin për zgjuarsi dhe me pazaret dhe dredhitë e tyre mendojnë se mund ta çojnë vendin në Europën e Bashkuar.

Sikur këta politikanë të ishin ëngjëj vazhdojnë e betohen për kushtetutën dhe zbulojnë armiq edhe në rradhët e Europës perëndimore dhe SHBA-ve dhe ne shtërngojmë rradhët rreth tyre duke e shitur këtë si patriotizëm. Patriotizmi nuk duhet ngatërruar me tribalizmin dhe populizmin. Prandaj nuk mund të romantizojmë tribalizmin sepse ai në thelb është i lidhur me demonizimin e të tjerëve dhe aq më keq ta shesim për patriotizëm.

Megjithatë, ne jemi krenarë dhe mburremi me heronjtë tanë kombëtarë si Skënderbeu si mbrojtës i krishterimit në Europë, si vend me përkatësi tërësiht europiane dhe me gjuhën nga më të vjetrat në botë. Por kjo nuk e zgjidh problemin përkundrazi duhet të na motivojnë që t’i tregojmë perëndimit se jemi të denjë për të hyrë në Europë. Por patriotizmi mund të bëhet i rrezikshëm nëse theksohet shumë. Nëse dashuria për vendin tonë bëhet e verbër, nëse është e pakushtëzuar dhe e padiskutueshme, nëse humbasim aftësinë tonë për të kritikuar dhe kërkuar ndryshim për hir të traditës, atëhere ne kemi kaluar në tribalizëm dhe populizëm. Patriotizmi kërkon ndryshim dhe përmirësim dhe nuk e mbyt disidencën për hir të status quo-së.

Përkundrazi, një patriot duhet t’i vërë në dukje problemet me shpresën se, me përpjekje dhe vullnet ato mund të zgjidhen. Ndryshimi duhet të përkrahet dhe të mbështetet.

Patriotizmi i vërtetë përfshin një angazhim për të mbajtur qeverinë e vet përgjegjëse dhe për t’u siguruar që ajo u shërben interesave të njerëzve që ajo përfaqëson. Patriotizmi i vërtetë është të shikojë me sy kritik liderët e partive, drejtuesit e institucioneve sepse e keqja më e madhe vendit tonë i ka ardhur nga besimi absolut në komunizëm si edhe më vonë pas viteve 90 te besimi i verbër te demokracia dhe liderët e partive. Patriotizmii sugjeron se ndjekja verbërisht e qeverisë, pavarësisht nga veprimet e saj, nuk është patriotizëm, por më tepër dështim për të përmbushur detyrën tonë si qytetar. Kjo ndjenjë rezonon me konceptin e përgjegjësisë qytetare dhe rëndësinë e angazhimit aktiv në procesin politik për të mbrojtur vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar një komb. Është për të ardhur keq por e vërteta është se në vendin tonë patriotizmi është shpesh një nderim arbitrar i pasurive të paluajtshme mbi parimet. Kështu ndodhi me patriotizmin e udhëhequr nga feudalët shqiptarë që maskuan interesat e tyre ekonomike me patriotizmin e rremë që nuk inspiroi masat përkundrazi pati efekte negative. Ndërsa komunistët zëvënndësuan patriotizmin me internacionalizmin dhe indoktrinuan një pjesë të madhe të shoqërisë, biles ish komunistët, ushtarakët dhe një pjesë e madhe e superstrukturës së kohës, në vend që të kërkojnë falje, këmbëngulin se gjithçka e bënë për patriotizëm. Në këtë rast duhet të themi që këta “patriotë” ose nuk janë të ndershëm, ose kanë mungesë intelegjence.

Në ndjekjen e patriotizmit, duhet të udhëhiqemi nga inteligjenca për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi si dhe nga mençuria për të hartuar një rrugë që të çon në një të nesërme më të mirë për të gjithë. Patriotizmi inteligjent njeh kompleksitetin e botës sonë dhe kërkon zgjidhje të efektshme dhe të drejta, të udhëhequra nga mençuria e historisë dhe largpamësia e së ardhmes. Patriotizmi i pasuruar nga inteligjenca dhe mençuria nxit një komb që evoluon, përshtatet dhe lulëzon në një botë në ndryshim.

Sigurisht, ne kemi nevojë për një vlerësim intelegjent të realitetit, dhe vetëm ndoshta kjo do të na përmbajë nga patriotizmi fallc dhe mburrja e të qënurit komb i veçantë, por do të mbante lart flamurin se Shqipëria ka mirësinë, vizionin dhe potencialin për të qenë një komb shumë më i mirë. Vetëm kështu mund të quhemi komb i veçantë, por në heshtje dhe pa spaleta në supe.

Filed Under: Analiza

Gjurmë të estetikës shpirtërore

May 3, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Përmbledhja me tregime “Dy gratë e një burri”, i autores Laura Olldashi, shënon librin e tretë të prozës së shkurtër, po kaq ky tekst materializon edhe shenjën e përzgjedhjes, të përbërë me tregime nga dy librat e parë, të cilat janë bashkëlidhur me proza të shkruara në këtë kohë. Titulli befasues i librit, që përfaqëson një metaforë e pazakontë, vetiu të vë në mendime, njëherit madje fare padashtas, te lexuesi i shkujdesur, nxit fantazinë e keqkuptimit, ndonëse tekstet dhe nëntekstet e lëndës së kësaj proze, formësojnë dhe shqiptojnë pezullinë e ngritur shpirtërore, që anësohet nga kërkimi i vlerës artistike.

Limfa përbashkuese e prozës autoriale, një tipar shkrimor që bartet në këtë libër, është endja e prozës së gjendjes së ngritur shpirtërore, të një shenje tepër impresionuese, që ndërkaq e zbeh ndjeshëm praninë e fabulës, duke e futur kështu shkrimin në rrafshet ligjërimore, moderne dhe postmoderne. Shenjëzimi i përveçëm artistik, i gjendjes së lartësuar morale, në një rrekje të pranishme, për të thurur estetikën e shpirtit/shpirtrave, pra estetikën shpirtërore, është “dialogu” rrëfimor jo pak i ngjeshur, me veten dhe të tjerët, për tu kthyer gjithnjë te ama personale, që mëton përçmin e kumteve, melodike dhe kundërvënëse, te lexuesi.

Narrativa, që T. Todorov, më herët e pati përcaktuar si poetika e prozës, e cila shpërfaqet me dy kahje të rrokshme në tregimet e këtij vëllimi, me mbizotërim të narratorit/narratores së gjithpranishëm dhe të narratorit të lirë (që del në pah duke ndryshuar tonin ligjërimor të mbyllur në kllapa), duke përçuar atmosferën e përndezur shpirtërore, të realitetit letrar, të hapësirës tekstologjike të prozës së shkurtër, më përtej kohëhapësirës (kronotoposit, term i M. Bahtin), duke endur kështu universin letrar, thelbësisht autorial.

Pentagrami narrativ, në thurjen e prozës, jo si përqasje, me gjasë krejt e panevojshme, të sjellë në mend një pohim të beftë të Gabriel García Márquez: “Pastaj shkrimi m’u bë aq i rrjedhshëm, saqë nganjëherë ndihesha sikur isha duke shkruar thjesht për kënaqësinë e të rrëfyerit, që mbase mund të jetë gjendja njerëzore më e ngjashme me fluturimin…”, pra të theksimit të thelbit të prozës së shkurtër, sidomos të rolit dhe pranisë së narrativës, të mishëruar në libër, e cila dukshëm qëndron në rrjetën rrafimore të endur mjeshtërisht.

Tregimet e librit, shpesh herë në materien e shtrirë letrare, spërkaten me elementë të artit të ngjyrës, të pikturës, të artit të tingullit, pra të muzikës, njëherësh të shprazura me situime dialogjike, të replikave të forta, që realisht e shpërndërrojnë në prozë sinkretike, shumështresore, po kaq ritmike dhe metaforike, që ecën me shpejtësinë e frymimit të qenies, kur rrëfen me ankth e dashuri gjerat kaq të shtrenjta, copa të shpirtrazimit.

Materia letrare e tridhjetë e dy tregimeve, të larme nga këndvështrimi dhe parashtrimet konceptuale, në spërmarrjen për të mbetur para së gjithash një dialogim i hapur me veten, me botën, me kohën përtejkohore, shpesh shoqëruar me vizatim karateresh të besueshëm, në disa raste, me prani të figurave që vijnë në gjendje siluetash, që skicohen me penelim të shpejtë dhe të atypëratyshëm.

Në morinë e teksteve të librit, ku si një kurorë e endur artistikisht, do përveçoja, prozat: “Piktura, Gjendje, Ëndrrat, Dy gratë e një burri, Sonata e hënës, Ulur jashtë trupit, Requiem për Suhade Cakranin, Bulëza, Intenrari i senseve, Anna”, e ndonjë tjetër tregim, veçmas për sublimimin e ngjyresës së gjendjes emotive, si premisë e prozës autoriale, e po kaq si tregues të qartë të thurjes së gjurmëve të estetikës shpirtërore, shtysa parake, por edhe thelbësore të prozëshkrimit të autores.

Leximi i tregimeve të librit “Dy gratë e një burri”, pamëdyshje një lexim i vëmendshëm, si dhe me distancë nga njëra prozë te tjetra, edhe si një tregues i kërkimit të lexuesit model, që e përmend shpesh U. Eco, me gjasë mundëson zbulimin e realitetit letrar, të endur në prozën e shkurtër, si një mëtim i dëshmisë shpirtërore dhe estetike, të përcjellur në përzgjedhjen e tregimtarisë të kësaj autorje.

Filed Under: Analiza

Mesazhi i Presidentit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Imzot Gjergj Meta në ditën e punëtorëve: Jo abuzimit dhe diskriminimit në vendin e punës!

May 2, 2024 by s p

Puna në rradhë të parë fisnikëron njeriun, i jep atij dinjitetin dhe i sjell familjes dhe individit të ardhurat për një jetesë të dinjitetshme. Ajo nuk mund të jetë vetëm një mjet fitimi i punëdhënësit, por mbi të gjitha një instrument që e bën më të mirë shoqërinë.

Nderim dhe respekt për të gjithë ata që punojnë e fitojnë me djersë dhe me mund duke u garantuar familjeve të tyre dinjitetin e një jete të qetë. Po ashtu edhe për ata punëdhënës që respektojnë dinjitetin e punëtorëve e punëtoreve të tyre, duke i paguar sipas standardeve dhe duke u krijuar kushte pune që mbajnë parasysh nevojat e tyre jetësore.

Nga ana tjetër, në ditën e punëtorëve, mendimi ynë është edhe për viktimat e bardha që gjejnë vdekjen në vendin e punës nga mungesa e parametrave të sigurisë. Po ashtu ata punëtore e punëtorë që shfrytëzohen, janë të nënpaguar ose punojnë me orare e kushte që nuk respektojnë dinjitetin e punëtorit, diskriminohen apo nuk u jepet vendi i merituar i punës. Në mënyrë të veçantë gratë dhe nënat që shpesh janë viktima të abuzimit në vendin e punës, të përçmimit apo diskriminimit.

Shpesh në Shqipëri fenomene si shfrytëzimi, nënpagesa, abuzimi në vendin e punës, klientelizmi për punësim, diskriminimi, gjenden të fshehura e pak të trajtuara nga mediat apo nga politika. Duhet më shumë vëmendje dhe guxim në këtë drejtim nga ana e të gjithëve.

Sot Kisha përkujton shën Jozefin punëtor. Jezusi u rrit në familjen e tij, bashkë me Jozefin e Marinë, me respektin për punën dhe punëtorin. E sot në këtë ditë Kisha shpreh nderimin e saj dhe lutet për çdo njeri që punën e ka instrumentin kryesor të mbajtjes së familjes dhe të jetesës së saj.

Filed Under: Analiza

PAPAS ANTONIO BELUSHI: MESHTARI I ETNISË

May 2, 2024 by s p

Shkruajnë: Myrvete&Begzad Baliu/

Me Shqipërinë mëmë më lidh matronimia (himariote), me arvanitasit më lidh patronimia, me Arbëresht më lidh vendlindja ime, ndërsa me Kosovën ideja e lidhjes vëllazërore shqiptare! (Antonio Belushi)

E kemi njohur Papas Antonio Belushin menjëherë pas Luftës së Kosovës, në konferencat shkencore e në ngjarjet kulturore të Tiranës, Shkodrës, Prishtinës e të Pejës. Ai ishte i kudondodhur për të thënë fjalën e tij, mesazhin e tij, i kudogjendur për të kryer misionin e tij.

Tekstet e tij, mendimet e tij, kërkimet e tij, për trashëgiminë shpirtërore të arbëreshëve të Italisë e të arvanitasve të Greqisë, i kishim njohur edhe më parë sado në përmasa modeste. I kishim lexuar disa nga veprat e tij dhe disa nga tekstet e tij te gazeta “Lidhja” e te gazetat e tjera të kohës në Tiranë, në Prishtinë, ndër botimet e arbëreshëve e për arbëreshët e Italisë dhe madje te një gazetë krejt e panjohur Besa, e arvanitaseve të Greqisë. Por, dëshira për të gjurmuar e lexuar kërkimet e tij, sidomos ndër arvanitasit e Greqisë na qe kthyer në pasion, ndërsa insistimi për të njohur dhe mësuar nga fjala e tij për atë krah të hershëm të shqipes na bënte po aq kureshtarë sa i bënte kureshtarë bashkëkohësit e tij për të ditur, qartësuar e saktësuar dëshminë mesjetare të Brokardit për gjuhën shqipe, librin shqip apo shkronjat shqipe.

E njohem në ditët e para të pasluftës së Kosovës!

Kishte lindur në fshatin Frasnita të Kozencës në Kalabri. Ishte teolog e filozof prej profesioni, por të gjithë që e njihnin e quanin edhe shkrimtar, publicist, mbledhës i trashëgimisë arbëreshe kudo në botë, botues e studiues. Tregonte por më shumë rrëfente gjer e gjatë e pa përtesë për punën e tij fillestare në fshatin Shën Konstantin Arbëresh të Potencës (1965-1973), për hulumtimet në Falkunara Arbëresha të Kozencës (1973-1977), për përkushtimin e tij prej misionari për kërkimet themeltare në vendbanimet arbërore të Greqisë (1965-1986), për dëshmitë e tij misionari e intelektuali që të dëshmojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për Kosovën në botë.

Prej kërkimeve të tij të trashëgimisë materiale e shpirtërore të arvanitasve të Greqisë, të arbëreshëve të Italisë e të shqiptarëve në gjithë botën, nga Kosova deri në Amerikë e Australi ai, në vitin 1971 botoi veprën “Këngë fetare arbëreshe”; më 1977: “Argalia në tekstet popullore arbëreshe në Frasnitë”; më 1983: “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshe; më 1989: “Fjalor frazeologjik i arbëreshëve në Itali dhe arbërorëve në Greqi”; më 1991: “Blegtoria në Frasnitë”; më 1994:“Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës; më 2003 “Antologjia arbëreshe; më 2007: “Regesto – Manoscritti d’Archivio nella Biblioteca Internazionale “A. Bellusci” di Frascineto”; më 2008: “La parrocchia bizantina “Maria Assunta” di Frascineto”; më 2018: Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci”; më 2019: A. Bellusci-R.Burigana, “Storia dell’Eparchia di Lungro”; më 2020: së bashku me Ornela Radovicka, “Rrugëtimi në ngulimet arbëreshe”-50 kartolina gjigande arbërore në tokën italiane; dhe më 2021: Cultura tradizionale a San Costandino Albanese-Ricerche sul campo 1965-1973 e të tjera studime e të tjera dokumente dhe dëshmi.

Brenda këtyre vëllimeve me të dhëna dokumentare të mbledhura në një periudhë prej rreth 60 vjetësh, veç tjerash janë përfshirë çështje, tema, motive, tekste, dokumente, fotografi, imazhe dhe sidomos dëshmi gjuhësore të një vazhdimësie 500-vjeçare ndër arvanitas e ndër arbëreshë të kujtesës mesjetare, si dhe ndër shqiptarë të kohës moderne. Në këto vepra janë botuar tekste popullore nga të folmet arbëreshe e arvanitase, tekste popullore e dialektore, tekste me mite dhe besime popullore në katundet arbëreshe; tekste dhe dokumente në të folmet arbërore arvanite; këngë djepi, gjëegjëza, këngë te vatra e te sheshet, lojëra për fëmijët, zakone dhe besime ndër arbëreshët e Italisë; tekste krahasuese në të folmet arbërore-arvanite; prozë dhe poezi gojore, shënime për mënyrën e veshjes, mënyrën e të ngrënit, emrat e mjeteve dhe punëve bujqësore, blegtorale dhe të martesave, po edhe vjersha, vajtime, fjalorth mbi argalinë, frazeologji, dorëshkrime të shekullit XIX, shënime për vizitat, kujtimet dhe dëshmi të tjera për bibliotekën “A. Bellusci”, e të tjera e të tjera aspekte të përditshmërisë arbëreshe.

Vepra e tij si rrallë ndonjë tjetër në studimet shqiptare ka shtrirjen e plotë hapësinore sepse çështjet i ka trajtuar me tërë kompleksitetin kontekstual, interdisiplinar e konvergjues historik (duke i vënë në plan të parë kohën dhe ngjarjet); me tërë pasurinë e identifikuar e ubifikuar arkeologjike (gjurmët, artefaktet e prekshme e të emërtuara saktë me gjuhën historike të kohës); me tërë kontekstualitetin e matjes demografike e krahasuese, për të mos thënë kundërvënies së administratës greke (një korpus i tërë evidencash, regjistrash e dokumentesh ndër arbërorët në Greqi); por, çështja që dimensionon thellësisht përpjekjen dhe qëllimin e tij është konteksti gjuhë, i shprehur përmes fjalës dhe fjalësit, thënies dhe tekstit ndër arbëreshët në Itali e Greqi, si dhe një korpusi onomastik nga rreth 40 fshatra arvanitase, në të cilat veç tjerash do të mbahet mend për shqetësimin e tij rreth ndryshimit të ojkonimisë mesjetare të vendbanimeve arbërore nga administrata greke, ndërkohë që të gjitha mikrotoponimet rreth tyre ishin në gjuhën e shqipes mesjetare dhe moderne. “Arvanitasit më rrëfenin që në “këto vitet e fundit” në Greqi një vargu të gjatë katundesh arvanitase u janë ndryshuar emrat. Ndryshimet kanë ndodhur në tri dekadat e fundit. Për shembull: Kutumasë arvanjitë nani i thonë Koronja në elenika; Nani i thonë Fili në greqisht, po në arvanjitika na i themi Hasa’. Streveniku u bë Triadha; Zërikji u bë Elikonas; Kukurati u bë Agia Anna; Lutsa u bë Artemidha. Spata ish një katund që të gjitha toponimet rreth e përqark tij i kishte në shqip. Aty ku u ndërtua aeroporti i ri i Athinës quhej Liopëza ose Lopëza, domethënë fusha ku kullosnin lopët. Grekët këto 20 vjetet e fundit u kanë ndryshuar emrat mbi 60% të toponimeve, që ishin emra të vjetër shqiptarë. Mendoj se qeveria greke bën një politikë iracionale dhe relativisht dinake”, – shkruante etnologu Belushi, në të vërtetë dëshmonte Ati ynë, Papas Antonio Belushi.

Me jetën dhe sidomos me veprën e tij ai u shndërrua në paradigmë prej krijuesi të etnologjisë shqiptare, si korpus i tërësisë së gjeografisë historike dhe bashkëkohore ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët; prej autori të korpusit të gjuhës si dokumenti më i rëndësishëm i identifikimit të përbërësve materialë e shpirtërorë të një populli edhe kur ai është në fazën e fundit të agonisë; prej ideatori e personaliteti intelektual e moral, që për pjesën gjeografike të atdheut angazhohet si për tërësinë e saj, për t’u bërë së fundi institucioni moral e kombëtar i botës shqiptare.

E mendonim si një murg hijerëndë që ligjëron vetëm me fjalët e konceptet e Perëndisë, por ai ishte plotë gaz e ligjëronte kryesisht me fjalët e gjuhën e historisë së etnisë; e mendonim si një shërbëtor të zotit që diskuton me konceptet biblike të universit shpirtëror, e ai fliste me referencat historike të kërkimit të tij shkencor; e mendonim si një bari të Perëndisë, që referencë dhe paradigmë të mendimit të tij ka bëmat e heronjve biblikë, e ai ishte intelektual, që fliste me referenca për heronjtë e Arbërisë.

Duke e dëgjuar Papas Antonio Belushin, duke e lexuar veprën e tij, duke shfletuar revistën e tij Lidhja, dëgjuam dhe mësuam për gjuhën e tokës (toponiminë), gjuhën e shpirtit (fjalët shqipe), gjuhën e trupit (veshjen), gjuhën e sedentaritetit (vendbanimet), gjuhën e besës (etninë) së arvanitaseve të Greqisë, arbërorëve të Italisë e shqiptarëve të të gjithë botës, ‘mbledhur nga një prift’, theksonin të tjerët, ‘mbledhur nga një prift arbëresh’, shtonte ai.

Prej asaj kohe ne u bëmë bestarë të grigjës së tij, e ai meshtar i etnisë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT