• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“22 NËNTORI” FESTË KOMBËTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

November 21, 2022 by s p

Prof. Bexhet Asani

Njëqind e katërmbëdhjetë vjet më parë përfundoi punimet Kongresi Historik i Manastirit. Ky vit, pra viti 2022, është viti i njëqind e trembëdhjetë vjetorit të botimit të abetares së parë të Parashqevi Qiriazit më 1909, disa muaj pas përfundimit me sukses të punimeve të Kongresit të Manastirit. Sipas patriotit të shquar Gjergj Qiriazit Kongresi filloi punimet më 14 nëntor dhe i përfundoi më 22 nëntor të vitit 1908.

Në Kongres morën pjesë 50 delegatë, disa delegatë kanë pasur nga dy vota, ndërsa 18 delegatë ishin pa të drejtë vote. Pjesëmarrëse në Kongres ishte edhe mësuesja e popullit Sevasti Qiriazi, por pa të drejtë vote. Sot në këtë ditë të shënuar, dita më e arritur e popullit shqiptar në Maqedoni, kemi nderin të përmendim emrat e ndritur, të pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit: Kryetar nderi u zgjodh qeveritari Hivzi Pasha. Anëtarë u zgjodhën: Ellahudin Bej dhe Gjergj Qiriazi nga Manastiri, Shefqet Frashëri dhe Thoma Avrami nga Korça, Grigor Cilka dhe Sami Pojani vinin nga shkollat e amerikane, Mihal Grameno poashtu nga Korça, Rauf Gjirokastra dhe Bajo Topulli nga Gjirokastra, Dhimitër Buda dhe Simon Shuteriqi nga Elbasani, Shahin Kolonja nga Kolonja, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci dhe Gjergj Fishta nga shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës, Ndre Mjeda nga shoqëria “Agimi” e Shkodrës, Ahile Eftimiu nga Konstanca e Rumanisë, Sotir Peci përfaqësonte shoqëritë shqiptare të Bukureshtit dhe të Amerikës, Zejnel Leskoviqi nga Leskoviku, Mitat Frashëri përfaqësonte Janinën dhe Selanikun, Leonidh Naçi Vlorën, Rafëz Ibrahimi dhe Emin Bej përfaqësonin Shkupin, Refik Toptani Tiranën, Adhem Shkaba koloninë e Sofjes, Dhimitër Male përfaqësonte Filipopullin, Fehim Bej Zavalani përfaqësonte koloninë e Misirit, Luigj Gurakuqi përfaqësonte shqiptarët (arbëreshët) e Italisë, ndërsa Nexhat Vrioni përfaqësonte qytetin e Beratit.

Punimet e Kongresit i hapi Fehmi Zavalani kryetari i Këshillit të Klubit “Bashkimi” të Manastirit. Kryetar i delegatëve u zgjodh Mitat Frashëri, ndërsa, nënkryetarë u zgjodhën: Gjergj Qiriazi dhe Luigj Gurakuqi, sekretarë të Kongresit u zgjodhën: Thoma Avrami, Nyzhet Vrioni dhe Hilë Mosi.Vendimet madhore për kohën, pas shumë peripecish, u morën në mbledhjen e tetë. Aty u bë një kompromis që alfabeti i Stambollit të mbetej në fuqi edhe për një kohë e të përdorej paralelisht me alfabetin e ri, ky me atë të “Bashkimit” me disa ndërrime dhe plotësime nga ai i Stambollit e i Shoqërisë “Agimi” të Shkodrës.

Le të përmendim tani emrat e Komisionit të cilët kryen këtë punë kaq të madhe historike: Kryetar Gjergj Fishta, nënkryetar Luigj Gurakuqi, anëtarë: Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Grigor Cilka, Nyzhet Vrioni, Ndre Mjeda, Taqi Buda, dhe Mitat Frashëri. Pas shumë diskutimesh jo aq të lehta u vendos alfabeti që përdorim sot e kësaj dite.

Por ky alfabet u luftua ashpër prej disa kerikëve dhe disa feudalë anadollakë të nxitur nga qeveria e Perandorisë Osmane, me theks të veçantë të xhonturqve ( turqve të rinj ). Këto komisione kishin për detyrë jo vetëm që të pengojnë punimet, por, edhe të ndalojnë me çdo kusht të ndalonin botimin e librave me alfabetin latin. Librat sipas tyre duhej të botoheshin me alfabetin arabo-turk me qëllim që të pengonin dhe të dëmtonin sa më shumë të ishte e mundur zhvillimin e kulturës shqiptare pa fijen e turpit.

Kogresi, mbledhjet i mbajti me dyer të mbyllura.

Me iniciativan e klerikëve në Shkup, në mesin e të cilëve gjindej Sahid Efendia, deputet i popullit të Shkupit, i cili erdhi këtu kinse për shkak sëmundjeje, u mbajt një miting kunder përdorimit të alfabetit latin në shqipet…. çarshia ka qenè gati e mbyllur (banorët kristianë nuk morën pjesë – P. J.). Foli shkurtimisht Hysen efendiu, mësues i shkolles së lartë fillore të Shkupit. S’u dha asnjë rezolutë me shkrim. . . Hysen efendia, përafërsisht tha: „Përdorimi i alfabetit latin për gjuhën shqipe është kundër Sheriatit. Ai alfabet kurrsesi nuk do të pranohet.

Në dokument theksohet dhe se ,,Nexhib Draga, deputet i Shkupit, është përkrahës i alfabetit latin dhe po bënë orvajtje që ai të pranohet. Qëndrimi i tij është për denim. Ai humbi besimin e votuesve të vet”. Gjykimi qe i njëzëshëm dhe tubimi pranoi që të autorizohet Komisioni për zgjidhjen e këtij konflikti…Flitej se qëllimi i këtij tubimi ka qenë marrja e mandatit të Nexhib Dragës ose te detyrohet të japë dorëheqjen, por ai refuzoi. Kjo është provë se këtë miting e përgatitën vetë autoritetet turke, e në rend të parë vetë velia Merxhan beu”. Pra Nexhib Draga është kurbani i parë për kauzën e alfabetit latin të shqipes.

Ndarje të tilla kishte pothuaj në çdo qytet të të vilajeteve shqiptare. Në një anë vepronin ithtarët e alfabetit latin në anën tjetër vepronin ithtarët e alfabetit turko-arab me ndihmën e qeverisë turke here fshehur e here hapur. Forcat përparimtare ngadhnjyen. Peripecitë e alfabetit qenë të shumta! U mbajtën disa Kongrese por të gjithë dështuan.

“Oficerët, nëpunësit dhe nxënësit shqiptarë, që para pak kohe nuk paraqiteshin si shqiptarë, tani të gjithë, haptazi, janë deklaruar në kombësine e tyre të vërtetë”.

Konsulli Luba M. Mihajloviçi shkruan: rruga e alfabetit kombëtar dhe përpjekjet e bëra ka qenë plot me peripeci, por dashamirët e kulturës e të gjuhës shqipe ngadhënjyen të mbajnë alfabetin e sotëm si shenjë të parë të kombit”.

Dita e përfundimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, 22 nëntori është festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Më 22 nëntor të vitit 1908, përfundoi me sukses punimet Kongresi i Manastirit. Kjo datë historike për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut kremtohet nëpër institucionet shtetërore, në universitete, shkolla fillore dhe të mesme, me aktivitete letraro-muzikore e kulturore.

Dita e përfundimit të Kongresit të Manastirit duhet të shpallet festë kombëtare edhe në Republikën e Kosovës e në Republikën e Shqipërisë. Ne jemi një popull. Kemi një flamur. Kemi njjë gjuhë. Kemi një Skënderbe. Duhet të kemi një festë kombëtare siç është “22 Nëntori”.

Me afabetin e këtij Kongresi, me këto shkronja të skalitura me gjak, shërbehen gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor.

Duhet të theksoj se derisa isha pedagog në Gjimnazin e Strugës, Manastirin sidomos Shtëpinë e Kongresit, më 22 nëntor, e bëra Qendër Pelegrinazhi për nxënësit dhe koleget e kolegët e mi. Atje, në Manastir domosdo do të na priste rilindësi i fundit i Manastirit mësuesi dhe gazetari Qenan Hasani.

Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 22 nëntor të vitit 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:

“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.

Shfrytëzoj rastin që sot nga “Vatra” t’ i drejtohem drejtorit të Muzeut të Alfabetit që 11 anëtarëve të Komisioit të Kongresit të Manastirit t’ i shtojë edhe dy manekine me qëllim që të mos jenë të gjithë burra, por atyre burrave të shquar t’ u shtohen edhe mësueset e Popullit Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Ndonjëri mund të thotë se ato nuk kanë qenë anëtare të Komisionit?! Po. Është e vërtetë. Po ç’ faj kishin ato që atë kohë femrat nuk kishin të drejtën e votës?! Ato ishin të lidhura ngushtë me punimet dhe vendimet e Kongresit.

Motrat Qiriazi përcillnin të gjitha seancat qofshin ato plenare qofshin ato të fshehta. Vetëm pas disa muajve Parashqevi Qiriazi e botoi Abetaren e parë, të cilën do ta quaj “Abetare me shkronjat e bashkuara”. Ja pse këto mësuese duhet të jenë në mesin e anëtarëve të Komisionit. Rroj me shpresën që herën tjetër kur të vizitojë e të vizitoni ju të nderuar Muzeun e Alfabetit t’ i shikojmë edhe motrat tona Sevastinë dhe Parashqevinë, bashkë me ata burra të shquar sepse edhe ato ishin të shquara dhe ndihmuan me mish e me shpirt që sot të kemi këto 36 shkronja të arta.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bexhet Asani

ISH ZËVENDËS PRESIDENTI AMERIKAN MIKE PENCE NË CNN

November 18, 2022 by s p

Në  mbrëmjen e 16 Nëntorit 2022, nën “breshërinë” e pyetjeve  të moderatorit Jake Tapper, të shumë gazetarve, intelektualeve, e përfaqësuesve të fushave të ndryshme, foli për gati dy orë në TV CNN, ish Zëvendës Presidenti i SHBA-së Zoti Mike Pence.

Me një sjellje elegante prej intelektuali e xhentëllmeni të vërtetë amerikan, ndaj  të gjithë atyre që e morën fjalën. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë e pa asnjë mëdyshje (ekuivoke) por të qartë si kristali. Me qetësi, maturi, fjali të shkurtëra e të mirmenduara, ai ju përgjigj  pyetjeve  të thjeshta e atyre me shumë “spec”, që të  për para  dy viteve  dhe të situarës aktuale. Disa nga pyetjet ishin edhe rreth librit që kishte publikuar Zoti Pence.

Ai pasi vuri në dukje besimin e tij të palëkundur  në vlerat  republikane për: fenë, familjen, shtetin,ekonominë, interesin publik dhe përgjegjësinë e shtetarit për mbrojtjen e interesave amerikane  në botë, për zhvillimin, progresin e të ardhmen, u ballafaqu me disa sekuenca filmike të 6 Janarit 2021.

Ish Zëvendës Presidenti mendueshëm e prerë tha: ”6 janari është një ditë tragjike për SHBA-në…Ajo është dita më e vështirë në jetën time publike”. Më vjen keq që presidencia në të cilën unë shërbeva (did not end well), nuk u mbyllë mirë.

 Pyetjes së Presidentit Trump pas kësaj ngjarje se : ”a u friksove?, unë ju përgjigja  tha Pence “ nuk u friksova por jam i inatosur” dhe shtoi: ”Miqësisht i ofrova Presidentit këshillat e mija për kundërshtimin antikushtetues për të bllokuar rezultatet e zgjedhjeve”. Për këtë  me pas Presidenti më kritikoi edhe publikisht, por gjërat janë të tilla që “Presidenti zgjodhi të bëhej pjesë e problemit, kurse unë  zgjodha të bëhem pjesë e zgjidhjes”.

Pyetjes se thirrjet e Presidentit Trump më 6 janar a e nxitën turmën për rrebelim kundër Godinës së Kongresit, Pence ju përgjigj se thirrje të tilla ka bërë Kryetarja e Kongresit  Nensi Pelosi shumë herë. Por pyetja shtrohet se Trump nuk i kërkoi turmës të ndalej? Pence tha ishte vonë. Por në gjykimin tim Presidenti ishte “resentful” e cila në shqip do të përkthehej si: i fyer lënduar, i zemruar, i inatosur.

Por Zoti Trump deklaroi se do të kandidojë për zgjedhjet e vitit 2024, ju si mendoni për këtë kandidim? Pence ekzaktësisht tha:”I think it’s time for new leadership in this country that will bring together around our highest ideals”.   Pyetjes se a do të kandidoni ju për zgjedhjet e ardhëshmë presidenciale? Ai e la derën e hapur duke thënë se: ”në tavolinën e fundvitit ku do të jenë prezent, bashkshortja, djali, vajza, dhëndërri  ku do ta diskutojmë edhe këtë temë”.

Pyetjes se pse nuk e dhatë dëshminë tuaj në Konges? Pence ju përgjigj:” në Kushtetutë tonë  është përcaktuar ndarja e pushteteve, ku Presidenti (edhe Zëvendësi) nuk mund ta thërrasin në raportë Kongresin. Por edhe Kongresi nuk mund ta thërras Presidentin (Zënendësin).

Vec sa më sipër Zoti Pence  ju përgjigj edhe shumë pyetjeve  që kishin objekt luftën në Ukrahinë, krizën energjitike, inflacionin, të ardhmen globale dhe lidershipin amerikan, mundësitë e bashkepunimit për udhëtimet në hapsirë (orbitën e tokës, Hanë, Mars etj).

E shkruajta këtë shkrim të shkurtër, jo qëllimkeq e si një kundërvënie ish Presidentit Trump, aspak. Por, vetëm për të vënë në dukje  disa aftësi e cilësi brilante lidershipi të ish Zëvëndës Presidentit Mike Pence  të cilat do të dëshiroja ti shihja tek klasa politike në dyshtetësin shqiptar. Do të dëshiroja të ju a rekomandoja vecanërisht politikanëve të rinj shqiptar se sa i rëndësishëm është artikulimi pa rrotulla i gjërave të rëndësishe në politikë, ekonomi, diplomaci e kudo tjetër.

              ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati

Patriarku i kishës ruse “non grata” si mbështetës i agresionit

November 18, 2022 by s p

Shaban Murati/

Në 16 nëntor gazeta e njohur ruse “Kommersant” botonte deklaratën e patriarkut Kirill të kishës ortodokse ruse, i cili ankohej pse BE ka marrë vendimin e shpalljes së tij “non grata” dhe të mos e lejojë të hyjë në territorin e BE. “Non grata” e kanë shpallur kreun e kishës ortodokse ruse edhe Britania e Madhe dhe Kanadaja. Bota demokratike perendimore e ka shpallur “non grata” patriarkun e kishës ortodokse ruse për shkak të mbështetjes dhe pjesëmarrjes skandaloze të kishës ortodokse ruse në agresionin fashist rus në Ukrainë.

Shërbesa e kishës ortodokse ruse dhe personalisht e e patriarkut Kirill për politikën agresive imperaliste të Kremlinit ka arritur shkallën më të lartë të fondamentalizmit dhe të fanatizmi fetar. Me një ekstazë fanatizmi fetar të denjë për mesjetën e hershme patriarku Kirill deklaroi në 25 shtator 2022 se “ushtarëve rusë, që vriten në Ukrainë duke kryer detyrat luftarake, iu falen të gjitha mëkatet”. Nuk mendohet se për të identifikuar çmedurinë kërkohet provë tjetër. Kirilli në emër të kishës ortodokse ruse ka bekuar qysh në fillim agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe ka deklaruar se ushtarët rusë po bëjnë atje “një vepër heroike”.

Kremlini nxitoi ta kompensonte patriarkun Kirill me lavdërime të reja për rolin e tij në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Në datën 16 nëntor Kremlini organizoi mbledhjen e Komisionit të përhershëm të Këshillit të Presidentit të Rusisë për bashkëveprim me Kishën Ortodokse Ruse për çeshtjet e kozakërisë, ku merrte pjesë edhe patriarku Kirill. Përfaqësuesi i presidentit Putin dhe sekretar i përgjithshëm i këtij komisioni, Aleksej Kiriçenko, u thuri lavde priftërijve të kishës ortodokse ruse “që ndodhen në pararojën e luftës me të keqen në Ukrainë” dhe në emër të Kremlinit e falenderoi kishën, që ka dërguar “shumë prifitërij në vijën e parë të frontit të operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainë, duke u dhënë luftëtarëve mbështetje shpirtërore, duke iu forcuar shpirtin dhe besimin ortodoks”.

Përballë këtij njësimi të kishës ortodokse ruse me agresionin rus në Ukrainë provohet i drejtë dhe bindës vendimi i BE për të shpallur “non grata” patriarkun luftënxitës Kirill. Është një vendim me të cilin duhet të bashkohen edhe shtete kandidate të BE, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilat kanë detyrimin që të harmonizojnë me BE qendrimet e politikës së jashtëme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Shaban Murati

PAVËRTETËSIA E NJË SHKRIMI HISTORIK

November 17, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më 31 tetor 2022 gazeta e kryeqytetit “Dita” ka botuar një shkrim me sfond historik  me titull “Aspekte shqiptare nga lufta italo-greke” me një porosi të veçantë të redaksisë: “shpërndaje”.

“Lufta italo-greke, 82 vite më parë, e cila filloi më 28 tetor 1940 dhe përfundoi në prill 1941 nuk ka gjetur një pasqyrim të plotë në historiografi”. Kështu fillon artikulli, që është më shumë një renditje këgësh popullore mbi atë periudhë se sa një studim i mirëfilltë historik. Më poshtë autori i artikullit, z. Dilaver Goxhaj, shkruan: “Ajo klasë politike kolaboracioniste e vunë vëndin tonë me akte zyrtare në gjëndje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së Mbretit Viktor Emanuel III, mbanin dhe firmën e kryeministrit kuisling Mustafa Kruja duke e quajtur një okazion për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”….

Si rrjedhojë e atij nënëshkrimi nga Mustafa Kruja, Shqipëria pas okupacionit italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t’i kushtonte veçanërisht Jugut të Shqipërisë. Duke u rreshtuar në anën e agresorit, kolaboracionistët e bënë Shqipërinë, nga një vënd viktimë e agresorit në një palë ndërluftuese, pjesëmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë”.

Ky është thelbi i shkrimit të z. Goxhaj. Mund të shmëzohet me zero nga ana historike kur thotë se Mustafa Kruja ishte kryeministri që firmosi aktet zyrtare për gjëndjen e luftës me Greqinë, si pasojë e sulmit të saj nga ana e Italisë. Është një pohim krejtësisht i rremë, sepse n’atë kohë Mustafa Kruja kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare dhe ishte senator i Mbretërisë italiane, duke mos patur asnjë post qeveritar. Dihet mirë se Mustafa Kruja u emërua kryeministër më 13 dhjetor 1941 dhe dha dorëheqjen më 3 janar 1943.

Sigurisht autori i artikullit nuk e ka quajtur të rëndësishëm  këtë fakt, mbasi në pasigurinë do të kishte hapur historinë e Shqipërisë, në të cilën studjues më të kujdesëshëm për të vënë datat e sakta do t’a kishin ndihmuar për të mos rënë në një gabim të rëndë përsa i përket së vërtetës historike. Apo ndoshta ndonjë paragjykim johenik ndaj personazhit e ka shtyrë të verë në qëndër të mërisë së tij emrin duke menduar se askush nuk do t’a verë re. Në fakt redaksia e gazetës “Dita”nuk e ka parë dhe e ka porositur lexuesin t’a “shpërndajë” sa më shumë këtë xhevahir të publiçistikës. Ky fallsitet historik e kthen në pluhur gjithë qëllimin e autorit për të vazhduar traditën e hershme të shtypit komunist në poshtërimin e personaliteteve atdhetare jo komuniste, që kanë vënë interesat e atdheut mbi gjithshka tjetër, mbi vuajtjet e tyre e të familjeve, mbi flijimet, mbi interesat e tyre vetiake.

Duke u kthyer në pohimet e mësipërme të shkrimit, e vërteta është se nuk ka asnjë dokument të nënëshkruar nga ndonjë shqiptar, duke filluar nga Mbreti Zog deri tek Opozita kundër-zogiste jashtë Shqipërisë, pra tek i gjithë qarku i plotë i politikës shqiptare t’asaj kohe, që të ketë “mbështetur pushtimin e Shqipërisë nga Italia” siç mëton z. Goxhaj. Askush nuk e ka dashur pushtimin dhe askush nuk ka qënë në gjëndje që t’a ndalojë.

Nëse ka ndonjë miratim të detyruar nga qeveria e Vërlacit kundrejt sulmit të Italisë kundër Greqisë, ai nuk ka patur si qëllim skllavërimin e popullit grek, por shpresën për bashkimin e trojeve shqiptare në Shtetin shqiptar. Por nëse ky synim u sendërtua për Kosovën, Dibrën e Zonën e Liqejve apo disa pjesë të Malit të Zi, nuk u arrit të kryhej për trojet e Jugut, Çamërinë dhe Epirin e Veriut, toka që kishin qënë që nga lashtësia territore të Arbërisë e të Vilajetit të Janinës  nën pushtimin otoman.

Ka një të vërtetë në pohimet e z. Goxhaj kur ai thotë se Mustafa Kruja përpiqej për “Shqipërinë e Madhe”. Është një pohim i bërë me qëllim poshtërimi të figurës së atdhetarit krutan, në një zë me paditë që i ka bërë atij propaganda sllavofile sërbe e shqiptare. Ai dhe miku i tij Qazim Koculi, ashtu si dhe shumë atdhetarë të tjerë patën si synim kryesor të veprimtarisë politike pikërisht Shqipërinë etnike dhe shmangien e ardhjes së partisë komuniste në pushtetin e Shqipërisë. 

Nëse, mbas tetëdhjetë vitesh, ka ndonjë studjues shqiptar që i quan ende këta synime si të padobishme, madje edhe të dëmshme për interesat e vërteta të Shqipërisë, ky fakt na çon në përfundimin se, fatkeqësisht, dogmat e historiografisë komuniste çuditërisht  mbeten ende më të fuqishme se sa ligjet më parake të logjikës njerëzore.       

Filed Under: ESSE

Reportazhi i vitit 1996 që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë

November 17, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Nëntor  2022/ Në Jubileun e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë risjellim reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” që e kam shkruar  para më shumë se çerek shekulli, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…

 “Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN

(Reportazhi i ardhmërisë II)

Behlul JASHARI

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.

            Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani…

            Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.

            Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…

            Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

            Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…

            Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.

            U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…

            Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.

            Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”

            Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.

            Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…

KRONIKË KUFIRI

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 26 viteve, në 18 Mars 1996.

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT