• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 vjet pasi ushtarët e qytetërimit perëndimor na çliruan…

May 21, 2014 by dgreca

Ne vend se t’i bëhet ftesë Papës të na nxjerr nga varfëria e izolimi, një hoxhë i djallëzuar, ia përsëritë ftesën: ‘Ktheu në islam”. Sikur të bëhej nga ndonjë mulla i Iranit a Irakut, do të shqyheshim se qeshuri, por bëhet nga një shqipfolës-zëdhënës i sulltan “pekmezeve” të Anadollit./
Nga Gani MEHMETAJ/
“Kthehu në islam” ia përsëriti kërkesën hoxha i lagjes më të varfër dhe më të mjerë në kontinent, Papës, klerikut të fuqishëm të selisë më të pasur në botë. Të shqyhesh gazit me gazmore të këtilla, sikur të bëheshin nga mulla të Iranit a Irakut, por bëhet nga një sherr budalla, i cili po ta ndjente vetën shqiptar do ta kërkonte ndihmën e Papës për të na nxjerre nga mjerimi e skamja ku jemi katandisur, ashtu sikurse na ndihmoi dikur Papa Gjon Pali i Dytë. Por atëbotë ne e kërkonim ndihmën e tij, ia kujtonim përkatësinë tonë evropiane, ia numëronim kontributet për qytetërimin evropian, i përgjëroheshim në tokë e në qiell.
Pesëmbëdhjetë vjet pasi ushtarët e qytetërimit perëndimor na çliruan, hoxha i mjerë i lagjes se varfër të Prishtinës që përngjan aq shumë me Kandaharin (vetëm Gazi Baba, lagje shqiptare e Shkupit mund ti konkurroj në varfëri) i kërkon Papës të kthehet në islam! Kërkesa prej sherr budallai nuk është e paqëllimtë, as e thënë kuturu. Ashtu i kanë thënë të bëjë dhe ky hoxhë si argatë i shejtanit nuk ia huq asnjëherë kur është puna të bëjë sherr. Asnjë shqiptar në Kosovë nuk po e shijon parajsën e hoxhës, përkundrazi po e përjetojnë ferrin. Të rinjtë po ikin në Perëndim, dhjetëra prej tyre lan kokat nëpër kufi.
Ne kërkojmë të futemi në Bashkimin Evropian në ethe, sepse po u zgjat puna e integrimit do të mbetemi pa të rinj. Ndërkohë betohemi se jemi evropian, betohemi se kemi tolerancë fetare shembullore, ndërsa hoxha e thotë të kundërtën se, ka mision ta shprish tolerancën fetare se ka mision të bëjë ftesa të tipit të mullave të Homeinit, në emër të atyre që e paguajnë! Çka do t’i lakmonin islamit të hoxhës Papa me të tjerët? Luftërave të pafundme fetare në mes të shitëve e sunitëve, ku fëmijët e gratë pësojnë më së shumti, varfërisë e mjerimit për të ardhur keq, krahas padijes e errësirës.
Për shqiptarët as që i bëhet vonë, ai përpiqet t’i dëmtoj shqiptarët, duke i lënë të izoluar nga bota, duke u përpjekur t’i kthejë në mesjetën otomane.
Ne e kemi bindur popullin se BE-ja, pra edhe Vatikani si pjesë e BE-së është e ardhmja jonë, hoxha e kërcënon Selinë e Shenjtë, ashtu sikurse bënin dikur sulltanë pekmezët. Ai një shërbëtor i humbur i Anadollit ia ha mendja të matet me Papën. Gazmore se jo mahi nga mullai i periferisë së Prishtinës.
Me budallain tallemi, sherr budallait duhet t’i druhemi. Po me shejtan budallain si të sillemi? I njëjti hoxhë ka vjet që e përsëritë një parullë fyese e të dhunshme, e cila me muaj ka qëndruar në disa pika kyçe të Prishtinës: “Bajramin e ardhshëm do ta falim në Katedrale!” Ky nuk është veprim prej budallai, as prej sherr budallai, ky është veprim prej shejtan budallai. Në këtë mënyrë ai ndërsen njerëzit me tru të shpërlarë apo të shiturit të mësyjnë e ta përdhosin Katedralen, si në vendet arabe ku i përdhosin dhe i djegin vendet e shenjta. Natyrisht shumica në Kosovë janë shqiptarë, prandaj sado të përgjumur të duken, nuk do ta lejojnë një përdhosje të tillë. Katedralja është e tyre, me emrin e Nënës Terezë. Ata s’duhet të lejojnë përdhosjen e asnjë faltore.

Kërcënimi ndaj shqiptarëve!
Nuk është më pak nxitës i mos durimit fetar as kryetari i BIK-ut, i cili me dhjetëra herë e ka përsëritur sloganin kërcënues: “Jemi 94 për qind myslimanë!” Po shqiptarët ku janë? Ai i shpërfill shqiptarët, të gjithë i bën myslimanë sipas dëshirës së tij. Kujt i kërcënohet i pari i myslimanëve të Kosovës? Shqiptarëve katolikë e protestantë, shqiptarëve gnostikë dhe ateistë, shqiptarëve për të cilët feja e tyre është shqiptaria, pra të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai-anadollçe e me mendësi mesjetare të pushtuesit osman. Ai u kërcënohet shumicës shqiptare, sepse as shqiptarët besimtarë myslimanë nuk luftuan asnjëherë kundër bashkëkombësve të tyre për mjekrën e hoxhallarëve të shitur, megjithëse i kanë nxitur edhe më parë.
Që të jetë ironia më e madhe, kreu i hoxhallarëve të Kosovës e merr një slogan të cilin më dhjetëvjetëshe e kemi përsëritur: “jemi 96 për qind shqiptarë” jo për të kërcënuar komunitetet, por që ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare se nuk është demokratike që pakica serbe të sundojë e ta terrorizoj shumicën shqiptare në Kosovë. Ndonjëherë e kemi përsëritur edhe në këtë kohë, kur shihnim se si pakica serbe po favorizohej duke shkelur të drejtat e shumicës shqiptare. Se kjo gjë do të keqpërdorej nga kreu i BIK-ut askujt nuk i shkonte ndër mend atëbotë, sepse atëherë kur kërciste kërbaçi e pushka e ushtarëve serb, zëri i tyre nuk dëgjohej fare, nuk dëgjohej as zëri i shteteve arabe që s’na mbështesnin në kohën kur ne vuanim nën pushtim.
Keni dëgjuar të parin e myslimanëve të Kosovës të dënoj krimet serbe, apo kriminelët serb që vranë shqiptarë? Asnjëherë. Ata vajtojnë tullat e djegura e ngrehinat, por nuk i vajtojnë njëzetë mijë shqiptarë të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur e të dëbuar. Për ta njerëzit nuk bëjnë as sa tullat.
Keni dëgjuar ndonjë hoxhë të falënderoj ShBA-në dhe Evropën Perëndimore që na çliroi e na shpëtoi nga gjenocidi? Shumica nuk dinë çka është mirënjohja, ata dinë të falënderojnë vetëm ata që ua mbushin sqepin atyre me bakllava e hurma.

Në vend të shëndetit kërkona shami grash

Një ministër dështakë që e la shëndetësinë në gjendje të mjerë si në vendet arabe, ku bëhet luftë, në vend që të jepte përgjegjësi për rrënimin e shëndetit të popullatës, nis e përjargët për shamitë në shkolla, thua se i kemi rregulluar të gjitha punët tjera, por na mbeti keq shamia e femrave që duan të mbulohen “vullnetarisht”. Në duhet të kërkojmë përgjegjësinë e këtij ministri të papërgjegjshëm, e jo të merremi në media e në forume me broçkullat e tij. Popullin e ka kapluar varfëria, të rinjtë dëshpërimi, ndërsa tipat si Agani sharlatan me disa mercenarë të tjerë përpiqen t’i çorientojnë shqiptarët nga problemet fondamentale: ekonominë e rrënuar, standardin më të ultë në Evropë, kulturën në gjendje të mjerë etj.
Ata nuk vuajnë nga këto mungesa, (për kulturë nuk kanë nevojë), marrin para nga taksapaguesit dhe nga fondet e dyshimta që veprojnë për të zezën tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: 15, na çliruan..., vjet pasi ushtarët e qytetërimit perëndimor

Putini, “demokrati” i dhunës

May 21, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Ngarjet e muajve të fundit në Ukrainë, të cilat ende nuk kanë shkuar drejt finalizimit të tyre, nxorën në pah përsëri një tipar karakteristik të shtetit rus dhe pikërisht natyrën e tij militariste. Qëndrimi ndaj Ukrainës ishte dhe vazhdon të mbetet dëshmia më domethënëse e thelbit militarist të politikës ruse.
Para pak kohësh, përmes faqes së internetit, u njoha me intervistën e prof. Nina Hrushovës, stërmbesës së ish-udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov (1894-1971), të cilën ia kishte dhënë gazetarit Oleg Sulkin, korrespondent i “Zërit të Amerikës” në Moskë. Prof. Hrushova i ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik të Universitetit Shtetëror të Moskës. Mandej i ka vazhduar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbrojtur doktoratën në Universitetin e Pristonit. Është anëtare e Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili vlerësohet si njëri nga institutet studimore shkencore politike më me ndikim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani është profesore e Universitetit “The New School” në Nju Jork.
Në intervistën e vet Prof. Hrushova deklaron:
“Rusia… po sillet si një vend renegat. Putini po vepron pikërisht si një sherrak hesapi në oborrin e ndonjë pallati, si ndonjë trimosh, domethenë në një mënyrë krejtësisht të jashtligjshme” (Citohet sipas: “Rusia po sillet si një vend renegat”. Intervistë e Nina Hrushovës, dhënë Oleg Sulkinit, korrespondentit të Shërbimit Rus të “Zërit të Amerikës”. Marrë nga faqja e internetit “golos-ameriki.ru”. 07 prill 2014).
Gjatë intervistës, gazetari Oleg Sulkin bën këtë ndërhyrje për të vjelë mendimin e Prof. Hrushovës:
“Siç vërejnë vëzhguesit, shtrëngimi i vidave dhe sulmi kundër lirive demokratike, Rusinë po e kthejnë ca nga ca në një vend totalitar, sipas Oruellit”.
Dhe prof. Hrushova vazhdon:
“Po ne gjithmonë kemi vërtetuar atë që thotë Oruelli. Domethënë, ne nuk po kthehemi në epokën e amullisë, nuk po kthehemi te Brezhnjevi, sepse ne prej andej nuk kemi dalë ende plotësish, prandaj edhe vazhdojmë të sillemi vërdallë… Në qoftë se ne do ta lejojmë Putinin të vazhdojë rrugën në këtë drejtim, kjo do të jetë turp dhe faqja e zezë për Rusinë. Në rast se ne, tashmë jo për herë të parë në histori, do ta lejojmë carin të bëjë me ne si t’i dojë qejfi, atëherë ne jemi me të vërtetë bagëti” (po aty).
Në mars të vitit 2012, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, doli në qarkullim libri i gazetares Masha Gessen, me titull “The Man Without a Face: The Unlikely Rise of Vladimir Putin” (Njeriu pa fizionomi: ngritja e pabesueshme e Vladimir Putinit).
Në moshë të re, Masha Gessen, me prejardhje hebraike, emigroi familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë u kthye në Moskë, ku ka punuar si kryeredaktore e revistës “Vokrug svjeta” (Rreth botës).
Në librin që i ka kushtuar presidentit Putin, autorja është përpjekur të analizojë se cilat ishin arsyet që i krijuan mundësinë atij në vitin 2012, për t’u rizgjedhur për të tretën herë në krye të vendit, për t’i çimentuar mirë pozitat e veta në pushtet, duke filluar që prej fundit të viteve ’90.
Zonja Gessen, së bashku me zonjat Hilari Klinton, Angela Merkel dhe ish-presidenten e Kirkizisë Roza Otunbajevava, më herët ka qenë përfshirë në listën e 150 zonjave më me ndikim në mbarë botën, sipas versionit të botimit të Newsweek Daily Beast.
Gjatë prezantimit të librit në mjediset e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, zonja Gessen iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve, të cilët më shumë ishin të interesuar për situatën në Moskë pas zgjedhjeve presidenciale. Ajo, ndër të tjera, e pranoi se pati shpresuar për zhvillimin e demonstratave më të fuqishme të nesërmen e asaj dite kur Putini pati shpallur fitoren në ato zgjedhje. Ajo deklaroi:
“Duke qenë edhe vetë njëra nga organizatoret e protestave, unë pata biseduar me shumë njerëz. Shumë njerëz patën shpresuar për një çudi dhe qenë vrarë keq shpirtërisht nga përmasat e falsifikimit të zgjedhjeve” (Citohet sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Për dijeninë e lexuesve, Putini ka një përvojë të pasur në falsifikimin e zgjedhjeve, prandaj nuk ka asgjë për t’u çuditur që edhe mandatin e tretë si president i vendit në vitin 2012, ai e rrëmbeu nëpërmjet falsifikimeve, siç deklaron gazetarja e mirënjohur Masha Gessen. Po t’i hedhim sytë prapa dhe të flasim me gjuhën e fakteve, do të shikojmë se Putini edhe mandatin e parë, si president i Federatës Ruse, e pati siguruar pikërisht përmes falsifikimit që i ka bërë procesit zgjedhor.
Putini erdhi në krye të Rusisë pas një dekreti të presidentit Jelcin të 31 dhjetorit të vitit 1999, kur ky, pa pritur e pa kujtuar, dha dorëheqjen dhe e caktoi si president të përkohshëm, deri në zgjedhjet presidenciale të 26 marsit të vitit 2000, zgjedhje këto që u dekretuan që atë ditë.
Me sa duket, kur lufta në Çeçeni kishte arritur në përmasa të paparashikueshme, presidenti Jelcin vendosi të largohej nga skena politike, në mënyrë që të shpëtonte paq nga fushata çeçene, e cila po zbulonte lakuriq gërmadhat e sistemit federal rus, të ngritur mbi themele dhune që nga periudha carosovjetike. Prandaj Putini, ende pa u zgjedhur president përmes votës së popullit, zbriti në tapetin e karatesë për t’i treguar popullit të vogël çeçen modelin e dhunës së tij, si njeriu i KGB-së.
Alternativa e vetme që ai afroi për zgjidhjen e nyjes çeçene, ishte thjesht dhuna që u demonstrua në një mënyrë shembullore përmes vrasjeve, djegieve, përdhunimeve dhe bastisjeve mizore.
Në gazetën “Shekulli”, 27 tetor 2002, f. 17, ishte botuar një fotografi rrëqethëse me këtë diçiturë:
“Kufomat e dy luftëtarëve çeçenë, duke u tërhequr zvarrë pas një kamioni ushtarak rus”.
Dhe pranë dy kufomave duket një ushtar entuziast rus që është duke i goditur ato me shkelma. Më tutje, në një plan të dytë të fotografisë, këtë skenë makabre janë duke e soditur dy ushtarë të tjerë. Kurse pak më thellë, në planin e tretë të fotografisë, tre të tjerë ushtarë të ngeshëm rusë, hipur majë një autoblinde, vazhdojnë ta ndjekin me kënaqësi skenën e mësipërme. Sigurisht që kjo skenë rrëqethëse ishte vetëm maja e aisbergut të krimeve të përbindshme që shovinizmi rusomadh dhe makina ushtarake e Putinit pati kryer asokohe kundër popullit liridashës të Çeçenisë. Poshtërimi i kufomave të dy luftëtarëve çeçenë nga ana e ushtarëve agresorë rusë, zbulon fytyrën vërtet gjakatare të shovinizmit rusomadh dhe përmbajtjen e kodit moral të ushtarëve rusë (kopje e kodit moral të ushtarëve serbë), të cilët Kremlini, në kuadrin e fushatës së dhunës putiniane, i kishte lëshuar si bisha të tërbuara kundër një populli të vogël, por heroik.
Putini e prezantoi veten si një pasardhës i zellshëm i politikës së dhunshme që ka ndjekur Rusia ndaj popullit çeçen, sidomos që prej vitit 1743, kur ajo nisi fushatën për futjen e popujve të Kaukazit nën zgjedhën e robërisë cariste.
Dhuna, të cilën Putini e ka pasur si yll karvani në ngjitjen e shkallëve të karrierës politike, pati shoqëruar edhe zgjedhjet presidenciale të 26 majit të vitit 2000. Atë vit më pati rënë në dorë një editorial i posaçëm i gazetës “The Moscow Times” të datës 09 shtator, që ma kishte dhënë drejtori i një gazete të mirënjohur të Tiranës. Editoriali mbante titullin “Kush i fitoi zgjedhjet, që ta marrim vesh?” dhe analizonte me hollësi zgjedhjet e 26 marsit.
Materiali përmbante fakte tronditëse për ecurinë e procesit zgjedhor. Në dispozicion të gazetës qenë vënë dëshmi boll të dokumentuara për falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, falsifikim ky që vinte në dyshim ligjshmërinë e të dhënave përfundimtare të votimit.
Gazetarja e mirënjohur, Evgjeni Borisova, pati përgatitur një sërë reportazhesh nga Dagestani, Saratovi, Tatarstani, Ingushetia, Bashkorostani dhe Moska. Me shumë interes ishin informacionet e saj telefonike nga Novosibirsku, Kursku, Njizhnjij Novgorodi, Kabardino-Balkaria dhe Mordovia. Veç asaj, mjaft interesante ishin edhe reportazhet e Hari Piçit nga Kaliningradi, të gazetares Nona Çernjakova nga Vladivostoku dhe të Majerbek Nunajevit nga Çeçenia.
Ushtrimi i dhunës dhe falsifikimi i rezultatit të votimeve qenë dukuri fort të pranishme gjatë procesit zgjedhor. Faktet e shumta që sillnin korrespondentët e gazetës, dëshmonin katërcipërisht se ç’hendek i thellë e ndan Federatën Ruse nga standardet demokratike të zhvillimit të proceseve zgjedhore. Nga moria e fakteve të shumta që dëshmojnë për batërdinë e falsifikimit të zgjedhjeve të 26 marsit të vitit 2000, këtu po mjaftohem vetëm me dy-tre prej tyre.
Alhat Zaripov, pensionist 65-vjeçar nga qyteti i Kazanit (Tataristan), rruga Fuçik, pallati 107, tregon:
“Shkova për të votuar, por sakaq vura re se në listën e zgjedhësve, ku firmosim dhe shënojmë të dhënat e pasaportave të gjithsecilit, qenkeshin shënuar adresa shtesë, sipas apartamenteve përkatëse, apartamente këto të paqena. Pallati ynë ka 180 apartamente, kurse në listë ishin shënuar 209 të tilla. Pra, 29 apartamente të paqena, në të cilat gjoja banuakeshin 70 zgjedhës të shpikur nga mendja apo “shpirtra të vdekur”, me sa duket, ishin produkt i fantazisë së komisionit të qendrës së votimit. Kurse në listën e zgjedhësve të pallatit fqinj, i cili ka 108 apartamente, figuruakeshin faktikisht 125 apartamente. Ky është mashtrim! Pse, zgjedhje demokratike janë këto?!” (Citohet sipas “The Moscow Times”, 09 shtator 2000, f. 7).
Ildus Sulltanov, njofton për qendrën e votimit nr. 372 të qytetit të Kazanit:
“Vëzhguesit tanë ishin duke verifikuar listat zgjedhore mu në prag të votimit dhe vunë re një dukuri befasuese: në njërin nga apartamentet e pallatit 25A, në rrugën Dubravnaja, qendra e votimit nr. 326, na qenkeshin regjistruar tre pleq, që të tre të lindur në vitin 1901, të cilët na jetuakeshin me një çift. Vëzhguesit u nisën drejt atij apartamenti, për t’u bindur për praninë e atyre pleqve, të cilët duhet të ishin rreth njëqind vjeç. Dhe çfarë zbuluan se? Në të vërtetë, rezultoi se, në vend të pleqve, vëzhguesit gjetën tre fëmijë të vegjël të çiftit në fjalë. Në listën zgjedhore të atij pallati qenkeshin shënuar edhe emrat e disa “pleqve” të tjerë. Pati edhe shumë raste të tjera si ky dhe sado paradoksale që tingëllon një dukuri e tillë, të gjithë këta “shpirtra të vdekur”, të hallakatur nëpër qendra të ndryshme votimi, paskeshin lindur në vitin 1901” (po aty).
Nga analizat e shumë fakteve të pamohueshme që kanë bërë gazetarët e organit “The Moscow Times”, rezulton se autoritetet e Kremlinit, në bashkëpunim të ngushtë me guvernatorët, nuk patën lënë mjet presioni pa përdorur mbi njerëzit e thjeshtë, në mënyrë që president të zgjidhej Putini detyrimisht. Shumë zgjedhës qenë detyruar nga pushtetarët lokalë të votonin për Putinin, nën kërcënimin e pushimit nga puna ose të ndërprerjes së ndihmës sociale. Madje në jo pak raste, ata zgjedhës, të cilët nuk pranonin të votonin për Putinin, qenë kërcënuar jo vetëm me pushim nga puna, por edhe me shpërngulje të detyrueshme nga vendbanimi i tyre i përhershëm (po aty, f. 3).
Për të krijuar një ide më të plotë për falsifikimin e zgjedhjeve dhe për psikologjinë e dhunës që mbizotëron në vetëdijen e kastës pushtetore të Kremlinit për zhvillimin e tyre, i ftoj lexuesit e nderuar të njihen me pikëpamjet e publicistit liberal rus Jakov Krotov (1957). Ja se si i analizon ai zgjedhjet në Rusi:
“Fryma antidemokratike e “shpirtit rus” qëndron jo në paaftësinë për të zgjedhur lirisht, por në dëshirën për të zgjedhur jo vijimisht, por një herë e përgjithmonë dhe të zgjedhë jo përfaqësuesin e vet, por shefin e vet, të zgjedhë jo përmes konkurrencës dhe votimit, por përmes kacafytjes së militantëve. Likuidimi i zgjedhjeve në Rusi që iu vu vula në tërësi në vitin 2006 me vendosjen e një morie kufizimesh të ashpra, ashtu si edhe shumica e bëmave “politike” të pushtetit, kishte një karakter deklarativ, shpresëkotë (iluzor). Zgjedhje të lira nuk ka pasur edhe më parë. Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, të vetmet zgjedhje relativisht të lira kanë qenë zgjedhjet që u zhvilluan në vitin 1990, në çastet e agonisë së regjimit gorbaçovian. Por edhe ato zgjedhje nuk ishin fort të lira, përderisa zgjedhësi mund të votonte jo për demokratët, por vetëm për ata komunistë që kishin më shumë tendenca antikomuniste. Edhe më të palira kanë qenë zgjedhjet e mëvonshme. Historia e luftës rreth zgjedhjeve reduktohej në luftën e nomenklaturës së lartë dhe rajonale për të gëzuar të drejtën e falsifikimit të zgjedhjeve. Heqja e lirisë së sipërmarrjes private që sapo mori jetë në pranverën e vitit 1992, gjatë kohës që zëvendëskryeministër ishte Jegor Gajdari (1956-2009), kur u shfuqizua dekreti për lirinë e plotë të tregtisë, ishte goditja e parë e fuqishme kundër lirive politike. Kësisoj u shkulën themelet ekonomike të zgjedhjeve të lira. Goditja e dytë ishte ruajtja e varësisë nga pushteti të gjykatave dhe të policisë së fshehtë. Në këtë sfond, pasuan masat që mori Putini: u anuluan zgjedhjet në dhomën e lartë të parlamentit, u anulua zgjedhja e guvernatorëve, u hoq pragu i poshtëm i numrit të votuesve. Këto ishin masa thjesht kozmetike, pa të cilat edhe mund të dilej mbanë, pa të cilat ia pati dalë mbanë diktura komuniste. Ky është demonstrim i seriozitetit të qëllimeve të diktaturës së re, po nuk është aspak shenjë që të tregojë se sistemi paraardhës i zgjedhjeve ta kishte kërcënuar sadopak këtë diktaturë. Kurse si bazë psikologjike e zgjedhjeve antidemokratike, shërben psikologjia e natyrës ushtarake që mbizotëron në Rusi. Ushtria nuk pranon votim personal. Kjo është edhe arsyeja që madje njeriu i arsimuar rus, rezulton që është i paaftë të arsyetojë për zgjedhjet në një mënyrë racionale. Ai nuk kuturis t’i njohë zgjedhjet e palira për ndofarë konideradash të çastit, siç ndodhi me përkrahësit e Jelcinit në vitet ’90, të cilët, duke u nisur nga koncepti i së keqes më të vogël, refuzonin me këmbëngulje ta pranonin faktin e falsifikimit të zgjedhjeve. Njeriu i arsimuar rus, në parim, nuk arrin ta kuptojë se votën çdokush e hedh në mënyrë personale. Ai i kupton zgjedhjet si një lëvizje që mbarë vendi e kryen njëkohësisht. Kështu, në vitin 1993, “liberali antigorbaçovian” tipik, Juri Karjakin (1930-2011), revoltohej për faktin që “Rusinë e mbyti budallallëku”, sepse atë ditë paskej votuar kundër partisë së Kremlinit, kurse votë quhej ajo e atyre që kishin votuar për pseudoliberalët e Zhirinovskit dhe për komunistët. Në vitin 2006, po një i tillë “liberal i Kremlinit” i krahut të Jelcinit, Boris Pankin (1931), shkruante se respekti ndaj rezultateve të zgjedhjeve të lira “është pikërisht ai që “ne në Rusi” nuk mundemi dhe, besoj, nuk duam ta mësojmë kurrsesi”. Ndërkohë, demokracia nuk fillon atje ku respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të lira, por atje ku mbajnë qëndrim të qetë ndaj diskutimit të çështjes se sa të lira ishin zgjedhjet dhe nëse liria e zgjedhjeve ishte garantuar në mënyrë të mjaftueshme. Të respektosh rezultatet e zgjedhjeve, të cilat kanë formatuar mbretërimin e Putinit, do të thotë të shkelësh parimet demokratike, të pranosh falsifikimin e tyre” (Citohet sipas: Jakov Krotov. “Rusia ushtarake. Një vend ushtarak: ç’do me thënë kjo?”. Marrë nga faqja e internetit “e-reading.ws”).
Psikologjinë e dhunës, Putini, si “demokrat” i dhunës, e manifestoi dhe vazhdon ta manifestojë fare açik në qëndrimin ndaj Ukrainës. Por jo vetëm kaq. Ai ka krijuar një rrjet të fuqishëm propagandistik, duke u zënë frymën mjeteve private të informimit masiv. Gazetarja Masha Gessen thotë:
“… Putini u ngrit si njeri dhe si politikan, me prirje për dhunë… E vërteta e thjeshtë që duket sheshit, qëndron në faktin se Rusia e Putinit është një vend i tillë, në të cilin kundërshtarët politikë dhe kritikët e vendosur, vriten shpeshherë, madje, në disa raste, së paku, urdhri për vrasjen e tyre vjen drejtpërdrejt nga administrata presidenciale” (Citohet sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Në pikësynimet e tij të dhunshme kundër Ukrainës, Putini kërkon t’i tregojë muskujt Perëndimit, duke iu hakërruar dhe madje edhe duke e kërcënuar haptas fare. Për këtë qëllim, ai ka ngritur rreth vetes një ushtri të tërë me puthatorë (sevilë) profesionistë, të cilët janë bërë zëdhënësit e tij të drejtpërdrejtë. Njëri nga këta puthadorë me paha të madhe është Dmitri Kiselovi (1954), gazetar, drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitri Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Kështu, me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit me temë “Lajmet e Javës”, Dmitri Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:
“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e internetit “slon.ru”. 09 dhjetor 2013).
Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:
“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).
Por, çuditërisht, ky Dmitri Kiselovi, ky puthador i regjur i Putinit, në një tjetër deklaratë, shpalos dyzimin e personalitetit të vet dhe kalon nga roli i poshtëruesit të vetvetes, në rolin e një ngrehaluci agresiv që bëhet karagjoz në sytë e opinionit publik rus dhe atij ndërkombëtar.
Në emisionin përmbyllës të lajmeve të javës të kanalit televiziv “Rusia 1”, të datës 16 mars 2014, Dmitri Kiselovi deklaroi:
“Federata Ruse, po të jetë nevoja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur armët bërthamore” (Citohet sipas: Rusia mund t’i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës – drejtuesi i emisioneve televizive Kiselov”. Marrë nga faqja e internetit “news.liga.net”. 16 mars 2014).
Pra, nga deklaratat e mësipërme, rezulton se në vetëdijen e Dmitri Kiselovit bashkëjetojnë dy ndjenja të kundërta: ndjenja e puthadorësisë ndaj agait të tij në Kremlin dhe ndjenja agresivitetit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, lakeu i Putinit, brenda qenies së vet, ka krijuar një të tillë mjedis moral që e ka çuar drejt shpërbërjes së vetëdijes së tij, një dukuri kjo, të cilën, shkrimtari anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell – 1903 – 1950) e quan dyzim të vetëdijes, çka përbën një dyzim të personalitetit.
Dhe dyzimi i personalitetit të njeriut shpërfaqet fare kthjelltazi sa herë që këtij, sipas fjalëve të poetit dhe të publicistit të shquar polako-amerikan Çeslav Milosh (Česlav MiloŠ – 1911-2004), laureat i çmimit Nobel në letërsi për vitin 1980, i duhet “të thotë “kjo është e bardhë”, kur ajo është e zezë, të qeshë brenda vetes, kur, në dukje, i duhet të heshtë,.. të dijë të vërtetën dhe të shtiret si budalla hesapi…”.
Nëse në Rusi do të ishte ndërtuar me të vërtetë një shtet ligjor dhe nëse president i vendit do të ishte një tjetër individ, me një tjetër format intelektual, sigurisht që gazetari puthador i Putinit, me emrin Dmitri Kiselov, do të përfundonte pas hekurave për këtë kërcënim që u ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por këtij gazetari, të brymosur me ideologjinë e dhunës putiniane, pas kësaj deklarate prej krekacori të kulluar, nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, sepse pas tij fshihet vetë Putini.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eshref Ymeri, Putini apo “demokrati” i dhunës

DREJTËSI PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS NË KOSOVË

May 20, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të martën më 20 Maj, 2014, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga kryesoi mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës. Takimi inaugurues i këtij Këshilli u mbajt Marsin që kaloi gjatë të cilit u përcaktuan detyrimet dhe angazhimet e pjesëmarrësve të institucioneve qeveritare dhe jo-qeveritare për të ndihmuar dhe për të mbështetur njërën prej kategorive më të ndjeshme të viktimave të luftës në Kosovë. Është ky, më në fund, një angazhim i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës, i cili duke marrë parasyshë seriozitetin e këtij krimi çnjerëzor e barbar, duhej të trajtohej në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë vite më parë. Por siç tha edhe Presidentja Jahjaga gjatë takimit të posaçëm të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ky angazhim i ri i institucioneve dhe i shoqërisë civile u bë i mundur si përfundim i miratimit nga Kuvendi i Kosovës , Marsin që kaloi, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Por megjithëse kanë kaluar 15 vjet nga mbarimi I luftës, më në fund të pakën po bisedohet për këto krime dhe siç thotë fjala e vjetër, më mirë vonë se kurrë. Natyrisht se shteti dhe shoqëria kanë obligimet kryesore ndaj kësaj kategorie të viktimave të luftës. Dhe si rrjedhim nevojitet angazhimi i intitucioneve shtetërore, që siç tha edhe Presidentja e Kosovës Jahajaga, për të zhdukur tabutë dhe njëkohësisht e doemosdoshëme është njohja e këtij krimi të fshehur të luftës duke dërguar — nga nivelet më të larta, “një mesazh të qartë tek secila viktimë se ato nuk janë të vetme dhe që ne, si institucione dhe si përfaqësues të shoqërisë, do të përmbushim obligimet tona për t’ju ofruar atyre, në radhë të parë, njohjen ligjore dhe më pas qasjen në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri.”
Përveç kësaj, shteti i Kosovës në bashkpunim me vendet mike dhe me organizatat ndërkombëtare duhet të marri hapa të menjëherëshëm, edhe në nivel ndërkombëtar, që dhuna seksuale të trajtohet si një krim lufte dhe si përfundim, të kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Këtë angazhim të institucioneve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara, në të vërtetë, e vuri në dukje edhe Zëvendës Kryeministrja në detyrë Edita Tahiri, gjatë një bisede shoqërore që pata me të në New York para dy javësh, e cila siç duket, për këtë nismë ka siguruar edhe mbështetjen e disa ish-deputeteve të Kosovës, përfshirë edhe Ministren e Integrimit në detyrë, Vlora Çitaku. Gjatë takimit të parë të kësaj nisme të grave përfaqsuese të politikës së Kosovës, javën që kaloi (shih foton më poshtë), Edita Tahiri tha se nisma ka për qëllim të bind Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të përgatisin një raport zyrtar, i cili sipas saj, do të “vendosë drejtësinë për femërat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, si dhe për këtë tragjedi lufte, për krimet dhe gjenocidin që Serbia dhe forcat serbe kanë bërë gjatë luftës në Kosovë.” As Kombet e Bashkuara, as vetë Kosova dhe as organizata të tjera nuk kanë botuar ndonjë raport mbi numërin përfundimtar në lidhje me viktimat e dhunës seksuale kundër grave dhe vajzave gjatë luftës së Kosovë, as për përgjegjësit e këtyre krimeve. Me përjashtim të në një raporti të organizatës Human Rights Watch me qëndër në New York, mbi dhunën seksuale të kryer nga forcat serbe në Kosovë. Në atë raport thuhet se përgjegjësia për këto krime lufte bie mbi krejtësisht mbi shpatullat e oficerëve dhe komandantëve të forcave ushtarake dhe policiore të Serbisë. Raporti i botuar në vitin 2000 thekson gjithashtu se dhuna seksuale në Kosovë nuk ishte as e rradhë dhe as e izoluar, por përdorej me qëllim si një instrument lufte për të terrorizuar popullatën civile shqiptare. “Këto nuk janë incidente të rastit të kryera nga disa njerëz të çmendur. Dhuna seksuale është përdorur si instrument lufte dhe duhet të dënohet si i tillë. Këta individë që kanë kryer këto krime të tmerrshme duhet që patjetër të sillen para drejtësisë”, ka thënë Regan Ralph , drejtori ekzekutiv i degës mbi të drejtat e grave pranë Human Rights Watch.
Ndërkaq, shkurtin që kaloi, Sekretari britanik i punëve të jashtëme, William Hague ka njoftuar mbajtjen e një konference të nivelit të lartë kundër dhunës seksuale si instrument lufte — konferencë kjo që do mbahet më 10-13 Qershor në Londër dhe në të cilën do të marrin pjesë përfaqsues nga 140-vende. Gjatë një fjalimi në Washington, shkurtin që kaloi duke njoftuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje, Z. Hague ka thënë se nuk është një gjë e zakonshme që një burrë politikan të flasë mbi çështje të dhunës seksuale, por ai theksoi se, “dhuna dhe krimet seksuale janë kryesisht akte dhe krime të meshkujve kundër femrave dhe fakti se ato kanë ndodhur kur bota nuk bëri asgjë për t’i ndaluar ato krime, duhet të turpërojë, në radhë të parë, të gjithë burrat”kudo. Në të vërtetë — nënvijoi Sekretari britanik i punëve të jashtëme — injorimi i këtyre krimeve sikurë ato kinse nuk kanë ndodhur, është në vetvete diçka që nuk është burrërore. Nëqoftëse femrat gjithnjë trajtohen me këtë urrejtje të tmershme dhe barbare në kohë lufte, ato nuk do të trajtohen si të barabarta as në kohë paqeje, ka thënë mes tjerash dhe me të drejtë zyrtari i lartë britanik.
Presidentja Jahjaga njoftoi të martën në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës se Republika e Kosovës do të marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Londër mbi dhunën seksuale në kohë lufte, konferencë e cila do të bashk-kryesohet nga Sekretari britanik i punëve të jashtëme dhe aktorja amerikane Angelina Jolie. Presdientja e Kosovës tha gjithashtu se si pjesëmarrëse në këtë tubim, në emër të grave të dhunuara, Republika e Kosovës do të japë kontributin e vet në përpilimin e marrveshjeve ndërkombëtare për të evidentuar dokumentacionin mbi krimet e dhunës seksuale kundër femrave gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht do të ofrojë prëvojën e vet në këtë fushë, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit.
Mirëpo, për realizimin e këtij objektivi, është i nevojshëm angazhimi kombëtar, i jo vetëm grave politikane të Kosovës, por edhe i të gjithë burrave, me qëllim “për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar mbrenda dhe jashtë vendit”, mbi këtë çështje. Këto janë krime të cilat përbëjnë shkelje flagrante të konventave të Gjenevës mbi torturat dhe të ligjeve të luftës dhe si të tilla përbëjnë gjenocid dhe janë krime kundër njerëzimit. Njohja e këtyre krimeve çnjerëzore si krime lufte si dhe angazhimi i shtetit të Kosovës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të njohur me ligj statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rritë sadopak shpresat se kriminelët serbë të këtyre akteve barbare do të sillen eventualisht para gjyqit. As më pak as më shumë — kjo është drejtësia që më të drejtë kërkojnë viktimat e dhunës seksuale të luftës së Kosovës, drejtësi kjo që u është mohuar atyre për 15-vjetë dhe të cilën ua ka borxh jo vetëm shteti dhe shoqëria, por edhe bota, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe orgnaizata të tjera ndërkombëtare.

Ne Foto: Nga takimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: DREJTËSI PËR GRATË, E DHUNUARA GJA.TË LUFTËS, Frank shkreli, ne Kosove

Pse deshën të mbetemi shtet dhe komb Bonsai?

May 19, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Bonsai është art në veti , dhe mendohej se vjen nga Japonia ; por në të vërtetë origjinën e ka nga Kina,e e cila pastaj përhapet drejt lndjes në Kore dhe Japoni.Arti bonsai është përhapur nëpërmjet të priftërinjve Buddhist të cilët e dëshironin të “jashtmen” ta kultivojnë në mbrendinë e tempujve të tyre. Nga vizatimet e vjetra dhe dorëshkrimeve të kohës , mësohet që pemët (drunjtë) “artistik” të govatëzës janë kultivuar në Kinë rreth viteva 600 psK. Ka shënime që tregojnë se drunjtë në poqe ishin rritur po në Kinë dikur herët rreth mileniumit të parë ,para epokës sonë.Drunjtë Bonsai në Japoni janë parë së pari rreth shek .të 12 -të. Bota i falemnderohet artistëve kinez dhe japonez për ruajtjen e artit , këtij arti të bukur duke e mbajtur gjallë për mbi 2500 vjet, sepse pa entuziazmin e tyre,traditën artistike dhe punën e mundishmshme që kërkon shumë durim, ne sot nuk do të ishim dëshmitarë të teknikës Bonsai. Edhe pak fjalë për manipulimin me gjene të pemëve e cila i ka rrënjët në traditën buddhiste Zen. Një gjë duhet ta kemi parasyshë e të mos i përziejmë teknikat Bonsaj dhe asaj te shkurtabiqësisë ( bërja xhuxh e diçkafit) sepse kjo nuk e stërkeqë bimën e drunit por ia ruan përpjesitimet e sakta të saj.
Por , pse unë e morra teknikën Bonsai , çka më hyri në punë në shkrimin tim ? Sigurisht që e gjeta ngjashmërinë me dëshirën e “artistëve “ grabitçarë fqinj , të cilët deshën të krijojnë një Bonsai shtet dhe në të njetën kohë një Bonsai Komb.
A kemi fakte , pyetet pesimisti. Po .Jeta dhe gjendja ku jemi ,shpërndarja e e jonë gjeografike, zotërimi i km2 në pronësi t`tanën dhe numri i banorëve që ngëthejnë këto toka , plotësisht e vërtetojnë që kemi mbetur popull me shtete Bonsai. Pra , të krijuara artificialisht. Nuk jemi popull xhuxh, por nuk ishim as mbi një tokë xhuxhe . Por u bëmë Bonsai!
Të fillojmë dhe t`i numërojmë në mënyrë që mos t`i harrojmë . Kur i erdhi fundi një pushtuesi të madh në hapësirë dhe në kohë , neve nuk guxonim që t`i gëzohemi as robërije , sepse filluan planet tjera të skllavërimit dhe të zvoglimit tone shpirtëror dhe territorial .
Kongresi i Berlinit 1878 , coftina otomane heshtëte. Konferenca e Londrës 1913 , fqinjët shumë të zhurmshëm dhe Europa e frikësuar nga Rusia e coptoi token e Arbërit. Konferenca e Parisit 1920 , deshti që të krijon një shtet xhuxh: humbën rregullat Bonsai. Konferenca e Lozanës 1924, tmerri tjetër.
Por , a u kënaqën grabitësit me këtë coptim ? Jo. Donin edhe më ,që tokat tona të ishin pa ne. Filluan “ pazarimet” në mes të ish “pronarit” me “pronarët “e rinj . Atij “ pazari” i thonin ,secili në vend të vetin . Muslimanët në Turqi ! Ortodoksët në Greqi ! Latinët,? ( herët ishte për ta).

“Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 dhe marrveshja Jugosllavi-Turqi-Greqi e 28 shkurtit 1953 e njohur si Pakti Ballkanik e nenshkruara ne Ankara .Në bazë të hulumtimit sistematik të dy shërbimeve konzullare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1951-1968 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 414.500 shqiptarë… ndërsa gjatë periudhës në fjalë (bazuar në statistikat sekrete jugosllave) në Kosovë ishin sjellur në heshtje 63.000 kolonë sllavë, prej të cilëve, pas rënjes së Rankoviçit (1966) duke mos u duruar një farë “barazie” me shqiptarët, shumica prej tyre udbash e kriminelë marrin ikën për Serbi . Ndërkaq sipas statistikave të publikuara më vonë del se në periudhën 1952-1965 per ne Turqi janë shpërngulur: 452.371 shqiptarë. Në ato vite me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga Mali i Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) Në dimrin e vitit 1955/56 organizon aksionin për mbledhjen e armëve dhe gjatë këtij procesi të dhunshëm i keqtrajtuan në format më mizore mëse 30.000 shqiptarë.( pashtriku.org) .
Hulumtimet shkencore për zbardhjen e një ngjarje historike siq është marrëveshja “Xhentëllmene” turko-jugosllave e vitit 1953 ndërmjet Titos dhe Kypreliut, sado që janë jo të mjaftueshme,prap na japin një pasqyrë shumë të mirë për ta kuptuar këtë marrveshje. Vlen të përmenden veprat e historianëve të kombit shqiptarë siq janë: Fehmi Pushkolli në vepren “Fronti Popullor-Lidhja Socialiste e Kosovës”, Jusuf Osmani në vepren “Vendbanimet e Kosovës-Gjilani”, Hakif Bajrami “Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995”, Sabile Basha “Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës 1877-1995” dhe në shumë hulumtime të punimeve shkencore të cilat e kanë për objekt të studimit këtë temë shum të ndishme për popullin shqiptarë. Të gjitha këto vepra dhe shum dokumente tjera të cilat do ti përmendim në fucnot janë të lidhura me marrveshjen e Splitit ndërmjet Titos dhe Kypriliut. Në këtë marrveshje gojore edhe pse askush nuk diti se çka përmbante, pasojat e sajë u panë menjëherë, pas fillimit të zbatimit të sajë. Pas vitit 1953 filloi dëbimi masiv i shqiptarëve për në Turqi, gjë e cila e zbardhi këtë marrveshje. Represioni serbë u përcoll nga instrumentet shtetrore dhe në mënyr të organizuar nga vet shteti serbo-jugosllav. Paraprakisht ishte një marrveshje në mes Jugosllavisë dhe Turqisë e njohur si “Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938”, e cila parashihte dëbimin e shqiptarëve për në Anadoll. “……
Dhe kështu vazhdoi , dëshira për të na bër shtet dhe popull Bonsai

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, komb Bonsai?, Pse deshën, të mbetemi shtet dhe

Zgjedhjet ne Kosove- Ramush Haradinaj do të jetë Kryeministër

May 17, 2014 by dgreca

Nga Bleron Baraliu*/
Duke qene se krejt analistat kane ik neper parti dhe kane filluar ti lyejne ferteret perderisa peshku ende eshte ne det, po jap disa vështrime te mia, sado te cekta ne mungese kohe per ti shtjellu ma thukte. Ja nje sinopse ne numra dhe efekte:
(prognoza e votave: PDK 27 (LB 4, PD 4) LDK 21 AAK 16 VV 12 Nisma 7 AKR 4 *)
(kryeminister Ramushi, kryetar Hashimi, zgjedhjet e reja me 2016)
(marrveshja me serbine e kryer, veriu gati krejt jashte Kosoves, UCK e dermuar, progresi ne arsim dhe shendetesi i padukshem, vizat e lira, erozioni i shoqnise i pandalshem, ekonomia ne zhvillim me cak afatshkurte)
Albini dhe Isa doreheqje, VV renovim progresiv drejt partise se majte, LDK ndarje te reja drejt shkatrrimit perfundimtar, AAK-PDK bashkim afatgjate ne forcen e djathte politike.
*rezervoj te drejten per ta ndryshu prognozen nbaze te zhvillimeve ne 3 javet qe po vijne
1. Hashimi veqme po ben fushate shume te forte edhe strategjikisht edhe taktikisht, dhe veshtire se do ta zeje dikush per 3 jave te mbetura. Me koalicionet, PDK e ka zgjeru rrjetin aq sa pothuajse e ka garantu fitoren per spaku 5 pike per mbi LDK.
a. LB ka marr vendim te duhur strategjik ti bashkohet PDK-se, sidomos pasi AAK e ka refuzu si parti, nga frika e pragut.
b. PD per PDK ka efekt neutral ne vota, negativ ne ndikim, sepse nuk perket aty
c. PSHDK – e pabesueshme, drejt shuarjes se merituar
d. Lista duhej te shmangte Xh Halitin, Azem Sylen, Shukri Bujen, Bekim Haxhiun e te tille, per te bind elektoratin levizes se Hashimi e ka nder mend te bej si thote. Tash do ti humb kete per ne VV dhe Nisma. Pas kesaj, do te filloj restrukturimi i PDK-se pa Hashimin, dhe me siguri me angazhim me pak qendror te Kadriut se qe mendohet a pritet. “Garda” e PDK-se do ta hap rrugen e reformimit pavaresisht rezultateve.
2. LDK – deshtimi kyc eshte mosafrimi me Fatmir Sejdiun. Lista ka disa emra te mire brenda, por fushata si duket ka filluar me negativitet, dhe kohezioni as nuk duket larg ne horizont, se lere me ne organizim. LDK do te kete carje te medha ne mesazhin e kandidateve te ndryshem per deputet, dhe humbja e Prishtines do te (por nuk mund te) injorohet. Isa po vazhdon me avazin e vjeter, dhe ne debat ka me humb shume keq, sidomos ndaj Ramushit, prej te cilit nuk do ta pres fare. Partia e Forte, nese i lejohet forumi, poashtu ka me godit rende LDK-ne. VV (berthama e kandidateve si L. Aliu etj.) cak kryesor nuk e kane PDK-ne por LDK-ne, qe do te jete habi per Ilir Deden me kllapen e tij, e edhe per Shpendin, Fisin e x-FER-at. LDK po vazhdon ne spirale drejt fundit te saj dhe hapjes se rruges per nje parti afatgjate te majte, per te cilen do te drejtohet VV e re pas zgjedhjeve, pa Albinin!
3. AAK – do te jete supriza e zgjedhjeve. E para, sepse Ramushi do te paraaqitet me i sinqerte, me i besueshem, me pak konfliktuoz, dhe me i pranueshem per votuesit e pavarur ose jo-aktiv ne politike. Psh, per AAK mund te votoj edhe nje adhurues i Rugoves, edhe i Thaqit, madje edhe i VV-se, sado qe te kene humbur besimin ne subjektet perkatese. AAK poashtu do te jete surprize per fuqine negociuese perballe Hashimit, dhe me daljen e cakut te Ramushit per kryeminister ne drite, madje me perkrahje te nderkombtareve…
4. VV e filloi reformimin post plus-FER shume ligshte dhe me ngjallje te re te mosbesimit ndaj kapacitetit politik te saj, psh me prurjen e Ilir Dedes, si dhe me mbulesen e dobet te deshtimit ne zgjedhjet lokale x-Pr. Mbulesa e varur ne fitoren e Prishtines, veqse e formesonte me thelle bindjen se politika e FER-it u deshmua pragmatike perderisa VV vazhdon te enderroj ne revolucione destruktive. Megjithate, sjelljet e fundit ne liste te H. Hysenit, M. Baraliut , dhe Bislim Elshanit* (nese eshte ky i levizjes nga Suhareka,) i japin VV nje ngjyre procesi te maturimit, sepse keta sjellin dozen e inteligjences praktike ne rrafshin nacionalist, perkunder dogmatizmit neverites te Albinit. Erleta Ukshin Hoti eshte poashtu nje prurje e rendesishme, qe ne pergjithesi ia forcon kredibilitetin e LV-se ne rrafshin e orientimit pro-kombtar te njemendte e jo veq radikal pa mbulese.

5. Nisma nuk arriti te mbaj gjalle momentumin e krijuar, sepse Fatmiri eshte me teper njeri shperthyes se sa konsistent. Megjithate, performanca e ulet e PDK-se gjate mandatit te kaluar, bashke me neveritjet e nacionalisteve qe urrejne karakterin vasalist ndaj nderkombtareve, do te bejne te mjaftueshem numrin e votuesve per Fatmirin dhe Jakupin. Nismen do te mundohet Hashimi ta perdor kunder Ramushit, por shansat jane me te medha qe Fatmiri te hyj ne qeveri bashke me Ramushin dhe PDK-ne, duke krijuar bazat e partise se djathte.
6. AKR eshte humbesja me e madhe dhe me e merituar ne procesin parazgjedhor. Njerezit i kane kuptuar genjeshtrat e Sulltan Salepit (po huazoj E Robellin) dhe premtimet e kota te pareve ne ajer qe nuk zbresin kurre ne toke, perveq ndonje dallavere perfituese per te, nuk do ti bindin njerezit qe te votojne. Te pashpreset dhe te mllefosurit qe me teper merziten per oportunizem se sa zhvillim, me siguri do ta votojne AKR-ne ne krah te Mimozes e gjasave per magji, por AKR me siguri do te bie krejt prej pragut dhe do te shuhet e tera, per ta mbyll pergjithmone faqen e zeze te dinamikes Sulltan Salepi ne politiken e Kosoves.
*Te gjitha opinionet jane veq te miat, dhe te pa percaktuara per ndonje parti. Me vone do te jap vleresimet per kandidatet qe po i konsideroj, qe perfshijne listen e PDK-LB, VV, dhe AAK (Nisma, LDK jane out per momentin)
*Analiza eshte marre nga Expressi

Filed Under: Analiza Tagged With: Bleron Baraliu, kryeminsiter, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 884
  • 885
  • 886
  • 887
  • 888
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT