
Prof. Ylli Pango/
…Ju i kini sot…këtu…të gjitha liritë. Ju kini liritë të mos dini…ju i kini sot të gjitha liritë të mos mësoni…ju i kini…të gjitha liritë të injoroni, blasfemoni, mohoni, shtrembëroni…t’ja fusni kot a të shkatërroni…
…Ju i kini të gjitha liritë e ligësisë e të paditurisë…e sërish të mbretëroni…
…sot…këtu…në mbretërinë e pafund të “lirisë” së batërdisë, në “demokracinë” pa tru të padituri-ligësisë…
…Ju i kini sot të gjitha liritë të shpifni…ju i kini këtu të gjitha liritë…të shani..ju i kini…sot të gjitha liritë të intrigoni…ju sot i kini të gjitha liritë të gënjeni e mashtroni…të shtypni e shtrydhni e dërrmoni…pa mëshirë po dhe ashtu si pa u ndjerë…madje duke kërcyer e kënduar…sot…këtu…mbi piedestal të mbretit të mbretërisë së zgavërt të cektësi-zbrazësisë…mbështjellë në formë varak-bojatisur, kallangjosur të hipokrizi-shëmtisë…
…Ju i kini sot aty mbi fron, në duart tuaja, në pëqi, të gjitha dredhitë, helmet që ua blaton sistemi i ri i paudhësisë, “demokracia” e trashëgimisë, e bijës të
sistemit të shkuar të anti-njerëzisë…
…Ju i kini këtu tashmë, sërish mbuluar me petk mëndafshi të rremë të “demo-lumturisë”, të gjitha liritë e shtazërisë, e çnjerëzisë, lëshuar nga zinxhirët e së shkuarës së diktatit, të dhunës e të përdhunës…
…Ju i keni edhe liritë të shfryni, shtërzeni, shpërtheni…për të tentuar, të “kuroheni”, çliroheni, shpëtoni nga e keqja e madhe e ligësisë, paditurisë, ligësisë së paditurisë a paditurisë së ligësisë, barra e rëndë e mëkatit gjithshkafja që ndryni brenda vetes e që njëherë nuk do e mbani më dot… e që një herë do doni ta krreni nēmos do tua krrejnë me hir a me pahir…
…Ju i keni pra e do ti keni pashqitshmërisht mbi vete e në vete, të gjitha të zezat e nuk do të shpëtoni dot prej tyre, sado dëme të bëni rreth vetes e larg saj…
…Ju do i kini edhe ca kohë të gjitha këto…
…E megjithatë në një fund, do të jeni po ju…aq rëndë ngarkuar, përdhosur e shëmtuar…fatalisht destinuar…të mbysni veten a të mbyteni vetë prej të keqes që mbani brenda
…Askush që i ka pasur, të gjitha këto që ju kini, nuk ka shpëtuar soje gjer më sot…Sa e sa herë ju a ka treguar, ju ka dënuar, historia.