• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Naum Prifti, Bilal Xhaferi dhe frika e redaksive

September 4, 2025 by s p

Julika Prifti/

Shkrimtari Naum Prifti, i cili ka lënë pas po aq vepra të pabotuara sa ka edhe të botuara, ka edhe një pasuri të rrallë të letër-shkëmbimeve me të atin dhe dy vëllezërit më të mëdhenj të emigruar në ShBA, me shokë të Shkollës Mjekësore, si edhe me shkrimtarë të afirmuar të kohës, me lexues e krijues të rinj. 

Për fat të mirë, ashtu si edhe vëllai i tij, Peter Prifti, ai ka ruajtur letrat e dërguara dhe në disa raste përgjigjet e letrave janë të paktën në dy kopje ose janë kopjuar me dorë. Ndërsa i ndaj me kujdes materialet e pabotuara sipas zhanreve, në skenarë filmi me metrazh të gjatë, novela, tregime, përralla, libret për teatrin, librete baleti, përmbledhje këngësh të vjetra, fjalor i fjalëve të rralla, fjalor me emra lulesh, e me radhë, i vendos në një kuti më vete që e kam quajtur Korrespondenca e Naum Priftit.  

Arti i të shkruarit të letrave më ka tërhequr gjithmonë dhe ka qenë një praktikë që nuk e kam braktisur as sot por e kam kufizuar në kohët e festave, duke pranuar se teknologjia e ka modernizuar ose shfytyruar këtë formë komunikimi në sinjale e kode elektronike që transmetohen në rrjetin gjigand kompjuterik si mesazhe emejli dhe tekste që mund t’i lexosh në çdo cep të globit. Por. këto që kaloj në duar janë letra të shkruara nga dora e babait dhe ngjajnë si “tregime” të shkurtra, në të cilat letërshkruesi komunikon në nivelin më njerëzor për një hall a një shqetësim me marrësin. 

Letra drejtuar Bilal Xhaferrit (1935-1986) flet për anën personale të Naum Priftit, karakterin e tij dhe besimin për të ndihmuar këdo, pavarësisht pozitës në shoqëri, si regjisor a aktor, shkrimtar a letrar i ri, ushtar apo oficer i lartë. Nga data e letrës del se ishte koha kur ishte botuar vëllimi i parë me tregime i Bilal Xhaferit “Rrugë dhe fate” po ashtu edhe disa poezi të tij në periodikë të ndryshëm. Është i dukshëm komunikimi i tyre miqësor dhe me respekt të ndërsjellë. Babit i ka pëlqyer tregimi Hurmat “nga ana artistike”, siç shkruan ai, por në tentativat për ta botuar atë është ndeshur me ngurtësinë dhe stepjen e organeve të regjimit në krijimet “me konflikt real nga jeta jonë “. 

Besoj se leximi i letrës mjafton për ta njohur kurajën dhe shpirtin human të letërshkruesit. 

I dashur shoku Bilal! 

Letra juaj më gëzoi shumë dhe e kam lexuar më tepër se një herë. Ju falenderoj si për fjalët e mira që më shkruani ashtu edhe për respektin që keni ndaj meje. Unë nga ana ime ju siguroj se tek mua kurdoherë do të gjeni një mik,  të cilit mund t’i drejtoheni në çdo rast a për çdo gjë dhe ai ka për tu treguar i gatshëm.

Për tregimin ” Hurmat” nuk patëm fat. Në Kolegjium nuk u treguan entuziastë ashtu si kurse unë dhe bënë ca vërejtje si këto që po ju shkruaj këtu më poshtë.

  1.  Ç’do të tregojë autori dhe ku është qëllimi i tregimit?
  1. Pse një fakt i supozuar bëhet kaqë i madh?  A nuk do ishte më e drejtë sikur ai që në fillim të tregonte se s’ kishte marrë asgjë.

III. Për të nxjerrë figurën e policit të mirë, i bëri gjithë të tjerët të këqinj.

Pika e tretë qe ajo më e rëndësishmja rreth së cilës u ngjallën dhe diskutimet më të mëdha. Kundra vërejtjeve të tilla skematike është vështirë të luftosh me mjete artistike.

Unë mbeta në qëndrimin tim dhe pas disa ditësh e shpura tregimin në revistën Nëntori. Pas dy javëve edhe Ibrahim Uruçi më tha çuditërisht pikën e tretë të vërejtjeve. Atëherë e mora tregimin e po e ruaj meqenëse ju nuk keni as origjinalin. Tani nuk di si të veproj. Mendoj t’ja shpije “Zëri i Rinisë ” ose “Dritës”, po nuk do më pëlqente të veproja pa u pyetur juve.

Unë vazhdoj të mendoj se ai është një tregim i mirë nga ana artistike, me konflikt real nga jeta jonë dhe pakë i ashpër. Pikërisht këto dy gjërat e fundit i bëjnë redaksitë të stepen, sado e çuditshme që mund të duket kjo. Po gjithmonë jeta ka paradokse.

Juve si ia shpini? Shpresoj se të paktën, nuk kini ndejtur pa shkruar gjë këto muajt e fundit.

Kur tu bjerë rasti të kaloni nga Tirana mos harroni të më bëni një vizitë të shkurtër.

Ju uroj suksese në punën tuaj. Duke ju shtrënguar dorën fort, ju përshëndes me dashuri 

Naum Prifti

Tiranë, 22 -VII-964

Filed Under: Emigracion

Dëmshpërblimet e diktaturës

September 1, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet. 

Në retrospektivë, sa herë afrohen zgjedhjet në Shqipëri qeveritë zgjidhin minimalisht “qesen”, i hedhin një kafshatë parash ish të dënuarve politike e vetëm kaq. Po, 50 vite mizori, plagë e drama pa fund kush duhet t’ia kompesojë e rikuperojë kësaj shtrese. Qeveritë shkojnë e vijnë për oreks të tyre, nuk mendojnë për popullin, aq më tepër për ish të persekutuarit politikë të Shqipërisë. Por askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet. 

Në Shqipëri po shpërndahet kësti i pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti, por akoma jemi larg pagesave të tjera përfundimtare. E njëjta gjë po ndodh edhe me mos gjetjen e eshtrave për personat e zhdukur nga komunizmi, vrarë pa gjyq. 

Edhe pse Shqipëria përjetoi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë shlyer dëmshpërblimet për ish të burgosurit dhe internuarit politikë. Të persekutuarit politikë në Shqipëri u përdorën 34 vite nga politika si fasadë për fushatë elektorale. Të zhgënjyer një pjesë e mirë u larguan nga kjo botë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marrë atë shumë që u takonte nga torturat e vuajtjet e rënda që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqëndrimit nga regjimi makabër i diktaturës komuniste. 

Duke iu referuar hartës, vendet ku kanë vuajtur dënimet ish të burgosurit dhe të internuarit politikë janë të shumta për një vend të vogël si Shqipëria, por duhet të kthehen në Muze, si kujtesë e së shkuarës së hidhur të popullit tonë nga vetë diktatorët shqiptarë. Kaluam një histori të dhimbshme, të tmerrshme, pasojat e së cilës thërrasin akoma për ndihmë. U arrit deri aty që babai të denonconte tek sigurimi i shtetit djalin e tij, gruaja burrin e burri gruan, komshiu – komshiun, kështu me radhë. 

Lufta e klasave ishte prezente kudo. Divorcet nëpër familjet shqiptare u bënë të “modës” nëse njëri nga prindërit arrestohej për agjitacion – propagande diheshin pasojat, fëmijët e tyre të martuar do të divorcoheshin për çështje biografie, nipërit e mbesat u rritën vetëm nga njëri prind…

Duke u ndalur serish tek personat e zhdukur nga komunizmi vrarë pa gjyq, ku janë mbi 6 mijë viktima pa varr dhe akoma nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Problemi i fondeve dhe përballja me të shkuarën vështirësojnë ecurinë e procesit.  Pranverën e vitit 2015, qeveria shqiptare ftoi Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP për gjetjen e varreve të të pushkatuarve gjatë komunizmit. 

Sipas medias në dhjetor të 2015 u prezantua një projekt i këtij procesi jo të lehtë për tu zbatuar, ku përfshihej për zbatim edhe projekti pilot për identifikimin e 56 viktimave në Dajt dhe 86 të zhdukurve të tjerë në Ballsh. Po sipas shtypit vendas fatura e përllogaritur në shumën 950 mijë euro do të sillte fillimin e menjëhershëm të punës nga ICMP duke ngjallur shpresën e familjarëve të të zhdukurve. Por ky proces edhe sot nuk po ecën me ritmin premtues. Fondet e dala nga BE për gjetjen e eshtrave e të vrarëve pa gjyq u kërkua që të zbatohet nga vetë BE-ja në bashkëpunim me ICMP, e cila punësoi edhe një zyrtar të saj në Tiranë. 

Drejtori i Programeve të ICMP për Ballkanin Perëndimor Matthew Holliday u tha shqiptarëve që, “Të krijonin regjistrin qendror të të humburve dhe mos humbisnin kohë, por të vepronin. Si dhe paralajmëroi se fillimi i këtij procesi të madh do jetë i mundimshëm qe kërkon vullnetin dhe angazhimin e të gjithë institucioneve”. 

Të përndjekurit politikë deklaruan se shumë prej trupave janë zhdukur, për shkak se janë varrosur në rrëpira ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm. Pas krijimit të një database me ADN-të e familjarëve, kostoja për gjetjen dhe identifikimin e çdo viktime e tejkaloi shumën 1500 dollarë.

ICMP që u angazhua në këtë proces është themeluar në vitin 1996 si përdorim i efektshëm i ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur. Ky institucion funksionon nën ombrellën e OKB-së dhe ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të rreth 40 mijë të zhdukurve nga konfliktet në ish Jugosllavi. 

Personalisht ndalem edhe tek ky proces pasi prekem nga ky segment i hidhur jetës, xhaxhai im Rasim Dajçi është pushkatuar si antikomunist pa gjyq nga forcat sllavo – komuniste dimrin e vitit 1945 në Prizren. 

Eshtë obligimi im, për të gjetur eshtrat e xhaxhait tim të zhdukur e të vrarë nga komunizmi me në krye Shefqet Peçin në Prizren më 1945, ku u pushkatuan gati 15 ushtarakë të lartë. Para pushkatimit jo vetëm që i shëtitën nëpër rrugët e Prizrenit si armiq të popullit e stacionet e autobusëve, por fotot e tyre u afishuan nëpër shtyllat elektrike e trungjet e pemëve. Për këtë ngjarje kanë folur e shkruar ish i burgosuri dhe i arratisuri politik Sami Repishti, publicisti Frank Shkreli, shkrimtarja Eglantina Mandia etj.

Nëntë vite më parë një thirrje e OKB-së, tërhoqi vemendjen autoriteteve shqiptare se, duhet të sigurojë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Njihet ligjërisht se pas ardhjes në pushtet të diktaturës së proletariatit deri në vitin 1991 Shqipëria “aplikoi” zhdukjen e personave të vrarë pa gjyq. 

Lajmi i OKB-së, u bë i njohur pas vizitës një javore në Shqipëri nga Drejtuesja e OKB-së, Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha, tha ajo, që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Salmi kanë të drejtën e dëmshpërbilimit, mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.

Rezultatet tregojnë të kundërtën. Këto thirrje e udhëzime të komunitetit ndërkombëtar akoma nuk po zbatohen në Shqipëri. Atje ka shumë probleme që janë lënë “në harresë” e vendi mbulohet nga korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe krimi brënda familjes.

Janë hapur dy qendra muzeale nga qeveria aktuale në Tiranë, por aty nuk pasqyrohen të gjitha plagët që i ka shkaktuar padrejtësisht popullit tonë ai regjim monstruoz, i cili sa më shumë të ishte vonuar aq më tepër viktima e të burgosur politikë do të kishim. Të gjithë do të kalonim nëpër atë gijotinë, që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ishte krijuar industria e spiunazhit, zhdukjeve e vrasjeve me edhe pa gjyq. 

Shteti shqiptar me ligje duhet të caktojë një festë zyrtare për të nderuar shqiptarët që vuajtën nga diktatura komuniste në Shqipëri. Për nder të viktimave të komunizmit nëpër botë, SHBA kanë ngritur një “Memorial Përkujtimor” në Washington, D.C., ku simbolizohet me statujën e një gruaje. Po Shqipëria pse mos ketë një të tillë, çfarë e pengon? Ndërkohë reminishenca komuniste shfaqet kudo edhe sot nëpër mediat e Tiranës dhe kjo përbën shqetësim të madh për demokracin në vend.

Në mbështetje të OKB-së për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri dhe për të zgjuar qeverinë shqiptare nga gjumi letargjik, një dokumentar mbi këtë Temë ka realizuar edhe TV BBC, iniciator i të cilit ishte gazetari dhe ish Drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa të ftuar dhe protagonistë ishin Kryeministri Edi Rama, ish i internuari politik Simon Miraka, ish i burgosuri politik Gjeneral Rahman Parllaku, ish i burgosuri politik Saimir Maloku, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, unë (Mimoza Dajçi) dhe ish Zv/Ministri Nikolin Kurti. Por akoma nuk po shikojmë dritë në fund të tunelit për realizimin e udhëzimeve të OKB-së.

Kjo Rezolutë duhet të tërheqë vëmendjen edhe të Qeverisë së Kosovës rreth vrasjeve, burgosjeve, zhdukjes dhe terrorit që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1945, sepse ishte një masakër vëllavrasëse direkt me urdhër të Enver Hoxhës që u krye në Prizren në vitin 1945, nga forcat sllavo – komuniste, ku u pushkatuan 15 ushtarakë të lartë që shërbenin për rendin e qetësinë e qytetit.

Filed Under: Emigracion

𝐒𝐨𝐭 𝐬𝐡𝐞̈𝐧𝐨𝐡𝐞𝐭 𝟓𝟑𝟕 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢 𝐢 “𝐇𝐨𝐫𝐚 𝐞 𝐀𝐫𝐛𝐞̈𝐫𝐞𝐬𝐡𝐞̈𝐯𝐞𝐭” (𝐏𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐝𝐞𝐠𝐥𝐢 𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐞𝐬𝐢)

August 31, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.

Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.

Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.

Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More

Si të le e më së të pë!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam edhe tim vëlla:

Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.

O dritë e syve të mi.

Ne jemi bijtë e Kastriotit.

Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një 🇦🇱

Filed Under: Emigracion

Garancitë e sigurisë për Ukrainën nga NATO: Realitet i vonuar apo iluzion i rrezikshëm?

August 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Që prej agresionit rus ndaj Ukrainës, një pyetje e thjeshtë, por e tmerrshme, endet në korridoret e diplomacisë perëndimore: a do ta mbrojë NATO realisht Ukrainën, apo do ta ushqejë me shpresa derisa ajo të rrëzohet nga lodhja dhe gjaku?

Premtimet e vjetra, tradhtitë e reja

Në vitin 1994, Perëndimi i dha Ukrainës fletë premtimi në këmbim të arsenalit bërthamor. Sot, këto letra janë bërë turpi i diplomacisë moderne. Krimea u humb pa asnjë breshëri mbrojtëse, e më 2022 tanket ruse shkelën tokën ukrainase ndërkohë që në Bruksel dhe Uashington ende flitej për “mbështetje politike”. Sa vlen një premtim i tillë?

NATO: Aleancë e fortë në fjalë, e kujdesshme në vepra

Dyert janë të hapura, por dera nuk hapet. Samitet e njëpasnjëshme prodhojnë deklarata dhe fotografi familjare, por jo nenin 5 për Ukrainën. Arsyeja është e qartë: disa shtete-anëtare kanë frikë nga një përballje e drejtpërdrejtë me Moskën. Pra, Ukraina është e mirë për t’u përdorur si mburojë, por jo për t’u pranuar si aleate.

Garancitë që kërkojnë trupa, jo fjalë

Sipas Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP), një siguri e besueshme përgjatë vijës së frontit kërkon 150,000 trupa – një barrë që askush s’po e merr përsipër. Të gjithë duan paqe në letër, por askush nuk po jep garanci në terren. Pyetja e hidhur: a është Ukraina vetëm një peng në shahmatin gjeopolitik, që mbahet gjallë aq sa i shërben strategjisë perëndimore?

Ballkani: të mësuar nga dështimet e mëdha

Ne në Ballkan e kemi parë këtë film: premtime të mëdha, ndërhyrje të vonuara, lodhje perëndimore dhe një rajon që lihet peng i interesave të huaja. Nëse Ukraina mbetet pa garanci, precedentët për destabilizim rriten edhe për Bosnjën, Kosovën, apo Maqedoninë e Veriut. Çfarë vlere ka atëherë ombrella e NATO-s për ne, nëse nuk mund ta mbrojë as pikën më të nxehtë të kontinentit?

Mjaft më me iluzione!

Është koha që Perëndimi të zgjedhë:
• Ose e mbron Ukrainën me garanci të prekshme – me trupa, armë dhe marrëveshje detyruese.
• Ose e pranon publikisht se nuk do ta bëjë, duke mos i ushqyer shpresa të rreme.
Gjysma e rrugës është më e rrezikshme se refuzimi i hapur.
Çfarë i duhet Ukrainës (dhe neve)?
• Një pakt real sigurie me shtetet kyçe: SHBA, Britania, Gjermania, Polonia – jo thjesht deklarata.
• Modernizim i plotë ushtarak që e bën të vetëqëndrueshme, edhe pa nenin 5.
• Pragmatizëm rajonal: Ballkani duhet të kërkojë që Ukraina të mos lihet peng, sepse siguria e saj është parathënie e sigurisë sonë.

Përfundimi
Garancitë e NATO-s për Ukrainën nuk janë më çështje morale, janë çështje mbijetese për gjithë arkitekturën euroatlantike. Nëse Ukraina bie, iluzioni do të kthehet në precedent – dhe radhën e radhës e dihet kush e ka.

Filed Under: Emigracion

Takimi Trump–Zelensky: midis garancive të sigurisë dhe dilemës së paqes

August 19, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Takimi i Presidentit amerikan Donald Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA shënon një moment të rëndësishëm në trajektoren e luftës në Ukrainë dhe në qasjen e Perëndimit ndaj kësaj krize të zgjatur. Në thelb, ky takim synonte të qartësonte dy gjëra: vizionin e Trump-it për paqen dhe pritjet e Kievit për garanci të pakthyeshme sigurie.

Shtetet e Bashkuara janë potencialisht të përgatitura të japin garanci sigurie sipas një formule që kodifikohet me Nenin 5 të NATO-s, por që nuk është pjesë direkte e Aleancës, garantuar drejtpërdrejt nga Uashingtoni dhe disa vende evropiane. Ky është një sinjal i fortë se Trump dëshiron të shmangë hyrjen e NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, por megjithatë të krijojë një mekanizëm të ri mbrojtës për Ukrainën.

Nga ana e tij, Zelensky nga “kopmpleksi i inferioritetit” personal, përkatësisht “nga ndjenja e inferioritetit gjeopolitik” si shtet, ka kërkuar më shumë se një zotim verbal: garanci të qarta për integritetin territorial, për sovranitetin e vendit dhe për vazhdimësinë e ndihmës ushtarake e financiare. Për Kievin, çdo paqe që arrihet nuk duhet të jetë në kurriz të territorit apo pavarësisë së Ukrainës.

Aleatët evropianë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksuan rëndësinë e unitetit perëndimor dhe nevojën për të mbështetur Ukrainën deri në fitore. Megjithatë, disa kryeqytete evropiane lindore, janë skeptike ndaj ideve të Trump-it për një marrëveshje të shpejtë, duke pasur frikë se ajo mund të nënkuptojë presion mbi Kievin për të pranuar kushte të papërshtatshme.

Nga ana e kundërt, Kremlini e lexon këtë lëvizje si shenjë lodhjeje të Perëndimit dhe tenton ta paraqesë ofertën e garancive amerikane si dëshmi se SHBA-të nuk janë të gatshme të përballen drejtpërdrejt me Rusinë përmes NATO-s. Por, praktika e ndërhyrjes së aleatëve perëndimor në krye me SHBA (model që u testua edhe në rastin e Kosovës – kundër Jugosllavisë – kur ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA ma bazë ligjore nga Neni 5 i NATO) duhet t’iu shërbej si “mësim i nxjerrur” – Rusisë dhe aleatëve të saj.

Putini e përshëndeti çdo gatishmëri për negociata, nëse ato zhvillohen mbi baza që i japin avantazh Moskës. Por edhe zgjatja e pafund e luftës po e rrënon nga themelet ekonomikisht Rusinë dhe do ta detyroj të nënshtrohet nën presionin ekonomik, politik dhe ushtarak të aleatëve perëndimor. Shumë shpejt Rusia do përballet me krizën sociale që do i zbeh ambiciet etatiste të Putin. Në këtë pritje e asociojnë edhe luftrat secesioniste të vendeve të ish bllokut lindor në BRSS – periudhë që e ktheu Rusinë në vendin me krizën më të rëndë sociale në kontinent sa që në vitin 1999 – ushtarët rus në postblloqe lypnin nëpër rrugët e Kosovës. Kurse Putin, “perandorinë” arriti ta rindërtoj – vetëm me dominimin e antivlerave globaliste në Evropë dhe SHBA.

Në këtë kuadër, takimi Trump–Zelensky nuk ishte vetëm një shkëmbim protokollesh, por një test i madh politik. Trump kërkon të projektojë vizionin e tij për shmangien e “luftrave të pafundme” dhe për ndërtimin e një arkitekture alternative sigurie, ndërsa Zelensky përpiqet të sigurojë që ky vizion të mos përkthehet në lëshime që cënojnë shtetin e tij. Aleatët evropianë shihen si faktor kyç për të balancuar këto dy qasje, ndërsa Putini mbetet spektatori i interesuar që pret përçarjen e Perëndimit. Prandaj Zelensky dhe aleatët perëndimorë duhet ti adaptohen me veprimin e konceptin e strategjisë alternative të sigurisë për Ukrainën që po ofron Doktrina Trump.

E ky takim nuk i mbylli dilemat, por i bëri edhe më të qarta linjat e përplasjes politike: mes vizionit amerikan për një zgjidhje të shpejtë dhe insistimit ukrainas për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Pra, ky takim e ka zhvendosur fokusin nga pyetja nëse do të ketë paqe , tek pyetja se çfarë paqeje do të pranojnë palët.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 185
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT