• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH PO I FRYNË PËRÇARJES KOMBËTARE?

January 2, 2014 by dgreca

Nga Sejdi Peka/Tirane/*

Në këto ditë të kapërcyellit të viteve,dëshëroj megjith zemër të uroj Vitin e Ri të gjith shqiptarve kudo që ndodhen.Në mënyrë të veqantë Vitin e Ri ju uroj bashkvuajtësve të mi,ish të burgosurve dhe përndjekurve politik të diktaturës  komuniste.Urime të përzemërta edhe të gjith atyre që quhen “njerëz të letrave”,gazetarve,shkrimtarve,poetve,stafit të gazetës 55.Në shekullin e shkuar të viteve 30,Migjeni shkruante në një urim që i dërgonte një mikut të tijë se “unë me gjithë zemër ju uroj Vitin e Ri por këto urime kamë frikë se janë hipokrizi”.Poeti ishte skeptic  për gjëndjën e mjeruar të popullit shqiptarë të varfër deri në dhimbje,që viti tjetër do të sillte një jetë më të mirë.Në këtë kontekst,lus zotin që urimet e mia mos të përfundojnë në hipokrizi,se me këtë qeveri bastardësh,kam frikë të madhe shumë se ditë të vështira kemi përpara.Në natën e ndërrimit të viteve,në qiellin e Tiranës pati më pak fishekzarë,tregëtarët patën shumë më pak punë se vitin e shkuar,sofrat tona ishin më të varfëra.Por nuk është kjo ide objekti i këtijëshkrimi.Para pak ditëve,Dr.Berisha në një emission në TV u shpreh se “detyra e intelektualit është të thotë gjithnjë atë që ndjen se është e verteta”.Mendoj se është një ide fikse,vyrtyt i njerzve të guximshëm.Personalisht ,miqt e mi më të mirë i kam patur gjatë gjithë jetës time nga jugu i Shqipërisë dhe pikërisht atyre ju kërkoj të falur për ndonjë keqkuptim në rradhët e këtijë shkrimi.Kjo qeveri Rama-Meta që erdhi në pushtet me zgjedhjet farsë të 23 Qeshorit,në këto 100 ditë a pak më tepër qeverisje,e  ka sjellë Shqipërinë në një rreth viskoz në shumë kohë të humbur prapa në rrugën e vështirë të demokracisë por po e godet Shqipërinë në zemrën e sajë,po i  frynë zjarrit të përçarjes kombëtare.Duhet të pranojmë se Partia Socialiste me patericën e sajë LSI që morën pushtetin, janë forcë politike me mentalitet ekstra komunist,parti të pa rinovuara që vinë nga Partia Komuniste si trashëgimtare të drejtëpërdrejtë me një të kaluar kriminale kundër popullit dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën europiane socialiste.Sigurisht,që pritej se pa hezitim megollomania e Edi Ramës do të largonte nga administrate shtetërore të gjithë ata që mendonte se mundet të kishin ide të demokracive përendimore,për t’i zëvendësuar me militant të Partisë Socialiste dhe LSI.Por se do të shpërthenin si furtunë me një urrejtje antikombëtare duke larguar të gjithë veriorët nga administrata shtetërore,pa marrë parasyshë se mundet të ishin edhe militant të thekur të Partisë Socialiste,këtë handicap të këtijë njeriu kundër interesave kombëtare ndoshta askush nuk e ka besuar.Në administratën e qeverisë Berisha është fakt se të paktën po them se lart më shumë se 50% të kësaj administrate ishin njerëz që besonin në alternativën e majtë.Në strukturat e Partisë Demokratike ky fenomen në shumë raste është kritikuar qeveria se nuk po largonte nga administarta njerzit që mundet të ishin kundër reformave të qeverisë.Por pjesa më e informuar dhe e shëndoshë e kësaj force politike ishte kundër këtijë mendimi,në justifikimin se “ata ishin profesionistë në fushën e tyre të detyrës shtetërore dhe nuk mundet të përbënin asnjë problem në rrugën e reformave”.Në të fundit kjo është demokracia.Edi Rama dhe qeveria e tijë,me një fshesë prej hekuri ka larguar nga administrate shtetërore pë përjashtim me motivin “luftë kundër të gjithë veriorve”,në kundërshtim flagrant me ligjin.Edhe kohë më parë,Edi Rama duke qenë Kryetarë i Partisë Socialiste dhe Kryetarë i bashkisë Tiranëska injoruar publikisht banorët e ardhur nga veriu i Shqipërisë në Tiranë apo qytete të tjera,duke i quajtur “shpellarë”, “çeçenë”dhe epitete të tjera ,me qëllimin e urrejtjes dhe të përçarjes kombëtare,të një diskriminimi të veriorve.Edhe në një miting electoral në Kukës Edi Rama e quajti “Rrugën e Kombit”si rrugë që nuk të qon asgjëkundi”.Tani me marrjën e pushtetit,i sëmuri psiqik i Partisë Socialiste ka avancuar në marrëzinë e tijë dhe ka shpallur edhe më hapur urrejtjën patologjike kundër veriut të Shqipërisë duke e këthyer në politikën e qeverisë së tijë. Dhe kjo është shumë e rrezikshme,sepse nuk është një mendim i shkëputur i një individi të caktuar por një politikë e një qeverie.Me mentalitetin enverist që kan mbartur nga e kaluara komuniste edhe nëpërmjet baballarve të tyre do të kisha menduar se demokratët e larguar nga veriu do t’i zëvëndsonte të paktën me militantë edhe nga veriu.Por jo.Militantët e thekur të Partisë Socialiste që janë nga veriu,kanë mbetur duke u sorollatur derë më derë,herë në zyrat e PS dhe herë të LSI,duke u betuar se” kan luftuar e punuar që këto forca politike të vijnë në pushtet dhe na keni dhënë fjalën se do të na punsoni”por dyert e zyrave ja u përplasin hundëve, “jeni nga veriu”.Veprimtari më kriminale të kësaj qeverie nuk mundet të njihësohet.Poeti me zemër të plasur shkruante dhe  mallkonte antishqiptarët që nga fillimi i shekullit të shkuar se,\kjoftë mallkue kush qet ngatrrime\ndër këta vllazën shoq me shoq\kush i ndanë me fjalë e shkrime\çka natyra vet përpoq.\Dhe përsëri vargjet e poetit:\gegë e toskë malësi allia\jan një komb me u nda s’duron\fund e maje një është Shqipëria\ dhe një gjuhë ne na bashkon\.

Po kujtoj poetin e madh Lasgush Poradeci,anipse ishte nga jugu i Shqipërisë,qante me lot sa herë që përmendej Kosova.-Eh,bija ime,ti je e re dhe do të arrish atë ditë të bardhë,do ta shikosh Kosovën e çlirueme prej barabarve,por unë tani jam plakur. –Mundet të përmend këtu njerzit e mbëdhenj të jugut të Shqipërisë,ata që kontribuan në ekzistencën e kombit tonë,po përmend Ismail Qemal Vlorën,që me lot që i shkonin mustaqeve të thinjura hyri në zyrën e qeverisë në atë kohë dhe u tha ministrave, “bijtë e mi.Po ju jap një lajm shumë të hidhur, se Konferenca e Londrës vendosi padrejtësisht që Kosova të mbetet jashtë Shqipërisë”. I tillë ishte Mitat Frashëri,që gjithë jetën e tijë ja kushtoj bashkimit kombëtyarë,Shqipërisë demokratike.Abdyl Frashëri ka mbetur në jetë të jetëve simboli i bashkimit të shqiptarve në Lidhjën e Prizrenit të vitit 1878.Ideja dhe përpjekja e tijë ishte se kryeqyteti i shtetit shqiptarë duhej të ishte Prizreni,që ai e quante “kërthizë e Shqipërisë”.Kjo dëshirë e tijë dhe përpjekje deri në vetmohim,u është transmetuar brezave dhe kjo është arsyeja që në veriun e Shqipërisë e në Kosovë “burri i madh i kombit”respektohet kaq shumë.Mundet të përmend edhe dhjetra të tjerë patriot të spikatur nga jugu i Shqipërisë që vdiçën e derdhën gjakun për lirinë e Kosovës dhe të bashkimit kombëtarë.Ishte Ago Agaj,vlonjati intelektual dhe patriot që ishte Prefekt i Mitrovicës në vitet e stuhishme të luftës dytë botërore që luftoj me përkushtim në kuadrin e Lidhjes së Dytë të Przirenit për mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga agresioni sërb i brigadave partizane komuniste të Titos.Këtë plagë që po përpiqen ta hapin kundër interesave kombëtare qeveria e halldupve Rama-Meta,të inspirojnë përqarjen kombëtare të urrejtjes veri-jug,me qëllim për të sunduar me motivin e Romës së lashtë “përçajë e sundo”,kush e ndjen vehtën shqiptarë,duhet të shpejtojë të ndihmojë Shqipërinë.E kuptoj mirëfilli se dikush mundet të më keqkuptojë.Por kjo plagë ekziston,është një realiteqë e kan hapur armiqtë e Shqipërisë dhe duhet mjekuar sa më parë sa nuk është vonë.Armiqtë e Shqipërisë,të ekzistencës së popullit tonë ishin sllavo-komunistët e Enver Hoxhës që me flamurin e “internacionalizmit proletarë”,u përpoqën që t’a zhbëjnë Shqipërinë.Këta që sot janë në pushtet,oligarkët e rinj neokomunistë,pasardhësit e ideve bolshevike,si mjet pët të qeverisur po përdorin përqarjën kombëtare.Por kjo duhet ndaluar.Duhet ndaluar “qorri”i Ministrisë së Brendëshme që duke zbatuar urdhërat e padronit të tijë,gjithë policinë e shtetit,kupolën e sajë mediocre e ka sistemuar me njerëz “jugorë”ose të gjithë nga Tepelena.Kjo është e turpëshme dhe e marrë.Është një veprimtari kriminale që përveqse ka nxjerrë në rrugë njerzit e devotshëm në shërbim të detyrës dhe të Atdheut,po shpërbën në bërthamën e funksionimit të shtetit dhe të demokracisë,në nxitjën e urrejtjës ndërmjet kombit tonë.Kjo është një trathëti kombëtare.Sot po bëjnë sikur po drejtojnë shtetin njerzit më mediokër që nuk mundet të kuptojnë se kush është ndjenja e përgjegjësisë kombëtare,ose nuk duan t’akuptojnë se janë trathëtarë në koshiencën e tyre.Babëzia e tyre për t’u pasuruar duke vjedhur nëpërmjet pushtetit u ka errur mëndjën dhe sytë,i ka shrdhuar që të mos dëgjojnë.Por nesër,njerzit do të ja u bëjnë me gisht.Është turpi i tyre. (Falenderojme autorin qe e deergoi per Diellin. Ilustrimi: *Karikature “Te shpetojme Shqiperine-Gazeta Dielli-arkiv)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kush po i fryne, percarjes kombetare, Sejdi Peka

NEGATIVIZMI I FUQISË VETMITARE!

December 27, 2013 by dgreca

“Në varrezën e iluzioneve të botës le të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës”./

Shkruan:Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1 Boris Johnson-i, prefekt i Londrës, ëndërron të ribëj lavdinë. Parathotë se britët e tij, në pak vite e dhjetëvjeçarë, do të bëhen një e tillë mbifuqi demografike, e rrjedhimisht, politike, që kryeqyteti i tyre ta kalojë Nju-Jorkun, kurse Britania e tërë, ta lë pas – Gjermaninë!  Mirëpo ky nuk është i pari e, as do jetë i fundmi vegim për shtegëtim vetmitar. Kombet e Europës, ndonëse të nyjëtuar në një traktat të çlirët, akoma endin, ndaras e nënujshëm, fije të madhështisë: për të shtuar popullsinë a rinovuar armët dhe për të sofistikuar intrigat a për të ekspanduar influencat e tyre. Asgjë e huaj për natyrën klasike të shteteve, sikur individualizmi negativ që ruan rudimente rivalitetesh të vjetra, të mos binte ndesh me fizionominë dhe aspiratën komunitare.

Prej nga rivjen ky ngazëllim për shtetin kombëtar? Këtë pyetje reflektuese bënte një gazetë gjermane, duke nënvizuar se vetëm në faqen e 156 të Kontratës koalicioniste, gjendet fjalia e kursyer se “Bashkimi i Europës është detyra më e rëndësishme e Gjermanisë”! Pse kaq poshtë e kaq shkurt? Ndjesia e zhgënjimit a lodhjes sikur sëmbon të gjithë. Një palë kalojnë krizë dhe, në kulmet e saj, sikur pëshpërisin se pa kupolën e epërme dhe monedhën unike, do të rikuperoheshin shpejtësisht. Kurse një tjetër, për të cilët “kriza e mirë” është shndërruar në shans flatrimi prosperues, nuk duan të shpenzojnë mjete e fantazi për bllokun e “shpejtësisë së dytë”!  Dhe  ky është, me ç’duket, vetë mëkati i zanafillës (i fajshmi Maastricht): historia e qenja, kujtesa e shpirti dhe vatra e interesi, mbeten përjetë tipare prijëse, të pashkrifta e ekzistenciale.

E pra, 28 Kombe, 28 Guverna dhe poaq Armata, shenjojnë po të njëjtin objektiv: mirëqenjen, sigurinë dhe shkëlqimin e Europës. Porse leksioni i Ukrajinës (ndoshta pajtesa e ngutshme për datënisje negociatash me Sërbinë është një përpjekje kompensimi për këtë) që, e dorëzuar para shantazhit rus, i ktheu krahët turpshëm, dha kumtin që meriton ti bëhet një lexim historik. 28 pushtetet, ekonomitë dhe ushtritë e tyre, dëshmojnë shkathtësi mahnitëse për ndërkëmbëza të ndërsjella në mikroplanin e shtëpisë që zvoglohet ngaherë e vazhdimisht. Jashtë saj, ndërkaq, shumica syresh gjenden vështirë dhe në hartën e botës.

Pikërisht ky lloj dyzimi përjashtimor midis shteteve me politikat nacionale në lidhjen e tyre, akoma të brishtë dhe intencës qendërzuese të Brukselit, që  idealistët do deshnin ta shihnin të inkarnuar në sajesën federale të quajtur, shpesh, me mallëngjimin e t’pambërritshmes – Shtetet e bashkuara të Europës, është honi që greminos përjetshëm ripërtrirjen e  “perandorisë universale” atërore të Karlit të madh! Madje, më tej se kaq. Vullnetet dhe vizionet ngjajnë dëndur të pakonformueshëm dhe, ndonjëherë, të përballur pa shpresë. Një pol landesh ndërkallet emocionesh të turmës (ndjekur, jorrallë,  demagogjie të klasës politike) për të hyrë nën kulmin e Shtëpisë Europë, një tjetër, tutje, duke qenë tashmë nën strehën e saj, refuzon bjerrjen e ingerencave nacionale, kurse një i tretë, skeptik prore, kumton ndërdyshas një deklarim referendar për dalje prej saj. Të parit i përkasin ballkanësit e harruar ndër shekujt e gjatë, të dytit i prinë Vacllav Klausi i çekëve, që ka marrë mundin të krijojë një bosht solidarësie vëndesh që, të vogla siç janë, i trëmben majorizimit poshtërues dhe, të tretin fare, e përfaqësojnë britët e vetmuar me lojën e dyfishtë: përplasen me familjarë kontinentalë për formulën e bashkëjetesës, tek ndërkohë vjelin partneritetin natyral me Amerikën që bën gjthnjë ligjin ndërkombëtar. Ndërkaq, si tendencë e pamirë që përhihet kudo, madje dhe aty ku politika i bën apologjinë rituale, është ngritja mbi 50 përqind e ndjesisë qytetare joentuziaste për Europën e njësuar.

2.

Shkurorëzimi i ishullorëve, qoftë dhe si ide a shakullimë kalimtare, do t’kurajonte grupe dytësore politike që qyshmoti i bëjnë asaj gjyqin përfundimtar. Këtë  komocion ua jep atyre dhe gjeopolitika pozitive: janë larg zonave të përskajuara si tiranike, eruptive dhe antiperëndimore, e pra, rrezikprurëse për sigurinë e tyre.

Po a është krejt kjo e përligjur?

Koncepti i sigurisë, tashmë, ka ndërruar dhe ajo nuk cënohet vetëm së jashtmi, por poaq së brëndshmi nga tenja përbluese në vetë strukturën societare. Sidoqoftë, britët, si mesazhon plot vaktësi kryebashkiaku i metropolit të tyre (transmetuar nga “SZ”), planizojnë aventurën e vetmuar të fuqisë. Dhe, po tu besohet tumirësve të rrëmbyer, predispozitat nuk janë të papërfillshme. Trualli e tradita, kultura e gjuha e mbarëfolur, sikur premtojnë jetësimin e dalldisë. Por, njëkohësisht, dyshimtarët gjykimftohtë që pretendojnë realizmin, shprehen të kenë të drejtë dhe, sipas tyre, zhvillimet venë vështirshëm hullisë dëshirake. Përkundrazi: përvijimet dëshmojnë një prirje tjetër.

 

Si do arrihej a restaurohej ky rang madhnues?

 

Nga lindshmëria hovmarrëse e nënave angleze? Apo prej emigrantësh të ish-kolonive që sjellin me vete barqet pjellore të grave, varfërinë e injorancën lapidare – në një anë dhe – në anën tjetër, prej oligarkësh të kamur nga Rusia a vendet e Golfit, që pushtojnë zonat e bukura të qyteteve, duke shtyrë e zhvendosur vendësit dorëhollë të Mbretërisë së bashkuar? Recesioni ekonomik, braktisja e mundshme e Bashkimit Europian, pastaj lokomotiva e ardhësve të pandalshëm, zvetnimi i “Leit-kulturës” (çdo i dyti qytetar nuk e flet, tashmë, anglishten si gjuhë amtare) dhe mëvetësimi i mundshëm (pas 300 vitesh kaohabitimi) i Skocisë, bëjnë një piketë fundore që rrah ta thërmojë projekt-ëndrrën, për ta kthyer Anglinë  në një vend të vogël, margjinal dhe me shfytyrim të thellë identitar!

3.

Në fakt, pothuajse të gjithë vuajnë idhujtarinë e tillë vetanake dhe, njëherësh, limitet e liga gjakmpikëse. Kriza e diferencuar finansiare, dështimi i multikulturalitetit, e pra e kryevlerës së civilizimit demokratik, mandej, si një hije vrugtane, tymi i konfliktit midis, si thuhet, “kulturës së mirëseardhjes” dhe “populizmit të djathtë” shkaktuar nga ikanakët e hershëm apo arratiakët e vonë të skamjes (gjysma jovëndore e banorësisë së vetë kryeqendrës, 16 milionë gjermanët me prejardhje të huaj, karvani i pambarimtë i veriafrikanëve në Francë, tregtimi fitimprirës paradoksal i shtetësisë malteze) – janë pamje që drynojnë prapa vetes po atë brejcë largvajtëse. Po ato janë, poashtu, gurëprova që do të duhej ti këndellte ithtarët e idesë së skifterëve të vetëmjaftuar, për ti kthyer vrullshëm në frymën e ideatorëve të hershëm të përbashkësisë. Vegëzat që do të duhej ti mbanin europianët sedërhollë në njëshmërinë e tashme simbolike, apo ti çonin drejt një shtetërie federale – më shumë se glorifikimet egoiste, janë pellgjet e dikurshme të gjakut pa ngadhnjimtarë, vlerat e reja egalitare, pastaj droja nga teatri i vjetër armiqësive totale dhe, veçanërisht tani, nga gogolë të konsoliduar a të posashfaqur në arenën e madhe të botës.

Megjithatë, qasjet e afinitetet kolizive vrujojnë, ballas e dorëfshehtas, me shkallëzim e horizonte ndryshmërisht të largët: nga ata që janë frustruar pritmërish të papërmbushura dhe deri tek ata (rënja e euros do të shuante 200 mijë vënde pune në Gjermani) që eurozonën e përjetojnë si një mrekulli për aftësinë e tyre kompetitive dhe që kërkojnë klauzolë suspendimi për  “delikuentët” e zonës mesdhetare.

Nga kjo arsye i nxitur, një admirues i përkorë i bashkimit, Prof. Winkler (nga Universiteti Humboldt i Berlinit), përpiqej të gjente pikëqendrën e ekulibruar të përafrimit të tyre: pa ofenduar të mëdhenjtë dhe pa lënduar të vegjëlit e saj! I ndërgjegjshëm për sensibilitetet etnike, ai pledonte për një përbashkësi shtetesh postklasike, e kurrsesi shtetesh postnacionale, që do të thoshte – sa më shumë politika harmonike, por pa dorëzuar asnjëherë substancën e sovraniteteve kombëtare. Sado i matur e i baraspeshuar, ky përceptim sikur nuk joshte dot nihilistët e kryehershëm. Ndoshta balansimi artificial – është gropa e tij vetë. Mosdashësit refuzojnë një mbishtet përbindshor dhe, thjeshtë, nuk e besojnë ardhmërinë e tij. Dhe ata, nga ana e tyre, betohen në dashurinë për Europën. Veçse me një dashuri ndryshe. Çdokush të jetë zot në shtëpi të vet. Që në vitin e 1946 W. Churchill-i fliste për kombet e federuara të Europës, po natyrisht, pa Britaninë në radhët e tyre. Mbase anglezëve do tu voliste alternimi i principit të federalizmit me atë të subsidiaritetit (vetëpërgjegjësisë) dhe, që këtej, nëse ata hezitojnë, aherë përse frëngjët duhet të delegojnë pjesë të sovranitetit në supershtet? Pse, poashtu, gjermanët që, si shprehet filozofi Hermann Lübbe, ende kujtojnë trishtëm tundimin e De Golit për të coptuar edhe atë Gjermani të ngelur perëndimore sipas kartave të Napoleonit? Për bashkëkombësit e tij ai thotë se, në punë të një instance madhore shteti të legjitimuar të Europës, janë iluzionistë të përsosur dhe nga ky cen i ruajnë, faltlumnisht, vetëm fqinjët e mirë. Njëri prej tyre nga galeria e mohimtarëve, Henryk M. Broker-i, shtron diskursin se a mund të profilohet fare identiteti i njeriut europian? E vijon mëtej: a mund të ngrihet e mbijetojë një krijesë shtetesh të federuara pa këtë identitet? Vështirë, pohon ai dhe, pa rezervuar as gjasën teorike të së kundërtes, pyet sërish se a nuk provuan këtë marrëzi sovjetët, Pol-Potët zymtorë dhe e dëgjuara shkollë e Odenwaldit në Heppenheim? Dhe a nuk dështuan të gjithë me laboratorin e krijimit të njeriut të ri? Biles, ata patën rrethana më të pllenueshme e instrumente më efektive për këtë. Kishin tiranitë e ideologjitë dhunëtare për të tretur e mekur “njeriun e keq të vjetër”. Dyshimtar i pandreqshëm, Broker propozon, prandaj, që në varrezën e iluzioneve të botës të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës!

 

Kujt do i përkasë e ardhmja? Vetë Lübbe shfaq bindjen se e keqja po izolohet dhe e ardhmja nuk do jetë pronë e saj. Po, fundja, për ç’nëvojitet zindjellja? Dhe ç’fillesë tejpamësie ka koston më të lartë: caksynimi ngulmëtar apo paragjykimi negacionist? E kaluara ishte e mnershme. Forca dhe inteligjenca nuk ishin gjithherë bashkë. Kohët prodhonin zinxhirë e skllevër edhe për mëmëdheun e Brokerit, Poloninë e vajtueshme. Europianët ndajnë një truall, një kulturë e një fat dhe çdo projeksion mbifuqie kundër njërit, si ëndrra e vetmore e prefektit londinez, shndërrohet ligjshmërisht në strall përdjegës për të gjithë.

 

Ndaj, anipse duket një romantikë iluministe, Europa duhet të vijëzojë njëherë kufijtë – gjeografikë e vleftorë, e, mbi këtë definim të ri, të kultivojë jetikisht njësinë e kombeve dhe të ruajë paprekshmërisht emrin e saj: si gurrë e pashuar e dijes dhe djep i barazisë së jetës!

R. Kasumaj/ Berlin, dimër 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Negativizmi i fuqise, Rexhep Kasumaj, vetmitare

U NGUTËT TË NDERUAR KONGRESMENË

December 27, 2013 by dgreca

“Paqa pa drejtësi është tirani”- Uilliam Allen Uajt/

Nga Frank Shkreli/

Siç njoftohet në media të ndryshme, disa kongresmenë amerikanë, i kanë dërguar një letër Komisionit Nobel me të cilën kanë emëruar,  kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Katerinë Ashton, kandidatë për Çmimin Nobel të Paqës për vitin 2014.  Në letrën e përbashkët nënshkruar prej tyre, kongresmenët amerikanë thonë se kjo treshe duhet të nderohet për rolin kritik që ata luajtën për “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Kosovës dhe Serbisë.  Ligjvënsit amerikanë i cilësojnë takimet e shumëta të dy kryeministrave me ndërmjetsimin e Bashkimit Europian gjatë këtij viti, si “pikëkëthesë dramatike” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.

Para se të shkoj më gjatë, jam i detyruar të them se Kongresmeni Eliot Engel, njëri ndër nënshkruesit  e letrës,  është njëri prej ligjvensëve amerikanë që ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të veprimtarisë mbështetse të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për interesat e shqiptarëve në përgjithësi.  Unë kam pasur fatin të kem qenë shpesh dëshmitar i mbështetjes së tij ndaj kauzës shqiptare, duke u bazuar në ato që ai ka bërë gjatë dy tre dekadave të fundit, në përkrahje të shqiptarëve e sidomos të çështjes së Kosovës.  Këtë, kongresmenit Engel nuk mund t’ia mohojë askush dhe jam i bindur se Zoti Engel do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e shqiptarëve si më parë, pasi ai, si rrjedhim e kësaj përkrahjeje dhe me të drejtë gëzon një mbështetje të forte dhe të merituar edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Unë këtë nuk e dyshoj,  dhe si një shqiptaro-amerikan i jam mirënjohës kongresmenit Engel, siç jam i sigurt dhe besoj se janë edhe shumica e atyre që e njohin mirë mbështetjen e tij për Kosovën  dhe angazhimin e kongresmenit Engel për të drejtat e shqiptarëve kudo.  Për këtë ai është nderuar nga Kosova dhe Shqipëria, dhe shqiptarët kudo, do t’i jenë atij përgjithmonë mirënjohës.

Por rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqë, kryeministrin serb, më duket si një masë e ngutëshme dhe e pa menduar mirë.  Janë mbajtur bisedime dhe janë nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.   Por sipas analistëve në realitet, shumë pak ose hiç gjë nuk është arritur midis dy shteteve.Vazhdon “status quo ante” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.  Për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me një ”shtet” që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto.  Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre marrveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që mund të dalin nga këto marrveshje, për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy palëve –mbeten për tu parë. E vërteta është se nga këto marrveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj drejtë integrimit europian.Qëllimi i BE-ës është që marrëdhënjet midis Serbisë dhe Kosovës të “normalizohen”, por Beogradit nuk i kërkohet si kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës.Kaq e tha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti. Ai theksoi se“Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”.  Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të mbyllë gojën dhe të mos pengojë antarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Serbisë as nuk i kërkohet si kusht antarësimi, njohja e shtetit të Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një “srpska” në Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë.

Është vështirë të shihet ndonjë “pikëkëthesë dramatike” në këtë mes në marrëdhënjet Kosovë-Serbi.  Nëqoftse deklaratat e Daçiqit janë ndonjë shënjë treguese, në të vërtetë, dhe ndonëse ka nënshkruar marrveshjet —  në qëndrimin e tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë.  Jo më largë se disa javë më parë ai tha se Serbia nuk do e harrojë kurrë veriun e Kosovës dhe se serbët atje duhet të ndëgjojnë Beogradin.   Gjithë këto qendrime pa kompromis të Beogradit ndaj Kosovës po theksohen e ritheksohen për të gjithë ata që duan të marrin vesh, ndërkohë që anë e mbanë Serbisë po zbulohen varreza të reja masive shqiptarësh të vrarë nga regjimi diktatorial i Millosheviçit, e të cilit Daçiqi i ka shërbyer me zell.  Ligjvënsit e nderuar amerikanë thonë në letrën e tyre drejtuar Komisionit Nobel se marrëveshjet e arritura në Bruksel  kanë çuar në “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Prishtinës dhe Beogradit. Po çfarë normalizimi dhe me kë?  Kryeministri serb Daçiq gjithnjë insiston se “Ne nuk e  e njohim Kosovën si shtet, por si një territor të veçantë… ndaj të cilit ne nuk kemi ndryshuar qendrimin tonë.”

Daçiqi nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet të mirë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Shqipërisë. Madje, kohët e fundit në një intervistë televizive, ai vuri në dukje ndjenjat e tij të thella antishqiptare, kur me inatin e tij primitiv anti-shqiptar u shpreh se nëqoftse Shqipëria antarësohet në Bashkimin Europian para Serbisë, atëherë sipas tij, serbët si komb duhet të bëjnë vetvrasje kolektive, duke thënë tërthorazi se Shqipëria është një vend i prapambetur që nuk meriton antarësimin e saj në BE.

Është e famëshme thënja se “pa paqë nuk ka drejtësi”.  Çdo marrëveshje për normalizim marrëdhënjesh dhe për vendosjen e paqës së vërtetë midis dy vendeve duhet të jetë e drejtë për të dy palët, por sidomos për viktimën.  Marrveshje të tilla do ishin shpresëdhënse, po të ishin të sinqerta, dhe do të përbënin një hap përpara për marrëdhënjet afat gjata midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan si dhe një pranim i të drejtave të barabarta universale të njeriut dhe  zbatimit të ligjit në atë rajon.  Por  kam drojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilat kongresmenët amerikanë propozuan Zotërinjtë Thaçi, Daçiq dhe  Zonjën Ashton për Çmimin Nobel për Paqë, nuk përmbajnë sinqeritetin e vullnetit të mirë dhe as frymën e kompromisit as respektin e ndërsjellët dypalësh. Prandaj si të tilla, është e vështirë të shihet se si këto marrëveshje do të çojnënë  rrugën drejtë një paqeje dhe drejtësie  dhe në normalizimin aq të nevojshëm të marrëdhënjeve midis dy popujve, si një parakusht për të dy vendet në përpjekjet e tyre për tu integruar në Europë.  Këto marrveshje të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit siç duket janë një rast i humbur historik për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë shtetërore të Serbisë e cila ka shkaktuar aq shumë vuajtje dhe dhimbje ndër shqiptarë për më shumë se një shekull.Andaj si i tillë të nderuar kongresmenë, megjithë respektin që kam për ju, vendimi i juaj ishte i nxituar sepsepërfaqsuesi i regjimit të Beogradit nuk meriton emërimin për Çmimin Nobel për paqë.Mund të ketë një paqë të brishtë midis Kosovës dhe Serbisë, por siç ka thënë gazetari i njohur amerikan, Uilliam Allen Uajt, “Paqa pa drejtësi është tirani”.  Dhe për ushtrim tiranie fizike dhe psikologjike, të pakën deri më sot, nuk është dhënë Çmimi Nobel për paqë.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, kongresmene, u ngutet

Dosjet publike dhe hijeshimi i biografive

December 26, 2013 by dgreca

*Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”. /

* Paç fat atdheu ynë!/

Shkruan:Skender Blakaj/

 Me formulimin “dosje publike” de­­sha të bëj dallimin me dosjet sekrete. Të parat janë ato që dihen, kujtohen e mund të shihen, kurse të dytat janë të fshehta, prandaj edhe spekulohet aq shumë me to. Dosjet, aq shpesh janë bërë temë diskutimesh të rënda, sidomos në vendet paskomuniste. Ndoshta pse quhen dosje sekrete, ato janë aq intriguese për kategoritë më të ndryshme të qytetarëve.Një pjesë e vendeve në tranzicion, si Çekia dhe Sllovakia, Sllovenia e ndonjë tjetër, janë marrë me to, kryesisht që t’i mbrojnë institucionet shtetërore nga depërtimet e protagonistëve të dosjeve. Më heret, po edhe këto ditë me to po merret intenzivisht edhe Bundestagu gjerman. Në krye të komisionit për dosjet kanë vënë një deputete nga ish-territori gjermano-lindor. Arsyet për këtë janë fort të nënkuptueshme. Në faza të ndryshme, edhe Tirana u mor me këtë çështje. Madje, edhe Bashkimi Evropian, nga frika e ngjalljes së nostalgjisë dhe të simpatisë për komunizmin, miratoi Rezolutë me te cilën dënoi krimet e komunizmit. Nga ajo Rezolutë duhet të nënkuptojmë se ky është një standard i domosdoshëm që, veçmas vendet e dala nga diktatura,  ta dënojnë atë sistem të krimit.

Pjesë e këtij dënimi do të ishte edhe hapja e dosjeve sekrete. Tema e dosjeve sekrete nuk është temë e Kosovës, as e këtij shkrimi. Sigurisht edhe kësaj i vjen radha. Në qoftë se në Beograd mund të retushohen dosjet e argatëve të Serbisë dhe ata të patriotizohen shqiptarisht me ndonjë veprim të tejdukshëm, ka argumente se sigurisht që dosjet e njëjta si në Beograd, ruhen edhe në kryeqytetet e ish-republikave jugosllave.

Administrata ndërkombëtare në Kosovë ia pat dalë që në vende të rëndësishme në Kosovë t’i instalojë ish kuadrot shqiptare të Beogradit. Ata dihen, mbi bazën e veprimeve publike, pa fantazuar se çfarë mund të ketë në dosjet sekrete për ta. Krejt kjo me qëllimin që të jenë njëfarë elementi qetësues për serbët, duke qenë njerëz të tyre. Katranosja e akëcilit, duke parashikuar përmbajtje të dosjeve sekrete, nuk është produktive. Por, nuk është keq të jenë në qarkullim gjithë ato që mund të përfshiheshin brenda kapakëve që mund t’u themi “dosje publike”, në situatën kur kjo kategori bëhen pengesë e çlirimit personal e kolektiv të qytetarëve të secilit vend si Kosova. Personave, që janë ekspozuar me angazhim të sforcuar projugosllav, e antishqiptar, që kanë ndjekur, burgosur, dënuar e likuiduar, që kanë vepruar aq fuqishëm për Serbinë Republikë, që tash ia kanë zënë frymën vendit tonë me praninë e tyre në skenën politike e në media, që të mos e ndotin përcaktimin e shenjtë për Kosovën Republikë, duhet t’u shqyhet karrigia e goja.

Me turrin, trimërimin dhe insistimin që të na hipin rishtas në krye, duke hijeshuar biografitë personalisht a përmes argatëve që i kanë në politikë e në media, me të cilët i lidh litari i biografive të ngjashme, në rrethanat pa tutorë e pa sapunët e tillë, do të kundërmojnë dhe fundi e vendi i merituar për ta duhet të ishin kontejnerët politikë. Kjo nuk do të nënkuptonte as prishje, as humbje të qetësisë a të jetës së tyre, por mbrojtje të qetësisë e të jetës për qytetarët e zakonshëm, gjithsesi.

Ky është një prej parakushteve për rehati, të cilin shteti doemos duhet t’ua garantojë qytetarëve të vet. Parakusht që garanton se nuk do të na neveritet liria, pavarësia, atdheu, shteti.

Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”.

Mbas njëqind vjet vetmie, urojmë që kjo copë e atdheut tonë të shprishur, Kosova jonë, këtë Vit të Ri, dhe gëzimin e mëvetësimit ta rrisë me perspektiva të zhvillimit dhe të integrimeve frytdhënëse në shkallë të kombit e të kontinentit ku jemi.

Paç fat atdheu ynë!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dosja publika, dosjet, hijeshimi i biografise, Pac fat Atdheu Yne, Skender Blakaj

Europa e “krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”

December 23, 2013 by dgreca

Nga Gjergj Meta/

Me qëllime të mbrapshta në këto ditë ka gjarpëruar në Shqipëri idea se mosmarrja e vendit kandidat nga Europa është bërë për shkak të pranisë të pranisë së myslimanëve në Shqipëri. Një demagogji më djallëzore se kjo nuk ka. Në fakt është artikuluar në publik nga ndonjë politikan, por unë e dëgjoj edhe jashtë bisedave publike në rrethe më të ngushta. Para se të hyj në analizën e këtij fenomeni dua menjëherë të them se për mendimin tim dy janë faktorët thelbësorë që nuk morëm statusin kandidat.

E para janë atavizmat komuniste që vazhdojnë ende të udhëheqin mendësinë e shumë shqiptarëve, qofshin në bazë e qofshin në udhëheqje të vendit, dje edhe sot. Së dyti faji i faturohet, absolutisht dhe pa asnjë negocim, faktorit politik shqiptar, me vendimet e tyre dje dhe opozitën sot e me bojktimet e opozitës dje e vendimet e tyre sot. Por për këtë do jetë historia ajo që do të analizojë më mirë se unë gjithçka e do t’i japë meritën apo turpin gjithsecilit. Sa i pëket faktorit religjioz si përcaktues për çështjen e antarësimit të Shqipërisë në BE është një demagogji jo vetëm e dobët, por edhe konfliktndjellëse e nxitëse. Në përgjithësi e bëjnë njerëz që me religjionin apo me përcaktimet i krishterë e msyliman nuk kanë të bëjnë, pasi fenë e shohin me lupën e idologjisë marksiste apo e masin me metrin e pragmatizimit për ndonjë vend të mëtuar në adminstratën shqiptare kinse përkatësia e tyre është kusht për anëtarësimin në BE. Sa për Europën, historia e konfliketeve fetare nuk është diçka që ka ardhur tani. Në Europë antisemitizmi ka bërë kërdinë. A nuk është ky një konflikt me ngjyrë religjioze? Të krishterët nuk kanë pasur nevojë t’u shfaqeshin “ezmerët” në brigjet e Gjibraltarit për të bërë luftë, pasi ne të krishterët kemi dëshmuar se dimë të luftojmë e të shqyhemi ndërmjet protestantësh e katolikësh. A nuk vazhdon sot e kësaj dite kjo histori në Irlandë? A nuk kanë qenë të ndaluar e të padëshiruar për treqind vjet katolikët në Angli nga “vëllezërit” e tyre të krishterë anglikanë? A nuk e dimë se sot në Greqi katolikët nuk kanë të drejta të barabarta me ortodoksët? Por ne në Shqipëri kemi dëshirë të shmangim gjithmonë problemet dhe përgjegjësitë e t’i hedhim te të tjerët. Nuk janë msylimanët që na pengojnë në integrimin tonë në BE. Nëse myslimanët kanë probleme me veten, sikurse edhe të krishtërët kanë, kjo është një çështje tjetër që ata do ta zgjidhin vetë edhe ndoshta me shumë sakrifica, sikurse po ndodh në shumë vende me shumicë myslimane, në Lindjen e mesme e në Afrikë, në të cilat një pakicë intergaliste e fundamentaliste po dikton jetën e popujve. Ajo që harrojmë ne është se në Shqipëri nuk ka vullnet për t’u bërë pjesë e traditës Europiane të kulturës së takimit midis të ndryshmëve për një çështje të përbashkët. Ne nuk duam të mendojmë (dhe as të pranojmë) se Europa ka nisur nëpërmjet shtrëngimit të duarve të dy popujve armiq, Francës dhe Gjermanisë në mbarimin e konfliktit të dytë botëror. Atëherë kur mendohej e pamendueshmja atehërë ndodhi në Europën që ne sot aspirojmë. Por këtë ne nuk e duam, sepse atëherë do të ishin të detyruar të shtrëngonin dorën pozita e opozita edhe në Shqipëri, do të thonte të takoheshin gjakësit me njëri-tjetrin, të bënim debate më të civilizuara në televizor politikanët dhe njerëzit e mediave e të kulturës etj. etj. Ne jemi në mendjen tonë ende komunistë, mendojmë në mënyrë hegjemonike dhe integraliste. Ne mendojmë: “nuk duhet të ekzistojë i ndryshmi” apo “integrimi i Shqipërisë duhet të ketë emrin tim e jo edhe emrin e kundërshtarit tim bashkë me mua”. Sa herë në këto vite kemi prishur punë, kemi bojkotuar, e vazhdojmë ta bëjmë, sepse nuk duam që dikush të marrë meritat, pasi nuk duam t’i ndajmë meritat. E atëherë kur mungon kjo kulturë e takimit pse duam t’ia hedhim fajin myslimanëve? Kjo do të thotë të lash duart nga problemet dhe mangësitë. Do të thotë ta kthesh besimin edhe një herë në problem e të krijosh një mendësi të ’67, por të kamufluar me modernizëm laicist. Europa kërkon standarde ligjore, vullnet për luftën kundër korrupsionit, sistem edukues në përputhje me vlerat që kanë bërë Europën. Ajo nuk kërkon çertifikatën e pagëzimit e as nëse je rrethprerë apo jo. Kërkohet t’i vëmë krahët punës, të shpërvjelim mëngët, të ulim hundën e të punojmë sëbashku megjithë dallimet tona. T’i japësh mosintegrimit në Europë ngjyra fetare do të thotë të shmangësh problemin nga vetja e ta gjesh diku tjetër ku nuk ekziston. Do të thotë të mos jesh as deri në nivelet e një kulture mesjetare e cila njohu takimin e krishtërimit me filzofinë pagane, por edhe takimin e krishtërimit me islamin, sikurse ndodhi që shën Françesku takoi kalifët, e Avicena e Averroeu, dijetarët isalmë të Persisë, na rikthyen në vëmendje Aristotelin që për shekuj ishte harruar. Të mos harrojmë se Europa para së gjithash nuk është më e krishterë e nga ana tjetër Shqipëria nuk është e gjitha msylimane. Nëse dikush në Europës sot (apo në Shqipëri) do të shkojë kundër myslimanëve, nesër (por edhe sot) do të çohet peshë kundër katolikëve e kështu me rradhë. Megjithatë unë dëshiroj ta mbyll duke thënë se, nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilet jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një hollandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Europa e "krishtere', Gjergj meta, Shqiperia Myslimane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 937
  • 938
  • 939
  • 940
  • 941
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT