
Dr. Erion Dasho/
Ndonëse shumë njohës (edhe të përciptë) të politikës ndërkombëtare e bëjnë lehtë lidhjen midis presidentit rus dhe ish-kancelarit gjerman, lidhja e dyshes me demokracinë në Shqipëri ngjan shumë më abstrakte.
Në fakt, këtë lidhje e bëra pasi prej muajsh në Partinë Socialdemokrate Gjermane në pushtet po zhvillohet një debat i brendshëm. Me dhjetëra antarë të SDP-së po kërkojnë me ngulm që ish-kancelari Schröder të përjashtohet nga partia, ndërkohë që vetë ish-kancelari nuk e dëshiron diçka të tillë.
Pengesat me sa duket të pakalueshme janë dy – Kushtetuta dhe Ligji për funksionimin e partive i vitit 1967. Kushtetua përcakton se partitë e kanë të detyrueshme demokracinë e brendshme, kurse ligji është i prerë dhe i patjetërsueshëm lidhur me të drejtat e antarëve.
Sipas vetë juristëve të partisë, me shumë gjasa ish-kancelari do të vazhdojë të mbetet antar i partisë të cilën e drejtoi për një dekadë të tërë.
***
Rasti Schröder e tregon qartë se përse Gjermania ka demokraci dhe shtet të së drejtës, kurse Shqipëria nuk tregon asnjë shenjë se po lëviz në drejtimin që duhet.
Homologët e SPD-së në Shqipëri, janë në pushtet prej gati 10 vjetësh dhe partia mund të thuhet me plot gojën se është shndërruar në një timar të kryetarit-kryeministër.
Vjet ai emëroi antarët e qeverisë, madje edhe kryeparlamentaren, pa u konsultuar jo me struktura të partisë, por as me vetë të përzgjedhurit! Një depersonalizim total i asaj që duhet të jetë “elita” e socialistëve!
Para disa javësh, Rama emëroi drejtuesit e degëve të partisë nëpër rrethe, ndërkohë që deputetët i heq, i vë apo i lëviz nëpër qarqe sipas qejfit dhe tekave personale.
Juristë dhe politologë të njohur i kanë rënë prej kohësh këmbanave të alarmit për dëmin që shkakton mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike.
Këtyre këmbanave u bashkohen hera-herës edhe politikanë të rënë nga vakti të cilët kujtohen për demokracinë kur mungesa e saj fillon e penalizon ata vetë.
Lëvizjet e fundit në radhët e opozitës me primare për përzgjedhjen e kandidatëve janë një shenjë shprese, por ende duhet të kalojnë disa raunde të tillë për t’u shndërruar në një “traditë demokratike”.
Deri atëherë shqiptarët do të vazhdojnë të qeverisen nga një forcë politike thellësisht jodemokratike si rilindja.
Ata nuk duhet të çuditen se përse një forcë politike që tall e nëpërkëmb figurat e veta më të rëndësishme, shpërdoron besimin e votën e tyre.
Nga ferra edhe mund të dalë një trëndafil, por fatkeqësisht kjo ndodh shumë, shumë rallë…