• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhen të tërhiqen subjektet politike shqiptare nga kualicioni qeveritar në Mal të Zi?

March 29, 2024 by s p

Xheladin Zeneli/

Të Merkurën,me 27 Mars 2024 në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, është aprovuar raporti i cili rekomandon dhe njëkohësisht i hap rrugën anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Raporti u votua me 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Në befasi të askujt, kundër këtij raporti votuan 2 përfaqësues të Serbisë, përfaqësuesi i Bosnjë e Hercegovinës dhe i Malit të Zi. Me vendimin e tyre, Serbia përmes Aleksander Vuçiqit dhe Bosnja e Hercegovina përmes presidentit të Republikës Serbe, Milorod Dodik, arritën të ndikojnë që edhe përfaqësuesi i Malit të Zi t’ju bashkangjitet vendimit të tyre kundër Kosovës.

Që nga formimi i qeverisë së re të Malit të Zi në Tetor të vitit 2023, qeveri kjo e dalur nga zgjedhjet parlamentare të muajit Qershor e të njëjtit vit, me të drejtë është folur shumë për elementet pro serbe dhe pro ruse që ishin bërë pjesë përbërëse e këtij pushteti.

Pjesë e koalicionit aktual të qeverisë së Malit të Zi janë edhe dy subjektet politike shqiptare: kualicioni “Forumi Shqiptar” dhe kualicioni “Aleanca Shqiptare”.

(Për hir të korrektësisë, vlen të përmendet këtu se Lidhja Demokratike në Mal të Zi, u tërhoq nga kualicioni qeverisës në momentin kur kryetar i Kuvendit u zgjodh Andrija Mandiq dhe që nga atëherë nuk është pjesë e kualicionit të partive shqiptare “Aleanca Shqiptare).

Ishin pra prezenca e këtyre elementeve pro-serbe me sentimentin anti-Kosovë që me rastin e formimit të qeverisë së re nxiti reagime dhe shqetësime në opinionin shqiptar lidhur me pjesëmarrjen e këtyre dy subjekteve politike shqiptare në këte qeveri.

Shqetësimet e atëhershme u dëshmuan si të vërteta me votimin e përfaqësuesit të Malit të Zi kundër raportit i cili i jep Kosovës dritën e gjelbërt në rrugën drejt anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës, ditën e Mërkurë, me 27 Mars 2024.

Të mos përmendim këtu edhe vizitën që pak kohë më parë, Milorad Dodik i bëri kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, në Podgoricë.

Rikujtojmë se në marrëveshjen e kualicionit qeverisës, e arritur me rastin e formimit të qeverisë në Tetor të vitit të kaluar, pjesë e së cilës janë edhe dy subjeket e lartpërmenduara politike shqiptare në mes tjerash, thuhet:

”Qeveria do të mbetet e përkushtuar për harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e marra ndërkombëtarisht.

Kjo duhet të garantojë se Qeveria nuk do të marrë vendime që do të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës…”.

Shihet qartas që erdhi deri te cenimi i marrëveshjes paraprake në mes të subjekteve politike shqiptare të cilat ndajnë pushtetin me qeverinë aktuale lidhur me mos ndryshimin e politikës së jashtme të Malit të Zi, posaçërisht asaj në raport me Kosovën.

Vertetë që pati reagime deklarative nga disa përfaqësues shqiptarë lidhur me votën ‘kundër’ nga ana e përfaqësuesit të Malit të Zi ndaj hapjes së rrugës për Kosovën në Këshillin e Europës, por sa do të kenë efekt këto deklarata në rishqyrtimin e këtij vendimi skandaloz për Malin e Zi, mbetet të shihet.

Por, nga perspektiva e faktorit politik shqiptar mos respektimi i marrëveshjes duhet të jetë një kërcnim serioz i besimit të tyre ndaj kësaj qeverie.

Prandaj, unë mendoj se se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat kritikuese të përfaqësuesve politik të shqiptarëve ndaj vendimit të përfaqësuesit të Malit të Zi kundër Kosovës, por ata duhen ta konsiderojnë edhe terheqjen nga koalicioni qeveritar me qëllim që t’ju dërgohet një mezash i qartë qeverisë së tanishme të këtij shteti se ata, pra subjektet dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk do të tolerojnë të kenë kthim mrapa kur bëhet fjalë për çështjen e shtetësisë së Kosovës dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë të pengohet integrimi i Kosovës në organizatat euro-atlantike.

Filed Under: Ekonomi

Kryeparlamentari Glauk Konjufca: Kosova e palëkundur në përpjekjet për integrim evropian, demokraci dhe barazi

March 27, 2024 by s p

Ka filluar dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës Takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë. Nën drejtimin e bashkëkryesuesve, Mimoza Kusari Lila dhe Lukas Mandl, sesioni i parë trajtoi një varg temash që lidheshin me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën e saj euro-atlantike.

Në fjalën e tij para anëtarëve të këtij komisioni, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vlerësoi rolin e BE-së në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, promovimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, duke shprehur përkushtimin për të punuar së bashku në adresimin e sfidave dhe avancimin e mëtejshëm të integrimit të Kosovës në BE.

Duke përmendur sfidat që Kosova ka para vetes, kryetari Konjufca theksoi nevojën e vazhdimit të zbatimit të reformave në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Ne kemi treguar tashmë përkushtimin tonë për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të siguruar që institucionet tona të jenë transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne besojmë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesa thelbësore e marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse, si një parakusht i domosdoshëm që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksoi kryetari Glauk Konjufca, duke shtuar se përkushtimi i palëkundur i Kosovës për anëtarësimin në BE qëndron si një fanar i shpresës, duke reflektuar aspiratat e qytetarëve të saj për demokraci dhe prosperitet.

Kreu i Kuvendit tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ishte dhe vazhdon të jetë një moment historik, i rëndësishëm, drejt integrimit më të thellë, duke theksuar respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe vlerave evropiane.

Kryetari Konjufca potencoi gjithashtu se miratimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nënvizon përkushtimin e vendit ndaj bashkëpunimit dhe integrimit ndërkombëtar. Të drejtat themelore, veçanërisht të drejtat e pakicave dhe grave, sipas tij, janë parime themelore të përkushtimit të Kosovës për barazi dhe gjithpërfshirje. Ai tha se strategjitë që synojnë avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë janë shembull i përkushtimit të vendosur të Kosovës për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia apo orientimi seksual.

“Si përfundim, Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrim evropian, demokraci dhe barazi. Ne besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i japin përparësi zgjerimit dhe të japin përfitimet e premtuara pasi të jenë plotësuar kushtet”, tha në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.

Bashkëkryesuesja e KPSA-së, Mimoza Kusari-Lila takimin e sotëm e konsideroi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Duke kujtuar masakrat që shteti i Serbisë kreu mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, në 25-vjetorin e tyre, Kusari Lila tha se duke parë luftën kaq afër nesh, në Evropë, na kujtohet sasia e punës që duhet bërë të gjithë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

“Duke pasur parasysh se viti 2024 është vit zgjedhor për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet janë në afërsi, ju duke qenë këtu me ne, flet me zë të lartë për angazhimin tuaj të palëkundur për zgjerimin e BE-së dhe për qëndrimin pranë Kosovës në këto momente të rëndësishme dhe vlerësimin e hapave që po bëjmë, duke shkuar drejt integrimit në BE”, theksoi bashkëkryesuesja Mimoza Kusari Lila.

Ajo kujtoi edhe njëherë sulmin terrorist nga grupi paramilitar i Serbisë në veri të Kosovës dhe vrasjen e majorit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, akt ky i cili, siç tha ajo, nxori në dritë fytyrën dhe synimin e vërtetë të Serbisë, për të penguar komunitetin serb në Kosovë të integrohet dhe gjithashtu për të sulmuar dhe destabilizuar jo vetëm Kosovën, por paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Kusari Lila tha se komuniteti ndërkombëtar e ka marrë parasysh progresin tonë, ku Kosova ka shënuar përmirësim të dukshëm në indekset e ndryshme ndërkombëtare.

“Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, rruga jonë mbetet e vendosur drejt një integrimi më të thellë evropian. Diskutimet e sotme jo vetëm që do të reflektojnë mbi arritjet tona, por gjithashtu do të përshkruajnë rrugën për sfidat dhe mundësitë që na presin. Angazhimi ynë për reforma, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, do të na shtyjë drejt vizionit tonë të përbashkët për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar“, theksoi Kusari Lila.

Lukas Mandl, bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në paraqitjen e tij bëri thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, ndërsa përkujtoi se Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymën e mirëbesimit dhe të kompromisit për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve që janë mbajtur me herët dhe se zhvillohet në një moment me rëndësi për Kosovën dhe BE-në.

“Nga takimi i marsit Kosova ka përjetuar dy ngjarje, dhuna në maj dhe sulmi terrorist në Banjskë. Përsëris thirrjen e PE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ftoj që të ketë implementim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, pa vonesa. Theksoj që Parlamentit Evropian i vjen keq për masat që i janë bërë Kosovës dhe kërkon heqjen e tyre”, theksoi Mandl.

Duke marrë fjalën në takim, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Republika e Kosovës i vlerëson lartë rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet mosnjohëse, për njohjen e progresit që Kosova ka arritur në reformat e thella politike dhe ekonomike, që ndërlidhen me integrimin tonë evropian, për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, për mirëpritjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për mbështetjen e aplikimit tonë në Këshillin e Evropës, për thirrjen ndaj Komisionit Evropian për largimin e masave restriktive, si dhe për dënimin e sulmit agresor e terrorist në Banjskë në termat më të ashpër.

Ai tha se Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe po punohet secilën ditë që kjo të bëhet realitet sa më shpejt, jo vetëm si qëndrim politik, por edhe si qëndrim e vullnet i qytetarëve të vendit.

Edhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, bëri thirrje të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i konsideruar tragjikomike.

“Kemi dy programe të bashkëfinancuara dhe këto kanë për qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe forcimin dhe kam kërkuar nga z. Tomas dhe ju lus të bëni çmos t’i përjashtoni këto dy programe nga masat. Me këto masa po i godisni komunitetet, ju lus të bëni diçka për këto masa sepse nuk po mundemi të bëjmë diçka me programet“, theksoi Rashiq, duke shtuar se po bën çmos që serbët në katër komunat në veri të marrin pjesë në zgjedhje.

Shefja e Sektorit Politik, Ekonomik për Integrim Evropian, AnnaCarin Platon, duke folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian, rikonfirmoi bashkëpunimin mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që Kosova të zbatojë reformat dhe të arrijë progres, duke përmendur një varg objektivash që duhet realizuar.

Takimi i komisionit vijoi me diskutimet e nënkryetarit Bahrim Shabani, deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Armend Muja dhe Eliza Hoxha, si dhe europarlamentarëve Thijs Reuten dhe Ladislav Ilçiq. Gjatë fjalimeve ata paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me progresin dhe sfidat në fushën e reformave të lidhura me integrimin në BE, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

“24 Marsi 1999, data e mirënjohjes kombëtare ndaj USA/NATO”

March 24, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Siç është gjerësisht e njohur, 24 Marsi 1999, simbolizon 25 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake, të skalitur në historinë e lavdishme të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtumi Serb, por edhe si “datë e shenjtëruar në memorien e mirënjohjes Kombëtare”! Në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, ri-sjell në kujtesë rrethanat dhe peshën gjeopolitike të kësaj datë-ngjarje madhore:

Së pari, mbrëmjen e 23 Marsit 1999, misionari i paqes, Ambasadori mirënjohur Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, “i refuzuar brutalisht nga Millosheviçi” në përpjekjen diplomatike për të ndalur gjenicidin si dhe evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Në orët e para të ditës tjetër, pra 24 Mars, (për herë të parë nga krijimi Saj në 1949) fuqia ajrore e SHBA/NATO u angazhua një luftë historike “jashtë artikullit 5”, pa miratimin e KS/OKB-së, por që e legjitimoi NATO-n si “Aleancën e lirisë, paqes, shpresës dhe besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën!

Kështu, 24 Marsi 1999, simbolizon jo vetëm përvjetorin e një ngjarje të lavdishme për historine gjeopolitike të NATO-s por meriton të skalitet në përjetësi nga mbarë Shqiptarët edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të ShBA/NATO-s si dhe ndaj vlerave perëndimore.

Përveç kësaj, kjo datë konfirmoi vendosmërinë e Perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, dhe megjithë përpëlitjet e Ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit Shqiptar.

Edhe në situaten aktuale, 24 Marsi mbetet një gjarje me “mesazhe të forta shprese” për fundin që e pret Rusinë-Putiniste e cila: “mbas mbi dy vjet lufte barbare nuk e pushtoi dot as me valle, tanke dhe raketa Ukrainën martire”. Ndërsa përkundër fitores, ka humbur me turp 50 % të teritoreve të pushtuara, inisjativën strategjike të luftës si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin, interesat dhe fuqinë e pakonkurueshme ushtarake të NATO-s. Tashmë nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Beograd, që pikërisht për shkak të kësaj lufte, Kremlini gjendet sot më i izoluar/diskretituar se asnjëherë me parë (p.sh vetëm Kim-Jongu, Vućić, e uruan për vetë-mandatimin me bajoneta); rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB si dhe Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e zullumqarëve rreth tij.

Së dyti, shpreh keqardhjen për mungesën delirante “të mirënjohjes institucionale në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore nga të pushtetarët e Prishtinës” përkundër domosdoshmërisë jetike që ka Kosova për forcimin e bashkëpunimit me parnerët strategjik ShBA/NATO/BE!

E gjej zgënjyese që për herë të parë mbas 25 vjet pavarësi, krye-çlirimtarët e Kosovës, pra Washingtoni zyrtar ka ngritur një zhgënjim serioz: “ne/SHBA jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk po konsultohet dhe nuk po punojnë me ne/ShBa për sigurinë rajonale”!

Shpreh revoltën, për të mos thënë neverinë strategjike jo vetëm për vendimarrjet e pakonsultuara me SHBA-të por veçanërisht për riciklimin e kokëfortësisë bollshevike dhe të sovranitetit folklorik nga të gjithë-Pushtetshmit e Kosovës, ndaj politikanëve dhe opinionistëve mëndjendryshkur në Prishtinë, Tiranë, etj.

Duke përsëritur “përuljen ndaj të rënëve/Dëshmorëve të atdheut si dhe nderimin më të thellë ndaj sakrificave për pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës në shekuj”, mbas 25 vitesh besoj edhe më fortë se në koshiencën kombëtare dhe Institucionale të jetë përjetësisht e skalitur, që: “çlirimi i Kosovës nga pushtuesit Serb gjithësesi nuk u arrit as nga luftërat, as nga qëndresat dhe as nga sajrificat e popullit të Kosovës”.

Për shkak të së vërtetës shpresoj ta “pranojmë fisnikërisht” se vetëm falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATO-s, Millosheviçi nënshkroi kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244 dhe të shenjtëruar në Flamurin e Kosovës nga Sh.T. Presidenti Rugova. Për këtë, mjafton të sjellim qetësisht në vëmendje që në Marreveshjen e Kumanovës, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës ndërsa siguria territoriale, i’u ngarkua KFOR-it, me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s dhe jo vetëm.

Prandaj, as ligjëratat marksiste dhe as bejtet patriotike mbi sovranitetin dhe të drejtat sovrane nuk do të munden kurrësesi të errësojnë rolin përcaktues të “çlirimtarëve të vërtetë” [ShBA/NATO/UK] të Kosovës nga pushtimi Serb dhe as peshën kritike që prej një çerek shekulli, ato vijojnë të mbajnë për paqen, stabilitetin si dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës.

Thënë këto, data 24 Mars meriton të skalitet jo vetëm si data e mirënjohjes mbarë-Kombëtare ndaj USA/NATO-s por si dhe dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve dhe rreth 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 25 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe Rajon.

Së treti, për shkak funksioneve që kam ushtruar 25 vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe Rajon. Sigurisht kam bërë detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat Euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar në NATO si dhe forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele, etj si dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit, përfshi Beograd; në Këshillin e Atlantikut në Washington; me Ekpertë/kolegë të sigurisë në Bruksel, Qëndrën Marshall, Gjermani, Kolegjin e Romës, në 32 vendet e NATO-s.

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam adresuar si pyetje të thjeshta/publike, ndaj z.Vuçiç dhe Gjeneralëve të tij: “përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për armatatosjen nga Rusia me Tanke; Mig-29, Helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës (?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë (?/nga askush); apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia” ?

Nga ana tjetër, nuk kam asnjë mëdyshje, që 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 25 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me endrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithësesi, Rusia – Putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore, apo duke e diskretituar Beogradin “deri me agresion ushtarak!” jo vetëm ndaj sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe kundër prezencës së shtuar të KFOR/NATO-s në terren.

Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralet dhe mëndjet putiniste në Beograd (dhe jo vetëm) si dhe për sovranistët folklorikë të Prishtinës: “përsa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)”!

Në shtesë, në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë, dialogun konstruktiv, bashkëjetesën paqësore për ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë:

1. Përsa për 25 vjet fatekeqesisht 2-palët nuk po i zgjidhën dot mosmarreveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar dialogun konstruktiv, masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve, duke i dhënë njëkohësisht besim parnerëve Euroatlantik.

2. Ndërsa Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet-neoStaliniste” në gojën e “gjeneralëve delekuent” për valëvitjen/rikthimin e flamurit Serb në vendin e krimeve kundër njerëzimit si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe popullit Shqiptar.

Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1 miliard € në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka ZERO, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe FSK në Kosovë; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 3 nëna (Moska, Brukseli dhe Washingtoni), apo luajtur me disa porta/vende jo-miqësore me NATO-n. Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bejë trimin tërbuar të Putinit duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën..!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekpertët e Pentagonit edhe 246 raketat Javelin të miratuara nga DASH/SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese por VETËM për të ushtruar të drejtën sovrane të vetë-mbrojtjes së tërësisë teritoriale të Republikës së Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo Jo?

3. Prishtina Zyrtare, pa u konsultuar me parnerët strategjik/ShBA, kurrësesi nuk do duhej/t të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët/USA, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vllazërisht aktorët mëndjehapur të Prishtinës që: “çlirmimi nga pushtuesit Serb në 1999 si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

4. Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjëgjesi të lartë kombetare dhe fisnike të demostrojnë mirënjohje ndaj ShBA/NATO-s. Ndërsa përkundër: “vednimarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë për protagonizëm internacionalist”, e çmoj si emergjencë kombëtare, ngritjen e një “Grupi të Urtësh – Wise Group” me personalitete të gjithëpranuara, që përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare për t’i dhënë jetë një plafforme të përbashkët “2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke garantuar parnerët strategjik se kjo “platformë e vonuar” do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë në rajon.

Sigurisht që: “ky projekt (2-Shtete 1-Komb), nuk ka kurrësesi lidhje me dalldisjen bollshevike që vjen nga fuqia elektorale e mbi-Pushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që presin (duke u dridhur) radhën në SPAK; as me pluralizmin fasadë dhe as me mjerimin e opozitës të pushtuar nga sekserët; por as me aguridhet 50 milioneshe € të ish-Kryetarit të ushtrisë së vdekur si dhe një grushti egocentrikësh të semurë, që si kamikaz të lidhur pas karrikeve, blinduan dyert dhe mbajnë çelsat e depos së kashtës duke përmjerë mbi Institucionin/PD që u ka dhuruar kolltuqe, llokma dhe ofiqe”.

5. Ndërsa, parnerëve strategjik, aktorëve dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Serbia “të imponohet” që: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (2) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, 2 kushte që gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

Në përmbledhje, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 24 Marsi 1999 do të mbetet një këmbanë alarmi për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të rajonit, pasi: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Kosovës, të Serbisë si dhe 4 vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor”.

Filed Under: Ekonomi

Kosova, Shqipërinë partnere kryesore tregtare dhe shumë bashkëpunime

March 23, 2024 by s p

-Kryeministri Kurti në konferencë për media në 3-vjetorin e qeverisjes/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Mars 2024/ Shqipërinë e kemi partneren tonë kryesore tregtare, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës  dhe Transfereve, Hekuran Murati,  në 3-vjetorin e qeverisjes.

“Shqipërinë në vitin 2023 e kemi partneren tonë kryesore tregtare. Investimet nga Shqipëria në Kosovë ishin 5 herë më shumë në vitin 2022,  sesa në vitin 2019. Abetaren e unifikuam, e filluam punën edhe për enciklopedinë shqiptare. Për të thelluar edhe më tej lidhjet, gjithashtu filluam ndërtimin e rrugëve që lidhin fshatrat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Kurti.

Ai theksoi se, Investimet të cilat po i bëjmë në infrastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon. “Kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren- Tetovë. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe gjithashtu, kemi bërë gjithçka nga ana jonë si palë për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, pra në marrëveshje me Malin e Zi”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

 Ai vlerësoi se, vitin 2024 Kosova e ka filluar si është më së miri në raport me marrëdhëniet me jashtë. “Deri më tani, ky vit është vit i pasaportës sonë, i fuqizimit të saj. Tash e tre muaj udhëtojmë lirshëm e pa viza në zonën Shengen, përfshirë këtu edhe Spanjën, që iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pasaportën e Kosovës”, tha Kurti.

Filed Under: Ekonomi

“Telegraf” – Frank Shkreli: 33-vjet nga zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane

March 22, 2024 by s p

Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për EuroAzinë, ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.

Telegraf.al / Zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit 1991 dhe rivendosja e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara atë muaj, me syrin e një shqiptaro-amerikani pjesëmarrës në ato ngjarje – ishin historike, por edhe zhgënjyese, njëkohësisht, për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë, 30-vjet më parë, në Departamentin e Shtetit në Uashington, pas pothuaj gjysëm shekulli ndërprerjeje, “Memorandumin e Mirëkuptimit”, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, nga të dy vendet.

“Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para, as të lira, as të drejta, si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të më vonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike”

Në vitin 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera kushte, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje me autoritetet shqiptare.  Por, sipas Departmentit të Shtetit, si përgjigje ndaj kësaj kërkese, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria.  Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në mars të vitit 1991. Për Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e lira dhe demokratike ishin aq të rëndësishme në vitin 1991, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945 dhe ashtu siç janë edhe sot, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe komunizmit zyrtar në Shqipëri – gjithnjë bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.  Ndryshimi është se sivjet, bëhet thirrje edhe për “lista të pastra”.Pothuaj e njëjta procedurë si në vitin 1945 qe ndjekur nga Amerika edhe 30-vjet më parë në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hedhur hapat e para për hapjen e  ambasadës së re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para “pluraliste”, ndonëse delegacioni amerikan konstatoi shpejt se ato zgjedhje nuk do të ishin as të lira dhe as të ndershme — që ishin caktuar të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991.  Delegacioni amerikan i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Sëartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit në Ëashington dhe në javë para mabjtjes së zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri. duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që shkelte në tokn e Shqipërisë ç’prej vitit 1946.  Monitorimi i zgjedhjeve   të para “pluraliste” ishte një prej objektivave kryesore të delegacionit amerikan gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë 30-vjet më parë si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të shkojnë përpara ç’prej asaj date. Kësaj rradhe — pasi jemi në prak të një raundi tjetër zgjedhjesh në Shqipëri — deshta të kujtoj atmosferën e zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve — si anëtar i delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Megjithëse gjendja politike kishte filluar të ndryshonte, të pakën me fjalë, në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejt një liberalizimi të ngadalshëm drejt hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore dhe një procesi të gjatë tranzicioni të pa fund për demokratizimin e jetës post-komuniste në vend, pas një izolimi të vet-imponuar nga ish-regjimi komunist për pothuaj 50-vjet. Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para – as të lira dhe as të drejta — si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të mëvonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike të këtyre 30-viteve për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe trashëgiminë e saj, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, bazuar në standardet ndërkombëtare.  E them këtë se procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para “pluraliste” ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara, të drejtën dhe mundësitë e barabarta për të zhvilluar një fushatë efektive.

“Vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shenjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare”

Në zgjedhjet e para “pluraliste”, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi të gjitha aspektet e jetës politike, ushtarako-policore, ekonomike dhe shoqërore në vend, sidomos kontrollonte mjetet e komunikimit dhe median, jetike këto për zhvillimin e një fushate politike efektive. Ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën as burimet e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës, që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare.  Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek zyrat e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane gjatë qëndrimit tonë atje – e që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në disa rrethe, shihej konfuzioni i tyre dhe zhgënjimi për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë në radhët e tyre.  Megjithë entuziazmin, kjo atmosferë pasigurie dhe ngathjeje nga ana e tyre vihej re kudo. Ishte e theksuar mungesa e mundësisë dhe të drejtës së partive opozitare për të përdorur median publike – televizionin dhe gazetat – që kontrolloheshin fund e krye nga Partia e  Punës.  Në të vërtetë, më kujtohet se megjithë rëndësinë historike të vizitës së delegacionit amerikan dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin, arritja e delegacionit amerikan në Tiranë pothuaj u injorua fare nga media zyrtare.  Mesa kishim mundësi të ndjeknim burimet e lajmeve në atë kohë në Tiranë, “Rilindja Demokratike”, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq entuziazëm — pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqësuesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as candidate, sepse koha për t’u përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër.  Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të shkurtit, ashtu që opozita të kishte edhe më pak kohë për t’u përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin deri me 31 Mars. Megjithëkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj dhe kishte rrënjë të thella në mbarë shoqërinë shqiptare.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose  të kishin një zyrë qendrore funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitës elektoratit shqiptar.  Megjithëse votimet u cilësuan nga disa monitorues të huaj, sidomos europianë, në përgjithësi, si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin ato si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej si e “drejtë dhe as e lirë.”

Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutëiler, bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira.”  Zëdhënësja e Departmentit Amerikan të Shtetit, ka thënë duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se, “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”.  Zëdhënësja e DASH, me atë rast, kishte shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Uashingtoni, “Do të mbështesë vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, deklaroi para 30- viteve, ish-zëdhënësja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para “pluraliste”, në Shqipëri. Manipulimet e zgjedhjeve, që përfunduan në fitoren e Partisë së Punës, shkaktuan shpërthimin e revoltave në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi ka lenë një plagë të rëndë për familjet e tyre, për Shkodrën dhe 30-vjet më vonë mbetet një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshirë identifikimin e individëve në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe.

“Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në korridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve”

Fatkeqësisht, edhe sot pas 30 vjetësh të këtyre vrasjeve, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shterërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur. Thuhet se këto të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarëve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër.  Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve. Më kujtohen mirë — megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” — shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë për një fillim të ri historik, për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.  Por vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shenjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – madje 30 vjet më vonë – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.  Shqipëria, shqiptarët dhe kombi në përgjithësi meritojnë më shumë dhe më mirë se kaq: shqiptarët duan një qeveri të përgjegjëshme dhe një parliament të denjë për shqiptarët e shumë vuajtur!
   

March 1992, Between Tirana and Kavaja, Albania — Donkey Carrying Crates and an Elderly Man in the Rain — Image by © Peter Turnley/CORBIS
29 Mar 1992, Between Tirana and Kavaja, Albania — Two old horses pull a rickety wagon on a paved road through plowed fields. — Image by © Peter Turnley/CORBIS

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT