• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAFIKIMI I SHPIRTËRAVE

June 6, 2014 by dgreca

Elokuenca shpëtimtare/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1.
Ka kohë që shtypi gjerman është mbushur pezm i gjithi për një miqësi të çuditshme, dendësia e së cilës vete përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike. Kishte patur shkas një hendikep dhe do të vijonte e prushtë përballë sfidash dhe mënirjesh rrotull saj. Mbahej takimi i G8-es në verën e largët, tash 14 vjet, dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder që do të humbiste më pas nga një Zonjë enigmatike, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Në atë çast, thuase pikaste orën e tij, do ti gjendej pranë Shefi i Kremlinit (i kësaj „ngrehe satanike“, „strehe tiranësh“, „mbeturine dinosaurësh“, e „banese qenjesh të Apokalipsës“, sipas frëngut Marquis de Custime, cituar nga libri „Kremlini“ të brites Catherine Merridale) që, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë. Mandej, ndër vite, ajo, e shndërruar në patneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi berlinez), kje një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së shthurur. Të tilla ishin ato të vitit 2000, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me 6 miliardë Mark nga tagërdhënësit gjermanë. Apo tani kur shtjella ukrajinase e ka vënë në leçitje kompromituese dhe, kur, gati si tek baladat e moçme, ç’ndërton ditën kryediplomati i vyer, e rrëmon dora e pamirë, me ndryshimin se tani kjo dorë nuk është as mistike dhe as e huaj. „Lidhja“ e paepur nuk është rastësore, nuk ka rënë si murmurimë në qiellin pa rè. Socialdemokratët tradicionalisht kishin njëlloj squllosje, afeksioni të ndonjëhershëm sllavolindor. I shkonte krejt ndesh rrjeshtimit dhe ishte disonante distanca e Helmut Schmidtit nga „antiputinizmi histerik“ që, pohon ai, rritë probabilitetin e Luftës së tretë. Vështrimi se „Kombi ukrajinas nuk ekziston“, („Bild“) mund të pretendojë të vërtetën, (sipas këtij rezoni real, as identitet e komb maqedonas nuk mund të ketë), por konteksti dukej rëndshëm i gabuar. Konformohej në plotëri me pozicionin rus dhe është ky flatrim i tij arrogant që paraqet rrezikun e Luftës së përbotshme. Akoma kujtojmë të Majtën (Gregor Gysit) të dalë nga gjiri i Partisë punëtore të Honeckerit, tek kundërshtonte hapur e plot agjitim negativ, ndëshkimin natoist të regjimit millosheviqjan. Si për të konsoliduar përshtypjen, Mathias Platzeck (Premier disavjetësh i Brandenburgut) i pyetur se a ka një mirëkuptim të heshtur në Landet e reja që i përkisnin ish-kampit sovjetik për aneksionin e Krimesë a për copëtimin e Ukrajinës dhe athua shpjegohet kjo rezervë e fshehtë me zhgënjimin e tyre pas Ribashkimit, do t‘përgjigjej shkurt – marrëzi! Ndoshta, njëmend, ngjan të jetë ashtu, por vetë pyetja ndrynë në vete një gjasë përceptimi të tillë, një vrajë të ndrydhur nostalgjie…
2.
Urtia e njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, rrah të provojë sërish praninë e saj. Kjo miqësi tek keqermon aq padurueshëm, megjithatë ka përnxitur dhe mbërritje të mëdha. Jemi mësuar këto motet e mbramë të konsumojmë eksperienca e dije vetëm nga landet sipër Vjenës. U bëmë, si me thënë, njësh me to dhe arealin e tyre qytetnues e përjetojmë si aspiratë të ligjshme të natyrshmërisë sonë. Po kësaj radhe, në vend të dogmave e tabuve të dikurshme, një zhdërvjelltësi e mrekullueshme gjuhësore vjen nga moskovitët e harruar. Përveç dalëzotës interesash të ngushta jetike, ky shoqërim i rrallë elitar shohim të ketë ndikuar dhe begatimin elokuent të leksikut politik, sa që në Rusi është farkuar një term i ri interesant. Për të shitblerë një politikan që do të kryente punë pas perdes në hemisferën perëndimore, sugjerohet prerë e shkurt: ”Schroderisazja” (“Focus”), që i bie një si „shrëderim“ apo ta “shredërosh” dikënd, që s’është pos një ekuivalent i shprehjes për korruptimin e tij. Në fakt, rusët kanë prore për të bërë në oborrin e vet të kënetëzuar. Rendi i oligarkëve, përndjekja e opozitarëve, përsekutimi i mendimit të lirë – janë tipare shenjëzuese të këtij kapitalizmi të egër e brutal. Veçse gjetja e tyre ingjenioze i referohet, tashmë jo përplasjeve vetore, por relatave globale. E tillë, frymëzuese dhe e kursyer, ajo mund të ketë përhapje të gjerë drejt kulturash të tjera gjithandej botës.
Por, ah kjo e bekuara gjuhë shqipe! Më lehtë dhe elegantisht se asnjë tjetër, identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me e shredërue“ (ta shredërosh ose shredëroje), përkon asociativisht përfekt me fjalën e kategorisë morale, “me shnderue”, (pra, shnderim, ta shnderosh) një fatkeq. Po a s’është kjo e njëjta gjë? Nëse, ndaj, t’ia trafikosh dikujt shpirtin, ta çmoralizosh atë, qenkësh „shredërim“, aherë a nuk është bëma e barasvlershme me „shnderimin“, madje më keq ende, me „shnjerëzimin“ e tij? Aq më tepër kur ai, paraprakisht, është vetëpajtuar me groposjen mjerane…
3.
A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, pra, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm! Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me e hashimue (ta hashimosh) dikënd, ose, më drejtë akoma, “mustafim” a ta „mustafosh“ , që nënkupton ta prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktori “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë neologjizëm shpëtimtarë. Kurse, në praktikën rutinore, mbase, do të thuhej „hysenizim“ i ndokujt, mandej, sa paq o Zot, “grabovcoje” a “bukoshizoje” të shkretin, ose poaq përkitshëm „ardiangjinoje“ e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun… Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan dhe njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet me gaz darëve të ëmbla të shpërdorimit.
Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeria e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare. Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat yni i rezervuar përjetshëm?!
Berlin, qershor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Rexhep Kasumaj, TRAFIKIMI I SHPIRTËRAVE

ËSHTË KOHA TË ÇLIROHEN PAK NGA KRAVATAT PATRIOTËT QË NA PATËN “ÇLIRUAR”,SE JEMI LODHUR NE DHE ATA VETË

June 6, 2014 by dgreca

Dy ditë para një verdikti të madh:/
NGA SINAN KAMBERAJ/
1.
Nipi im i vogël pesëvjeçar, Loni, ka ndarë mendjen që në zgjedhjet e ardhshme të kandidojë për president të SHBA-së. Mua, dyshuesin e përjetshëm ballkanas, dje përpiqej të më bindte edukatorja e tij Mrs. Jenny ta mbështesja për këtë synim te madh. Pse jo, tha ajo, duke buzëqeshur, kur i ka të gjitha parakushtet! I zgjuar, i dashur, i bukur, fisnik, mirënjohës, besnik, i ndershëm, i sinqerte, i mençur … Ajo më fliste për tiparet që e stolisnin figurën e tim nipi, pa e ditur se në vendlindjen e gjyshit të tij, këto virtyte te fisnikerise ka kohë që quhen vese. Atje, pra ne vendlindjen e gjyshit, qe nga clirimi e kendej, virtyte quhen dredhia, genjeshtra, mashtrimi, kopilia … gati sa s’i thash Jenny-t që po më vështronte si të përhumbur. Per fat, s’i thash. Rastesia e shpëton shpeshherë patriotin nga akti i shëmtuar i tradhëtisë kombetare. Loni më ka thënë se e do shumë edhe vendin tënd dhe se sivjet do të shkojë atje bashke me ty, tha Mrs Jenny. Po, po. Loni i gjyshit mund të shkojë në Kosovë me gjyshin, pse jo, e konfirmova dhe une? Por, s’mund të rrijë gjatë atje, thashë me vete. Ka kohë që edhe gjyshi po shkon gjithnjë e më rrallë atje. Duhet ta vuajë denimin e ikjes nga Atdheu njezetedy vjet më parë. Ata qe u bene sebep për ikjen e gjyshit, s’janë më aty. Kanë ikur barbaret, ose figurativisht – kane vdekur. Por, do ti që, ata qe pengojne kthimin e gjyshit jane gjallë e të fortë. Të forte jane, përsa kohë qe gjenden trutharë që i votojnë të dielën …I ka pare gjyshi, kur kane hyre ne Kosove, “clirimtaret” qe erdhen nga hotelet e Tiranes, kur i lane kallashat kineze anash dhe i rroken kazmat , per te “cliruar” dycane e banesa te shqiptareve, te atyre fatzinjve qe s’ishin kthyer akoma nga eksodi, nga kampet e Burrelit dhe te Bllaces.
Do te votojne te dielen edhe mergimtare nga Diaspora, kryesisht “shatcat” nga Evropa, sic u thone me perkedheli vendalitë, se jane me afer Atdheut. Por, dikush eshte kujdesur mire t’i lë jashtë listave votuese qindamijë mergimtarë në Diasporë. Gjyshi i Lonit nuk e ka problem. Babai i tij i ndjere, vdekur para dhjete vjetesh, voton rregullisht, dhe, meqe vota eshte e fshehte, vetem komisioneret me patllake ne shoke e dine per ke ka votuar fatbardhi stergjysh i Lonit. Fundja aq u bën pushtetareve pse kane mbetuar rreth gjysme milioni mergimtare jashte listave votuese. Kanë serbë boll të Serbise qe votojne ne Kafenene “Dollce Vita” ne Mitrovice. Aq sa u duhen për koalicion qeveritareve qe i ka kapluar paniku zgjedhor. Fytyre eshte kjo, shkon sahora, nese nuk dalin ne zgjedhje edhe Rojet e Urës.
Lamtumirë Mrs. Jenny! Hajde, Loni me gjyshin.

2.

Rreth nje milion e shtatëqindmije zgjedhes ( nga rreth 1.600.000 banore (!) sa ka Kosova simbas regjistrimit te fundit te popullsise), thene figurativisht, i kane 101 arsye per ta ndeshkuar te dielen me vote koalicionin qeveritar, që po ikën me panik, koalicion që pat dalë tri vjet më parë nga PD e Hashim Thaçit me disa partiçka, satelite te saj.
Është e tepert te thuhet se qytetaret e Kosoves do ta mbajne mend per nje kohë te gjatë keqqeverisjen gjashtëvjeçare te PD-së, kësaj krijese të majte, por te vetëquajtur e “qendrës së djathtë” (!). Kjo parti e djathtamajte, e modeluar sipas instruksioneve të SHIK-ut famëkeq shqiptar, do te mbahet mend vetem per dekorime e shpallje reciproke me PS-ne moter, te drejtuesve te tyre, Qytetar Nderi, si ilac per sherimin e komplekseve te perkatesise fshatarake, oh, te vellezerve kosovare; te shpalljeve reciproke Doctor Honoris Causa, poashtu si nje ilac per sherimin e komplekseve te shkollimit te shtyer, per arsye objektive, gati ne pleqeri.
Ky, zaten, ishte misioni i vjeter i mandatit te Dyte te Partise Demokratike te z. Thaci. Gati harrova. Kjo parti, ne mandatin e parë te saj pat thënë se pike kryesore e Programit te saj do te jete industrializimi i shpejte i vendit. Keshtu i kishin sugjeruar ministrat e tij me mastere evropiane. Dicka nuk shkonte me industrine, si dege e ekonomise. Meqë nuk arriti ta realizonte premtimin ne kete mandat, në zgjedhjet vijuese u mor me një industri tjetër – atë të vjedhjes së votave, si kusht sine qua non , qe thoshin latinet e vjeter. Ndërkohë, kur u pa si profitabil ky zanat, doli ne skene një biçim i oligarkëve matrapazë vendorë, nje mbetje “vëllazërore kariqësh”, pastrues parash te pista, së bashku me (me nder jush) biznesm…, të rodit të njëjtë – të cilët, – siç pat thënë një gazetar bukur moti, – hanë në Azi e (prapë me nder jush) dh… ne Kosove, duke u bënë paterica të “Partisë së Madhe”. Ky bashkëdyzim, qeveritarë e oligarkë, e ka shfytyruar lirinë e shumëpritur me shekuj, te fituar pas nje pergjakjeje te madhe shqiptare. Ne mos per asgje tjeter, Qeveria ne ikje e Kosoves duhet ndeshkuar me vote kesaj radhe, per shkak te zellit te saj te tepruar per te mbuluar me harrese gjithcka qe ka ndodhur pak vjet me pare, Golgoten Kosovare, zhdukjen potenciale nga faqja e dheut te nje populli te tere. Qeveria ne ikje, me gazetaret e vet tupanxhinj, promovoi harresen, duke e mbuluar me genjeshter se gjoja Perendimi do qe te harrohet e kaluara, per hir te se ardhmes. Kjo nuk eshte e vertete aspak, sepse Pernedimi promovon faljen, se falja eshte akt biblik, por jo harresen, se harresa eshte barbari, eshte nena e perseritjes se kobit mbi harrestaret. Qeveria ne ikje fali, pa ia kerkuar kush ate. As vete serbet, ata qe i bene krimet monstruoze mbi shqiptaret duarthate.
Qeveria qe po iken me panik thoshte panderprere se kishte plane per Veriun, pa pasur asnje plan fare. Pune e madhe, u kthy a s’u kthy sovraniteti mbi Mitrovicen dhe tri komuna te tjera ne Veri! Kosova do te kete prape veri, packa se Veriu i saj do te vetevaret ne kangjellat e Ures se Ibrit.
Shtypi serioz kosovar ka dyshuar dhe ka thene shume here se nga portat doganore ne Veri rrjedhin milionat qe derdhen kriminalisht ne xhepat e ologarkeve kosovare. Haracxhinjte, te pabreket e darkes, simbas poetit Ali Asllani, mengjesi i gjen milionere. Dhe bertasin ne kupe te qiellit. Poshte hajnat, kapini hajnat. Ne dijme me bo pushtet. Ne duam pushtet. Sepse duan miliona. Miliona te turpit.
Qeverise qe po iken me panik po i vetevriten cdo dite, fatkeqesisht, nga varferia, pa buke per femijet e tyre, ata qe dhane gjymtyret e trupit per lirine e Kosoves.
Cka kane punuar qeveritaret e Kosoves me pare? Ku kane punuar? Cfare shkruajne ne CV-te e tyre? Kane luftuar. Vete kryeqeveritari ne ikje, posi Shen Pjetri i Nolit, here pohon e here mohon. Pohon se ka qene ne ballet e luftes, por kur i bie ne mend dicka, thote se ka qene ne ballet e luftes, jo ne Kosove, por ne Tirane.
Qeveria e Kosoves qe po iken me panik thote se ka fituar shume beteja, si ne lufte, ashtu dhe ne paqe. Ama nuk e ka fituar nje beteje pikerisht ne Drenice. Betejen me rriqrat. Nuk luftohen rriqrat me lutje te Dr. Adhamudhit, ministrit te shendetesise. Po, Z. Thaci nuk merzitet per endemite ne kete zone, ku sipas tij, ka shume zagare dhe, per pasoje, pak votues. Keshtu i ka thene me goje te vet “shefit te shefave”, kur ky po i raportonte kryeshefit qe po skijonte ne Bullgari, ku po pushonte, pasi ishte lodhe, tmerresisht shume, ne bisedat maratonike me Daciqin e Serbise.

3.

Shkurt. Qeverise qe po iken, me gjithe ate ordi zyrtaresh badihavxhinj, zv.kryeministra, ministra e zv.ministra, drejtore drejtoratesh e shefa agjencish, gjysmëanalfabetë me diploma e doktoratura te blera në Shkup e në Shkodër, madje edhe në Arizonën tejoqeanike (online), nuk i bëri dhe nuk i ben syri vërr për gjashtë vjet per te berat e te paberat e saj. Qeveria qe po iken me panik, as u skuq per gjashte vjet nga mileti, të cilin e sundoi brutalisht; as u tremb nga raportet e agjencive nderkombetare, qe e renditen Kosoven ne top-listat e vendeve me te korruptuara, më të varfëra e më të kriminalizuara ne Evropë.
Qeveria që po ikën do të mbahet mend për një mal aferash korruptive, do të kujtohet per të keq për jetë të jetëve për privatizimin barbar të fabrikave e tokave, pronave shoqërore e publike, për zhvatje të buxhetit të varfër, bash si në bahçe të babës, për kurdisje tenderesh milionëshe në favor të familiarëve e militantëve me kallasha në krah, për nepotizëm e klientelizëm, për pjesëmarrje në trafiqe të ndyta e të turpshme…
Qeveria në ikje e Kosovës do të mbahet mend për shkatërrimin e sistemeve të shtetit: sigurine dhe mbrojtjen e vendit, sistemin banker, atë të shëndetësisë, sistemin e arsimit e të kulturës, te mbrojtjes sociale, të doganave e tatimeve…
Duke vendosur ne krye te ekonomisë së vendit njerëzor të paaftë, nuk mund të ndodhte ndryshe pérveçse një shkatérrim I plotë i shtresës së mesme sociale, i asaj klase, të cilën sociologjia perëndimore e njeh si bosht kurrizor të shtetit. Qeveria qe po iken me panik ka krijuar nje bicim shteti me dy klase: politikane pasanike milionere, ne nje ane, dhe varfanjake te pabuke, ne zgripc te varrit.
Qeveria e Kosovës që po shkon, do të mbahet mend për vrasjen e shpresës se në ketë vend mund të jetohet me punë e me nder, me respekt dhe dinjitet. Qeveria e Kosoves që po shkon e ka stimuluar amoralitetin, ka kultivuar dhe nxitur veset më të kqia shoqërore – fodullllëkun e servilizmin, arrogancën e urrejtjen, mizantropizmin e shpirtngushtësinë, dhe, mbi të gjitha – rrenën e mashtrimin – këto dy vese të sojit të keq njerëzor, të cilat u bënë paradigma të qeverisjes së saj.
Prandaj, koalicioni qeveritar i derisotëm duhet të shkojë, ndërsa partitë që e pollën dhe na e lane ne dere dobicin, duhet të pushojnë pak, se janë lodhur me “vizionin, qofte ai i ri, apo i vjeter”, se nuk mund të bejne gje, pavaresisht se thone “ne kryejnë punë”, as me zona të lira, e as te mbyllura ekonomike, për sa kohë që nuk dijnë ta bëjnë dallimin midis simulimit dhe stimulimit të zhvillimit ekonomik pocurkor të vendit.
Është koha të çlirohen nga ato kravata të mallkuara që ua kanë zënë frymën qe gjashtë vjet, t’u kthehen arave e kopshtijeve, pazareve te kafshëve, zabeleve me dhi, se, nuk e dijne te gjoret qe aty do ta ndjejnë vetën më mirë, qebesa e Zotit.

4.
Bashke me nipin tim te vogel, Lonin, jam kthyer ne banesen time ne Yonkers. Shtatedhjete, nga 97 kanale shqiptare ne DigitAlb, transmetojne muzike. Une, i papermiresueshmi, ndegjoj muzike nga Jugu. Ai fle i qete si qingj. Sa i tmerrshem eshte televizioni, nje mashtrues i pashpirte. Te krijon pershtypjen se i tere nje popull vallezon perdite. Kendon pernate. S’ka asnje hall. Do t’i besoja Televizionit, po te mos kisha punuar vete 16 vjet ne nje te tille..
Ose, pertej pretendimit se di shumecka, mbase nuk di t’i shpjegoj fenomenet.
E therras ne ndihme Konicen.“Shqiperine e kane krijuar idealistet, e ka shpetuar rastesia dhe mund ta shkaterrojne politikanet”. Afersisht keshtu ka thene mendjendrituri. Pse te mos vleje kjo edhe per Kosoven?
Eshte fatlum nipi im i vogel. Fle si qingj. Ai s’ka nevoje te meditoje. Mediton gjyshi. Fundjaven, ai e ka hallin e vet: duhet ta mbaje permtimin – te pergatitet per zgjedhje presidenciale ne ShBA. Gjyshi mediton.
Kriza morale që ka mbërthyer Kosoven mbas Çlirimit, mund të jetë, ndoshta, pasojë e një “jete qenqe“, siÇthote poeti Ali Podrimja në një poezi të tij, pasojë e një jete të gjatë në robëri, ndaj, mos o Zotynë, të pamësuar me lirinë, s’e durojme, e “refuzojmë” kaq ashpër atë. Jo, mor jo, s’jemi fajtor ne. Heronjte e gjalle, qe shkelin mbi vdektaret, qe na shohin ne si kope jane fajtore. Ata na shohin se plebej. Ose, si dicka ne forme vote. As me shume, as me pak.
Pra, nuk kam asnje dyshim se nekëtë katrahurë egërshane antivlerash që kanë dalë në sipërfaqe, Kosoven po e ngulfasin, po ia zënë frymën pushtetaret mujsharë, duke e shtrënguar fort e me patriotizem, “nga dashuria e madhe që kanë për të”. Të tjerëve, pra Ne, s’na mbetet tjetër, përvecse t’i lusim Ata: “Na lini, aman, edhe ne ta duam pak Atdheun”!
Por, sic na meson Shqiperia 100 vjecare, pushtetaret hajdute nuk ikin me te lutura. Ata ikin vetem kur t’i ndeshkoje sovrani, votuesi i ndergjegjshem.
Te dielen duhet te behet kthesa e madhe. Ate e kane ne dore votuesit.
—–
P.s.
Për sa i përket preferencës sime personale politike për votimin e sivjemë, si një rugovist i sojit që nuk fiton gjē drejtpërdrejt personalisht nga përkatêsia partiake, votoj pro LDK-së, jo vetëm pêr shkak inercioni, por pêr arsye të bindjes sime të thellë, se LDK përfaqëson , siç e ka thênë me të drejtë edhe kolegu im i nderuar H. Matoshi, nē kolumnen e tij të fundit para zgjedhjeve, se “LDK-ja duhet që t’ua ruajë dhe balancojë dinjitetin të gjithë atyre që kanë dhënë kontributet e tyre në shërbim të kauzës kosovare për liri e demokraci dhe në shërbim të partisë së Rugovës”, duke shtuar se (…) vota për LDK-në më 8 qershor është paralajmërim se Republika e Kosovës ka edhe traditat e saj humaniste, edhe emër të mirë, sepse ka gra e burra të mirë dhe mbi të gjitha qytetarë të edukuar, të cilët do t’i thonë jo klanit “Pronto.”

New York, 6 qershor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: "ÇLIRUAR", ËSHTË KOHA TË ÇLIROHEN PAK NGA KRAVATAT PATRIOTËT, NE DHE ATA VETË, QË NA PATËN, SE JEMI LODHUR, Sinan Kamberaj

“Tradition and History Matter to Albanians””

June 5, 2014 by dgreca

By David L. Phillips/
Tradition and history matter to Albanians. As Kosovars go to the polls on Sunday, they should remember that independence was no gift. The decision to go to war and the determined effort by the United States and its allies to realize Kosova’s independence was the culmination of efforts over many years. The Democratic League of Kosova (LDK) played a pivotal role in giving Kosova’s cause credibility.
The LDK was established as a national party on December 23, 1989. Albanians flocked to join the LDK as an expression of discontent with Serbia’s tyrannical rule. Ibrahim Rugova, whom I am proud to call a friend, was not a professional politician. He was a scholar of literary history and aesthetics whose populist nationalism gave voice to the grievances of Kosova Albanians.
The LDK refused to participate in Serbian elections and boycotted Serbian institutions. When Kosovars went to Parliament on July 2, 1990, the building was blockaded by police. Kosovars met on its steps in an act of defiance. The Kosova Assembly convened in Kacanik and declared independence on September 7, 1990. The LDK’s platform repudiated ethnic cleansing. It rejected minority status for ethnic Albanians in Serbia. It demanded communication and free travel to Albania. A referendum was held on September 26. Ballots were cast by 87% of voters and 99% voted for independence.
I was witness to dozens of meetings between the LDK leadership and U.S. officials. The LDK cultivated strong bipartisan support in the U.S. Congress including Senators Bob Dole and Joe Lieberman, and Congressman Tom Lantos and Bill Broomfield. Kosovars have no better friend on Capitol Hill than Congressman Eliot Engel. These friendships did not spring up overnight. They were the result of hard work by the LDK and Albanian Americans.
Though Kosova had no legal status, the LDK succeeded in working within the UN-system. It was helped by Albania, a UN member State, to make its case. After years of the LDK’s advocacy in Geneva, the UN General Assembly finally adopted a stand-alone Kosova resolution on March 13, 1995. It described discriminatory measures against ethnic Albanians in Kosova – torture, killings, arbitrary arrests, searches, forced evictions, the closing of Albanian-language secondary schools and the university, as well as scientific and cultural institutions. According to an Albanian friend, “We finally got Kosova out of Yugoslavia.”
As the face of Kosova’s independence movement in the United States, Dr. Rugova was committed to working with U.S. officials on political dialogue. These efforts were doomed, however, by Serbia’s aggression. Rugova joined Kosovars deploring the murder of Adem Jeshari and his family in Donji Prekaj on January 22, 1998. Though Rugova accommodated U.S.negotiations at Rambouillet, he knew that Belgrade would never agree. He understood that NATO would only get involved once diplomacy had fully and finally run its course.
As a gesture of appreciation for the LDK’s historic role, the LDK won 21 of 27 contested municipalities and 58% of the popular vote in elections of October 2000. However, Kosova’s interim status was untenable. The 2004 spring riots galvanized action by the international community.
Elections were held in October 2004. Ramush Haradinaj became prime minister on December 3, 2004. Rugova and Haradinaj served together in leadership positions for just 100 days. This period – a “golden age” – represented a unique time in Kosova’s political life. Kosova developed an action plan for self-rule. Kosovars took responsibility for their future.
Mr. Haradinaj was sent to The Hague based on politically motivated and trumped up charges. Under new leadership, Kosova entered a period of stagnation with politicians placing self-interest above the greater good.
Kosovars could see that Dr. Rugova was unwell when he showed up to inaugurate the Mother Teresa Cathedral on August 26, 2005. I was with Dr. Rugova at his home just a few weeks before he died. He wore a baseball cap to cover his balding from chemotherapy. Dr. Rugova was determined to live and celebrate Kosova’s independence, but he passed away in the middle of negotiations. President Bush wrote, “The United States has lost a true friend.” Condoleezza Rice issued a statement, “Even while battling his final illness, President Rugova worked to bring unity to Kosova’s leaders and hope to its people.”
The dream of independence was born at the Kosova Literary Society in 1989. It was realized after Dr. Rugova’s death. I was honored to be in Pristina for independence celebrations on February 17, 1998.
To this day, I am amazed, and proud, that the United States went to war to prevent from happening in Kosova what happened in Bosnia. Kosova was always a bipartisan project in the United States. President Bill Clinton deserves credit for exhausting diplomatic options and then leading NATO’s action in 1999. President George W. Bush also deserves credit for stewarding Kosova’s coordinated declaration of independence.
Today Kosova is free. It is, however, flawed with serious problems. Every UN Member State should recognize Kosova’s independence, but only 106 have recognized it so far.
Now is the time for Kosovars to vote and express their determination for reform. Democracy and good government will make Kosova an equal and respected member of the family of nations.
David L. Phillips is Director of the Program on Peace-building and Rights at Columbia University’s Institute for the Study of Human Rights. He served as a senior adviser and foreign affairs experts at the U.S. Department of State during the administrations of President Clinton, Bush, and Obama. Phillips is author of “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U.S. Intervention” (Harvard’s Kennedy School and NBC Publishing).

Filed Under: Analiza Tagged With: “Tradition and History, David Philips, Matter to Albanians"”

ALEANCA E PERJETSHME SLLAVO-GREKE

June 5, 2014 by dgreca

Aleanca e përjetshme e krerëve ortodoks të vendeve sllave dhe greke,Patriarku serb Irinej nderon me medalje Anastas Janullatosin/
Foto: Pa koment- NISH,6/10/2013/
Nga Arben LLALLA/
Tirana priti më 1 Qershor 2014 krerët më të lartë të disa kishave ortodokse botërore si Patriarku Ikumenit me qendër në Stambollë Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarkun e Rumanisë, Daniel, Patriarku i Serbisë, Irinej, Kryepeshkopin e Greqisë, Jeronimin, atë të Qipros, Krisostomin, Kryepeshkopin e Varshavës, Sava, dhe shumë delegacione të larta fetare nga Rusia etj. Ky takim kishte për qëllim shenjtërimin e kishës në Tiranë “Ringjallja e Krishtit”. Në këtë meshë madhështore pati edhe incidente të ndryshme, ku Patriarku i Serbisë, Irinej me tifozët e tij nacionalistë përmbysën kupën e bukës së mikpritjes shqiptare. Nga këto provokime nuk reagoj kryepeshkopi i Shqipërisë hirësia e tij z.Anastas Janullatosi. Tek e fundit përse duhet të reagonte z.Janullatosi, kur nuk ishin ofenduar grekët dhe Greqia, por ishin ofenduar shqiptarët dhe Shqipëria!? E përse duhet të reagonte z.Janullatosi nga provokimet serbe për pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë, tek e fundit ai, ka mbaruar shkollën e rezerviste në drejtimin për një luftë të Greqisë kundra Shqipërisë!
Pati mendime të ndryshme se përse nuk u ftua në këtë aktivitet kryepeshkopi i Maqedoninë dhe i Ukrainës duke menduar se mosftesat lidhen me çështjet politike, por e vërteta është krejt ndryshe. Kryepeshkopi i Maqedonisë z.Stefan nuk është ftuar në aktivitetin e Tiranës sepse Patriarku i Stambollit z.Vartholomeu, në vitin 2013, ka bërë një reagim të fuqishëm kundër kryepeshkopit të Maqedonisë z.Stefanit, ku përmendi problemet që ka kjo kishë si mos njohja nga asnjë kishë e botës, arrestimin dhe burgosjen e Peshkopit të Ohrit z.Joan i cili është dënuar për shpërdorim fondesh me rreth 3 vjet burg. (Kisha ortodokse e Maqedonisë është shkëputur nga gjiri i kishës serbe në vitin 1967, por asnjëherë nuk është njohur nga asnjë kishë ortodokse në botë).
Por mosftesa nga ana Kryepeshkopit të Shqipërisë hirësia e tij z.Anastas ndaj kryepeshkopit të Maqedonisë Stefan lidhet edhe me dy probleme personale që ka Anastas Janullatosi me këtë drejtues ortodoks. Kryepeshkopi i Maqedonisë Stefani, kur ka qenë Peshkop i kishës së Ohrit në fillim të viteve 1990 ka pagëzuar prift, priftin e kishës së Elbasanit “Shën Maria”, At Nikoll Markun i cili njihet si kundërshtari më i ashpër i kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastas Janullatosit. Problemi tjetër personal i Janullatosit me kryepeshkop Stefanin lidhet edhe me çështjen e pazgjidhur të emrit që ekziston prej kaq vitesh midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Sa për çështjen e mosftesës së Kryepeshkopit të Ukrainës që disa analistë e lidhin me problemet politike që ekzistojnë midis Ukrainës dhe Rusinë, kjo nuk është e vërtetë sepse në Tiranë më 1 Qershor nuk ishin ftuar as krerët e kishave ortodokse Armene, Gjeorgjiane, Moldave dhe e shumë vendeve të tjera të cilat nuk janë anëtare e Lidhjes së Fshehtë të disa kishave sllave dhe greke.
Në aktivitet u panë e fytyrat e nacionalistëve grek që punojnë prej shumë vitesh për aneksimin e jugut të Shqipërisë si greko-amerikani Nikola Geixh, të cilët janë miqtë e ngushtë të z.Anastas Janullatosit. Pati edhe zëra mirënjohje se Tirana për herë të parë bashkojë disa krerë ortodoksë, por e vërteta është krejt ndryshe. Takimi në Tiranë më 1 Qershor nuk ishte i rastësishëm, ai takimi ishte i përcaktuar që në fillim të vitit 2013.
Patriarku i Serbisë, Irinej erdhi në 1 Qershor për ti kthyer vizitën mikut të tij Kryepeshkop Janullatosit i cili qëndroj disa ditë në Serbi në Tetor 2013, ku u takua edhe me krerët më të lartë të shtetit serb.

Anastas Janullatosi nderohet me mirënjohje nga patriarku i Serbisë Irinej

Më 5 Tetor 2013 në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700 vjetorit të nënshkrimit për lutjet dhe liritë fetare (Ediktit të Milanos, vitit 313). Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjullit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, etj. Pas përfundimit të riteve fetare krerët ortodoks patën takim me Kryetarin e Serbisë Nikoliç, Kryeministrin Ivica Daçiç dhe ministrat etj. Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç shtroji një drekë për nder të krerëve të kishave ortodokse që kishin ardhur.
Pas këtij aktiviteti karvani i krerëve ortodoks botëror udhëtoj më 6 Tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh. Falja e ditës u krye në kishën e sapo ndërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës, e cila u ndoq nga rreth 15 mijë njerëz. Pas ritualeve fetare Patriarku i Serbisë Irinej u ndau medalje të artë të akorduar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë hirësisë Anastas Janullatosit.
Më 7 Tetor 2013 krerët ortodoks si Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Patriarku i Serbisë, Irinej Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Potgoricë ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”. Krerët ortodoks të vendeve të ndryshme patën takime edhe kryetarin dhe kryeministrin e Republikës së Malit të Zi.
Pas këtij turneu me rastin e 1700 vjetorin e nënshkrimit të dekretit për lutjet dhe liritë fetare (Ediktit të Milanos, vitit 313) drejtuesit e kishave ortodokse ranë dakortë që më 1 Qershor 2014 të vinin në Tiranë për të bërë shenjtërimin e kishës së re Ngjallja e Krishtit.
Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatosi ka qenë në Serbi edhe në 19 Nëntor 2009 kur vdiq Patriarku i Serbisë Pavlo.

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCA E PERJETSHME, arben llalla, Irinej nderon me medalje Anastas Janullatosi, SLLAVO-GREKE

HARRESA E QËLLIMTË FSHEH KRIMET QË NUK DUHEN PËRSËRITË!

June 5, 2014 by dgreca

Nga Prof. Sami Repishti,Ph.D.*/
Ridgefield,CT.USA/
Me 30 Maj 2014, ne Tirane, u perurue Kisha-Katedrale e re ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit”. Per kete ngjarje te randesishme, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Janullatos kishte ftue figurat kryesore te kishave ortodokse te mjaft vendeve dhe, me randesi te dores se pare, edhe Terelumturine e Tij Patriarkun Vartelomeo i Stambollit. Ne ceremonine solemne moren pjese edhe udheheqsit politike te shtetit shqiptar.
Ndertimi i Kishes-Kathedrale ne ish-Shqiperine ateiste ashte nji fitore e arsyes mbi çmendurine komuniste, dhe nji afirmim pozitiv i popullit shqiptar ne besimin tek Krijuesi. Njikohesisht, e pavaresisht nga kritikat e shumeta, pjesemarrja e Patriarkut Vartelomeo I, dhe i shtate kryetareve kishtare te vendeve ortodokse ashte, per mendimin tim, nji akt i randesishem i afirmimit te Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare si nji “Kishe” e pavarun e shqiptareve, dhe ne rangun e te gjitha kishave tjera, pa asnji kontestim te legjitimitetit te saj nga qarqet e jashteme, qe na kujtojne te kaluemen e hidhun. Nji njohje te ketille masive e kemi perjetue ne prill 1937 me marrjen e TOMOS-it nga Patrikana e Stambollit, qe zyrtarizoi Kishen e ngritun ne Tirane, me 1922, nga mendje-ndrituni Imzot Fan S. Noli.
Pershendesim inaugurimin e Kishes–Katedrale “Ngjallja e Krishtit” dhe urojme vellazenve dhe motrave tona ortodokse shqiptare nji “ngjallje” shpirtenore te vertete, per kenaqesine e tyne dhe te breznive te ardhme.
Fatkeqsisht, atmosfera jo-politike e ketij tubimi per nji qellim ma te nalte se “politika e dites”, u damtue rande nga “i ftuari”, Patriarku Irenej i Kishes Ortodokse te Serbise. Akoma ma e rande: Patriarku serb Irenej mohoi humbjen e jetes se mijera shqiptareve –kryesisht te Kosoves- ne duert e xhelateve serbe, sidomos qe nga vitet 1840-ta me daljen e Naçertanies se Kryeministrit serb Garashanin.
Gjate nji interviste me Top Channel, ne Tirane, Fortlumturia e Tij, Irenej, komentoi se :”…asnjihere nuk kemi pasur probleme ne mes te dy popujve tone”, “…ne se kemi jetue shekuj bashke, pse te mos vazhdojme te jetojme perseri bashke”, “…serbet asnjihere nuk kane qene armiqsore ne raport me shqiptaret”, “… Ne 1912, kur Kosova u çlirue nga Turqia, asnje shqiptar nuk u perzu nga Kosova e Metohia…” dhe litani te tilla pa substance. E pabesueshme! Dhe akoma ma keq, e rrezikshme: mohimi i krimit te kryem, rrezikon perseritjen ne rastin ma te pare. Ai duhet demaskue!
Nji kuader i ketill u plotesue me mohimin e se drejtes se Kosoves per pavaresi, nji mohim i bame ne Tirane, kryeqytet i Shqiperise. Na pergezojme Kryeministrin E.Rama per bojkotimin e darkes ceremoniale, dhe jemi thellesisht te shgenjyem nga heshtja kuptimplote e Fortlumturise se Tij Kryepeshkopit Janullatos te Kishes Orthodokse Autoqefale te Shqiperise.
***
Planet ekspansioniste te Serbise, nga faza e “konceptit’ u trasformuen ne “ekzekutim” me nji vrull te frymezuem nga pasioni shovenist serb, dhe urrejtja per okupatorin turk e mysliman. Fakti qe popullsia qe do te çvendosej nga toket e lakmueme nga serbet nuk ishin “Turq” por shqiptare myslimane nuk e ndryshoi ekuacionn politik serb. Si rrjedhim, urrejtja anti-turke u zbraz mbi koket e shqiptareve, edhe ata vete viktima te okupacionit shume-shekullor otoman…!
I nxitun nga Perandoria ruse, shovinizmi serb shpertheu ne vitet 1877-78 kunder banoreve shqiptare te Nishit, Leskovacit, Kurshumlise, Presheves zona qe sot quejme “Kosova lindore”. Qytetet e fshatet e Kosoves u mbushen nga 250.000 refugjatet e debuem e qe sot njihen akoma me termin “muhaxhiret e Kosoves”. Kongresi i Berlinit (1878) konfirmoi fitoren ushtarake serbo-malazeze, dhe territoret shqiptare perfunduen si pjese perbase te shteteve serb e malazias.
Qe nga viti 1878 deri ne vitin 1912, dhe ma vone ne vitin 1919, ofensiva serbe u zgjanue tue perfshi te gjithe territorin e sotem te Republikes se Kosoves, Malesine e Veriut te Shkodres, krahinen e Presheves, dhe qytetet shqiptare ne Maqedoni qe nga Kumanova e Shkupi deri ne Struge, Oher e Resnje. Gjysma e territorit shqiptar u okupue ushtarakisht nga serbet ne Veri dhe ne Jug nga greket.
Okupimi serb i Kosoves (dhe ai grek i Çamerise) nuk kufizohet ne marrjen me force te territorit: ai dallohet si metode raciste dhe vrastare e popullsise vendese; me nji fjale, serbet kerkojshin “nji Kosove pa shqiptare”. Kete synim ata e ndoqen me metodat ma barbare qe tronditen koshiencen e botes se qytetnueme, sidomos qe nga viti 1912 deri ne qershorin e vitit 1999, dita e çlirimit final te Kosoves nga zgjedha serbe.
Ne konferencat nderkombetare teza serbe ka qene gjithehere e njajte: shqiptaret jane tipa kriminelesh, te pakorrigjueshem qe kercenojne paqen ne Ballkan. Vetem serbet jane ne gjendje “me i qetesue” Ne vitin 1913, ish kryeministri serb, V.Gjorgjeviç, i pershkruente si:“….kafshe te egra me bisht qe kalojne naten te varun nga pemet e pyllit….!
Ne emen te ketij “qetesimi” u ba edhe çfarosja e tyne, e dokumentueme nga shtypi perendimor dhe sidomos nga Komisioni per Hetimet e Shkaqeve te Luftes te Carnegie Endowment for Peace. Mbas L1B, me rihymjen serbe ne Kosove, procesi i asgjasimit te shqiptareve rifilloi. Me 18 prill 1919, Sekretari i Shtetit amerikan, Robert Lansing, i drejtohej MPJ te Britanise se Madhe, Lord M.J.Balfour, dhe e njoftonte :
“… Gucia, Plava, Gjakova, Peja, Pozhuri dhe Rozhaja kane qene skena terrorizimi dhe vrasje nga trupat serbe dhe agjente serbe, politika e te cileve duket se ashte çfarosja fizike e banoreve shqiptare te kesaj Krahine…” Nderkohe, propaganda dehumanizuese serbe u ba nji “kryqezate” kunder “te pafeve” (myslimane). Myslimanet shqiptare vazhduen te identifkohen si “turq”.
Ekziston dokumentimi se vetem gjate vitit 1912, numri i shqiptareve te masakruem nga ushtrite serbo-malazeze arrine ne 12.777. Kosta Novakoviç, nji deshmitar okular e officer i ushtrise serbe, shkruen:” Te ‘drejtat historike” te Serbise shkuen shume larg: ata kerkojshin nji Kosove pa shqiptare, megjithese Kosova ashte nji Krahine e paster shqiptare…” Socialisti i madh serb D.Tucoviç tregon:” Ne te njajten kohe deshmova krematore barbare ne te cilat qindera gra e femije shqiptare u dogjen per se gjalli…”. Raporti i Carnegie Endowment for Peace pershkruen:
”…Shtepi dhe fshate te tana u bane shkrumb e hi, qytetare te pa armatosun dhe te pa fajshem u masakruen en masse, akte dhune te pabesueshme, grabitje, brutalitet i çdo lloji – keto ishin metodat e perdoruna- e qe perdorojne akoma ushtrite serbo-malazeze, me qellim qe te ndryshojne karakterin etnik te Krahines se banueme ekskluzivisht nga shqiptaret. Ne vitin 1920-, ka qene nderhymja e Presidentit W.Wilson qe ka pengue te njajtin fat per Shqiperine e Veriut.
Shqiptaret qe i shpetuen masakrimit u detyruen me force te emigrojne ne Turqi nen masken e fese “myslimane” prandej “turq”. Ne vitin 1941, numri i tyne kishte arrijte ne ma shume se 400.000 emigrante (njeni nga çdo tre banore shqiptare). Ish udheheqsi komunist jugosllav Milovan Gjilas tregon:” Perdorimi i dhunes dhe i grabitjes se shqiptareve ishte nji aksion publik ne Kosove, deri ne ate pike sa ashte e veshtire te besohej…”(dhe)”…te gjithe rrugaçet qe mbushin pozitat qeveritare dhe deshirojshin me u pasunue shpejt e shpejt, u derguen si administratore ne Sanxhak, Kosove dhe Maqedoni…” Aty ku kishte shqiptare!
Ne 1937, nji “Elaborat” i pergatitun nga Vaso Cubriloviç (i perseritun ne 1944) kerkonte largimin me force te shqiptareve ne Turqi. Ne 1941, nji punim nga diplomati Ivo Andriq, keshillonte ndamjen e Shqiperise ne mes te dy vendeve fqinje”…qe te zgjidhet problemi i Kosoves!”
Ne ditet tona, fitorja e komunisteve te Titos, tregoi se politika e vjeter serbe ndryshonte ne forme por jo ne substance. Metodat barbare komuniste, dhe mohimi i te drejtave te shqiptareve per vete-vendosje shkaktuen kryengritjen e pergjithshme (1944-1945) ku ma shume se 30.000 shqiptare moren malet Edhe sot, numri i viktimave shqiptare nuk dihet me siguri dhe shkon nga 35.000 ne 60.000 shqiptare te vrame vetem gjate viteve 1944-45, tragjikisht me aprovimin e komunisteve shqiptare…! Ndersa Jugosllavia e Titos shikohej si vendi ma shtypes i Europes, Kosova ishte grupi ma anmiqsor i Jugosllavise. Konkluzioni ashte i qarte!
Revoltat dhe demonstratat shqiptare kunder shtypjes serbe u perseriten, sidomos ne 1968, 1971 dhe 1981, ky i fundit nji eveniment qe paralajmeroi shkaterrimin e Jugosllavise. Zhvillimi i akteve ilegale te A.Rankoviqit dhe forcave te sherbimit sekret serb ne Kosove, u bane objekt i diskutimeve ne shtypin nderkombetar. Lista e gjate e krimeve serbe te mbulueme ne Kosove, tregoi fetyren e vertete te rregjimit, dhe i hapi dyert nji rezistence shqiptare kambengulese, parimore:Kosova Republike!
Me pavaresine e Slovenise, Kroacise, Bosnje-Herzegovines, Jugosllavia e Versaille-s u shemb. Perpjekjet serbe me e ringjalle deshtuen. Serbia ra ne duert e shovinisteve serbe qe perkrahen komunistin S.Millosheviç. Por shqiptaret refuzuen pjesemarrjen ne kete proçes Per shqiptaret kishte vetem nji rrugedalje: shkeputja nga Serbia dhe deklarimi i pavaresise se Kosoves., fitore qe u arrijte me 17 shkurt 2008. Por me gjak e sakrifica te panumerta!
Hymja me force e armates serbe ne Kosove gjate viteve 1998, 1999, shkaktoi vdekjen e ma shume se 12.000 banoreve vendas. Ma shume se 2.000 te tjere jane akoma te humbun dhe besohet se jane te vrame. Cdo dite, ne Serbi zbulohen varre shqiptaresh te ekzekutuem nga serbet. Ma shume se 20.000 gra shqiptare jane dhunue, Spastrimi etnik deboi afer nji miljon shqiptare ne vendet fqinje, ku jetuen si rrefugjate ne kampe te improvizueme. Llogaritet se 174 familje shqiptare jane djege per se gjalli mbrenda shtepive te tyne. Para nji katastrofe te ketill te krijueme nga invazioni serb i Kosoves zgjidhja e vetme ka qene rezistenca e armatosun dhe pavaresia e Kosoves.
Nobelisti per Paqe, Marty Artisaari, deklaron se “Pavaresia e Kosoves ashte e pandryshueshme, dhe u baj thirrje serbeve te kerkojne falje per krimet kunder njerezimit qe kane krye ne Kosove”. Ai shton:” Serbia duhet te njohe pavaresine e Kosoves para se te anetaresohet ne familjen e Europes se Bashkueme”.
Kete kerkojme edhe ne nga Patriarku i Serbise, sepse asnji here Kisha Ortodokse Serbe nuk ngriti zanin ne mbrojtje te viktimave shqiptare ne Kosove. Asnji here! Kerkoni falje Fortlumturi nga familjet shqiptare te veshuna me te zeza! Pranoni doren e pajtimit. Perbuzeni urrejtjen per shqiptaret. Ushqeni mirekuptim e afrimin ne mes te dy popujve fqinj, qe nuk kane asgja me fitue nga manovrimet politike…as intrigat fetare! Nji qendrim ketill vlen ma shume se duertrokitjet ne Beograd…! Sepse, shkruente gazeta The New York Times, ne editorialin e saj te dates 21 qershor 1999:
”Ajo qe ashte serioze ne kete mes ne lidhje me shkallen e atrociteteve (serbe ne Kosove) ashte se edhe ne ditet tona kur bashkeatdhetaret e tyne vrisnin mijera njerez te pafajshem, shumica dermuese e serbeve nuk u shqetesue fare, as deshen te trazohen!”
Ne kete proces pendimi Kisha Ortodokse Serbe mund te loze nji rol vendimtar!
Kur do te vij pranvera e se vertetes edhe per ty, o fqiu i im serb?
* City University of New York

Filed Under: Analiza Tagged With: DUHEN, HARRESA E QELLIMTE FSHEHE KRIMET, PERSERITE!, Prof. Sami Repishti, QE NUK

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 880
  • 881
  • 882
  • 883
  • 884
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një reflektim mbi “Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes” të ShBA-së, miratuar ditët e fundit
  • “Ukrainë, paqe e pamundur me pushtuesin (Putinin)”
  • INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART
  • Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras
  • ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS
  • Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” organizuan festë madhështore në nder të Flamurit Kombëtar në Miami Florida!
  • Nxënësit e Alba Life valëvisin Flamurin Shqiptar gjer në kupë të qiellit në Bronx
  • Robert Lulgjuraj Meets with the Extraordinary History and Legacy of VATRA in New York
  • NYC Flag-Raising Ceremony at the Charging Bull on Wall Street with Mayor Eric Adams!
  • Dr. Rexhep Krasniqi, një jetë e përkushtuar për arsimin, kulturën dhe çështjen shqiptare
  • LASGUSH PORADECI, NJERIU TOKËSOR
  • ROMANI “I ARRATISURI”- VLERA TË SPIKATURA TË RRËFIMIT BASHKËKOHOR
  • E ardhmja e kombit, e përkrahur nga LAPSH-i, prindërit dhe dashamirësit e gjuhës shqipe, kremtoi 28 Nëntorin në zemër të Zvicrës
  • Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI” 
  • NJË REFLEKTIM PERSONAL NË 10-VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM  TË SH. T. Imzot RROK MIRDITËS KRYEIPESHKVIT TIRANË-DURRËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT