“Në varrezën e iluzioneve të botës le të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës”./
Shkruan:Rexhep KASUMAJ/ Berlin/
1 Boris Johnson-i, prefekt i Londrës, ëndërron të ribëj lavdinë. Parathotë se britët e tij, në pak vite e dhjetëvjeçarë, do të bëhen një e tillë mbifuqi demografike, e rrjedhimisht, politike, që kryeqyteti i tyre ta kalojë Nju-Jorkun, kurse Britania e tërë, ta lë pas – Gjermaninë! Mirëpo ky nuk është i pari e, as do jetë i fundmi vegim për shtegëtim vetmitar. Kombet e Europës, ndonëse të nyjëtuar në një traktat të çlirët, akoma endin, ndaras e nënujshëm, fije të madhështisë: për të shtuar popullsinë a rinovuar armët dhe për të sofistikuar intrigat a për të ekspanduar influencat e tyre. Asgjë e huaj për natyrën klasike të shteteve, sikur individualizmi negativ që ruan rudimente rivalitetesh të vjetra, të mos binte ndesh me fizionominë dhe aspiratën komunitare.
Prej nga rivjen ky ngazëllim për shtetin kombëtar? Këtë pyetje reflektuese bënte një gazetë gjermane, duke nënvizuar se vetëm në faqen e 156 të Kontratës koalicioniste, gjendet fjalia e kursyer se “Bashkimi i Europës është detyra më e rëndësishme e Gjermanisë”! Pse kaq poshtë e kaq shkurt? Ndjesia e zhgënjimit a lodhjes sikur sëmbon të gjithë. Një palë kalojnë krizë dhe, në kulmet e saj, sikur pëshpërisin se pa kupolën e epërme dhe monedhën unike, do të rikuperoheshin shpejtësisht. Kurse një tjetër, për të cilët “kriza e mirë” është shndërruar në shans flatrimi prosperues, nuk duan të shpenzojnë mjete e fantazi për bllokun e “shpejtësisë së dytë”! Dhe ky është, me ç’duket, vetë mëkati i zanafillës (i fajshmi Maastricht): historia e qenja, kujtesa e shpirti dhe vatra e interesi, mbeten përjetë tipare prijëse, të pashkrifta e ekzistenciale.
E pra, 28 Kombe, 28 Guverna dhe poaq Armata, shenjojnë po të njëjtin objektiv: mirëqenjen, sigurinë dhe shkëlqimin e Europës. Porse leksioni i Ukrajinës (ndoshta pajtesa e ngutshme për datënisje negociatash me Sërbinë është një përpjekje kompensimi për këtë) që, e dorëzuar para shantazhit rus, i ktheu krahët turpshëm, dha kumtin që meriton ti bëhet një lexim historik. 28 pushtetet, ekonomitë dhe ushtritë e tyre, dëshmojnë shkathtësi mahnitëse për ndërkëmbëza të ndërsjella në mikroplanin e shtëpisë që zvoglohet ngaherë e vazhdimisht. Jashtë saj, ndërkaq, shumica syresh gjenden vështirë dhe në hartën e botës.
Pikërisht ky lloj dyzimi përjashtimor midis shteteve me politikat nacionale në lidhjen e tyre, akoma të brishtë dhe intencës qendërzuese të Brukselit, që idealistët do deshnin ta shihnin të inkarnuar në sajesën federale të quajtur, shpesh, me mallëngjimin e t’pambërritshmes – Shtetet e bashkuara të Europës, është honi që greminos përjetshëm ripërtrirjen e “perandorisë universale” atërore të Karlit të madh! Madje, më tej se kaq. Vullnetet dhe vizionet ngjajnë dëndur të pakonformueshëm dhe, ndonjëherë, të përballur pa shpresë. Një pol landesh ndërkallet emocionesh të turmës (ndjekur, jorrallë, demagogjie të klasës politike) për të hyrë nën kulmin e Shtëpisë Europë, një tjetër, tutje, duke qenë tashmë nën strehën e saj, refuzon bjerrjen e ingerencave nacionale, kurse një i tretë, skeptik prore, kumton ndërdyshas një deklarim referendar për dalje prej saj. Të parit i përkasin ballkanësit e harruar ndër shekujt e gjatë, të dytit i prinë Vacllav Klausi i çekëve, që ka marrë mundin të krijojë një bosht solidarësie vëndesh që, të vogla siç janë, i trëmben majorizimit poshtërues dhe, të tretin fare, e përfaqësojnë britët e vetmuar me lojën e dyfishtë: përplasen me familjarë kontinentalë për formulën e bashkëjetesës, tek ndërkohë vjelin partneritetin natyral me Amerikën që bën gjthnjë ligjin ndërkombëtar. Ndërkaq, si tendencë e pamirë që përhihet kudo, madje dhe aty ku politika i bën apologjinë rituale, është ngritja mbi 50 përqind e ndjesisë qytetare joentuziaste për Europën e njësuar.
2.
Shkurorëzimi i ishullorëve, qoftë dhe si ide a shakullimë kalimtare, do t’kurajonte grupe dytësore politike që qyshmoti i bëjnë asaj gjyqin përfundimtar. Këtë komocion ua jep atyre dhe gjeopolitika pozitive: janë larg zonave të përskajuara si tiranike, eruptive dhe antiperëndimore, e pra, rrezikprurëse për sigurinë e tyre.
Po a është krejt kjo e përligjur?
Koncepti i sigurisë, tashmë, ka ndërruar dhe ajo nuk cënohet vetëm së jashtmi, por poaq së brëndshmi nga tenja përbluese në vetë strukturën societare. Sidoqoftë, britët, si mesazhon plot vaktësi kryebashkiaku i metropolit të tyre (transmetuar nga “SZ”), planizojnë aventurën e vetmuar të fuqisë. Dhe, po tu besohet tumirësve të rrëmbyer, predispozitat nuk janë të papërfillshme. Trualli e tradita, kultura e gjuha e mbarëfolur, sikur premtojnë jetësimin e dalldisë. Por, njëkohësisht, dyshimtarët gjykimftohtë që pretendojnë realizmin, shprehen të kenë të drejtë dhe, sipas tyre, zhvillimet venë vështirshëm hullisë dëshirake. Përkundrazi: përvijimet dëshmojnë një prirje tjetër.
Si do arrihej a restaurohej ky rang madhnues?
Nga lindshmëria hovmarrëse e nënave angleze? Apo prej emigrantësh të ish-kolonive që sjellin me vete barqet pjellore të grave, varfërinë e injorancën lapidare – në një anë dhe – në anën tjetër, prej oligarkësh të kamur nga Rusia a vendet e Golfit, që pushtojnë zonat e bukura të qyteteve, duke shtyrë e zhvendosur vendësit dorëhollë të Mbretërisë së bashkuar? Recesioni ekonomik, braktisja e mundshme e Bashkimit Europian, pastaj lokomotiva e ardhësve të pandalshëm, zvetnimi i “Leit-kulturës” (çdo i dyti qytetar nuk e flet, tashmë, anglishten si gjuhë amtare) dhe mëvetësimi i mundshëm (pas 300 vitesh kaohabitimi) i Skocisë, bëjnë një piketë fundore që rrah ta thërmojë projekt-ëndrrën, për ta kthyer Anglinë në një vend të vogël, margjinal dhe me shfytyrim të thellë identitar!
3.
Në fakt, pothuajse të gjithë vuajnë idhujtarinë e tillë vetanake dhe, njëherësh, limitet e liga gjakmpikëse. Kriza e diferencuar finansiare, dështimi i multikulturalitetit, e pra e kryevlerës së civilizimit demokratik, mandej, si një hije vrugtane, tymi i konfliktit midis, si thuhet, “kulturës së mirëseardhjes” dhe “populizmit të djathtë” shkaktuar nga ikanakët e hershëm apo arratiakët e vonë të skamjes (gjysma jovëndore e banorësisë së vetë kryeqendrës, 16 milionë gjermanët me prejardhje të huaj, karvani i pambarimtë i veriafrikanëve në Francë, tregtimi fitimprirës paradoksal i shtetësisë malteze) – janë pamje që drynojnë prapa vetes po atë brejcë largvajtëse. Po ato janë, poashtu, gurëprova që do të duhej ti këndellte ithtarët e idesë së skifterëve të vetëmjaftuar, për ti kthyer vrullshëm në frymën e ideatorëve të hershëm të përbashkësisë. Vegëzat që do të duhej ti mbanin europianët sedërhollë në njëshmërinë e tashme simbolike, apo ti çonin drejt një shtetërie federale – më shumë se glorifikimet egoiste, janë pellgjet e dikurshme të gjakut pa ngadhnjimtarë, vlerat e reja egalitare, pastaj droja nga teatri i vjetër armiqësive totale dhe, veçanërisht tani, nga gogolë të konsoliduar a të posashfaqur në arenën e madhe të botës.
Megjithatë, qasjet e afinitetet kolizive vrujojnë, ballas e dorëfshehtas, me shkallëzim e horizonte ndryshmërisht të largët: nga ata që janë frustruar pritmërish të papërmbushura dhe deri tek ata (rënja e euros do të shuante 200 mijë vënde pune në Gjermani) që eurozonën e përjetojnë si një mrekulli për aftësinë e tyre kompetitive dhe që kërkojnë klauzolë suspendimi për “delikuentët” e zonës mesdhetare.
Nga kjo arsye i nxitur, një admirues i përkorë i bashkimit, Prof. Winkler (nga Universiteti Humboldt i Berlinit), përpiqej të gjente pikëqendrën e ekulibruar të përafrimit të tyre: pa ofenduar të mëdhenjtë dhe pa lënduar të vegjëlit e saj! I ndërgjegjshëm për sensibilitetet etnike, ai pledonte për një përbashkësi shtetesh postklasike, e kurrsesi shtetesh postnacionale, që do të thoshte – sa më shumë politika harmonike, por pa dorëzuar asnjëherë substancën e sovraniteteve kombëtare. Sado i matur e i baraspeshuar, ky përceptim sikur nuk joshte dot nihilistët e kryehershëm. Ndoshta balansimi artificial – është gropa e tij vetë. Mosdashësit refuzojnë një mbishtet përbindshor dhe, thjeshtë, nuk e besojnë ardhmërinë e tij. Dhe ata, nga ana e tyre, betohen në dashurinë për Europën. Veçse me një dashuri ndryshe. Çdokush të jetë zot në shtëpi të vet. Që në vitin e 1946 W. Churchill-i fliste për kombet e federuara të Europës, po natyrisht, pa Britaninë në radhët e tyre. Mbase anglezëve do tu voliste alternimi i principit të federalizmit me atë të subsidiaritetit (vetëpërgjegjësisë) dhe, që këtej, nëse ata hezitojnë, aherë përse frëngjët duhet të delegojnë pjesë të sovranitetit në supershtet? Pse, poashtu, gjermanët që, si shprehet filozofi Hermann Lübbe, ende kujtojnë trishtëm tundimin e De Golit për të coptuar edhe atë Gjermani të ngelur perëndimore sipas kartave të Napoleonit? Për bashkëkombësit e tij ai thotë se, në punë të një instance madhore shteti të legjitimuar të Europës, janë iluzionistë të përsosur dhe nga ky cen i ruajnë, faltlumnisht, vetëm fqinjët e mirë. Njëri prej tyre nga galeria e mohimtarëve, Henryk M. Broker-i, shtron diskursin se a mund të profilohet fare identiteti i njeriut europian? E vijon mëtej: a mund të ngrihet e mbijetojë një krijesë shtetesh të federuara pa këtë identitet? Vështirë, pohon ai dhe, pa rezervuar as gjasën teorike të së kundërtes, pyet sërish se a nuk provuan këtë marrëzi sovjetët, Pol-Potët zymtorë dhe e dëgjuara shkollë e Odenwaldit në Heppenheim? Dhe a nuk dështuan të gjithë me laboratorin e krijimit të njeriut të ri? Biles, ata patën rrethana më të pllenueshme e instrumente më efektive për këtë. Kishin tiranitë e ideologjitë dhunëtare për të tretur e mekur “njeriun e keq të vjetër”. Dyshimtar i pandreqshëm, Broker propozon, prandaj, që në varrezën e iluzioneve të botës të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës!
Kujt do i përkasë e ardhmja? Vetë Lübbe shfaq bindjen se e keqja po izolohet dhe e ardhmja nuk do jetë pronë e saj. Po, fundja, për ç’nëvojitet zindjellja? Dhe ç’fillesë tejpamësie ka koston më të lartë: caksynimi ngulmëtar apo paragjykimi negacionist? E kaluara ishte e mnershme. Forca dhe inteligjenca nuk ishin gjithherë bashkë. Kohët prodhonin zinxhirë e skllevër edhe për mëmëdheun e Brokerit, Poloninë e vajtueshme. Europianët ndajnë një truall, një kulturë e një fat dhe çdo projeksion mbifuqie kundër njërit, si ëndrra e vetmore e prefektit londinez, shndërrohet ligjshmërisht në strall përdjegës për të gjithë.
Ndaj, anipse duket një romantikë iluministe, Europa duhet të vijëzojë njëherë kufijtë – gjeografikë e vleftorë, e, mbi këtë definim të ri, të kultivojë jetikisht njësinë e kombeve dhe të ruajë paprekshmërisht emrin e saj: si gurrë e pashuar e dijes dhe djep i barazisë së jetës!
R. Kasumaj/ Berlin, dimër 2013