• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpalleni “non grata” politikën!

December 22, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/

Shpalleni “non grata” politikën! Shuajeni këtë rreth vicioz që po na djeg të gjallë.Ngrijeni në këmbë shoqërinë civile. Njerëz të shushatur që ecin përmes dhimbjes së tyne….përmes vuajtes të përshpirtshme. Që gjakun ua pijnë pushtetet që trokasin nëpër korridore të mbushura me petale të ndyta. Taksa për qytetarët! Tmerrin! Gazin! Helmin! Kancerin! Barrën deri në kockë na e kanë shtjerë! Nuk e besoni dhe nuk do mundni. Ta besoni që veç po lozet me ne, mua, ty, ne të gjithë. Sot dy gurë të rëndë peshojnë veç në shpinën e një populli. Sa vdekja ngëdhnjimtare hiqet zvarrë nëpër sheshe. Shpalleni more njerëz “non grata” politikën. Shkuljani zemrën që të zezë e ka përjetë! Në këtë vend të pashtet ku politika fill me mafian klane horresh kanë prodhuar. Veç interes, veç lekë, hajni! Se po të mos kishit paranë e fëlliqët në xhepin tuaj as dhe gishtin s’do ta luanin që pas tiu shkojnë more të mjerë. Do i vijë dita mjerimit tuaj, aq i mjerë sa nuk thuhet. Mjerisht ngrihet veç mbi paranë, që këtij populli ia keni zhvaturr! Në njëmijë copash e kanë ndarë këtë popull, në të kuq në blu, të majtë, të djathtë, legalist, republikan. E një grusht popull sa është dhe atë e kanë përçarë. Për të na patur më lehtë nën kontrollin e tyre. Këta parti që ngrejnë sloganet me moto vitrinash të brishta. E poshtë tyne fshehin mafian, krimin. Që blejnë votat me para dhe sa merr pushtet karrigë veç na pinë gjakun të gjallë! Bëni rezistencë o njerëz! Shpalleni “non grata” këtë politikë e këtë vend të shkruar në ballë se strehë krimi do të jetë. Mos të flas për korrupsion, se prej qelbit të plagës së saj nuk po mundemi të mbijetojmë. Zhdukeni këtë farsë politike, që me lak na rri përditë, por dhe natën si hijenë, të na pijë gjak të pastër, gjak i pastër populli të shkretë. Furtunë që na merr të gjithëve e në një kazan na kanë shtjerë. Ku përzieshëm me tortura taksash, rrjepjesh siç dinë ata na kanë çarë e gremisur! Kini kurajon njerëz të Shqipërisë, së atdheut tonë të përçarë, ta çrrënjosim këtë politikë, që na vret, na përndjek, na ha të gjallë!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dionis Xhafa, politiken, shpalleni non grata

Shqipëria në Europë

December 22, 2013 by dgreca

Shqiperia ka 23 vjet ne asistence! Miliarda dollare ndihma jane dhene nga Europa keto 23 vjet e te mos harrojme se dy here jane instaluar forcat ushtarake te Prendimit per te ruajtuar sigurine tone kombetare. Dy here! Ne vitin 1991 dhe ne vitin 1997, apo jo..? E politikanet  jane nderruar e nderrohen pa te keq ne oborret e pushtetit./

Nga Bardhyl Ukcamaj/

 “Aktualisht nuk mbështesim dhënien e statusit për Shqipërinë”, konfirmoi David Cameron ne mbledhjen e fundit te BE-se, ku diskutohej mundesia per te marre statusin e vendit kandidat. Kryeministri anglez shtoi se ky hap duhet shfrytëzuar për të inkurajuar masa kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimin e ligjit.

Me thjeshte nuk mund te thuhet: luftoni korrupsionin dhe zbatoni ligjet e nje shteti demokratik. Megjthate ne atdheun tone u bene te tjera komente.

Po cila eshte sipas meje, fotografia e Republikes qe aplikonte?

Nje Shqiperi e frikshme, plot borxhe me interesa gjithnje e me te larta. Interesat e borxheve  rriten e mundesia e marrjes se borxheve te reja per te shlyer te vjetrat  veshtiresohet.  Qeveria e re per pak sa nuk ngriu, pa filluar ende mire dimri i saj i pare, nese nuk do te merrej nje hua e re  nga FMN-ja para pak ditesh. Nje hua e re, jo per tu investuar, por per te shlyer borxhin e brendshem e per te plotesuar buxhetin per pagesat.

Sipas kryeministrit Rama, Shqiperia eshte nje  katrahure financiare. ”Realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të Prodhimit te Brendshem Bruto”, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, para vetem pak ditesh. Sipas raporteve te FMN-se, ne vitin 2018 niveli i borxhit te Shqiperise do te jete 85%.

Kjo eshte pasqyra financiare, alarmante per secilin banor te republikes. Kjo eshte e sotmja e erret ekonomike e shqiptareve  dhe e ardhmja e “shkelqyeshme” qe u leme brezave mbi kurriz. Te tjerat ishin e jane “dokrra hini”. Mashtrime te tmerrshme te nje kaste te korruptuar e kriminale deri ne palce.

Atdheu yne sot eshte i zhytyr deri ne gryke ne borxhe, si askush tjeter ne report me popullsine ne hapesiren e Europes. Me shume se Greqia, per te cilen u diskutua perjashtimi nga zona euro. Megjithate, ne dallim nga ne, Greqia  ka nje popull relativisht te pasur, nje infrastrukture moderne dhe nje prodhim te brendshem solid.

Shqiperia eshte nje vend thuajse pa eksporte, pa prodhim te brendshem te rendesishem. Me pakgje mbetur per tu shitur nga pasuria kombetare. Cfare ishte e rendesishme nga resurset kombetare u shit, e shqiptaret e zakonshem moren “therrimet e mbetuna anekend tryezes”. Sot, shqiptaret jane ne borxhe te jashtme qe i kalojne 9 miliard dollare. Qeveria Rama nisi te nxjerre ne ankend disa bunkere (!)

Ne aspektin industial, Shqiperia eshte nje vend qe duket se jeton periudhen e para revolucionit (1760-1850). Me disa miniera thuajse te braktisura, qe marrin jete njerezish ne galeri hunjesh te kalbur e karrocash te ndryshkura. Pa nderrmarrje industriale, me ndonje punishte te mbetur nga kohet e diktatures (si ai i Elbasanit), qe me se shumti funksionon per te shkrire mbetjet e varrezave te tjera industriale ne vend dhe vret jeten e banoreve dite per dite e nate per nate. Me nje rafineri nafte te dhene me koncension, ku nuk dihet sa investohet e sa prodhohet.  Me disa fabrika cimentoje (“filtruese” per ambientin) dhe me pak punishte ku qepen kepuce per nje page mujore 200 dollareshe. Me pak, fare pak nderrmarrje te vogla bashkekohore.

Infrastruktura e vendit eshte skandaloze. Rruget  e reja per te cilat eshte shpenzuar me shume se ne Europe (per km2) jane te nje cilesie mjerane e do te grryhen lehte nga shirat e moti, duke nxjerre ne pah edhe me shume humneren e korrupsionit.

Flora dhe fauna te shkaterruara. Shikoni shtreterit e lumenjeve ne te gjithe vendin, pyjet qe thuajse nuk ekzistojne, mbetjet urbane e helmet kimike kudo rrugeve, buze lumejve. Uzina te braktisura, hekurudha pa shina e me vagone zgerdalle. Ne asnje vend te Europes ne Lindje apo Perendim nuk mund te gjesh nje karikature te krahasueshme. Duhet te shkosh larg ne Azi apo Afrike.

Me nje bujqesi jo vetem primitive, por tashme edhe te vrare nga ndertimet e shtepive – kioska neper fusha. Pa sistem uitje, pa tekonlogji. Me fusha te parcelizuera copa copa, te papunuara prej vitesh.

Shume koncensione jane dhene ne fushen e energjise, por ky dimer rrezik kalohet me mungese dritash. Ne auditim nderkombetar nje kompani te huaj (Kompania CEZ)  mund ti kushtoje shume buxhetit te qeverise shqiptare.  Ata, qe moren koncensionet ne fushen e energjitikes u dhane ca para pushtetareve e po kerkojne tani ti shesin, i blene per ti shitur.

Shqiperia ka nje turizem primitiv (ku mungojne edhe banjot ne plazhe e kolektoret e ujerave te zeza derdhen ne det), thuajse inekzistent, po te perjashtojme pushuesit shqiptare nga Kosova e Maqedonia.

Struktura e nendheshme e kryeqytetit dhe e qyteteve te Shqiperise (kanalizimet e ujerave te bardha e te zeza, energjise, telekomunikacionit etj) eshte super e vjeteruar dhe kerkon investime imediate te medha. Disa qytete, e lagje te reja nuk i kane fare sistemet rregulluese te nentokes.

Kjo eshte pasqyra e mjerimit. Jo per mua, por pike se pari per ju qe e  jetoni dite per dite.

Korrupsioni galopant dhe mungesa e nje sistemi te drejtesise, për të gjetur edhe një përgjegjës të vetëm të nivelit të lartë për korrupsionin galopant, ka luajtur rol deciziv në këtë vendim te kryeministrave te Europes.

Ne Shqiperi nuk ka  sistem drejtesie. Ka disa gjyqtare dhe prokurore te ndershem, por sistemi eshte kriminal. Pandeshkueshmeria eshte jo kulture, por ligj. Se fundi nje gjyqtar province i investiguar nga nje emision televiziv e jo nga strukturat antikorrupsion eshte ne burg. Nje kryetar bashkie ne bathore gjithashtu. Kaq! Edhe ai mund te lirohet, ende nuk eshte gjykuar. Te akuzuar e neper gjykata kane qene edhe kryetari i opozites per qindra milione euro, shumica e ish-ministrave e kryeministrave te se djathtes e se majtes. Te gjithe jane ne politike e vazhdojne te  luftojne per te ardhmen tone “europiane”.

Zemra e krimit ekonomik eshte politika dhe njerezit me te rendesishem te saj. Eshte e thjeshte, shikoni shtepite, veturat, pushimoret, veshjet, shpenzimet e tyre, kompanite ne emer te familjareve apo miqeve, llogarite bankare jashte vendit. Te gjitha jane me leket e vjedhura te popullit shqiptar, me pasurite e shitura, investimet fiktive, parate e emigranteve, huate e keqmenaxhuera.

Kjo bande hajdutesh eshte ekstremisht arrogante dhe mediokre gjithashtu. Ajo e perbuz shqiptarin e zakonshem, ate puntorin, profesionistin, administratorin  e ndershem,  qe shkon ne pune per nje rroge minimale. Ajo ka investuar per te vrare moralin shoqeror; i pakorruptuari eshte i pazoti, i pavlefshem, jashte mode, budalla. Ndersa palo-presidenti ( kryetar i Keshillit te Larte te Drejtesise) organizon “ballo vjeneze” me te paret e vendit. Emrin “Ballo Vjeneze” e ka mesuar nga femijet e tij, qe i studiojne ne universitet vjeneze. Pse jo? Ne nje shtet e shoqeri normale, shkelqesia e tij me se shumti do te ishte kapterr ne nje repart ushtarak.

Shumica e shqiptareve ngushtohen te blejne nje gje te vogel per femijet e tyre e te shtojne nje pjate per festat e fundvitit. Shume prej tyre nuk e kane kete mundesi. Shume femije jetojne te ngujuar nga gjakmarrja e shume te tjere jane analfabete. Grate keqtrajtohen ne mase, krimi ne familje eshte shtuar. Pronaret presin perj 23 vitesh tu kthehet prona, te persekutuarit te marrin kestet e deshperblimit. Te shperngulurit tu legalizohen shtepite, te rinjet te punesohen.

Ne spitalet publike (jo private), ku kurohen nevojtaret shqiptare, mund te vdesesh nga infeksionet me lehte se te kurohesh nga semundjet. Pamja e gjendja e tyre nuk ka nevoje per komente. Shumica e produkteve bujqesore e industriale, bile edhe e ilaceve qe tregtohen ne vend jane te pakontrolluara sa e si duhet. Sistemi yne arsimor eshte jo vetem i korruptuar, por nder me te dobetit e planetit, sipas organizatave nderkomtare ne fushen e arsimit.

Ka 23 vjet qe mbi nje milione shqiptare te emigruar ne boten e perendimit kane bere dergesa te rregullta financiare ne Shqiperi. Sipas Bankes Kombetare te Shqiperise, keto dergesa qe tani kane nisur te bien ne menyre drastike, kalonin 1 miliard dollaret ne vit. Keta emigrante  kane punuar ne kushte shpesh shume te veshtira e kaluar me shume mund pjesen me aktive te jetes se tyre. Djersa e tyre eshte shperdoruar, “here me fajde e here pa fajde”. Ata nuk kane mundesi e as deshire te kontribuojne si me pare, femijet e tyre jo e jo.

Shqiperia ka 23 vjet ne asistence! Miliarda dollare ndihma jane dhene nga Europa keto 23 vjet e te mos harrojme se dy here jane instaluar forcat ushtarake te Prendimit per te ruajtuar sigurine tone kombetare. Dy here! Ne vitin 1991 dhe ne vitin 1997, apo jo..? E politikanet  jane nderruar e nderrohen pa te keq ne oborret e pushtetit.

Sigurisht qe ka nje lodhje te politikes se Europes dhe SHBA-se me Shqiperine. Kane investuar me shume se kudo ne Europen e Lindjes e jemi ende shume prane pikes se nisjes. Jo vetem vjedhja e pakufishme por edhe padija e mediokriteti ne kufijte e te pabesueshmes e politikaneve shqiptare e kane tretur e tkurrur mundesine e shoqerise per te ndertuar nje realitet europian brenda saj.

Kohet e fundit ka edhe nje ftohje te mardhenieve shqiptaro-amerikane. Vizitat e fundit te zyrtareve te larte amerikane ne Prishtine dhe Tirane paralajmeruan nje stad te ri te ketyre mardhenjeve. Ne Tirane kerkuan lufte kunder korrupsionit dhe zbatimin e ligjit. Ne Prishtine nderrimin e elitave politike dhe veprim ndaj ekstremizmit islamik. Folen si kurre ndonjehere me pare.

Jo zoterinj te nderuar, nuk ka kurrfare “albanofobie” e as ndikim te “forcave ekstremiste” ne Europe por ka  nje histori euro-dashurie te tradhtuar nga politika super e korruptuar shqiptare.

U tha se nje arsye e mosafrimit te statusit Shqiperise eshte edhe antaresimi ne Konferencen e Vendeve Islamike apo faktori mysliman.

Antaresimi ne Konferencen Islamike dhe financimi sheteror i  institucioneve te fese ne Shqiperi mendoj se nuk ishin e nuk jane hapa te nevojshem e as te dobishem per shoqerine shqiptare. Besimi fetar eshte i lire e individual, shteti yne eshte laik. Megjithate, ne Shqiperi bashkepunimi dhe toleranca fetare jane ne kufijte normale, te krahasueshem me shoqerite e Europes.

Ne Kosove kemi nje realitet tjeter. E tha ne Prishtine nje nga luftetaret e shquar te lirise se Kosoves ne Departamentin e Shtetit, James Rubin: ”Kosova rrezikohet nga ekstremizmi fetar”. Ky ekstremizem, nese nuk vihet nen fre, do te rrezikoje jo vetem Kosoven dhe shvleftesoje lirine e saj, por edhe Shqiperine dhe integritetin e republikes sone. Kjo eshte mire te dihet e te thuhet edhe ne mbledhjet e ardhshme te perbashketa te qeverive shqiptare e turke ne kete dimer te dashurise se madhe Rama – Erdogan!

Europa eshte ne dominance kristiane, por refuzimi i Shqiperise nuk ka te beje me perkatesine fetare. Europa nuk ka komplekse inferiore te fshihet para popujve e kulturave te tjera, se ka pasur dje se ka as sot. BE eshte superfuqi ekomomike, kulturore e politike. Nese do te ishte kjo arsyeja, e sanksiononte ne kushtetute: “Popujt jo kristiane nuk pranohen ne organizimin tone politik”. E dime se nuk mund te nderohet kishe ne Meke.

Sot Shqiperia nuk ploteson thuajse asnje kriter per tu antaresuar ne familjen europiane. Kjo eshte arsyeja pse nuk e morem statusin e vendit kandidat.  Shkaktare jemi ne dje e sot. Per fajin tone, per fajin tone, per me te madhin fajin tone.

Ne perfundim, Shqiperia ka nje popullesi realitivisht te re, e cila, ne kushtet e nje krize te re ekonomike, do te dyndet serish ne Europe. Ne kete rast do te kishim edhe rivendosjen e sistemit te vizave.  Atdheu yne mund te zhytet ne nje izolim te ri tragjik. Pra siguria jone kombetare vihet ne pikpyetje!

Prandaj lipset nje qeverisje shume e kujdesshme dhe nje mbeshtetje e plote politike per reforma e aksione edhe jo te zakonshme. Kerkohet nje transparnce e plote me publikun nga Kryeministri i votuar jo nga 1 milion vota, por me shume me pak dhe qe kontrodhon nje pjese te vogel te pushtetit real.

Shoqeria shqiptare, inteligjenca e saj duhet te reagoje. Perpjekja per ta mbytur pa lindur rebelimin qytetar me disa figura individesh e OJQ-ve, super te korruptuara eshte nje tjeter perpjekje e lige e politikes shqiptare ne ikje, per te krijuar konfuzion e vrare pa lindur nje revolucion qe do te ndodhe gjithsesi.

Shqiperia do te antaresohet plotesisht ne strukturat politike te Europes se Bashkuar dhe shqiptaret do te vendosin duke marre ne dore fatin e tyre. Jetojme ne nje bote te re, transparente dhe integruese, ku popujt nuk mund te mbahen me ne izolim, te shtypen e genjehen pa fund nga katsa te korruptuara politike.

Vendimi per mosmarrjen e statusit eshte vertete nje shans i ri per shqiptaret e sotem per te mposhtur dikaturen e korrupsionit dhe marre ne dore fatet e vendit. Te korruptuarit duhet te shkojne ne burgje dhe pasuria e tyre duhet konfiskuar. Vendi do te vendoset ne binaret e zhvillimit te shendetshem dhe Shqiperia do te jete aty ku e ka vendin, ne familjen e popujve te Europes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, Shqiperia ne europe

Atentatorët

December 22, 2013 by dgreca

Shkruan:Skender Blakaj/

Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468. Historiani Italian Rafael Vollaterani (1506) thekson se “në ditët e tij  të pleqërisë shkoi në Romë dhe shumë shpejt pas kësaj, kur u kthye në shtëpi, vdiq nga helmi”. Historianë të tjerë fare pak e trajtojnë mundësinë e helmimit të Skënderbeut. R. Vollaterani, në veprën e vet  prej 38 librash për historinë e Romës, Gjergj Kastriotin e quan: “princ burrëror që padyshim e meritonte dhe ishte i denjë të jetë pasardhës i Mbretit Pirro dhe bartës i emrit të Aleksandrit të Madh. Pastaj, ai në aq shumë luftime, sulme dhe rreziqe të tjera, asnjëherë nuk mori plagë e dëmtime, pos atëherë kur pësoi një thyerje në shpatull. “Edhe po të jetë ndryshe, aq madhështor e i pathyeshëm, ai e “meritonte” helmin. Sepse, sado të ishin sakrificat nuk duronte që atdheu i tij të bëhet pronë e asnjë rrëmbyesi. Pikërisht më 17 janar 1982, me atentat klasik, në mërgim, e vranë intelektualin e atdhetarin shqiptar Jusuf Gërvallën, së bashku me të vëllanë Bardhin dhe me Kadri Zekën. J. Gërvalla, sapo braktisi atë copë atdheu, Kosovën e vet, të cilës ia jepte takatin e vet të tërësishëm që të dalë nga kthetrat serbe, sa arriti të strehohet jashtë, madje edhe vet shqiptarët, ia lëshuan prapa cilësimet spiun e tradhëtar, dhe kësisoji, bashkë me Beogradin, e përgatitën edhe më shumë gjoja arsyen e likuidimit të tyre. Atentatorët janë diku, dhe në mos i nxjerrtë drejtësia nga çuba, i nxjerrë padroni i tyre. Jusufi u kthye në simbol e në monument kombëtar, ata në qyqe.

Atentatorët shpesh ia kanë ndërruar lëvizjen historisë. Pa u ndalë këtu në momente të tilla të historisë botërore, le të kujtojmë Prizrenin në ditët e tij të famshme të BesëLidhjes Shqiptare të vitit 1878, kur Ramadan Zaskoci, me vendimin e kreut, e vrau në kafenenë “Mirashi” telegrafistin e Mehmet Ali Pashë Magjarrit. Edhe vet pashai i madh, i dërguar nga Porta  që të zbatojë vendimet e Kongresit të Berlinit dhe t’ia dorëzojë Malit të Zi krahinat e Plavës e të Gucisë, e pësoi në Gjakovë ku po kërkonte strehim e përkrahje në sarajet e Abdullah Pashë Drenit. Prijësit e Lidhjes si Sulejman Vokshi, Ahmet Korenica etj. i sulmojnë e i djegin sarajet, i vrasin të dy pashallarët dhe 90 mbrojtës të tyre, por edhe nga sulmuesit e Lidhjes mbesin 500 të vrarë. Koburja e Ramadan Zaskocit jo vetëm ia këput pashës lidhjen me Stambollin, po ajo bashkë me luftën te sarajet e pashës në Gjakovë i çojnë mesazh Evropës se Lidhja Shqiptare nuk është prosulltaniste.

Mirëpo atentatorët më të shpeshtë dhe likuidimet me motive politike shfaqen në skenën e historisë shqiptare në vitet e njëzeta të shekullit XX, kur kishte aq shumë lëvizje të kundërta në shtetin e pastabilizuar shqiptar. Levi qendror lëvizës pothuajse i të gjitha këtyre ishte Ahmet Zogu i Burgajetit të Matit, njëherë kryeministër, pastaj president i Shqipërisë dhe së fundi Mbret i Shqiptarëve. Me vrasjen e atdhetarëve, kryesisht liberalë-demokratë, për të fikur opozitën, që, pasi i cilësonte si tradhëtarë për ta përligjur krimin, ua vënte mbas atentatorët që e shkretëronin Shqipërinë, duke e lënë pa patriotët e idealistët e shquar. Isuf Reçi vrau Avni Rrustemin, simbolin e atdhetarisë e të demokracisë (në Paris kishte vrarë dajën e Zogut, Esat Toptanin, argatin e Beogradit, siç ishte edhe vet mbreti. Mbas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit nga A. Zogu, me përkrahjen ushtarake e financiare të Beogradit, Noli u vra politikisht dhe iku në mërgim, Baltion Stambolla e vrau Luigj Gurakuqin në Bari të Italisë (më 2 mars 1924), Cena Bej Kryeziu e Kadri Mehmeti vranë Bajram Currin më 29 mars 1925, në Shpellën e Dragobisë, kurse Ibrahim Qelo e vrau Hasan Prishtinën në Selanik më 14 gusht 1933. Lista e atyre që u vranë është e gjatë. Kryeministri, Presidenti, Mbreti Ahmet Zogu kishte shpallur shpërblime të mëdha për vrasjen e atyre që e rrezikonin “pronën” e tij, Shqipërinë.

Komunistët pas tij, ia shkuan me monstruozitete të tilla në krejt hapësirat ku jetonin shqiptarët. Edhe ata i kisha temë të shumë shkrimeve. Dorasit ndonjëherë u kapën e u gjykuan, po krimi rrinte më lartë. Jashta shabllonit të katran atentatorëve më duhet të përmend trimin e madh kombëtar Selman Kadrinë e Cërrces së Istogut që likuidoi kryekriminelin serb Miliq Kërstiqin më 1938.

Në Kosovë lufta e fundit, pos tmerreve, pati edhe shumë heroizma e sakrifica si ajo e Adem Ja­sharit me familje. Por, edhe lista e atentateve mbi at­dhetarët është e gjatë. U vranë: Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Komandant Drini, Ukë Bytyqi, Ismet Rraci, dhe u goditën edhe Zejnullah Rrahmani, Sabri Hamiti, e të tjerë. Atdheu nuk është pronë e asnjë koburje, e asnjë çmendurie, e asnjë pushteti. Duhet të ndalohet mendja e dora që prish, e jo mendja e dora që ndreq.

Nga Gjergj Kastrioti e deri më sot po të më thuhej në cilin emër të dytë të madh të ndal gishtin, ai do të ishte gjeniu ynë Ismail Kadare.Kalorësi më i denjë i Skënderbeut. I.Kadare e bëri Shqipërinë të Madhe. E shtriu në krejt planetin.  Ndërmjet këtyre ndoshta  vetëm Marin Barleti. Sepse vepra e M. Barletit “është në bazë të të gjitha punimeve për Skënderbeun të hartuara në Evropë”, siç thotë dijetari  Fallmerajer (1861), aq i çmuar nga Noli, Çabej e Buda. Kur është bërë anketa për Çmimin “Booker Man International”, është e çuditshme sa mendime shpirtliga kanë thënë për Kadarenë vetë shqiptarët. Shpirtmjerë të gjykuar të veniten nën hijen e tij të madhe. Bota i dha Çmimin “Princi i Asturias”. Sa janë ata që do të vuajnë shkaku i kësaj. Sa janë ata që ngrehin koburet kundër tij. “Kadare mundi titanët ndërkombëtarë të letërsisë me çmimin “Booker” (The Guardian) dhe “E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin. Por ai i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjtë thellë në tokën e vet” thotë një studiues nga bota. Megjithatë atentatorët nuk i zë gjumi. Qëllojnë nga terri.

Për fund le t’i lexojmë së bashku vargjet e shkrimtarit Arif Demolli:

 

NE QË RRONIM ME UJQ…

 

Rronim me dhelpra, derra të egër, ujq…

Duhej bërë gjahtarë, barinj, bujq…

Një ditë zbritëm me turr nga atje lart

Të merreshim me shkencë, kulturë, art…

 

Ama dhelprat dhe ujqit mbetën me ne,

Në shpirt na u fut pak gjë e re,

Ndaj në jetë kemi kulturë kaq pak,

Ndaj na pëlqen të spërkatemi me gjak.

Po, ne zbritëm poshtë dhe çdo gjë e pat:

Qytetin më të madh e kthyem në fshat!

Tash sa vështirë do ta kenë, medet,

Një fshat kaq t’madh ta bëjnë prapë qytet.

Dhe, le ta kemi mendjen, thuhet – Zoti është i madh, Zoti fal. Ka një zot që nuk fal. Atdheu.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Atentatoret, Skender Blaka

KTHIMI I RI SËRBIAN

December 22, 2013 by dgreca

Një shteg gjithmonë i hapur/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

Fjalë kritike ndaj guvernantëve të Kosovës dëgjojmë çdoditë nga mëndje të hapura e vënddashëse. Epo, jemi  shoqëri e lirë. Apo? Ndoshta! Por, për të gëzuar këtë epitet sublim mungon dhe diç fundore: sado të mprehta, të kthjellta e të sakta të jenë ankesë-akuzat, ato nuk i shkundin dot titajt lëkurëtrashë me ansamblin institucioneve  të sunduara dhe, për çudi, as elektorët indolentë e harrestarë. Mirëpo, mjerisht, hidhen poashtu vlerësime që dhe desperadosin më të thekur e shpërthyes do ta bënin të rimenduar e dyshimtar total: ndaj gjithçkajes e ndaj të gjithëve! Njeriu politik, i thjeshtë e vdektar, përfundimisht e ka tepër të vështirë zgjedhjen! Më rastisi të shihja këto ditë një shkrim, që nuk e di në  përfaqëson opinionin oficial, doktrinar të ndonjërës nga kooperativat e shumta politike. Me një gjuhë paksa klerikale, shpallej nëma: “Komandantët e hoteleve kanë kthyer pa kushte Sërbinë në Kosovë”.

Më herët, mbase nga i njëjti taborr, do të flitej shpesh se Sërbia është gjithnjë këtu dhe bën e drejton politikat sipër nesh. Aherë, po t’ketë qenë kështu, ç’kuptim ka tehu i oponencës se ajo është kthyer, kur s’kishte ikur fare?  Nga shkrimi i sipërcituar del se ajo kje shpërngulur njëherë dhe tani –  ç’ligësi – pa kushte paraprake e paskan kthyer prapë. Përpiqem ta mirëkuptoj orvatjen për një rezon shtetëror, kryeftohtë e racional. Por dhe këto radhë pretendojnë këtë. Nuk janë retorizëm apo ligështim emocional.

2.

Është kthyer, prandaj, Sërbia në Kosovë?

Po, po, thotë, por shih tani çudinë: komandantët e shkretë kanë bërë këtë prapësi pa asnjë kusht! Athua paskësh qenë e parathënë (traktate të fshehta, pëndesë euroatllantike, ndryshim i skemave gjeopolitike – si azhurimi i datënisjes së negociatave me Sërbinë për të kompensuar disfatën në Kijew), të rivinte doemosshëm ajo në Kosovë? Nuk e besoj aspak këtë. Por, me sa rrjedhon drejt e pa keqlexim, përgjigja e autores së nderuar është tragjikisht pohuese. Edhe ajo nuk i kundërqëndron trokut serbian, veçse pajtimin do ta jepte me ca kushte! Vallë, përmbushja e cilit kusht madhor, jetik a të shenjtë, do t’përligjte kthimin e saj?

Ndjesa? A do t’mjaftonte një përulje, qoftë dhe vilibrantjane për të hedhur ajo prapë pëlhurën e harresës dhe zinxhirët e zbukuruar mbi fytyrën e Kosovës?

Reparacione? Ç’para mund të blinte gjakun e derdhur shqiptar kundër bankave të tyre të vdekjes? Dhe për ç’para do vinte sërish qafën nën zgjedhë ky popull, që tashmë ka lindur e po rritë brezin e parë pa shfytyrimin e robnisë  dhe vetë idenë e tij?

Çuarja dorë nga viset veriore e establishmentit serbian? Veç arsyeve të ditura (qeverisja e pamirë, korrupsioni si alkimi, pakti me mafiokratë) që dobësojnë qëndrueshmërinë e Kosovës, a është dhe fuqia reale e saj e tillë që të mbaj peng konstelacionet ndërkombëtare? Aleatët strategjikë ia shkëputën Kosovën Sërbisë dhe tani kërkojnë bashkëpunësi e koncesione për t’ia shkëputur dhe Sërbinë Rusisë. Një Ukrajinë, a një Kubë e dytë, nuk do të lejohej në Ballkan!..

Apo është kushti i njohjes? Po dhe ky, në fakt, do t’ishte një contradictio in adiecto i kulluar, sepse si mund ta njihte Belgradi shtetin e ri e sovran dhe, njëkohësisht, të kthehej aty ku ishte, e si ishte, tash 100 vjet?

Por ja: një palë pa kushte fare, kurse kjo tjetra, anipse e kudocilësuar si kundërshtare konceptesh e morali të saj – me kushte, por gjithësesi do të pranonte (e, kushedi, mirëpriste) kthimin e Sërbisë në Kosovë! Dhe në esencë ky është boshti i higjienës kombëtare: të tjerat janë ngjyresa të hirta e trishtuese të gjëmës së saj.

R.Kasumaj, Berlin, dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: kthimi serbian, Rexhep Kasumaj

Anastas Janullatos vazhdon misionin e Kozma Etolos për greqizmin e jugut të Shqipërisë

December 22, 2013 by dgreca

“Më 1999 Janullatos shoqëroj ekstremistin grek Babis Karathanos dhe Karamalisin në Livadhja të Sarandës për tu treguar se ku do të ndërtohej kisha e Shën Kozma Etolos”/

Ne Foto: Janullatos me prefektin e Thesprotias Vasili Gjogjakas,Kisha Kozmait, Mursio-Sarande/

Shkruan: Arben LLALLA/

Ardhja në krye të kishës ortodokse shqiptare të Anastas Janullatos është kundërshtuar ashpër nga patriotët shqiptar duke nuhatur rrezikun e asimilimit të shqiptarëve ortodoks nga misioni i tij. Por me kalimin e viteve Janullatos siguroj përkrahjen e drejtuesve të lartë të partive shqiptare në detyrën që kishte marrë përsipër. Në sytë e politikanëve shqiptar Janullatos hiqet si njeri humane dhe njerëzore, por ka shumë të dhëna që kryepeshkopi z.Anastas Janullatos me origjinë nga Preveza e Çamërisë ndër vite vazhdon misionin e priftit Kozma Etolos (1714-1779) për greqizmin e jugut të Shqipërisë duke ndërtuar edhe shumë kisha për nder të Shën Kozma Etolos si mirënjohje për punën e këtij prifti për asimilimin e shqiptarëve në shek.XVIII.

Në Janar të 1999, Kryepeshkop Anastas Janullatos shoqëroj kryetarin e Lëvizjes të Autonomisë së Vorio Epirit, ekstremistin Babis Karathanos, dhe Kosta Karamalisin, në atë kohë kryetar i partisë greke Demokracia e Re në Livadhja të Sarandës për tu treguar se ku do të ndërtohej kisha e Shën Kozmait. Pas disa vitesh ashtu siç kishte premtuar Janullatosi, përfundoj me suksese kisha e Shën Kozmait në Livadhja.

Në Gusht të vitit 2009, Anastas Janullatos shoqëroj për në fshatin Mursio të Komunës së Xarrës që i përket rrethit të Sarandës, prefektin e Prefekturës së Thesprotias Vasili Gjogjakas për ti treguar kishën e re të Shën Kozma Etolos. Të dy përsonalitetet bënë edhe një lutje në këtë kishë për shpirtin e Shën Kozmait. Por kisha me emrin e Shën Kozma Etolos janë ndërtuar në Aliko, Vrisera, Himarë, Çarçovë etj. Këto kulte me emrin e njeriu që punojë për greqizimin e shqiptarëve nuk janë të rastësishme, por gurë themeli për të shkruar historinë greke se Greqia shtrihet deri aty ku shkeli këmba e Kozma Etolosit.

Me financat që ka siguruar kryepeshkopi z.Anastas Janullatos flitet se ka ndërtuar rreth 150 kisha të reja në të tërë Shqipërinë, një numër i madh nëse shihet koha e shkurtër e ndërtimit të tyre dhe kur dihet që në vitet 1990 Shqipëria kishte gjithsej rreth 160 kisha ortodokse. Disa të dhëna jo zyrtare flasin se në tërë Shqipërinë numri i priftërinjve ortodoks nuk i kalon 150 predikues, pra sot ka më shumë kisha dhe manastire se sa priftërinj që duhet të shërbejnë në këto kulte fetare.

Interesantë është fakti se kishat që janë ndërtuar pas viteve 1990 u jepet pamje në arkitekturë si model të kishave greke, duke i ndryshuar karakteristikat të arkitekturës shqiptare sepse kishat ortodokse shqiptare dallohen nga ato greke dhe sllave në llojin e ndërtimit. Një rast të tillë kemi kishën qendrore në Korçë e cila u ndërtua si model i kishës greke dhe nuk ngjan fare në arkitekturë me kishën origjinale që ka ekzistuar në atë vend. Këto ndryshime u janë bërë shumë kishave shqiptare gjatë rindërtimit të tyre duke humbur karakteristikat e tyre shqiptare.

Kush është Kozma Etolos

Kozma Etolos (Κοσμάς Αιτωλός) lindi më 1714 në rajonin e Etolisë në fshatin Mega Dendron, afër qytetit Thermo, u dorëzua murg në malin Athos ku edhe kreu shkollën Teologjike. Pasi mbaroj shkollën fetare filloj misionin për asimilimin e shqiptarëve ortodoks që njihen me emrin arvanitas, më tej e vazhdoj detyrën në Çamëri e deri në Krujë duke hapur shkolla në gjuhën greke. Ai ka hapur rreth 200 shkolla greke duke asimiluar shqiptarët, bullgarët dhe vllehët. Kozma Etolos u arrestua në një fshat të Beratit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779.

Ishte ideja e Kozma Etolosit që dita e pazarit në Greqi të mos jetë dita e diel ashtu siç e kanë vendosur hebrenjtë, por të jetë dita e shtunë me qëllim që njerëzit të dielën të shkojnë në kishë për tu lutur. Ai u shpall Shënjtor në Prill të 1961 nga Patriakala e Stambollit.

Shën Kozmai për grekët është babai i përhapjes së greqizimit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) në Greqinë e sotme dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është edhe libri i shkrimtarit grek, Thoma Paskidhus.

Studiuesi i nderuar, prof. Sherif Delvina, në një studim të tij për figurën antishqiptare të Shën Kozmait shkruan se ai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujë. Shën Kozmai u thoshte shqiptarëve: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).

Në një dokument tjetër për greqizimin e shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait, mësojmë për asimilin e fshtarave shqiptar Frashtan dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohet nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të greqizohen. Për greqizimin e fshatrave Frashtan dhe Lugar në Dropull kemi edhe dokumentet historike të kohës së mbretit Ahmet Zogut, kur fshatarët e Frashtanit edhe të Lugarit i shkruanin mbretit të shqiptarëve, Zogut: Ahmet Zog, o madhëri. Kjo punë qish bëri vaki, të mësojmë grekçen në skoli (shkollë)? Frashtani dhe Lugari s’kanë punë me Greqinë se janë me Shqipërinë. Duam gjuhën që flet ti dhe flamurin kuqezi, duam shkollë si në Muzinë, si fshatrat që kemi fqinjë, Labova me Lunxhërinë. Dhe gjithë bregdeti ynë.

Ahmet Zogu, u përgjigjet fshatarëve të Frashtanit dhe të Lugarit: “Vllazën të gjakut dhe të gjuhës! Duke përgëzuar për dëshirat tuaja të zjarrta, ju uroj t’i gëzoni shkollat shqipe”.

Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, misionin e Shën Kozmait e vazhdon Kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anastas Gerasimos Janaullatos.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anastas janullatos, arben llalla, greqizimi i Jugut, Kozma Etolos, misionin vazhdon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 938
  • 939
  • 940
  • 941
  • 942
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT