• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SHËNGJIN PËRPUTHEN TË BUKURAT

May 30, 2022 by s p

-reportazh-

FranoKulli

C:\Users\User\Desktop\Foto F (Paolo)\Frano_color_2 (2).jpg

1)

“Deti është i bukur jo vetëm në Sarandë…Shëngjin , 25.05.’22”. Kjo ishte diçitura e një fotoje, që kolegu im, gazetar i hershëm e miku i gjithëhershëm, Shkëlqim Hajno nga Saranda kishte postuar pardje në profilin e tij dhe, ndoshta edhe për shkak të tollovisë që përsillet këto ditë përreth Butrintit, më joshën në shkrimin e do radhëve për Shëngjinin. Nga Saranda, Shëngjini është nyja e parafundit në vijën bregdetare të Shqipërisë, po më e rëndësishmja në veri-perëndim të saj. Si nyje portuale është shumë e lashtë, Përmendet si i krijuar 2400 vjet para lindjes së Krishtit; thirrej Nimfeu, ose ndryshe vendqëndrimi i nimfave (zanave). Kurse Jul Qezari, në veprën “Lufta Civile”, në vitin 48 para Krishtit e përmend këtë liman me emrin Nymfeum dhe përshkruhet nga ai si vendstrehim i mirë për ushtarët e tij, ku ata mund të ishin të mbrojtur prej ernave. Më vonë në mesjetë do të thirrej San Giovani di Medua. Emrin thonë se e pati marrë nga një kishë me të njëjtin emër, e cila ndodhej në malin sipër. Mirëpo Kisha nuk rr’noi gjatë e po kështu emri i gjatë, i shqipëruar u shkurtua në Shëngjini. Dhe kështu njihet atëherë e deri sot. Përposë një kohe krejt të shkurtë, do pak viteve, kur Limani (Porti) i tij, që në vetvete ishte vetë Shëngjini u pagëzua me një emër të ri; me emrin e përveçëm të Presidentit të 27-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, (28.12.1856 – 3.02.1924), Nobel për Paqen. Pagëzimin e pati bërë prifti orthodoks Fan Noli, asokohe kryeministër i Shqipërisë, me një vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 9 gusht 1924. Një fakt e histori krejt pak e njohur edhe pse për ngjarjen pati shkruar edhe revista e njohur TIMES në SH.B.A . Ajo shkruante se… “Nga Kryeministri i Shqipërisë Fan Noli…në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Ëilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”…

2)

Shëngjini sot, pa mëdyshjen më të vogël është atraksioni më i kërkuar turistik e me dendurinë më të madhe të vizitorëve, soditësve e pushuesve gjithashtu, në krejt vijën tonë bregdetare. Në mbrëmjen e djeshme ishte edhe hapja festive e sezionit, një mbrëmje me të vërtetë e bukur e mjaft e paraqitëshme. Konceptuar edhe si një panair me prodhime të zejtarisë e agrobiznesit të zonës dhe përsëdyti një darkë gala ku mostruan shefat e guzhinës të lokaleve të njohura ; “Mrizi i Zanave “, “Rapsodia”, “Hoteli i gjuetisë”…e 3 a 4 të tjera, kampion të këtushëm , por të njohur shumë në Shqipëri e më përtej. Nën një “regji” perfekte e plot shije të Pjerin Ndreut, kryetarit të bashkisë, po falë aseteve të çmueshme të këtyre djemve emermirë, zëri dhe fama e punës së të cilëve kumbon fort, jo vetëm në Shqipëri e ndër shqiptarë, por edhe më përtej në Europë. Po dhe me pjesmarrje përfaqësuese të rangut më të lartë nga Shqipëria e trevat shqipfolëse përreth…

Prej ku “Rana e Hedhun”, me kokrriza të mëdha, që vezullojnë si perla, i vishet rrëzës së malit të Shëngjinit dhe ka krijuar aty peisazhin e magjishëm e krejt të përvetçëm në sojin e vet, të pagjindshëm askund edhe përgjatë vijës dalmatine, shquar për peisazhet e magjishme e deri në Kune, emri i lagunës së dikurëshme, prej së cilës vetëm emri është i hershëm…, krejt vija bregdetare, dikund nja 6 kilometra e gjatë rrok plazhin e Shëngjinit. Një plazh që përbashkon tre të tillë; i “Ranës së hedhun”, plazhi i vjetër i Shëngjinit dhe më i riu, ai i Kunes, i cili vijon e zgjatet e rritet. Shetitorja e vjetër, në qendrën e Shëngjinit të dikurshëm, e gjatë rreth një kilometër, ka mbaruar së ndërtuari nja shtatë a tetë vera më parë. Aty, dendësia e popullsisë “tranzit”, siç janë zakonisht popullimet e verës në bregdet, është më e larta përgjatë vijës së kaltër dhe nuk bie gjatë gjithë verës. 

3)

Një kumt , përhapë në formën e një anektode, do kohë më parë thotë se në një njoftim imobiliar, shkruar në një letër format, është i vendour në një kënd njoftimesh në qytetin e Prizrenit. “Shitet banesë…dy orë larg detit”, shkruhet në njoftim. Duket si e stisur për humor, por jo; asgjë s’është për t’u shpotitë. Prizrenasit, po edhe gjakovarët a prishtinalitë janë blerës të dorës së parë edhe qiramarrës gjithashtu, të banesave në Shëngjin. Përreth 60 % popullohet prej qytetarëve nga Kosova, thonë statistikat e verës së shkuar. Por edhe tani e dy a më shumë muaj më parë , qyshsekur ka filluat të ngrohet koha, fundjavat janë gjithashtu plot me të ardhur nga Kosova.Ai makthi i trishtë i ndarjes shekullore, tashmë nuk ekziston dhe kjo ,më e dallueshme se shumkund është këtu në Shëngjin.

Një “shesh” i vogël diku në mes, i përftuar prej një udhakryqi, që degëzon shetitoren e bregut me rrugën kryesore që i bie përmes qytetit, tashmë, për shkakun e së resë e ka humbë funksionin e shetitores që kishte dikur, Aty është vendosë shtatorja e At Zef Pllumbit. Françeskanit, që fati me rrnue gjatë, një jetë të mnershme duke kaluar nëpër kalvarin e mundimeve përplot me sakrilegje, si thuajse të gjithë bashkëvëllezërit e tij vërsnikë, i dha privilegjin me u shënjue në kapërcyell të moshës së vet si rrëfimtari memorialist par exellencë në letrat shqipe të shekullit të shkuar e deri sot.

Pader Zefi ka lindë aty sipër, në Malin e Rrencit, që zbret teposhtë, thik. Aq afër detit “sa me hedh gurin prej malit bie në det”. Aty kishin zatetë të parët e tij një shekull e gjysë më parë prej Shkrelit të Malësisë së Madhe, prej Boge ku deri vonë kishin stanet e tyre e për shumë vite kishin bërë jetën e përpjesësëshme ,ashtu si krejt malësorët e zbritur në fushë nga Velipoja e deri në Gurzë e më përtej, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Dimrat këtu poshtë e verat atje lart në bjeshkë, në malësi.E megjithatë fëmijëria e më pas krejt jeta e tij pati tjetër rrjedhë. Merret qysh 5 vjeç si bir në shpirt prej priftit gjerman-martir i fesë e i besimit, don AlfonsTracki. Merr mësimet e para në edukatë e sjellje, më tepër prej shembëlltyrës së tij, mandej kur mbush 7 vjeç hyn në Kolegjin françeskan të Shkodres. Nxënës aty merr dijet e kulturën që jepej prej mësuesve–personalitetet më spikatura të kulturës sonë kombëtare, Fishta, Harapi, kompozitori At Martin Gjoka, historiani At Marin Sirdani e të tjerë, dije e kulturë e njëjtë me atë që merrej në licetë europiane të kohës. Po në shtëpinë e prindërve tash kthehej rrallë e më rrallë, i përshtatur me rregullat e Urdhnit françeskan të cilit i u kushtua…Mandejnë burg, mandej frat nëDukagjin, mandejnë burg prap po kësaj here gjatë…

E kështu, detit i ndejti larg. Ai detit dhe deti atij.Po aty në atë patalog (vend i sheshtë) të shetitores shtatorja e tij është “gur i vumë në vend të vet”…Kurse vetë shetitorja mban emrin e Ëilsonit dhe jo më larg se 5-6 m a e shumta 10 prej shtatores së lartë të pader Zefit është edhe një bust i tij. 

Për krejt verat e shkuara ajo ka gjallëruar përherë e më shumë , mbrëmje për mbrëmje ajo ka qenë ding (e mbushur). Këto ditë është punuar edhe rana përgjatë bregut e kanë zënë vend çadrat e shezlongët . Nuk janë më dhe kioskat e tezgat, që estetikisht të rrëmujëshme patën shërbyer ritualin e ecjeve të mbrëmjes. Aty, pati ndërtuar mardhënien me lexuesin e vet edhe prozatori prodhimtar vendas Ndue Gaspri…Ai, tani nuk është më, po bashkë me veprën e begatë është për t’u shënuar në mbamendje përvoja e tij e takimit të përmbrëmshëm aty në cep të shetitores edhe prej kolegëve krijues…

Nga vera e shkuar,…”Wilson”-it, i janë shtuar edhe 1,2 km dhe gjithë gjithë lungomarja Shëngjin-Kune zgjatohet 2 km e më. Është 5 metra e gjerë ndërsa përtej bordurës ka edhe 2 metra të tjera gjelbërim duke iu përshtatur në këtë mënyrë brezit të pishave që përshkon thuajse të gjithë bregdetin e Kunes. E ndriçuar për bukuri i vesh mbrëmjet e pushuesve plot romantikë e sharm. Investimi është realizuar prej biznesit të atyshëm. Bashkia ka ofruar projektin.

Të bën me u ngjall shpresa se kaosin e dendurinë e ngrehinave, të ndërtuara ndër vite pa studime e plane të mirëfillta afatgjata e perpsektive urbane, sëmundja që na e ka bërë të neveritëshme Shqipërinë tonë  përtej dhuntive që Zoti e natyra i ka falë, mund të bëhen edhe gjëra të dobishme. E të bukura, pse jo mor Zot ! Në sintoni me bukuritë dhunti…

Kurse rruga për në Vain, në lagunën tjetër të bukur shumë të bregdetit të Lezhës ka përfunduar qysh verën e shkuar. Shkon deri në fund te “Trëndafili mistik” i Diellës e pak më përtej. E ngushtë, njëkalimshe për makina të vogla, të cilat mund të kryqëzohen në vajtje-ardhjen e tyre vetëm përmes xhepave të improvizuar. E konstruktuar edhe si një pedonale, po ka edhe një korsi biçikletash, nëpër të cilën mund të kundrohet e shijohet me të gjitha shqisat e gjymtyrët pylli i mrekullueshëm që shtrihet deri në rërën kokrrizëartë në derdhjen e Drinit… Më bukur se gjithherë sivjet. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

30 Maj 1913…Njohja ndërkombëtare e Shqipërisë “Londineze”

May 30, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu

Traktati i Londres u nenshkrua 109 vjet me pare me 30 maj 1913 ne vijim te Konferences se Londres 1912-1913.Ky traktat lidhet me armepushimin midis paleve pas Luftes se Pare Ballkanike dhe korrektimet territoriale ne dem te Perandorise Osmane.”Personazhet” e Traktatit te Londres ishin Liga Ballkanike qe perbehej nga Serbia, Greqia, Mbreteria e Bullgarise dhe Mali i Zi, Fuqite e Medha ( Mbreteria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria, dhe Italia) dhe Perandoria Osmane.Austro –Hungaria dhe Italia mbeshteten fuqishem krijimin e nje shteti te pavarur shqiptar. Rusia mbeshteti pa rezerva Serbine dhe Malin e Zi. Gjermania dhe Mbreteria e Bashkuar qendruan neutrale.Roli i Kontit Leopold Berchtold (1863-1942), Minister i Jashtem i Perandorise Austro-Hungareze ne kete periudhe ishte vendimtar per njohjen e shtetit te ri shqiptar…Eshte nje turp i madh qe ne Tirane ende nuk kemi nje monument te tij. Jemi mjaftuar me nje rruge ne nje zone periferike te Tiranes qe lidh Brrylin me rrugen Ali Demi (ky emertim u vu ne kuader te 100 vjetorit te Pavarsise) dhe me nje bust ne Shkoder…Anetaret e Liges Ballkanike ishin kunder krijimit te nje shteti te pavarur shqiptar dhe kerkonin ndarjen e territoreve shqiptare midis tyre.Shqiptaret e kundershtuan vendimin e Fuqive te Medha duke e quajtur kete traktat nje padrejtesi per kombin shqiptar, pasi 40% e popullates dhe me shume se gjysma e territorit mbeti jashte kufijve te saj. Kosova, Cameria, viset ne veri perendim te Shqiperise iu dhuruan Serbise, Greqise dhe Malit te Zi.Si te mos mjaftonte kjo padrejtesi, percaktimi i kufijve sipas Protokollit te Firences (17 dhjetor 1913), u kundershtua nga popullsia minoritare greke ne Jug te Shqiperise te cilet u ngriten ne revolte dhe me mbeshtetjen e plote te kryeministrit grek Elefteros Venizellos deklaruan Republiken e Autonome te Epirit te Veriut te kryesuar nga Jorgos Zografi qe u njoh si rajon autonom nen termat e Protokollit te Korfuzit (17 maj 1914). Por keta terma nuk u zbatuan kurre si pasoje e fillimit te luftes se Pare Boterore dhe u anulluan nga Konferenca e Ambasadoreve ne vitin 1921.Komunistet shqiptare ne vitin 1945 si fitimtare te pasluftes, duke injoruar historine u lidhen ngushtesisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht me shtetet sllave qe kishin qene historikisht kunder krijimit te nje shteti te pavarur shqiptar!!!Ne vitin 1960, “ Vellai i madh i popullit shqiptar” dhe “Qytetari i Nderit i Tiranes”, lideri sovjetik Nikita Hrushov, pasi ishte takuar me politikanin dhe ish kryeministrin grek Sofokli Venizellos, (te birin e kryeministrit grek te permendur me lart, Elefteros Venizellos) i kerkoi Enver Hoxhes qe ti jepte autonomine minoritetit grek …. Perfundimisht Traktati i Londres pavarsisht kundershtive njohu pavarsine e Shqiperise ne kufijte qe kemi sot. Prandaj sot mund te themi qe 30 maji 1913 eshte dita e Shqiperise Londineze dhe njohja zyrtare nderkombetarisht e shtetit te pavarur shqiptar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Saimir Kadiu

NE SHTEPINE, KU SHQIPTARI E NDJEN VETEN ME SHUME SHQIPTAR

May 29, 2022 by s p

Lutfi Brami

Filadelfia, 23 maj 2022

(Promovohet libri “Zjarri arbëror i pashuar” i Prof. Dr. Bexhet Asani)

Mikëpritje, dashamirësi, art, kulturë, traditë e bujari!

Të gjitha ishin të gërshetuara në shpirtin moral,patriotik e njerëzor, që reflekton shpirti i komunitetit në shoqatën “ Bijtë e shqipes “ në Philadelphia të shtetit Pennsylvania.Harmonia  e buzëqeshja e këtyre njerëzve të dashur lexohet më mirë se kudo tjetër.Eshtë një shembull unik. Kjo u manifestua edhe në aktivitetin e radhës së shoqatës “Bijtë e shqipes”, që drejtohet nga z. Bujar Gjoka, në promovimin e librit “ Zjarri arbënor i pa shuar “ i profesor Dr, Bexhet Asani.

Njerëzit që u mblodhën në këtë aktivitet janë pikërisht ata që paralajmëron emri i Shoqatës: bijtë dhe bijat e shqipes. Kështu e quajnë veten dhe në secilën ditë, ku mundohen të sjelllin prova se janë pikërisht të tillë. Bijtë dhe bijat e shqipes, që jetojnë në Pennsylvania janë të shumtë në numër, rreth 30 mijë.Me një histori jo shumë të vjetër emigrimi, por me një traditë të formuar e të kristalizuar nderimi ndaj vlerave të tyre identitare: gjuhës, kulturës, historisë e mbi të gjitha me një shkallë të lartë suksesi në dy fushat kryesore të jetës: në atë të arsimimit dhe të biznesit. Qindra të rinj shqiptarë kanë mbaruar dhe vazhdojnë të mbarojnë universitete dhe ka një numur të konsiderueshëm afaristë e biznesmenë.

Më 22 maj 2022,në godinën e vjetër të kësaj shoqate, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të New Yorkut u  organizua një pritje për dashamirësit e kulturës sonë, duke shfrytëzuar një rast dinjitoz të promovimit të librit “Zjarri arbëror i pashuar”, të prof. dr. Bexhet Asanit, Në këtë promovim, përveç anëtarëve të shumtë të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, morën pjesë edhe anëtarë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me në krye Presidentin e Shoqatës Adnan Mehmetin, kryetarin e shoqatës Mëhill Velaj si dhe kryetari i Akademisë Shqiptaro Amerikane të Kulturës dhe Shkencës, Prof.dr. Skënder Kodra. 

Aktivitetin e hapi Kryetari I Shoqates “Bijte e Shqipes” z. Bujar Gjoka, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe veçanërisht ata të ardhur nga New Jersey, New Yorku e Conencticat dhe autorin për punën voluminoze e serioze të tij, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin dinjitoz mes dy shoqatave për promovimin e këtij libri me vlera të mëdha për kulturën dhe trashëgimin e vlerave te kombit tone. 

Kryetari I Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, z.Mhill Velaj, në fjalën e tij falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe në veçanti të zotët e Shtëpisë së shqiptarit për gadishmërinë në organizimin e përbashkët të kësaj veprimtarie, i njohu pjesëmarrësit me programin e këtij takimi promovues duke bërë një biografi e një përmbledhje të shkurtër rreth krijimtarisë së  autorit prof.dr.Bexhet Asanit. Me ftesën e tij, të gjithe pjesëmarrësit nderuan me nje minut heshtje kujtimin e ish kryetarit të shoqatës “Vatra“ Dr. Gjon Bucaj e Ish Kryeredaktorit të gazetës “Dielli” z.Dalip Greca, të cilët u ndanë nga jeta para pak ditësh.  

Në ketë takim përshëndetën: Presidenti i shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan dhe botues i revistës “Tema”, shkrimtari e poeti Ardian Mehmeti, Prof. Dr.Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë së  Shkencave Shqiptaro-Amerikane. Rreth librit të Prof. Dr. Bexhet Asanit morën pjesë në diskutime:  

Poetja Ilirjana Sulkuqi, artisti Shaban Lajci, Ish kryetarët e shoqatës “Bijtë e Shqipes” gazetari veteran  Lazar Vero e  Dr. Sadik Elshani, Shkrimtari  e anëtar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Hys Hasa, anëtar i shoqatës “Vatra”, Preng Qeta, Sekretar i Forumit të ish ushtarakëve shqiptar në Fiadelfia Lutfi Brami  etj., të cilët dhanë mendime dhe vlerësime rreth vlerave historike,artistike e shkencore të këtij libri për të sotmen dhe sidomos për të ardhmen, duke e kosideruar një pasuri të madhe për lexuesin shqiptar.

Dr. Besim Muhadri mbajti kumtesën kryesore. Ai ndër të tjera tha: Libri  i autorit Dr. Bexhet Asani “Zjarri arbëror i pashuar” është libër gjithpërfshirës dhe shprushje  në shpirtin arbëresh me titull sa simbolik, aq edhe domethënës e përmbajtësor, me materiale interesante e të rëndësishme për gjuhësinë dhe etnografinë, që ndërlidhet me arbëreshët kudo që ndodhen, në Sicili e kalabri të Italisë, në Argjentinë, Greqi, Turqi, Ukrainë, Kroaci, Bullgari e kudo në botë,me figura e personalitete të rëndësishme arbëreshe, shkrimtarë, muzicienë, regjisorë, punëtorë të palodhshëm të kulturës, arsimit, priftërinjë, aktivistë shoqatash arbëreshe, por edhe njerëz të thjeshtë të këtij komuniteti, të cilët mundohen të ruajnë gjuhën dhe kulturën e lashtë arbërore, të trashëguar nëpër shekuj nëpërmjet edhe veshjeve,   këngëve popullore, e aspekte të tjera.

  Në librin “Zjarri arbëror i pashuar“, – u shprehën diskutantët, autori  sjell ngjarje dramatike të lënies së Trojeve e hedhjes rrënjë në troje të tjera…e hidhërueshme kjo, e mallueshme për dashurinë e adhurimin për token e dytë, por shumë e dhimbshme. Ikje me kokëkthyer pas. A nuk është kjo një plagë aktuale edhe sot ? ! A jemi ne një nga ata ?!… Njohuritë që jepen në këtë libër, veprat që kanë lënë të parët tanë, traditat, zakonet, ritet nuk plaken.Autori na i bën prezente me pasion e krenari. E ka patur ëndër, që në bankat e shkollës së mesme, autori,interesin për fatin e arbëreshëve, të cilat i thelloi në universitetin e Prishtinës dhe nëpërmjet kësaj monografie,tregon punën komplekse, por fisnike të tij. 

Arbërishtja është në realitet një gjuhë e mbyllur në vetvete,ndërsa  sot po vazhdon të rritet bashkëpunimi për ruajtjen e saj. Janë domethënës aktivitete si:  seminari në Prishtinë i gjuhës e letërsisë shqiptare, Qendra e studimeve dhe publikimeve arbreshe në Tiranë, binjakëzimi i shumë komunave, vizitat dy palëshe Kalabri – Sicili, që tregojnë se po punohet për ta ruajtur gjuhën që të mos vdesë.. 

          Përmes shkrimeve të shumta, qoftë, studime, përshkrime, reportazhe, portrete, takime rasti, intervista etj., profesor Bexhet Asani sjell para nesh botën dhe shpirtin e pavdekshëm të arbëreshëve dhe përpjekjet për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta arbërore. Kemi edhe shqetësimet e autorit për zbehjen apo harresën e ngadalshme, por të vazhdueshme të gjuhës arbërore.Ai ,pothuajse në çdo shkrim, bën apelin tek institucionet kompetente shtetërore të shtetit amë që të kthejnë vëmendjen te kjo pjesë e dhimbëshme e qënies sonë, që të mos rrezikohet nga zhdukja. Është detyrë e çdo intelektuali e sidomos e shkrimtarëve, që të punojmë pareshtur, duke evidentuar historinë dhe shembujtë pozitiv, për t’ i shkruar e përgjithësuar në librat që ne botojmë, me synim që t’u lëmë brezave një thesar vlerash, duke ju treguar se nga vijmë,kush jemi dhe si duhet të jemi.

Në libër zë vend përshkrimi i profilit të Aristidh Kolës në librin “Gjuha e Perëndive “, që profesor Kristaq Shabani e quan Kryevepër me karakter studius dhe paraqitje tipike të shkencës kombinative, historike e gjuhësore. “Pellazgjikja është nëna dhe rrënja e gjuhëve, që krijoi kurorën e qytetërimit botëror. Populli hipotetik indoevropian nuk erdhi nga India në Evropë, por e kundërta“ – thotë Aristidhi, i cili ishte njeri i ditur, e donte kombin e tij, studiues i vendosur në mbrojtjen e tezave të tij shkencore, studiues i energjive dhe i përfundimeve të mëdha, logjike, krijues me kurajë të lartë shkencore, kontribues në shpjegimin e tezës për identitetin dhe gjuhën mëmë pellazgjike. Sa bukur tingëllojnë vargjet në poezinë e tij :

     Këngë arbëreshe, o këngë e rrall’,

As Vjosë, as Drin, s’ ta shuan dot mall.

Si rojte në shekuj, tërë atë dashuri,

Për tokën e Skënderbeut, për mëmën Arbëri!?

Puna për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe edhe këtu në Filadelfia është për t`u përshëndetur. Kontributi i shoqatës “Bijtë e Shqipes“, i Këshillit drejtues të saj, i mësueseve nëpërmjet shkollës shqipe “Gjuha jonë“ është për t`u vlerësuar e përgjithësuar për përkushtimin e pasionin për ta mbajtur gjallë, për ta masivizuar, për të zgjeruar më shumë aktivitetet në komunitet e familje për edukimin e fëmijëve me dashurinë për gjuhën shqipe e kombin tonë. 

Sa krenar bëhemi, kur mësojmë histori të tilla, ku djali i Carlo Albanese, një marinar arberesh nga jugu i Italise, Anthony Carlo Albaneze, me rrënjë arbëreshe, zgjidhet Kryeministër i një vendi të madh si Australia. Gjaku i arbërit nuk shuhet kurrë, kudo që jeton.

Sa kuptimplote e aktuale janë fjalët e Prof Agostino Giordanos: “…kur një katund arbëresh s`flet më gjuhën arbëreshe, historia zë e mbëllin librin e saj, zakonet zënë e veshken, kujtimet e shpresat zënë e thahen, gjaku zë e teret. Fjalët nëng përputhen me mendimet, zëmëra bier udhën e mallit, shit nëng fljën me njëra jetrën, ndë gjitonitë nëng  huhet ( nuk është më e përshtatëshme), ndër rugat nëng këndohen më vjershë “. Te këto fshatra  fëmijtë nuk luajnë më arbërisht, nuk këndojnë më arbërisht, nuk zihen më arbërisht, nuk shajnë më arbërisht ! E dhimbëshme, me të vërtetë e dhimbëshme.

Me 1923 komisioni qe do te caktonte kufijte e Shqiperise se Jugut i kryesuar  nga gjeneral Telini, oficer i Mbreterise Italiane kishte udhëzim që të vendoste me inisiativë vijën e kufirit me ato fshatra, që duhej të ndaheshin më dysh. Për të mos rënë preh e pretendimeve, komisioni kreu nje test të thjeshtë, që ka të bëjë me gjuhën shqipe. Ata mbushnin një grusht me monedha dhe jua hidhnin fëmijëve të fshatit. Fëmijet gjatë marrjes së tyre fillonin të shanin në gjuhën e tyre të përditshme, e cila ishte në masen më të madhe, shqipja. Keshtu, mjaft fshatra kufitare, iu bashkuan Shqipërisë.

Në këtë aktivitet, një moment aktori Shaban Lajçi këndoi një këngë për kurbetin dhe recitoi disa vargje me vlera patriotike, që ngjalli shumë emocion tek pjesmarrësit në këtë aktivitet dhe u duartrokit me shumë dashamirësi, ashtu sikurse recitimi shumë i bukur i poezisë “Zjarr i pashuar “nga ish nxënësja e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Philadelphia, zonjusha Selma Çela dedikuar autorit Prof/Dr Bexhet Hasani.

Ju Motra vëllezër a s’më thoni

Këtu ne sot kush na mblodhi?

Një burrë fisnik nga Zagerçani

Profesor/Doktor,Bexhet Asani.

Ti moj Nena e Zagerçanit

Hallall qumeshti yt për djalin,

Që penën nuk ja ndan vatanit

Fillon që me kohën e Arbërit.

Në mes këtij entusiazmi, Kryetari i Shoqates “Bijte e Shqipes” Philadelphia z. Bujar Gjoka i dorëzoi Prof.Dr. Bexhet Asanit vlerësimin “Mik i Shoqatës” akorduar nga Këshilli Drejtues i Shoqatës me motivacionin: “Për punën të palodhur si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në atdhe e Nev Jersay, USA, si atdhetar, studiues, publicist në ruajtjen e kulturës, traditës, historisë dhe vlerave kombëtare të kombit tonë. Për mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarive të shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” e Shoqatës Atdhetare- Kulturore Shqiptaro – Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.”

Autori  Bexhet Asani  i u përgjigj pyetjeve të pjesëmarrëseve në lidhje me motivet, punën, informacionin e dokumentacion e siguruar në hartimin e këtij libri me vlera kombëtare. 

Shkrimtaret pjesmarrës në këtë aktivitet dhuruan libra nga veprat e tyre për biblotekën e shoqatës “Bijtë e shqipes” Philadelphia. Nje dhurate suprize na erdhi nga larg, nga shkolla shqipe “Naim Frasheri” Patra-Greqi. Drejtori I shkolles, poeti e shkrimtari Iliaz Boga kishte derguar disa nga librat e tij me poezi e përralla për nxënësit e shkolles shqipe “Gjuha Jone” Philadelphia. Më 20 Shtator 2019, Shkollat Shqipe: “Naim Frasheri” Patra- Greqi, “Udha e Shkronjave” Asti-Itali e “Gjuha Jone“në Philadelphia -USA kanë bërë trinjakëzimin e tyre dhe që nga ajo kohë është rritur ndjeshëm bashkëpunimi midish këtyre shkollave.  Mikja e shquar e shoqatës, shkrimtaria e poetja Iliriana Sullkuqi i dorëzoi disa libra bibliotekës së shoqatës, disa përshëndetje nga disa shoqata motra në Greqi, Elbasan e Tiranë, dhe disa dhurata të thjeshta simbolike për autorin prof.dr. Bexhet Hasanin,për gazetarin veteran, nismëtarin e krijimit të shoqatës dhe “Kryetar  Nderi“ i saj, Llazar Veron, Kryetarin e Nderit“ z.Tajar Domi, Kryetarin e Shoqatës z.Bujar Gjoka e  prof.dr.Skënder Kodra, i cili para disa ditësh kishte ditlindjen. Këto e gjallëruan edhe më shumë atmosferën e këtij aktiviteti.

Shoqata “Bijtë e shqipes” aktivitetin e vet e zhvillon në ambiente që janë për t`u lakmuar, si në pikëpamje të hapësirës, ashtu edhe të pozicionit e të cilësisë.Veç sallës për aktivitete kulturore e muzeumit, aty ka edhe klasa për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe. Muret e stolisura me fotografi të figurave tona historike e kulturore e me flamuj kombëtarë pasqyrojnë më së miri frymën kulturore, që i karakterizon këta aktivistë të zellshëm dhe shpirtin e tyre humanist e atdhetar. Por, dëshmia më e madhe e këtij shpirti është vetë shtëpia e Shoqatës, një objekt i dhuruar nga atdhetarët shqiptarë, Hasan e Benjamin Risilia, që në vitin 2006. Duke u rritur komuniteti, kanë ardhur duke u rritur edhe kërkesat për t`iu shërbyer nevojave të tij. Aktivistët e aktivistet e zellshme të Shoqatës e kanë zgjidhur këtë në një mënyrë që do t`i bëjë përgjithmonë krenarë: Ata kanë blerë një shtëpi tjetër shumë më të madhe prej guri, historike, që ngjason me një kështjellë, në majë të së cilës, tashmë ka filluar të valojë flamuri shqiptar.

Nderkohe z. Bujar Çela, anëtar I këshillit drejtues të  shoqatës prezantoi dhurimin e shumës  prej $500  nga kompania “Meal of America” e cila ka punësuar disa anëtarë te komunitetit tonë shqiptar dhe në shprehje të respektit për ta, kjo kompani, shprehu deshirën për  të kontribuar në ndërtesën e re të shoqatës.zj.Ilirjana Sullkuqi i dorëzoi shoqatës sonë një çek prej 100 $ amerikan për mbarvajtjen e shkollës shqipe “Gjuha Jonë“ dhe për ndërtimin e godinës së re të shoqatës. Të gjithë miqtë që erdhën nga New-Yorku dhe nga New Jersy, treguan interes të  veçantë per ecurinë e shkollës shqipe dhe projektin në ndërtimin e ndërtesës së re të shoqates. Ata shprehën dëshirën që të jenë pjesë e këtij projekti dhe kontribuan me nga 100 dollarë secili për këtë ndërtesë historike që do të jetë qendra e ardhshme e shoqatës dhe shkollës shqipe ne Philadelphia. Disa dhuruan edhe për shkollën shqipe“Gjuha Jonë“. Kryetari i shoqatës Bujar Gjoka i falenderoi kontribuesit për bujarinë e zemërgjërësinë e tyre.

Në mesin tuaj, miku e ndjen veten më shumë se mik, salla juaj sa vjen e bëhet më e ngushtë nga pjesmarrja e antarëve e miqëve të shoqatës – tha midis të tjerash z., Mhill Velaj. Në mesin tuaj, intelektuali e ndjen veten më shumë se intelektual! Në mesin tuaj shqiptari, e ndjen veten më shumë shqiptar! Ju priftë e mbara! Ishte kënaqësi të merrje pjesë në një ngjarje të tillë, që u përcoll me shumë interes nga të pranishmit

I  gjithë ky auditor kaloi në koktelin e  thjeshtë por shumë simbolik e entusiast, organizuar nga i zoti i shtëpisë z.Bujar Gjoka,sponsorizuar nga z. Bujar Çela, ku në mes të këtij entuziasmi me shëndete për miqtë dhe autoritetet përkatëse, që na nderuan në ketë eveniment u shpreh dashuria e respekti për njëri, sidomos për miqtë e ardhur .Pjesëmarrësit dhe autori vijuan me pyetje e pergjigje dhe miqte u njohen nga afer me veprimtarine e shoqates “Bijte e Shqipes” jetes se komunitetit shqiptar ne Philadelphia si dhe projektet e shoqatës sonë në të ardhmen.

Mbylljen e këti aktiviteti e bëri z.Mhill Velaj dhe Kryetari i Shoqatës Z.Bujar Gjoka me dëshirën që edhe në të ardhmen të organizojmë veprimtari të tilla, që i shërbejnë e do t’i shërbejnë artit e kulturës dhe ruajtjes së shqiptarizmës në komunitetet  shqiptare në Diasporën e USA..

U mbyll ky aktivitet i bukur e mbreslënës dhe me një vizitë tek ndërtesa e re e shoqatës, sidomos për ata që nuk e kishin parë më parë,duke qenë të shoqëruar nga Kryetari z.Bujar Gjoka. Eshtë kënaqësi të merrje pjesë në një ngjarje të tillë, që u përcoll me shumë interes nga të pranishmit.

  Ishte një aktivitet dhe promovim dinjitoz me vlera të gjithanshme të këtij libri voluminoz plot detaje historie, kujtimesh, figurash e shoqatash Arbërore, që i shton një vlerë më shumë punës e luftës për mbajtjen gjallë të gjuhës e pasurimin e saj. Shëndet Urime e suksese në krijimtarinë tuaj të gjërë dhe të larmishme profesor Bexheti ! 

Filed Under: ESSE

In Memoriam Dalip Greca

May 29, 2022 by s p

Halit Daci/

In a beautiful sprouting and sprightly sunny spring day as I tried to recover and wake up from a dreadful melancholy I mused for a while. And having mused for a while, Jesus, I murmured and said to myself: Is Dalip Greca, the writer, the husband, the father, the grandpa, and the best friend of many unexpectedly conquered and left everything and everyone dear behind? 

Death be not proud that shrouded in dark and dreary darkness you ambushed Dalip, interrupted his life, and took him with you and:  

Left his proficient pen shy, the ink bottle dry, and the untold stories and memories for help cry. Didn’t he vow not so long ago to quit work, retire, and finally do what he liked most, enjoy and take care of his family and write the untold and unknown stories? Didn’t he vow that he will still help Vatra and Dielli? His dear baby, Dielli, will be dim and discontent.

Left Xhemilja without her dear lifetime husband and companion. Didn’t he vow to her that he was going to settle into his new house and take care of her, make her coffee and prepare her meals, and help her with her garden every day?

Left Alma, Elisabeta, and Dorian without their dear father. Didn’t he vow to them that he will be with them every step of their life, see them grow and prosper, partake and enjoy their life events.  

Left Kristina, Latif, and Edi without their dear father-in-law. Didn’t he vow to them to that he was not their father-in-law but their real father in every step of their life, help them in any way he could,  and even as soon as he will settle into his new house he was going to put out a big BBQ in the backyard soon. Didn’t he vow to Latif and Alma that he will take care of the property and with his daily touch-ups make it look pretty every day. 

Left all the grandkids, Ani and Danny, Kelvin and Nick, Blake and Jaxon, without their dear grandpa. Didn’t he vow to them that he will buy them gifts for their birthdays, buy them candies and goodies, enjoy and watch them grow and prosper in every step of their life? Death be not proud that no one will be able to explain your dreadful nature of undoing their grandpa’s life, that it will be hard for them to comprehend why you took their grandpa away.      

Death be not proud that shrouded in dreary darkness, unseen, uninvited, and unwanted, yet part of the ephemeral cycle of life, dreaded by everyone and, unavoidable by none, you stopped, and unheard by no one sneaked into his house, interrupted his dreams, woke him up from his sleep, took him away with you in your unexplainable, yet unavoidable, eternal journey to a supposedly better bed and sleep.

Oh yes scary isn’t to think of it, but, my brother was not scared of your dreary deed. Dear Dalip did not just give up without putting up a fight with you on the way to the unwanted unknown known. And on the way to the unwanted, yet unavoidable journey that humans are destined to take at some point in their life, just in his promised prime time, you took away my dear brother and friend of my family for over twenty years or so. Didn’t he vow to me that he considered my family part of his family, and even more in every event he made sure he had reserved the biggest table and set aside space for Mjafturie, Kleant, Kelvin, Sonila and I in the same table and shared his stories, food, drinks, and gifts with my family  just like he did with his family?   

Death be not proud. True you seem mighty and dreadful, or men of affairs may think of you so. You took unexpectedly Dalip to his everlasting abode. But death be not proud that you took him away. Dalip beats you badly, dreadful death, in every step of the way as he  left a beautiful and successful family behind, left many grandkids who are proud his name and legacy, left many friends, and even his new neighbors, who will remember him and share their stories with each-other, as our unbearable lightness of being slowly and transiently flows by in time and space. 

You will be dearly missed, all the time remembered,  yet never forgotten, Dear Dalip! 

Rest in Peace my Dear Brother!  

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca

GJYKATA E HAGËS DHE ÇËSHTJA ÇAME 

May 27, 2022 by s p

Besnik Imeri

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Në Tiranë Ministri i Jashtëm i Republikës së Greqisë, Dendias, deklaroi, apo la të kuptohej, se: Çështja Çame nuk ekziston?  Mund të pyetet: nga e gjen kurajon ky ministër që flet kështu? Unë mendoj se ai e gjen këtë guxim nga dobësia e shqiptarëve, më saktë e politikës shqiptare. Dyshoj, në se partitë politike shqiptare, përjashto PDIU, e kanë në programin e tyre Çështjen Kombëtare, në mënyrë të veçantë atë Çame. Çështja Çame duhet të jetë në programin e çdo partie shqiptare, pasi është një çështje shqiptare dhe jo vetëm e çamëve. Nuk mund të pretendohet nga asnjë parti shqiptare sot, se përfaqësojnë dhe mbrojnë aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk e kanë në program të tyre Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës. Pra Çështja Kombëtare nuk ka një mbështetje të sigurtë nga i gjithë spektri politik. Por jo vetëm kaq. Ajo nuk është mbështetur realisht asnjëherë nga pushteti politik, pra nga mazhoranca parlamentare që zotëron pushtetin. Dhe, grekët e dinë këtë, pasi pushteti politik në Shqipëri gjithë këto kohë, Çështjen Kombëtare, dhe në veçanti, Çështjen Çame, kanë bërë sikur e kanë mbështetur.

        Por pushteti politik gjithmonë ka pasur frikë nga revolta e popullit shqiptar, në rastin, kur ata që që ndodhen në krye nuk e mbrojnë kauzën kombëtare, prandaj ka bërë lojën e pistë për ta mbajtur në gjumë ariun me emrin popull. Këta që erdhën në pushtet më 2013, për t’u hequr më patriot se ata që “rrëzuan nga kali”, shpallën me bujë e pompozitet, se do të zgjidhnin Çështjen Çame. Por kjo ishte një demagogji e pështirë.

        Pas nëntë vjetësh, jemi atje ku u nis, madje më keq. Pse? Sepse këta të “rilindurit” e sotëm, pasi u tallën nëntë vjet, thonë që ne u lodhëm, por grekët nuk duan. Këtu fillon loja tinzare e politikës greko-shqiptare, me demek, meqënëse pas kaq kohësh nuk po e gjejmë gjuhën, atëhere t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare. Skenari i kësaj shfaqje është i thjeshtë: Ministri grek bën një hap mbrapa nga ajo që ka thënë para dy vjetësh, dhe me një qëndrim arrogant bën presion dhe mohon çdo gjë. Krahu tjetër, kryeqeveritari ynë, gjoja nga ky presion, ngre duart lart, dhe, “duke larë duart si Ponc Pilati”, thotë se me këta nuk merremi dot vesh, le të na zgjidhë gjykata. 

        Duket sikur punët janë vënë në vijë dhe Gjykata e Hagës do t’a zgjidhë drejt. Por nuk është ashtu. Në rradhë të parë, Çështja Kombëtare nuk nxirret në Pazar. Nuk ka gjykatë në botë që të vendosë për trojet tona. Shqiptarët asnjëherë nuk duhet të pranojnë që sovranitetin, trojet që i kanë trashëgim nga të parët e tyre, të cilët  kanë derdhur gjakun lumë, për qindra e qindra vjet, për mbrojtjen e tyre, t’ia dorëzojnë një gjykate të huaj, kushdo qoftë ajo. Shqiptarët duhet ta dinë mirë, si “buka që hanë”, se Gjykata e Hagës, ashtu si do t’ia dhurojë detin Greqisë, ashtu dhe do të rroposë edhe Çështjen Çame.

        Pse unë dyshoj tek drejtësia e Gjykatës së Hagës? Janë disa fakte, të cilat krijojnë një bindje të tillë. E fillojmë me të parin. Karla del Ponte kur ishte Kryetare e Gjykatës së Hagës, për të gjithë shqiptarët dukej si perëndesha e drejtësisë. Por me t’u larguar nga ajo detyrë, ajo, si me magji, u shndërua në një armike të egër të shqiptarëve të Kosovës, dhe mbështeti të gjitha shpifjet dhe intrigat sërbe kundër luftëtarëve të UÇK-së. Ajo u bë zëdhënësja më e zjarrtë e shifjeve të ulëta të monstrës me emrin Dik Marti, dhe me të gjitha gjasat, ka ndikuar edhe në vendimmarrjen e Rezolutës Europiane.

Së dyti, kjo gjykatë, morri nëpër këmbë, dhunoi, poshtëroi, shkeli mbi dinjitetin e drejtuesve të Luftës Çlirimtare në Kosovë, pa përjashtim nga më kryesorët deri tek më të ultit dhe tek familjarët e tyre. Prokurorët e saj i ngritën akuzat mbi bazën e relacioneve dhe raporteve të shërbimit secret sërb. Gjykata e Hagës u bë vegël e qarqeve antishqiptare për largimin nga pushteti në Kosovë të atyre që dhanë gjakun e tyre për liri. Gjyka e Hagës dhunoi  dhe cënoi dinjitetin e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Së treti, kjo gjykatë, në mesin e shekullit të XX, padrejtësisht, vendosi drejtësi në favor të organizatorëve të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Shteti shqiptar, me të drejtë, nuk e njohu këtë vendim arbitrar dhe të padrejtë të kësaj Gjykate. Por meqënëse kjo gjykatë, është një gjykatë e pazarit europian, vendosi në favor të grabitësve të arit shqiptar. Juristët më të mire të së drejtës ndërkombëtare sot, si K.Krisafi, thonë së vendimi i Gjykatës së Hagës para 70 vjetësh nuk ka dha drejtësi për shqiptarët. Vendimi i saj nga pikëpamja ligjore ishte i gabuar dhe i pambështetur në fakte.   Nëqoftëse një gjykatë nuk jep drejtësi, nuk është gjykatë, dhe asaj nuk mund t’i besohet peshorja e drejtësisë. Njohja e së drejtës së shqiptarëve për incidentin e Kanalit të Korfuzit pas 70 vjetësh është shumë e vonshme. A duhet të presin shqiptarët, që pas 70 vjetësh, në vitin 2092, të marrin drejtësi për Çështjen e Detit dhe Çështjen Çame?!!!

        Unë do t’i besoja kësaj gjykate ndërkombëtare nëoftëse ajo do të merrte në shqyrtim, dhe do të njihte Genocidin Sërbo-Grek ndaj shqiptarëve, dhe do të vendoste drejtësi në favor të palës së dhunuar, shqiptarëve; të cilët u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore nëpërmjet raprezaljeve, vrasjeve, djegjeve, therrjeve dhe përdhunimeve të bëra nga sërbët dhe grekët.

        Grekët kërkojnë drejtësi. Siurdhëron zoti grek. Por drejtësia nuk është e njëanëshme, është e dyanëshme. Drejtësia nuk është për njërën palë dhe për tjetrën të jetë padrejtesia. Nëqoftëse shqipëtarët do të vendosnin drejtësi shekullin e kaluar, gjënë më minimale që duhet të bënin, duhet të përzinin në Greqi të ashtuquajturin minoritet grek në Shqipëri; ashtu siç përzunë grekët shqiptarët e Çamërisë. Atëhere mund të krijohej një balancë; gjithësesi një balancë e keqe. Por i ligu nuk e kupton ligësinë kur ajo bëhet në trupin e tjetrit, duhet t’ia kthesh në trupin e vet, që ta kuptojë.

        Njohja e genocidit sllav dhe grek ndaj shqiptarëve duhet të njihet nga vetë Europa, ashtu siç u njoh genocidi turk ndaj armenëve. Kjo do ta nderonte Europën, por edhe shtete të veçanta të saj si Gjermania, e cila ashtu siç njohu genocidin ndaj armenëve të njohë edhe genocidin ndaj shqipëtarëve. Ne shqiptarët, thuhet se kemi miq të fuqishëm, por nuk kemi parë deri më tani, që miqtë tanë të kenë njohur genocidin sllavo-grek, ashtu siç njohën genocidin turk ndaj armenëve.

        Nuk ka të ardhme pa të kaluar. E ardhmja vjen pasi ka një të kaluar, por pasi ka edhe një të sotme. Ne po flasim për sot zotëri. E ardhmja nuk rregullohet, po nuk u rregullua e sotmja dhe për më tepër, po nuk u rregulluan gabimet e historisë në të kaluarën. Brezat e rinj të shqipëtarëve, që do të jenë në të ardhmen, asnjëherë nuk do të na e falin tradhëtinë e sotme.     

Filed Under: ESSE Tagged With: Besnik Imeri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT