• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

As gegë e as toskë por vetëm shqiptarë Z.Mustafa Nano !

November 25, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Deshta të bëj një analizë pak si ndryshe te një libri të botuar rishtas: “ Unë jam gegë”të Mustafa Nanos. Po them ndryshe sepse do të nisëm vetëm nga qëllimi i mesazhit (kumtit) të cilin libri mundohet të na jep. Librit  ia potencon qëllimin e keq të tij  edhe parathënja e Primo Shllakut. Jo rastësisht u gjetën këta të dy. Por të shkojmë rradhazi , dhe të shofim se si  libri na e thotë atë që e thoshin të tjerët ; apo e thot Mustafa Nano atë që ne nuk deshem ta thonim:

“ Tani për tani është e pamundur studimi i të kaluarës së shqiptarëve me metoda arkeologjike ngase  nuk ka gjurmë për to.Kjo s`është e jashtëzakonshme, sepse shqiptarët e sotëm janë një përzierje e komponenteve të ndryshëm etnike gjegjësisht kulturave të ndryshme. Janë blegtorë të ardhur dhe kështu në mënyrë arkeologjike janë të pa diktueshëm ( që nuk vërehen). Gjurmët e tyre duhet kërkuar nëpër varrezat e tyre nëpër bjeshkë e vështirë që gjindet diçka e mirëfilltë” (Vesna Peshiq : Shqiptarët Ilir të rrejshëm)”… thonë serbët , dhe pyesin :

“ A e kanë shqiptarët së paku gjuhën e tyre ëmëtare? Jo , nuk e kanë. Prova më e mirë për këte është n’ faktin që kur shoqata angleze biblike e cila e boton Librin e shenjt për çdo popull në gjuhën e tij, ishte e obliguar që për Arnautët të boton Biblën në 5 përkthime të ndryshme “….. “ në mesin e këtyre pesë”dialekteve” , dy nga ata janë më të përhapurit , atë të cilin e flasin gegët  dhe gjuha e shqiptarëve të Jugut , i cile quhet toskërisht. Këto gjuhë janë aq të ndryshme sa që Gega nuk e merr vesh Toskën dhe anasjelltas . Bile kur delegacioni i Ali pahë Tepelenës e vizitonte  Mustafa Pashën e Shkodrës , edhe pse të gjithë arnaut i dashke të sillnin me veti përkthyesin e posaçëm , sepse ata  nuk e kuptonin gjuhën Gegë “  ( V.Nelezhejov , Të drejtat e shqiptarëve për shtet B. Нележојев, Албанска права на државу, »Самоуправа« за год. 1912, бр. 319.” ) . Nano , ore  Nano!

E keqja vje nga jasht e edhe nga mbrenda : ”Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar (. Me Ankaranë apo me Brukselin? – Enver Robelli)”

“Kurse shtypi i Beogradit ,kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “(shtypi serb, Jovan Deretiç)

Para se të dilet me një libër të tillë  si  Unë jam gegë ,  duhet të pyesim ( nëse jemi shqiptar ) se çka thonin  e çka thonë të tjerët për ne  ?: ” Pra , Arnautët jo që nuk e kanë gjuhën e tyre të përbashkët popullore por nuk e kanë as alfabetin e tyre  (. Ueber das Albanesische, Berlin, 1855.) dhe parathënësi i librit Primo Shllaku  shkruan  diku tjetër  ”Standardi dështoi (balkanweb.com) ”     (Primo Shllaku ,Poet, Drejtues i Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe) ????Më vjen për të mënduar seriozisht  por me një habi të madhe se çka anlizon Mustafa Nano në ” Unë jam gegë ” , pse ate e brengos që aq rrallë po u përmendkan ” toskët” dhe ”gegët” nga historianët tanë. Apo e ka qëllimin e deretiqëve , peshiqëve dhe cvijiqëve të cituar më lartë që karshi botës të  paraqitemi  si popull :” këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme,” .

Ju lutem pak vëmendje nga libri :”Aleks Buda , që e ndjek gur me gur historinë e Shqipërisë… nuk ia ka nxënë goja qoftë edhe një herë të vetme termat ”gegë” e ”tosk” (Unë jam gegë fq.13) …Kristo Frashëri e bënë të njejtën gjë në librat e tij ,fjala vjen në librin e tij ”Historia e qytetërimit shqiptar” gjendet fjala”Toskëri ” që përdoret 3-4 herë….Po ky autor (Kristo Frashëri fxh) e ka përdorur një herë fjalën ” Toskëri” e një herë fjalën ” ”gegëri” në librin Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. ( po aty ,faqe 13.)” …. ankohet M.Nano ankohet.

Pastaj ,pa menduar fare qëllimin e të tjerëve  M.N. shkruan: ”Si zor të gjendet pra ndonjë historigraf, konsull,  etnolog …. që të mos ketë shkruar për shqiptarët e të mos ketë folur për gegët e toskët.” Po ja qëllimi i tyre zoti M.Nano:”  :“Qysh para disa vitesh, udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë” dhe këta Bastarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse “ (shtypi serb , Cvijiç) . Të shkruajmë edhe ne si këta?    Po Mustafa Nano shkruan ”Nga ilirët te gegët, nga epirotët tek toskët ” e kërkon ndarjen gjenetike ”antropologu” ynë  në librin e tij ” Unë jam gegë”.

“Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:

– Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezrit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.

Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!”( gazetakritika.net)

”Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali: – Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut? Dhe Ismail Qemali ia priti: – Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime! -”

Po e citoj edhe këte të intervistë të Gazetes Express :  ”Mustafa Nano në librin e tij të fundit “Unë jam Gegë” thotë se çështja e shqipes standarde e ka tejkaluar Shkumbinin, si kufi ndarës mes dialektit Gegë dhe Toskë, dhe tashmë është zhvendosur në Morinë.

Mehmet Kraja përgjigjet: Nuk do të duhej të përgjigjesha në këtë pyetje, vetëm për faktin se më citoni këtu një gazetar jokompetent, madje aksidental, dhe nuk iu referoheni profesionistëve, atyre që janë kompetentë dhe që çështjen e gjuhës e trajtojnë me informacion të mjaftueshëm, me dije kulturore dhe me akribi shkencore. Me injorantë të këtillë nuk do të doja kurrë t’i diskutoja çështjet e gjuhës, madje as të motit. ”

Ndërsa autorët serbë na këshillojnë: “ Për  shqiptarët kishte me qenë në interes më të madh nacional sikur të përcaktohej qartë identiteti i tyre etnik dhe në atë mënyrë e kishin fituar epitetin e një populli të rëndësishëm të Kaukazit me një civilizim dhe traditë mijëravjeqare; se sa me kokëfortësi të paraqiten si pasardhës të ilireve dhe me vetëdije të sajojnë një rrenë me përkatësinë më të ultë morale – vetëzhgënjimin:”( Vesna Peshiq- Albanci lazni Iliri). Çfarë këshille e mençur! dhe ne si i themi kësaj? Fol Mustafa Nano!

 

Fahri Xharra

 

Gjakovë 22.11.13

Filed Under: Analiza Tagged With: as gege as toske, Fahri Xharra, Mustafa Nano, vetem shqiptar

TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHI

November 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

‘Ne’ të Republikës së Shqipërisë, në rreth një gjysmë shekulli, të paktën dy herë jemi shndërruar në hordhi. Herën e parë, më 1967, kur iu vërsuleshim kishave, xhamive, tyrbeve dhe teqeve. Dhe, herën e dytë, më 1997, kur i vërsuleshim gjithçkaje që na dilte përpara.
Herën e parë, ne ishim një hordhi në kazermë. Vërsulja kundër tempujve shpirtërorë ishte barabar me rrënimin flagrant të themelit mbi të cilin ishim vendosur dhe ndërtuar prej mijëvjeçarësh. Tashmë shoqëria jonë ishte një ndërtesë e mbështetur në ajër, më keq, në bosh.
Viti 1967 shënonte përfundimisht kapitullimin tonë tërësor, pa kushte përballë hipnozës që ushtronte ndaj nesh diktatura enveriste, si shoqëri me tru të hekurosur.
Herën e dytë, rrafsh tridhjetë vjet më vonë, ne ishim një hordhi klasike, kufizoheshim vetëm me vetveten tonë. Edhe atë çka kishte mbetur nga shteti, e rrënuam.
E kam përmendur edhe më parë. Mediat perëndimore në atë kohë habiteshin që zemërimi i shqiptarëve të shkonte përtej çdo parashikimi dhe të mos kursente asgjë, të mos kursenin çfarë kishte krijuar ajo vetë me mund e sakrifica mbinjerëzore. Konkluzioni i tyre ishte se shoqëria shqiptare kishte mbetur pa shtyllën kryesore, pa shtyllën shpirtërore që në vitin 1967, prej kur Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht vend ateist, madje i vetmi në botë. Dhe mediat parathonin se do të duhej kohë që kësaj shoqërie t’i kthehej shtylla më e domosdoshme, besimi.
Për të përkufizuar gjendjen tonë si shoqëri nuk kam përdorur fjalë më pranë burimit shqip si zhgan, skotë, lukuni, por, për hir të atyre me zell të tepëruar antiturk, kam përdorur fjalën hordhi, me burim turk – urdu. Në gjuhët perëndimore është dokumentuar për herë parë në vitin 1520. Dhe ka marrë këto kuptime: 1. Grupim i përkohshëm njerëzish për qëllime lufte, gjahu apo emigrimi edhe pa lidhje gjaku mes tyre: hordhitë e Hunëve. Kuptimi i zgjeruar: grupe të çrregullta të armatosura që kryejnë shkatërrime, plaçkitje e veprime të ngjashme – hordhitë barbare. 2. Me kuptim përkeqësues ose tallës – turmë, frotë.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen masive dhe votën po aq masive kundër qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike, shënuan një zgjim qytetar në rritje të shoqërisë. Atëherë unë jam shprehur se kjo votë ishte një valvul shkarkuese e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj një partie politike. Që në dështimin e parë të mundshëm të koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky zemërim dhe kjo pakënaqësi do të shkarkohej kundër krejt klasës politike. Dhe do të harrohej krejtësisht ajo çka pamë këto vitet e fundit në Greqinë fqinje.
Protestat masive të nëntorit dëshmuan se këtë zgjim qytetar e prin rinia shkollore dhe studentore. Kjo kategori përfaqëson njëkohësisht ndjeshmërinë, vetëdijën, përgjegjshmërinë e lartë qytetare. Ndërkaq protestave nuk iu mungoi një përmasë ekstremiste e tipit antiglobalist, antiperëndimor dhe vetizolues, një lloj rizgjimi i së majtës ekstreme tradicionale. Për t’u gjykuar në mënyrën më të saktë natyra e një proteste, patjetër shikohet përmbajtja e parullave, sidomos i atyre të shkruara. Në protestat e nëntorit, në 90 për qind të rasteve, nuk ishte në shënjestër qeveria apo kryeministri. Vetëm me përfshirjen e opozitës filluan të duken edhe parullat e këtij lloji. Me përfshirjen e grupeve me orientime nga më të ndryshmet në protesta, ne ishim dëshmitarë se ato, krahas masivizimit, patën edhe prirje për çorientim, për përhapje paniku, duke e çuar shoqërinë drejt një histerie kolektive.
Në kuadrin e kësaj histerie kolektive, doli në pah, në mënyrë më alarmante se kurrë, mungesa e një elite të vërtetë, sidomos mungesa e një elite të institucionalizuar. Kryeministri Rama e kishte rastin të hidhte një hap sado fillestar drejt institucionalizimit të kësaj elite të mundshme. Vendosja e dialogut me këtë elitë do të jetë çelësi i vetëm për të mos lejuar rrëshqitjen e shoqërisë drejt shndërrimit të saj në hordhi.
Edhe grupimet shoqërore më të specializuara, të përfshira protestat, ato ambjentaliste, nuk ishin bindëse në paraqitjet e tyre. Sepse askush prej atyre që morën fjalën në rrugë, sheshe, para protestuesve, para publikut nuk arritën të shpjegonin thelbin e shqetësimit të tyre. Në vend të ndriçimit të realitetit të pritshëm që krijonte ardhja e armëve kimike në Shqipëri, u krijua errësim i vërtetë, prej këtej panik dhe çoroditje. Në Perëndim, grupime të tilla, sipas tematikës së shqetësimeve, aktivizojnë në krye të veprimtarive të protestave, ekspertë të vërtetë të fushave përkatëse.
Krahu mediatik vuajti nga të njëjtat simptoma si ato të rrugës. Për më tepër ato morën rolin e komentatoreve të drejtpërdrejta të spektakleve që jepeshin në rrugë dhe sheshe. Nuk u vu re gati askund në mediat një zë i specializuar që të hidhte dritë mbi realitetin e vërtetë. Për këtë mjerisht nuk u treguan të interesuara as qeveria, as opozita.
Në mungesë të një elite, sidomos në mungesë të një elite të institucionalizuar, të një elite me autoritet të barabartë ndaj të gjitha grupimeve politike apo qytetare, do të kemi një shoqëri me tru të shpëlara, së paku me një shoqëri me tru lehtësisht të shpëlashme. Politikani amerikan Powell Clayton dikur thoshte: “Në predikimet e mia shigjetat gjithmonë kanë synuar ndaj hordhisë me tru të shpëlara.”
Mjerisht tiparin e truve të shpëlara duket se e dëshiron dhe e ushqen me qëllim politika në Shqipëri, si mënyrë për ta larguar shoqërinë nga thelbi racional i realitetit. Dhe kështu shoqëria kalon nga njëra fushatë histerizmi në tjetrën. E tillë ishte fushata që mori shkas nga vizita e kryeministrave Thaçi, Rama dhe Erdogan në Prizren, ku u spekullua me një thënie të pathënë nga kryeministri turk për një histeri anti Turqi dhe antiturke. E vetmja kritikë racionale ndaj këtij takimi, në fakt, ishte se ky takim zhvillohej në kuadrin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë dhe ishte një solidaritet elektoral ndaj Thaçit. Por as Turqia, as turqit nuk meritonin gjithë atë shfrim që pamë në mediat tona. Është e drejtë që urrejtjen apo antipatinë të mos e ushqejmë ndaj fqinjëve tanë. Po aq është e drejtë që këto ndjenja të mos i drejtojmë ndaj faktorëve të tjerë.
Shoqërisë sonë i shpëlahen trutë duke e trullosur një herë se rreziku i saj më i madh dhe më urgjent është ai turk. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku i saj më i madh e më ugjent është Xhamia e Madhe e Tiranës apo Xhamia e Madhe e Prishtinës. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku vjen nga zhbirja kolektive që ka emrin asgjësim i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kështu logjika kolektive, vetëdija kolektive e shqiptarëve orientohet në mënyrat më të gabuara, më vetëshkatërruese të mundshme.
Lordi Byron thoshte për shoqërinë e kohës së tij: “Shoqëria është tashi një hordhi e polarizuar, e formuar nga dy palë të fuqishme, Bezdisësit dhe të Bezdisurit.” Kur nuk ekziston një faktor i tretë, atëherë hendeku i moskuptimit dhe i kundërvënies mes këtyre rritet. Dhe në raste si të shoqërisë sonë, ai shpërthen kundër vetvetes sonë. Në rrethanat e një bote të hapur, ata që nuk na e falin këtë mëkat janë të tjerët. Nuk ka pse të mos i mirëkuptojmë ata, aq më tepër kur janë miqtë tanë, aleatët tanë, partnerët tanë jetikë më të dëshmuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne hordhi, Skender Bucpapaj, te mos kthemi

Analistët amerikanë mbi vendimin e Shqipërisë për armët kimike

November 21, 2013 by dgreca

Nga Keida Kostreci/

 Pas vorbullës së ngjarjeve të javës së kaluar që u mbyll me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Por më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë ndërkombëtar. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski analizojnë mënyrën se si u menaxhua procesi, dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër.

Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë, nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit. Megjithatë, thotë Kurt Volker, aktualisht Drejtor Ekzekutiv i Institutit McCain, kjo ishte një mundësi për Shqipërinë…
“…Për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, thotë zoti Volker. 
Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshilllin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur
“Është një shans i humbur sepse një vend si Shqipëria nuk e ka çdo ditë rastin që të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhenie, duhet të kontribuosh më shumë”, thotë ai
Megjithatë zoti Brzezinski, nuk mendon se vendimi i Shqipërisë do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe.
“Ne e vlerësojmë se sa pro-amerikan është ky vend. Ne i vlerësojmë kontributet e Shqipërisë në operacionet e NATO-s në gjithë botën. Pra, aspekti i sigurisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm. Bashkëpunimi ekonomik mund të zhvillohet edhe më tej”.
Zoti Volker thotë se nuk e sheh aspak si çarje në marrëdhëniet dypalëshe këtë ngjarje:
“Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Çështja është se ç’të bëjmë me këto armë kimike. Ne të gjithë shpresonim që Shqipëria të ishte në një pozicion të tillë që ndihmonte me këtë problem dhe nëse nuk e bën dot, kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënien mes dy vendeve”.
Zoti Volker thotë se Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm.
“Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ndërmerrnin disa hapa për të mbështetur Shqipërinë në procesin e menaxhimit dhe shkatërrimit të këtyre armëve, përfshirë një element financiar, një përpjekje për ta ndihmuar Shqipërinë me çështje të tjera spastrimesh lëndësh të mbetura nga periudha e komunizmit”, thotë zoti Volker.
Për zotin Brzezinski, djalli është gjithmonë tek detajet.
“Por po të vija vetem në pozitën e Tiranës, unë mund të kisha thënë: Ne jemi të prirur ta bëjmë një gjë të tillë, por do ta bënim me kushtin që të kemi siguri se këto materiale do të menaxhohen në mënyrë të sigurt dhe pa rrezik, që të ketë masa të fuqishme dhe të shprehura qartë sigurie dhe së dyti do të ishim të interesuar që të dinim: nëse ne e bëjmë këtë për Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, çfarë tjetër mund të bëhet për të thelluar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë?”
Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në Uashington.
Kjo për arsyen se siç e tregoi edhe intensiteti i kontakteve të Uashingtonit me kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë tre telefonatat nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, çështja e shkatërrimit të këtyre armëve është përparësi për administratën e Presidentit Obama.
“Qeveria amerikane kishte shpresa të forta se Shqipëria do të pranonte të ofronte burimet dhe territorin për shkatërrimin e këtyre armëve. Pra jemi në situatën kur procesit, strategjisë për eliminimin e këtyre armëve u mungon një element shumë specifik dhe konkret: ku dhe si do të shkatërrohen ato. Pra pa dyshim që ky është një hap mbrapa në procesin për shkatërrimin e armëve kimike”, thotë zoti Brzezinski.
]Duke u nisur edhe nga përvoja e tij në Departamentin e Shtetit, zoti  Volker nënvizon se Sekretari Kerry nuk mund të telefonojë çdo ministër të jashtëm apo kryeministër për çdo çështje të caktuar.
]“Kur Sekretari i Shtetit merr përsipër të angazhohet personalisht me një çështje që ai mendon se duhet zgjidhur – në këtë rast eliminimin e armëve kimike – atëherë ai do të bëjnë gjithçka që mendon se duhet bërë në përpjekje për ta çuar përpara një proces të tillë”.
Por ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe ish-zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes, e shikojnë ndryshe ndikimin e reagimit të fortë të publikut dhe mënyrën sesi duhej të ishte menaxhuar ai.
Për zotin Volker, fakti që kryeministri Edi Rama nuk foli më parë me publikun për këtë çështje mund të ketë të bëjë me faktin se jo që në fillim ishte e sigurt se Shqipërisë do t’i kërkohej ky bashkëpunim dhe diskutimi u bë më urgjent pasi disa vende të tjera refuzuan.
“Gjithmonë mund të kesh ide të ndryshme për mënyrën më të mirë për ta menaxhuar një çështje, por kur ke një situatë delikate dhe dëgjon reagimet e publikut që të bëjnë të mendosh se një alternativë e tillë nuk do të ishte shumë popullore, të duhet të përcaktosh si politikan se cili është vendimi i drejtë”.
Ai thotë se i takonte qeverisë, kryeministrit të përcaktonte se çfarë mendonte ai që Shqipëria do të arrinte dhe se çfarë do të mbështeste. Po ashtu ai mendon se edhe qeveria amerikane duhet të kishte qenë më e kujdesshme.
“Duke u nisur nga përvoja ime në Departamentin e Shtetit mund të them se nuk mund të imponosh një çështje që nuk është gati për zgjidhje…”, tha zoti Volker.
Duke folur për palën amerikane, ai thotë se nëse Shtetet e Bashkuara e dinin se kjo çështje do të ishte e vështirë për kryeministrin apo qeverinë e tij, atëherë “nuk do të ishte mirë që ai të gjendej në një pozicion që e bënte të pamundur që ai të thoshte ‘po’”.
“Pra mënyra më e mirë do të ishte që të punohej me kryeministrin për të diskutuar se cilat do të ishin çështjet shqetësuese, a do të kishte mënyra të tjera për të dhënë një mbështetje politike për të ndihmuar me këtë çështje, ose nga ana tjetër nëse duket se kjo nuk do të funksionojë, le të mos ta kthejmë në humbje, të mos ta kthejmë në diçka negative dhe të shohim për zgjidhje të tjera”.
Për zotin Brzezinki problemi qëndron diku tjetër.
“Mendoj se si qeveria amerikane, ashtu edhe qeveria shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje. Është e qartë se bërja e njohur për publikun e kësaj çështjeje nuk u bë në mënyrën më të mirë. Provë për këtë është reagimi aq i ashpër dhe kundërshtimi i publikut”.
Ai thotë se pati një tendencë mes disa shqiptarëve që të ekzagjeronin rrezikun dhe ata me të drejtë shtruan pyetje për procesin.
“Çdo vend e menaxhon procesin demokratik ndryshe. Ajo që mund të analizohet është sesi ia shpjegoi qeveria publikut se çfarë ishte propozuar dhe hapat që do të merrte për të bërë të mundur pranimin e marrëveshjes. Nuk e di se sa informacion i dha qeveria popullit të Shqipërisë për alternativat e menaxhimit të shkatërrimit të këtyre armëve në territorin shqiptar”.
Dhe megjithëse ai e pranon se një Kryeministër duhet t’i përgjigjet kërkesave të publikut…
“Nga tjetër ai duhet edhe ta udhëheqë dhe ta influencojë opinionin publik”.
Të dy ekspertët thonë se gjithmonë ekziston një rrezik nga menaxhimi i armëve dhe lëndëve kimike, por zoti Brzezinski sqaron se eiliminimi i tyre është bërë në shumë raste më parë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët duhet ta kishin dëgjuar një gjë të tillë.
Zoti Volker dhe zoti Brzezinski e hedhin poshtë perceptimin se Shqipërisë mund t’i ishte kërkuar ky bashkëpunim pasi Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për shqiptarët historikisht, apo sepse është vend i dobët. Zoti Volker thotë se arsyeja ka të bëjë më shumë me faktin që Shqipëria është një vend aleat, kishte mundësinë e ekzekutimit dhe një qeveri me vullnetin e mirë, ndërsa zoti Brzezinki thotë se duhet parë ana pozitive e vlerësimit të Shqipërisë si partner dhe se nga ana gjeopolitike, pozita e vendit do të ishte forcuar.
Por me gjithë debatin që shkaktoi kjo çështje në Shqipëri, për Uashingtonin pyetja se ku do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë, vazhdon të jetë pa përgjigje dhe këtu janë përqendruar përpjekjet e tyre.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: analistet amerikan, armet kimike, shqiperia

OKSIGJEN OPOZITËS

November 20, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Premtimi i nxituar dhe refuzimi i vonuar për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri nga ana e kryeministrit Edi Rama i dha opozitës së Tiranës “armë” për të mbrojtur veten nga keqqeverisja 8 vjeçare.
U protestua për ideale ambientaliste, ndërkohë që Gërdeci u harrua krejt. Sikur deputetet e PD të dilnin me parrulla kundër tragjedisë të Gërdecit, ato do të ishin të besueshëm, por ata e përdorën “ngërçin e Edi Ramës” në emër të pushtetit politik.
Gjatë këtyre ditëve, nga rrjedhja e lajmit në mediat franceze, të cilat pyetën ministrin Bushati rreth çështjes në fjalë, të paktën, nuk është përmendur thuajse fare ose ka kaluar në plan të dytë humbja e stërthellë e opozitës në Korçë dhe çështja e Pallatit të Vlorës, ‘Jon’, ku ndërlikohej figura e kryetarit zyrtar të opozitës dhe zbërthehej skema e marrëdhënieve klienteliste 23 vjeçare në Shqipëri.
Opozitës iu kthye frymëzimi për të protestuar dhe për të krijuar situatë të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë. Madje gati sa nuk u frymëzua edhe për të marrë në duart e saj mekanizmin e protestës para Kuvendit, në rrugët e sheshet e qyteteve, dhe për ta shndërruar atë në protestë popullore.
24 orë në ditë Rama u shndërrua në personazhin negativ të mediave – u thirrën në skenë, në kauzë të përbashkët, eksponentë të vitit 1997 dhe eksponentë të Gërdecit, ose të të dyjave bashkë.
Falë vendosmërisë së protestuesve ambjentalistë, kryesisht të rinj dhe të reja, nxënës të shkollave të mesme, nuk u lejua që protestat të merrnin ngjyrime partiake dhe as ekstremiste të kurrfarë ngjyre. Mosndërhyrja e qeverisë në zhvillimin e protestave ndihmoi që ambjentalistëve të mos iu dilte nga duart protesta dhe motivet e saj.
U trimërua edhe opozita brenda vetë Partisë Socialiste. Në opinion u përforcua ideja se, edhe po ta dërgonte në Kuvend për miratimin çështjen e asgjësimit të armëve kimike të Sirisë, ajo do të hidhej poshte edhe nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve ‘socialistë’.
Kjo rritje e opozitës së brendshme shënon edhe uljen e aftësisë vendimmarrëse të Edi Ramës. Pra, e vë në rrezik në njëfarë mënyre autorizimin e fuqishëm që mori ai me votën e 23 qershorit.
Opozitën e brendshme e përbën pikërisht ‘garda e vjetër’ e përfolur në mediat shqiptare dhe të huaja për pakënaqësitë e saj ndaj kryeministrit Rama.
Zhvillimet e këtyre javëve, nga shtatori e këndej, prej kur kryeministrit i është propozuar nga aleatja, mikja dhe partnerja jonë e madhe, Amerika, asgjësimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, tregojnë se në politikë ndëshkohen edhe ngutja në vendimmarrje, edhe pavendosmëria në vendimmarrje.
Në deklaratën e tij për mospranimin e armëve kimike në Shqipëri, duke folur për kundërshtarët e tij, kryeministri tha se janë ata që po tremben nga masat e qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pavendosmëria e kryeministrit do të jetë ajo që do të ndëshkohet më së shumti në këtë zotim të tij.
Me rëndësi tashmë është që Edi Rama të ketë nxjerrë mësimet përkatëse nga e gjithë kjo, çka do të ishte mesazhi i  duhur për përkrahësit e tij të vendosur në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare.
Dhe të mos nxirren në harresë aferrat korruptive të pushtetarëve, të mos nxirret në harresë hendeku i madh që krijojnë ata me mjerimin anembanë Shqipërisë, shumë më tepër se Blloku i dikurshëm në mes të Tiranës.
Të mos harrohet se ndotja më vdekjeprurëse e shtetit janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilët e kanë betonizuar dhe shëmtuar Shqipërinë, sidomos Shqipërinë turistike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Bucpapaj

Degradimi urban i një qyteti..

November 19, 2013 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi –Ylli/Prishtine/

Qyteti i Gjakovës ka pasur një traditë në zhvillimet urbane. Nga një qytezë mesjetare e shekullit XV u zhvillua në një qendër administrative të kohës. Në shekullin e XX,në vazhdimësi të kritereve të ashpra të kësaj treve,dhe në aftësitë specifike dhe kolektive të gjakovarëve,me anën e arsimimit të ekspertëve të kësaj fushe,ky mjedis u zhvillua në një qendër urbane për lakmi. Ajo çka është tentuar me dekada që pjesa e qendrës së qytetit të ri të fitoi identitetin urban,që është proces shumë i vështirë urban u arrit të degradohet pas luftës nga vet ne.

Reagimet i mija për të cilat kamë shkruar para shumë vite,për atë se çka është duke ngjarë në qytetin e Gjakovës,në fushën e planifikimit hapësinor,urban dhe të ndërtimit,datojnë shumë vite më parë,duke u nisur nga ajo se kamë qenë pjesë e atyre profesionistëve që kamë kontribuar shume vite në ekipin e udhëhequr nga arkitekti i nderuar gjakovar Skender Këpuska,i cili është “pensionuar”,e sot jeton i izoluar nga problematika urbane e qytetit të ti që aq shumë i dha.

Ne ishim ata që vazhduam rrugën e baballarëve tanë,që duke respektuar traditën dhe disa principe të një jete të dëshiruar urbane. Edhe se të pa shkolluar,por me një dell perfektë për hapësirën që na rrethon,ata kishin ditur të harmonizojnë,unifikojnë të vjetrën me të renë. Një arritje të tillë në Gjakovë duhej respektuar të gjithë ne si pasardhësit e një mjedisi urban (qyteti),të cilin e kanë respektuar me shekuj paraardhësit tonë. Është për tu admiruar se si një qytezë e vogël,kur ka pasur “presione” ekonomike dhe demografike për tu zgjeruar (është rasti pas luftës së dytë botërore),ka arritur të zgjidhe me dinjitet ato presione urbane të kohës.

Edhe principet e sotme të zhvillimit POLICENTRIK të territorit të komunës së Gjakovës në ato kohëra janë zbatuar,kur nuk ishin aktuale në Evropë. Krijimi i zonave satelite nëpër fshatra,tregonte vizionet e qarta të strukturave udhëheqëse komunale, dhe urbanistëve të asaj kohe. Kapacitetet prodhuese u ndërtuan në Ponoshec (elektromotorët),Junik (fabrika e tekstilit),Rugovë (kapacitetet përpunuese bujqësore) dhe në shumë fshatra të tjera të komunës. Le të gjykon dikush për ndasitë fshat qytet pas këtyre argumenteve të qëndrueshme të kohës. Këto zhvillime hapësinore ishin për admirim jo vetëm në nivelin Kosovar por edhe ma gjerë në regjion dhe në Evropë.

Pak kush në Gjakovë e din se me cilat akuza janë ballafaquar vendimmarrësit gjakovarë në vitet tetëdhjetë,lidhur me konceptin e ri të zhvillimit urban të qytetit të tyre,të aprovuar pas një konkursi urbanistik ndërkombëtar. Ishte fjala për bulevardin  këmbësor që kishte filluar të realizohet nga qendra e qytetit (sheshi i “Fontanës”),pallati i kulturës,rruga e “dibranëve” e do të përfundonte në Orize. Ishte ky një koncept i ri i urban i fundshekullit XX që kishte filluar të aplikohej në tërë botë e civilizuar. Në ndërkohe pësuan ndryshime të mëdha politike,struktura politike të Gjakovës kishin presione të pa imagjinuara politike nga Serbia me qëllim që të “bllokohet” ai plan pasi “rruga këmbësore”kalonte nëpër rrugën e “shkijeve”. Pas shumë takimeve dhe argumentimeve profesionale strukturat e atëhershme serbe të nivelit të lartë shtetëror u “binden”në atë si kishin vepruar profesionistët gjakovar dhe u tërhoqën.

E pas vitit 1999,kur kishim aq shumë kuadro të profileve të ndryshme,kur ishin vendosur themelet e një zhvillimi të mirëfilltë hapësinor dhe urban,filluan degradimet e shumta në të gjitha anët e qytetit dhe komunës. Se pari u sulmua qendra e qytetit që me aq mund e krijoi IDENTITETIN urban pas disa dekadave ekzistencë,e pastaj edhe pjesët e tjera të qytetit duke e përfshirë edhe Çarshinë e Madhe,të cilën gjeneratat e kaluara e kanë ruajtur me shekuj. E kanë kultivuar me xhelozi,si një rast i veçantë i një kompleksi me vlera të rralla urbane që funksionon edhe sot,që  tregon lashtësinë dhe vazhdimësinë e ekzistencës së popullit Shqiptar në këto troje.

Në një konkurs ndërkombëtar para shumë viteve,ishte përvetësuar zgjidhja urbanistike e qendrës së qytetit e përthekuar me objektet kryesore të një qendre bashkëkohore të asaj kohe. Realizimi i saj u përcoll me shumë peripeci të dhimbshme të ndërlidhura me ç-vendosjen e banorëve të vjetër të qendrës së qytetit si atyre fetare (Teqja e Bektashive). Qëllimi i pushtetit të asaj kohe ishte që qyteti i tyre të fitonte një qendër me atribute që do të mbështeteshin në të arriturat e urbanizmit bashkëkohor,                               ishte kjo një ndërmarrje shumë e vështirë në atë kohë. Këtë e arritën falë përkrahjes të pa rezervë të qytetarëve të vjetër të Gjakovës,fjalët përkrahëse të babait Qazim Bakalli janë të njohura për të gjithë ata të cilët ishin të kyçur në procesin e shpronësimit (ekspropijimit).

U punua me përkushtim me vite të tëra për të jetësuar këtë projekt me ndërtimin e Postës,Shtëpisë të mallrave,objekteve administrative,objekteve të banimi,hotelit të qytetit,për një jetë ma të mirë të banorëve të saj. Pas luftës së vitit 1999 në fillim u vazhduar me sanimin e gjendjes së krijuar dhunshëm nga regjimi serb (kisha dhe një objekt banimi në rrugën e këmbësorëve),si dhe me objekte të reja gjithnjë duke e respektuar zgjidhjen urbanistike të aprovuar para shumë viteve.

Kulminacioni i mos respektimit të rregullave urbane ishte ndërtimi i një objekti afarist-banesor mu në “sheshin e Fontanes”,në anën veriore të qendrës,në mes të objektit të ish “Bankkosit” dhe shtëpisë së mallrave “Agimi”,pa u respektuar asnjë rregull urbane,morale apo kanunore. Është uzurpuar edhe prona e huaj,një çmenduri të tillë urbane as që e kamë imagjinuar ndonjëherë,pasi kishte mundësi të ndërtohej një objekt i tillë afarist-banesor mu në pjesën qendrore të qytetit. Ndërtimi i një objekti në lokacionin e qendrës së ngushtë të qytetit,aty ku ishte ndërtuar pjesa ma e madhe e sheshit të “Fontanës”,i cili ishte fillimi i rrugës këmbësore që duhej të përfundonte në “Orize”,e që do ti jepte kualitet të ri jetës urbane në Gjakovë,nuk ka asnjë shpjegim urbanistik. Ide të ngjashme kishin edhe pushtetarët serb por nuk vepruan,pasi kishte kundërshtime të mëdha nga arkitektët gjakovar dhe ishte kundër ligjeve të urbanistikës të cilat i frikësonin.

Kjo i hapi rrugë mos respektimit të rregullave elementare urbane të definuar për qendrën e qytetit,filluan ndërtime çoroditëse të disa objekteve “surrogate”,që qendrën e ngushtë të  qytetit e kthyen në një “burg urban”,të pa shembull për një qytet i cili i kishte definuar më parë kriteret urbane për qendrën e qytetit,duke i mbrojtur vizuarat ndaj Çabratit, jetike për gjakovarët. Kjo po vazhdon me zhdukjen e identitetit urban të krijuar me vështirësi të mëdha që konsiston me ndryshimin e pamjes (fasadës) së shtëpisë së mallrave “Agimi”,e shumë veprimeve të pa kontrolluara me ndërtime në zonat tjera të qytetit si në “Orize. Aq ma tragjike është edhe pjesëmarrja e disa “arkitektëve” gjakovar në këtë krime urbane që ia dhuruan qytetit të tyre. Athua a do të turpërohen për atë që kanë bërë,e që për momentin po “mburren”.

Natyrisht përshtatjen kushteve të reja të jetesës që i kërkon koha duhet marrë në konsideratë,për atë ekzistojnë planet e renovimeve,regjenerimeve,rindërtimeve urbanë që në mënyrë institucionale do të duhej ndërmarrë,e jo me lejuar këso veprime që janë lejuar vitet e fundit. Ajo çka ka ngjarë me veprimet e pas vitit 1999 nuk do të ju falët askujt dhe do të ketë pasoja afatgjate. Është përdhunuar i tërë një qytet me kulturë të lashtë.

Është qeverisja e Komunës që ka lejuar këto degradime urbane,për të cilat Gjakova nuk ka pasur nevojë pasi i kishte të definuar me kohë. As në kohen e masave të dhunshme,serbët me “mashat” e tyre shqiptare,nuk kanë guxua të bëjnë ndërhyrje urbane në qendrën e qytetit,pasi iu kanë frikuar organeve të veta shtetërore.

Uroj se kaluan vitet e çmendurisë urbane në qytetin e Gjakovës,besoi që këto procese degraduese hapësinore dhe urbane do të ndërpriten,pasi askujt nuk i shkon për nderë. Nga qeverisja e re që premton ndryshime,presim të ndërmarrë hapa konkrete progresive me vizion për të ardhmen,së paku në fillim për të sanuar atë që ka ngjarë në këto vitet e “ferrit urban” në qytetin e Gjakovës, që pak kush,pos profesionistëve të rrallë i vëren dhe i  përjeton rëndë. Të shohim,mbesim me shpresë ! .

Prishtinë,     arch. Ylber Vokshi -Ylli, arkitekt i pavarur- ylberv@yahoo.com

Filed Under: Analiza Tagged With: degradimi i nje qyteti, Ylber Ylli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 940
  • 941
  • 942
  • 943
  • 944
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT