Nga Aida Dismondy/
Në Republikën e Kosovës zgjedhjet përfunduan dhe tani populli po bëhet spektator i mishmashit politikan kush e si e qysh do të formojë qeverinë, e kush do ta udhëheqë atë qeveri. Në këtë kacafytje politike bëhet e qartë se politikanët nuk e kanë në mendje kaosin që po shkaktojnë në demokracinë e brishtë të Republikës së Kosovës, e, çfarë është më e rëndësishmja, po del në pah se këta politikanë kanë më
tepër ndërmend zënien e karrikes sesa interesat e Republikës. Kjo vjen në një kohë kur interesat e shtetit kërkojnë që këta politikanë të jenë udhëheqës për Kosovën e popullin e saj. Politikanët e Kosovës kanë kohë të zihen mes vete, kur punët që presin s’lenë kohë për zënka.
Ata kanë kthyer mbrapsh shprehjen shumë të cituar të Presidentit John F.Kennedy “ mos kërko çfarë do bëjë atdheu për ty, por çfarë po bën ti për atdheun.” E kthyer në maksimë kjo shprehje në qendër të saj shtron detyrën që secili prej nesh si shtetas ka ndaj vendit, ka ndaj Republikës. Kjo detyrë kerkon marrjen e pergjegjësisë qytetare ku secili shtetas t’i thotë vetes “Si të kontribuoj dhe unë për vazhdimësinë dhe prosperimin e vendit.” Kjo përgjegjësi dhe kjo detyrë i përket çdo
qytetari në qeverisje apo jo, i punë apo i papunë, shkolluar apo i pashkolluar, i
varfër a i pasur, pra, secilit individ që e konsideron veten shtetas të Republikës së
Kosovës.
Kur më pas shtetasi ka privilegjin të jetë thirrur të shërbejë në qeverisje e udhëheqje të vendit e të popullit, sikurse politikanët e Republikës së Kosovës kane privilegjin të kenë këtë nder, atëherë detyra ndaj vendit është një detyrë më e lartë e njejtë sikurse detyra për ta mbrojtur atë, apo detyra për ta çliruar atë. Porse në kohë të lirisë kjo detyrë e lartë kërkon përgjegjesi të atillë që bën imperative shtrimin e rrugës në të cilën do të ecë shteti e demokracia e vendit. Kjo detyrë e
lartë dhe përgjegjësi është e tillë dhe ndaj popullit që iu ka dhënë këtyre bashkështetasve besimin për të drejtuar fatet e Republikës.
Por shumëpak kush ndër politikan e merr seriozisht këtë detyrë. Veç një javë më parë populli i besoi këta politikanë sërish që të marrin përsipër udhëheqjen e shtetit, por nga sherret e shamatat që këta politikanë po luajnë duket dhe është mjaft e qartë se ata nuk e kuptojnë detyrën për të cilën janë thirrur të jenë përgjegjës, pasi shqetesimi i tyre kryesor është “do bëhem ç’do bëhem” e për hir të
atij “llagapi” janë gati të venë mënjanë interesat e shtetit, të shkelin mbi besimin që
iu dha populli me 8 Qershor, le më pastaj të kryejne obligimet për të cilat i thërret detyra.
Situata ekonomike e Kosovës, statusi delikat politik i shtetit të ri kërkojnë pikësëpari dhe me urgjencë që këta politikanë të braktisin teatrin grotesk që po luajne dhe po bëhen karagjoz në sy të atyre diplomatëve dhe pushtetarëve te të cilët nesër do të trokasin për të kërkuar këtë apo atë gjë prej tyre, për të qenë më të saktë për të shkuar në dyert e Brukselit e të kërkojne viza për lëvizje të lirë, për të shkuar nëpër shtete të ndryshme me paratë e shtetit e të ndërtojnë argumentin bindës pse
kompanitë e huaja duhet të kthejnë sytë për investim nga Kosova. Këta politikanë me menyrën sesi po sillen jo vendit qe nuk i sherbejne por as vetes së tyre, pasi duket se keta shtetas të thirrur për të shërbyer nuk kanë respekt për vete e jo më proceset demokratike të cilave duhet t’u binden. Shkurt, kanë humbur tërësisht kredibilitetin si individë të aftë për të udhëhequr. Çështja mbetet a do të zgjohen shpejt këta politikanë e të mendojnë me logjikë për detyrën për të cilën janë thirrur të përmbushin? A i thotë kush mes tyre vetes “Vendi më thërret për t’i sherbyer e ky është qëllimi im i lartë”?
Për ata që duan rifreskim të kujtesës e janë të paqartë qëllimi më i lartë në këto momente është prosperimi ekonomik i Kosovës. Kosova nuk mund të paguajë dhe të vazhdojë të lengoje prej miopisë e udheheqjes që ka pasur në këto vite të lirisë dhe në këtë fillim të ekzistencës gjashtë vjeçare si shtet i pavarur. Kosovës në këto momente i duhet një vizion i qartë për të ardhmen, që përmban në qendër të tij zhvillimin ekonomik të Kosoves, çfarë do të përmbajë zhvillimin e politikes ekonomike të cilat do të çojnë në progresin e ekonomisë vendase, strukturës ekonomike, zgjerimin e tregëtisë (eksportit), edukimin dhe investimin në kapitalin njerëzor, krijimin e infrastrukturës vendore që të lehtësojë transportin e mallrave, dhe formulimin e nje politike te jashtme që mësyn në integrimin e mire në BE.
Pra, ndjekja e nje plani progresist që do të çojë në krijimin e një të ardhme të qëndrueshme: më pak te varur nga fondet e huaja, që janë sherbyer një copë këtu një cope atje si arna për të mbyllur vrimat e më tepër të mbeshtetur nga vizioni i qartë dhe veprime të guximshme.
Për këtë zhvillim progresiv kërkohet që politikanet e zgjedhur të lenë mënjanë karikaturën që po krijojnë dhe t’i shërbejnë popullit e Republikës me të njejtin pasion që i shërbyen Kosovës në kohën e luftës apo me të njejtin pasion që po synojnë karriken. Kancelarja Merkel e tha qarte se, nëse Kosova anëtaresohet apo jo në BE kjo varet prej saj. Prandaj, është imperative për ata që do të marrin timonin
udhëheqës të Kosovës e të popullit të saj ta marrin tejet me seriozitet detyrën e lartë për të cilën janë thirrur të përmbushin për shtetin e për të cilën i duhet t’i pergjigjen popullit që i zgjodhi. Pa kuptuar tërësisht detyrën planet më fantastike e më progresive për zhvillim do të mbeten ëndërra në sertaret e popullit, keshtu dhe prosperimi i Republikës së Kosovës, kaq i trumpetuar gjatë fushatës së fundit, do të qëndrojë në vend numëro. Pra, vihuni në shërbim të vendit.
© Aida Dismondy, Qershor, 2014