• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTETI I ‘AMBASADAVE’

July 6, 2023 by s p

Shqiprim Pula/

Përgjatë historisë politike të Kosovës, qytetarët shumicë Shqiptare e donin mëvetësinë, dhe rritën politike e formësuan dhe shprehën si qëllim politik në përpjekje të gjatë për shtetësinë! Në rrugëtim të konsolidimit të shtetësisë, pas Shkurtit 2008, e kuptuam se sa sfiduese mund të jetë rritja shtetërore për t’a mbrrirë moshën madhore nga ajo e adoleshencës, e që konsiderohet një tranzicion ndërmjet varësisë dhe pavarësisë politike, që qëllimi kryesor i së cilës është sikur përgatitja e fëmijës për moshën e rritur. Gjatë tranzicionit dhe varësisë politike, joshëse ishte edhe ikja nga përgjegjësitë politike shtetërore, hera-herës duke i’u referuar edhe tutorisë politike nga ndërkombëtarët (‘ambasadat’), andaj, sikur u kultivua një mendësi politike fëmijërore në shpërputhje me dëshirat e një të rrituri.

Në kontekstin ndërkombëtar, Kosova politike, shihej si krijesë që duhej t’i kuptonte përgjegjësitë, dhe sjelljet institucionale me maturitet konform standardeve të shteteve që nuk bien ndesh me shtetin e së drejtës dhe demokracinë, si përcaktim politik. Por, të përsëritura ishin veprimet politike të cilat nuk paraqisnin pjekuri e përgjegjësi, e për rrjedhoj, ‘ambasadat’ nga roli i tyre primar, bënin edhe atë tutorial!. Kjo, më pas, nga vështrimi ndërkombëtar shihej si Kosovë me mendje të një adoleshenti e mbushur me energji por e pa shqetësuar për përgjegjësitë shtetërore, ngase prevalonin mjaftë shumë ato klanore e biznesore. Madje, mes politikanësh kishte një sindromë obsesioni politik me një shkujdesje politike në etapa politike të mëdha e vendim-marrëse!, mbase, figura politike, kryesisht nga ata të pasluftës, ishin plotë jetë politike por që gjindeshin të papregaditur e herë në telashe me ‘tutorët ndërkombëtarë’, për shkak të koncepteve të shkujdesura politike. Kjo, edhe për shkak të prirjeve për aventura politike, protagonizëm politik; dhe për të qenë të rëndësishëm e humbnin sensin e të qenurit të dobishëm. Kështu, e absorbuan sindromën e ‘politikanëve që nuk u rritën kurrë’, madje, nga një fenomen e shëndruan në dukuri politike, e pavarësisht se sa kalonin në politikë vepronin në mënyrë adoleshente dhe u mungonte guximi i daljes nga ombrella tutoriale, asgjë nuk bënin pa ‘ambasadat’!. Ndër arsyet e ndërvarshmërisë dhe mungesës së guximit për pavarësi veprimi, tek këta ‘politikanë’, është edhe mjedisi familjar që ka ndikuar në formësimin e personalitetit të tyre.

Pse ‘ambasadat’ kërkonin me patjetër koordinim-e me shtetin e Kosovës? Ata e kuptuan se çfarë niveli politikanësh bënin politikën, mes tyre mjaft analfabetë, që nuk dinin mirë t’i lexonin fjalimet e tyre në foltore të Kuvendit!, disa madje nuk dolën kurr të flisnin, bile, të tillët ishin ndërmjetësues për krijim Qeverish; morrën e dhanë Ministri si të shpërndanin karamele, pra, pa asnjë program profesional!. Dikur s’kishte më as karamele. Për çudi, ‘ambasadat’ bënin edhe aprovimin ose jo, të emërave për ministra!. Prej tyre kishim dy biznesmenë (2 vota) në ulëset e Kuvendit që morrën katër Ministri? Po, madje krekoseshin për përbërjen e Qeverisë! E njëri nga ta, a i bëri padi ndërkombëtare shtetit të Kosovës? Po, edhe këtë e panë qytetarët e ndërkombëtarët!. A e kishim një këngëtar (1 votë) në ulsen e Kuvendit, i cili publikisht kërcënonte rrëzimin e Qeverisë me votën e tij, nëse nuk i’a bënin një ‘anonimus politik’ ministër? Po, edhe kjo ndodhi. A e kishim një person që shëtiste nga një parti tek tjetra, herë edhe si ‘sekser’ dhe në fund n’a u bë zëvendës kryeministër? Po, i gjori aq shumë kishte manovruar sa përballë zotëri Edi Ramës, nuk i kujtohej se çfarë ligji kishte miratuar Kuvendi në kohën kur ai mbante funksion, e zotëri Rama i’a ktheu; “tani e kuptoj sa i padijshëm je, prandaj dhe të kanë hequr”!. Po me arsimin e kulturën si dikaster kush menaxhonte? Po me bujqësinë si dikaster kush menaxhonte? Po politikën e jashtme kush e bënte? etj. etj., pra, cilado shoqëri normale, me nivele intelektuale mesatare, do të dëshpërohej nga Qeveritë e saja, e poashtu, të dëshpëruar ishin ‘ambasadat’. Ky listim, me këto ndodhi në Kosovën e pas pavarësisë, për ‘ambasadat’ ka treguar mjaftueshëm papërgjegjësi dhe sjellje politike të papjekura, të cilat binin ndesh edhe me frymën e sjelljes shtetërore.

Cilat janë sfidat për ribërjen e sjelljes shtetërore?

Nuk don mend që pas pesëmbëdhjetë vite mëvetësi, vendin përkatësisht Qeverinë, e gjen me shumë sfida, kryesisht të trashëguara e të krijuara, siç janë; zhvillimi shoqëror i ngecur për shkak të papunësisë së madhe ndërvitesh; e për rrjedhojë, gjendjes jo të mirë ekonomike i ka kontribuar hajnia (korrupsioni) institucionale që nga paslufta; mëpas synimi i të rrinjëve për t’u larguar nga vendi është sfidë jo vetëm shtetërore por edhe emocionale e familjeve tona dhe shoqërisë në tërrësi. Por, garnitura politike drejtuese e vendit do të mund t’u bëjë ballë sfidave që ka para vehtes, nëse do të mund t’i kapërcejë sfidat e mëdha, të brendshme e të jashtme, e veçanërisht ato me ‘ambasadat’.

Filed Under: ESSE Tagged With: Shqiperim Pula

Kush e zbuloi Amerikën?

July 5, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në këtë pikë, ia vlen të përmendet studimi i një ekipi shkencëtarësh me në krye profesorin I. Liritzis të Universitetit të Egjeut, i cili shqyrton se sa e vlefshme është historia e Plutarkut në lidhje me udhëtimet në kontinentin e madh përtej Oqeanit Atlantik.

Plutarku shkruan:

“Udhëtimet përsëriteshin çdo 30 vjet kur planeti Saturn përkonte me yjësinë e Demit. Udhëtimi ishte i rrezikshëm dhe i gjatë. Kur ekspedita mbërrinte në vendin e largët, kolonët nga ekspedita e mëparshme mund të ktheheshin në shtëpi. Kretanët minoas i kanë bërë këto udhëtime që nga koha e Herkulit 13 mijë vjet më parë”.

Sudimi arrin në përfundimin se historia e Plutarkut është e vërtetë dhe përputhet me atë që dihet për rrymat oqeanike të Atlantikut dhe se udhëtarët e lashtë të detit ishin në dijeni të këtyre rrymave.

Destinacioni, sipas Plutarkut, ishte një gji i madh, jo më i vogël se liqeni Maeotis (Deti Azov), pothuajse në të njëjtën linjë me atë të Detit Kaspik. Kolonët ishin nisur nga Minoa për në Newfoundland (Kanada), ku kishte mërguar Cronus. Plutarku përmend se Cronus kishte shkuar në një ishull ku kishte shumë ar (edhe sot, ka shumë miniera ari në ishullin Newfoundland).

Sipas gjuhëtares norvegjezese Kjell Aartun, shkronjat misterioze dhe imazhe anijesh gjatë periudhës 1.800 – 1.000 pes janë gdhendur në granit afër Oslos. Mbishkrimet konsiderohen të jetë minoan, dhe petroglife janë gjetur në të dy anët e kufijve Norvegji-Suedi. Kristiansen & Larsson raportojnë gjetje të epokës së bronzit nga një qytetërim i përparuar me origjinë të qartë Ionane (fillimisht minoan, më pas mikenë (grekët e lashtë erdhën shumë më vonë dhe mbi gërmadha ngritën mitologjinë e tyre).

Një shembull nga Hesiod është referenca për Ishujt Fat, të cilët janë pranë “Oqeanit të rrotulluar thellë”. Udhëtimet në veri të Atlantikut përmenden nga disa burime të lashta (Diodorus Siculus, Straboni, Plini), veçanërisht në lidhje me Piteasin e Massalisë, i cili ndoqi saktësisht të njëjtën rrugë detare për të arritur deri në Islandë. Në çdo rast, referenca e gjireve të ishujve ku nata zgjat më pak se një orë dëshmon se minoasit e lashtë kishin udhëtuar në Rrethin Arktik (Kanada, Grenlandë, Islandë Norvegji).

Duke përdorur një program kompjuterik të posaçëm, të dhënat astronomike të përpunuara nga teksti antik tregojnë se Plutarku përcakton saktë distancën nga Britania në ishullin Ogygia-Icelandë, Plutarku flet për një tokë të madhe kontinentale në veriperëndim të Britanisë, ku kishte tre ishuj (Grenlandë, Baffin, Newfoundland) në distancë të barabartë nga njëri-tjetri.

Plutarku tregon saktë se Gjiri i Shën Lorencit është pak më i madh se liqeni Maeotis, siç e quanin të lashtët Detin Azov. Në fund të fundit, udhëtimi nga Kanadaja në Kartagjenë u zhvillua në maj të vitit 86 pes. Nuk ka dyshim se Ogygia ishte në Oqeanin Atlantik pasi Homeri në Odisenë e tij na informon se është në qendër të detit (është kërthiza e detit) dhe pak më tej thotë se pasi u largua nga Ogygia, ai pa ishullin e Phaeacians (i njohur edhe si Scheria).

Ishulli i Feakëve (fiqëve?) konsiderohet të jetë Korfuzi, megjithëse ka dyshime se njerëzit nga Korfuzi dhe Odiseu nuk ka gjasa të jenë takuar (Odiseu u thotë feakëve se ai jeton larg prej tyre dhe se afër Itakës ndodhen ishujt Dulichium, Sami dhe Zakynthos, të cilët janë përkatësisht ishujt modernë Lefkada, Kefalonia dhe Zante. Për këtë arsye ky ishull nuk mund të jetë Korfuzi. Së dyti është e çuditshme që njerëzit e Korfuzit të mos kishin dëgjuar mbi luftën e Trojës. Në fakt tek Odisea shohim se ata merreshin vetëm me detari dhe aspak me punët e luftës. Dhe së treti, Odiseu do të kishte qenë i çmendur, nëse duke ardhur nga deti dhe pas gjithçkaje që kishte kaluar në det, të kalonte në Greqinë kontinentale për të shkuar përsëri në det (Korfuz që ndodhet përtej Itakës. Studiesit thonë se Ogygia nuk mund të ishte brenda Mesdheut. Mitologjia e forcon këtë hipotezë pasi Ogygia ishte ishulli ku jetonte nimfa Kalipso, e cila ishte e bija e Atlasit. Ky është një tregues i qartë se ishulli Kalipso ishte në Atlantik, dhe aty ndodhej kopshti i Hesperides dhe nimfat të cilat ishin gjithashtu bija të Atlasit. Edhe Mikine (qytetërimi Mycenae) me drejtshkrim të dyshimtë dhe etimologji të sugjeruar nga një fjalë kelte, nuk ka një etimologji zyrtare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

4 Korriku

July 4, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ndër Etërit Themelues të Shteteve të Bashkuara renditen disa prej figurave më të shquara të historisë. Së bashku, ata bashkuan 13 kolonitë, fituan Luftën Revolucionare, krijuan një komb të ri dhe shkruan disa nga dokumentet më të shquara në historinë amerikane, duke përfshirë Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e SHBA. Ata ishin dhe mbeten pesha të rënda historike, veçanërisht shtatë figurat kryesore si John Adams, Alexander Hamilton, John Jay, Thomas Jefferson, Benjamin Franklin, James Madison dhe George Washington.

Këta ishin njerëz seriozë me fjalë të forta dhe veprime me peshë. “Ata ishin njerëz të hekurt,” tha një herë Abraham Lincoln. Natyrisht, së bashku me kontributet e tyre në krijimin e Shteteve të Bashkuara, duhet të pranojmë edhe elefantin në dhomë: Shumë nga këta njerëz kishin skllevër. Në të njëjtën kohë ata luftonin për lirinë e disave, dhe merrnin pjesë aktive në shtypjen e të tjerëve.

Ata lanë pas një trashëgimi të ndërlikuar. Këta burra jetuan kohë të errëta dhe të diskutueshme, gjatë të cilave mbanin fjalime dhe shkruanin ese dhe letra që frymëzuan bashkëkohësit e tyre, me fjalë të mençura dhe klithma nxitëse të tilla si “Më jep lirinë, ose më jep vdekje” të Patrick Henrit! Përveç këtyre citimeve të njohura, Etërit Themelues bënë gjithashtu shumë vërejtje të mprehta, dhe herë pas here më pak të njohura. Këtu janë disa nga më të mirat, që mbulojnë gjithçka, nga mbajtja e sekretit deri te çështjet e stilit.

Falënderoj Zotin, që më dha kokëfortësi, kur e di që kam të drejtë.

John Adams

Një çip mbi supe është një bagazh shumë i rëndë për t’u mbajtur gjatë gjithë jetës.

John Hancock

Mendoj se një rebelim i vogël herë pas here është gjë e mirë dhe po aq i nevojshëm në botën politike sa stuhitë në atë fizike.

Thomas Jefferson

Tre mund të mbajnë sekret, nëse dy prej tyre kanë vdekur.

Benjamin Franklin

Thelbi i Qeverisë është pushteti; dhe pushteti në duart e njeriut, do të jetë ndonjëherë i rrezikuar nga abuzimi.

James Madison

Të mençurit e dinë shumë mirë dobësinë e tyre për të supozuar pagabueshmërinë; dhe ai që di më shumë, e di më së miri se sa pak di.

Thomas Jefferson

Është më mirë të mos ofroni asnjë justifikim sesa një justifikim të keq.

Xhorxh Uashinton

Nuk pres kurrë të shoh një vepër të përsosur nga njeriu i papërsosur.

Alexander Hamilton

Nuk është e lehtë të jesh i mençur për të gjitha kohërat, madje as për të tashmen – aq më pak për të ardhmen; dhe ata që gjykojnë të kaluarën duhet të kujtojnë se, kur ajo ishte e tashme, e tashmja ishte e ardhmja.

Guvernator Morris

Në çështjet e stilit, notoni me rrymën; në çështjet parimore, qëndroni si shkëmb.

Thomas Jefferson

Lëvizjet e mia drejt karriges së qeverisë do të shoqërohen me ato të një fajtori që shkon në vendin e ekzekutimit.

George Washington (30 ditë para inaugurimit të tij të parë).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Naum Prifti- Simbol i triumfit të shpirtit njerëzor

June 30, 2023 by s p

Requiem në kujtim të shkrimtarit me vlera të papërsëritëshme…

Raimonda MOISIU

Mëhill VELAJ

Para disa ditëve u nda nga jeta një prej emrave më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare, një pionier i letrave shqipe, një burrë plot virtyte, mik, koleg, baba dhe bashkëshort i devotshëm, një artdashës i çmuar dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër, shkrimtari kolonjar Naum Prifti.

Shkrimtari Naum Prifti konsiderohet sot një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, që më shumë se çdo akt në jetën e tij të gjatë, ky njeri i madh dominoi intelektualisht dhe artistikisht, i dha aq shumë letërsisë shqipe, dhe letërsisë së Diasporës shqiptaro-amerikane, letërsisë bashkëkohore dhe kinematografisë shqiptare.

Ai u bë zëri shqiptar me vrullin intelektual dhe shkëlqimin e tij rrëfyes stilistik, që janë të dukëshme në veprat e tij letrare, si; vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor, skenarë filmash, drama, komedi, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Shkrimtari Naum Prifti zotëronte një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës, mjeshtër i rrëfimit dhe fjalës së përkorë, duke çuar më lart traditën e M.Kutelit, me evolimin dhe bashkëkohësinë e krijimtarisë së tij.

Të gjitha veprat e Naum Priftit, përveç prirjes së tij natyrale,

ideve të artit si frymëzim shpirtëror, dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes, formimit fizik e intelektual, ëndrrat, dhe përvojat e jetës, u bënë shkak frymëzimi për të shkruar dhe shprehin më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë. Një vecanti sensuale dhe eksperimentale kjo, qëshkrimtari ndërthuri mendimin dhe ndjenjën në forma të rëndësishme filozofike dhe artistike. Kjo veçanti e të menduarit dhe të shprehurit të Priftit, rrjedh nga përkushtimi i tij, nga guximi, mëncuria, krenaria, modestia, unik, dhe i pabujë, që e bënë atë një simbol të triumfit të shpirtit njerëzor.Personazhet e veprave të tij letrare janë njerës të thjeshtë, dhe Prifti diagnostifikoi dhe mëkoi me dlirësi botën shpirtërore dhe sociale të tyre, ndërsa ata ndikuan me një fuqi të magjishme plot jetë dhe vuajtje njerëzore, dhe ai nuk ngurroi, por na i rrëfeu me lirinë e një shpirti të lirë, që e shëndrruan atë në Mjeshtër të Rrëfimit dhe Dialogut. Pena e Naum Priftit, këtij shkrimtari të shquar dhe i lënë padrejtësisht në hije,na ka frymëzuar dhe rritur me dashurinë për letërsinë, vepra që mbartin në vetvete dëshmi të njerëzores e shpirtërores, emocionuese dhe edukative. Vetë natyra, koha dhe liria i dhanë mundësinë, Naum Priftit, këtij njeriu të madh me vlera të papërsëritshme qytetarie e krijuese të letrave shqipe, të ngrejëë dhe ringrejë qindra herë strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, të idealeve e virtyteve të kombit, edhe si pjesë e kulturës amerikane.

Në veprat e shkrimtarit Naum Prifti, që në pamje të parë bie në sy gjalëria e integritetit individual e kontributit dimensional krijues, kontribut që të bën të përfytyrosh si kanë qenë ëndrrat e tij, plot sfida e dhimbje, sakrifica e arritje, përkushtimin pakompromis jo vetëm për të pasqyruar dhe rrëfyer jetën, por edhe për t’i dhënë frymë dhe formësuar shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore, situatave social-historike të shprehura përmes artit të të shkruarit. Teksa shkruajmë këtë requiem ndjejmë një emocion të vecantë për këtë tregimtar terrifik, personalitet i letrave shqipe dhe kulturës shqiptaro-amerikane, për këtë kolonjar të shquar, bashkëqytetar i drejtpërdrejtë i kolonjarit tjetër, Noli të Madh, jo vetëm sepse me tregimet, skenarët e filmave, dhe rrëfimet e tij i kemi lexuar që në fëmijërinë tonë, në librat e shkollës, si një shkrimtar i letërsisë për fëmijë, por edhe më pas, eruducioni i tij si shkrimtar dhe intelektual, kur u njohëm më nga afër me shkrimtarin e shquar në eventet kulturore, letraro-artistike që zhvillonte Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në metropolin e Neë Yorku-ttë Amerikës së largët, ai me statutin e Kryetarit dhe ne kolegë dhe anëtarë të saj, një miqësi dhe bashkëpunim që vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Unë më pas u bëra një vëzhguese e krijimtarisë së tij letrare, deri edhe në intervistimin e këtij njeriu të shquar të letrave shqipe.

Origjina, shkollimi dhe fillesa në udhëtimin e gjatë krijues

Naum Prifti lindi më 7mars 1932, në fshatin Rehovë të Kolonjës, një fshat që dëshmon arsimdashës dhe kulturë të herëshme, qytetërim të vecantë, dhe konsiderohet si një perlë tradicionale dhe historike me atë arkitekturën e veçantë, natyrën emrekullueshme, me lëndina dhe lule të egra, ku secila prej tyre mbart ngjyra dhe aromë të veçantë.Fshati Rehovë njihet ndjeshëm për bibliotekat e para modeste të ngritura nga njerëzit e thjeshtë, intelektualët arsimdashës, dhe adhuruesit e dashamirës të librit.Nga Rehova kanë dalë personalitete të spikatura të artit, kulturës, shkencësdhe historisë. Një ndër personalitet më të shquara të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, është eruditi Prof. Peter R. Prifti (vëllai i N.P), i cili çmohet nga bota shqiptare si një patriot, dijetar i shquar, historian, politolog, gjuhëtar, përkthyes dhe letrar.

Pikëtakimet e para me librin i ka pasur në rininë e tij të herëshme, kur i bie në dorë libri “Shkrimtarët Shqiptarë”(pjesa I), një antologji e mrekullueshme hartuar nga Ernest Koliqi, Namik Resuli, Filip Fishta me jetëshkrime shkrimtarësh dhe copa të zgjedhura. Më pas, gjimnazisti i apasionuar pas librave nga Rehova e Kolonjës, u mahnit kur i ra në dorë romani i M. Zevacco-s , “Ura e Psherëtimave,” dhe pastaj me radhë “Bija e Mallkuar,” “Zonja me Kamelie,”e A. Dumas, etj., dhe sa herë vinte në Korçë pas lufte gjithmonë blinte libra, kryesisht romane të përkthyera. Krijimi i parë artistik i Priftit, Mjeshtrit të tregimit të shkurtër, ka qenë një vjershë humoristike e ngjashme me bejtet popullore, të ciën e ka shkruar kur ishte vecse 12 vjec. Atë ua recitoi shokëve të tij dhe më pas dhe disa partizanëve, midis të ciëve ndodhej edhe kushëriri i tij Pali Prifti, njeri me shkollë, që më vonë ra dëshmor në Luftën Nac.Cli. Shokët dhe ai e përgëzuan, madje shprehënedhe habinë që Naumi 12 vjecar e kishte krijuar vetë atë.Ndërkohë ky gjimnazist pasionant vazhdoi të shkruante vjersha humoristike në frymën e KAPA- Kristaq Cepës, dhe t’i i botonte ato, në gazetën e murit të shkolës unike Ersekë në vitet 1946-48. Krahas vjershave humoristike Naum Prifti nisi të shkruante tregime dhe tregimin e parë “Lapidari” bazuar te një ngjarje e vërtetë ndodhur në fshatin e tij, Rehovë, u botua te gazeta “Letrari i Ri” më 15 maj 1950.

Pasionin për të shkruar dhe hedhur në letër, përvojat jetësore, dhe ngjarje reale, filloi t’i perfeksiononte duke botuar tregime në organet periodike, revista “Nëndori,” gazeta “Rinia” të cilat më vonë i përmblodhi te vëllimi

Libri i tij iparë i rëndësishme është “Tregime të Fshatit, i cili u botua më 1956-ë nga Sh. Botuese “Naim Frashëri”, libër që nuk kaloi pa ënë gjurmë, por u prit shumë mirë nga kritika e kohës dhe do të printe një sukses të pandërprerë, libër pas libri të shkrimtarit Naum Prifti. Libri i parë me tregime mori vlerësime nga shokë e shkrimtarë që i përkasin gjeneratës së artë të shkrimtarëve, sikundër kritiku Mark Gurakuqi dhe Razi Brahimi.

Por vëllimi që pati me tepër sukses dhe do ta bënte të njohur ndër rrethet letrare, qe “Çezma e Floririt,” (1960). Ky vëllim ra në sy për frymën lirike dhe vërtetësinë e ngjarjeve, ndryshe nga letërsia descriptive dhe skematike e viteve të para të pasluftës.

Në adoleshencë, Prifti ishte kurreshtar të lexonte cdo gjë të shkruar edhe një copë letër të gjente në tokë, do ta merrtë në dorë dhe ta lexonte. Ndaj edhe u mrekullua kur lexoi me kërshëri një tregim të Sterjo Spases te vëllimi “Nusja pa duvak”. Mbeti i cuditur se aty mësoi që mund të bëhej letërsi edhe me jetën e njerëzve të thjeshtë, me zjarrishtën, postiqet, pagurin me raki, andajiu krijua ideja se vetëm për të tilla gjëra ia vlente të shkruhej. Mjeshtëri i tregimit, Naum Prifti kishte një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethonin, dhe kjo e bëri që ka pasur arritje dhe suksese në udhëtimin e gjatë krijues të tij deri në fund të jetës. I vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje, mund të thuhet se Prifti ka qenë një tregimtar i lindur. Edhe pse ka shkruar në gjini të tjera, tregimi do të ishte gjinia e tij e preferuar. Shpesh dashamirët dhe adhuruesit e tregimit të tij, e quanin Çehovi shqiptar dhe kjo natyrisht i përkëdhelte sedrën dhe inkurajonte të shkruante vazhdimisht. Naum Prifti krijonte karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën frymëzuese e krijuese të elitës së shquar të paraardhësve dhe bashkëkohasve të tij, të letrave shqipe, sikundër; Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Safete Juka, Peter R.Prifti, Jakov Xoxe, Kico Blushi, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Sotir Andoni, Ismail Kadare, Vath Koreshin, Gazmend Kongoli, Nasho Jorgaqi, Petraq Kolevica, Vangjush Ziko, Petraq Zoto, Albana Lifschin, Fatos Kongoli, etj., të cilët ngritën nivelin e tregimit shqiptar, dhe ndihmuan që gjinia të çmohej si e meritonte duke kultivuar shije të lakmueshme estetike. E vërteta jetësore rralë qëllon të përkojë plotësisht me të vërtetën artistike. Një kritik rus pohon se të gjesh në jetë një subjekt të gatshëm, kjo është njëlloj si të gjesh në natyrë flori të pastër, të papërzierë me skorie. Megjithatë jeta disa herë tregohet bujare, dhe rastis të gjesh subjekte të plotë, personazhe që s’ke nevojë t’u bësh makijazh, pra t’u shtosh a t’u heqësh diçka. Një personazh të tilë Naum Prifti e gjeti në Divjakë kur u njohme Vasil Shoren, protagonistin e tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt,” Vlash Zakën.

Naum Prifti ishte një punëtor i palodhur i penës. Për këtë flet e gjithë krijimtaria e tij cilësore, me numrin më të madh të botimeve, si asnjë krijues tjetër në Shqipëri, një trashëgimi e pasur për brezat e ardhshëm.

Familja humbi njeriun e saj të dashur, letërsia shqipe humbi një figurë të shquar të saj, gjuha shqipe humbi një mjeshtër të dashuruar marrëzisht pas saj.

Prehu në PAQE, miku dhe kolegu ynë!

Të qoftë dheu i lehtë, mik i shtrenjtë!!

I përjetshëm kujtimi dhe drita e e veprave që la pas, Naum Prifti shkrimtari simboli i triumfit të shpirtit njerëzor.

Biografia dhe veprat e shkrimtarit të shquar, Naum Prifti

Naum Prifti u lind në Rehovë të Kolonjës, në 7 Mars 1932 ku ka kryer shkolën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare.Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës.I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni.Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës.Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe.Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot.Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Neë York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.Tregimi, “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.

Shkruar nga

Raimonda MOISIU

Author Freelancer,

Ish/Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Mëhill Velaj

Poet/Shkrimtar

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Qershor 2023, USA

Filed Under: ESSE

JU I KINI SOT, KËTU, TË GJITHA

June 26, 2023 by s p

Prof. Ylli Pango/

…Ju i kini sot…këtu…të gjitha liritë. Ju kini liritë të mos dini…ju i kini sot të gjitha liritë të mos mësoni…ju i kini…të gjitha liritë të injoroni, blasfemoni, mohoni, shtrembëroni…t’ja fusni kot a të shkatërroni…

…Ju i kini të gjitha liritë e ligësisë e të paditurisë…e sërish të mbretëroni…

…sot…këtu…në mbretërinë e pafund të “lirisë” së batërdisë, në “demokracinë” pa tru të padituri-ligësisë…

…Ju i kini sot të gjitha liritë të shpifni…ju i kini këtu të gjitha liritë…të shani..ju i kini…sot të gjitha liritë të intrigoni…ju sot i kini të gjitha liritë të gënjeni e mashtroni…të shtypni e shtrydhni e dërrmoni…pa mëshirë po dhe ashtu si pa u ndjerë…madje duke kërcyer e kënduar…sot…këtu…mbi piedestal të mbretit të mbretërisë së zgavërt të cektësi-zbrazësisë…mbështjellë në formë varak-bojatisur, kallangjosur të hipokrizi-shëmtisë…

…Ju i kini sot aty mbi fron, në duart tuaja, në pëqi, të gjitha dredhitë, helmet që ua blaton sistemi i ri i paudhësisë, “demokracia” e trashëgimisë, e bijës të

sistemit të shkuar të anti-njerëzisë…

…Ju i kini këtu tashmë, sërish mbuluar me petk mëndafshi të rremë të “demo-lumturisë”, të gjitha liritë e shtazërisë, e çnjerëzisë, lëshuar nga zinxhirët e së shkuarës së diktatit, të dhunës e të përdhunës…

…Ju i keni edhe liritë të shfryni, shtërzeni, shpërtheni…për të tentuar, të “kuroheni”, çliroheni, shpëtoni nga e keqja e madhe e ligësisë, paditurisë, ligësisë së paditurisë a paditurisë së ligësisë, barra e rëndë e mëkatit gjithshkafja që ndryni brenda vetes e që njëherë nuk do e mbani më dot… e që një herë do doni ta krreni nēmos do tua krrejnë me hir a me pahir…

…Ju i keni pra e do ti keni pashqitshmërisht mbi vete e në vete, të gjitha të zezat e nuk do të shpëtoni dot prej tyre, sado dëme të bëni rreth vetes e larg saj…

…Ju do i kini edhe ca kohë të gjitha këto…

…E megjithatë në një fund, do të jeni po ju…aq rëndë ngarkuar, përdhosur e shëmtuar…fatalisht destinuar…të mbysni veten a të mbyteni vetë prej të keqes që mbani brenda

…Askush që i ka pasur, të gjitha këto që ju kini, nuk ka shpëtuar soje gjer më sot…Sa e sa herë ju a ka treguar, ju ka dënuar, historia.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT