Artan Nati/
Unë vazhdoj të besoj se Shqipëria është e veçantë. Megjithatë, unë refuzoj të besoj se Shqipëria është e jashtëzakonshme, që do të thotë përjashtimi i të gjitha vendeve të tjera. Kjo nuk më bën jopatriotik. Mendoj se ky fakt thjesht sugjeron mendim racional dhe një ekzaminim historik me sy hapur.
Ne jemi në gjendje shumë më të keqe ekonomike, politike dhe kriminalitet të lartë si brenda e jashtë vendit. Nuk është faji i komshijve tanë. Është faji ynë, kolektivisht, dhe nuk na ndihmon fakti që kemi liderët më “patriotë”, të cilët kur diskutohet për dështimet spektakolare të tyre, shndërrohen në nacionalistë duke fajësuar shtetet fqinnje apo edhe më keq kundështarët e tyre politikë.
Megjithatë, kur diskutojmë veçantinë e superioritetin e kulturës, gjuhës dhe zakoneve tona, mendoj se mbart me vete erën e nacionalizmit. Ne nuk duhet të kemi këtë retorikë si objekt kryesor diskutimi. Përzierja e nacionalizmit, religjiozitetit dhe entuziazmit emocional është vdekjeprurëse. Kjo ka bërë që ne të biem në grackën e armiqve tanë.
Që pas luftës së dytë botërore ne përqafuam komunizmin dhe komunistët shqiptarë persekutuan gjithë popullin dhe veçanërisht shtresën intelektuale dhe borgjeze të vendit.
Kjo nuk na bën të jashtëzakonshëm. Na bën një enigmë dhe na detyron të gjejmë të keqen te vetja.
Është e vështirë të mendosh për ndonjë arritje fantastike pas viteve 90, mgjs demokracia e re (nqs mund ta quajmë demokraci) pati arritje të padiskutueshme. Shpërbërja e shtetit në 97-tën si edhe korrupsioni masiv dhe krimi i organizuar që bëjnë ligjin në Shqipëri nuk na bëjnë aspak të veçantë, por përkundrazi duhet të kuptojmë se armiku më i madh i yni është vetvetja.
Një komponent kyç i nacionalizmit është demonizimi i të tjerëve dhe kurrë vetvetja, klasa politike dhe kultura jonë. Natyrisht nuk mund të mohojmë rrolin negativ dhe pengues të komshijve tanë, por kjo është një arësye më shumë për të përsosur veprimtarinë tonë, sepse vetëm kjo është në kontrollin tonë.
Të sugjerosh se shkaktari kryesor janë vendet fqinje është njëlloj sikur të pranosh se vendi ynë drejtohet nga engjëjt. Dinakërinë e tyre, politikanët tanë duan ta shesin për zgjuarsi dhe me pazaret dhe dredhitë e tyre mendojnë se mund ta çojnë vendin në Europën e Bashkuar.
Sikur këta politikanë të ishin ëngjëj vazhdojnë e betohen për kushtetutën dhe zbulojnë armiq edhe në rradhët e Europës perëndimore dhe SHBA-ve dhe ne shtërngojmë rradhët rreth tyre duke e shitur këtë si patriotizëm. Patriotizmi nuk duhet ngatërruar me tribalizmin dhe populizmin. Prandaj nuk mund të romantizojmë tribalizmin sepse ai në thelb është i lidhur me demonizimin e të tjerëve dhe aq më keq ta shesim për patriotizëm.
Megjithatë, ne jemi krenarë dhe mburremi me heronjtë tanë kombëtarë si Skënderbeu si mbrojtës i krishterimit në Europë, si vend me përkatësi tërësiht europiane dhe me gjuhën nga më të vjetrat në botë. Por kjo nuk e zgjidh problemin përkundrazi duhet të na motivojnë që t’i tregojmë perëndimit se jemi të denjë për të hyrë në Europë. Por patriotizmi mund të bëhet i rrezikshëm nëse theksohet shumë. Nëse dashuria për vendin tonë bëhet e verbër, nëse është e pakushtëzuar dhe e padiskutueshme, nëse humbasim aftësinë tonë për të kritikuar dhe kërkuar ndryshim për hir të traditës, atëhere ne kemi kaluar në tribalizëm dhe populizëm. Patriotizmi kërkon ndryshim dhe përmirësim dhe nuk e mbyt disidencën për hir të status quo-së.
Përkundrazi, një patriot duhet t’i vërë në dukje problemet me shpresën se, me përpjekje dhe vullnet ato mund të zgjidhen. Ndryshimi duhet të përkrahet dhe të mbështetet.
Patriotizmi i vërtetë përfshin një angazhim për të mbajtur qeverinë e vet përgjegjëse dhe për t’u siguruar që ajo u shërben interesave të njerëzve që ajo përfaqëson. Patriotizmi i vërtetë është të shikojë me sy kritik liderët e partive, drejtuesit e institucioneve sepse e keqja më e madhe vendit tonë i ka ardhur nga besimi absolut në komunizëm si edhe më vonë pas viteve 90 te besimi i verbër te demokracia dhe liderët e partive. Patriotizmii sugjeron se ndjekja verbërisht e qeverisë, pavarësisht nga veprimet e saj, nuk është patriotizëm, por më tepër dështim për të përmbushur detyrën tonë si qytetar. Kjo ndjenjë rezonon me konceptin e përgjegjësisë qytetare dhe rëndësinë e angazhimit aktiv në procesin politik për të mbrojtur vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar një komb. Është për të ardhur keq por e vërteta është se në vendin tonë patriotizmi është shpesh një nderim arbitrar i pasurive të paluajtshme mbi parimet. Kështu ndodhi me patriotizmin e udhëhequr nga feudalët shqiptarë që maskuan interesat e tyre ekonomike me patriotizmin e rremë që nuk inspiroi masat përkundrazi pati efekte negative. Ndërsa komunistët zëvënndësuan patriotizmin me internacionalizmin dhe indoktrinuan një pjesë të madhe të shoqërisë, biles ish komunistët, ushtarakët dhe një pjesë e madhe e superstrukturës së kohës, në vend që të kërkojnë falje, këmbëngulin se gjithçka e bënë për patriotizëm. Në këtë rast duhet të themi që këta “patriotë” ose nuk janë të ndershëm, ose kanë mungesë intelegjence.
Në ndjekjen e patriotizmit, duhet të udhëhiqemi nga inteligjenca për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi si dhe nga mençuria për të hartuar një rrugë që të çon në një të nesërme më të mirë për të gjithë. Patriotizmi inteligjent njeh kompleksitetin e botës sonë dhe kërkon zgjidhje të efektshme dhe të drejta, të udhëhequra nga mençuria e historisë dhe largpamësia e së ardhmes. Patriotizmi i pasuruar nga inteligjenca dhe mençuria nxit një komb që evoluon, përshtatet dhe lulëzon në një botë në ndryshim.
Sigurisht, ne kemi nevojë për një vlerësim intelegjent të realitetit, dhe vetëm ndoshta kjo do të na përmbajë nga patriotizmi fallc dhe mburrja e të qënurit komb i veçantë, por do të mbante lart flamurin se Shqipëria ka mirësinë, vizionin dhe potencialin për të qenë një komb shumë më i mirë. Vetëm kështu mund të quhemi komb i veçantë, por në heshtje dhe pa spaleta në supe.