• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STRATEGJIA E PRESIDENTIT OBAMA KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

September 11, 2014 by dgreca

Ne Foto: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama duke mbajtur fjalimin drejtuar kombit mbi strategjinë e tij për të shkatërruar grupin terrorist ISIL, 10 shtator, 2014/
Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti fjalimin që ishte paralajmëruar më heret në lidhje me grupin terrorist ISIL. Në fjalimin e tansmetuar “live” nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama njoftoi kombin amerikan dhe botën mbi strategjinë e gjithëanëshme të Amerikës “për të degraduar ose për të dobësuar dhe më në fund për të shkatërruar grupin terrorist ISIL”.
Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij se si Krye-Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “prioriteti më madhor është siguria e popullit amerikan”. Z. Obama tha se megjithëse janë shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit, “ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime terroriste.” Udhëheqsi amerikan shtoi duke thënë se, “Ne nuk mund të zhdukim çdo të keqe nga faqja e dheut.Kjo ishte e vërtetë para sulmit të 11 shtatorit 2001 dhe kjo është e vërtetë edhe sot. Prandaj, kjo është arsyeja që ne duhet të mbetemi vigjilentë, përballë kërcënimeve të reja.” Presidenti amerikan nënvijoi se “Momentalisht, kërcënimet më serioze vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika Veriore, ku grupet radikale po shfrytëzojnë për qëllime të veta, problemet dhe moskënaqsitë me të cilat përballet ai rajon.Një prej këtyre grupeve është ISIL — i cili e quan veten, “Shteti Islamik”, vazhdoi Presidenti, duke theksuar se grupi terrorist ISIL, “nuk është as shtet dhe as islamik.” Asnjë fe tha Presidenti Obama nuk lejon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar se shumica dërmuese e viktimave të këtij grupi terrorist janë vetë myslimanët dhe theksoi se grupi terrorist ISIL, “Nuk është shtet, pasi nuk njihet nga asnjë qeveri dhe as nga populli që ai grup terrorist ka skllavëruar”, në disa zona të Irakut dhe të Sirisë.
Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se ky grup terrorist dallohet për nga brutaliteti që pjesëtarët e tij përdorin, “Duke ekzekutuar të burgosurit që ata kanë kapur si pengje. Ata vrasin fëmijtë.Ata skllavërojnë, dhunojnë seksualisht dhe detyrojnë femërat të martohen.Ata kërcënuan me gjenocid një grup të një pakice fetare. Dhe me barbarizmin e tyre ata ekzekutuan dy gazetarë amerikanë — Jim Foley dhe Steven Sotloff”, tha Z. Obama.
Në fjalimin e tij Presidenti amerikan nënvijoi se grupi terrorist ISIL përbën një kërcënim jo vetëm për popullin irakian dhe popullin sirian, por edhe më gjërë sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë shtetasit, personelin dhe objektet amerikane në atë rajon. Prandaj, nëvijoi Presidenti Obama, “Nëqoftse nuk merren masa të menjëhershme, këta terroristë mund të paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të madh përtej këtij rajoni, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”. Z. Obama informoi se agjencitë sekrete besojnë se mijëra të huaj — përfshirë europianë dhe disa amerikanë — janë bashkuar me këtë grup në Siri dhe në irak. Këta terroristë të trajnuar mirë dhe me përvojë lufte mund të këthehen në vendet e tyre dhe të ndërmarrin sulme me pasoja të rënda”, theksoi Z. Obama.
Duke nënvijuar shqetësimet e shumë amerikanëve në lidhje me këto kërcënime, Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara po përballen me këto kërcënime, me fuqinë dhe vendosmërinë e nevojshme. “Qëllimi ynë është i qartë. Ne do t’a dobësojmë e degradojmë dhe më në fund do t’a shkatërrojmë grupin terrorist ISIL, nepërmjet një strategjie të gjithanshme dhe të vazhdueshme anti-antiterroriste”, e siguroi ai popullin amerikan.
Në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma, Presidenti Obama njoftoi një strategji për të shkatërruar grupin terrorist ISIL: “nepërmjet një fushate sistematike sulmesh ajrore kundër terroristëve të grupit ISIL”. Z. Obama tha se, “E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët të cilët kërcënojnë vendin tonë, kudo qofshin ata. Kjo do të thotë se unë nuk do të hesitoj të urdhëroj sulme kundër tyre në Siri apo në Irak. Presdienti amerikan Obama tha se, “Ky është parimi bazë i presidencës time: Nëqoftse kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni askund vend të sigurt për tu strehuar.”Si pjesë e strategjisë së tij kundër grupit terrorist ISIL, Presidenti Obama nënvijoi planet për të shtuar ndihmën ushtarake për forcat në Irak dhe në Siri, që janë duke luftuar kundër grupit ISIL, dhe u zotua se do të dërgojë edhe afër 500 ekspertë të tjerë ushtarakë amerikanë në Irak për të trajnuar forcat irakiane dhe ato kurde kundër grupit terrorist ISIL. Ai premtoi se së bashku me partnerët e Amerikës, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbuliuar dhe për ndërprerë burimet e financimit të grupit terrorist ISIL dhe për të ndaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë e të vijnë si dëshirojnë nga Lindja e Mesme. Pjesë e strategjisë së Presidentit Obama kundër grupit terrorist ISIL, janë edhe ndihmat humanitare për vikitmat e pafajshme të cilët, nga vendbanimet e tyre, janë shpëngulur me forcë nga terroristët ISIL. Ndër këta, tha Presidenti Obama, përfshihen, myslimanët e sekteve shia dhe sunni si dhe dhjetëra mijëra të krishterë dhe pakica të tjera fetare. “Ne nuk mund të lejojmë që këto komunitete të dëbohen me forcë nga vendlindja e tyre e vjetër”.
Kjo, tha Presidenti Obama, është strategjia jonë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar në këtë orvatje, mbështetjen e një koalicioni të gjërë partnerësh ndërkombëtarë. Këto përpjekje, tha Presidenti Obama, janë pasqyrimi më i mirë i udhëheqjes amerikane në botë, duke shtuar se, “Ne jemi pranë popujve që luftojnë për lirinë e vet dhe njëkohësisht përpiqemi të sigurojmë edhe mbështetjen e vendeve të tjera, në emër të sigurisë dhe të humanizmit të përbashkët.
Ndërkaq, Presidenti Obama paralajmëroi duke e bërë të qartë se shkatërrimi i grupit terrorist ISIL nuk do të ndodhë mbrenda një kohe të shkurtë dhe siguroi amerikanët tanimë të lodhur nga lufta, se kjo strategji anti-terroriste është ndryshe nga luftërat në Irak dhe në Afganistan — duke thënë se atje nuk do të dërgohen forca ushtarake tokësore, por se kjo fushatë është në përputhje me qendrimin e njoftuar prej tij në fillim të këtij viti, sipas të cilit ai “do të përdor forcën kundër çdo njërit që kërcënon interesat bazë të Amerikës, por që në këtë përpjekje do të mobilozohen, kurdoherë që jetë e mundur, partnerët ndërkombëtarë, për tu përballur me sfidat më të gjëra që kërcnojnë rendin ndërkombëtar.
Në vazhdim të fjalimit, Presidenti Obama e cilësoi udhëheqjen ose “lidershipin” amerikan në botë si të “qëndrueshme dhe të përhershme, në një botë të pa sigurt.” Në luftën kundër terrorizmitdhe në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e botës kundër agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën kundër sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore, janë Shtetet e Bashkuara ato që vazhdojnë të luajnë gjithnjë rolin udhëheqës anë e mbanë globit. Në lidhje me përgjegjësitë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në botë, Presidenti Obama tha këto në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma:
“Është Amerika ajo që ka mundësitë dhe vullnetin për të mobilizuar botën kundër terrorizmit. Është Amerika ajo që mobilizoi botën kundër agresionit rus në Ukrainë dhe në mbështetje të së dretjës së popullit ukrainas për të vendosur vetfatin e tij. Është Amerika — shkencëtarët tanë, mjekët tanë, shkenca dhe teknologjia jonë, ajo që mund të ndihmojë në izolimin dhe në kurimin e sëmundjes Ebola. Ishte Amerika, ajo që transferoi dhe shkatërroi armët kimike të Sirisë, ashtuqë ato të mos përbëjnë një kërcënim tjetër për popullin sirian dhe as për botën. Dhe është Amerika, ajo që po ndihmon komunitetet myslimane anë e mbanë botës, jo vetëm në luftën kundër terrorizmit, por edhe në luftën për mundësi më të mira jetese, për tolerancë dhe për një të ardhme më shpresëdhënse.”
“Bekimet tona të pashterrëshme”, tha Presidenti Obama, “na imponojnë një barrë të përhershme. Por si amerikanë, ne e mirëpresim përgjegjësinë tonë për të udhëhequr. Kur ne ndihmuam në parandalimin e një maskare të civilëve (nga grupi ISIL) në maje të një mali të izoluar, shtoi Presidenti Obama, ja se ç’tha njëri prej tyre: “Ne ua kemi borxh jetën miqëve tanë amerikanë. Fëmijtë tanë do të kujtojnë gjithmonë se dikurë na ishte dikush që i kishte dëgjuar vuajtjet tona dhe ai dikush (Amerika) bëri një rrugë të gjatë për të mbrojtur popullin tonëtë pafajshëm”, nga zhdukja.
Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur kombin tonë duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat besojmë — ideale dhe vlera të përherëshme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim.
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi gjtihashtu edhe mbështetjen e dy partive kryesore për strategjinë e tij dhe fushatënushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur mbështetjen e përfaqsuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se “Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon.”

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GRUPIT TERRORIST ISIL, Kunder, Presidentit Obama, STRATEGJIA E

AMERIKEN NUK DO TA MBANTE TOKA PO TE MOS PERGJIGJEJ DENJESISHT KUR U SULMUAN QIEJT E SAJ

September 10, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Në historinë botërore tashmë ka hyrë një datë e vecantë: 11 shtatori i vitit 2001, që sivjet i përkujtojmë 13-vjetorin, çka na bën të kemi dhimbje e nderim për tragjedinë e viktimave njerëzore të kësaj dite; formon një apel ndërkombëtar për luftën e pambaruar kundër terrorizmit në kohën e hapësirat e shfaqjes së tij; përbën një epope qëndrese të shumanshme amerikane e solidarizim shumplanësh të komunitetit ndërplanetar .
Kjo datë në paralelet dhe meridianet e globit tokësor nuk është start i një Lufte të Tretë Botërore të një lloji tjetër dhe nuk përbën as Luftën e 11-të të SHBA, por është një Luftë e Pambaruar për Paqe Botërore.
Kjo datë nuk e ka ndrruar Botën e sotme, por tregoi faktin se sa shumë ka ndrruar Bota në këtë Mijëvjecarin e Tretë.
Kjo datë dëshmoi edhe dicka tjetër: Kush është Amerika për Amerikën dhe kush është Amerika për Botën.
2.11 Shtatori tragjik i vitit 2001 është një histori e përseritur e Peal Harbor të 7 dhjetorit 1941 në ishujt Hauai të SHBA, me të vetmin ndryshim se para 13 vitesh Amerika u sulmua nga brenda hapësirës gjeopolitike të saj, ndërsa para 73 vitesh u sulmua nga jashtë territorit të saj.Po ka edhe dicka tjetër: Në rast se më 1941 kamikazët kishin për adresë një shtet të vetëm ndërluftues, tashmë ishte një armik i pa atdhe, i pa ngjyrë, i pa fe, i pa besë – terrorizmi ndërkombëtar i sofistifikuar pas emra organizatash e individësh, që në gjak kanë bomba e trurin e droguar për gjakderdhje.
Në të dy rastet Amerikën e sulmuan për t’ia humbur krenarinë e sovranitetin e saj dhe në të dy rastet Amerika fitoi në vetëvete e doli përtej vetëvetes për të ruajtur e lartësuar dinjitetin, paqen e lumturinë e Botës.
Sot Amerika është strategjike për Vetëveten dhe për Botën në të dy anët e saj: në Lindjen Atlantike për Europën dhe në Perëndimin Paqësor për Azinë, cka i ngjan një peshoreje graviteti ekonomik e ushtarak për këto dy kontinente, që aktualisht në lidhjet e saj anon nga ana europiane me Bashkimin Europian, Federatën Ruse e shtete te tjera mesdhetare e nordike, por në të nesërmen e afërt e të shpejtë mund të anojnë edhe nga ana aziatike me Kinën e Indinë të shumëpopulluara e të tjera shtete të kësaj hapësire…
Sot Bashkimi Europian, për nga ana e konsolidimit si Union, është 200 vjet pas Amerikës, ndërsa nga ana ushtarake, Amerika është 50 vjet përpara Europës..
Sot Amerika, për nga tregtia shumëplanëshe, mbulon 51 për qind të asaj botërore.
Pra, Amerika është Amerikë.
Ndaj 11 shtatori 2001 nuk e donte të tillë.
3.11 shtatori nuk është ngjarje tragjike e një date, por janë disa ngjarje të këtilla në Amerikë, të drejtuara kundër Amerikës, që cuan te kjo ngjarje tragjike: është vendosja e bombës në Uorld Trade Center në vitin 1993: është goditja terroriste me bombë në një pallat me zyra në qytetin Oklahama më 19 prill l995; është tjetër goditje në një pallat banimi në Khobar Touers; është akti terrorist në ambasadat amerikane në Kenia e Tanzani; ështeë goditja me bombë në USS Cole në vitin 2000.
4.11 shtatori Amerikën nuk e gjeti në gjumë, por Bota kishte rënë disi në qetësi, biles edhe pas goditjes në Kullat Binjake e në Pentagon shumëkush priste rënien e Amerikës dhe kundërgoditje ndaj terrorizmit të rishfaqur në mënyrën më cnjerëzore e me gjakderdhje të mijëra viktimave të pafajshme
Cuditërisht Jelcini në Pallatin e Bardhë në Moskë i fërkoi duart e trumbetoi se tashmë kemi vetëm “Shtetet e Shpërbëra të Amerikës” e nuk apelonte menjëherë për luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Sadam Hyseini ia shkelte brutalisht rezolutat e përseritura OKB-së dhe ia përzente inspektorët, ndërsa Pallati i Qelqtë në Nju York nxirrte rezoluta të reja e priste që djalli të bëhej ‘”engjëll”.
Gjykata e Hagës e linte të lirë kriminelin Milloshevic e oborrtarët e tij duarpërgjakur në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e së fundit në Kosovë e lëshonte deklarata e fletë-arreste të risigluara duke vënë në shpërblim për kapjen e tij miliona dollarë.
Talebanët në Afganistan i gjuanin me top portretet e Budës të skalitura në male duke i shkatërruar ato e budistët rrinin duke i vajtuar në mënyrë mediatike.
E shembuj të tillë mund të sjellim prapë, por duam të nënvizojmë se kjo qetësi e botës së vitit 2001 ishte kaq e cuditshme, burokratike e individualiste saqë lejoi e coi në faktin e ditën që në një pjesë të Globit, në Amerikë, në Tempullin e Demokracisë, në selinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, terrorizmi të godiste kaq ashpërsisht e pabesisht.
5.Amerika e ka përgjegjësinë e vet që u goditë në Nju York e vecanërisht në Pentagon, por, për këtë, askush nuk mund ta paragjykojë, ta gjykojë apo pasgjykojë Amerikën, se përse u goditë e aq më tepër që Bota të largojë përgjegjësitë e veta në këtë histori, në këtë tragjedi, në këtë datë, në këtë ditë.
Oktapodi i terrorizmit ndërkombëtar duke sulmuar Amerikën kërkonte të gjunjëzonte Botën.
Po të rrëzohej Amerika në një ditë, në atë 11 shtator 2001, Bota do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të ringrihej deri në kapërcyell të shekullit tjetër, sepse botës do ‘i mungonte shembulli amerikan, sipërmarrjet ndërkombëtare amerikane, konkurimi ndërplanetar amerikan nga nëntoka e deri tek yjet e galaktikës sonë.
Amerika ka dëshmuar në këta shekujt e fundit se nuk rrëzohet nga lufta e me luftë, por vecse duke e konkuruar me vlera nivele larta, të cilat i ka në stadrritjeje, biles edhe me 11 shtator 2001 i tregoi botës vlera të saj të reja si në përballimin njerëzor e organizativ të kësaj tragjedie dhe në kundërpergjigjen ndaj terrorizmit ndërkombëtar.
6.Amerika gjithënjë e ka paralajmëruar Botën për rrezikun imediat e katastrofal të terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Bota nuk e ndjente sa e sic duhej këtë rrezik real e me kosto tepër të lartë njerëzore, ekonomike e ushtarake.
U deshtë, ndoshta 11 shtatori 2001, kur terrorizmi ndërkombëtar sulmoi nga Qiejt e Amerikës, që njerëzit e shtetet e planetit të ecnin me këmbë në tokë e mend në kokë në luftën ndaj terrorizmit, qoftë në Afganistan e në Irak apo kudo gjendet ose shfaqet në hartën e Globit.
Amerika, edhe nga 11 shtatori 2001 e këtej, e ka kryer detyrën e lartë përballë kombit të vet e historisë, për kohën e sotme e të nesërme, duke luftuar me të gjitha format e mjetet, në krye të Koalicionit Botëror kundër Terrorizmit Ndërkombëtar.
Amerikën nuk do ta mbante Toka po të mos përgjigjej denjësisht kur iu sulmuan Qiejt e saj.

Filed Under: Editorial Tagged With: 11 shtatori, amerika, Ramiz Lushaj

SERBIA DUHET T’I JAPË QARKUT TË KUKËSIT RRETH NJË MILIARDË USD DAMSHPËRBLIME PËR LUFTËN

September 9, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Kjo duhet të jetë çështje diplomatike, juridike e administrative e radhës edhe në takimin e pritshëm Rama-Vuçiç në këtë fundshtatori apo nëntor 2014
1. Agjensia Serbe e Lajmeve “Danas” ban me dije botnisht se në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrri ftesa e homologut të tij serb, 45 vjeçarit Aleksandër Vuçiç, për një vizitë të pritshme në Beograd në kit’ shtator 2014. Prej nga viti 1947 do të jetë i pari kryeministër i Shqipërisë Londineze që shkon në Beograd. Kjo vizitë mund të shtyhet si dhe një herë tjetër apo deri pas formimit e betimit të Qeverisë së re në Kosovë. Ndoshta edhe pas 1 nëntorit kur fillanis zyrtarisht detyrën e tij Jean-Claude Juncker si President i Komisionit Europian dhe do të vijë në BE një “Ashton” tjetër. Sidoqoftë, kryesore është çka do të çojnë në tavolinën e bisedimeve e nënshkrimeve kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Patjetër, “çanta diplomatike” e tij do të jetë mjaft e fryrë nga çështjet e problematikat e prejkohshme e të sotme ndërmjet dy vendeve tona ballkanike dhe (ar)mike. Gjithësesi mendoj se tashma ka ardhë ora e fundme kur të hapet sipari i bisedimeve dypalëshe për damshpërblimet e Serbisë ndaj Shqipërisë, përkatësisht ndaj Qarkut të Kukësit (Tropojë, Has, Kukës) për damet e shkaktueme gjatë e pas Luftës së Kosovës (1999).
2.Serbia e Millosheviçit përgjatë 79 ditëve të Luftës së Kosovës (mars-qershor 1999), përveçse përballjen me NATO-n, kishte edhe një tjetër “Luftë të (Pa)shpallur” me Shqipërinë Londineze.
Ushtria serbe në vitin 1999, e përqendruar edhe përgjatë 120 km të vijës kufitare Tropojë-Has-Kukës, ka gjuajt me 3.350 predha artilerie deri në 25 km në thellësi të territorit shqiptar sovran.
Serbia gjatë Luftës së Kosovës (1999) i minoi 102 zona në 39 fshatra të Qarkut të Kukësit: 14 në Tropojë, 14 në Has dhe 11 në Kukës.
Kjo zonë e minuar me mina antinjeri, antitank, municione të paplasura, etj. në tre rrethet e këtij Qarku përfshinte mbi 15 km2 apo, ndryshe, pothuaj sa tri herë sipërfaqja e ishullit gjeostrategjik të Sazanit në bregdetin e Vlorës.
3.Më 25 mars 1999, një ditë pas fillimit të Luftës së Kosovës, ndodhi aksidenti i parë i përgjakshëm në Qarkun verior të Kukësit, i shkaktuar nga ushtria serbe brenda kufirit të shtetit sovran të Shqipërisë.
Nëpër zona të minuara të Qarkut të Kukësit, në 79 ditë të kësaj lufte të madhe, u vranë 23 shqiptarë dhe u plagosën 68 të tjerë.
Nga gjuajtjet e artilerisë serbe në krejt Qarkun u dëmtuan 130 shtëpi, nja 1.000 objekte social-kulturore si shkolla, qëndra të komunave, kabina elektrike, etj., sistemi ujitës, infrastruktura rrugore, etj. Artileria e luftës e minat e hedhuna gjithandej u dëmtuan edhe 800 kokë gjedhë e njëthundrakë, 3.000 kokë bagëti të imta, 1.200 koshere bletësh, etj.
Këto ishin humbje të mëdha në ekonominë shqiptare e të këtyre tre rretheve Tropojë, Has, Kukës. Vetëm në sistemin ujitës shenjohen mbi 26 milionë USD.
4. Minat e hedhuna në fushëbeteja të luftnave, si në rastin e 39 fshatrave të brezit kufitar të Qarkut të Kukësit, janë “Luftë pas Lufte”.
Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës e pas saj, përgjatë vitit 1999, sipas të dhanave që i ka OKB e institucione të saj, pati 187 aksidente në mina. Në burime të tjera flitet për numër ma të lartë të aksidenteve të tilla. Sidoqoftë edhe viti 2000 pati shumë: 35 aksidente. Deri në vitin 2006, sipas të njëjtit burim të OKB-së, kemi 272 aksidente. Sigurisht janë edhe ma shumë, pasi kanë kalue plot 8 vite. Ka pasë edhe aksidente të tjera. Në ditën e parë të shtatorit 2014 në Krumë ndodhi një aksident tragjik me pasojë vdekjen. Të tjera aksidente priten të ndodhin në muaj e vitet e ardhshme. Shifra rritet çdo ditë. Ndoshta janë mbi 300 aksidente. Flitet edhe për mbi 60 të vdekur. Sidoqoftë priten saktësime në të ardhmen.
Nga 272 aksidente në Qarkun e Kukësit (1999-2006) numrin ma të madhe ka Tropoja: 133 prej tyre. Hasi ka 93 aksidente, ndërsa Kukësi 40 aksidente. Nga këto 272 aksidente (me listë emërore) i kemi 34 prej tyre me humbje jete: 14 Tropoja, 12 Hasi, 7 Kukësi dhe 1 nga Kosova.
Bota njeh 130 lloje minash. Serbia ka hedhur në Qarkun e Kukësit dhjetra prej tyre gjatë Luftës së Kosovës. Ato ishin edhe të formave të ndryshme si karamele, flutura, stilolapsa, etj. Sipas statistikave që kanë institucione të OKB-së del se nga 272 aksidente të ndodhura në vitet 1999-2006 janë 181 raste apo 67 për qind nga minat antinjeri të Serbisë. Kjo tregon se serbët kanë pasë qëllim kryesor të vetin vrasjen e shqiptarëve në anën tjetër të kufinit, në Qarkun e Kukësit të Shqipërisë Londineze. Vetëm 53 prej rasteve të aksidenteve apo 19 për qind e tyre kanë ardhë nga municionet e paplasura të lëshuara me artileri nga Serbia në rrethet Tropojë, Has, Kukës. Nga këto raste aksidentesh 72 prej tyre janë fëmijë.
Në këto aksidente janë plagosë e vrarë fëmijë, gra, të moshuar, barinj, fermerë, policë, ushtarakë, etj. Thuhet se një aksident kap shifrën mesatare rreth dy milionë USD për rast. Në koft se ecim sipas kësaj llogjike del se duhen shifra tejet të larta.
Minat kanë kosto të vogla në prodhim e të mëdha në dëmtime, për heqjen e tyre, etj. Një minë antinjeri për t’u prodhue kushton nga 3-30 USD, ndërsa për t’u heq nga toka ku është hedhur si në rastin e Serbisë në Qarkun e Kukësit, duhen 1.000 USD për një minë të vetme.
Serbia qyshse në vitin 1998 kur e minoi kufinin Shqipëri-Kosovë me fusha të minuara, grupe minash e mina të veçuara. Vetëm në 79 ditë të Luftës së Kosovës ka hedh me artileri 3.350 predha artilerie… Ushtria serbe nuk i dorëzoi asnjëherë hartat e fushave të minuara prej saj në Qarkun e Kukësit.
5. Shteti Shqiptar ka projektet e veta edhe në Qarkun e Kukësit, i ka llogaritë e veta për të saktësue damshpërblimet e Serbisë, janë strukturat përkatëse shtetërore për kryerjen e obligimeve të këtilla. Veçse duhet dit’ edhe kjo: në 15 vite kjo çështje është ngrit disa herë e nuk ka pasë rrugëzgjidhje astenjëherë.
Thuhet se damshpërblimi që ka për të dhanë Serbia për Qarkun e Kukësit, për tri rrethet Tropojë, Has e Kukës, shkon deri në një miliardë USD (rreth 1.000.000.000 USD). Sigurisht nuk janë pak. Këto rrethe janë në nevojë. Mjaft familje me të aksidentuar janë në kushte të varfërisë ekstreme.
Dihet se Qarku i Kukësit është ma i varfëri në të gjithë Shqipërinë Londineze e veçanarisht familjet që kanë pasë aksidente gjatë e pas Luftës së Kosovës, që iu kanë dëmtue pasuritë hipotekore, etj.Shqipëria Londineze, qoftë edhe me ndërmjetësi ndërkombëtare si Bashkimi Europian, etj., duhet të fillojnë bisedimet në Beograd e në Tiranë ose në Bruksel e gjetkë për damshpërblimin e Qarkut të Kukësit me rreth një miliardë USD. Tirana zyrtare, qyshse në takimin e parë Rama-Vuçiç duhet të ketë kushtet e saj ballore edhe në kit’ çështje tejet të madhe. Shqipëria Londineze duhet të ngrihet në lartësi diplomatike ndërshtetërore të Malit të Zi, që po iu vno kushte Kosovës e Hashim Thaçit tue e lidh njohjen e komunitetit malazez në Kosovë me vendosjen e selive të ambasadave të tyre në Podgoricë e Prishtinë dhe lejimin e Rrugës Deçan-Plavë, pas “demorkacionit” – vijës kufitare Mali i Zi- Kosovë, etj. Tjetër kusht i Shqipërisë ndaj Serbisë së Vuçiçit duhet të jetë bllokimi i hyrjes në Shqipëri të mallrave serbe (qoftë dorë e parë apo e dytë ose tretë në tregtimin e tyre), të cilat po e tejngopin e do ta groposin tregun shqiptar në Tiranë e Prishtinë.
Qeveria Shqiptare e Tiranës, kryeministri i saj Edi Rama, duhet t’i kërkojë Serbisë damshpërblimin me rreth një milionë USD dëmtime në njërëz e pasuri gjatë e pas Luftës së Kosovës. Tekefundja nuk ka randësi dhe aq të madhe shuma po akti shqiptar i Tiranës. Sot jemi të vonuar në këtë çështje. Nesër do të jemi të gjykuar nga historia e brezat tanë për mos kryerje të saj. Qarku i Kukësit pret damshpërblimin nga Serbia. Nëse nuk iu dha Çmimi Nobel ti jepet të paktën damshpërblimi që i takon prej mbi një dekadë, që e pret edhe nga Diplomacia e Drejtësia Ndërkombëtare e së parit nga Qeveria e vet.

Tiranë, 9 shtator 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: 1 miliarde dollare, Ramiz Lushaj, Serbia, te demshperbleje Kukesin

DOM SIMON FILIPAJ: “SHQIPTARË: FLISNI SHQIP ME ZOTIN”!

September 5, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
15-vjetë më parë ndërroi jetë Dom Simon Filipaj, pëkthyesit të Biblës në gjuhën shqipe dhe njëri prej viganëve të kulturës shqiptare.Me 2 shtator 2014, në Kishën Shëngjergj, të fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Ulqinit, u shënuaky 15-vjetor i ndarjes së tij nga kjo jetë me zbulimin e përmendores kushtuar këtij vigani të madh të Kishës Katolike dhe të letrave shqipe. Sipas një raporti nga korrespondenti iZërit të Amerikës në Ulqin, Ali Salaj,në meshën pëkujtimore dhe në ceremoninë e zbulimit të përmendores, morën pjesë autoritete fetare dhe veprimtarë të artit e të kulturës nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Ndërtimi i shtatores së Dom Simon Filipaj u financua nga fondacioni i shqiptarëve të atyre trevave, por me banim në New York — me anëtarë të fesë katolike dhe myslimane – i cili mban emërin e tij dhe që quhet, “Fondacioni Dom Simon Filipaj”.Ky fondacion është i njohur në diasporë dhe ato anë, për ndihmën humanitare që ka dërguar, sidomos për ndihmën shëndetsore, arsimore dhe humanitare për të gjithë shqiptarët pa dallim të anës së Ulqinit.
Andaj nuk është për tu habitur që ky fondacion kishte ndërmarrë një iniciativë të tillë për ndërtimin e një monumenti kushtuar këtij burri të madh të botës shqiptare,duke përjetësuar kujtimin dhe kontributin tepër të çmueshëm të tij në lëmin e gjuhës shqipe — të kësaj gjuhe që konsiderohet si ndër tri më të vjetërat në botë, sipas një raporti të kohëve të fundit në gazetën amerikane Nju Jork Tajms – dhe për kontributin e dom Simonit në historinë dhe kulturën mijëra vjeçare të kombit shqiptar. Përmendorja e punuar nga skulptori shqiptar Kreshnik Gjika është vendosur në oborrin e Kishës Shën Gjergj, aty ku Dom Simon Filipaj kishte shërbyer për 30-vjetë si famullitar dhe ku kishte punuar me vite në përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Unë kam nderin të rrëfej për lexuesin se ashtu si shumë bashkohas të mi nga ana e Ulqinit, Kisha e Shën Gjergjit ishte kisha ku jam pagëzuar dhe ku në moshë tepër të re, kam marrë njohuritë e para fetare dhe atdhetare, para se të nisesha për në gjimnazin klasik në Kroaci, me rekomandimin, me ndihmën dhe me mbështetjen e fortë tëfamullitarit tim, Dom Simon Filipaj.
Me rastin e inaugurimit të shtatores së Dom Simon Flipiaj, famullitari i tanishëm i kishës Shën Gjergj, Dom Gabriel Grabanica i tha Zërit të Amerikës se me zbulimin e shtatores së Dom Simon Filipaj, Shën Gjergjit po i këthehet zëri dhe po i këthehet gëzimi, dhe shtoi se ky manifestim që u ndihmua nga shqiptarët e Amerikës, sipas tij, është një festë jo vetëm shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për Shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë. Ndërsa, përfaqsuesi i Fondacionit, “Dom Simon Filipaj” me qëndër të Nju Jork, Tomë Dedë Shkreli, që kishte shkuar atje për këtë qëllim,tha me këtë rast se ishte fondacioni ai që mori iniciativën për ndërtimin e një përmendorjeje të Dom Simonit, por kontribuesit për financimin e këtij projekti janë të gjithë shqiptarët e diasporës së Nju Jorkut pa dallim. Tomë Dedë Shkreli, i cili së bashku me Arkipeshkvin e Tivarit Zef Gashi, zbuloi përmëndoren, i tha Zërit të Amerikës se Dom Simon Filipaj, me veprën e tij, u ka lënë amanet të gjithë shqiptarëve që “të luten dhe të flasin shqip me Zotin”. Ndërsa Dom Nikë Gjini, një pasardhës i Dom Simonit Filipaj në atë famulli, e cilësoi përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe nga Dom Simoni, si një dhuratë të shqiptarëve për kulturën botërore.
Merita e përkthimit dhe e botimit të Biblës (Besëliddhjes së Re) nga Dom Simon Filipaj është vlerësuar jo vetëm nga autoritetet kishtare, por edhe nga studjues, letrarë dhe historianë. Dom Simon Filipaj e ndërmori këtë iniciativë më shumë se 30-vjetë më parë, në kulmin e luftës së ftohtë, kur përpjekjet e sanksionuara nga regjimet komuniste të kohës, si në ish Jugosllavinë komuniste, ashtu edhe në Shqipërinë enveriste kishin arritur kulmin për të shtrëmbëruar dhe përtë zhdukur nga faqja e dheut historinë fetare, letrare dhe politike të kombit shqiptar. Ishte një periudhë fatzezë padrejtësishë dhe mohimesh të kontributit të klerit katolik në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht i nxitur nga urdhërat e komunistëve jugosllavë, për të eliminuar klerin katolik shqiptar, ndërmori një fushatë të hatashme për zhdukjen fizikisht dhe moralisht të veprave të klerit katolik shqiptar, pa të cilat as nuk mund të merret me mend ruajtja e gjuhës dhe e kulturës shqiptare. Si të tilla, këto përpjekje ishin një dhunim dhe cenim i pafalshëm i së vërtetës historike ndër shqiptarët.Ndaj, siç shkruan edhe Prof. Dr. Ardian Marashi me rastin e Seminarit të mbajtur nga Qëndra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, më 2011, Dom Simon Filipaj punoi dhe veproi gjatë një periudhe shumë të vështirë vuajtjesh, ankthi dhe pasigurie për të.Prof. Marashi thotë se gjatë gjithë periudhës krijuese të Dom Simon Filipaj, Shqipëria gjëndej e izoluar nën diktaturën komuniste, ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe të Malit të Zi gjëndeshin përballë shtypjeve dhe përndjekjeve të egëra të regjimit komunist të Beogradit. Por megjithë këto kushte të vështira, pohon, Profesor Marashi, Dom Simon Filipaj, ashtu si edhe para-ardhësit e tij të shquar të cilët i cilëson si, “Heronjtë e Librit”, nuk u përkul, por arriti për here të parë në kulturën mijavjeëare të kombit shqiptar, ta sjellë të plotë në shqip fjalën e mirë të Librit të Shënjtë.(Për ata që duan të mësojnë më shumë për Dom Simon Filipaj dhe veprën e tij, dhe për kontributin ndaj kulturës dhe letërsisë shqiptare, libri ‘’Bibla Shqip dhe Filipaj’, (Botuar nga Enti Botues ‘’Gjergj Fishta’’, Lezhë) është një burim i shkëlqyeshëm studimesh, nga një numër i madh shkencëtarësh e studjuesish të feve të ndryshme nga të gjtiha trojet shqiptare, gjë që ve në dukje edhe ekumenizmin dhe ‘’shpirtin përbashkues’’ të Dom Simonit, njërit prej ‘’Heronjve të Librit’’, nga kontribues dhe studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Italia.)

Dom Simon Filipaj është njëri nga ata klerikë që fatbardhësisht i shpëtoi kësaj kulshedre të pa shpirt, të pa identitet kombëtar dhe të pa kulturë – për t’u radhitur me më të mëdhejtë klerikë të kombit dhe të kulturës shqiptare, përfshirë Dom Gjon Buzukun, imzot Pjetër Budin, imzot Frang Bardhin, imzot Pjetër Bogdanin, Konstandin Kristoforidhin, imzot Fan Noli, At Gjergj Fishtën, e shumë e shumë të tjerë. Përkëthimi i Biblës në gjuhën shqipe nga Dom Simon Filipaj, i pari në historinë 2000-vjeçare, është një përpjekje e jashtzakonshme megjithëse me shumë mund e travaje dhe nën rrethana jashtzakonsisht të vështira siç ka thënë edhe ai vet — për të lavëruar gjuhën shqipe dhe për të ruajtur si sytë e ballit gjuhën, virtytet dhe traditat autoktone tl kulturës dhe të identitetit të racës së lashtë mija vjeçare të kombit shqiptar.Nuk është për tu habitur atëherë, kur Dom Simon Filipaj, ua kushtonteveprën e tij madhështore, kujtimit të përherëshëm të Buzukut, të Matrengës, të Budit, të Bardhit, të Bogdanit dhe të mbarë klerit katolik shqiptar, që me dashuri të pa tregueshme ia kushtuan — Fjalës së Hyut dhe ngritjes së Kombit — dijen, pendën dhe jetën.
Për tu nderuar dhe për tu ruajtur trashëgimia e Dom Simon Filipajt, përveç monumentit madhështor ndërtuar në oborrin e famullisë ku shërbeu për 30-vjetë dhe ku përkëtheu veprën e tij kolosale, intelektualë shqiptarë të dy feve të rrethit të Ulqinit, kanë themeluar më shumë se një dekadë më parë Shoqatën e Intelektualëve Shqiptarë, “Dom Simon Filipaj”, që ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë së kësaj figure të shquar të Kishës dhe kombit shqiptar. Ndërsa Fondacioni, “Dom Simon Filipaj” në Nju Jork e cila inicioi dhe e cila me ndihmën e bashkatdhetarve të zonës së Ulqinit, financoi ngritjen e shtatores së Dom Simonit në Shëngjergj, përjetësoi kujtimin e tij dhe mban gjallë kujtesën e Dom Simonit me vepra humanitare duke ndihmuar herë pas here familjet më të varfëra atje, por jo vetëm kaq. Është pra figura e Dom Simon Filipaj ajo që është nderuar dhe po nderohet jo vetëm nga shqiptarët nën Malin e Zi dhe nga diaspora shqiptare në Amerikë, por edhe nga Kisha Katolike e cila e ka nderuar atë me tituj të ndryshëm nderi për kontributin e tij, por Dom Simoni është dekoruar edhe me urdhërin “Naim Frashëri”, nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Moisiu.
E gjithë kjo veprimtari, tani dhe gjatë viteve përfshirë edhe ndërtimin e përmendores në Shëngjergj të Ulqinit, përveçse nderon Dom Simon Filipaj, ajo sipas vëllait të tij Dedë Ndoc Filipaj, i cili duke falënderuar Qëndrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë për organizimin e seminarit kushtuar veprës së vëllait të tij më 2010,është shprehur se të gjitha kujtime çojnë në vend edhe porosinë e madhe që na la Dom Simon Filipaj, ashtuqë fjala e Zotit të vrapojë, të shtjellohet e të sqarohet, të lexohet me atë dashuri me të cilën u përkëthye prej tij, gjithmonë në nder dhe bekim të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
***
PËR QËLLIME HISTORIKE, ISHTE ZËRI I AMERIKËS I PARI MEDIUM QË NJOFTOJË BOTËN E ATËHERSHME TË CENSURUAR SHQIPTARE PËR BOTIMIN E BIBLËS TË DOM SIMON FILIPAJ, MË SHUMË SE 30-VJETË MË PARË. TË INTERESUARIT MUND TË NDJEKIN RAPORTIN E VOA-s, TRANSMETUAR BOTËS SHQIPTARE POTHUAJ 35-VJETË MË PARË.
———————————————————————————————————–
Me 1980, unë isha i punësuar në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, dhe nuk më kujtohet se si në atë kohë më ra në dorë një kopje e ‘’Besëlidhjes së Re’’, të posa botuar, por më kujtohet mirë gëzimi me të cilin e priti stafi i vogël i atëherëshëm i seksionit shqip të VOA-s, pasi në atë kohë, pothuaj as nuk merrnin botime as libra nga trojet shqiptare në Ballkan. Pasi me krenari u thashë kolegëve se përkëthyesin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj e njihja mirë, ndonëse ai kishte qenë famullitari i im në Shën Gjergj të Bregut të Bunës, dhe si seminarist në moshë të re, përpiqej të më inkurajonte dhe të më frymëzonte për ndjekjen e studimeve dhe për dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat e kombit tonë. Me të marrë vesh për njohurinë time me Dom Simon Filipaj, shefi i atëhershëm i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Talat Karagjozi nga Gjirokastra më kërkoi që të përgatisja disa shënime të shkurtëra mbi këtë botim të ri për dëgjuesit e Zërit të Amerikës, pasi falë censurës së atëhershme, pothuaj askush, me përjashtim të disa qarqeve kishtare, nuk kishte dëgjuar as lexuar për ‘’Besëlidhjen e Re’’ të posa botuar në gjuhën shqipe. Unë, me kënaqësi iu përgjigja kërkesës së shefit tim dhe Zëri i Amerikës transmetoi lajmin përkthimin dhe botimin shqip të Biblës nga Dom Simon Filipaj:

PARAQITJA: ”Kohët e fundit na ra në dorë Besëlidhja e Re, ose Testamenti i Ri i Biblës, i përkëthyer shqip nga prifti katolik shqiptar i Arkipeshkvisë së Tivarit, i Përndershmi Dom Simon Filipaj, famullitar i Kishës Shën Gjergji, në Bregun e Bunës afër Ulqinit. Mbi këtë vepër të madhe të përkëthyer shqip, ju sjellim disa shënime të përgatitura nga bashkpuntori i Zërit të Amerikës, Z. Frank Shkreli.
RAPORTI: Këshilli i Dytë i Vatikanit me nxitjen dhe largpamjen e Papës Gjonit të 23-të vendosi që Dhjata e Re, ose Besëlidhja e Re të përkëthehet në gjuhë të ndryshme të botës për t’ua bërë të mundur dhe më të lehtë besimtarëve leximin e Shkrimit të Shënjtë. Menjëherë pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, në fillim të 1960-ave, dukej se ishte një gjë e pamundur që porosia dhe dëshira e Kishës të zbatohej për të përkëthyer Dhjatën e Re në gjuhën shqipe. Përkëthimi i Besëlidhjes së Re në gjuhën e sotme shqipe nuk është përkëthimi i parë e shpresojmë as i fundit i të Përndershmit Dom Simon Filipaj.Përveç kësaj vepre, ndër përkëthimet biblike të Përndershmit Filipaj përfshihen edhe librat liturgjikë, një seri lutjesh e leximesh bibliko-liturgjike, Katekizmi i Vogël, Bibla e Ilustruar për të Rinjtë dhe Ungjilli i Shën Mateut.
Pa dashur tua ulim vlerën veprave të lartëpërmendura, mund të thuhet lirisht se me veprën madhështore që ka bërë me përkëthimin e Besëlidhjes së Re në gjuhën e sotëme shqipe, Dom Simon Filipaj pasuroi kulturën dhe letërsinë e kombit shqipëtar, gjë që sipas arkipeshkvit të Tivarit, Imzot Pjetër Përkolaj dhe Ipeshkvit të Ferizajt, Imzot Nik Prëla, vepra e Dom Simonit është një traditë që filloi me Formulën e Pagëzimit dhe e cila , në të njëjtën kohë ripërtritë traditat e larta dhe të lashta dymijë vjeçare, kur trevat shqiptare hynë në tekstin e Shkrimit të Shënjtë, e ku citohen fjalët e Shën Palit apostull, i cili thotë vetë se ai predikoi në Iliri. Sipas Biblës, Shën Pali ka thënë këto: ‘’Ashtu e kreva plotësisht detyrën time të predikimit të lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin, prej Jeruzalemit e deri në Iliri.’’
I përndershmi Filipaj e përkëtheu Besëlidhjen e Re nga origjinali greqisht e latinisht. Duke marrë parasyshë rrethanat që edhe vetë Dom Filipaj i ve në dukje në parathënje, –nën të cilat ai është detyruar të punojë larg çdo qëndre konsultimi — këjo ndërmarrje ka kërkuar dhe nevojitë guxim dhe vullnet të fortë nga ana e Dom Simonit. Besëlidhja e Re është përkëthyer, si thamë më sipër, në gjuhën e sotëme shqipe dhe në bazë të rregullave drejtëshkrimore të sajë.
Pasi jep arsyet për një gjë të tillë duke thënë se nuk duhet të mbetemi fise në shekullin e 20-tët, ai në mënyrë modeste i kërkon falje lexuesit se nëqoftëse aty këtu, rrjedha e fjalisë është pakëz e vrazhdtë dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje lexuesit që Dhjata e Re të lexohet me atë dashuri me të cilën u përkëthye.
Nuk ka asnjë dyshim se me përkëthimin e Besëlidhjes së Re, Dom Simon Filipaj zhdukë një boshllëk të madh në letërsinë dhe në kulturën shqiptare.Dhe në të njëjtën kohë (këjo vepër) e bën kombin shqiptar të rrjeshtohet krenarisht me letërsinë dhe kulturat e popujve të tjerë modernë.
Libri i Besëlidhjes së Re në gjuhën shqipe ka lartë nga njëmijë faqe dhe mbulesa e saj është ajo e Mesharit të Buzukut. Në fund, lexuesi gjenë tabelën kronologjike me dy shtylla. Në shtyllën e parë është historia e përgjithëshme e njerëzimit, kurse në shtyllën e dytë gjëndet historia biblike e Besëlidhjes së Re që filloi nga viti 31 para Krishtit.
Si edhe shumica e botimeve katolike në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarët, edhe Besëlidhja e Re u botua me 1980, nga revista fetare e kulturore Drita e Ferizajt, me një tirazh prej 10.000 kopjesh.
Kur njeriu merrë parasyshë kontributin që kleri katolik shqiptar i ka dhënë dhe i jep kombit të vet, gjuhës shqipe dhe kulturës, është me vend që përkëthyesi, Dom Simon Filipaj, ua kushton këtë vepër madhështore kujtimit të përherëshëm të Buzukut, të Matrengës, të Budit, të Bardhit, të Bogdanit dhe të mbarë klerit katolik shqiptar, që me dashuri të pa tregueshme ia kushtuan — Fjalës së Hyut dhe ngritjes së Kombit — dijen, pendën dhe jetën.”

Filed Under: Editorial Tagged With: DOM SIMON FILIPAJ: “SHQIPTARË:, FLISNI SHQIP ME ZOTIN”, Frank shkreli

Z.Vuçiq, Vulinit ia kam thene njeherë, po ta them edhe ty!

September 4, 2014 by dgreca

”Vuçiç i quan shqiptarët “banditë”, jep autorizime për policinë serbe/
Nga Fahri XHARRA/
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo është kthyer nga Berlini, menjëherë ka vizituar bazën e xhandarmërisë serbe në kufirin me Kosovën. Ky është krim i organizuar” , tha ai dhe shtoi se beson që shqiptarëve të komunës së Podujevës “nuk do t’iu bien ndërmend të shërbehen me akte të tilla terroriste dhe të tërbohen në rrethinë të kësaj baze”, transmeton fjalët e tij Lajmi.net.”))
I pata shkruar çatipit serb :”Zoti Vulin! Kemi menduar se sado pak lufta e fundit iu ka mbushur mend : iu ka mbushur mend në kuptimin e marrëzisë serbe në lakminë e juaj të pa shterruar për të pasur edhe atë që nuk iu takon . Por ju harroni shpejtë ; me qëllim e harroni çdo gjë dhe bëhëni sikur nuk e keni ditur. “
Ky ishte mjerimi i politikanit serb kur ne nje rast krejtsisht paqësor Vulini pat thënë:
““Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë”
. E pa mundur me ju.
Zoti Vuçiq keni menduat që s`do të ketë më shqiptarë në Kosovë ? Si nuk e keni ditur që përkundër krimeve që i keni bër,ka qenë e pamundur të na zhbëni ? Sa shpejt që harroni !
Kurse tani i quajtët shqiptarët “banditë”, dhe jepni autorizime për policinë serbe që të ndëshkohen shqiptarët.
Edhe ju zoti Vuçiq ,ende nuk e keni dënuar të keqën dhe për ate ti nuk sheh as shqiptar e as njerëz në Kosovë, ti sheh vetëm banditër .Ata ta turbulluan mendjen .Dënimi i rrënjëve të së keqes është i detyrueshëm për të gjithë.
Zoti Vuçiq , ”Ka një doktrinë në Ballkan, një draft të vitit 1938, që kërkon haptas dëbimin e popullit më të vjetër të gadishullit. Ky draft është shkruar prej një akademiku të njohur me emrin Vasa Çubrilloviç dhe titullohet: “Dëbimi i shqiptarëve”.
Ju i qëndroni besnik këtij memorandumi .
“Në këtë program, bashkë me idenë se jeta e kombit serb nuk do të ishte e sigurt asnjëherë përbri shqiptarëve në Ballkan, e vetmja zgjidhje jepej dëbimi i këtyre të fundit. Ky dëbim duhej të niste me shqiptarët e Kosovës….Nuk di ndonjë rast që të jetë dënuar në Jugosllavi e më pas në ish-Jugosllavi. Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë e fshehtë terroriste. Më 1999, pra 60 vite më pas, gjithë bota pa vënien në jetë të këtij projekti: “dëbimin e famshëm” të shqiptarëve.(Ismail Kadare) “
Por ju Zoti Vuçiq veproni në kor ( chorum) , pas pak doli kjo :” Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia nuk do të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare të paqes me Kosovën.
Mediat në Beograd ndalen te deklarata e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, i cili gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor ka thënë se “Kosova është e gatshme për të vazhduar në fazën e dytë të dialogut”, i cili duhet të kishte përfunduar me “marrëveshjen ndërkombëtare për paqe në mes Kosovës dhe Serbisë “. Ju nuk e doni fqinjësinë !
Çfarë ironie , njëfarë Batakoviqi s`qenka i kënaqur me politiken serbe ndaj Kosovës . Drejtori i Institutit të Ballkanologjisë SANU, historiani dhe diplomati Dusan T. Batakovic i cili ka publikuar në Francë librin “ Dekada e stuhishme-Serbët në Kosovë pas vitit 1999: shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, pastrimi etnik dhe margjinalizimi”, është shfaqur kritik ndaj politikës aktuale që po ndjek Serbia në raport me Kosovën.
Ai nuk e paska pritur që shqiparët të jenë aq “ servilë “ ndaj Perëndimit .
Si menduat ju zotërinj që ne do të ndjekim pafuqinë tonë të vitëve te dumbabës dhe Esat PashëToptanit tuaj ?
Zoti Vuçiq , akademikuBatakovic ka thënë se “Kosova e pavarur është projekt amerikan, ku ndihmësit më të ngushtë kanë qenë gjermanët, të cilët në BE janë të ngarkuar me Ballkanin, bashkë me austriakët, mbrojtësit historikë të nacionalizmit shqiptarë në dy shekujt e fundit”. Ju pëleqeu kjo ?
“Sot SHBA’të janë të zënë me vatrat tjera të krizave, kështu që cementimi i pavarësisë së Kosovës, duket se tani është në duart e Gjermanisë. Shqiptarët kanë një qëndrim tradicional antirus dhe antiserb, janë klientë të dëgjueshëm dhe të gatshëm që për shkak të interesave të tyre t’u shërbejnë interesave afatëgjatë të Fuqive të Mëdha në këto hapësira: pra bashkëpunëtorë idealë ‘thot Batakoviq . Po si menduat ore zotërinj që ne
t`iu plotësojmë dëshirën dhe ta krijojmë kombin e ri Kosovar , ate që s`mundet ju ta bëni
me decenje të tëra ? ( shiptari , arbanashi, arnauti , këshu e deshtët .) Po si menduat ju zotërinj që ne në Kosovë të krijojmë identitete të reja fetare?
Zoti Vuçiq , Daciq , Batakoviq duhet ta dini që ne “shqiptarët, në bashkëpunim me NATO’n dhe kombet e caktuara europiane, jemi treguar aleatë dhe të dëgjueshëm !”
E di mire q ë ne ishim më “servilë” se sa që pritej nga ana e juaj .
E dijmë mirë që ju dhemb “separatizmi i cili me amendamentet kushtetuese të vitit 1968 -1972 dhe Kushtetutën e vititit 1974, u legalizua me ndihmën e famkeqit Eduard Kardel, nga diktatori komunist Josip Broz Tito. “
Kjo po iu dhemb” “Shqipëria e Madhe de facto ekziston edhe pse ajo nuk është formalizuar, ajo është realitet, sepse nuk ka më kufi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa është ndërtuar muri i pakalueshëm i Berlit ndaj Serbisë në Merdarë dhe në Jarinjë” (ka thënë Batakovic.) , sepse ju e deshtët Serbinë e Madhe
Fahri Xharra , 2 Shtator 2014
Gjakovë

Filed Under: Editorial Tagged With: Fahri Xharra, it ia kemi thene, nuk jane bandite, policia serbe, shqiptaret, ta themi dhe ty, Vuciq, Vulin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT