Shkruan:Skender Blakaj/
Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468. Historiani Italian Rafael Vollaterani (1506) thekson se “në ditët e tij të pleqërisë shkoi në Romë dhe shumë shpejt pas kësaj, kur u kthye në shtëpi, vdiq nga helmi”. Historianë të tjerë fare pak e trajtojnë mundësinë e helmimit të Skënderbeut. R. Vollaterani, në veprën e vet prej 38 librash për historinë e Romës, Gjergj Kastriotin e quan: “princ burrëror që padyshim e meritonte dhe ishte i denjë të jetë pasardhës i Mbretit Pirro dhe bartës i emrit të Aleksandrit të Madh. Pastaj, ai në aq shumë luftime, sulme dhe rreziqe të tjera, asnjëherë nuk mori plagë e dëmtime, pos atëherë kur pësoi një thyerje në shpatull. “Edhe po të jetë ndryshe, aq madhështor e i pathyeshëm, ai e “meritonte” helmin. Sepse, sado të ishin sakrificat nuk duronte që atdheu i tij të bëhet pronë e asnjë rrëmbyesi. Pikërisht më 17 janar 1982, me atentat klasik, në mërgim, e vranë intelektualin e atdhetarin shqiptar Jusuf Gërvallën, së bashku me të vëllanë Bardhin dhe me Kadri Zekën. J. Gërvalla, sapo braktisi atë copë atdheu, Kosovën e vet, të cilës ia jepte takatin e vet të tërësishëm që të dalë nga kthetrat serbe, sa arriti të strehohet jashtë, madje edhe vet shqiptarët, ia lëshuan prapa cilësimet spiun e tradhëtar, dhe kësisoji, bashkë me Beogradin, e përgatitën edhe më shumë gjoja arsyen e likuidimit të tyre. Atentatorët janë diku, dhe në mos i nxjerrtë drejtësia nga çuba, i nxjerrë padroni i tyre. Jusufi u kthye në simbol e në monument kombëtar, ata në qyqe.
Atentatorët shpesh ia kanë ndërruar lëvizjen historisë. Pa u ndalë këtu në momente të tilla të historisë botërore, le të kujtojmë Prizrenin në ditët e tij të famshme të BesëLidhjes Shqiptare të vitit 1878, kur Ramadan Zaskoci, me vendimin e kreut, e vrau në kafenenë “Mirashi” telegrafistin e Mehmet Ali Pashë Magjarrit. Edhe vet pashai i madh, i dërguar nga Porta që të zbatojë vendimet e Kongresit të Berlinit dhe t’ia dorëzojë Malit të Zi krahinat e Plavës e të Gucisë, e pësoi në Gjakovë ku po kërkonte strehim e përkrahje në sarajet e Abdullah Pashë Drenit. Prijësit e Lidhjes si Sulejman Vokshi, Ahmet Korenica etj. i sulmojnë e i djegin sarajet, i vrasin të dy pashallarët dhe 90 mbrojtës të tyre, por edhe nga sulmuesit e Lidhjes mbesin 500 të vrarë. Koburja e Ramadan Zaskocit jo vetëm ia këput pashës lidhjen me Stambollin, po ajo bashkë me luftën te sarajet e pashës në Gjakovë i çojnë mesazh Evropës se Lidhja Shqiptare nuk është prosulltaniste.
Mirëpo atentatorët më të shpeshtë dhe likuidimet me motive politike shfaqen në skenën e historisë shqiptare në vitet e njëzeta të shekullit XX, kur kishte aq shumë lëvizje të kundërta në shtetin e pastabilizuar shqiptar. Levi qendror lëvizës pothuajse i të gjitha këtyre ishte Ahmet Zogu i Burgajetit të Matit, njëherë kryeministër, pastaj president i Shqipërisë dhe së fundi Mbret i Shqiptarëve. Me vrasjen e atdhetarëve, kryesisht liberalë-demokratë, për të fikur opozitën, që, pasi i cilësonte si tradhëtarë për ta përligjur krimin, ua vënte mbas atentatorët që e shkretëronin Shqipërinë, duke e lënë pa patriotët e idealistët e shquar. Isuf Reçi vrau Avni Rrustemin, simbolin e atdhetarisë e të demokracisë (në Paris kishte vrarë dajën e Zogut, Esat Toptanin, argatin e Beogradit, siç ishte edhe vet mbreti. Mbas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit nga A. Zogu, me përkrahjen ushtarake e financiare të Beogradit, Noli u vra politikisht dhe iku në mërgim, Baltion Stambolla e vrau Luigj Gurakuqin në Bari të Italisë (më 2 mars 1924), Cena Bej Kryeziu e Kadri Mehmeti vranë Bajram Currin më 29 mars 1925, në Shpellën e Dragobisë, kurse Ibrahim Qelo e vrau Hasan Prishtinën në Selanik më 14 gusht 1933. Lista e atyre që u vranë është e gjatë. Kryeministri, Presidenti, Mbreti Ahmet Zogu kishte shpallur shpërblime të mëdha për vrasjen e atyre që e rrezikonin “pronën” e tij, Shqipërinë.
Komunistët pas tij, ia shkuan me monstruozitete të tilla në krejt hapësirat ku jetonin shqiptarët. Edhe ata i kisha temë të shumë shkrimeve. Dorasit ndonjëherë u kapën e u gjykuan, po krimi rrinte më lartë. Jashta shabllonit të katran atentatorëve më duhet të përmend trimin e madh kombëtar Selman Kadrinë e Cërrces së Istogut që likuidoi kryekriminelin serb Miliq Kërstiqin më 1938.
Në Kosovë lufta e fundit, pos tmerreve, pati edhe shumë heroizma e sakrifica si ajo e Adem Jasharit me familje. Por, edhe lista e atentateve mbi atdhetarët është e gjatë. U vranë: Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Komandant Drini, Ukë Bytyqi, Ismet Rraci, dhe u goditën edhe Zejnullah Rrahmani, Sabri Hamiti, e të tjerë. Atdheu nuk është pronë e asnjë koburje, e asnjë çmendurie, e asnjë pushteti. Duhet të ndalohet mendja e dora që prish, e jo mendja e dora që ndreq.
Nga Gjergj Kastrioti e deri më sot po të më thuhej në cilin emër të dytë të madh të ndal gishtin, ai do të ishte gjeniu ynë Ismail Kadare.Kalorësi më i denjë i Skënderbeut. I.Kadare e bëri Shqipërinë të Madhe. E shtriu në krejt planetin. Ndërmjet këtyre ndoshta vetëm Marin Barleti. Sepse vepra e M. Barletit “është në bazë të të gjitha punimeve për Skënderbeun të hartuara në Evropë”, siç thotë dijetari Fallmerajer (1861), aq i çmuar nga Noli, Çabej e Buda. Kur është bërë anketa për Çmimin “Booker Man International”, është e çuditshme sa mendime shpirtliga kanë thënë për Kadarenë vetë shqiptarët. Shpirtmjerë të gjykuar të veniten nën hijen e tij të madhe. Bota i dha Çmimin “Princi i Asturias”. Sa janë ata që do të vuajnë shkaku i kësaj. Sa janë ata që ngrehin koburet kundër tij. “Kadare mundi titanët ndërkombëtarë të letërsisë me çmimin “Booker” (The Guardian) dhe “E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin. Por ai i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjtë thellë në tokën e vet” thotë një studiues nga bota. Megjithatë atentatorët nuk i zë gjumi. Qëllojnë nga terri.
Për fund le t’i lexojmë së bashku vargjet e shkrimtarit Arif Demolli:
NE QË RRONIM ME UJQ…
Rronim me dhelpra, derra të egër, ujq…
Duhej bërë gjahtarë, barinj, bujq…
Një ditë zbritëm me turr nga atje lart
Të merreshim me shkencë, kulturë, art…
Ama dhelprat dhe ujqit mbetën me ne,
Në shpirt na u fut pak gjë e re,
Ndaj në jetë kemi kulturë kaq pak,
Ndaj na pëlqen të spërkatemi me gjak.
Po, ne zbritëm poshtë dhe çdo gjë e pat:
Qytetin më të madh e kthyem në fshat!
Tash sa vështirë do ta kenë, medet,
Një fshat kaq t’madh ta bëjnë prapë qytet.
Dhe, le ta kemi mendjen, thuhet – Zoti është i madh, Zoti fal. Ka një zot që nuk fal. Atdheu.
Unë kujtoj s´e helmimin ma të madh Gjergj Kastriotit- Skënderbeut ( Babushit ) ia bëjnë ata që s´dinë ta trajtojnë
figurën madhore të kryetrimit tonë.Thashethemet rreth Skënderbeut, edhe në këtë formë të shkrimit,duhet të pushojnë. Poezia për të qeshur e Arif Demollit,nuk e ilustron heroin tonë kombëtar. Këtë artikull do ta vlersoja të pabotueshëm.
Rrustem Geci-Dortmund