• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Na të birtë e shekullit 21, të birtë e turpit !

June 20, 2014 by dgreca

Ne Foto:Botuar më 31 dhjetor 1912 nga “The New York Times” shihen shqiptarët duke u larguar nga Nishi./
Nga Fahri XHARRA/
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë : “Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali: – Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut
me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut? Dhe Ismail Qemali ia priti:
– Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime!”
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot –
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej : “Sistemi policorë i UDB-së së Rankoviqit bënte trysni të ndryshme mbi shqiptarët (Në vitet e 50-ta shteti jugosllav kishte shpallur për objektiv një shoqëri pa shqiptarë), duke i shtypur dhe duke ua ngushtuar përspektivën, me çka synohej çshqptarizimi i Kosovës.)Si rezultat i këtj presioni, mjaftë shqiptarë u regjistruan si turqë dhe pati një rritje të ndjeshme të pakicës turke në Kosovë. Këtë process të deklarimit të dhunshëm të shqiptarëve si turqë e kundërshtuan intelektualët: Zekerija Rexha, Mehmet Vokshi, Skender Rizaj etj.”
S’duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis –
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.:“Për ta shpërblyer poziten e udhëheqësve shtetrorë të ish-Jugosllavisë (për merita e tyre antishqiptare) u propozua që Çubrilloviqit ti jepet shpërblimi AVNOJ-it i cili u refuzua kategorikishtë nga antari i Akademisë së Shkencave të Kosovës prof. Fehmi Agani.
Edhe pas kësaj periudhe, sidomos pas Luftes së Dytë Botërore filluan aksionet e mbledhjes së armëve dhe formave të tjera të presionit me qëllim të detyrimit të popullatës për shpërngulje në Turqi.”
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…: “Më 1953 në Split u takua kryetari i Jugosllavisë Josip Broz Tito dhe Fuad Kyprili, minister i punëve të jashtëme të Turqisë. Ata u moren veshë që të filloi shpërngulja e sërishme e shqiptarëve për në Turqi.. Marrveshja planifikonte vazhdimin e aksionit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për Turqi, në baz të Konventës së vitit 1938. Dëbimi i shqiptarëve parashihej të bëhet përmes Maqedonisë.. Kjo erdhi në shprehje të zbatohet menjëher pas prishjes së marrveshjes jugosllavo-shqiptare, me pretekstin se i sherbenin Shqipërisë u denuan dhe internuan nëpër burgje mbi 500 shqiptarë të cilët u derguan në kampin famkeqë të Goli Otokut.”
Hulumtimet shkencore për zbardhjen e një ngjarje historike siq është marrëveshja “Xhentëllmene” turko-jugosllave e vitit 1953 ndërmjet Titos dhe Kypreliut, sado që janë jo të mjaftueshme,prap na japin një pasqyrë shumë të mirë për ta kuptuar këtë marrveshje. Vlen të përmenden veprat e historianëve të kombit shqiptarë siq janë: Fehmi Pushkolli në vepren “Fronti Popullor-Lidhja Socialiste e Kosovës”, Jusuf Osmani në vepren “Vendbanimet e Kosovës-Gjilani”, Hakif Bajrami “Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995”, Sabile Basha “Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës 1877-1995” dhe në shumë hulumtime të punimeve shkencore të cilat e kanë për objekt të studimit këtë temë shum të ndishme për popullin shqiptarë.
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore –
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë:”Ç’do shqiptarë do të shpallej i rrezikshëm dhe I dyshimtë për sigurinë e vendit, sidomos intelektualët me të cilët i mbushën burgjet dhe pas kësajë u shpik kombësia turke.
Në periudhen kohore 1955-1957 si rezultat i marrveshjes “Xhentëllmene” pushteti serbë në proceset e montuara politike i rrahu brutalisht rreth 30 mijë shqiptarë, 300 prej tyre vdiqën nga plagët e marra.
Pushteti jugosllav krahas dhunës e gjunjëzimit ekonomik sulmonte thell edhe ndjenjat kombëtare, të kaluarën dhe traditen historike. Ai reduktoi hapjen e shkollave dhe të institucioneve arsimore e kulturore madje mohonte edhe prejardhjen e popullit shqiptarë.
Titistët në anën tjetër e bënë të veten, i përzuri mbi 18% të popullsisë shqiptare nga Jugosllavia për në Anadoll.”
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.: “Qeveria turke pasi mori informatat se është formuar shtabi jugosllav për shpernguljen e shqiptarëve e angazhoi Hulusu Kejmonin, për kontaktë me Jugosllavinë. Komunikimet ishin tepër sekret dhe u bënë përmes dokumentit turkë me numër dhe shifër tejet sekret nr. 3977/51, ku me këtë rastë Turqia inicion zyrtarishtë aktualizimin e konventës së vitit 1938. Turqia i kishte premtuar Jugosllavisë që shqiptarët do ti vendosë në vilajetin Mysh. “Pas të gjitha këtyre me 28 shkurt 1953, Koqa Popuviqi dhe Hulusu Kejman nënshkruan në Shkup një marrveshje të re sekrete, që në Turqi të shpërnguleshin të gjith myslimanet që jetojnë në Jugosllavi. Shtabi jugosllavë për dëbimin e shqiptarëve në Turqi u legalizua më 16 marsë 1955”..(Max Brym )„
( Migjeni dhe Historia e Dëbimit te Shqiptarëve : “Die Vertreibung der Albaner im alten Jugoslawien durch Tito und Rankovic “, jane për tu falemnderuar per kete shkrim)

Fahri Xharra 17.06.14 , Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: e turpit !, Fahri Xharra, Na të birtë e shekullit 21, të birtë

SENSIBILIZIMI I ÇËSHTJES ÇAME PAS VITIT 1990

June 20, 2014 by dgreca

Nga Me rastin e 27 Qershorit, ditës së gjenocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria/
Shkruan: Arben LLALLA/
Pas luftë së dytë botërore edhe pse shqiptarët në Ballkan ishin rreshtuar me grupin fitues të luftës kundër nazizmit mbi popullin shqiptar ndodhi edhe një tragjedi më e madhe, ajo e ricoptimit të tokave shqiptare nga fqinjët e saj Jugosllavia dhe Greqia. Ndër Tragjeditë të mëdha të kësaj ndarje e pësuan edhe shqiptarët nga Çamëria të cilët u masakruan dhe u dëbuan me forcë nga tokat dhe shtëpitë e tyre në fund të vitit 1944-1945. Pasi u përzunë me dhunë nga Greqia shqiptarëve nga Çamëria iu përvetësuan pasuritë dhe ju hoqën në mënyrë kolektive e drejtë e shtetësisë greke. Edhe pse pjesa tjetër e kombit shqiptar në ish-Jugosllavi po kalonte një dhunë të ashpër diktatoriale komuniste nuk e kishin harruar Çamërinë. Shpeshherë shqiptarët nga ish-Jugosllavia kur kalonin nëpër Greqi pranë fshatrave ku banonin shqiptarët gjenin mënyrat për të folur me banorët, mbase dikush do tua kthente në gjuhën e tyre shqipe. Nga rrëfimet e shumë miqve tanë kanë treguar se kanë takuar çamë që u kishin shpëtuar dëbimeve në vitet e shkuara dhe kanë ndier një mallëngjim të pa parë. Kjo ka ndodhur edhe për arsye sepse Shqipëria ishte e mbyllur në izolim të plotë.
Në fillim të viteve 1990, kur era e demokracisë përfshiu të gjitha vendet ish-Komuniste lidhjet midis të gjithë shqiptarëve në Ballkan u rivendosën. Andej dhe këtej kufijve filloji lëvizja e lirshme e njerëzve të një gjaku e gjuhe, por kjo lëvizje iu ndalua vetëm çamëve për të vizituar edhe si turistë vatrat e tyre.
Me kushtet e reja politike të krijuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Ballkan, u zgjeruan mundësitë për një bashkëpunim më të gjerë kulturore dhe arsimore midis shqiptarëve andej dhe këtej kufirit, pra edhe në Çamëri.
E kush mund t’u ndihmojë çamëve rrugët e rikthimit në Çamëri? Kush ka detyrë dhe obligim, por dhe mundësinë për t’u treguar rrugën e shumëdëshiruar vëllezërve çam?
Pikspari vet çamët që jetojnë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj duhet të jenë më të organizuar dhe të njëzëshëm në kërkesat e tyre. Pastaj intelektualët, lidershipi politik shqiptar brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por me theks të veçantë qendrat vendose të shteteve perëndimore që kultivojnë dhe veprojnë në bazë të parimeve themelore të demokracisë. Ndër të cilat janë të drejtat e njeriut, e drejta e pronës, e drejta e ruajtjes së gjuhës amtare, liria e fesë dhe e shtypit etj. Pa i harruar edhe gjykatat ndërkombëtare për të cilat mendoj se është koha që ta ngrenë zërin e tyre kundër gjenocidit të shtetit grek mbi popullatën çame
Ndoshta është e hidhur që themi se në shekullin e kaluar, intelektualë dhe politikanë e Shqipërisë Komuniste, jo vetëm që nuk luftuan për t’i treguar rrugën e rikthimit çamëve në tokat e tyre, por bënë çmos për të izoluar çështjen e tragjedisë së shqiptarëve nga Çamëria.
Intelektualët e sotëm, nuk duhet të kenë të njëjtën pikëpamje, sepse janë të ndërgjegjësuar për problemin dhe mendojnë se do t’i japin shpejt a vonë llogari historisë që nuk korruptohet, që mban letër e pendë për të shkruar.
Nga njohja e thellë e historisë së vërtetë të çamëve do të ndërgjegjësohen politikanët, diplomatët dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët edhe më fortë duhet ti bien borisë për të drejtat e shqiptarëve jo vetëm për ata që jetojnë në Çamëri, por edhe të atyre të përzënë me dhunë nga Çamëria. Ky obligim ndodhet kryesisht në supet e intelektualëve. Në mënyrë të veçantë, intelektualëve që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit të sotëm shqiptar. Ata edhe pse ndodhen jashtë shtetit zyrtar shqiptar, kanë avantazhin të shohin çka ndodh atje, me qartësi mendore më të madhe dhe më objektivisht. Kjo edhe prej përvojës që kanë nga kontakti me popujt e tjerë që jetojnë në shtetet multietnike për zgjidhjen e problemeve kombëtare.
Detyrë të rëndësishme për intelektualët që veprojnë jashtë Republikës së Shqipërisë do të konsideroja kultivimin adekuart të ndërgjegjësimit dhe përqendrimin në gjetjen e lidhjes së hallkave të humbura të zinxhirit kombëtar. Për sa u përket atyre që janë brenda Shqipërisë, intelektualë, artiste dhe në përgjithësi njerëzit e mendjes dhe të artit, kuptohet se ata kanë peshën më të madhe të gjetjes së rrugëve dhe vendimmarrjen e zgjidhjeve të problemeve të ndryshme.
Periudhat e kryengritjeve, e ndërrimeve me dhunë të sistemit, ose dhe të ndërrimeve të thjeshta në strukturat sociale-ekonomike të një shteti, mbartin një rrezik që nuk duket menjëherë. Brenda një periudhe të shkurtër mund të përmbysen dhe të rrëzohen vlera kombëtare shekujsh me ndërgjegje ose pa ndërgjegje.
Nga ana tjetër, kjo liri e befasishme mbas gjysmë shekulli primitivizmi dhe izolimi nga modernizimet kulturore dhe artistike, e ka shndërruar zemrën e tij në një arë të etur që është gati të pranojë jo vetëm shiun e pastër dobiprurës, por edhe çdo lloj ujërash të qelbura. Me një predispozitë të tillë psikologjike si mund të rezistojë ndaj “asimilimit kulturor” që ndodhet në kulmin e tij? Si mund të rezistojë ndaj “asimilimit të joshjes me të holla”? Prandaj kultivimi i një trungu kombëtar kulturor është i domosdoshëm dhe i nevojshëm, njësoj i barazvleshëm me forcimin ushtarak të mbrojtjes së një kombi, të një populli sot e përherë. Popujt që humbën identitetin e tyre kulturor shpejt u zhdukën. Tek shumë intelektualë dhe artistë që kanë ikur në emigracion vërehet rreziku i asimilimit kulturor dhe i joshjes duke bërë emër nëpër botë. Rrjedhimisht ata që nisen me synimin të bëjnë vepra botërore, duke mos shikuar popullin e vet. Pra, intelektualët e mëdhenj të kombit shqiptar janë ata që duhet ti tregojnë rrugën e vërtetë çamëve për rikthimin në vatrën e të parëve. Po në çfarë mënyre?
Sot jetojmë në botën e qytetëruar ku luftërat zhvillohen dhe fitohen me fjalë, me diplomaci. Pra, me rrugë demokratike, me ligjet e të drejtave të njeriut, konventat që janë firmosur nga shtetet që pretendojnë se janë demokratike.
Përskaj të gjitha këtyre argumenteve që u potencuan unë dua të marr një shembull konkret i cili mund të jetë rrugë në bazë të së cilës mund të arrihet zgjidhja e problemit çam dhe të gjithë popujve të tjerë me probleme të njëjta. Shembulli konkret është kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës diskutoji pas 100 viteve për gjenocidin turk mbi armenët. Kur kemi parasysh këtë fakt atëherë me të drejtë shtrohet pyetjen: Pse Gjykatat Ndërkombëtare nuk mund të diskutojnë për gjenocidin grek ndaj çamëve, turqve, egjeasve dhe hebrenjve? Për kundër faktit gjenocidi kundër këtyre ka ndodhur para 60 e ca viteve si dhe faktin se ende kemi njerëz, dëshmitarë të gjallë që mund të dëshmojnë për metodat ç’njerëzore që grekët përdorën ndaj çamëve, turqve, egjeasve dhe hebrenjve.
Pas viteve 1990 kemi disa Rezoluta pozitive për çështjen çame si:
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Dekret numër 7839 i datës 30 qershor 1994, shpall 27 Qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek.
Në Janar të vitit 1995 në Kuvendin e OKB-s që u mbajt në Hagë u aprovua Rezoluta Nr.12 që kërkon riatdhesimin e çamëve në trojet e tyre në Greqi, rifitimin e pronave të sekuestruara nga shteti grek dhe të fitojnë të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Më 8 Prill, 2004 Kuvendi i Shqipërisë miratoj Rezolutën ku kërkohet zgjidhja e çështjes çame midis dy vendeve Greqisë dhe Shqipërisë, rezoluta ishte kërkuar nga shoqata Çamëria. Kjo Rezolutë e miratuar me shumicë votash ishte mbajtur e fshehur deri në vitin 2013 ku edhe doli në fletoren zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, I ÇËSHTJES ÇAME, PAS VITIT 1990, SENSIBILIZIMI

Çështja delikate e Himarës është ajo e pronave dhe jo ndarja territoriale

June 19, 2014 by dgreca

Në të gjitha takimet që kanë bërë në SHBA përfaqësuesit e shoqatës së himarjotëve me banim në SHBA asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë problem me karakter etnik apo fetar që mund të ekzistojnë në Himarë, por në çdo takim ata kanë ngritur zërin për të drejtën e pronës dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik të zonës së Himarës./
FOTO: Nga vizita e fundit e himarioteve ne SHBA. Ne kete foto ata shoqerohen nga ambasadori shqiptar ne Washington, diplomati Gilbert Galanxhi/
Shkruan: Arben LLALLA/
Ka disa kohë që vlojnë diskutimet rreth ndarjes territoriale, ku më shumë zhurmë po bëhet rreth rastit të bashkimit të Komunës së Himarës me Lukovën dhe Vranishtin. Këtë bashkim e kundërshton fuqishëm i vetëm kryetari i shoqatës OMONIA-s Vasilis Bollanos i cili ditëve të fundit këtë problem politiko-ekonomik, ai personalisht po i jep një drejtim të rrezikshëm si një problem politiko-etnik. Por e vërteta është se Vasil Bollanos nuk i hanë shumë palla për Himarën dhe himarjotët, por për vetveten e tij i cili edhe pse politikisht partia dhe shoqata që përfaqëson është në pozitë, ai ka mbetur pa asnjë post të lartë shtetëror në bazë të marrëveshjes politike parazgjedhore të 2013 me PS. Humbja e Bollanos në zgjedhjet vendore të 2009 përballë Jorgo Goros i ka shkatërruar atij jo vetëm karrierën politike, por edhe pasurimin në rrugë jo ligjore duke bërë matrapazllëqe me pronat e himarjotëve.
Himarjotët e vërtetë nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë problem të bashkëjetesës me labërit, ata prej kaq shekujsh jetojnë bashkë sepse i bashkojnë gjaku, gjuha, traditat dhe martesat midis tyre. Por në çaste delikate shfaqen disa struktura antishqiptare të njohura tashmë të cilat çirren për një rrezik të madh për ndarjen dhe zhdukjen e Himarës “greke”. Pas viteve 1990, Himara në kohën e zgjedhjeve vendore është kthyer në një Arenë gladiatorësh, ku fytyra të poshtra të ardhur me autobusë nga Athina, nënshoqërinë e politikanëve të njohur grek vinin për të provokuar ndjenjat e himarjotëve dhe labëve për një konflikt brenda vëllazëror. Por sa janë të vërteta akuzat që Bollano me disa sahanlëpirës parashtrojnë sa herë që jemi në prag zgjedhjesh?
Më 14 Nëntor 2013, përfaqësuesit e komunitetit të himarjotëve me banim në SHBA u takuam me ambasadorin grek me seli në Washington z.Kristo Panagopulos dhe biseduan me diplomatin grek rreth problemeve të së drejtës së pronave dhe perspektivën e Shqipërisë në BE. Ku morën garanci se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE dhe zgjidhjen në bazë të ligjeve çështjen e pronave në Himarë.
Në 14 Shkurt 2014, përfaqësuesit e shoqatës së himarjotëve u takuan me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA z.Gilbert Galanxhin dhe diskutuan rreth çështjeve politike dhe problemet për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në zonën e Himarës. Në asnjë çast në këtë takim nuk u fol për ndonjë problem me karaktere etnike që mund të ekzistojë në Himarë. Në fund të takimit përfaqësuesit e organizatës së himarjotëve në SHBA falënderuan përzemërsisht ambasadorin e Shqipërisë z.Galanxhin për kohën dhe respektin që tregoj me këtë përfaqësi.
Komuniteti himarjot në SHBA që llogaritet mbi 1.500 anëtarë i shkruan një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA z.John Kerry dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Arvizu. Në letrat që i dërguan dy personaliteteve të qeverisë së SHBA, komuniteti himarjot në asnjë rresht të tyre nuk përmendnin ndonjë problem fetar, gjuhësor apo etnik që mund të ekzistojë në Himarë, por ata ishin të interesuar për pronat e tyre të konfiskuara në vitin 1945 dhe Ligjin 7501 për shpërndarjen e vetëm 20% të tokës së Himarës.
Më 28 Mars 2014, përfaqësuesit e komunitetit të Himarës në SHBA u takuan me z.Christopher Carver, zyrtar i Departamentit të SHBA për Shqipërinë, ata diskutuan rreth çështjeve për rikthimin e pronave të himarjotëve që jetojnë dhe punojnë prej shumë dekadash në SHBA.
Më 21 Maj 2014, komuniteti himarjot në SHBA bënë një takim me Kongresmenin amerikan me origjinë greke z.Gus Biliraqis dhe biseduan rreth problemeve në përgjithësi.
Pra, siç shihet në të gjitha takimet që kanë bërë në SHBA përfaqësuesit e shoqatës së himarjotëve me banim në SHBA asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë problem me karakter etnik apo fetar që mund të ekzistojnë në Himarë, por në çdo takim ata kanë ngritur zërin për të drejtën e pronës dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik të zonës së Himarës. Iniciativa e deputetit të zonës Koço Kokëdhima për ndarjen e re territoriale të Himarës e bashkuar me Vranishtin dhe Lukovë, pikërisht tek kërkesat e himarjotëve për një zhvillim ekonomik sa më të përparuar të Himarës dhe fshatrave përreth e ka pikënisjen e saj. Prandaj mendoj nuk ka asnjë pengesë ligjore, politike apo etnike dhe fetare për ti bashkuar këto tre komunat në një bashkësi të vetme me qendër Himarën. Shpresoj dhe uroj që iniciativa e deputetit Koço Kokëdhima për Himarën të përkrahet politikisht nga të gjithë partitë shqiptare për një Himarë të fortë ekonomikisht, të shkëputur nga politika dashakeqëse e Athinës. Sa për ish-kryetarin e komunës së Himarës, Vasil Bollano bënë mirë të japi llogari himarjotëve për ndarjen jo korrekte të tokave që kanë qenë nën juridiksionin e komunës, për mashtrimet e fondeve humane dhe si luftënxitësi kryesorë politik në këtë komunë shqiptare. Nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për Himarën dhe himarjotët sepse ata mbeten në thellësi të shpirtit dhe zemrës Kokëshkëmbët e Pathyeshëm Shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Çështja delikate, e Himarës, është ajo e pronave dhe jo, ndarja e territoriale

Detyra e Lartë ndaj Republikës

June 19, 2014 by dgreca

Nga Aida Dismondy/
Në Republikën e Kosovës zgjedhjet përfunduan dhe tani populli po bëhet spektator i mishmashit politikan kush e si e qysh do të formojë qeverinë, e kush do ta udhëheqë atë qeveri. Në këtë kacafytje politike bëhet e qartë se politikanët nuk e kanë në mendje kaosin që po shkaktojnë në demokracinë e brishtë të Republikës së Kosovës, e, çfarë është më e rëndësishmja, po del në pah se këta politikanë kanë më
tepër ndërmend zënien e karrikes sesa interesat e Republikës. Kjo vjen në një kohë kur interesat e shtetit kërkojnë që këta politikanë të jenë udhëheqës për Kosovën e popullin e saj. Politikanët e Kosovës kanë kohë të zihen mes vete, kur punët që presin s’lenë kohë për zënka.
Ata kanë kthyer mbrapsh shprehjen shumë të cituar të Presidentit John F.Kennedy “ mos kërko çfarë do bëjë atdheu për ty, por çfarë po bën ti për atdheun.” E kthyer në maksimë kjo shprehje në qendër të saj shtron detyrën që secili prej nesh si shtetas ka ndaj vendit, ka ndaj Republikës. Kjo detyrë kerkon marrjen e pergjegjësisë qytetare ku secili shtetas t’i thotë vetes “Si të kontribuoj dhe unë për vazhdimësinë dhe prosperimin e vendit.” Kjo përgjegjësi dhe kjo detyrë i përket çdo
qytetari në qeverisje apo jo, i punë apo i papunë, shkolluar apo i pashkolluar, i
varfër a i pasur, pra, secilit individ që e konsideron veten shtetas të Republikës së
Kosovës.
Kur më pas shtetasi ka privilegjin të jetë thirrur të shërbejë në qeverisje e udhëheqje të vendit e të popullit, sikurse politikanët e Republikës së Kosovës kane privilegjin të kenë këtë nder, atëherë detyra ndaj vendit është një detyrë më e lartë e njejtë sikurse detyra për ta mbrojtur atë, apo detyra për ta çliruar atë. Porse në kohë të lirisë kjo detyrë e lartë kërkon përgjegjesi të atillë që bën imperative shtrimin e rrugës në të cilën do të ecë shteti e demokracia e vendit. Kjo detyrë e
lartë dhe përgjegjësi është e tillë dhe ndaj popullit që iu ka dhënë këtyre bashkështetasve besimin për të drejtuar fatet e Republikës.
Por shumëpak kush ndër politikan e merr seriozisht këtë detyrë. Veç një javë më parë populli i besoi këta politikanë sërish që të marrin përsipër udhëheqjen e shtetit, por nga sherret e shamatat që këta politikanë po luajnë duket dhe është mjaft e qartë se ata nuk e kuptojnë detyrën për të cilën janë thirrur të jenë përgjegjës, pasi shqetesimi i tyre kryesor është “do bëhem ç’do bëhem” e për hir të
atij “llagapi” janë gati të venë mënjanë interesat e shtetit, të shkelin mbi besimin që
iu dha populli me 8 Qershor, le më pastaj të kryejne obligimet për të cilat i thërret detyra.
Situata ekonomike e Kosovës, statusi delikat politik i shtetit të ri kërkojnë pikësëpari dhe me urgjencë që këta politikanë të braktisin teatrin grotesk që po luajne dhe po bëhen karagjoz në sy të atyre diplomatëve dhe pushtetarëve te të cilët nesër do të trokasin për të kërkuar këtë apo atë gjë prej tyre, për të qenë më të saktë për të shkuar në dyert e Brukselit e të kërkojne viza për lëvizje të lirë, për të shkuar nëpër shtete të ndryshme me paratë e shtetit e të ndërtojnë argumentin bindës pse
kompanitë e huaja duhet të kthejnë sytë për investim nga Kosova. Këta politikanë me menyrën sesi po sillen jo vendit qe nuk i sherbejne por as vetes së tyre, pasi duket se keta shtetas të thirrur për të shërbyer nuk kanë respekt për vete e jo më proceset demokratike të cilave duhet t’u binden. Shkurt, kanë humbur tërësisht kredibilitetin si individë të aftë për të udhëhequr. Çështja mbetet a do të zgjohen shpejt këta politikanë e të mendojnë me logjikë për detyrën për të cilën janë thirrur të përmbushin? A i thotë kush mes tyre vetes “Vendi më thërret për t’i sherbyer e ky është qëllimi im i lartë”?
Për ata që duan rifreskim të kujtesës e janë të paqartë qëllimi më i lartë në këto momente është prosperimi ekonomik i Kosovës. Kosova nuk mund të paguajë dhe të vazhdojë të lengoje prej miopisë e udheheqjes që ka pasur në këto vite të lirisë dhe në këtë fillim të ekzistencës gjashtë vjeçare si shtet i pavarur. Kosovës në këto momente i duhet një vizion i qartë për të ardhmen, që përmban në qendër të tij zhvillimin ekonomik të Kosoves, çfarë do të përmbajë zhvillimin e politikes ekonomike të cilat do të çojnë në progresin e ekonomisë vendase, strukturës ekonomike, zgjerimin e tregëtisë (eksportit), edukimin dhe investimin në kapitalin njerëzor, krijimin e infrastrukturës vendore që të lehtësojë transportin e mallrave, dhe formulimin e nje politike te jashtme që mësyn në integrimin e mire në BE.
Pra, ndjekja e nje plani progresist që do të çojë në krijimin e një të ardhme të qëndrueshme: më pak te varur nga fondet e huaja, që janë sherbyer një copë këtu një cope atje si arna për të mbyllur vrimat e më tepër të mbeshtetur nga vizioni i qartë dhe veprime të guximshme.
Për këtë zhvillim progresiv kërkohet që politikanet e zgjedhur të lenë mënjanë karikaturën që po krijojnë dhe t’i shërbejnë popullit e Republikës me të njejtin pasion që i shërbyen Kosovës në kohën e luftës apo me të njejtin pasion që po synojnë karriken. Kancelarja Merkel e tha qarte se, nëse Kosova anëtaresohet apo jo në BE kjo varet prej saj. Prandaj, është imperative për ata që do të marrin timonin
udhëheqës të Kosovës e të popullit të saj ta marrin tejet me seriozitet detyrën e lartë për të cilën janë thirrur të përmbushin për shtetin e për të cilën i duhet t’i pergjigjen popullit që i zgjodhi. Pa kuptuar tërësisht detyrën planet më fantastike e më progresive për zhvillim do të mbeten ëndërra në sertaret e popullit, keshtu dhe prosperimi i Republikës së Kosovës, kaq i trumpetuar gjatë fushatës së fundit, do të qëndrojë në vend numëro. Pra, vihuni në shërbim të vendit.

© Aida Dismondy, Qershor, 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Detyra e Lartë, ndaj Republikës, Nga Aida Dismondy

HARRESA E FAN NOLIT

June 13, 2014 by dgreca

Harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vetë/
NGA FRANK SHKRELI/
Muajin e kaluar u shënjtërua kisha ortodokse shqiptare, “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ku ishin ftuar shumë udhëheqës botërorë të Kishës Ortodokse dhe ku ishin të pranishëm edhe udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për Shqipërinë. Dhe si e tillë, megjithëse unë ndoshta nuk e kam ndjekur mirë situatën dhe mbase mund të jem gabim, por m’u duk sikur nuk dëgjova të jetë përmendur shumë emëri i Fan Nolit — arkitektit dhe themeluesit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Thashë me vete, deklaratat fyese anti-shqiptare të kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë ishin tepër të rënda për çdo shqiptar, por “harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vet, është e pafalshme.
Harresa zyrtare ndaj rolit që ka luajtur Fan Noli në jetën fetare, politike dhe kulturore të kombit — si kishtar dhe si politikan – nuk ishte e para ndaj tij dhe as ndaj personaliteteve të tjera të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Përballë kësaj atmosfere gjatë shënjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, ku me qëllim ose pa qëllim, siç duket u hodhë në harresë roli fetar dhe kombëtar i themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, gati si në hakmarrje fillova të lexoja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit, kështuqë ditët e fundit më ra rasti të lexoj një artikull të gjatë, që kishte shkruar Profesor Arshi Pipa në revistën “Kritika”, më 1944 në Tiranë, revistë kjo që botohej dhe drejtohej prej tij. Artikulli, që më vonë u botua edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” e Komitetit Shqipëria e Lirë në New York, mban titullin, “Fan Noli: Bariu i Popullit”. Si rrjedhim, mendova se ia vlenë që të ndajë disa shënime mbi këtë vlersim të lartë që i bëhet Nolit nga Arshi Pipa, për lexuesit që ndoshta nuk kanë patur rast ta kenë lexuar më parë.
Siç duket, Arshi Pipa i mërzitur nga harresa e deri atëhershme ndaj figurës kombëtare të Nolit u detyrua të shkruante artikullin, sepse sipas tij, figura e Fan Nolit deri atëherë ishte lënë “në heshtje të pameritueme”. Ai e cilëson Nolin si njërin “prej të mëdhëjve tanë, një personalitet politiko-fetar”. “Ai është një përfaqsues i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruante Arshi Pipa më 1944.
Duke e quajtur Nolin, “Bari i Popullit”, Profesor Pipa vlerësonte se karakteristikë e fjalimeve dhe të shkrimeve të prelatit shqiptar “është gjithmonë ideali humanitar dhe kombëtar i Fan Nolit” dhe vazhdon duke thënë se, “Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: Atdhe e Njerëzim. Më parë Atdheu!”
Për të bindur lexuesin se roli i Nolit në jetën politike dhe fetare të Shqipërisë nuk duhej qitur në harresë dhe për të pasqyruar njëkohsisht edhe atdhetarizmin e Fan Nolit, Arshi Pipa nxjerrë një paragraf nga një fjalim që Noli kishte mbajtur më 1911 në Amerikë, në një kohë kur, siç thotë ai, nuk kishte Shqipëri, por kishte shqiptarë. “Shqipëria kërkon luftarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flagë të luftës që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shënjtë i Lirisë dhe të vdesim dyke thirrur: Rroftë Shqipëria”. Ishte kjo thirrja e Nolit drejtuar bashkatdhetarve të vet në mërgim më 1911, për t’i shkuar në ndihmë Shqipërisë.
Pipa shkruan se njeriu njihet nga idetë dhe nga ndjenjat e tija dhe shton se idetë e Fan Nolit, mbi disa prej problemeve njerëzore më të rëndësishme, siç janë feja, kombi, qeverisja, janë çështje që Noli i kuptonte shumë mirë”, thotë Profesor Pipa. Noli, shkruan ai, e kishte kuptuar se, “Feja dhe kombësia nuk janë dy ide që përjashtojnë njëra tjetrën. Mjaftë që e para t’i përshtatet së dytës. Feja përfshihet kështu tek kombi, si një rreth më i vogël, në një rreth më të madh…në atdheun shqiptar që i përmbledhë, jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhura bashkë me një nye trefish, të pakëputshëm, në mes”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa, në vlerësimin e tij në lidhje me idetë e Nolit përsa i përket kombit dhe rolit që duhet të luajnë fetë në një shoqëri.
Në artikullin e tij, kundër heshtjes dhe harresës së rolit që ka luajtur Fan Noli në historinë e kishtare dhe kombëtare të Shqipërisë, të shkruar 70-jetë më parë në revistën “Kritika” që ai vet botonte në Tiranë — në lidhje me problemet në relacionet komb-fe, — Arshi Pipa citon Nolin të ketë thënë se, “U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq në ndryshimin fetar (midis nesh), se sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për ata që vepronin si vegla të tyre të vërbëra.” Për hir të fesë nuk ndrrohet kombësia, shkruan Pipa dhe vazhdon të citojë Nolin i cili ka thënë se, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë kombësinë e tij, pa venë në ball një vulë prej tradhëtari”, ka deklaruar Bariu i Popullit, Fan Noli
Arshi Pipa shkruan mbi Fan Nolin-Bariun e Popullit, duke komentuar se, “Feja për Nolin ishte një funksion i kombësisë.” Sipas tij, “Noli u bë prift pse ashtu e donte dobija e atdheut”. Ndërsa në lidhje me gjëndjen aktuale politike të kohës, të cilën Pipa e cilësonte si “lëngatën e vazhdueshme të këtij vendi të vuajtun”, ai e citon Nolin ta ketë përshkruar anarkinë politike të atëhershme duke thënë se, “Këtu, brenda një dite, si me magji – tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar.”
Vazhdon artikullin Arshi Pipa duke cituar nga kushtrimi i Nolit drejtuar shqiptarëve të Amerikës më 1911, në të cilin ai u bënte thirrje atyre të ndihmonin atdhetarët që kishin marrë pushkën kundër pushtuesit turk, “plot sulm e flakë baroti”, duke kritikuar gjithashtu edhe ato që ai quan si “injorancën, mungesën e kulturës dhe mungesën e ‘fundit moral’, siç e quajti Noli. Ndërsa bën pyetje se, “Cili është morali i një kombi? Cila është ajo gjë e cila e bën një komb të rrojë? Është ideja e madhështisë së tij”, përgjigjet Noli, por vijon duke paralajmëruar se, “Ne nuk njohim historinë, traditat tona, për të pasur një ndjenjë të fortë kombësie”, dhe shton se, “madje vet emëri i Skënderbeut ishte i panjohur për ne”, citohet Noli në artikullin e Arshi Pipës. Noli inkurajon bashkatdhetarët në Amerikë se edhe kombi shqiptar ka heronjë siç ka Amerika, Washingtonin dhe përmend Isa Boletinin dhe Marash Ucin, duke shtuar se lufta dhe fitoret e shqiptarëve nuk janë aspak më të vogëla se ato të heroit amerikan, por thekson Noli, ata nuk njihen sepse “nuk ka pasë historianë që t’i shpallte, poetë që t’i këndonte: Shqiptarë që t’i lexojshin…”.
Në artikullin e tij të botuar shtatë dekada më parë, përveçse ve në dukje atdhedashurinë e flakët të Nolit, Arshi Pipa shkruan edhe për “mendësinë e tij ndriçuese, tipikisht humaniste” dhe në mbështetje të kësaj citon nga fjalimin që Fan Noli kishte mbajtur në Korçë më 1923, ku kishte shkuar për të biseduar me korçarët për mënyrën e qeverisjes. Pipa shkruan se Noli u drejtohet korçarëve në mënyrë të paqët, me një bisedë miqësore, të matur e të arsyeshme duke thënë se: “Kam ardhur për herën e dytë në qytetin tuaj të bukur, me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mbi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miqë të vjetër dhe të fitonj miq të rinj. Po këtë herë, jo me bekime në të cilat populli përgjigjet amen, por me proponime dhe mendime të cilat do t’ju ftonj t’i peshoni, t’i pëlqeni e t’i vazhdoni.”
Arshi Pipa e cilëson këtë deklaratë të Nolit, si fjalët e një njeriu të ndershëm i cili nuk dëshiron të përfitojë nga petku i tij fetar për të terhequr turmat. “Flet politikani, heshtë kishtari – feja që bëhet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet”, shkruante Arshi Pipa në revistën e tij “Kritika” në Tiranën e vitit 1944, duke shtuar se, “Noli ashtë në politikë sikurse në fe: kundër fanaticizmit, kundër demagogjisë: liberal e tolerant gjithmonë.” Arshi Pipa shprehet në shkrimin dedikuar Fan Nolit 70-vjetë më pare, se “historia, shpeshëherë na duket si shumë e verbët, shumë e egër”, sikur don të na thotë se historia nuk e ka trajtuar drejtë Fan Nolin, dhe e përfundon artikullin e tij duke thënë se, “Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të nalta njerëzore. Ata, që ma tepër e kanë dashtë njerzinë, ata janë kryqëzue prej saj”, ka thënë Arshi Pipa, në vlerësimin e rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit në artikullin me titull “Bariu i Popullit”, në numrin 4 të revistës “Kritika” të viti 1944, të drejtuar prej tij.
Fatkeqsisht, duket se kjo hipokrizi për të cilën shkruante Arshi Pipa 70-vjetë më parë vazhdon të mashtrojë edhe sot idealet më të larta njerëzore, politike dhe fetare dhe të shtrembërojë dhe të mohojë historinë. Anashkalimi, ose siç shkruante Arshi Pipa më 1944, “heshtja e pameritueme” ndaj rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit duket se u zbatua edhe gjatë ceremonisë së shënjtërimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Tiranë, kohët e fundit. Kushdo qofshin ata që e hodhën në heshtje prelatin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse shqiptare, oratorin, diplomatin, letrarin, poetin, muzikologun — Fan Nolit nuk ia ulin as meritat fetare dhe as ato atdhetare dhe as nuk mund t’ia humbin shkëlqësimin e tyre të denjë, as para popullit shqiptar as para botës. Fan Noli mbetet njëri prej viganëve të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, i cili me vetitë e tija të rralla u përpoq dhe kontriboi me sa kishte mundësi për Kishën e vet, të cilën ai themeloi si dhe për Atdheun, për të cilin megjithse në mërgim, jetoi dhe punoi pa kursim. Për këtë, Fan Noli meriton ndër shekuj mirënjohjen, jo vetëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe të mbarë kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Harresa e Fan Nolit, Nga Frank Shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 892
  • 893
  • 894
  • 895
  • 896
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT