• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga viti 1969 në 2024 – Shënimi i Naum Priftit, albumi dhe fshirja e historisë

July 10, 2024 by s p

Julika dhe Rafaela Prifti/

Ky shënim i shkrimtarit Naum Prifti mbajtur me dorëshkrimin e tij në 1969 nis me një obzervim nga shfletosja e albumit me ilustrime për 25 vjetorin e socializmit në Shqipëri. Atëherë këto botime ishin investime propagandistike të pushtetit, të cilat kishin tirazh të madh dhe ishin prodhuar për konsum të gjerë. Botimet si albumi i takonin sferës më të rëndësishme të imazhit të Shqipërisë sepse në to përjetësoheshin fitoret dhe sukseset e socializmit. Të tilla publikime kalonin në disa filtra partiake dhe burokratike.

Prandaj reagimi i parë i një vëzhguesi si Naum Prifti është befasia e shoqëruar me kureshtje dhe humor për fotografinë e lopëve me diçiturën për deputetët e Kuvendit. Me pyetje shpotitëse, ai sikur hamendëson për kuptimin e një fotoje në albumin kushtuar një çerekshekulli socialist.

Por historia e shënimit shkon edhe më larg. Duke gjurmuar albumin në fjalë për të ilustruar shkrimin e Naum Priftit, të ruajtur në fletore origjinale me dorëshkrimet e tij, ju drejtuam për ndihmë Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Qendror të Shtetit. Ekzemplari nuk gjendet. Në botimin e rezervuar në Bibliotekë janë lopët e fotografuara por jo diçitura e famshme “Deputetët e Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”

Botimet “me gabime” apo lajthitje të tjera zhdukeshin nga qarkullimi dhe nga bibliotekat. Edicioni i ri zëvendësonte paraardhësin dhe nuk mbetej më gjurmë e botimit origjinal. Aso kohe shënimi i një vëzhgimi që hodhi në letër Naum Prifti pas shfletosjes së një albumi, ishte me rrezik ta mendoje e jo më ta shkruaje. Por sot ai botim nuk gjendet më. Njësoj sikur nuk ka ekzistuar kurrë.

Shënimi është jo vetëm qesendisje por edhe zbulim dhe dokumentim i praktikave të destinuara që shërbenin vetëm për qëllime ideologjike.

Intuitivisht dhe me vetëdijen e artistit, Naum Priftit e ndjente si detyrim moral dhe përgjegjësi personale mbajtjen e shënimeve pa e ditur as fatin e tyre dhe as fatin e tij, në atë regjim dhe në atë kohë. Pas 55 viteve, largpamësia e shkrimtarit dhe vërtetësia e shkrimeve, sado e thjeshtë, është e pamohueshme.

Lopë dhe Deputetë në albumin e 25 vjetorit të Shqipërisë Socialiste

Naum Prifti

Në vitin 1969 albumi “25 vjet Shqipëri Socialiste” ka një fotografi lopësh, që siç mund ta shohë gjithkush, nuk është kaq e thjeshtë. Ato ngjajnë si lopë, kurse, sipas shpjegimit të diçiturës, janë “Deputetë të Kuvendit Popullor gjatë seancave të pushimit.”

Tani gjithkush ka të drejtë të pyesë, si është e mundur që në një botim zyrtar, të kaluar e rikaluar faqe për faqe nga forumet më të larta partiake, t’ u bëhet një përcaktim i tillë Deputeteve të Kuvendit Popullor, anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave të qeverisë dhe të cilësoheshin kaq pa mëshirë personalitete të larta të kohës.

Shaka e hollë, ironi therrëse, për praktikën dhe rolin e Kuvendit në RPSH, apo punë armiqësore e ndonjë agjenti te fshehur?

Nuk dihet në se synimi ka qenë t’u rrëfehej deputetëve që s’ishin veçse një tufë lopësh që muallitnin sipas një avazi të caktuar apo nëse dikush ka dashur të fyejë lopët e urta e paqësore?

Filed Under: Analiza

Dy fjalë për këngën polifonike të Labërisë

July 10, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Marrë nga shkrimi i përgatitur për botim: Tuneli i Llogarasë dhe mjerimi i përdorimit politik të këngës polifonike.

….Kënga polifonike tashmë dhe pasuri e UNESKO-s dhe është një dukuri thellësisht shqiptare ku në të isua, si bashkim zërash të harmonizuar është elementi kryesor. Bashkë me marrësin, hedhësin dhe kthyesin ata përbëjnë një ansambël të përkryer të polifonisë labe. Kur këto janë në harmoni të plotë, kur zërat nuk “hahen” kur kënga vete “gjym,” ajo vjen e dallgëzuar e lozonjare si valët e detit, në një ditë plot diell, kur këndohet për një leshverdhë trëndelinë, ose dashuri të humbur diku, dikur; vjen si gjëmim malesh kur këndohet për atdheun dhe luftëtarët e lirisë; dëgjohet dhe ndihet si shushurima e rrëkeve pas shirave pranverorë, kur i këndohet bukurisë së një vajze; kthehet në një det të trazuar e dallgë të shkumbëzuara pas përplasjes në shkëmbinjtë e thepisur kur sjell lajmin e vrasjes së një djali të ri; vajton si violina në duart e një muzikanti virtuoz, kur i këndohet halleve e derteve të panumërta të shqiptarit, e kështu pa mbarim. Nuk ka sferë të jetës shoqërore që të mbetet jashtë temave të këngës polifonike. Ato shoqërohen sipas rastit me britma gëzimi, me thirrje për tu bashkuar në gëzime dhe hidhërime, nga marrësi, hedhësi apo kthyesi. Ndërkaq isua herë si dallgë deti, herë si nanuritje kur nëna ve në gjumë fëmijën, herë si bubullimë para rrebeshit të shiut, herë si përzierje e zërave të bilbilave në agimet e majit, herë me zhurmën e përrenjëve që derdhen nga malet pas shkrirjes së dëborës, e herë si krisma armësh në luftë, shoqëron këngën që është unike në llojin e saj dhe ka lindur bashkë me labin. Nuk mund të mësohet në asnjë shkollë apo akademi muzikore kënga labe. Ajo mësohet vetëm në trevat ku ka fillesat e saj e trashëgohet brez pas brezi. Nëse ndodh që kënga polifonike përdoret për qëllime politike, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit të saj historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj.

Filed Under: Analiza

Themeli i së keqes…

July 9, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Për të vërtetën nuk e di dhe nuk mund ta di nese e di kush se ku e ka themelin e keqja për Shqipërinë e shqiptarët në thellësitë e shekujve pasi asnjë komb i botës nuk ka mbetur 3 milion përgjatë 300 viteve të fundit. Me që nuk jam studiues e historian nuk po futem thellë në histori por po ju referohem fillimeve të levizjes demokratike në Shqipëri apo të jem më i saktë për atë që dikur besonim se ka qenë lëvizje demokratike pasi rastësisht kam ndodhur edhe unë aty ku është zhvilluar kjo levizje si student i 90-tës. Po filloj tek levizja demokratike kështu po e quaj për marrëveshje fjale për faktin se para 34 vjetesh shqiptarët patën një shpresë të madhe për të një të ardhme ndryshe mbas një periudhe vërtetë jo dinjitoze po them pa dashur të prononcohem as trim mbas lufte e as i zgjuar pas kuvendit. Së fundi dëgjova një deklaratë të z.Rama se demokracia na paska lindur e vdekur gjë që për mua nuk është e vërtetë pasi fatkeqësisht demokracia në Shqipëri nuk është ngjizur ndonjëherë.

Për fatkeqësinë e Shqipërisë e shqiptarëve në 90-tën shqiptarët të dalë nga izolimi ekstrem ju paraqit një klonim komunist si demokraci. Natyrisht që kjo nuk u bë as për sport e as për humor por sipas një projekti të detajuar klonit të tyre komunistët i vunë detyrë të relativizonin krimet e tyre duke shmangur dënimet e kriminelëve e sigurisht vazhdimësinë ekonomike të tyre. Besoj se shumica e shqiptarëve që kanë mbetur në Shqipëri pasi dihet se kanë mbetur mosha e tretë e mbajnë mend se kush kanë qenë në kohën e komunizmit shitëse, banakiere e magazinier e shumë të tjerë të kësaj kategorie. Gjithashtu dihet se ku kanë qenë ndërtuar objektet e shërbimit social sigurisht në qendrat e qyteteve e natyrisht mbi trojet e privateve të konfiskuara nga regjimi komunist e pronarët u degdisen burgjeve e internimeve.

Opozita e klonuar me sekretar partie e deri djali i kryprokurorit kasap komunist ju dha shërbetorëve të komunizmit qendrat e qyteteve duke krijuar fillesat e kapitalisteve me pinjollët e tyre. Meqë e konsoliduan vazhdimësinë e tyre në qytete së bashku me moskthimin e ndërtesave të banimit të sekustruara ju kthyen fshatit me ligjin 7501.

Ligji 7501 ju mohoi përfundimisht pronarëve të tokave pronat e tyre duke ua vrarë edhe shpresën që ka arritur të jetojë edhe gjatë diktaturës, gjë që e futen vendin ne kaos e anarki duke e dënuar Shqipërinë me varfëri e shkombëtarizim që pasojë me më së pakti tetë mijë të vdekur e po aq kanë prerë biletën e vdekjes.

Pra kloni komunist jo vetëm garantoi vazhdimësinë komuniste por vendosi edhe themelet e kapitalizmit mbi hajninë e poshtërsinë ekzaktësisht atë që po gëzojnë sot shqiptarët e mbetur akoma në Shqipëri, por arritën të mbajnë peng vetë të ardhmen e Shqipërisë.

Themelet e një shteti nëse nuk vendosen mbi ligj e drejtësi atëherë ose shteti rrëzohet si në 1997 ose shteti bëhet përfaqësues i asaj ekonomie siç e përshkrova më lart që në shqip njihet si shteti i mafies.

Nuk ka e nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe në Shqipëri kur një adoleshent që vidhte një celular dënohej 6 muaj e ai që vidhte gjysmë milioni pronë, shteti i mafies i jep tapinë madje vetë kryeministrat e atij vendi që quhet Shqipëri. Tani të gjithë qahemi se po na vjedhin voten, taksat, ilaçet, tenderat pasuritë publike e tani së fundi edhe jetën por një zë nuk e lëshoi kush kur u vodh pasuritë e pronat e të tjerëve e po të doni edhe pasuria e shtetit. Edhe nëse dikush foli u la i vetmuar e madje edhe u abondonua siç ndodhi me të ndierin Kalakula. Lirinë e demokracinë madje edhe zhvillimin e prosperitetin e gëzojnë ato kombe e popuj që luftojnë që ti kenë.

Filed Under: Analiza

Atmosfera politike dhe zgjedhjet parlamentare në Francë

July 9, 2024 by s p

Artan Kutra

Radio France International (RFI)/

Në përfundim të zgjedhjeve legjislative 2024 në Francë, deputetët e parë filluan të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Dyert e Pallatit Bourbon (Parlamentit) u hapën zyrtarisht në orën 14.00 për të mirëpritur disa nga 577 deputetët e legjislaturës së re.

Jo të gjithë deputetët e zgjedhur do të mbërrijnë në të njëjtën ditë. Deputetët e së majtës “La France insoumise” – “Franca e panënshtruar” kanë planifikuar të mblidhen të martën në mëngjes.

Një Asamble Kombëtare pa shumicë absolute.

Pas befasisë së zgjedhjeve legjislative ku u frenua qartë rritja e së djathtës ekstreme, Franca po kërkon tashmë një shumicë parlamentare përpara se të emërojë një personalitet të aftë si kryeministër për të bashkuar dhe udhëhequr një qeveri të re.

Është një kokëçarje e madhe, në një atmosferë politike të turbullt.

As Fronti i Ri Popullor (me rreth 190 vende), as Kampi Presidencial (me rreth 160 vende), e as Bashkimi Kombetar (me 140 vende) nuk mundën të arrinin shumicën absolute, pra që të kishin 289 deputetë. E majta ka nisur manovrat kryesore për të përzgjedhur brenda rradhëve të saj një kandidaturë për postin e kryeministrit. Kjo duhet të kristalizohet brenda kësaj jave. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka dy mënyra për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër. Ose duhet gjetur një konsensus në rradhët e së majtës, ose duhet organizuar proçesi i votimit në mes tyre (të panënshtruarit, socialistët, të blertët dhe komunistët). Po në të njëjtat ujra të paqarta për momentin po lundrojnë edhe të djathtët e kualicionit të qendrës.

Pas përfundimit të balotazhit, kryeministri Gabriel Attal, mbërriti në Presidencë rreth orës 11 të mëngjesit për të paraqitur dorëheqjen e tij, në përputhje me traditën republikane. Por Macron ka refuzuar duke i kërkuar të qëndrojë në detyrë edhe për ca kohe, për të “siguruar stabilitetin e vendit”, ndërkohë që Parisi do të presë Lojërat Olimpike në më pak se tre javë. Pra nga këto zgjedhje legjislative u arrit t’i pritet rruga ekstremit të djathtë të Marinë Le Penit dhe Jordan Bardelës, por nuk është e thjeshtë të gjendet formula e bashkëjetesës midis presidentit Makron dhe kryeministrit të ardhshëm. Prej këtej do të qartesoheshin edhe rrugët e së ardhmes së Francës por edhe të politikës së jashtmë të saj.

Jashtë kufijve të Francës, situata politike ishte ndjekur me shumë vëmendje. Pothuajse të gjithë kryeministrat evropianë, liderët e forcave politike dhe diplomacitë e larta, i mbanin sytë tek vala e rritjes së ekstremit të djathtë dhe tek aftësitë për koalicionin e “Barrikadës” përballë ekstremeve.

Që nga Polonia e deri në Itali, nga Spanja në Gjermani, nga Brukseli e në Angli, të gjithë kërkonin të shquanin nuancat e ardhshme të Francës, të këtij vendi me pozitë të rëndësishme në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në Lindje, Kremlini i njohur për simpatinë që kishte për Partinë e Le Penit, Bashkimi Kombëtar, tregoi se nuk kishte as “shpresën” dhe as “iluzionin” e një përmirësimi në marrëdhëniet e tij me Parisin.

Edhe Ballkani, Shqiperia apo Kosova nuk mund të shikonin pa vëmendje këtë proçes politik të fuqishëm të Francës në 4 javët e fundit.

Prej këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej edhe një herë pozicioni dhe politika e jashtme e Francës dhe e Europës në lidhje me rajonin tonë.

Ishin zgjedhje me një rreze të gjerë influence në Evropé e në Ballkan.

Si reagoi Partia e Ekstremit të djathtë Bashkimi Kombetar ?

Ishte një surprizë dhe një zhgënjim për këtë parti të ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh sondazhet e fundit paraprake që e nxirrnin në krye. Ishte një zhgënjim i papritur për këtë Parti të ekstremit té djathte të Marinë Le Penit dhe të Jordan Bardelës, që 4 javë më parë fituan zgjedhjet evropiane, dhe parashikonin të ngjiteshin për herë të parë edhe në pushtet.

Në kéto kushte, Marinë Le Penit, nuk i ngelet veçse të thotë se pas 1 apo 2 vjetësh do të vijë sërisht në skenën politike, me përpjekje më të mëdha, për të marrë postin e lartë të Presidentit.

E përsëri ngelet e hapur rruga e votës së popullit francez për të përcaktuar të ardhmen e tij, por në një farë mënyre edhe sferën e ndikimit më gjerë në Europë.

Filed Under: Analiza

Kritika e politikës së identitetit është raciste ose e vonuar

July 7, 2024 by s p

Artan Nati/

Një debat i ashpër mbi drejtësinë sociale dhe politikën e bazuar në identitet duket se ka shpërthyer vitet e fundit në botën perëndimore dhe pak fusha të jetës mbeten të paprekura nga konfliktet kulturore. Për disa, politika e bazuar në identitet është përqafuar si një strategji efektive për të luftuar diskriminimin dhe margjinalizimin. Për të tjerët, mund të duket se politika e identitetit ka rezultuar në luftëra kulturore që përfshijnë konflikte të dhunshme dhe një shkëmbim shkatërrues të etiketimeve.

Politikat e bazuara në identitet shpesh lidhen me çështje të debatueshme si aborti, homoseksualiteti, të drejtat transgjinore, pornografia, multikulturalizmi dhe racizmi. Konfliktet e identitetit përfshijnë gjithashtu orientime themelore si feja dhe ideologjia, si dhe çështje politike që variojnë nga liria e fjalës deri te shpërndarja e pasurisë dhe privilegjeve.

Debatet mbi këto çështje kanë sfiduar pikëpamjet e vendosura mbi barazinë dhe kanë sjellë një kërkesë alternative për barazi të bazuar në identitet si një qasje më e mirë. Edhe vetë termi politika e identitetit është i debatuar, pasi shumë do të pretendojnë se ai është në thelb i njëanshëm dhe përdoret nga ata që kundërshtojnë betejat për drejtësi sociale nga grupet e margjinalizuara.

Kërkesa për njohjen e identitetit të dikujt është një koncept kryesor që shpjegon shumë nga ajo që po ndodh sot në politikën botërore. Pjesa më e madhe e asaj që ndodh sot në botë apo edhe në nivel personal e më gjerë nuk mund të shpjegohet thjesht  me motivimin ekonomik, por  është e rrënjosur në të vërtetë në kërkesën për njohje, dinjitet dhe shpesh për supremaci. Sipas Hegelit, historia njerëzore u nxit nga një luftë për njohje. Ai argumentoi se e vetmja zgjidhje racionale për dëshirën për njohje ishte njohja universale, në të cilën njihej dinjiteti i çdo qenieje njerëzore. Njohja universale është sfiduar që atëherë nga forma të tjera të pjesshme të njohjes bazuar në komb, fe, sekt, racë, etni ose gjini, ose nga individë që duan të njihen si superiorë. Rritja e politikave të identitetit në demokracitë moderne liberale është një nga kërcënimet kryesore me të cilat përballen ato, dhe nëse nuk mund të kthehemi drejt kuptimeve më universale të dinjitetit njerëzor, ne do ta dënojmë veten në konflikt të vazhdueshëm.

Pavarësisht nga pozicioni i dikujt ndaj luftërave aktuale të kulturës, duket e qartë se ato përfshijnë si luftën për drejtësi sociale, ashtu edhe luftën për pushtet. Dhe pyetja është si më poshtë:  A ofron politika identitare, siç po manifestohet aktualisht, një rrugë të përshtatshme drejt drejtësisë sociale, apo është kthyer në një recetë për antagonizmin kulturor, polarizimin politik dhe forma të reja padrejtësie?

Popullsia me ngjyrë ankohet se shumica e udhëheqësve janë të bardhë, gjë që është e vërtetë. Feministet ankohen se shumica janë burra, gjë që është gjithashtu e vërtetë. Së shpejti, gratë me ngjyrë do të ankohen si për seksizmin e burrave me ngjyrë radikalë, ashtu edhe për racizmin e nënkuptuar të feministeve të bardha,  të cilat vetë po kritikohen nga lezbiket për supozimin e natyrshmërisë së familjes heteroseksuale. Ajo që të gjitha këto grupe duan nga politika është më shumë se drejtësi sociale dhe në fakt po prodhon antagonizëm të brendshëm.

Ekziston një hipotezë se politika e identitetit dhe “korrektësia politike”, veçanërisht në të majtë, gjeneroi një reagim të ashpër që zgjodhi Trump në 2016 dhe shancet janë që ai të rizgjidhet në nëntor përsëri. Ky reagim ndonjëherë kuptohet si një kthesë e vetëdijshme ndaj politikave të identitetit të së majtës, duke prodhuar identitetin e shtresës së mesme të bardhë, dhe nganjëherë si thjesht acarim i thjeshtë i shtresës së mesme i [të bardhëve] amerikanë me elitat kulturore dhe një afrim drej gatishmërisë së Trump për të injoruar tabutë dhe devotshmëritë e tyre. Një pjesë e pretendimit në lidhje me politikën e identitetit është se ajo është vetë-shkatërruese dhe kështu duhet të hidhet poshtë, pavarësisht nga meritat e saj thelbësore. Në gjuhën e filozofisë politike, pretendimi është se vëmendja ndaj shqetësimeve të pakicave shkel një kërkesë që normat ose idealet të demonstrojnë stabilitet kur veprohet. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj ideje, duket se është e rëndësishme të tregohet se është e gabuar përpara se të kthehemi te meritat aktuale të politikës së identitetit.

Në botën bashkëkohore, diversiteti  në bazë të racës, përkatësisë etnike, fesë, gjinisë, orientimit seksual etj, është edhe një fakt jetësor edhe një vlerë. Për shumë arsye është një gjë e mirë për shoqëritë. Ekspozimi ndaj mënyrave të ndryshme të të menduarit dhe të vepruarit shpesh mund të stimulojë inovacionin, kreativitetin dhe sipërmarrjen. Njerëzit shpesh i rezistojnë homogjenizimit në kultura më të mëdha, veçanërisht nëse nuk kanë lindur në to. Ata duan që vetja e tyre specifike të njihet dhe jo të shtypet. Ata duan të ndiejnë një lidhje me paraardhësit e tyre dhe të dinë se nga kanë ardhur. Edhe nëse nuk janë pjesë e kulturës, ata duan të mbajnë gjuhët indigjene të botës që po zhduken shpejt, dhe praktikat tradicionale që kujtojnë mënyrat e mëparshme të jetës. Gjërat nuk duhet të jenë në këtë mënyrë. Identitetet kombëtare mund të ndërtohen rreth vlerave politike liberale dhe demokratike, dhe përvojave të përbashkëta që ofrojnë indin lidhës rreth të cilit mund të lulëzojnë komunitete të ndryshme. India, Franca, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë shembuj të vendeve që janë përpjekur ta bëjnë këtë. Një ndjenjë e tillë gjithëpërfshirëse e identitetit kombëtar mbetet kritike për ruajtjen e një rendi të suksesshëm politik modern për një sërë arsyesh. Një demokraci liberale është një kontratë e nënkuptuar midis qytetarëve dhe qeverisë së tyre, dhe midis vetë qytetarëve, sipas së cilës ata

heqin dorë nga disa të drejta në mënyrë që qeveria të mbrojë të drejta të tjera që janë më themelore dhe më të rëndësishme. Identiteti kombëtar ndërtohet rreth legjitimitetit të kësaj kontrate; nëse qytetarët nuk besojnë se janë pjesë e të njëjtit shtet, sistemi nuk do të funksionojë. Por cilësia e demokracisë varet nga më shumë sesa thjesht pranimi i rregullave bazë të sistemit. Demokracitë kanë nevojë për kulturën e tyre për të funksionuar. Ato nuk prodhojnë marrëveshje automatike; në të vërtetë, ato janë domosdoshmërisht koleksione pluraliste të interesave, opinioneve dhe vlerave të ndryshme që duhet të pajtohen në mënyrë paqësore. Demokracitë kërkojnë diskutim dhe debat, gjë që mund të ndodhë vetëm nëse njerëzit pranojnë disa norma të sjelljes për atë që mund të thuhet dhe të bëhet. Qytetarët shpesh duhet të pranojnë rezultate që nuk u pëlqejnë ose preferojnë, në interes të një të mire të përbashkët; një kulturë tolerance dhe simpatie reciproke duhet të kapërcejë pasionet partiake. 

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT