• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERËZIT – RIPËRTYPJA

July 18, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango

( pak Psikologji Sociale)

…Njerëzit tek ne, në një shumicë të madhe syresh, nuk arrijnë të kuptojnë a të lexojnë siç duhet; atë çka bën, vepron, shkruan, krijon, përjeton, etj etj,ai tjetri.

Në mbi 90% të tyre, njerëzit, “lexojnē”, “kuptojnë”, interpretojnë etj, jo njeriun tjetër, por paragjykimet e tyre për të. Njohjen e paktë që kanë për të, informacionin e gabuar a të cunguar. A në rastin më të mirë, fare të pamjaftueshëm për të. Informacion i marrë pothuaj i gjithi ky, nga njerëz të tjerë, nga media, thashetheme a përshtypje personale të cekta a të gabuara.

Kësisoj njerëzit rimendojnë, ritregojnë, rishkruajnë a ripërtypin për ty, atë çka kanë përtypur të tjerë a ripërtypur nga të tjerë për ty…

Kjo është një nga arsyet e mëdha të mosmarrëveshjeve, keqkuptimeve, inateve, konflikteve a mungesës së bashkëpunimit mes njerëzve…

…Ka jo pak raste kur thone: “Te njoh une ty” Ndërkohë që nuk ke këmbyer një herë ne jetë, as dy fjalë me ta.

O i panjohur! Thuaj më mirë: “ kam dëgjuar për ty?Të kam parë…diku, TV, rrugë, me dikë…kam mendimin tim për ty( mirë a keq)”

Dhe je më i saktë e më pak paragjykues.

Se në thelb ky është dhe dallimi i Gjykimit me Paragjykimin

Gjykimi bazohet në njohje të gjerë e të thellë. Paragjykimi bazohet në cektësi, thashethem a njohje pa thellim a gjykim. Andaj quhet Para-Gjykim. Gjykim paraprak, a ca më keq, gjykim me të parë. A me të parën.

(sigurisht s’e kam fjalën për figurat publike, sepse ka tjetër specifikë njohja e tyre. Ndonëse dhe atij, duhet së paku t’i njohësh mirë punën. Dhe rezultanten e të mirës me tē keqen në jetën e veprën e tij)

Njeriu njihet kur jeton me të.

Njeriu njihet sidomos kur punon me të…Relativisht gjatë. E meqë kjo është e pamundur ta bësh me të gjithë njerëzit, do të ishte ndofta më e udhës t’i dëgjoje sē pari ata, qē kanē jetuar a punuar me atë njeriun që gjykon. Në ca raste, që kanë luftuar me të.

E sidomos do duhej të njihje a të dije, veprën e njeriut.Pse jo: Atë tē mirën e ate të keqen. Se është ajo, vepra, që më shumë se të gjitha, flet për të

Sigurisht nëse do të kesh pasur dëshirën për ta njohur mirē atë vepër. Nëse do ta njohësh.

E nëse nuk do ta mohosh, ta shtrembërosh a të jesh i prirur ta keqgjykosh..Mbi bazë egosh, mërish personale.

E as nëse nuk e njeh dot atë vepër, për shkak mungese vullneti a cektësie a mungesë kulture, aq tipike tek jo pak nga ne…

Filed Under: ESSE

PUTIN, SCHRÖDER DHE DEMOKRACIA NË SHQIPËRI

July 16, 2022 by s p

Dr. Erion Dasho/

Ndonëse shumë njohës (edhe të përciptë) të politikës ndërkombëtare e bëjnë lehtë lidhjen midis presidentit rus dhe ish-kancelarit gjerman, lidhja e dyshes me demokracinë në Shqipëri ngjan shumë më abstrakte.

Në fakt, këtë lidhje e bëra pasi prej muajsh në Partinë Socialdemokrate Gjermane në pushtet po zhvillohet një debat i brendshëm. Me dhjetëra antarë të SDP-së po kërkojnë me ngulm që ish-kancelari Schröder të përjashtohet nga partia, ndërkohë që vetë ish-kancelari nuk e dëshiron diçka të tillë.

Pengesat me sa duket të pakalueshme janë dy – Kushtetuta dhe Ligji për funksionimin e partive i vitit 1967. Kushtetua përcakton se partitë e kanë të detyrueshme demokracinë e brendshme, kurse ligji është i prerë dhe i patjetërsueshëm lidhur me të drejtat e antarëve.

Sipas vetë juristëve të partisë, me shumë gjasa ish-kancelari do të vazhdojë të mbetet antar i partisë të cilën e drejtoi për një dekadë të tërë.

***

Rasti Schröder e tregon qartë se përse Gjermania ka demokraci dhe shtet të së drejtës, kurse Shqipëria nuk tregon asnjë shenjë se po lëviz në drejtimin që duhet.

Homologët e SPD-së në Shqipëri, janë në pushtet prej gati 10 vjetësh dhe partia mund të thuhet me plot gojën se është shndërruar në një timar të kryetarit-kryeministër.

Vjet ai emëroi antarët e qeverisë, madje edhe kryeparlamentaren, pa u konsultuar jo me struktura të partisë, por as me vetë të përzgjedhurit! Një depersonalizim total i asaj që duhet të jetë “elita” e socialistëve!

Para disa javësh, Rama emëroi drejtuesit e degëve të partisë nëpër rrethe, ndërkohë që deputetët i heq, i vë apo i lëviz nëpër qarqe sipas qejfit dhe tekave personale.

Juristë dhe politologë të njohur i kanë rënë prej kohësh këmbanave të alarmit për dëmin që shkakton mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike.

Këtyre këmbanave u bashkohen hera-herës edhe politikanë të rënë nga vakti të cilët kujtohen për demokracinë kur mungesa e saj fillon e penalizon ata vetë.

Lëvizjet e fundit në radhët e opozitës me primare për përzgjedhjen e kandidatëve janë një shenjë shprese, por ende duhet të kalojnë disa raunde të tillë për t’u shndërruar në një “traditë demokratike”.

Deri atëherë shqiptarët do të vazhdojnë të qeverisen nga një forcë politike thellësisht jodemokratike si rilindja.

Ata nuk duhet të çuditen se përse një forcë politike që tall e nëpërkëmb figurat e veta më të rëndësishme, shpërdoron besimin e votën e tyre.

Nga ferra edhe mund të dalë një trëndafil, por fatkeqësisht kjo ndodh shumë, shumë rallë…

Filed Under: ESSE

APOSTULLI I LIRISË FETARE DOM SIMON JUBANI: PROTAGONISTI I NJË EPOKE TË RE NË SHQIPËRI DHE VIZITA E TIJ NË AMERIKË NË MAJ TË VITIT 1991

July 15, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
A picture containing text

Description automatically generated

Më 12 Korrik 2011 ka ndërruar jetë Dom Simon Jubani, prifti katolik i cili ka kaluar 26 vjet në burgjet e Enver Hoxhës. Ai u lirua nga burgu me 13 prill, 1989.  Por, ishte 4 Nëntori i vitit 1990, kur prifti katolik “rebel”, celebroi për publikun meshën e parë, tashmë legjendare, në Varrezat e Rrmajit të Shkodrës, gjë që as nuk mund të merrej me mend në atë kohë, pasi feja ishte ende e ndaluar me ligj nga regjimi absurd komunist i Enver Hoxhës. Kjo meshë e parë, krejt spontane, sipas burimeve të asaj kohe, u pasua nga një meshë e dytë dhe më e organizuar, me 11 Nëntor, 1990, në të cilën morën pjesë më shumë njerëz edhe të feve të tjera.  Kështu, Dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së kishave dhe xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte shembur në atë vend të varfër shpirtërisht dhe materialisht.  Kleri e Kisha Katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi dhe i dha hov dhe fuqi fitores së lirisë dhe fillimeve të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Prandaj,  kujtojmë sot, njërin prej atyre klerikëve katolikë që luajtën rolin e sollën ndryshimin, Dom Simon Jubanin në përvjetorin e kalimit të tij në amshim,  njërit prej “protagonistëve të pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste”, siç e përcakton rolin e tij Radio Vatikani.

Po kush ishte Dom Simon Jubani i cili pas 26 vjet burg, tundi themelet e regjimit komunist ateist të Enver Hoxhës, në një kohë, kur feja ishte ende e ndaluar me ligj në Shqipërinë komuniste?   Dom Simon Jubani ka lindur në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare filloi Shkollën Apostolike të Jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike nga regjimi komunist, në mars të vitit 1946 ai u regjistrua në Gjimnazin e Shtetit. Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs për radio-rontgen. Pasi punoi pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit u mobilizua në ushtri. Pas tre viteve këthehet në Shkodër, ku është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba. Në vitin 1957 Dom Jubani emrohet famullitar në Mirditë, ku dhe përfundon i arrestuar nga regjimi komunist për më shumë se një çerek shekulli. 

Dom Simon Jubani do mbahet mend si prifti i parë katolik që celebroi meshën e parë, publikisht – ndonëse feja ishte ende e ndaluar me ligj në Shqipëri – me 4 Nëntor, 1990, në Kapelën e djegur të Varrezave të Rrmajit në Shkodër, ku morën  pjesë qindra besimtarë. Ka ndërruar jetë më 12 korrik të vitit 2011, në Shkodër ku edhe është varrosur, pikërisht, në Varrezat e Rrmajit ku bëri historinë, i përcjellur në atë jetë nga krerët e komuniteteve fetare, autoritetet vendore dhe përfaqësuesit më të lartë civilë dhe shtetërorë si dhe nga besimtarë të shumtë.

Siç kam kujtuar edhe herë të tjera për lexuesin, në mars/prill të vitit 1991, si pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, një prej qyteteve që kemi vizituar ka qenë edhe Shkodra, e njohur si kryeqendra e anti-komunizmit në Shqipëri. Me të arrijtur atje, vizituam Kapelën e Varrezave të Rrmajit ku po celebronte meshën për qindra të pranishëm, me ç’rast edhe u përshëndetëm, shkurtimisht, me Dom Simonin, pas meshës. Frank Shkreli: Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri – mars/prill, 1991 | Gazeta Telegraf — Prandaj me këtë shkrim modest deshta të kujtoj Dom Simon Jubanin, jo vetëm për heroizmin e tij përball bishës së egër komuniste dhe për kontributin e tij për lirinë fetare dhe demokracinë shqiptare në përvjetorin e kalimit të tij në amshim më 12 Korrik, 2011 – por në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare  po kujtoj edhe vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Maj të vitit 1991, vetëm disa muaj pas meshës së parë publike ç’prej vitit 1967. 

                    Dom Simon Jubani, meshtar Kampioni i qendresës anti-komuniste në Shqipëri, gjatë një vizite në shkollën “Studio City” të Kalifornisë, Maj, 1991, Dom Simon Jubani është shprehur: “Amerika është kampione e demokracisë, e paqës dhe përparimit. Evropa i ka pasur të gjitha luftërat. Populli Amerikan është popull paqësor. E do paqën…”

Njëri prej protagonistëve anti-komunistë të lirisë dhe demokracisë shqiptare nuk kishte pritur shumë kohë pas rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane më 15 Mars, 1991 që të vizitonte Amerikën e lirë dhe të shihte për së afërmi se si vepron demokracia në këtë vend. Në Maj të vitit 1991, Dom Jubani ka vizituar Amerikën, si “Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri”! Kështu qe paraqitur Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij, në Universitetin e San Franciscos, universiteti që me atë rast i ka i akorduar atij edhe Doktoratën e Nderit. Me atë rast, Dom Simon Jubani — i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës — vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon, Los Angelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij këtu, kudo që shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero.  Ndërkohë, priftit katolik shqiptar që kaloi 26 vite në bugjet dhe kampete enveriste — i ishin rezervuar nderimet dhe pritjet më të përzemërta, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe nga vet amerikanët, zyrtarë dhe jozyrtarë, të cilët kishin dëgjuar për aktin e tij guximtar në Shkodër. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan vizitën e tij gjerësisht.  Këto shënime janë nga burime të ndryshme por edhe nga kujtimet e mia të vizitës së Dom Simon Jubanit në Amerikë në Maj, 1991.

Në San Francisco, Dom Simon Jubanit iu akordua Doktorata e Nderit nga Universiteti i San Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin: “Për qëndrimin tuaj të guximshëm në mbrojtje të lirisë së fesë duke paguar një kosto të lartë me 26 vjet burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme dhe për thirrjet tuaja për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re postkomuniste, ashtu që falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendësojnë shtypjet dhe urrejtjet totalitare komuniste. Për bashkëpunimin tuaj ekumenik me vëllezërit e krishterë dhe për bashkëpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët myslimanë dhe hebrenjtë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu në Amerikë, duke përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh, të cilët kanë vuajtur persekutimet fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për paqen”. 

I emocionuar nga ky nderim i lartë nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante entuziazmin dhe kënaqësinë për nderimin që iu akordua atij nga një institute njohur amerikan, duke thënë, ndër të tjera se, në të vërtetë, ky ishte një nderim që i bëhej mbarë Kombit shqiptar për vuajtjet nën komunizëm: “Unë nuk jam ipeshkëv, por një prift i thjesht katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrijë besnik Perëndisë dhe besimeve të veta fetare.  Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazri, gjithashtu prift, kemi kaluar gjithsejt 62 vjet në burgjet dhe në kampet e punës, në Shqipërinë komuniste. Vëllai im Lazri ishte me fat, sepse vdiq atje si martir i Kishës. Por, siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush, një dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë në Shqipëri. Unë e pranoj me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre besimtarëve të feve të tjera, të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni mbarë Kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij.

Ndërkaq, duke falënderuar Dom Simon Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit San Francisco, At Lo Schiavo u ka thënë të pranishëmve se prifti katolik shqiptar ishte, “Një frymëzim për të gjithë ne në këtë universitet, si dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai, Dom Jubani, “Është simbol i feve të shqiptarëve, kështu që besoj se, duke nderuar atë, ne nderojmë shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besnikërinë e tyre ndaj besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, ka vazhduar presidenti i Universitetit San Francisco se, “Ceremonia e sotme shpreh unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, përfshirë vendin tonë.” 

Ndonëse e kishte konsideruar Amerikën si kampione të demokracisë dhe të lirsë në botë, Dom Simon Jubani ka shpreheur edhe kritikat e tija ndaj Amerikës, duke thënë se e shihte këtë vend siç është shprehur ai, edhe si një “vend i paradokseve”. Megjithëkëtë, gjatë vizitës së tij Washington, Dom Simon Jubani zhvilloi një numër takimesh me disa udhëheqës të Kongresit dhe pati takime edhe në Departamentin e Shtetit. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë e vitit 1991. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record), me titull: “Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i guximshëm i kampeve të vdekjes në Shqipëri! “SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF ALBANIAN DEATH CAMPS”. Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, i ndjeri William Broomfield, njoftonte kolegët e tij për vuajtjet e Dom Simonit: “Për 26 vjet, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë, sepse refuzonte të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua nën kushte të rënda dhe shumë të tmerrshme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë Shqipëria po çlirohet nga komunizmi…Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom Simon Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues për Shqipërinë, të marrë fund me fitoren e lirisë mbi forcat e territ”! 

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Simon Jubanit dhe të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara — në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane — kujtojmë guximin e Dom Jubanit, mijëra e mijëra bashkëvuajtës të tij dhe të gjitha viktimat e komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri, pa dallim feje ose krahine mbarë shqiptare.  Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit me entuziazëm dhe me dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqësues i të gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut.  I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Simon Jubanit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri – të cilat edhe sot — 30-e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe të VËRTETËN saktë për fatin e tyre të mjerë, 6,000 e më shumë prej të cilëve nuk u dihen as varret, ku familjet e tyre të mund të vendosnin një buqetë me lule në kujtim të familjarëve të vet të humbur dhe të harruar nga shteti dhe qeveritë “demokratike” shqiptare “post-komuniste”. 

 Për më tepër, jam i sigurt se në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Dom Simon Jubani do të shpjegonte komentin e tij për “paradokset” e Amerikës, duke bërë pyetjen se si është e mundur që, “Amerika kampione e demokracisë, lirisë, e paqës dhe përparimit”, siç është shprehur ai gjatë vizitës në San Francisco në Maj të vitit 1991—sot 30 vjet më vonë ende Shtetet e Bashkuara nuk i kërkojnë, publikisht, qeverisë dhe shtetit shqiptar që të dënohen, zyrtarisht, krimet e komunizmit të regjimit barbar të Enver Hoxhës në Shqipëri. Dhe që Shqipëria, sot anëtare e NATO-s, të distancohet, zrytarisht, nga e kaluara komuniste duke u përballur me ato krime anti-njerëzore, ashtu siç kanë bërët të gjitha shtetet ish-komuniste në Evropë. Dhe që kjo kërkesë të jetë edhe kusht Bashkimit Evropian (BE) për antarësimin e Shqipërisë në BE.  Ky është “paradoksi”, për të cilin, mendoj unë, fliste Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në këtë vend të bekuar, në Maj të vitit 1991. Prandaj, nëqoftse Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, vertetë, kanë dicka të përbashket në ketë 100-vjetor, siç pretendohet nga disa se ndajmë vlera te perbashkëta  — krah per krah — atëherë t’i tregojmë shqiptarëve dhe amerikanëve se nder vlerat që dy vendet e dy popujt ndajnë me njëri tjetrin, është mbështetja për lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre – të gjallë e të vdekur — duke dënuar krimet e komunizmit dhe duke u distancuar njëherë e mirë nga ajo e kaluar barbare. Unë si shqiptaro-amerikan, nuk kam asgjë të përbashkët dhe nuk ndajë vlera me një qeveri ose persona – qofshin ata edhe përfaqsues diplomatikë të Amerikës apo të Bashkimit Evropian — që heshtin në lidhje me këtë çeshtje.

Frank Shkreli

A picture containing text

Description automatically generated

              Papa Gjon Pali i II me Dom Simon Jubanin, Shkodër, 1992

Albanian Catholic Bulletin Vol. 12

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

Visaret që sjell Visari nga viset e nëmura

July 15, 2022 by s p

Balil Gjini

-Për Visar Zhitin-

1 Ku i ka rrënjët poezia e Visarit? (E shkrova këtë fjali dhe më mbetën sytë te fjala “rrënjë”. A vërtet poezia është një bimë me rrënjë boshtore që ngulet në truallin gjuhësor dhe, po qe e tillë, a është ajo një bimë helmuese, apo një bimë dekorative?) Në vitet 70-80, kur ai filloi të shkruante, përveçse poezisë zyrtare, poezi e cila synonte të na e paraqiste tallazhin si diçka të ngrënshme, flitej për disa grupime, a shkollëza letrare, si ajo e Lezhës, Tropojës, Tepelenës. Sigurisht kjo është krejt e ekzagjeruar. Imagjinoni: në vendet e tjera rrymat dhe shkollat letrare janë krijuar nëpër metropole (Parisi ka qenë mitra letrare e tyre) kurse, te ne, për çudi, krijoheshin nëpër provinca e humbëtira. Gjithnjë kam menduar se në vendin tonë s’mund të krijoheshin premisat për lëvizje letrare dhe ideja e grupimeve letrare ka qenë një marifet i partisë, pjesë e revolucionit të saj kulturor, e barazimit, e idesë se populli është më i mençur dhe më kreativ se intelektualët e tij në kryeqytet.

Po të merren e të krahasohen poezitë e tyre sot, shikohen qartazi skarcitrti dhe firot letrare. Ato dallohen nga lineariteti, stili narrativ, hera-herës edhe nga alegoria politike (e cila nuk përfshihet fare te mjetet artistike.)

Viaskat dhe makaratë e këtij miti grasatohen përditë nga ushtria e madhe e atyre që bëjnë pjesë te kitçi letrar. Të vazhdosh akoma t’i frysh zjarrit të oxhakut të këtij miti do të thotë thjesht të shqyesh bulshinjtë, sepse urët e zjarrit janë të lagura nga shiu .

Për fat të keq ata i ngjajnë njëri-tjetrit dhe kanë krijuar uniformitetin dhe njejësimin letrar, sëmundje mjaft e keqe kjo për artin.

Fuko na mëson se individualitetet formohen përmes kundërshtive, urrejtjes, kurse përmes dashurisë krijohen personalitete të njëjtë, uniformë.

Visari nuk bën pjesë në grupimet letrare, këto sajesa qesharake të komunizmit.

Çesllav Millosh thotë : “Në Evropën qendrore dhe lindore fjala poet nuk ka atë domethënie që i japin në perëndim. Atje poeti nuk është shpikës frazash të renditura bukur. Tradita e kërkon të jetë rapsod kombëtar, të jetë këngëtar epik, kënga e tij të përsëritet gojë më gojë, si dhe të trajtojë në vargjet e tij gjithçka që lidhet me interesin e përgjithshëm”. Akoma te ne flitet për mesazhe të qarta sociale, për tablo realiste historike etj, etj.

Në poezitë e Visarit, në atë kohë, vihej re mosrehatia me format dhe klishetë e këtyre grupeve… pra ai ishte poeti perëndimor që kërkonte Miloshi

2.Po ç’është poezia në vetvete, ç’paraqet ajo, e ç’nënkupton ajo?Breton thotë se poezia është orvatja e guaskës për të perlëzuar universin. I kemi të gjithë elementët tek kjo thënie: gjënë më të bukur e bën një nga gjallesat më të shëmtuara; midhja. E bën një midhje e sëmurë. E bën thellësive të errëta. Kjo do të thotë se për të bërë perlën duhet të zbrezësh në thellësi të ferrit. Ashtu siç i thotë Kafka Felices. “Netëve unë e di fare qashtër ç’ është akti i të shkruarit. Ai është haraçi që i paguajmë djallit për këtë akt”. Por s’mjafton vetëm të zbresësh thellësive. Është e rëndësishme edhe çfarë do të sjellësh prej andej. Visari, ndryshe nga ne, të tjerët, që duhet të zbresim këtyre thellësive, ai vjen prej tyre… Çfarë merr poeti nga thellësitë, ç’lloj balte është ajo me të cilën do të ngjisë veprën e vet? A lahet e shpëlahet kjo baltë në ujrat e Skithit, apo shërben ashtu, bruto, për të ngjizur veprën artistike? Gjithmonë kjo ka qenë një nga dilemat më të mëdha të artit gjatë mijëvjeçarëve, e pazgjidhur dhe sot

3.Por poezia mund të jetë diçkaja që nxirret nga thellësitë e vetes, që vërtitet në ajër si shatërvane të zeza nafte, gjithë tmerr e bukuri. Nëse arti nuk është distilimi i bërsive të mbetjeve të mëparshme, atëherë ku është origjinaliteti i stilit të Visarit ? Pyetje kjo që i ka brenda vetes minat për t’u hedhur në erë, sepse, qysh pas librit të parë, shkruar prej Zotit e Moisiut në mal të Sinait, libër që i gris prej Zotit, vetiu vjen pyetja se a mund të ketë më gjë origjinale në këtë botë. Mendoj se stili i Visarit është ajo mjegullimë malli e dhimbje që i vesh sendet si brymë mëngjesi. Dhe porsa ti heq një vizë mbi xhamin e dritares të veshur me këtë brymë, ajo fillon e kullon rrëkeza, sikur të jenë lotë.

4. Tashmë tek ne janë ravijëzuar qartazi poetët dhe shkrimtarët desidentë të regjimit komunist . Duke i përcaktuar këta shkrimtarë si desidentë, apo autorë të burgut, ka diçka tinëzare, shmangëse. Kjo ndarje është disi tinëzare, sepse, në të vërtetë, shkrimtari i vërtetë desident është ai që ha inat me format e shtampat e letërsisë, me kalçifikimet dhe shmërcin e saj gjuhësor. Përmes kësaj ndarjeje ngrihet gishti, iu përcaktohet atyre ngastra e vogël letrare. Me një fjalë ti merru me të, sepse me parcelat e artit të madh merremi vetë. Për mendimin ndarje e artit në tema e subjekte: poezi burgu, fshati, qyteti është krejt skematike, sepse në këto përcaktime diçka humb e firas. Poezia është thjesht poezi, gjithë komplikime metaforash, nyjëtime temash e subjektesh brenda saj. Kujtoj këtu se botimi i Vargjeve Satanike të Salman Ruzhdie, shkrimtarit më të madh europian, atij që është quajtur vazhduesi i Rabëlesë dhe Cervantesit, është botuar me nëntitullin “letërsi indiane”. S’mund të ketë gjë tjetër më poshtëruese e raciste. Në poezitë e veta Visari na ka dhënë modelin se si mund të punojë me gjuhën një shkrimtar, duke na dhënë fraza që shkëlqejnë nga një bukuri e rrallë.

5.Visari na sjell që nga minierat e ferrit një copë minerali të zi dhe e vë në vitrinë xhami t’a shikojmë. Herë-herë mbi të vezullojnë rrëkeza të verdha . Ky mineral është nga ata lloj qymyri që lind floririn. Si për të bërë të besueshme thënien e Martin Camajt: poezia është ari i formuar në barkun e një shushunje që dikur piu gjak…

Filed Under: ESSE Tagged With: BALIL GJINI

Kur gratë betohen mbi kokën e njëra-tjetrës

July 14, 2022 by s p

Fikrije Salihu/

Që në ditët e para të një jete të re, një grua luan rolin më të rëndësishëm në realizimin e kësaj mrekullie, prandaj ka nevojë për dorën e një gruaje tjetër.

Askush si një grua nuk mund ta kuptoj një grua tjetër dhe ti ndihmoj si duhet, sado që përpiqet.

Çdo grua vjen nga një grua dhe askush më shumë se një grua mund të kuptojë dhimbjet dhe frymëzimet e një gruaje. Gratë vazhdojnë jetën e tyre duke e shumëzuar botën me gra. Edhe nëse nuk e vlerësojmë, e dimë shumë mirë se jeta fillon me gra dhe mbaron pa gra.

Të gjitha gratë, pa dallim, kanë historinë e tyre dhe asnjë histori nuk është më e vlefshme se tjetra, edhepse ato janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.

Përvoja e secilës gruaje mund të na inspiroj në forma të ndryshme. Një grua e fuqishme mund ti bëj krenare të gjitha gratë në botë.

Asnjë grua nuk duhet lërë vetëm një grua të viktimizuar. Andaj mos ngurroni të mbështesni gratë e tjera. Mbështetni nënat, vajzat, motrat, apo miket tuaja.

Kur gratë i bashkojnë zërat e tyre dhe e vlerësojnë njëra-tjetrën hapur dhe pahile, edhe pjesa tjetër e botës bëhet më e qëndrueshme.

Çdo grua në botë duhet të mbështesë një grua tjetër për ekzistencën dhe përpjekjet e saj.

Një ditë bota do të jetë planeti më paqësor kur gratë mësojnë ta duan njëra-tjetrën ashtu siç e meritojmë.

Nuk është aspak e vështirë të heqësh qafe shprehjet negative. Të duash është shumë e thjeshtë. Të duam aq shumë sa negativitetit nuk i lëmë vend në mendjen tonë.

Asnjë frymë negative nuk do të na çojë përpara.

Mendimi pozitiv është ushqimi më i devotshëm drejt suksesit, qoftë individual apo kolektiv.

Ne grat kemi shumë punë për të bërë për të arritur sukseset që na presin çdo ditë. Suksesi i një gruaje të fortë është sukses i gjithë shoqërisë.

Suksesi i grave është shtylla më e fuqishme për jetën e një gruaje, cila do qoft ajo.

Është e drejtë të sillemi mirë me të tjerët, e kemi detyrë morale, familjare dhe shoqërore, andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm me mënyrën e komunikimit. Ne duhet të mbështesim gratë këmbëngulëse që po përpiqen të çojnë gjërat e mira përpara.

Me gra fillon jeta, me gra fillon respekti dhe përkrahja. Dhjetra mbështesin njëra- tjetrën dhe qindra tjera refuzojnë të bëjnë të duhurën. Harrojeni këtë lloj shoqërie, se negativiteti nuk është princip i një gruaje përkrahëse.

Synimi për të cilin gratë duhet të përpiqen ose që duhet të arrijnë është të kenë suksese së bashku, drejt fitoreve të reja! Të zhvillohemi së bashku drejt një jete të re dhe të lumtur.

Çdo grua që takojmë ka përjetuar diçka për të cilën nuk kemi asnjë ide. Një prej tyre jemi edhe ne.

Sigurisht, ne bëjmë gabime, por këto gabime na mësojnë të jemi ata që jemi sot.

Asnjë grua nuk është përfekte, por gjatë rrugëtimit të jetës ne mësojmë dhe duhet të mësojmë përmes zhvillimit personal dhe profesional.

Nëse një grua sot nuk di diçka, bisedoni me të, hapni shpirtin tuaj dhe përpiquni ta drejtoni. Udhëzimet, por edhe kritika e mirëfilltë, duhet të jenë pjesë e secilit prej nesh. Më mirë një kritik e drejt, se një heshtje indiferente.

Një grua e mirë mbron një grua tjetër kur ajo mund të jetë në rrugën e gabuar, ose kur nuk është aty.

Ka qindra mijëra mënyra dhe forma të gabuara që praktikojm, kështu që një grua mbështetëse nuk duhet të lejojë që një grua tjetër të duket keq para grave të tjera.

Shpirtrat e bukur motivohen nga veprat e vogla, por me kuptim të madh. Kuptimi më i vlefshëm është ta vlersosh një grua, sepse kjo grua do të përcjell mesazhin tek një grua tjetër.

Aftësinë për të sjellë ndryshime pozitive e kemi dhurat nga Zoti, mjafton ta përdorim gjuhën e mirësis.

Kur gratë inkurajojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, burrat me siguri do të jenë më mirënjohës ndaj tyre.

Gratë duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës kur jeta përpiqet t’i hedhë në valë të ndryshme.

Le të ndihmojmë njëra-tjetrën kur kemi nevojë për ndihmë.

Le të gëzohemi së bashku për gëzimet dhe sukseset e njëra-tjetrës.

Përveç praktikimit në rrugët e mira për veten tonë, duhet të respektojmë dhe vlerësojmë njëra-tjetrën, të vlerësojmë punën, profesionin, apo përpjekjet e një gruaje tjetrër.

Jeta është më e lehtë dhe më e bukur kur ke një model grua, pavarësisht nëse është një punëtore dhe e suksesshme, apo një grua e thjeshtë ku mund të mbështetesh. Jeta bëhet edhe më e bukur kur ke një mike të ngushtë të cilës mund t’i hapësh zemrën dhe ke besimin e duhur tek ajo.

Të gjitha gratë që kërkojnë forcën e tyre të brendshme duhet t’i kushtojnë vëmendje zërit të tyre, për të kapur dhe kuptuar më mirë atë që thuhet. Gjithçka që duhet të bëni është të dëgjoni me vëmendje zërin e tyre.

Zëri i një gruaje nuk kumbon kot dhe nuk shuhet lehtë, andaj përcillni mesazhin e tyre.

Kur gratë betohen sukseset shumëfishohen!

Filed Under: ESSE Tagged With: fikrije salihu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT