• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Lu: Të shqetësuar për nivelin e taksave, burokracinë qeveritare…

March 22, 2018 by dgreca

Deklarate e Ambsadori Lu ne takimini e Dhomes Amerikane te Trgetise/1 amb Lu

Anketimi i zhvilluar për Indeksin e Biznesit tregon se anëtarët e Dhomës Amerikane mbeten të shqetësuar për nivelin e taksave, burokracinë qeveritare, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, gjetjen e stafeve të kualifikuara vendase dhe nivelin e informalitetit.

Këto kanë qenë edhe për këtë Indeks Biznesi pesë shqetësimet kryesore.

Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016 në 42.45 në vitin 2017. Rezultatet e Indeksit të Biznesit 2017 – 2018, janë prezantuar sot në Asamble me të gjithë treguesit që masin besimin që kanë kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane në lidhje me parametrat kryesore të klimës së biznesit.

Një perceptim aspak pozitiv kanë patur bizneset anëtare të Dhomës Amerikane gjatë vitit 2017 edhe për klimën e brendshme politike, e cila ka rënë me 5.08 pikë si dhe për sigurinë në vend që ka pësuar rënie me 2.37 pikë.

Duke folur për rezultatet e Indeksit të Biznesit, Ambasadori Lu tha: “Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet akoma shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ambasadori Li, kristina, niveli i taksave

Festë-konkurs me dashamirësit e prodhuesit e verës në Montreal

March 22, 2018 by dgreca

Plot 15 vjet që në Montreal organizohet një festë-konkurs me dashamirësit e prodhuesit e verës/

Nga Ajet Nuro/1 Kiço Vathi

Ditën e premte, në datën 16 mars 2018, mora pjesë në një festë që është bërë tashmë traditë, në festën-konkurs, festën e verës. 2 MontrealAty, duke festuar postova një status fecebook me titull « Tradita vazhdon, festa e verës 2018!”. Kuptohet, miqët e mi më uruan ditën e verës. Por dita e verës për grupin që e feston atë ka një kuptim të dyfishtë dhe nuk kemi faj se vera si stinë dhe vera si pije janë homonime. 5 MontrealPor, organizatorët nuk harrojnë t’a organizojnë pikërisht në ditën më të afërt të mundëshme të festës sonë kombëtare, festës së verës që është 14 marsi.Unë kam vite që marr pjesë në këtë ngjarje, të veçantë për ngjyrat e saj, për nga elementet që i shtohen vit pas viti, për të papriturat që sjellin të pasionuarit pas verërave dhe rakisë që edhe pse larg at’dheut ku prodhimi i verës por sidomos i rakisë është një veprimtari normale e masive, ata me po atë pasion si edhe në vendin e origjinës, prodhojnë këtu verë dhe raki.4 Montreal

Kur i drejtohemi Kiço Vathit, organizatorit të palodhur të këtij aktiviteti, ai kujton se aktiviteti ka filluar në restoranin Parthenon në rrugën Van-Horne ku edhe u zhvillua disa vite me radhë pastaj edhe në restorantin shqiptar Varka por edhe në restorante të tjera deri në festën e këtij viti që u zhvillua në restorantin Focaccio me pronar zotin Sotiraq Shega.

Duke folur për konkursin që organizohet mes prodhuesve të verës, këtë vit morën pjesë 7 prodhues dhe pas të provuarit dhe votimit nga të gjithë pjesmarrësit, fitues u shpall zoti Kiço Vathi.

Çfarë simbolizon për ju ky aktivitet, i drejtohem zotit Vathi. Ai thotë se aktiviteti rritet çdo vit dhe kuptohet që ka vend edhe për përmirësime por, shton ai, por për mua si edhe për të tjerët rendesi ka fakti qe mblidhemi, komunikojme, diskutojme, provojme…

E mira e këtij grupi ose pjesa më e madhe e tyre, janë baza e shumë aktiviteteve të tjera që zhvillohen këtu në Montreal si kupa e futbollit, piknike apo edhe aktivitete të tjera kulturore e sportive. Aty pranë një gote me verë apo raki, rrjedhin bisedat për at’dheun e largët, për jetën e tyre në Kanada por dhe humori dhe kuptohet këngët e bukura të vendit tonë. Ndoshta, këtu qëndron edhe vlera më e madhe e këtij aktiviteti.Dua t’i falenderoj organizatorët për mundimin dhe ftesën e përvitëshme. Ky aktivitet padyshim është një vlerë që i shtohet shqiptarëve që jetojnë në metropolin e Kebekut dhe në rrethinat e tij.15 vite për një aktivitet nuk janë pak. Urojmë aktivitetin dhe pjesmarrsit, jetë të gjatë dhe integrim të të rinjëve për të mundur që aktiviteti të ruaj ngjyrat e verës dhe verërave kombëtare.

 Montreal 18 mars 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ajet Nuro, Konkurs i veres, Montreal

PRANVERA PA LULE E RRUGËS SË ARBRIT

March 20, 2018 by dgreca

Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…/

Le të gabohem unë…/
Le të festojnë dibranët…/

1 rruga e ArberitDhe një shënim për Gëzim Alpion: Bashkohem me ty kur shkruan: “Është për të ardhur keq që, ky brez politikanësh, duket sikur vepron, vetëm kur përballet me protesta rrugësh”.
Mjerisht kjo gjuhë në Dibër nuk njihet…1 Hap i shtrire

“Zyrtarisht”, me foto e filmime televizive, lopata e parë me dhe në “Rrugën e Arbrit”, është hedhur nga Fatos Nano në pranverën e vitit 2005. Vetëm “një lopatë” me një majë guriçkash marrë anës rrugës së vjetër në dalje të Bulqizës, dhe asgjë tjetër. Mbase, për njohje historike, relikte, nuk është vonë që atje mbi një “gurë ciklopik” nga ata që Skënderbeu u hodhi turqve osmanlinj në betejën e njohur të Fushë-Bulqizës, të gdhendet një basoreliev ku të shkruhet “Këtu nisi për tu harruar Rruga e Arbrit”.
Defterët e mëvonshëm të “hallvaxhinjve pushtetarë”, sipas veprimit “kaç e fug”, përcollën shumë majakazmash e majalopatash mbush me nga një “grusht dheu”, gërshërë e shiritash kuq e blu prerë nën bubullima daullesh e vikama adoleshentësh militantë duargrisur përplasjesh frenetike.
Zëri i dibranëve u ngjir së kërkuari “rrugën e tyre” që në fakt është “rrugë e të gjithëve”, udhë në lashtësi me emrin “Rruga e Arbrit”, udhë ilire që vinte në radhë karvanët nga Durrësi në Shkup e Varna të Bullgarisë,
Një peticion shkruar para 20 vjetësh dhe Rruga e Arbrit stela-stela sot, një peticion, një kërkesë  njerëzore firmosur nga 43 intelektualë dibranë e përcjellë strukturave të shtetit shqiptar të kohës që nga presidenti Berisha e me radhë teposhtës së kaskadës shtetërore deri tek prefekti i qarkut të Dibrës.
E gjeta midis relikteve të jetës time që çuditërisht nuk më ka rënë poshtë  rrugës së gjatë të ikjes dhe qëndrimit tash njëzet vjet në troje të huaja.
Gjeta edhe një dorëshkrim timin të marsit 1996 me titull “RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS  me shënimin: “Alternativa për zhvillimin e zonave malore”.
Nuk mund t’i mbajë në arkivin tim, thjesht se ata i përkasin një hapësire  që lidhet me një trevë e me zëra që nuk kanë pushuar së ngrituri deri në shkallën më të lartë të pentagramit zërin  NDËRTONI RRUGËN E ARBRIT!
Nuk është thjesht një peticion që fillon me “Jemi një grup intelektualësh të rrethit të Dibrës…” është një pamflet historik, një thirrje brezash në shekuj që ecën në këmbë kësaj rruge duke shkruar biografinë e saj.
Citohet Aleks Buda në thënien e tij “Dibra ishte ndër pikat kyçe ku vihej në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë në dy pjesë”.
Citohet Ana Komnena e cila kur flet për fisin ilir të Albanëve-Arbërve, përmend edhe krahinën Albanon që shtrihej gjatë rrugës midis Durrësit e Dibrës, krahina e Arbërisë, me qafa, rrugë të përpjeta dhe kulla të shumta.
Dijetari italian Antonio Baldaçi për këtë rrugë shkruante: “Qytetërimi Romak kishte zhvilluar një rrjet rrugor në Shqipëri, arteriet kryesore transversale të së cilës ishin Via Egnatia… pastaj ajo midis Durrësit e Dibrës duke kaluar nëpër Mat”
Vaid Kormaku, mësues dhe studiues i pasionuar i Dibrës, citohet si “i pari që përmendi faktin se rruga lidhte Stambollin me Detin Adriatik krahas “Via Egnatia” sipas itinerarit: Gallatë – Stamboll – Adrianopol – Filipopol, për të hyrë në trekëndëshin Sofie – Nish – Shkup, gjatë luginave Morava – Vardar, Lugut të Vardarit – Fushës së Pollogut – Gostivar – Mavrovë – Grykë të Radikës bri katundeve Trebisht – Radostush – Dibër e Madhe – Grykë të Vogël – Grykë të Madhe – Valikardhë – Qafë Buall – Guri Bardhë (Petralba) – Shkallë e Tujanit – Krujë – Durrës.
Intelektualët argumentojnë se “Që në mesjetën e hershme…Krahina e Arbrit ka qenë vendi i kryqëzimeve transversale e horizontale të trojeve etnike të kombit shqiptar – epiqendër e trojeve etnike. Këto rrugë janë kthyer në arterie të rëndësishme që kryejnë lidhjet e kombit në kohët moderne”.
Duke folur me gjuhën e argumentit historik etnik, intelektualët dibranë  deklarojnë se “Vetëm një rrugë dhe pikërisht ajo më strategjikja nuk është kthyer në rrugë moderne automobilistike. Është fjala për Rrugën e Arbrit, të quajtur më vonë Rruga e Katriotëve, Rruga Durrës – Fusha e Tiranës  – Tujan – Qafë Murrizë – Guri i Bardhë – Ura e Vashës – Plani i Bardhë – Qafa e Buallit – Vajkal – Ura e Qytetit (Valikardhë) – Homesh – Dibër.”
Protesta e tyre se… “Nuk ka krahinë që të lidhet me kryeqytetin dhe portin e Durrësit në mënyrën më diskrete dhe qesharake se krahina e Dibrës”… pason deklaratën – argument: “Mos të harrojmë se në qoftë se flasim për zona të populluara dhe bujqësore të Shqipërisë së sotme politike, këto janë pellgu i Korçës dhe Lugina e Drinit të Zi”.
Ata argumentojnë se “Kalimi i Qafës së Murrizit (1120 m.), sikur edhe pa asnjë tunel e shkurton rrugën 75 kilometër…”
Intelektualët nuk e mbajnë për vete idenë e ndërtimit të rrugës tradicionale nëpër Shkallën e Tujanit. Ata deklarojnë se ajo është shtruar për zgjidhje  që në vitin 1929 kur parashikohej ndërtimi i dy tuneleve njeri në hyrje të Shkallës së Tujanit dhe tjetri në të dalë të Shkallës…
Intelektualët argumentojnë se pushteti diktatorial kurrë nuk i dha Dibrës atë që i merrte…kromin, mermerin, pasuritë e mëdha të nëntokës e mbitokës, për të arritur deri në deklaratën e  vitit 1972 të kryeministrit Mehmet Shehu i cili tha se “…përmirësimin e kësaj rruge mund ta shfrytëzonte armiku për agresion mbi Tiranë” (?!)”, një argument qesharak që e la Dibrën me një rrugë me 4 metra gjerësi.
Grupi i intelektualëve Dibranë i kërkonte presidentit Berisha, qeverisë, institucioneve si dhe organizmave shtetërore e shoqërore që varen prej tyre…”T’i kthejë Dibrës rrugën e vet tradicionale që edhe dibranët të lidhen me kryeqytetin e vet më të shkurtër…”
Zëri i intelektualëve dibranë mbeti në “koshin e plehrave” të presidentit të atëhershëm të shtetit shqiptar, kryeministër për tetë vjet më vonë, në “koshin e plehrave” të kryeministrave që pasuan…Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Edi Ramës…
Jo vetëm ai peticion, por edhe më i riu, ai i iniciuar nga Gëzim Alpion, Bujar Karoshi e të tjerë, firmosur online dhe me kalem në dorë nga 15 mijë dibranë e bashkëkombës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në të gjithë botën.
Me dhjetëra kanë qenë deputetët dibranë të të gjitha ngjyrave partiake ulur në karriget e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Asnjeri nuk u ngjit në tribunën e Kuvendit me peticionin e shkruar dhe me zërin e dibranëve të incizuar në dorë për të kërkuar me forcë ndërtimin e Rrugës së Arbrit. ASNJERI?!
Rruga e Arbrit është aktualisht stela – stela, arna – arna, pa kokë, pa trup, pa këmbë, pa zë e pa figurë.
Për ndërtimin e saj nuk mjafton nënshkrimi i 42 intelektualëve, nënshkrimi i mijëra të tjerëve. Pushtetarët nuk kanë veshë për të dëgjuar e as sy për të lexuar…
Për ndërtimin e saj është çjerrë me zërin e ngjirur në shkallën sipërore të pentagramit, tash tre vjet, pranverë, verë, vjeshtë e dimër kryeministri Edi Rama, herë me tepsi copa-copa e herë me tepsi bidevi për vete. Premtime, premtime, premtime… Shumë zhurmë, shumë zhurmë…Dhe asgjë.
Erdhi edhe pranvera e parë e tepsisë së madhe…
Me një tender që s’ka as germa për t’i lexuar e as fjalë për t’i dëgjuar…
Erdhi pa lule…
Pranvera pa lule e “Rrugës së Arbrit”…
Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…
Le të gabohem unë…
Le të festojnë dibranët…

Abdurahim Ashiku

Athinë, pranverë 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Rruga e Arberit

Lindja e Hibridit Kontroversial

March 18, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons GRISHAJ/

Njeriu, krijon në jetë konceptin e vet për universin dhe shoqërinë. Zgjidhja  e tij lind si dëshirë dhe si nevojë, shpesh herë dhe si pasion. Për disa, dëshirat janë modeste e të kufizuara  brenda një kornize. Për ëndërrimtarët – vizionarë, hapësirat janë të pakufizuara deri në infinit. Por ka dhe një kategori tjetër, e cila mundohet të realizojë një ide apo një qëllim, të cilin edhe kur e arrijnë nuk ia dalin ta menaxhojnë, ose e trajtojnë në mënyrën e tyre. Qëllimi personal hipotekues (e kam përmendur diku dhe në një shkrim tjetër)  asfikson “suksesin” dhe paaftësia për ta trajtuar drejtë arritjen, lind një rrugë virale, e cila mund infektojë dhe degradojë atë dhe rrethin ku jeton. Rrezik ky, që shpesh të çon në autoritarizëm, pamëdyshje, kanceri i zhvillimit shoqërisë dhe shtetit.

Bernard Shaw said: “ The reasonable man adapts himself to the world, the unreasonable one persist in trying to adapt the world to himself. Therefore all progress depends on the unreasonable man.”

Por çfarë ndodh? Ashtu siç thashë më sipër, njeriu krijon konceptin për universin dhe shoqërinë, por shqiptari ka specifikat dhe natyrën e vet, çka duket në faktin që megjithëse ka kohë që vegjeton në konglomeratin e rruzullit akoma nuk ka tjetërsuar “stilin” e të menduarit dhe të vepruarit.

Një pjesë e shoqërisë tonë edhe pse ka vite që është larguar nga atdheu duke ndërtuar një jetë pa kokëçarje, jeton në bazë të normave tradicionale, kjo, është për t’u admiruar deri në njëfarë mase. Sepse, kur vjen puna tek gjykimi i shëndoshë dhe frutdhënës, ka prapë diçka që mungon. Gjykimi vjen i pluhurosur, nganjëherë anakronik e destruktiv. Kjo nuk ka të bëjë më shumë me traditën dhe genin, sesa me personin e transformuar nga kushtet dhe rrethanat e jetesës, nga ambieti shoqëror i djeshëm, por dhe i sotëm. Pse vazhdon të ndodhë kjo?

Unë do sjell shkurt pa ngarkesa këndvështrimin tim duke gjilpërizuar “diapozitivat” nga kazani i fikur i rregjimit, të cilët sollën shkatërrimin tradicional në kohë dhe hapësirë, duke fshirë  përfundimisht balancat e klasasave shoqërore shqiptare, bashkë me traditën mijë vjeçare, të zëvendësuar me filozofinë komuniste të “barazisë”. Dikush mund të thotë: “Ishte koha …, dhe koha sjell ndryshimet e veta.” Jo!  koha është e njëjtë, dhe jo siç thonë disa mendimtarë që koha sjell shërim dhe ndryshim. Moti dhe brezat lëvizin, duke evoluar, regresuar apo ndenjur në vendnumëro, por jo koha! Njeriu e ka në dorë ta administrojë kohën, t’i  japë formë si skulptori veprës, ose ta tresë në hiç!

Retrospektivë, diapozitivi i parë:

Populli shqiptar vuajti dhe u varfërua nga luftërat e gjata me pushtues. Në Shqipëri, latifondistët dhe të pasurit numëroheshin me gishtë. Midis klasës  tyre dhe shtresave të tjera pati një disnivel të theksuar. Latifondistët dhe klasa e pasur nuk luajti ndonjë rol sinjifikativ në zhvillimin e vendit, sepse ishin oportunistë, herë me “baba” turkun, herë më interesat e ngushta private që ua diktonte biznesi. Megjithatë,  ndihmuan në punësimin e fshatarësisë që nuk kishte tokë.

Diapozitivi  i dytë:

Familjet me prejardhje borgjeze, të cilat kanë qenë të pakta në Shqipëri, përbënin inteligjencëne vendit. Avokatë, doktorë, profesorë etj. Ato u bënë shembulli i dijes dhe vetëdijes kombëtare, dhe me klasin e lartë që i  karakterizonte, emancipuan shoqërinë në sjellje, kulturë e dije, duke ndërtuar bazamentin e ndërgjegjes shoqërore dhe nacionale shqiptare.

Diapozitivi i tretë:

Familjet qytetare, pavarësisht nga veshja, me apo pa ferexhe, me barnavekë apo me kësula të huazuara, allafrënga apo tradicionale, ruajtën  gjithnjë finesën dhe kulturën e hollë të stilit të jetesës dhe sjelljen civilizuese. Spiranca e vaporit kombëtar u ankorua gjithnjë në qytet.

Diapozitivi i katërt:

Familjet “malësore”, familje këto që u shpërngulën nga qyteti, të  detyruar nga rrethanat pushtuese. Zhvendosja e tyre për të ruajtur fenë dhe tradicionin e pastër krijoi  karakterin nopran, karakterin malkoc (Malkoc. Koc-mali, i fortë si shkëmbi. Kurse në gjuhën komuniste: Malësorë. Malok, njeri i rëndomtë, injorant; që ka prejardhjen prej malit etj… Fjalë e stisur pa pikë kuptimi neologjistik), i cili, adoptoi stil të ri jetese për t’i mbijetuar natyrës së egër dhe mungesave jetike. Besimi tyre për të qëndruar të pastër dhe burrëror u bë legjendë deri në ditët e pushtimin komunist. Ata ishin në ballë të luftërave për liri. Qenë të parët që ngritën krye kundër internacionalizmit proletar.

Diapozitivi i  pestë:

Popullsia fshatare, e cila përbënte dhe pjesën më vitale të popullit tonë, pikërisht për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Ishin  rregullatori jetik i qytetarëve dhe malësorëve. Qenia e tyre punëtore e urtë ndihmoi gjithnjë në zgjidhjen e problemeve jetike dhe kombëtare të popullit shqiptar.

Këndvështrimi aktual i pesë diapozitivave më lart, i shpërbërë forcërisht  në një:

Gjatë revolucionit komunist, këto pesë shtylla njerëzore që mbajtën gjallë frymën dhe balancën  nacionale u tradhëtuan. Boshti tradicional filloi të zvetnohet, duke huazuar traditën sllave (si më parë turke),  aspak perëndimore dhe civilizuese, për të cilën luftoi populli shqiptar me në krye, Skënderbeun. Kështu, aristokracia latifondiste dhe pronarët e mëdhenj të tokave, klasa borgjeze, shtresa qytetare, malësorët dhe fshatarët u shkrinë në epruvetën e dhunës ideologjike dhe kimike të PP-së, duke krijuar një hibrit kontroversial. Kjo ishte tradhëtia dhe pabesia më e madhe e regjimit. Në sfond u shaq zambi me drapër e çekan, kazëm e lopatë. Drapëri për të prerë qafa,  dhe çekani për të shtypur koka…kazma e lopata për të hapur varre për viktimat e prera nga drapëri dhe çekani. Pasojat qenë shkatërruese, sa dhe geni i fortë u dëmtua rëndë psikologjikisht, nga injektimi i sensit të frikës dhe vetëmbrojtjes përtej imagjinatës, deri në sëmundje.

Këtu, kam parasysh disa familje tradicionale patriotike të vuajtura nga diktatura që mbijetuan nga holokausti barbar komunist. Fatkeqësisht shoh se, trashëgimtarët e tyre, në vend që të jenë mendje hapur, persona nobël, e të përçojnë traditën brilante patriotike në bazë të principeve fisnike, notojnë në pellgun dehumanist, duke përdorur chicanery. Përmendja e biografive në punë vullnetare dhe anatemimi i njerëzve të civilizuar e patriotë  për retaliation nuk përkon me frymën e të parëve, dhe me filozofinë moderne perëndimore. Frymëzimi i pakuptimtë nga “tregimtarët” e përrallave me katallaj, vë në lëvizje lokomotivën e shpifjeve që ulërijnë tym të zi. Tymnaja nxin dhe atë pak virtyt që fiket bashkë me nisjen e nonsensit.. Në këtë rast, fisnikëria kualitative bjerr kuptimin e martirizimit të shenjtë. Ujitja e broçkullave me benzinë shfaq ndjeshëm egërsinë e huazuar nga ideatorët e drapër-çekanit. Fryma sjelljes ciklopiste ndez motorat e luftës  brenda llojit, grish frymën e vet’humbjes dhe ngul kazmën varrmihëse në proçesin e zhvillimit.

Ky budallallëk i shfaqur rrallë tek klasa e vuajtur, është me shumicë tek klasa  politike shqiptare, çfarë tregon se, brezi tjetër do të ketë të njëjtën ngarkesë virusale.

Në botën e qytetëruar respektohet mendimi i shumicës si shenjë civilizimi, si verdikt human e ligjor. Po pse nuk ndodh në shoqërinë tonë kjo dakordësi si rregull e busull në zhvillimet politiko-shoqërore?

Sëmundja e të shkuares në tashmen, egoizmi, cmira, ushqejnë  obsesionin në abisin e ripërsëritjes së refrenit të unshëm egocentric.

Çfarë duhet bërë për të shëruar mbartjen negative të mikrobit deformues në breza? Propaganda e shëndoshë duhet të jetë e qartë për një luftë parimore për të mundur të keqen. Nuk është e lehtë, biles shumë e vështirë. Në këtë luftë duhen të ndërgjegjësohen filantropët për të ngritur një fond për një komision psikologësh historianësh, dhe poltikanësh që nuk e kanë virozën anakronike  që të punojnë sëbashku me vetmohim për të dalë nga ky batak i turpshëm. Kjo do zvogëlojë hapësirën e infektimit dhe spekullimeve që ushqen rritjen e malit të plehrave. Përdorimi i kartonit të shumicës së shëndoshë (jo shumicës grabitqare) duhet të funksionojë për vendosjen e disiplinës, jo si ndëshkim indisiplinor, por si ligj. Nëse fryma e “arsyes” presupozon pritje dhe klemencë për të rregulluar nonsensin sistematik të hibritit kontroversial, biles stimuluar me dyshek dhe jorgan puplash… siguroj se, budallallëku do fitojë trofenë e arsyes,  çfarë nënkupton sakrifikimin e konceptit të lirisë dhe të drejtës. Si pasojë, fantazmagoria e hekuraçave dhe shulave të ndryshkur do rishfaqë botën e errët pa diell, në të cilën kemi jetuar më parë.

O, Zot! Në këtë kontekst, pranoj se, “radikali i lirë” është një molekulë që  nuk mund të karikohet!

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj, e Hibritit Kontroversial, Lindja

Kosova ka nevojë për një Strategji të qartë në Diplomacinë Ekonomike

March 16, 2018 by dgreca

1 Besnik Hoti

Nga Besnik Hoti/ Zëvendësministër MPJ/*

Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur dy synime themelore: themelimin dhe funksionalizimin e shërbimit diplomatiko-konsullor, si dhe lobimin për njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu gjatë këtyre viteve Ministria e Punëve të Jashtme e ka promovuar në mënyrë aktive diplomacinë publike si mjet i prezantimit dhe forcimit të imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në mënyrë paralele poashtu ështe zhvilluar edhe diplomacia ekonomike, por, e cila nuk ka ndikuar në axhendë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye ka dalë si domosdoshmeri hartimi i një strategjie kombëtare për diplomacine ekonomike. Një orientim i tillë drejt diplomacisë ekonomike vjen natyrshëm pas konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës ku deri më sot, është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës dhe e anëtarësuar mbi 60 organizata të ndryshme ndërkombëtare. Prandaj, në këtë fazë të re të zhvillimit të Republikës së Kosovës, nevojitet një qasje e re proaktive ndaj diplomacisë ekonomike.

Kjo qasje e re duhet t’i adresoj të gjithë faktorët që sot e mundësojnë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës si vend potencial për investime, duke krijuar një listë të prioriteteve, koordinimin e politikave, dhe proceseve institucionale, në formën e një strategjie, e cila do të mundësojë realizimin e një standardi të  qëndrueshëm në diplomacinë ekonomike, duke suportuar investitor në sfera të ndryshme dhe sektor kyç të ekonomisë.

Strategjia Kombëtare për Diplomacinë Ekonomike si strategji e zhvillimit nuk adreson të gjitha aspektet e qeverisjes, por vetëm ato që lidhen me zhvillimin gjithëpërfshirës të diplomacisë ekonomike. Për më tepër, ky dokument duhet të  përfaqësoj një dokument nismash zhvillimore të cilat prioritizohen si  objektiva kombëtare.

Po ashtu, duhet kuptuar se zhvillimi i shtetit të Kosovës varet nga performanca ekonomike si dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik në tregje, investime dhe zhvillimin e turizimit. Për te pasur një diplomaci ekonomike të sukseshme duhet pasur qasje racionale në të shfrytëzimin e avantazheve të   ambientit të jashtëm, e cila do të mundësojë rritjen e përfitimeve nacionale në të gjitha fushat e aktiviteteve, duke përfshirë tregtinë, investimet, si dhe të gjitha shkëmbimet e tjera të nevojshme ekonomike. Pra, në kuptimin e përgjithshëm diplomacia ekonomike, mund të shërbejë për të zgjeruar rritjen e influencës ekonomike dhe duke shërbyer më shumë si strategji, se sa instrument i politikës së jashtme. Në këtë aspekt, diplomacia ekonomike kalon nga promovimi i bizneseve jashtë vendit drejt zhvillimit të strategjisë, e cila involvon rrjetin diplomatik për ti përfaqësuar dhe ndihmuar në reklamimin e produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, përmes misioneve diplomatike mundësohet promovimi i potencialeve ekonomike dhe burimeve natyrore, fizike dhe njerëzore të Kosovës.Disa  prej qëllimeve kryesore të diplomacisë ekonomike përmes strategjisë kombëtare duhet të jetë:

-lehtësimi i qasjes në tregjet e huaja për bizneset nacionale;

– tërheqja e investimeve direkte të huaja; dhe

– Pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare duke i’u shërbyer interesave nacionale.

Kompenentat kryesore të cilat do të mundësojnë realizimin e një diplomacie të sukseshme ekonomike, nuk përfshin vetëm angazhimin ekonomik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por më tepër, atë të Tregtisë së Industrisë, dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Pra, nuk ështe vetëm një njësi e promovimit të diplomacisë ekonomike në kuadër të hierarkisë institucionale. Por, të gjitha këto institucione shtetërore së bashku duhet të ndërrmarin nisma të përbashkëta për funksionalizimin ndër-institucional me qëllim realizimin e suksesshëm të diplomacisë ekonomike. Bashkëpunimi i këtyre institucioneve ështe i domosdoshëm për shkak të ndërlidhshmërisë së ushtrimit të diplomacisë ekonomike dhe praktikimit te diplomacisë tradicionale.

Roli i misioneve diplomatike konsullore në tërheqjen e investimeve strategjike të huaja

Tërheqja e investimeve direkte të huaja do të bazohet në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në Ligjin Nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës dhe Ligjin Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja. Këto dy ligje kanë për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës. Ligji inkurajon dhe mbështet investimet vendore dhe të huaja në sektorët si; energji, infrastrukturë, miniera, transport dhe telekomunikacion, turizëm, bujqësi dhe shëndetësi. Poashtu këto ligje japin garanci maksimale juridike për investitorët e huaj. Gjithashtu ligji për themelimin e zonave ekonomike dhe zonave ekonomike të lira ka për qëllim “nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë afariste. Pra, ky ligj do të krijojë premisa për tërheqje të drejtpërdrejtë të investimeve të huaja që sjellin vlerë në ekonominë e Kosovës.Prandaj është e domosdoshme duke u bazuar në kapacitetet ekzistuese të misioneve diplomatiko-konsullore, të fuqizohet më tutje promovimi i diplomacisë ekonomike si dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së këtyre misioneve për promovimin e mundësive të reja, potencialeve dhe idenfitikimin e investitorëve strategjik.

Gjithashtu duhet bërë përcjellja e ngjarjeve biznesore në vendet ku misionet diplomatike janë të akredituara për të prezantuar imazhin e Kosovës si destinacion i përshtatshëm për bizneset e huaja. Në këtë kontekst, misionet diplomatike duhet të sigurojnë material propagandues për kapacitetet egzistuese të Kosovës, me qëllimin e mbajtjes së prezantimeve përpara bisnemenëve në vendet e cileve misioni diplomatik është i akredituar. Po ashtu, një nga objektivat kryesore të “diplomatëve ekonomike” duhet të jetë edhe mbrojtja e bisneseve nacionale të cilat operojnë në tregjet e huaja, si dhe mbështetja e tyre për krijimin e lehtësirave të eksportit të produkteve vendore në rrjetin ekonomik ndërkombëtar. Një nga pikat kryesore të misoneve diplomtike duhet të jetë edhe vendosja e kontakteve me diasporën tonë dhe intensifikimin e bashkëpunimit me bisneset kombëtare.

Në përgjithësi top prioritet i Qeverisë së Kosovës duhet të mbetet PROGRESI EKONOMIK. Ministria e Punëve të Jashtme dhe misionet diplomatike, duhet të shfrytëzojnë diplomacinë ekonomike për të implementuar këtë prioritet. Në këtë rrafsh puna e përditshme e Ministrisë duhet të jetë:Përfaqësimi i Republikës së Kosovës si një destinacion për promovimin e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të bërit biznes,

-Aktivitete për stimulimin e eksporteve të produkteve vendore; këto aktivitete duhet të kontribuojnë në përforcimin e pozitës së vendit si vend i përshtatshëm në të bërit biznes dhe si vend i përshtatshëm për turizëm.

Trajnimi i stafit të autorizuar për aktivitete ekonomike

Duhet të sigurohet trajnim adekuat për personelin e autorizuar për aktivitet ekonomike, qofshin ata diplomatë të cilët deri më tani kanë pasur pozita të rëndësishme në hierarkinë diplomatike, apo ata të cilët për herë të parë e pretendojnë një gjë të tillë. Në këtë aspekt, një rol të vecantë duhet ta luaj edhe Akademia Diplomatike përmes trajnimeve adekuate.

Pastaj caktimi i ‘diplomatëve ekonomikë’ duhet të ndodhë në bazë të analizave të detajuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke marrër parasysh interesin e vendeve të huaja për të ardhur dhe investuar në Republikën e Kosovës. Krijimi i një stafi i cili mund të shërbejë si përgjegjës për promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në vendet ku duhet të shërbejnë, përbënë një proces kompleks në vetvete. Së pari, ata duhet të njohin kapacitetet e vendit të tyre në kuptimin e gjerë, duke përfshirë këtu legjislacionin i cili e rregullon sferën e ekonomisë, ndryshimet të cilat ndërrmiren në vazhdimësi përmes legjislacionit me qëllim për të përmisuar ambientin e biznesit për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe projektet madhore për të cilat ka nevojë Kosova. Me një politikë të tillë afat-mesme (2018-2021) duhet të parashohim ndryshime kulitative në strukturën e stafit nëpër misione diplomatike dhe konsullore dhe në përgjithësi në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të futur rrjetin diplomatik në shërbim të promovimit të ekonomisë.

  • E falenderojme zv.Ministrin Hoti qe e ndau kete opinion studimor me lexuesit e Diellit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Besnik Hoti, Diplomacinë Ekonomike, ka nevojë për një Strategji të qartë në, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT