• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“FIAMURI ARBËRIT” I JERONIM DE RADËS PËR REVISTËN “DRITA” TË SHOQËRISË SË STAMBOLLIT

July 21, 2023 by s p

GËZIM PUKA & GJOVALIN ÇUNI/

Lëvizjet letrare, faktet kulturore, ideologjitë e shekullit XIX, në rrafshin letrar dhe politik, mund të vëzhgohen dhe ndiqen në zhvillimin e tyre kompleks, përmes leximit të disa organeve periodike më përfaqësuese të këtij shekulli që solli në skenë Rilindjen tonë kombëtare. Nga vrojtimi i këtyre periodikëve, që përbëjnë edhe kujtesën tonë kulturore, del qartë jo vetëm profili i fenomeneve shoqërore, politike, fetare, shkencore dhe letraro-artistike, por njëkohësisht informohemi për grupet e intelektualëve dhe redaksitë që i dhanë jetë, i organizuan dhe i bënë me vlerë. Këto revista dhe gazeta përfaqësojnë në mënyrë konkrete frymën e punës të kësaj periudhe mbi temat e gjera të shqiptarisë së asaj kohe.

Duke shfletuar gazetën “Fiamuri Arbërit” (La bandiera dell’ Albania), që sipas gazetarit Blendi Fevziu, shënon ringjalljen e shtypit të vërtetë shqiptar dhe që doli nën kujdesin e një prej figurave më të spikatura të Rilindjes, Jeronim de Radës, na ra në sy një shkrim që përcjell një frymë të veçantë. Në numrin 12 të datës 30 tetor 1884 gazeta “Fiamuri Arbërit”, përcillte përmes editorialit të saj me titull “Laijm i ljuumun” (Notizia felice) një sihariq.

“Dual ndo est sa të daalj Constandinopul jatë Dittare skjipe Dritta. Chejo e ardhur na axen te stënëmit te puna e rend t’i përjermi të dimen e vettëghees Catundit t’ëën”.

De Rada ndërsa përshëndeste më gëzim simotrën e re të Shoqërisë së Stambollit, bënte thirrje “… për të përfituar jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga gjuha e kësaj reviste. Tek ajo edhe ne gjejmë me kënaqësi të madhe shumë fjalë, që duke qenë të veçuar, i kemi harruar”, shkruante ai, “…dhe na kujtohet se ca kohë më parë, zotërinjtë që botojnë “Dritën” na patën thënë se kishin besim se do të vinte dita që, gjuha e cila ashtu si edhe ne vetë, rronte e përndarë andej e ketë, do të mblidhej e do të bashkohej” .

Po le t’i kthehem përsëri argumentit. Përse i gëzohej De Rada gazetës së Stambollit?

Së pari, po promovohej një organ i ri shqiptar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, Stamboll dhe së bashku më gazetën që ai drejtonte u bënë promovues të gazetarisë shqiptare, nxitën dhe frymëzuan krijimin e medias kombëtare , duke u bërë kështu zëdhënësit e çështjes kombëtare shqiptare.

Fillimi i fletorizmit në Stamboll lidhet me autoritetin e Sami Frashërit dhe më vonë me Jani Vreton, njëri prej anëtarëve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, krijuar në Stamboll më 1877, si dhe me lejen e Portës së Lartë të vitit 1879, që lejonte “botimin e një organi të shtypit kulturor e arsimor shqiptar” .

Më 10 gusht 1884 nisi të qarkullojë e përkohshmja “Drita”. Që nga numri i dytë (diku del i tretë) revista mori emrin “Dituria”. Me një orientim të gjerë pedagogjik, kulturor, shkencor, letrar dhe shoqëror , motoja e revistës ishin idetë iluministe të Rilindësve “me ndritë mendjen e njerëzve, përmes lëvrimit të gjuhës shqipe”.

E përkohshmja “Drita-Dituria” përmes shkrimeve të ndryshme “diturake” dhe krijimtarisë letrare të Naimit, hodhi bazat e teksteve shkollore, por edhe të edukimit të shqiptarëve me elemente gjuhësore dhe kulturore.

Në aspektin publicistik “Fiamuri Arbërit” dhe “Drita-Dituria”, mund të cilësohen si vijuese dhe plotësuese të njëra-tjetrës në mjedisin shqiptar jashtë Shqipërisë. Secila nga ato në zhvillimet e shtypit të Rilindjes i takojnë nënndarjeve të ndryshme kohore. Sipas historianëve të gazetarisë Hamit Boriçi dhe Mark Marku, “Fiamuri Arbërit”, i takon nënndarjes së parë të shtypit shqiptar të viteve 1843-1883, ndërsa “Drita-Dituria” përcaktohet të jetë revista e parë e nënndarjes së dytë të shtypit shqiptar të viteve 1884-1896 .

Na befason fakti se De Rada në shkrimin e tij e komplimenton qëndrimin e Portës së Lartë ndaj këtij organi të ri të shtypit, siç ishte “Drita – Dituria”. Ja si e parashtron De Rada këtë qëndrim në rreshtat e këtij editoriali. “Në anën tjetër me ngazëllim për Dritën e madhe, të botuar në Stamboll, gjë që tregon se Porta e Lartë nuk është ajo mjegull që nuk lejon diellin e Shqipërisë, ashtu siç e bëjnë të duket zyrtarët e këqij të saj”.

De Rada i gëzohej daljes së një reviste a gazete shqipe, edhe për faktin se ai vetë e kuptonte se burimet financiare të periodikëve shqiptarë ishin të kufizuara. Si të tilla, ata kishin jetë të shkurtër. Ai i lumturohej daljes së çdo reviste që trajtonte problemet shqiptare, por tek shqiptarët e Stambollit, De Rada synonte të gjente trajtimin e saktë të të gjitha çështjeve, si dhe mundësitë e qarkullimit të gazetave për lexuesit e paktë në Shqipëri. Ai e kuptonte se zhvillimi i shtypit duhej të shoqërohej patjetër me lindjen e lexuesit, e kjo e fundit me zhvillimet kulturore që nisnin nga qendra drejt periferisë.

Tek ky “laijm i ljuumun”, De Rada do të gjente të justifikuar edhe mundin personal në zhvillimin e periodikëve shqiptarë, si një mundësi e rritjes së ndërgjegjes kombëtare përmes lëvrimit të gjuhës shqipe. Duke bërë bilancin e punës së tij në këtë drejtim në letrën drejtuar De Gubernatis në vitin 1893, ai shkruante: “Kur ndërpreva i rraskapitur “Fjamurin e Arbrit” efektet e tij në tokën mëmë ishin tepër të dukshme; një gazetë shqiptare “Drita” ishte krijuar në Konstandinopojë, një tjetër “Shqiptari” krijohej në Bukuresht. Në Athinë u krijua një Komitet për kultivimin e gjuhës shqipe dhe sulltani autorizonte bashkësinë brenda shteteve të tij të hapte shkolla në gjuhën shqipe”

Së dyti, në kontekstin kohor, Stambolli ishte qendra kryesore e shqiptarëve për krijimin e një alfabeti të unifikuar të gjuhës shqipe dhe i përhapjes së kulturës dhe diturisë brenda territorit shqiptar.

Tek “Laijm i ljuumun”, të cilit po i referohemi në këtë shkrim, De Rada nuk harron të na kujtojë përpjekjet e deriatëhershme për t’i gjetur shqipes shkronjat e duhura, por në të njëjtën kohë, ai vlerëson edhe përpjekjet e të tjerëve në këtë lëmë.

Ishte koha kur krahas përfshirjes në jetën politike, De Rada përpiqej për hartimin e një alfabeti e më pas të fjalorit të shqipes. Në përpjekjet për t’i dhënë shqipes “… një sistem grafik sa më të arsyeshëm dhe të pranueshëm” në periudhën e viteve 1834-1897, ai kishte paraqitur disa variante alfabetesh) . Në vitin 1871 kishte botuar edhe një gramatikë të gjuhës shqipe “ e dalë me emrin e djalit të tij Zefit, por e hartuar prej tij”. Pak kohë më vonë nën kujdesin e tij do të zhvilloheshin dy kongreset gjuhësore shqiptare, në vitin 1895 në Koriliano Kalabro dhe në vitin 1897 në Lugro.

Rilindësit kishin lidhje të forta, ndikime tek njëri- tjetri, por edhe kundërshti, të cilat u munduan që t’i përcillnin edhe përmes shkrimeve publicistike. Dihet tashmë ndikimi letrar që ushtroi De Rada tek vepra e Naimit. Rilindësit përkrahën tezën e De Radës mbi prejardhjen pellazgjike të shqipes, ndërsa Samiu i çmonte shumë punët që ai bënte.

Në një letër dërguar nga Stambolli më 20 gusht 1881, “Burrit të Ndritur të Mëmëdheut” shkruhet: “Kemi kënduar këngët që ke mbledhurë e punërat që ke bërë Zotëri e Juaj në gjuhënë tënë për kombi tënë, dhe e kemi pëlqyerë shumë, sikundërë edhe gramatikënë e zotit të ndërqurë djalit të zotërisë sate Z. Xhuzep Radës, të cilit i gëzohemi edhe e përqafojmë vëllazërisht”.

Kundërshtitë rridhnin ndonjëherë edhe nga moskuptimi i saktë i objektivave të Rilindjes nga De Rada. Mes kundërshtive ishin vlerësimet për alfabetin e Stambollit dhe debati për gjuhën letrare. Në letërkëmbimet e fillimit të viteve 1881, me vëllezërit Frashëri, duken qartë mosmarrëveshjet për krijimin e një alfabeti unik dhe të një gjuhe letrare të përbashkët. Përkundrejt vlerësimeve që Sami Frashëri i bënte alfabetit të Stambollit, De Rada e cilësonte atë “të përzier me shkronja sllave, ndoshta me latine dhe greke”. Të njëjtin qëndrim mbante edhe ndaj idesë së Sami Frashërit për një gjuhë letrare të përbashkët “të pandarë e të njëjtë e të begatë” . De Rada mendonte se në përgjithësi gjuha shqipe ishte ruajtur më mirë në ngulimet arbëreshe sesa në atdheun mëmë . Në letrën drejtuar Kamardës më 25 qershor 1865, ai i shkruante: “Atdheu mëmë mbeti në duart e të huajve që e shkelen më këmbë dhe e shfrytëzuan : ne u strehuam në vende të mbrojtura dhe shpëtuam” .

Pavarësisht konsideratave ndonjëherë edhe kundërshtuese, De Rada duke mos iu larguar botëkuptimit fetar të kultivuar në familje, e interpretoi si vullnet hyjnor dhe shpërblim nga Zoti punën e bërë për mbajtjen e Fiamurit të Arbërit, si dhe “daljen e periodikëve të tjerë shqiptare e lejimin e mësimit të shqipes në rajonet që i përkisnin Turqisë” .

Së treti, përsa i takon problemit kombëtar, De Rada i bashkohet synimeve politike të rilindësve të kohës, sigurimit të autonomisë të shqiptarëve brenda Perandorisë. Sipas tij shqiptarët pa asnjë përkrahje, duhet të gjejnë tek Perandoria Osmane mbështetjen e duhur, ashtu sikurse edhe kjo e fundit duhet të këtë besim tek shqiptarët.

Çështja kombëtare kishte filluar të propagandohej në Stamboll. Patriotët e njohur shqiptarë, nëpunës në Stamboll, por edhe funksionarë të lartë të Perandorisë me origjinë shqiptare, përpiqeshin për identitetin kombëtar dhe perspektivën e një shteti të ardhshëm.

De Rada dhe lëvizja kulturore e arbëreshëve të Italisë, të cilën ai e udhëhoqi për 50 vjet, ishte përpjekja më e rëndësishme kulturore dhe politike për Rilindjen Kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit XIX.

Në artikullin “Laijm i ljuumun” shfaqen pikëpamjet e De Radës, i cili i rikthehet edhe njëherë çështjes së synimeve grabitqare të shteteve fqinje ndaj tërësisë territoriale të Shqipërisë, të institucionalizuar përmes idesë së Federatës Ballkanike. “Sot mbetet vetëm Greqia dhe ndonjë shoqe e saj me dëshira të këqija, e cila jo në ëndërr, por në zgjëndërr punon për keq përmes gazetave të saj për testamentin e Turqisë”.

Këtë fakt e thekson biografi dhe studiuesi Jup Kastrati në monografinë “Jeronim de Rada-jeta dhe vepra”, ku vihet në dukje qasja analizuese dhe e zgjuar e De Radës për planet shoviniste të fqinjëve.

“Laijm i ljuumun” i botuar në “Fiamuri Arbërit” të datës së largët 30 tetor 1884, na ndërmend se këto gazeta, qarqet dhe sferat e kulturës që ato përfaqësonin, lindën dhe u rritën, si një nevojë idealiste e njerëzve që qëndronin prapa tyre. Natyrshëm historiografia jonë i ka përcaktuar si rilindësit e vërtetë të këtij kombi, për vetë faktin se nuk e pretendonin domenin e kulturës. Është kjo arsyeja që ata nuk qenë përjashtues, por përkrahës të fuqishëm, të zellshëm deri në sakrificë ndaj njëri-tjetrit.

REFERENCA:

De Radës vë 100 – vjetorin e vdekjes. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 2003, 425 f.

BORIÇI, Hamit; MARKU, Mark: Historia e shtypit shqiptar 1, Shtëpia botuese “Ufo Univerisity Press”, Tiranë, 2007, 256 f.

Buletin i Universitetit Shtetëror, Seria e Shkencave Shoqërore, Tiranë, nr. 1/ 1959, f.

FEVZIU, Blendi: Histori e shtypit shqiptar: 1848-2005, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2005, 188 f.

“Fiamuri Arbërit” (La bandiera dell’Albania) nr. 12, datë 30 tetor 1884.

KASTRATI, Jup: Jeronim de Rada: jeta dhe veprat, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1979, 238 f.

PETROTA, Gaetano: Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Shtëpia botuese “Almera”, Tiranë, 2008, 624 f.

OSMANI, Tomor: Udha e shkronjave shqipe, Shtëpia botuese “Idromeno”, Shkodër, 1999, 576 f.

Filed Under: ESSE

KARRIGIA BOSH E KOSOVËS NË TIRANË DHE MURI SHQIPTARO-SHQIPTAR

July 19, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli
A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Për mua java e kaluar ishte një javë që është vështirë të harrohet në rrjedhën e ngjarjeve të turpshme të politikës shqiptare në përgjithësi dhe asaj dhe ndër-shqiptare, në veçanti. Elita politike nga të dy anët e kufirit i tregoi botës – por sidomos miqëve të Kombit shqiptar – një pasqyrë, një fotografi të tmershme — që vetëm armiqët më të mëdhëj historikë të shqiptarëve do mund ta vizatonin e t’ia paraqisnin miqëve dhe armiqëve të kombit, për tu treguar se kush vërtetë janë shqiptarët dhe cilat janë, sidomos, marrëdhëniet me njëri tjetrin. E kam fjalën për fjalorin e ndyrë prej rrugaçësh, përdorur nga disa anëtarë të klasës politike aktuale që sot përfaqëson Kombin shqiptar — në nivel kombëtar e ndërkombëtar—por në veçanti – përleshjet dhe përplasjet, shtyrjet fizike në parlamentin e Shqipërisë dhe sulmet me grushta në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto sjellje banale, në hapësirat e dy kuvendeve shqiptare, nga disa ligjvenës shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, i treguan botës se sa konfliktuale është sot klasa politike në mes vedi dhe midis dy shteteve shqiptare – një situatë ndër-shqiptare që për fat të keq të shquiptarëve është, pikërisht, aty ku i ka dashur gjithmonë, historikisht, Beogradi e Moska shqiptarët – të ndarë e të përçarë! 

“Një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë”, ashtu si nuk mund të qëndrojë edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren veshë me njëri-tjetrin.  

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe nga të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25).  Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë, ashtu si nuk mund të qëndrojë as të mbijetojë edhe një familje, kur anëtarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni fotografitë ose videot e punimeve të javës që kaloi në Parlamentin e Kosovës dhe në Kuvendin e Shqipërisë – por edhe për fat të keq edhe karrigien bosh të Kosovës në takimin informal në Tiranë për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi. Ku morën pjesë gjithashtu Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić. Karrigia e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ishte bosh. 

Për mua është vështirë t’i shikoj këto foto e video më shumë se njëherë sepse është vështirë tu besoj syve — jo se këto fotografi e video tregojnë ndonjë gjë të re, pasi këto pasqyrojnë realitetin fatkeq të marrëdhënieve aktuale shqiptaro-shqiptare për disa vite tani — por për zhgënjimin tim jo vetëm personal, por besoj se edhe të shumë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Për vet faktin se ku qendrojnë sot marrëdhëniet politike në familjen e përbashkët shqiptare. Karrigia bosh e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në Tiranë, javën e kaluar, vërteton, atë që nuk e kisha besuar kurrë se vetë shqiptarët po ndërtojnë një “mur të ri të Berlinit”, jo midis shqiptarëve dhe botës tjetër, siç bënte dikur regjimi i Enver që izoloi Kombin për një gjysëm shekulli nga bota, por duket sikurë sot po ndërtohet një mur virtual midis shqiptarëve – nga vet shqiptarët.

 Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë fare – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar, me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto video e foto të sjelljeve të turpëshme të parlamentarëve shqiptarë në Prishtinë e Tiranë dhe i them vetes  se kjo klasë politike shqiptare është një klasë politike e dështuar – e pa shpresë se këta, vërtetë, po e tregojnë herë pas here, se nuk janë në nivelin e duhur – në nivelin që sot – në këtë moment historik — i nevojiten Kombit dhe interesave të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta. 

Por, unë jam gjithnjë optimist se populli shqiptar – nga të dy anët e kufirit virtual politik – që po ndërtojnë përfaqsuesit e tij sot, do të dijë, më në fund të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis vëllëzërve dhe mortave të një gjaku, një gjuhe e të një Kombi – Shqipëri-Kosovë. Jam i besimit se shqiptarët e vërtetë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë Kombin e lashtë iliro-arbëror. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me “Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se lufta për të drejta, për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë, nuk do të ndalen asnjëherë.  

Në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia – megjithëse nuk është e përsosur — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përfshirë shqiptarët dhe fqinjtë e tyre — popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë, të cilët për interesa jo kombëtare – por për përfitime personale dhe partiake — në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme e në kurriz të interesave të përgjithëshme kombëtare – në emër të demokracisë, po luajnë me fatin e Kombit, duke rrezikuar kështu shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare. At Gjergj Fishta do të thoshte se demokracia është diçka më tepër se, “me vu kapelë në krye e me lidhë kravatë në fyt”. 

Sjelljet primitive prej rrugaçësh të parlamentarve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, javën që kaloi, në sytë e botës – miqëve dhe armiqëve –i nxinë fytyrën Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Me sjelljet tuaja në hapësirat e përfaqësuesve të popullit – në vendin më të shenjtë të demokracisë – botërisht, ju keni koritur vetën, familjet tuaja dhe emrin e mirë shqiptar. Duhet të ndërmirren hetime nga organet kompetente, me rezoluta të veçanta, tu kërkohet falje shqiptarëve anë e mbanë trojeve për sjelljet primitive të të ashtuquajturve ligjëvenës dhe të miratohen ligje që sjellje të tilla në dy parlamentet shqiptare, të mos ndodhin kurrë më – në shkelje të dhunëshme të vlerave kombëtare dhe interesave të shqiptarëve.

Frank Shkreli

A group of men standing in front of a wood door

Description automatically generated

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

Gjenocidi shekullor ndaj shqiptareve një plagë që kullon edhe sot

July 17, 2023 by s p

Mehill Velaj/

Kryetar i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikan

Rrustem Berisha/ Një jetë kushtuar zbardhjës se masakrave ndaj shqiptarëve

Një vepër studimore dhe hulumtuese ka peshën e saj kur i ofron shkencës dhe kulturës fakte te cilat me parë nuk janë njohur për opinionin e gjerë, po edhe atë shkencor e kerkimor. Perpos fuqisë së fakteve dhe dokumentimeve me peshë vepra tre vëllimshme – Gjenocidi serbo – malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800 – 1999 I, II, III, e autorit Rrustem R. Berisha botuar nga shtepia botuese Faik Konica në Prishtinë, me fuqinë e fakteve dhe forcen e argumenteve na shpalosë historinë dy shekullore apo gjenocidin shekullor të cilit i mbijetoj kombi shqiptarë. Është rast i rrallë në historinë njerëzore kur një popull i cili ju ka nënshtruar një gjenocidi shekullor të mos shuhet terësisht. Faktet që na prezenton libri në tri pjesë me rreth 2000 faqe dhe me një përmbledhje të qindra dokumenteve historike, hartave dhe fakteve arkivore është një pasuri e çmuar në fushën e literaturës sonë historike e dokumentare. Për herë te parë historiografisë sonë i prezentohet një vepër në këto përmasa. Në një vepër ku kemi të deshmuar dhe te argumentuar shumë dokumente historike që nga fillimi i shekullit XIX, dhe në vazhdimësi duke vazhduar të gjitha periudhat historike nepër të cilat kombi shqiptarë u perballë me programet dhe elaboratet shfarosese serbe. Na ofrohen në menyrë shkencore deshmitë nga shumë arkiva te ndryshme po edhe shumë autor botërorë të cilët kanë shkruar për gjenocidin që përjetuan shqiptarët ne histori. I ndarë në tri vëllime ky liber na ofron materien qe s’mund ta lëmë anash pa e shfletuar nga asnjë studiues i cili bie në kontakt me ketë libër. Vëllimi i parë përmban një numër të rendësishem autoresh botëror te cilët kanë shkruar dhe kanë dokumentuar krimet dhe gjenocidin që është ushtruar mbi kombin shqiptarë. Në ketë vellim kemi te dokumentuara edhe shumë dokumente që na tregojnë shtrirjen dhe territoret shqiptare që janë pushtuar me gjenocid nga serbet dhe malazezet. Poashtu deshmitë e Leo Frendling, deshmitë e Edit Durham, Leon Trockit dhe shumë gazetarëve që ishin deshmitarë të gjenocidit shfarosës gjatë viteve 1912 -1913, dhe në vitet në vazhdim të cilët shkruan per krimet mbi shqiptarët. Ne menyrë shkencore autori analizon edhe gjenocidin në kuptimin juridik e shkencor po edhe ne kuptimin biologjik, human e historik. Sipas autorit nuk ka komb tjeter në botë qe gjatë historisë është përballë per 200 vjet me gjenocid shfarosës. Shumë diplomatë dhe gazetar e studiues botëror ne periudha te ndryshme te historisë kanë deshmuar per ketë gjenocid. Per herë të parë ne kemi dokumentuar me qindra fotografi te qetnikëve serb, kemi qindra harta historike dhe qindra dokumente që deshmojnë gjenocidin shekullor serb mbi popullin shqiptarë. Menyra kronologjike e ofrimit te argumenteve që fillon nga viti 1800 vazhdon nga faqja në faqe e ketij libri, pra nga vëllimi 1 në atë ne vazhdim, për të vazhduar në vëllimin 3 që paraqet dëshmi të shumta të shtypit te huaj për masakrat mbi shqiptarët. Veçanti e ketij libri poashtu është dokumentimi i mijëra personave te vrarë që nga viti 1800 e këndej duke përfshirë edhe të paret e autorit te vrarë me 1830 ne Arzhanicë. Shfletimi faqe pas faqe na prezenton gjenocidin shekullor që nuk ka pushuar asnjëherë por në vazhdimësi është ushtruar mbi kombin shqiptarë duke na paraqitur para një dileme e cila është si ka shpëtuar ky komb pa u shuar fare. Kjo është një dilemë që kerkon hulumtime të vazhdueshme shkencore. Autori poashtu analizon edhe hegjemonizmin shekullor serb duke u perpjekur në menyrë shkencore ti analizojë faktorët që ketë popull nuk e lejojnë te ndryshojë nga kjo mendësi. Kjo hegjemoni nuk ka te ndalur dhe sot e kësaj dite por vazhdon me aspiratat e semura per te pushtuar prapë trojet shqiptare, duke mos u ngopur me trojet që mban te pushtuara tani e mbi 100 vjet. Te gjitha hartat historike nga arkivat botërore që janë te botuara ne ketë liber tregojnë hapesirën territorial te kombit shqiptarë e cila është e pushtuar edhe sot e kësaj dite nga vendet fqinjë. Serbia mban sot te pushtuara 21 000 km katrorë troje shqiptare, por edhe sot ajo me hegjemoninë e saj pretendon te pushton veriun e Kosovës. Poashtu ne ketë veper deshmohet se nga te gjitha arkivat dhe dokumentet Evropiane dhe boterore Serbia si vend është pranuar me territor prej 34 000 km katrorë, ndersa sot ajo nuk ka kufij te definuar apo te percaktuar ndërkombetarisht, apo ashtu siq pretendon ajo ka kufijë aty ku perfundon hegjemonia e saj apo aty ku mund te ndalet kjo hegjemoni. Për ketë arsye mendoj se ky liber duhet te përkthehet dhe t’i ofrohet opinionit te gjerë në gjuhë te ndryshme jo vetëm atë angleze, po edhe në gjuhët tjera si atë franceze, gjermane, italiane etj. ——–do përkthim i ketij libri do kishte një rol te madh në sensibilizimin e te vertetës historike te kombit shqiptarë. Është një punë kolosale dhe botimi para opinionit ndërkombetarë do te nxiste kurreshtjen e shumë studiuesve dhe hulumtuesve botërorë për te njohur të verteten reale te historisë sonë. Deri me sot nuk është punuar aq sa duhet në prezentimin e te vërtetës historike para opinionit boteror. Ky kontribut mbetet i manget nese nuk përkthehet në gjuhet me te fuqishme botërore.

Po te shohim vetem burimet e hulumtuara dhe literaturen e studiuar per ketë veper voluminoze, padyshim se kemi te bejmë me nje punë titanike dhe me rendesi te veçantë per historiografinë tonë. Burimet dhe literatura e përdorur ia shtojnë fuqinë dokumentare veprës që kemi në duar. Kjo duhet ti ofrojë opinionit ndërkombetarë natyrisht nëse përkthehet një dokumentim me peshë për historinë tonë.

Mehill Velaj

Kryetar i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikan

Filed Under: ESSE Tagged With: Mhill velaj

Kur filozofia bëhet letërsi

July 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Nëse baza e të kuptuarit mungon, vëzhgimet empirike janë të pavlera dhe kërkimet do të përparojnë në pazgjidhshmëri të pafundme; perceptimi nga aftësitë shqisore dhe intelektuale merret pa kuptim, dhe njeriu nuk bën gjë tjetër veçse lundron mbi iluzione. Çdo mister, kur zgjidhet pa u kuptuar, zbulon vetëm një mister më të thellë, si një labirint i pa kthim, me shtrirje të pafundme.

Këtu, filozofia bëhet letërsi, jo me mendjemprehtësinë e ftohtë të Bacon-it, as me tonet e larta emocionale të Paskalit, por si Sextus dhe Volteri, që e shkruan filozofinë aq shkëlqyeshëm sa askush nuk e mendonte se po shkruanin filozofi. Ajo që e dini se është e vërtetë ekziston për ju dhe do të shfaqet në përvojën tuaj. Sa më shumë që bindjet përputhen dhe pasqyrojnë njohurinë e vërtetë, aq më të fuqishme bëhen. Një njohuri e tillë arrihet vetëm nga përvoja dhe kjo përvojë mund të shfaqet vetëm kur arrin të shpëtosh, deri në një farë mase, nga kushtëzimi i kufizimit. Thuhet se Diogeni, të cilin, kur e qortuan për ndërhyrje në filozofi, edhe pse injorant, u përgjigj: “Unë përzihem në të”.

Përmes historisë, popujve u janë paraqitur një shumëllojshmëri perëndish; sapo u zbulua dobia e tyre politike, ato u bënë të panumërta. Megjithatë, lëkundja e famës së çdo perëndie është e pasigurt, dhe besimi i lashtë është i rremë në fund dhe i sëmurë në krye. Hyjnizimi nuk tregon se sa shumë mendonin klasat e priftërinjve për udhëheqësit e tyre, por sa pak mendonin për perënditë e tyre. Çfarë janë, pra, gjithë këta perëndi? Krijimet e injorancës dhe frikës dhe kërkimi i pushtetit; asgjë absurde që mendjet e thjeshta i adhurojnë pa e ditur pse; perëndi që i ka bërë bota e njeriut të pavetëdijshëm dhe që kurrë nuk e kanë bërë botën. Priftëria e Egjiptit ofronte këtë masë bestytnie, ritualizmi dhe hipokrizie si fe. Disa e shikojnë me “përbuzje të heshtur” këtë fe të idhujve. Ata e toleroronin atë pjesërisht sepse shqetësoheshin se besëtytnia mes njerëzve është thelbësore për ndikimin e tyre; pjesërisht sepse besonin se bestytnitë janë të pathyeshme, duke vdekur në një formë vetëm për t’u rilindur në një tjetër. Dhe mendonin se asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të grindej për kaq shumë rimishërime.

Dihet obsesioni i perandorisë për pushtimin e tokave të huaja – edhe pse ka dramë në detajet e luftës, ka një qëndrueshmëri të zymtë në shkaqet dhe rezultatet e saj – një histori e tillë bëhet një ndjekje e përulur ndaj teprimeve të pushtetit, në të cilën fitoret dhe disfatat anulojnë njëra-tjetrën. Lakmia dhe dëshira për lavdi na rëndon të gjithëve, pavarësisht numrit të tmerrshëm të vdekjeje dhe zemrave të boshatisura të të mundurve. Pa dyshim, ndjenja, më shumë se mendimi apo arsyeja, është levë e historisë, dhe vëzhgimet tregojnë se shumë nga fisnikët dhe komandantët e huazuan. Dhe në gjyqin e fundit u ndeshën me pyetjen: Ti flet për vdekjen sikur e di. Ti nuk di asgjë dhe vdekja nuk është asgjë; por të jetosh i mundur dhe i palavdishëm do të thotë të vdesësh çdo ditë. Konkurrenca e individëve përbën gjykatën përfundimtare të natyrës, nga e cila nuk ka ankim. Nëse, në lashtësi nuk ekzistonte asgjë përveç entiteteve individuale, atëherë çfarë ishte shteti, ushtria? Komplotet e individëve të privilegjuar vazhduan për të frikësuar dhe kontrolluar, për të sunduar dhe për të taksuar e indoktrinuar. Si do ta peshojë këtë gjykata e natyrës? A nuk na është thënë nga lashtësia se njerëzit e shkëlqyer janë të rrezikshëm, prandaj, tiranë, kontrollohini ose mbahini sa më larg nga pushteti.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

PO VJEN NJË GJERGJ I RI PËR TË DJATHTËN SHQIPTARE…

July 13, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

KANDIDATI I RI. 

Ç’THUHET PËR TË DHE VOTIMIN E ARDHSHËM?

Për të zënë vendin bosh të kryetarit të asaj pjesë të ndarë të Partisë Demokratike, ndërkaq dhe zyrtare, hodhi kandidaturën e tij të beftë qytetari Gjergj Hani, anëtar i thjeshtë i saj, me premtimin për bashkim, për të ecur në rrugën e rimëkëmbjes të së Djathtës politike shqiptare, por dhe të Shqipërisë. 

Menjëherë pas tij, me një befasi tjetërlloj, shpalli kandidaturën për kryetar dhe Lulzim Basha, kryetari i dorëhequr me të drejtë për shkak të humbjeve dhe ndarjes dhe përgjegjësive ndaj tyre. 

Tani janë ballëpërballë kandidati i parë, i panjohuri Gjergj Hani, por që parashtron ide, filozofinë e munguar të PD-së, sipas tij, me apelin për të zbuluar gabimet, fajet dhe papërgjegjshmëritë që u arrit deri këtu, “në këtë derexhé” thotë ai dhe që të dënohet e shkuara e keqe e përbashkët për të ardhmen normale, më të mirë, po të përbashkët, teksa kandidatura e dytë, i mirënjohuri Lulzim Basha, po kërkon rikthimin e tij, për të bërë ato që s’u bënë dot dhe me të në krye ndër disa legjislatura. 

Duket sikur kandidati i dytë derën e ka të hapur dhe rrugën të shtruar dhe të lehtë, që të rivijë atje ku e kishte lënë, me ata që nuk e kanë lënë dhe e mirëpresin, me po atë zyrë dhe brohërima në gjysmë partinë, me ato struktura dhe përvojë humbjesh dhe me atë armiqësi të vonë, por të pandreqshme me pararendësin e tij, teksa zgjedhjet për kryetar të 29 korrikut i shohin si një formalitet, gati festiv, “Basha e ka të sigurtë fitoren”. Të kujt? Të vetes?… Përse? Është tmerrëisht e pamjaftueshme, madje e padobishme.  

Ndryshe është me kandidatin e parë, befasuesin Gjergj Hani, që thotë se nuk ka rëndësi nëse nuk fiton, “nuk jam për vete, të fitoni ju, idealet tona, prosperiteti i vendit”. Dhe është i vetëm, pa struktura elektorale e zyrë e financë, pa asnjë lloj mbështetje, madje dhe shfaqja e tij është parë me mosbesim, edhe me dyshim: kush është ky? 

Një qytetar yni, bashkëvuajtës yni. 16 vjeç na e sollën në burgun e tmerrshëm të Qafë Barit se donte të arratisej, donte lirinë e tij, me besimin se do ta gjente në Perëndim. E kapën mu në kufi në Pogradec dhe e dënuan me 10 vjet burg nga gjykata ushtarake, gjyqtar ishte deputeti i mëvonshëm i PS, Spartak Braho, ndërsa karakteristikën që u kërkua për atë si nxënës në gjyq, e kishte përgatitur mësuesja e tij, Anita Braho, bashkëshortaja e gjyqtarit. Ajo kishte shkruante shkëlqyer për nxënësin e saj, Gjergj Hani. E çuditëshme dhe e bukur! Që atëhere e dha të çarën e parë, mësuesja është me të, ligji kundër…  

Gjergji lirohet nga burgu me një amnisti, por në qytetin e lindjes, në Durrës, nuk i japin as shkollë e as punë, por pritën të bëhej 18 vjeç që ta dënonin përfundimisht, sërish në burgun e Qafë Barit, etj, etj. Shëmbet Muri i Berlinit, bie perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri ndryshoi, Gjergj Hani del dhe ikën në Itali, punon në një gazetë me vokacion të djathtë në Napoli, etj e mbas 20 vjetësh kthehet në Atdhe. Tani që të sjellë idetë Perëndimore, kulturën konservatore, qendresën dhe besimin, qoftë dhe aq sa mund të zgjojë dhe një i vetëm. Dhe:   

1- U hap opinioni çoroditës a çoroditja e opinionit, ndoshta dhe vetvetiu, që kandidati i parë është vënë me marrëveshje për kandidatin e dytë, se i dyti e ka të sigurtë, po i duhet i pari, që të jetë, si të thuash, i përligjur, siç është bërë dhe herët e tjera, kështu thonë e nuk fyhet e nuk indinjohet askush… 

E pabesueshme për mua që Basha do ta donte një fitore mashtruese..

2- Jo në biseda kafenesh, por në studiot televizive, në intervistat me Gjergj Hanin po i thuhet hapur, që dhe nëse nuk je në një marrëveshje me atë, të dytin, e ke të kotë, ti nuk fiton, as të njohin dhe as ke përvojë, kush ta jep votën ty(?!).

Vota nuk është për të, por për idetë e tij dhe rimëkëmbjen. 

3- Madje shkohet deri atje, që të thuhet açik, që edhe sikur të votojnë për ty, gjë që nuk ndodh, sipas parashikimit të Kasandrave mediatike, ata, mëtonjësi tjetër, partia, i kanë të gjitha mjetet që të nxjerrin fitues atë tjetrin, të dytin. (?!?)

E pabesueshme them prapë për një Parti Demokratike! E rëndë për një epokë demokratike! Për një popull të lirë. E keqja pranohet si të jetë një nen, zakon, si normalitet. 

Gjergj Hani vështron I pahutuar. E di. Edhe buzëqesh lehtë. Thotë dhe s’ka gjë, kam ardhur të bëj timen, t’ju them…

Ndërkaq për intervistën e tij serioze me gazetarin Muç Nano unë shkruajta një koment:

Një gazetar që pati mirësinë të dëgjojë, Nano i durueshëm në profesionin e tij dhe Gjergj Hani i shkëlqyer, i qartë në ide dhe në shpirt, filozofi i munguar i gjendjes, udhërrëfyes modest, por siperan ndaj atyre që e rrethojnë: ai e di rrugën, po e tregon…

Dhe s’duhet lënë vetëm. Ndërgjegjja qytetare, përgjegjësia e gazetarit, investiguesve të së vërtetës, ta vërtetojnë atë që thuhet dhe thonë, të nxjerrin proven, që të mos mbetet si thashethem, nëse s’është. Studioja televizive duhet të jetë institucion i informimit të të vërtetave dhe, nëse do të ndodhë ashtu siç parashikojnë, nëse nuk e ndalin dot, duhet apeli qytetarëve që së bashku me ata të ngrihen kundër krimit elektoral, padrejtësisë së lartë, ta denoncojnë dhe në Institucionet e Drejtësisë, në Spak, nëse është për këto çështje vërtet, në Bruksel, në Hagë. 

Ç’është kjo gjëndje dhe realitet ku më seriozisht dhe më me emocion merren spektaklet bjerrakohëse të tipit “Big Brother” dhe jo realiteti spektakolar njeribjerrës, ku “Big Brother-at” dalin nga ekranet dhe duan të sundojnë të gjithën mbi të gjithë? Ndaj dhe përhapet kjo ftymë mosbesimi dhe status quo-je, që shkon keq e më keq, teksa mediat vërtet mund të bëjnë krejt tjetër dhe shumë, jo disinformim, por informim, pse jo dhe formim në dobi të popullit të tyre.

ZËRI YNË  

I GJERGJ HANIT

Unë jam i prirur dhe i besoj asaj që Gjergj Hani thotë, ashtu bindshëm, me qytetari, i qetë, i hapur, me filozofi të kuptueshme, me shqetësimin e shumëve, me dashuri Biblike e urtësi Kurani, që kërkon të sjellë dhe pse jo të mos e prijë, ndryshimin dhe rimëkëmbjen, sfidë ndaj kësaj gjendjeje dhe realitet të amullt, kundër politikës në vetvete, të shkëputur nga realiteti dhe gjendja, që si rrjedhojë i ka lënë dhe si të tilla, ndotjes morale të mjedisit ideologjik, që kërkon të startojë aty ku dhe është, në PD-në e tij.   Me tagrin e një qytetari të zakonshëm, që e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen në shqetësimet aktuale të përbashkëta, unë bëra dhe këtë koment në rrjetet sociale, pas shfaqjes së Gjergj Hanit si kandidat:  

“Një zë i veçantë, që vjen nga humnera, nga vuajtja e madhe, nga burgjet politike, me ëndrrën e lirisë, të demokracisë, i qartë, me mendim dhe vizion, me besim, jashtë strukturave dhe zyrave, por me dëshirat, aspiratat dhe idealet e demokratëve të shumtë e të thjeshtë, të qytetarëve, që kërkon të kemi moralin e munguar në politikë, të rimëkëmbë një të djathtë politike në shërbim të një realiteti pa urrejtje, të drejtë, jo retorik, të punës begatuese të gjithsecilit për një Shqipëri normale, të frymës dhe kulturës Perëndimore, të një Shqipërie EuroAtlantike… Dëgjojeni!”

Për rivalin e tij të njohur nga të gjithë, nuk kam shkruar gjë, se ai e ka treguar vetë rrugëtimin e tij si politikan, lider, kryetar bashkie, ministër i disahershëm dhe kryetar i Partisë Demokratike, vazhdues i liderit historik të saj, Sali Berishës, deri në ndarjen me të, pas shpalljes së vonë “non grata” nga DASH, Departamenti i Shtetit Amerikan, me akuzë të parë “minimin e demokracisë”? A do ta bënte Lulzim Basha këtë ndarje me të kaluarën, që është dhe e tij, pyet kandidati për kryetarin e ri të PD-së, Gjergj Hani, po të mos ishte kjo ndërhyrje drastike nga jashtë, nga SHBA, aleatit jetik i Kombit tone? Dhe përgjigjet po vetë që jo. Dhe i ka vënë vetes këtë mision: shkëputjen e PD-së, dhe jo vetëm të saj, nga e kaluara rrënimtare.  Ky ishte dhe misioni i themelimit të së parës parti opozitare, Partisë Demokratike, 33 vjet më parë, në dimrin 1990 dhe sot ndodhet në gjendjen më të rëndë e më të vështirë të saj, na thotë Gjergj Hani me fjalën dhe shkrimet e tij, Ky është realiteti, që sigurisht duhet të përjetohet me dhimbje nga e gjithë shoqëria, së pari nga anëtarët e PD-së dhe simpatizantët e shumtë, dhëmbje therëse siç është për Gjergj Hanin, që e sheh me sy kritik. Opozita në demokracitë normale e të kultivuara është pushteti moral i një vendi, dihet, ndërkaq nuk harrohet që PD-ja është dhe partia e ndryshimeve të mëdha, e kalimit të vendit nga sistemi diktatorial socialist në sistemin demokratik, të tregut të lirë, pra, në kapitalizëm dhe Gjergj Hani mendon dhe e vuan që PD-ja i ka braktisur idealet e fillimit, ato për të cilat dhe u themelua dhe i shkuam nga pas, edhe ne, që dolëm nga burgjet politike e kampet e përqëndrimeve, që sipas Gjergj Hanit, nuk ka të përndjekur, por kundërshtarë, jo ish të burgosur, por të burgosur politikë, jo ish pronarë, por pronarë, se “ish”-i është, jo “ish komuniste”, por komuniste. Ndërkaq ka që i gëzohen hapur apo fshehurazi apo paturpshëm këtij rrënimi nga lart e që punojnë për këtë antiarritje, që është ndërkohë dhe rrënim moral lart i vetë pozitës dhe e gjithë, – karikaturë e demokracisë, – duhet bërë e qartë se nuk i shërben shëndetit të vendit, kështu ngulmon dhe Gjergj Hani. Tranzicioni postdiktatorial kaq i lodhshëm, bipolarizues, i shtimit të ndërtimeve, rrugëve, betonizimeve, turizmit, lirsië, ikjeve, por dhe varfërisë në shumicë dhe i pasurimit të shpejtë, por dhe i dyshimtë i një pakice, tjetërsimit tashmë të demokracisë, avitja e praktikave të lëna dhe formave të kamufluara të burokracisë totalitariste, etj, duhen ndalur, bën apel Gjergj Hani dhe beson në në forcën që kërkon të drejtojë.   Fillon me moralin në politikë, për rrjedhojë dhe në të gjithë kapilarët e veprimtarive jetike të një vendi, i lënë pasdore nga partitë, pozitë dhe opozitë. Keqardhja politike e Gjegj Hanit dhe, për fat jo vetëm e tij, por e një shumice të madhe, është e thukët, një pozitë pa opozitë, që ndërsjelltas kërkojnë rrënimin fatal të njëra-tjetrës. Opozita nuk funksionon si duhet, kur është e copëzuar, grindjet brenda vetes, është e paqartë tani dhe kërkon kuturu marrjen e pushtetit, pa nënkuptuar pushtetin e ligjeve, të parimeve të demokracisë dhe të lirisë, në fund të fundit të mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore. Parësore është lidhja tërësisht me BE dhe SHBA, çështja kombëtare, dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërveprimet, strategjitë, etj. Duhet hierarkia e vlerave dhe rendi i detyrave dhe angazhimi qutetar. Nëse këto nuk janë aktive, madje me një diplomaci agresive, por thjesht i dorëzohen apatisë, indiferences ose shqip mënjanësisë, një (mos)keqardhje kombëtare jashtë nesh si retë mbi popullin, vërtet do të thosha se gjendja është më dramatike, zvetënimi dhe mosbesimi gjeneral nga politikëbërja dhe politikëbërësit e të gjitha kaheve dhe dekadave. Në klasën politike, të krijuar tashmë, ajo pjesë që merr pushtetin, pra e njërës parti, duket se instalon ethshëm vetveten dhe simetrinë e vet, partinë tjetër, opozitën, që e do për sfond dhe sa më të dobët, mundësisht të zhbëhet dora-dorës, por dhe të bëhet, aq sa i  duhet lojës dhe përdor mbetjet e saj për të përligjur kriminalisht sundimin me oligarkë e vazhdues e trashëgimtarë nostalgjikë të regjimit. Jo thjesht si gjak, por si mendësi dhe frymë urrejtjeje. Marrshimi mbrapsht!

  HERËT APO VONË APO JASHTË KOHE?

   Kanë filluar takimet në bazë, siç quhet me gjuhë partiake, të dy kandidatëve, Gjergj Hani dhe rivalit ë tij, Lulzim Basha. Pra ata po shkojnë nëpër rrethe të flasin me demokratët që do të votojnë për kryetarin e ri në PD zyrtare, po sa reale është, do ta tregojë e nesërmja. Gjergj Hani shkon në takime pa grup, pa shoqërues, vetëm me bashkëshorten, pa asnjëlloj mbështetje partiake, elektorrale, me makinën e tij që mbush rrugëm me bezninë nga xhepi i tij, me idetë e tij, me moralin e tij, me vuajtjen e tij, është njëri nga ne që kërkon të bëjë atë që do të donin shumica a të gjithë dhe takimet, sipas tij, janë sipas një formati të paracaktuar nga Partia, jo fort të volitëdhme për të, që nuk ka qenë pjesë e forumeve, grupimeve apo klaneve të interesave të tyre. Në rrjetet sociale unë sërish kam bërë komentin tim: Gjergj Hani po sjell vetveten, një prurje kritike e munguar, por e duhur. Idealist, me principe dhe real, ku pesimizmi është një arsye për ndryshim, me këmbët në tokë, kur shumëçka është e zhytur në llumin e gabimeve, fajeve dhe të korrupsionit, te mashtrimit dhe të përçarjes dhe talljes së trashë me realitetin, që na sundon, duket dhe nga vetë media, gati sharlatane, e kapur nga interesat oligarkike dhe mediokriteti mërzitës i vetvetes. Ai është bërë më i njohur dhe po ngjall interes të rëndësishëm. E përsërisim, pas zhgënjime të rënda, humbjeve të njëpasnjëshme dhe ndarjes së PD-së, ai ndjeu thirrjen e brendshme, jo që të konkurojë ndokënd, por të plotësojë boshllëkun e krijuar, moral dhe në ide e në veprim, mosbesimin apo lëvizjet e mbrapshta. Konkurenti i tij i sprovuar erdhi më pas, të rimarrë vendin që la bosh. Gjergj Hani do që t’u tregojë anëtarëve si askush tjetër më parë në PD, por dhe gjithë vendit që pse u arrit këtu e çfarë duhet bërë për të dalë, jo vetëm Partia dhe e djathta, por së bashku. Sërish si askush tjetër në fjalën e tij ka besim, Në themelet e Bashkimit Europian është kultura e krishterë dhe në Kushtetutën e SHBA është doktrina e lumturisë, kjo frymë është dhe në kumtet e tij. Paqe, pa urrejtje, pa hakmarrje, me drejtësi duke parë përpara, pa harruar… T’i shkojmë nga pas. Unë sërish kam komentuar:       Nëse do të humbet vizioni i Gjergj Hanit, ka për t’u humbur një mundësi e rrallë shprese, thirrja e hapur per moralitetin në politike, për rimëkëmbjen e një ideali dhe platforme zanafillëse të së djathtës, të paqena qartazi, por të deshiruara turbull nga mungesat e kultures se saj dhe përvojat. Gjergj Hani së paku kërkon të zgjojë ndergjegjet dhe përgjegjësitë duke ofruar ndërkohë pikërisht këtë vizion, prandaj duhet mbështetur per t’u kthyer në një realitet ecja nëpër këtë rrugë. Si kthesë dhe si ndryshim. Ndryshe demokracia e vendit është ende më e rrezikuar… 29 Korriku erdhi, nuk jemi herët, por vonë… mbase me dekada. Gjergj Hani sapo nisi të shkruajë kështu një kronikë të re në të djathtën e re, libër politik i historisë së tanishme. Nga e kaluara dhe përvoja të marrim vlerat dhe arritjet dhe dinjitetin. Gjergj Hanin nuk dua t’ja kundërvë kurrkujt, gjithkush që bëri atë që mundi, pararendësit e tij duhet ta mbështesin, kjo do të ishte e arsyshmja.   Nëse do votoni kryetar Gjergj Hanin, çdo demokrat i thjeshtë ka votuar vetveten e tanishme. Nëse jemi në kohën e sistemit që ëndërruan dhe deshën martirët dhe vuajtën të persekutuarit e shumtë burgjeve dhe internimeve dhe e dëshiruan qytetarët e një vendi të mbyllur, kundër të cilit u ngritën së pari studentët, rinia, të gjithë, që t’i besojmë se jemi në të tashmen e tyre, pse të mos jetë lider i kësaj ëndrre një që vjen nga ajo ëndërr, nga ajo vuajtje e madhe, që tashmë i ka këputur prangat që vinin mendjes dhe telat me gjemba shpirtit, Gjergj Hanit, për të sjellë sa më parë nga e ardhmja që e duam bashkë…

C:\Users\User\Downloads\IMG_6994.jpg

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT