• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/
 70 vjet më parë në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mblodh Konferenca e Këshillit Nacional-çlirimtar të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (e njohur me emrin Konferenca e Bujanit). Dera e kullës së Sali Manit, Tropojë, u hap për të pritur 49 delegatë nga vise të ndryshme të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të të gjithë popujve që jetonin në këto hapësira shqiptare.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje, që është një faqe e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, do të jeptë rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, aq jetik për popullin shqiptar. Në Rezolutën e dalë nga kjo Konferencë shprehet qartë se populli i Koosvës, ashtu si edhe deri më sor, shpreh vullnetin e tij për t’u bashkuar me atdheun e tij Shqipërinë, dhe se këtë qëllim e sheh të mundshëm për t’u realizuar duke marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesve nazistë.
Trajtesa e problemeve të Konferencës lidhej me pjesmarrjen në Luftën Antifashiste, përkrah popujve të tjerë, si dhe me pozitën që duhej të kishte Kosova pas luftës, pozitë e cila duhet të ishte e barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, siç ishte shprehur dhe në mbledhjen e AVNOJ-it të nëntorit 1943.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës e përcollën me gëzim e besim këtë ngjarje, udhëheqja jugosllave reagoi ashpër kundër vendimeve të saj, nëpërmjet letrës së 28 marsit 1944. Në atë letër u sulmua pozita e veçantë e Kosovës me viset e tjera dhe sanksionimi që i bëri Konferenca problemit të vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk u njoh Këshilli Nacionalçlirimtar si organi më i lartë i pushtetit për Kosovën. Vendimet e kësaj Konference historike u lanë në heshtje edhe nga udhëheqja e PKSH, çka përbën një anashkalim të qëllimshëm, një tradhti të fshehur për problemin kombëtar.
Tito dhe Hoxha në kulisat e një politike tinëzare e djallëzore, me akordin e tyre përligjën padrejtësitë e Traktatit të Versajës, që krijoi Jugosllavinë, për të plotësuar interesat hegjemoniste të Sllavëve të Jugut.
Krejt shekulli XX kaloi për popullin vëlla të Kosovës në shtypje politike, ekonomike e kombëtare, Tropoja, djepi i Konferencës historike, tre herë gjatë 100 vjetëve të fundit hapi portat e mikëpritjes, të vëllazërimit e të shpëtimit për kosovarët e ndjekur e të përzënë prej trojeve të veta nga dhuna e kralëve të vjetër e të rinj të Beogradit.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo që punojnë e jetojnë në botë, me një zë të vetëm u ngritën e i thanë ndal revanshit të Millosheviçit, që në fund të shekullit të kaluar e ktheu Kosovën në një varr të hapur,  vrau, preu e dogji shtëpi të shqiptarëve etnik.
Tani, në 70 vjetorin e Konferencës së Bujanit, Kosova hyn në vitin e gjashtë të saj si shtet i pavarur e sovran me mbi njëqind njohje ndërkombëtare dhe ecën drejt antarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca e Bujanit, kjo faqe e pambyllur e historisë, troket sot pas gjysmë shekulli në memorien kombëtare me zërin atdhetar e trimëror të hartuesve të Rezolutës së saj: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Rifat Berisha, Zekeria Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Sali Mani, Veli Nimani, Hasan Isufi, etj.
Vendimet e saj janë kambana alarmi për politikën dhe brezat e sotëm. Jehona e kësaj ngjarjeje përcjell herë pas here atë solemnitet, atë vendosmëri e heroizëm që u shfaq në ato tri ditë (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Thirrja e saj madhore që bëri rrugën nga dimri me borë i atyre viteve, në acarin e borën e këtij dimri mbetet:Me Kosovën e për Kosovën.
Homeri i ndjesive shqiptare, poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta lëshonte kushtrim, që është i freskët edhe sot: “…Në kamë shqiptarë e mos t’ju lëshojë zemra / Në kamë se kurrsesi s’keni me u thye / e t’ju bijë ndërmend se më e rëndë është thembra e shkjaut kokë e trashë / se guri i vorrit në krye./ Në kamë pra djem shqiptarë kushdo ka le / në mos mujt shqiptar me mbet / shqiptar të hyjë nën dhe /.
Për Konferencën e Bujanit kam botuar para 16 viteve një vështrim historiko-politik në gazetën e parë opozitare postkomuniste, në RD (29 dhjetor 1998) me titull “Kosova të bashkohet me Shqipërinë”, e cila tashmë nuk është një thirrje, nuk mbetet veç apel kombëtar, por është një domosdoshmëri historike drejt së cilës duhet ecur pa u ndalur, pa shmangie, vendosmërisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, Kosova te bashkohet, me Shqiperine

GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull duke kërkuar mbështetje jashtë vendit.  Ndërkohë që thuhet se Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15-miliard dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën.  Gjëndja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin Maidan.  Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe  nga   ndërhyrjet e ashpëra të policisë  dhe forcave të Ministrisë së Mbrendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarve që mbulojnë protestat, sulme këto që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare.

Gjithmonë në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë  të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë.   Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë.  Jo se gazetarët ukrainas kanë gjë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënse të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase.  Andaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, ashtuqë gazetarët të qëndrojë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet.

Njoftohet se gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur dyzina gazetarësh.  Instituti Ukrainas për Media thotë se ka pëpiluar një listë me 60 emëra gazetarësh të rrahur e të plagosur.  48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq,  organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qëndër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazterave në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarve që nuk përfshihen në listen e Institutit Ukrainas për Median.

Human Rights Watch u bën thirrje partnerve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.  Organizata Human Rights Watch citon përfaqsuesen e saj Anna Neistat, e cila gjëndet në Kiev se, “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me dyzina përfaqsues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqsues të medias.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch thotë se “Sulmet kundër gazetarëve të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëatre që ka marrë përsipërUkraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.”

“Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të pa-armatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”, tha Ana Neistat e Human Rights Watch.   Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale,të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut.   Më heret, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e sajë mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarve në protestat e Kievit gjatë dy muajve të fundit.

Edhe organizata për mbrojtjen e gazetarave, “Reporterët pa Kufijë” me qëndër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunëshme kundër gazetarve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës.  “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqsuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqsuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, thuhet në deklaratën e “Reporterve pa Kufij’’

Sulmeve kundër përfaqsuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një noftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorve që mbikqyrë transmetimet  ndërkombëtare të  Shteteteve të Bashkuara njoftoi se Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për tu takuar me gazetarët që punojnë për entet  amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë, dhe njëkohsisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarve dhe për tu bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna.  Përfaqsuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar potestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjith vështirsitë me të cilat janë përballuar.  ”Një shoqëri e lirë nuk rrah gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre,” tha Kevin Klose.

Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikqyrë transmetimet e Radio Europës së Lirë dhe të Zërit të Amerikës, tha se Bordi që ai përfaqëson, “Dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të Radios Europa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës që punojnë këtu, është e palëkundshme”.  Ai shtoi se, “Ne bejmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.”  Sipas njoftimit të Bordit të transmetimeve amerikane ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, Z. Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas që të kryejnë detyrëne  tyre në mënyrë profesioanle duke respektuar dhe duke mbrojtur  të drejtën e gazetarve që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt.”

Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarve, përfaqsuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi.   Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve.  Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i  përdorimit të dhunës kundër gazetarve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë.  Fatkeqsisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të të drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarve.  Sepse, siç ve në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Stypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median,  pikpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarve dhe njëkohsisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve  shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre.   Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lire anë e mabnë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshëherë janë një tregues se pasi t’i kenë shpallur luftë medias,  qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike.

Prandaj,  për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve.  Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit  —  “shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demorkacie”.  Ashtuqë, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare kudo qofshin ato në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhune ndaj gazetareve, Frank shkreli, ne Ukraine

ANARKIA INTELEKTUALE NË KOSOVË

February 6, 2014 by dgreca

NGA FAHRI XHARRA/

Anarkia intelektuale do të thotë kufizim për mendim i njerëzve të kufizuar. Anarkisti intelektual prodhon me të madhenjerëz e pakënaqur, të pavetëdijshëm dhe shumë kundërshtues dhe forca e tyre rritet me një energji të madhe negative,dhe në anën tjetër iu humbë fuqinë atyre që kishin për të qenë të lumtur, të vetëdijshëm dhe bashkë-aktiv për të marrë përgjegjësi për autoritetin e tyre moral, intelektual dhe emocional.

” Intelektuali nuk është gjithmonë sinonim i inteligjentit. (Intellectuel n’est pas toujours synonyme d’intelligent) Alexandra David-Néel.

Të gjithë anarkistët intelektualë i dërgojnë kumte anarkisë së shoqërisë duke besuar që trajtimi i tyre anarkist i çështjes është mënyra më e mirë dhe zgjidhja më e mirë.

“Një zinxhir është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët” thotë një fjalë. E cila është hallka e jonë më dobët? Ideja e personalitetit është shumë e ndërthurur, është e përcjellë nga idetë e shekullit që ajo po kalon ku ende sot është vështirë të gjendet një koncept i përafërt i shkollave dhe qëndrimeve të ndryshme. Njësia e personalitetit vjen nga mundësia e organizimit të vetëdijes si baraspeshë e tij. Sot ideja e përgjithshme që rrjedh nga vizionet e ndryshme të personalitetit është që ai është bashkësia e sjelljeve që e ndërtojnë një person dhe duke pasur parasysh përhershmërinë dhe vazhdimësinë e mënyrave të veprimit dhe reagimit, origjinalitetit dhe specificitetit dhe mënyra e saj për të qenë. Si po e ndërtojmë personalitetin tonë? Plotë anarki. Kush është shkaktarë i personalitetit tonë të ndrydhur?: Çka është: dëshira për t’u futur në vetvete, ikja nga takimi me të tjerët, humbja e shpresave për një shkollë të mirë, për një martesë të lumtur ose për një jetë si i ka hije (Lombardo Foschi: The European origins of Personality, 2002).

Anarkisti intelektual shkruan:“Historia shqiptare s’ka se si të rishkruhet, sepse akoma nuk është shkruar. Të ashtuquajturit historianë shqiptarë na kanë treguar përralla. Historianët e pakët që i kemi ose janë lënë në anonimitet ose janë shpallur të krisur. Me lehtësi po sulmojnë Turqinë për këshillën e saj miqësore.”

Në rastet e pasigurisë njeriu kërkon mbështetje, në raste të kërcënimit njeriu lyp shpëtim. Sa është e aftë e çka po bën shoqëria jonë në mirëmbajtjen e personalitetit tonë? Si ta pengojmë personalitetintonë që të mos na stërkeqet. Kush është i plotfuqishëm në këtë rast? Arsyetimet se jetojmë në kohën e ekonomisë së tregut, nuk do të thotë të kemi shkollën pa disiplinë, qytetarin e papërgjegjshëm dhe pushtetarin e korruptuar. Studimi i personalitetit është një degë që zhvillohet vazhdimisht dhe shumë me përparësi në ditët e sotme; “Historia e shqiptarëve duhet të korrigjohet e jo të ndryshohet. Fatkeqësisht edhe në periudhat më të hershme edhe tash në këtë periudhë ka ende keqpërdorime dhe shtrembërime të fakteve historike” (Akademiku, Feti Mediu). Ai konsideron se krahasimi i perandorisë osmane me pushtimin serb nuk është i drejtë. “Sulltanati Osman, ardhja e osmaneve në Ballkan, respektivisht tek shqiptaret është e ngjashme me NATO-n dhe forcat e paktit veri-atlantik. Se sulltanati osman ka qene i egër dhe i ashpër ndaj shqiptarëve është njëjtë sikur të thuash që NATO ka qenë i agresor ndaj popullit të Kosovës”, thotë Mediu. Kjo është anarki intelektuale:..” i dërgojnë kumte anarkisë së shoqërisë duke besuar që trajtimi i tyre anarkist i çështjes është mënyra më e mirë dhe zgjidhja më e mirë.”

Koha prodhon ndryshime në mënyrë të vazhdueshme. Sajimin e Personalitetit e bëjmë për të njohur të ardhmen tonë, që ndryshon në funksion të pasurive që i kemi në vetvete. Formimi i personalitetit tonë do të thotë ta njohim dhe dominojmë të ardhshmen tonë. (Hansen Michel, Psikologjia e personalitetit).

Sipas Prof. dr. Ferit Dukës. historia duhet zhveshur nga gjuha e urrejtjes që ka politika, sepse gjuha politike është jashtë shkencës së historisë. “Historia duhet të zhvishet nga çdo etiketim fyes për popujt e grupet e ndryshme sociale, kulturore, etnike”, – ka deklaruar Duka, duke u bërë kështu i pari zë shqiptar që u del pro rishikimit të teksteve, pas kërkesës së bërë nga qeveria turke asaj të Kosovës dhe Shqipërisë edhe më herët.

Ai sqaron se, kur është fjala për historinë e periudhës osmane të Shqipërisë, duhet të jemi korrektë në trajtimin e saj, e për këtë arsye duhet të nxjerrim në pah jo vetëm momentet negative, luftërat dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe osmanëve, por edhe zhvillimet pozitive që janë manifestuar në rrafshin ekonomik, social dhe kulturor. Anakisti e thërret anarkinë!

E more Profesor : “Historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin. Është histori kryengritjesh e luftërash për liri,histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kuturës e të identitetit. Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi dhe sovranitet kombëtar. Është histori e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin, kulturën dhe identitetin e tyre si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të Evropës.” dhe gjithë kësaj i mëshon shkelm ti?

Koha prodhon ndryshime në mënyrë të vazhdueshme. Sajimin e Personalitetit e bëjmë për të njohur të ardhmen tonë, që ndryshon në funksion të pasurive që i kemi në vetvete. Formimi i personalitetit tonë do të thotë ta njohim dhe dominojmë të ardhshmen tonë. (Hansen Michel, Psikologjia e personalitetit). Dhe pastaj anarkisti intelektual vazhdon:”” Ironia është se kombi shqiptar lindi pikërisht atëherë kur Perandoria Osmane u tërhoq nga Ballkani. Për të qenë ironia kulmore, ishte Perandoria Osmane ajo që kushtëzoi Fuqitë e Mëdha dhe vendet ballkanike që të mundësojnë lindjen e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar.(.)” anarkisti intelektual na kanoset: ”Mos i detyroni historianët turq të flasin me dokumente –

Anarkisti intelektual prodhon me të madhenjerëz të pakënaqur, të pavetdijshëm dhe shumë kundërshtues dhe forca e tyre rritet me një energji të madhe negative.

Në anën tjetër iu humbë fuqinë atyre që kishin për të qenë të lumtur ,të vetëdijshëm dhe bashkë-aktiv për të marrë përgjegjësi për autoritetin e tyre moral, intelektual dhe emocional.Dhe lexoni :”Të thuash se pushtimi osman ka shkaktuar gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar është një budallallëk me brirë.”

Dhe pastaj anarkisti intelektual vazhdon:”” Ironia është se kombi shqiptar lindi pikërisht atëherë kur Perandoria Osmane u tërhoq nga Ballkani. Për të qenë ironia kulmore, ishte Perandoria Osmane ajo që kushtëzoi Fuqitë e Mëdha dhe vendet ballkanike që të mundësojnë lindjen e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar “”

Anarkistëtintelektual të Kosovëspo presin::”Sikur era fatbardhë ,e cila gjer më tani na ka vajtur kundër ,të na kthehej menjëherë në favorin tonë e të na i frynte pëlhurat e planeve tona dhe të hynim me siguri e pa rrezik në limanin tonë,ne do të fitojmë. Se do të jetë e pamundur të bëhesh kalorës nëse nukdëshiron dhe nëse s`ke kurajë e as vullnet për të marrë hakun e të parëve dhe për të mbrojtur të kaluarën tënde të “ndritur” duhet ta dini sesikur mos të përmbaheni prej frikës, mund të nisim lëvizjen e punëve se frymat e vendësve nuk janë kurrë të qetësuara, e na mundemi t`i kthejmë gjërat si ishin dikur”(nga Don Kishoti i Cervantesit f.96). “Kosova është vend i paradokseve. Secili paradoks paraqet një realitet të hidhur, por të gjithë së bashku tregojnë fytyrën e vërtetë të Kosovës.”

Si duket tani për tani duhet të kënaqemi vetëm me atë që ekzistojmë. A hiç më tepër a?|

Fahri Xharra, 05.02.14,Gjakovë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: anarkia, Fahri Xharra, intelektuale, ne Kosove

MUXHAHEDIN NË SIRI

February 5, 2014 by dgreca

10.000 militantë të huaj janë vrarë mes tyre edhe shqiptarë/

Nga Gëzim Llojdia*/

1.

Kush e njeh konfliktin mes shitëve dhe synive, qartazi ka kuptuar se atje lufta që mbahet prej shekujve  diku fillon ,diku mbaron e ka origjinën në dominimin  për sundim të njërit apo tjetrit por asnjëherë së bashku të dyve. Lufta në Siri, ku muxhahedinët shkojnë atje për xhihadë kundër kujt,sepse atje vriten vetëm myslimanë njeri-shytë e tjetri syni ,nuk kanë kuptuar thelbin e fesë .Muajt e fundit,edhe  “Bota Shqiptare”, e cili përbëhet nga pesë shtete fqinje (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi), ka qenë gjithnjë e  interesuar në atë që po ndodh në Siri dhe polemika mbi atë se shqiptarët duhet të mos shkojnë të luftojnë atje.Një lëvizje e quajtur e Selefi në Jordani ka zbuluar se gati 10.000 militantë të huaj janë vrarë në Siri që kur  konflikti goditi këtë vend në vitin 2011 .Çfarë është  në vetvete kjo lëvizje kjo lëvizje xhihadiste?Xhihadin Salafist (arabisht:السلفية الجهادية) është një lëvizje xhihadiste apo ideologji në mesin e muslimanëve Selefi. Termi është shpikur nga dijetar Gilles Kepel për të përshkruar besimet e Salafi i cili u bë i interesuar në xhihad të dhunshëm duke filluar në mes të viteve 1990 thonë burimet shkruara.

E ashtuquajtura Lëvizja Salafi  tha se disa 9936 militantët ekstremistë nga pjesë të ndryshme të botës , sidomos nga Tunizi , Libi dhe Irak , janë vrarë gjatë gati tre viteve të konfliktit në Siri .Disa nga shifrat: 1.902 tuniziane , 1807 Libianët , 1432 irakianët , 800 palestinezë dhe 202 jordanezë ishin në mesin e viktimave . Sipas të dhënave , rreth 828 libanez , 821 egjiptianë , 714 Sauditët , 571 jemenas , 412 marokenë , algjerianë , 274 71 kuvajtjanët , 42 somalezë , 21 Bahrainis , 19 Omanis , 9 Emiratis , 8 Qataris , 3 sudanez , 1 Mauritians , dhe gati 30 të tjerët nga Kaukazi dhe Shqipëria kanë humbur jetën në konfliktin e  Sirisë .Raporti thotë se shumica e të vdekurve janë të lidhur me grupet terroriste të al – Nusra Frontit dhe Shtetet islamik të Irakut dhe Levant .Raporte të tjera të lajmeve thonë se disa ekstremistë nga Evropa , Amerika dhe Australia janë duke luftuar në Siri .Një studim i kohëve të fundit i mbrojtjes britanike tregoi se rreth 100,000 militantët , të fragmentuara në 1000 grupe , janë duke luftuar në Siri

Vlerësimet IHS Jane -së se disa 10.000 militantët luftojnë për grupe të lidhur me al-Kaedën të tilla si al – Nusra  , dhe të  tjetër për grupe të ndryshme militante .

Siria është kapluar nga trazirat vdekjeprurëse që nga viti 2011 . Sipas raporteve , fuqitë perëndimore dhe aleatëve të tyre rajonale – sidomos Katari, Arabia Saudite dhe Turqia – po mbështesin militantët që veprojnë brenda vendit .

Sipas Kombeve të Bashkuara , më shumë se 100,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të zhvendosur për shkak të trazirave që ka mbërthyer Sirinë për më shumë se dy vjet .

OKB-së gjithashtu thotë se më shumë se katër milionë sirianët e tjera do të jetë e detyruar nga shtëpitë e tyre në vitin 2014 nga konflikti i shkallëzuar në vend .

Dy milion sirianët pritet të strehohen jashtë vendit , ndërsa një tjetër 2.25 milion janë parashikuar të jenë të zhvendosur brenda vendit vitin e ardhshëm .

2.

Mirëpo cila është një mënyrë rekrutimi për myslimanët e botës?Grupeve dhe individëve të cilët luftojnë në Siri janë duke përdorur Facebook dhe YouTube për rekrutimin e luftëtarëve të Shtetit Islam në Irak dhe Siri, ISIS , një grup i lidhur me Al Kaedën .Një faqe Facebook , krenaria islame , e cila ka më shumë se 2.400 pasuesit , është postimi fotot dhe propagandës në emër të shqiptarëve njoftohet se duke luftuar për të ISIS në Siri .Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë , ISIS , është themeluar në vitet e para të luftës në Irak . Ata u zotuan për besnikëri të Al Kaedës në vitin 2004 , ishte i njohur si Al Kaedës në Irak .Grupi , i përbërë nga një numër i grupeve rebele , synon të krijojë një kalifat sunite në Irak , por ka që nga qëllimet atëherë zgjeruara , duke përfshirë Sirinë .Krenaria islame është një  faqe  në Facebook gjithashtu ka xhihadistë të tjera video,të përkthyer në anglisht ,ku bëhen  vlerësimet për shqiptarët që kanë vdekur duke luftuar në Siri dhe video ku sulmohet  demokracia si e papajtueshme me Islamin .

3.

Një numër i madh i qytetarëve të IRJ të Maqedonisë që i përkasin besimit mysliman , janë bërë pjesë e grupeve të armatosura në Siri , në luftimet që po ndodhin kundër regjimit të Bashar Al Asad.

Deri më tani , ka pasur 4 të rinj nga IRJ të Maqedonisë që kanë humbur jetën e tyre , si pjesë e forcave të armatosura rebele , ndërsa viktimat tjera janë gjithashtu të dyshuar .

Një burim nga grupet fetare në Shkup tha se besimtarët myslimanë që shkojnë për në Siri për të luftuar kryesisht i përkasin sektit Vahabi.

” Ata kanë qenë të organizuar dhe nëpërmjet Shkupit , ata të udhëtojnë për në Turqi dhe nga atje , me ndihmën e këtij sekti , ata arrijnë Sirinë . Luftëtarë nga Maqedonia janë renditur në mesin e dy grupeve rebele , Al Nusra dhe Isil , të cilat janë fraksionet e dyshuar se kanë lidhje me Al Kaedën , të cilat janë duke u kundërshtuan nga grupi më të madh rebel Jabal al – Zaëaiya i cili është një aleancë demokratike të orientuar që ka mbështetje ndërkombëtare . Ka shumë e informacionit që përleshje ndërmjet grupeve rebele janë duke u zhvilluar atje . Deri më tani , 4 persona nga Maqedonia janë raportuar të kenë vdekur .

Çështja e vullnetarëve në Siri është bërë pjesë e debatit publik .

Një pjesë parti politike e koalicionit qeverisës në Shkup i ka propozuar masa ndëshkuese ligjore për ata qytetarë që luftojnë në konflikte të ndryshme jashtë vendit , kohët e fundit , si luftëtarë në Siri .Masat e pritshme të dënimit mund të çojë në dënime me burgim nga 1 në 5 vjet .

Kohët e fundit , në Turqi ka pasur një operacion që çoi në arrestime . Organizata humanitare turke IHH dyshohet se ka dërguar shqiptarëve për të luftuar në Siri , por kjo organizatë nuk ka komentuar këto akuza .

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Llojdia, Muhaxhedin ne Siri

MALËSIA NËN MAL TË ZI KA ME SHPËRTHYE SI “MITROVICË” APO DO TË KTHEHET NË ÇAMËRI?!

February 5, 2014 by dgreca

JANUSI DYFYTYRËSH NË PORTËN E ULQINIT/

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në Ulqinin antik e modern, dikur seli e mbretëreshës ilire Teuta dhe e dinastisë shqiptare mesjetare të Balshajve, këto zgjedhjet (s)morg të 26 janarit 2014 më përngasin me perëndinë dyfytyrësh Janus (Janari) të mitologjisë ilire, statuja e të cilit rri në muze të Vatikanit.

            Ky Janusi “Perëndi e Tranzicionit” e hapte për luftë pushtuese portën e qytetit bregdetar, pavarësisht se aty e kishte edhe tempullin e vet, ushtronte funksione të lundrimit me anije e të shkëmbimeve tregtare, ruante lidhjet me Portanus, çelësmbajtës i portës së qytetit. Thue, sikur është Ulqini!Njejtësisht Janusi dyfytyrësh e kishte të vështirë me e mbyll paqen, me e nënshkrue ndonjë marrëveshje paqësore pas luftësjelljes. A thue njisoj sikur tani në Ulqinin historik në mes partive politike shqiptare pas zgjedhjeve të 26 janarit 2014?!

Përndryshe: ky Janusi (Janari) e kishte zakon me e kthye kryet e me kqyr mbrapa dhe përpara, si nga e djeshmja dhe nga e nesërmja. Kisha me thanë: a thue këta “pulatikajt” kur e kthejnë kryet mbrapa nuk shohin përtej Krajl Nikollës të vjetër, kurse kur  kqyrin përpara nuk shohin përtej krajlit të ri malazez, Milo Gjukanoviçit (!)

Përveç kësaj, ky Janusi perëndi e muaj kalendarik, kur kqyr stinët mbrapa e ka dimnin dhe përpara pranverën. Po a e dinë këta “pulatikaj” që edhe me (pa)fajësitë e tyne e nxorën në ankand Ulqinin, po bajnë tender me Tuzin, po e çkyejnë mëdysh Plavë-Gucinë…

Trevat shqiptare nën Mal të Zi veç dimën kanë pasë me Krajl Nikollën e Parë të Çetinës. As pranverë shqiptare nuk do të ketë treshen kundërshqiptare të piramidës malazeze: Me kryeministrin e kryesocialistin Milo Gjukanoviç, krajlin e ri malazez me seli kryeministrore në Podgoricën etnike shqiptare. Me presidentin socialist Vujanoviç e  me kryeparlamentarin social-demokrat Ranko Krivokapiç, te dy me seli institucionale në Çetinë. Këta të tre janë rreth dy-tre dekada në pushtet të palëvizshëm  dhe e kanë “fut në grusht” Malin e Zi dhe duan t’i shqyejnë me thonj të politikës shovene trevat shqiptare e shqiptarët e tyne etnik.

VARRI I BAJLOZIT TË ZI NË BREGDETIN E ULQINIT

 

Në shfletime të studimeve etno-historike kam has diku një fjalathanie sikur “bajlozi i zi” që u ndesh me Gjergj Elez Alinë e paska varrin në Ulqin. Nuk e di sa është e vërtetë, pasi nuk kam krye asnjë hulumtim vetjak.

Diçka tjetër po due me thanë: Shumkush e shumçka nga politika shqiptare në Ulqin, Tuz, Plavë-Guci…hiqen si “Gjergj Elez Ali modern” (duket sikur) luftojnë me “bajlozin blueportokalli Gjukanoviç”. Mirëpo, edhe ndonjë nga këta shpesh paraqitet edhe si “shenjt” kombëtar.  Dhe, e kundërta, ndonjë kësish, tue e pasë Gjukanoviçin brenda në bark e mbi plisin e bardhë, shpesh ndokush ri-kthehet në “djallë” për shqiptarët etnik.

Kurrkush nuk fjalathotë se Gjergj Elez Alia e ka varrin në Ulqin, sikurse “bajlozi i detit”.

Po bash aty, në breg të detit e thellësi të tokës ilire, gjendet varri i njërit prej “Gjergjelezalive” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetarit të saj, Ymer Prizrenit.

Një tjetër “Gjergjelezali” i Ulqinit, oficeri detar Mujo Ulqinaku, luftoi e u vra ballas më 7 prill 1939 në Durrësin bregdetar që të mos e lejonte dhandrrin e Krajl Nikollës të Çetinës, Viktor Emanuel III i Italisë, që të pushtonte Shqipërinë Mbretnore, që çika e krajlit të zi, Elena, të mos bahej Mbretneshë edhe e Shqipërisë (16 prill 1939-8 shtator 1943).

Selitë zyrtare malazeze në Podgoricë e Çetinë po rrgallen e vorbullojnë për mos me e lanë me ndejt në kambë dhe as me lind ndonjë “Gjergj Elez Ali” i politikës nacionale shqiptare nga Ulqini e Tivari, nga Podgorica e deri në Plavë-Guci e Rrozhajë.

 

12 NETËT E UJQVE-NJERËZ

Mitologjia ilire rrëfen për “12 netët e ujq-njerëzve”. Thuhet se kremtohet në muajin shkurt. Diku, ka mesi i dimnit, pas “Arbainit” të egër që i “ha pleqtë” e “tuj ra dielli cof dhe ujku”. Kësokohe këta “ujq-njerëz” dalin në rrugë e bestytnitë fjalaflasin se fryma e tyne sjell kobin e vdekjes. Pra, duan me ua ba dimën të zi jetën njerëzve!

Në këto “12 netët e ujq-njerëzve” të shkurtit janë çue “ujq-njerëz” të politikës malazeze në selitë zyrtare në Podgoricë dhe në Çetinë dhe po lobin, hovin e kobin kundër shqiptarëve e trevave të tyne nën Malin e Zi:

a) Kjo ndodhi në marrjen gjukanoviçiane të komunës shqiptare të Ulqinit. Marria politike shqiptare e mafizioteti shoven malazez i janarit dolën përkryet vendit e kohës. Gjatë shkurtit po ka cijatje e negociata gjithfarësh për postet drejtuese të komunës.

b) Kjo po duket në lojën e re politike me allishverishe e aleanca pa fryt për Tuzin (Malësia) si “komunë e kryeqytetit”. Këto ditë shkurti dhe partitë politike shqiptare po (ç)ngrefen, shkoklohen e goglohen ma së keqi përballë Gjukanoviçit që drejton në tre dekada Malin e Zi, përballë tri partive që drejtojnë Tuzin – komunë urbane, etj.

c) Kjo po ngjet edhe në ndamjen padrejtësisht dy copash të komunës etno-historike të Plavë-Gucisë. Tashti po lypet me u mbledh me përnguti Parlamenti i Çetinës në seancë të jashtëzakonshme gjatë shkurtit 2014!

Problematike nuk është vetëm një “Deponi” në Martinaj të Gucisë. “Deponi” të tilla në shpërthim si “Mitrovica e Veriut” janë edhe “Parku Nacional” që u rrëmben prona shqiptarëve në Plavë-Guci, “Të Mirat detare” në Ulqin, cënimi shtetëror i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit, etj.  etj.

Po kush janë këta politikanë “ujq-njerëz” të uritunit e të pangopur me urrejtje shovene bio-politike dhe gjakatare e grabitqare kundër shqiptarëve etnik të Ulqinit, Tuzit, Plavë-Gucisë, Rrozhajës, etj?!

Një ndër ta, ma kryesori ndër liderët e sotëm malazez, është kryeministri e kryesocialisti, Milo Gjukanoviçi.  Ky “ujk-njeri” kundërshqiptar ka mjaft data evenimente në muajin shkurt. E para, ka lind më 15 shkurt 1962 në Nikshiq afër Kotorrit. E dyta, në këtë trevë nikshiqiane e rrethina ilire të saj për kah perëndimi panonik ka pasë në hershmëni një festë ujqish, e cila thirrej “Luperkalia” e, si për koinçidencë me rastin gjukanoviçian, edhe kjo binte  pikërisht më 15 shkurt të çdo viti kalendarik, pikërisht në datëlindjen e Gjukanoviçit. E treta, Gjukanoviçi edhe karierës politike ia ka nisë më 15 shkurt 1991, kohë kur u zgjodh ma së parit kryeministër i Malit të Zi. Ky, pothuaj çdo herë, në një mandat të vetëm si president e në shtatë mandatet e tij si kryeministër është zgjedh në stinën e dimnit e në ma të shumtat raste në muajin shkurt. E katërta, Gjukanoviçi edhe në bizneset e veta e kërkon shkurtin, biles së fundit, më 25 shkurt 2008 e ka themelue biznesin e tij të pestë, firmën “Global, Mali i Zi”.

Ulqini rrënjas shqiptar, i përmendur në histori nga autorët antik si Tit Livi, Plini, Ptolemeu, duket se edhe nga luftërat me “ujqërit-njerëz” që donin ta pushtonin, nënshtronin e aneksonin qyshse në lashtësi këtë qytet portual i mbeti ky emën i prejardhun nga fjala ilire  ulk (ujk) – Ulqin. Mitologjia ilire teksa gurron me “12 netët e ujqërve-njerëz’ më duket sikur  burimon në Ulqin.

Prapë ulqinakët duhet të luftojnë shqiptarisht që të mos e nënshkruajnë kapitullimin politik përballë Gjukanoviçit.

 

KA ARDHË DITA “ME I LA MËKATET”

 

Kur viti me dhjetë muaj ia shtoi vetes, fill pas janarit, edhe shkurtin, e patën thirrë ndër mote: fruer (fror). Ky emën vjen nga latinishtja “februare”, që merr edhe kuptimin “të lashë mëkatet”.

E në koftë se dikush ka me la gjynahe në këtë botë për humbjen në Ulqin janë partitë nacionale shqiptare nën Malin e Zi. Ma së parit partitë politike që e kanë për kryeqënder Ulqinin shqiptar, komunën me popullsinë ma të madhe në Malin e Zi.

Forca e Re Demokratike (Forca), krijuar më 2005 e me degë edhe në Tuz, me kryetar Nazif Cungun, e cila deri më 26 janar 2014 ishte forca e parë politike në Ulqin. Sivjet  mbeti e dyta, pas PDS të Gjukanoviçit. Njëherash, e para ndër partitë shqiptare. Mori vetëm 8 këshilltarë, tre ma pak se në zgjedhjet e kaluara. Gjithsej 2.930 vota.

Unioni Demokratik Shqiptar, themeluar më 1993, me qendër në Ulqin, me ish kryetar Ferhat Dinosha, e tashti drejtohet nga Mehmet Zenka, e ka mbajt disa vjet në udhëheqësi të saj komunën e Ulqinit. Në zgjedhjet e fundit në këtë komunë mori tre këshilltarë apo, e thënë ndryshe: 1.057 vota.

Koalicioni “Sëbashku për të ardhmen e Ulqinit” me tri parti nacionale me seli në Ulqin, të cilët morën shtatë mandate, 2.366 vota gjithsej. Lidhja Demokratike, (sipas një burimi zyrtar publik) e para parti politike shqiptare në Malin e Zi, themelue qyshse më 9 shtator 1990, me kryetar Mehmet Bardhin. Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën, krijue së vonit, më 24 dhjetor 2011 dhe “Lëvizja Qytetare Perspektiva” me kryetar Amir Mollaj.

Treshja Cungu, Gjeka e Zenka e dijnë fort mirë se kush është Gjukanoviçi e partia e tij në pushtet, çfarë qëllimesh ka për marrjen e Ulqinit shqiptar nëpermjet votës së popullit. Këta tre burra të Malësisë e politikës së saj, e kanë në dorë, si po thonë shqiptarët e mediat: “me na e zbardh faqen”, pasi humbja e Ulqinit na ka dhimbtë në shpirt, në palcën e kombit, pavarësisht se si shpesh herë Ulqini ynë shqiptar u la i vetëm në fatin e vet elektoral.

Këto pesë parti në Ulqin dhe ato të tjerat parti nacionale shqiptare në Tuz si Alternativa Shqiptare me kryetar Gjergj Camaj, krijue më 2006, Partia Inisiativa Qytetare me kryetar Gjeto Sinishtaj etj., të gjitha forcat politike kombëtare shqiptare sëbashku, kanë “mëkatet” e veta jo vetëm për Ulqinin e Tuzin, por edhe për mos ndalimin e përpjekjeve gjukanoviçiane drejt finalizimit legjislativ të ndarjes së Plavë-Gucisë në dy komuna; për shqiptarët e Podgoricës e të Rrozhajës, të Tivarit, etj.

Ulqinin e kanë “lëshue dore” pjesa ma e madhe shqiptarëve, me ose pa dashje, të cilët nuk votuan për partitë politike kombëtare shqiptare të Cungut, Gjekës, Zenkës; të cilët votuan për partinë (PDS) të Gjukanoviçit apo atë të “Malit të Zi Pozitiv”, etj.

Një e keqe tjetër e madhe po duket në horizont për shqiptarët nën Malin e Zi, në shtetin që ka ma shumë parti se çdo shtet tjetër ballkanik. Politika e Gjukanoviçit e Co po e kapicë krijimin e dy-tre partive të reja politike shqiptare në viset shqiptare në Bregdet, në Ultinën e Podgoricës, në Alpe. Demokracitë e lodhuna, si kjo malazeze, krijojnë kaq shumë parti, saqë me u hjekësue shqiptarët për me pasë rreth 10 parti për mbi 20.000 votues shqiptarë, një pjesë e të cilëve nuk janë në vendbanime e nuk shkojnë në votime. Diktaturës së fortë millosheviçiane i interesojnë kaq shumë parti politike. Kjo politikë merimangore ballgure e partive politike ba me e “hanger” shqiptarët do të ishte kob i zi e qefin i bardhë për vet shqiptarët. Njerëzit e ditun tue e pa merimangën e kanë ba jelekun antiplumb dhe, të tjerët, kur e kanë nënvleftësue merimangën i ka kafshue me helm dëmtues e deri vdekjeprurës.

Ulqini është vendlindja e të madhit Gjon Buzuku, i cili bash 460 vjet ma herët, pikërisht në vitin 1554, ia nisi me e shkruejt veprën madhore  kombëtare “Meshari”, që e botoi një vit ma vonë si të parën vepër në gjuhën shqipe dhe në letërsinë shqipe.

Prandaj ka ardhë dita vendimtare që Ulqini, shqiptarët e tij, edhe autorët e aktorët shqiptarë të 26 janarit 2014, me fol Shqiptarisht, me i shtrengue rradhët etnike shqiptare e rrathët e politikës së tyre  për ta mbajt prapë të vetmen komunë me shumicë shqiptare në shtetin malazez.

 

THAÇMET E HASHIM THAÇIT

DHE SELAMET E DITMIR BUSHATIT

 

Kurrësesi nuk mund ta kuptoj kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ka ba shumë për lirinë e pavarësinë e sotme të shtetit të ri të Kosovës, i cili çohet pikërisht më 26 janar 2014, në ditën e zgjedhjeve në Ulqin, e ban deklarata politike në favor të Gjukanoviçit, kryetarit të PDS që i fitoi zgjedhjet në këtë komunë.

Thaçi deklaroi para botës shqiptare e euro-atlantike se “komuniteti kombëtar malazez do të hyjë në aktin më të lartë të Kosovës, gjë që është edhe kusht nga Podgorica për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike”. Ky lider shqiptar i Kosovës gjunjëzohet para Gjukanoviçit, nuk i shtron asnjë kusht për shqiptarët nën Malin e Zi, ia plotëson të gjitha kushtet kolegut e mikut të tij malazez. Ia shton “Kosovës multietnike” edhe një minoritet malazez. E, për këtë kusht gjukanoviçian, premton se do të ndryshojnë edhe Kushtetuten e re të Kosovës.

A nuk mujte o Hashim Thaçi me e lanë pa lëshue të tilla thaçme pikërisht në ditën e votimeve në Ulqin. A nuk mujte me ndejt për pa folë në heshtjen zgjedhore shqiptare në Ulqin. Çka kie me i thanë historisë shqiptare për të tilla veprime ndikuese që i kryen ndaj Ulqinit shqiptar edhe nga (para)skena të dialogut ashtonian me kryeministrin serb, Ivica Deciç(!) Ndoshta është koha me ta kujtue se i qite prapa krahëve dhe i le rrugës ato çka të kërkuan në Nju Jork në shtator 2013 disa shoqata shqiptare nga trevat shqiptare nën Malin e Zi. Apo premtimet e kohëpaskohshme për hapjen e rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë, etj.

Gjithësesi nuk po duam me u fut në thelluta diplomatike e politike ndërballkanike, po vizita e djalit me të ardhme, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati,  në Podogoricë e Çetinë më 23-24 janar 2014 ishte veprim tejet i gabuar e në kohën e gabuar. Kjo mund të shmangej kryehere nëse nuk kemi të bajmë me një lojë të zezë kundër Ulqinit e ndihmesë për Gjukanoviçin.

Ministri shqiptar Ditmir Bushati kreu vizitën në përvjetorin e 136-të të pushtimit të Ulqinit nga Mali i Zi, ku paraardhësit e tij të derës së Bushatllinjëve kanë luftue gjithë jetën kundër tyne, biles edhe vra në betejë me malazezët si Kara Mahmut Pasha Bushatlliu i Shkodrës në vitin 1796. Gjithashtu, vizita e tij kryhet një ditë pasi Gjukanoviçi realitetoi një miting elektoral në Ulqin me 800 pjesmarrës, tue pasë devizë elektorale hymnin malazez kundërshqiptar  të  princit poet Krajl Nikolla, në të cilin ban thirrje për ta pushtuar Shqipërinë në brigjet e detit Adriatik e të lumenjve Moraça, Drini, Limi e dekteri në Prizren, siç e provuan malazezët edhe në vitet e Luftërave Ballkanike  1912-1913. Për fat të keq kjo vizitë e Bushatit pati ndikimin e vet (in)direkt në zgjedhjet e 26 janarit në Ulqin, në humbjen e shqiptarëve.

Nuk e di saktësisht se çfarë strukturash kundërshqiptare në Malin e Zi e jashtë tij  e kanë fut ndër shqiptarët e Malësisë nga Ulqini në Rrozhajë dhe në diaspora të tyre në botë idenë e mbrapsht e shpresë kotë, sikur Edi Rama e Hashim Thaçi e kanë mik Milo Gjukanoviçin e, tashti këta të tre ndërveti, kanë me ua zgjidh punërat e heq thundrat sllave  shqiptarëve etnik edhe në Ulqin, edhe në Tuz, edhe në Plavë-Guci…

Edi Ramën e Hashim Thaçin i duam si kryeministra shqiptarë, po këta të sillen si të tillë, si shqiptarë kombëtar edhe me shqiptarët etnik në kufi me Shqipërinë e me Kosovën, pasi asnjani prej tyne nuk i ka ngritë kurrnjiherë në mënyrë institucionale problemet e mëdha të shqiptarëve nën Malin e Zi në institucionet shqiptare në Tiranë apo në Prishtinë, në institucionet ndërkombëtare në Bruksel e në Amerikë, në shtete euro-atlantike aleate strategjike.

Nëse fqinjët tanë në të katër anët, si Greqia edhe Maqedonia ndaj Shqipërisë apo Serbia edhe Mali i Zi ndaj Kosovës, ushtrojnë trysni politike për komunitetet e tyne etno-kulturore, biles edhe kushtëzime për “hapje ambasade”, për “votë kundër në BE”, etj. po Tirana e Prishtina zyrtare pse nuk veprojnë njejtësisht në politikën  e diplomacinë e tyne (ndër)kombëtare edhe ndaj Malit të Zi, pasi shqiptarët etnik në këtë shtet ballkanik shoven janë ma të diskriminuarit në të gjithë Europën e sotme euro-atlantike. Prapë presim. Ende kemi shpresë. Përndryshe ka me ardhë ajo që u gatue nga të gjithë e pritet nga të gjithë: Malësia nën Malin e Zi nga deti në male ka me u kthye në një “Mitrovicë Perëndimore” ose ka me mbetë një “Çamëri e dytë”(!)

Filed Under: Analiza Tagged With: apo Cameri, Malesia, Mitrovice, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 915
  • 916
  • 917
  • 918
  • 919
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT