• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin (Ish ministre e drejtësisë së Kosovës)

June 22, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Amaneti juaj: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Në përkujtim të 11 vjetorit të ndarjes nga jeta

Botuar në librin “Refleksione shpirtërore” “Esse dhe kritikë letrare”

Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-se ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare përfshirë dhe mua mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’më latë një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

21 Qershor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo

GEZUAR FESTEN E BABAIT, NAUM PRIFTI!

June 20, 2022 by s p

Julika Prifti/

Sot ndihem e gëzuar që mund të ta uroj këtë ditë si bija jote por që kam pasur fatin të rritem edhe me një pjesë të krijesave të tua letrare të paharrueshme.
Një prej tyre është “Pika e Ujit” që feston 55 vjetorin e daljes së saj në jetë këtë vit.

Sa bukur t’i shpjegosh fëmijës tënd të vogël qarkullimin e ujit në natyrë përmes një përralle aq fantastike. “Pika e Ujit” u bë shumë e dashur për gjithë brezin tim të shokëve e shoqeve. Tek ajo shikonim shumë karakteristika të vetes sonë. Fustane të pastra, shëtitje të gjata, kuriozitet të pashuar, pyetje pa mbarim, mbajtja në mendje të këshillave të mamasë…
Pika e Ujit mbetet e dashur dhe e veçantë edhe për tërë brezat e fëmijëve sepse tema e saj është e gjithkohshme. Pas botimit të saj, “Pika e Ujit” u bë edhe më e njohur si film vizatimor nga “Kinostudioja e Re” me skenar të Naum Priftit, regjia Bujar Kapexhiu, piktor Vlash Droboniku, operator Tomi Vaso, kompositor Ferdinand Deda, operator zëri Fahri Jukni, montazhi Elsa Bushati. Suksesi i saj qe i menjëhershëm dhe u vlerësua me medaljen e çmimit të parë në Festivalin e filmit shqiptar të vitit 1977.    

Sa vende të botës kanë një përrallë të tillë si Pika e Ujit për t’u  shpjequar fëmijëve një fenomen të natyrës? Për t’i njohur ata me bukuritë e natyrën fizike të atdheut të tyre? Sa bukur të mësosh diturinë e natyrës përmes një përralle! Çfarë fati për fëmijët shqiptarë në atdhe e jashtë tij!

Të falenderoj që na e bëre fëmijërinë aq të bukur edhe në një kohë shumë të rëndë në  Shqipëri. E ndiej se sot së  bashku me mua, me dashuri e adhurim, ta urojnë festën e babait edhe qindra e qindra personazhe si “Pika e Ujit” që ti i solle në jetë me krijimtarinë  tënde.

Filed Under: ESSE

INES MURZAKU DHE NGJYRAT E SAJ TË NOSTALGJISË PËR SHKUPIN

June 18, 2022 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Ta quash veten shkupjan apo shkupjane, nuk është e thënë se patjetër duhesh të jesh nga ky qytet i lashtë. Të gjithë ata që kanë provuar në vesh tringëllimën e kalldërmës së Shkupit, ose zhurmën e vizitorëve në Çarshinë e Vjetër, janë ndjerë, jo thjeshtë mysafirë dhe kalimtarë të rastit, por kur janë larguar prej këtu, me vete kanë marrë edhe magjinë e një ëndrre të bukur që nuk do të doje të të braktiste. Do të doje që për një kohë të gjatë të jetosh në thërmijat e këtij realiteti magjik dhe tek pas një kohe me ato thërmija të sajosh portretin tënd të shkrirë në ngjyrat e purpurta të buzëmbrëmjes shkupjane.

A thua me çfarë ngjyre do ta pikturoj nostalgjinë e saj për Shkupin, një shqiptaro-amerikane e ardhur këtu si pjesë e një programi studimor amerikan, e cila pas disa javësh po kthehet në Nju Xhersi me statusin e pashpallur zyrtar të një shkupjaneje. “Edhe unë jam shkupjane”, na tha një ditë ajo, teksa fliste për temën e periferisë dhe periferikëve… Është ajo Ines Angeli Murzaku, një pedagoge universitare me të cilën patëm fatin të bashkëpunojmë gjatë qëndrimit të saj në Shkup. Në ITSHKSH promovuam librin e saj “NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE”, me ç’rast u shpalosën vlerat kulmore të këtij studimi me kredibilitet të lartë shkencor dhe sidomos do të na ngelin në kujtesë fjalët e saj, e cila ndër të tjera, njësoj si Nënë Tereza, tha: “Bëj gjëra të vogla me shumë dashuri. Fillo nga familja, duaje familjen, pastaj tek komshiu, duaje komshiun. Këtë do të bënte Nënë Tereza. Ajo nuk donte të përzihej me ideologji, nuk donte të përzihej me politikë. Kjo Nënë që edhe nga trupi ishte e vogël, arriti gjëra shumë të mëdha me këtë metodologji. Dhe nga e mësoi këtë? Nga periferia. Ballkani dhe ne si shqiptarë kemi shumë për të ofruar. Ajo i kishte mësuar të gjitha në laboratorin e Ballkanit. Ishte ndeshur me fe të ndryshme, kishte shumë shokë myslimanë, ortodoksë, njerëz të etnive të ndryshme”, u shpreh Prof. Ines Murzaku.

Ajo gjithashtu mori pjesë edhe në një aktivitet tjetër të ITSHKSH, me rastin e promovimit të librit të Don Lush Gjergjit kushtuar Nënës Tereze me titull “E kam në zemër popullin tem shqiptar”. Kontributi i saj në zbërthimin përmbajtësor të këtij libri, ishte tepër i frytshëm, si për audiencën, ashtu edhe për ata që do merren me studime më të thelluar mbi figurën kuptimplote të kësaj shenjtoreje.

Po (për ata që nuk e njohin) kush është Ines Angeli Murzaku?

Ajo është një studiuese e specializuar për histori, kryesisht në historinë e Kishës Bizantine dhe të Kishës Katolike. Ajo është profesoreshë e Historisë Kishtare në Departamentin e Studimeve Fetare në Seton Hall University në New Jersey dhe autore e 20 veprave shkencore. Prof.Angeli është Nën-Presidente e Shoqatës Amerikane për Studimin e Kombësive dhe anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës “Kristianet të Asociuar për Marrëdhënie me Europën Lindore.”

Para largimit të saj në Amerikë, bëmë një shëti të shkurtër në disa pjesë autentike të Shkupit , ku vizituam pjesët më emblematike të Çarshisë së Vjetër, pa anashkaluar takimet dhe ndejat me ata që i japin gjurmë identidikuese kësaj Çarshije dhe këtij ambienti unikat urbanistik-kulturor, përfshi edhe Myftiun e Shkupit, dr.Qenan ef. Ismaili, me të cilin shkoqitëm disa nga temat që na bashkojnë si mentalitete dhe si religjione. Inesi në këto tema është kampione. Ke çka të mësosh nga ajo, por edhe të dëgjon me vëmendje, sepse kurreshtjen për të mësuar e ka më të madhe se çfarëdo lloj pasioni tjetër.

Arsyet e qëndrimit në një vend të caktuar, për një shkencëtar mund të jenë specifike, por për Ines Murzakun, arsyeja kryesore pse ajo dëshiron sërish të vijë në Shkup, ka të bëjë me frymën që bart ky qytet në perceptimin e saj shpirtëror. Ajo thotë se është Nëna Tereza që po e sjell për të tretën herë në Shkup, por ne do ta “detyrojmë” të vijë edhe për ndonjë shkas tjetër që lidhet me fushëveprimin e një bashkëpunëtoreje të jashtme të ITSHKSH, status ky që në të ardhmen do ta ketë edhe zyrtarisht Ines Angeli Murzaku. Fundja edhe pa këtë status ajo vazhdon të jetë një emër i nderuar në arenën e madhe të konkurrencës së dijes globale.

Jemi me shumë fat që e kemi.

Shkup, 18 qershor 2022

Filed Under: ESSE

“Mendimet janë hijet e ndjenjave tona”

June 18, 2022 by s p

Agim Baçi/

(Shënime për romanin “Kur qau Niçja”, Irvin D. Yalom)

Çfarë humbim kur nuk duam të pranojmë hendekun mes asaj që jemi dhe asaj që kemi dashur të jemi? A mund të bëhemi ai apo ajo që jemi nëse nuk arrijmë t’ia pohojmë vetes sonë atë çfarë na ka tronditur më shumë se gjithçka, që na ka lënë pa gjumë apo që ka ka shtyrë të meditojmë gjatë? Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, në rolin e shkrimtarit, ka përdorur emra sugjestionues për të ngritur pikëpyetje të rëndësishme për atë çfarë mund ta në tërheqë në udhën për të fituar veten, e për t’i dhënë kuptim ndjesive tona. Niçe, Frojdi, dhe profesori i këtij të fundit, Brojeri, e shumë bashkëkohës të tyre, janë emra të cilët të ngjallin kërshërinë të ndjekësh rrëfimin edhe kur je paralajmëruar se kemi të bëjmë me një trill.

Yalom, ngre me kujdes pyetje të cilat, nga përgjigjet që kërkojnë, mund të kenë vendime të pakthyeshme për jetët tona. Padyshim, mosleximi nga ana jonë e përditshmërisë sonë, e hapave që kemi hedhur, e mundësive që kemi përpara, rrezikon të na vërë përballë dilemës: Mos duhet ta braktisim përditshmërinë që na ka zënë si në çark? E pastaj, duket se vjen edhe një tjetër pyetje: A është braktisja e realitetit zgjidhje për atë që nuk e kemi arritur?

Përballë asaj që kemi dhe asaj që ëndërrojmë, vjen “dueli psikologjik” mes Brojerit, doktorit më të famshëm të Vjenës në fund të shekullit XVII dhe Niçes, filozofit që e di që shkruan për të ardhmen. Yalom ka mundur të ndërtojë dialogje intensive mes psikoanalistit dhe filozofit, duke tentuar të zbulojë atë çfarë sot përdor psikoterapia moderne. Gjithçka shkon në rrugën e pranimit të asaj që Niçja përsërit: “Bëhu ai që je!”. Eshtë fjali që vlen në përpjekje edhe për vetë atë që e ka thënë, sepse edhe ai, filozofi i së ardhmes, Niçja, ka nevojën që të pohojë dobësinë e tij për një femër që i ka tronditur gjithçka që ai beson se e zotëronte: Lu Salomeja!

Rrëfimi nis si një duel që vihet në lëvizje nga një sfidë e zonjushës 21 vjeçare, Lu Salomeja, e cila i kërkon doktor Brojerit të marrë përsipër shërimin e filozofit nga dëshpërimi – një dëshpërim për të cilën ajo beson se është shkaku. Një sfidë ku psikanalisti përfshin vetveten, marrëdhëniet me të shoqen dhe miket e tij, duke na dhënë përmes dialogjeve me Niçen dhe diskutimeve me Zigmund Frojdin, pikërisht pushtetin e pallogaritshëm së pandërgjegjshmes sonë dhe fillimet e një debati ku psikoterapia do të kërkojë vendin e vet në mjekësi.

“….Sensualiteti, trupi i një gruaje, më duket kulmi i shpërqëndrimit, një barrierë ndërmjet meje dhe misionit tim në jetë. Por Lu Salomeja ishte ndryshe, ose unë të paktën mendoja kështu. Megjithëse ishte shumë e bukur, ajo dukej edhe një shpirt binjak, truri im binjak. Ajo më kuptonte, më tregonte drejtime të reja, maja marramendëse, të cilat nuk kisha guxuar t’i eksploroja më parë. Unë mendova që ajo do të ishte studentja ime, e mbrojtura ime, dishepullja ime. -Por më pas, katastrofa. Epshi im ngriti krye. Ajo e përdori atë, që të më kundërvinte me Pol Renë, mikun tim të ngushtë, i cili na kishte prezantuar fillimisht. Ajo më bëri të besoj, që unë isha burri i përcaktuar nga fati i saj, por kur unë i ofrova veten, ajo nuk më pranoi. Unë u tradhtova nga të gjithë: nga ajo, nga Reja, nga motra ime e cila u përpoq që ta shkatërronte marrëdhënien tonë. Tani çdo gjë është kthyer në hi, dhe unë tani jetoj larg çdo gjëje, që një herë e një kohë ishte e dashur për mua..”. (Irvin D. Yalom, “Kur qau Niçja, f.360).

Rrëfimi i Yalom është një diskutim shumë tërheqës dhe intrigues, ku lexuesi mund të përfshihet përmes nevojës së tij për t’u shprehur për atë që s’ka mundur dot të thotë kurrë me zë të lartë, e sidomos për të gjetur bashkëbiseduesin të cilit mund t’i besojmë nga vetja jonë. Eshtë një rrugë drejt lotit, si kufiri delikat i njeriut. Sepse loti nuk është dobësi, por është forca e pranimit të dobësive. Lotët mund të na çojnë drejt pranimit të mendimeve tona. E siç rrëfen Yalom, “Mendimet janë hijet e ndjenjave tona”.

Rrëfimi i Yalom, i kalon kufijtë e trillerit, teksa shihet edhe si një guidë debati për psikanalizën dhe filozofinë. Thuajse vjen si një rrugëtim për një lexim të Niçes, apo edhe Frojdit. Madje, duket edhe si fillimi i një beteje filozofike që nuk i dihet ende fundi. Dhe Yalom, me mjeshtërinë e rrëfimtarit, ka dhënë një prozë që bart nevojën e debateve të duhura, sidomos për ata që janë të apasionuar pas filozofimit.

“Ndonëse asnjë gur nuk mund të dëgjojë, as të shikojë,

secili rënkon butësisht, që dikush t’i kujtojë” (“Kur qau Niçja”).

Filed Under: ESSE

Përfaqësuesit më të lartë të legalitetit vizituan Vatrën

June 17, 2022 by s p

New York më 16 Qershor 2022 – Shpëtim Axhami Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit i shoqëruar nga përfaqësuesit më të lartë të Legalitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Ndrecë Gjergji dhe z.Sokol Kupi nipi i Gjeneral Abas Kupit vizituan Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ata u pritën nga Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu dhe Editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes zonja Veliu i falenderoi miqtë legalistë për punën në dobi të çështjes kombëtare dhe bashkëpunimin historik me Federatën Vatra. Kryetari i PLL z.Axhami theksoi rolin e Vatrës në retrospektivë të 110 vjetorit të themelimit, të rolit të Diellit si regjistër historik i shqiptarëve të Amerikës dhe përpjekjes së patriotëve të ndershëm vatranë për çështjen kombëtare. “Ne do ta mbështesim përherë Vatrën. Çdo shqiptar është krenar me historinë dhe rolin e Vatrës e Diellit. Vatra përfaqëson krenari kombëtare dhe identitare. U jemi falenderues për gjithçka që paraardhësit tuaj kanë dhënë për kombin tonë në histori dhe juve sot për përpjekjet që po bëni çdo ditë për ta mbajtur të gjallë flakën e dashurisë për atdheun dhe njëri-tjetrin” përfundoi z.Axhami. Në fjalën e tij legalisti 87 vjeçar Ndrecë Gjergji kujtoi bashkëpunimin historik të Vatrës me legalistët dhe Mbretin Zog. Ai solli në vëmendje figura të larta të Diellit e Vatrës për përkushtimin e tyre dhe devotshmërinë me të cilën punuan gjithë jetën për çështjen kombëtare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Shpetim Axhami

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 169
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT