• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STRESI DHE MENAXHIMI I TIJ

May 6, 2022 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Stresi, ashtu si teoria e relativitetit të  Ajshtanjit është një koncept shkencor, i cili ka vuajtur nga bekimi i kombinuar i të qenit shumë i njohur dhe pak i kuptuar. Stresi, apo të qenit nën  presion është një pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Vetëm kur dëgjoni titujt e gazetave të përditshme, kur shikoni televizor, dëgjoni radion apo lexoni një revistë konstatoni  pashmangshmërinë e termit stres, e si rrjedhim pranohet dhe besohet që është bërë një problem i madh i ditës. Njerëz të profesioneve, moshave, intelekteve të ndryshme përdorin në jetën e tyre fjalën stres, për të karakterizuar një gjendje të tendosur, të ngarkuar psiko–emocionale, kur ballafaqohen me mjedisin rrethues. Stresi sot është më i njohur sa ka qenë më parë, njerëzit janë  bërë më të  vetëdijshëm ndaj ndikimit negativ që ka  stresi në shëndetin e tyre. Pavarësisht nga prania e  informacionit që jepet sot dhe për më tepër bollëku i dijeve për të, stresi mbetet ende një çështje thelbësore në ndikimin e jetës së njeriut. Jeta në shekullin e XXI është bërë  më komplekse se  më parë. Njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë në një botë kaq moderne sa kjo e sotmja. Ne, sot jetojmë në një shoqëri të zhurmshme.  Jeta jonë drejtohet nga afatet, teknologjitë moderne,  celularët, telefonatat,  kompjuterët,  satelitët apo nga qindra presione të tjera.

Shumë personave u duhet  të bëjnë punë të shumta në një kohë të kufizuar si p.sh, të dërgojnë fëmijën  në shkollë (kopsht), kur prindi në të njëjtën kohë është i detyruar të jetë në vendin e punës, të përballen me një trafik të rënduar, me administratorë, shefa apo drejtues të tjerë, të cilët të rëndojnë edhe me tepër gjendjen shpirtërore sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ne shohim çdo ditë tragjedi familjare, përmbytje, luftëra(deri në kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore), krime nga më të paimagjinueshmet,pandemi si kjo e fundit, që  shfaqen direkt në televizorin e shtëpive tona. 

Studimet kanë treguar që jemi më pak aktiv fizikisht,  kemi më pak miq se më parë, jetojmë në një shoqëri më të izoluar dhe me një nivel të ulët ligjor për mbështetje sociale. Të gjitha këto, të marra bashku, kthehen në katalizator për stresin. 

As fëmijët nuk janë të mbrojtur nga  ndikimet rënduese të presionit që shkaktojnë kërkesat e jetës. Ata nuk janë të imunizuar nga efektet dhe presionet e tepërta që ka shekulli XXI. Mjekja pediatre Amerikane Dr. Lori Buffa thotë: “Shumë stresorë që 30, 40, apo dhe 50 vjetëve më parë, me të cilët fëmijët nuk kishin të bënin,  sot janë prezent. Gjithçka ka kaluar shumë shpejt. Niveli i ndikimeve që ata ekspozohen është shumë më i lartë nga ç’ka  qenë më parë”.

Sidoqoftë, stresi nuk është një problem vetëm i shekullit XXI,  njeriu e ka vuajtur stresin gjatë evoluimit njerëzor. Por shoqëria moderne ka pësuar  ndryshime më të mëdha në një hark kohor prej pak vitesh, se sa gjatë gjithë zhvillimit njerëzor. Kjo është në një mënyre, arsyeja përse stresi është më shumë se një problem sot.   

Ka shumë përfitime të jetosh në botën tonë moderne, të industrializuar me ritme të shpejta, por ky zhvillim i shoqërisë  ka krijuar kërkesa komplekse në shëndetin tonë fizik dhe jetën sociale. Sigurisht që nuk është nevoja  të kthehemi në epokën e gurit për të rifituar shëndetin tonë, është e pamundur të zhvendosim gjithë këtë stres nga jeta jonë, por çfarë do të duhej të bënim? Kërkohet  të mësojmë, ç’është stresi, llojet dhe shkaktarët e tij, shenjat fizike dhe psikologjike që shfaqen, ndikimi i tij në veprimtarinë e njeriut, mënyrat e përshtatjes dhe si ta përballojmë atë në jetën tonë të përditëshme.

Pyetja e parë që bëjmë është; Ç’ është stresi? Stresi  është një koncept disi i vështirë për t’u përkufizuar sepse është një eksperiencë subjektive, individuale dhe unike. Kur një situatë konsiderohet si stresuese për një person, nuk do të thotë që kjo situatë konsiderohet e tillë edhe për një tjetër. Ka një numër përkufizimesh për stresin si edhe një numër ngjarjesh që të çojnë në përjetimin e stresit. Faktorë të dëmshëm dhe të papërshtatshëm të mjedisit të jashtëm çojnë në çrregullime fiziologjike. 

Përkundrejt shumë pikëpamjeve që e konsiderojnë stresin si një fenomen vetëm të dëmshëm, njeriu nuk mund të ekzistojë në mungesë të stresit, sepse nuk mund të ruajë ekuilibrin me mjedisin rrethues. Nëse stresi nuk do të gjendej, njeriu nuk do të kishte mbijetuar. Ai mund të përshkruhet, si një kundërveprim i trurit dhe i pjesës tjetër të trupit ndaj atyre kërkesave, sfidave, ngarkesave të cilave, ne i nënshtrohemi në rrethana të ndryshme të jetës. 

Qëllimi i stresit është të kujdeset që aftësia fizike t’i përgjigjet kërkesave, që do t’i paraqiten trupit. Prej lindjes deri në vdekje njeriu dhe stresi janë një binom i pandashëm. Për të qenë aktiv dhe produktiv kemi nevojë për pak stres. Por kur stresi është i tepërt duhet të marrim masa që ta pakësojmë, sepse ai dëmton shëndetin e njeriut. Trupi kundërvepron ndaj Distresit, që është stresi negativ, ose i dëmshëm, ai shfaqet kur njeriu nuk mundet të ndryshojë gjendjen që i parashtrohet dhe ndjen pakënaqësi.  P.sh humbja e një personi të familjes, shkon në shtëpi dhe ndodhesh përballë mungesës së ushqimit, ritja e çmimeve që në këtë kohë është bërë e zakonëshme, të grindesh me një mik etj., si dhe ndaj Eustresit, që është stresi pozitiv,  ose stresi i mirë, që rrjedh nga situata që sjellin kënaqësi, të cilat njeriu i ka zgjedhur vetë ose dhe që e nxisin përpara (martesa, të presësh një fëmijë, të fitosh një lojë apo të dalësh mirë në një provim), një sasi e caktuar stresi është e domosdoshme për stimulim. 

Trupi njeriut i përgjigjet të dy llojeve të stresit në të njëjtën mënyrë. Është e saktë kërkesa për të pasur një sasi të caktuar stresi si nxitës, për ta bërë jetën më interesante  dhe më të frytshme. Nëse trupit i pëlqen puna që bën, trupi nuk mund t’i përballojë ngarkesat e tepërta, si rrjedhim, stresi pozitiv mund të kthehet në stres negativ, atëherë kur njeriu nuk i dëgjon paralajmërimet e trupit (shenjat fizike apo psikologjike). Të gjitha llojet e stresit kthehen në të dëmshme, nëse trupi është i stresuar për një kohë të gjatë pa pasur mundësi për ta marrë veten sërish.

Disa studiues e përkufizojnë atë si ngacmues (stresor) që na kërcënon,  të tjerë e shohin si reagim të organizmit ndaj kërcënimeve të mjedisit, apo si gjithçka që ushtron kërkesa ndaj nesh, të cilave ne duhet t’i përshtatemi. Këto kërkesa mund të jenë të vështira për aftësitë tona. Stresi përfshin kërcënimet ndaj mirëqenies sonë, presionet dhe ndryshimet e tjera të cilat kërkojnë që ne t’i përshtatemi në situata të reja. Stresi mund të shkaktohet prej kërkesave psikologjike ose fizike. Konflikti dhe frustracioni janë shembuj të kërkesave psikologjike. Kërkesat fizike mund të përfshijnë infeksionin, sëmundje ose plagët.

Kur ne përjetojmë stres, mund të shfaqim shenja fizike, psikologjike si dhe sjellje nga më të ndryshmet. Këto simptoma nuk janë shenja sëmundjeje sepse stresi nuk është sëmundje; këto nxisin  gatishmërinë e trupit për të luftuar kundër rrezikut duke na dhënë një shpejtësi dhe energji të veçantë për t’u përballur me kërcënimin. Kur jemi nën stres ne ndiejmë zemrën të rrahë me shpejtësi. Kjo nuk është shenjë sëmundje e zemrës, por shkaktohet nga çlirimi i hormoneve të stresit që e bëjnë zemrën të pompojë më fuqishëm  dhe të rrahë më shpejt që  të marrë oksigjenin ekstra, për të  gjallëruar muskujt dhe organet, në këtë mënyrë ne jemi gati të përballemi ose të largohemi nga rreziku. Pasi situata stresante të këtë kaluar, niveli i hormoneve të stresit në gjak ulet përsëri, dhe zemra kthehet në ritmin e saj normal.  Zemra dhe pjesa tjetër e sistemeve dhe e organeve të trupit tonë mund ta përballojnë me shpejtësi dhe me punë të fuqishme situatën kërcënuese, sepse janë krijuar për të qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht si një makinë e cila ngre dhe ul shpejtësinë e saj me një presion të veçantë në pedalin e gazit dhe pakëson shpejtësinë me një presion të lehtë në frena. Sistemi ynë nervor simpatik dhe ai  parasimpatik shkakton reagimin lufto ose mbathja, të dyja këto funksionojnë në mënyrë të njëjtë. Stresi stimulon sistemin nervor simpatik (pedalin e gazit) duke ngritur nivelin e  hormoneve të stresit në qarkullimin e gjakut, ndërsa për stimulimin e çlodhjes apo të marrjes së vetes, është përgjegjës sistemi nervor parasimpatik (frenat), ky pakëson nivelin e hormoneve të stresit  në qarkullimin e gjakut.

Një nga problemet me stresin është identifikimi i tij. Ndonjëherë jemi të vetëdijshëm për të dhe si pasojë mund të reagojmë. Por stresi mund të jetë dhe i fshehtë, mund të përjetohet stresi ndaj të cilit mund të mos jesh i vetëdijshëm.  Shenjat janë të shumëllojshme, jo të gjithë shfaqin të njëjtat shenja, disa nga ne janë të pavetëdijshëm ndaj tyre. Kërkimet kanë treguar që edhe pse ka simptoma të përgjithshme të stresit, individët ndryshojnë në shfaqen e tyre. Disa individë shfaqin simptoma kryesisht fizike si p.sh tendosje apo dhimbje muskujsh, të tjerë shfaqin simptoma si të qarët apo inatosje, shenja psikologjike. 

Shkaktarët e stresit njihen si stresorë. Ekzistojnë me qindra lloje të ndryshme stresorësh. Çdo ngjarje që një personi i duket kërcënuese, e vështirë për t’u përshtatur ose që shkakton një presion të skajshëm mund të jetë një shkaktarë potencial i stresit. Është e rëndësishme të mbash parasysh, se stresi është një eksperiencë individuale, subjektive dhe si pasojë çfarë është stresante për një person  nuk mund të jetë për një tjetër. Stresorët mund të ndahen në të jashtëm dhe të brendshëm (ose një përzierje e të dyjave). 

Ndryshimet jetësore janë stresorë të fuqishëm. Për shembull,  nëse një person jeton i lumtur në shtëpinë e tij, ai jeton prej vitesh atje,  ka dhe miq  të ngushtë, për këtë arsye, ai nuk do të dëshironte të largohej prej atij vendi. Por ai është i detyruar të lërë atë shtëpi sepse kjo shtëpi është ripronësuar, rrjedhimisht që ky person do të vlerësoj ngjarjen  absolutisht shumë më stresante, se sa do ta konsideronte një person  tjetër i cili, kishte jetuar për një kohë të shkurtër, me komshinj që nuk merrej vesh, në një zonë të zhurmshme, si rrjedhim ai do të dëshironte të largohej sa më parë prej andej.

Shumica e shkaqeve të stresit që ne përballemi çdo ditë kanë një bazë të zakonshme, nuk janë aq ekstreme sa janë ngjarjet e mëdha të jetës. Shkaqet e zakonshme të stresit janë quajtur shqetësime të përditshme; ato janë iritimet të vogla ditore si p.sh mos gjetja e nje vendi për të parkuar makinën, preokupimi se çfarë do të gatuash, trafiku i rënduar, diskutimet në familje apo me kolegët etj. Nga një herë shqetësimet e përditshme që na mërzisin në mënyrë të vazhdueshme shkaktojnë më tepër stres se sa ngjarjet e ndryshimeve të mëdha jetësore (të cilat janë të rralla). Këto irritime të vogla kontribuojnë në nivelin e përgjithshëm të stresit. Shqetësimet e zakonshme shkaktojnë një stres të tillë, i cili ndikon në keqësimin e gjendjes shëndetësore, madje ndonjëherë në një masë  më të madhe edhe se ndryshimet e mëdha jetësore, vërtetë që një ndryshim i madh jetësor është më i fortë se ai i prodhuar nga një shqetësim i zakonshëm por ai ndodh shumë rrallë, ndërsa shqetësimet e zakonshme duke ndodhur shumë shpesh madje janë prezentë çdo ditë bëjnë të mundur akumulimin e tyre me kalimin e kohës. Një pikë ujë që bie rregullisht mbi një shkëmb për një periudhë të gjatë kohe, arrin të gërryej shkëmbin. E njëjta gjë ndodh edhe me trupin e njeriut. 

Ne jemi të pirur të mendojmë se stresi shkaktohet vetëm prej ngjarjeve, situatave të jashtme, dhe njerëzve, por gjithsesi kjo nuk është plotësisht e saktë. Studiuesit e stresit kanë vërtetuar se, stresi shkaktohet gjatë një veprimi, që lind nga bashkëveprimi midis stresorit, pikëpamjes tonë ndaj stresit dhe aftësisë së perceptimit për t’u përshtatur me të. Stresi është kombinimi i besimeve, qëndrimeve, interpretimeve, perceptimeve tona të brendshme dhe faktorëve të tjerë me ngjarjet e jashtme.

Teknikat e përballimit të stresit janë teknikat me anë të cilave ne merremi me stresin dhe ankthin. Së pari, ne mund të ruajmë formën tonë për të qenë më rezistencë ndaj stresit nëpërmjet sportit, një ushqyerje të shëndetshme, trajtimi natyror bimor, etj. Së dyti, ne mund ta përballojmë gjendjen e stresit, duke përdorur teknika natyrore si joga, masazh, relaksim etj. dhe së fundmi, kur ne ndodhemi në një situatë të mundimshme që zgjat, ne duhet të konsiderojmë origjinën e problemit që kemi: përse ndodhemi në një situatë të tillë? Çfarë mund të ndryshojmë ne? Nëse ne nuk mund të ndryshojmë rrethanat në të cilat ndodhemi, ne duhet të korrigjojmë mënyrën tonë të sjelljes dhe të reagimit ndaj tyre. Vetëm kështu ne mund të përfitojmë nga anët “e mira” të stresit dhe të mos pësojmë çrregullime fizike nga anët “e këqija” të tij. Por mbetet për secilin detyra e organizimit të programit antistres, në funksion të normave dhe zakoneve të tij të jetesës. 

Filed Under: ESSE

SHËNGJERGJI DHE DISA TOPONIME NË MAT

May 6, 2022 by s p

Asllan Bushati/

Gjashtë maji, është dita e lindjes se Atit të Kombit tonë dhe Heroit tonë Kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU. Nuk e kuptoj se pse akoma Parlamenti i Shqipërisë dhe i Dardanisë, nuk e shpallin akoma ditë feste zyrtare kombëtare. Apeloj për të disatën herë, që të gjendet një konsensus ndërpartiak e ndërshtetror në Shqipëri e në Dardani, që kjo datë të zyrtarizohet si ditë feste zyrtare kombëtare.Me rastin e 6 majit 2022, “Ditës së Shëngjergjit”, dëshiroj të ofroj për miqt e mi, disa shpiegime për emrat e disa maleve dhe fshatrave të krahinës së Matit, të cilat vijnë që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e të lidhura me veprimtarinë e tij. Kështu për shembull pjesa perendimore e krahinës ndahet me Kurbinin nga vargmali “Skënderbeg” që shtrihet nga takimi i lumejve Mat me Fan (Skuraj) deri në veri të krahinës Tiranës në këmbëzën perendimore të Malit të Erës. Mali Erës ndanë Matin me Tiranën, Kaptina e Martaneshit ndanë Matin me Elbasanin, Mali i Allamanit dhe Dejës ndanë Matin me Dibrën, këmbëza veriore e Malit Dejës deri në kryqëzimin e lumejve Mat e Fan, ndajnë Matin me Mirditën. Por para se të sjellë shpiegimet rreth toponimeve, do të perifrazoj një citim nga fjala e fundit e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, para princa, gjeneralëve, diplomatëve dhe oborrtarëve të tij.” Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve (të diturve) por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt”. Pra, Skënderbeu ka patur këshilltarë ushtarakë, fishikë dhe specialist të fushave të ndryshme pranë tij dhe sygjeron që edhe pasardhësit të kenë të tillë. Kjo e dhënë nënvizohet nga shumë burime perendimore.Mali Skënderbeg (me majën më të lartë Beleg), u emërtu si i tillë, pasi pjesa peremdimore e këtij mali (Cudhi, Shkretë, Mafsheq, Gardhac, Vinjollë, Gallatë e Skuraj), shërbyen si prapavijë e përqëndrim rezervash të Skënderbeut në pesë nga betejat shumë të rëndësishme të tij: tri rrethime të Krujës, Beteja e Albulenës (midis lumejve Ishëm e Mat), dhe Beteja kundër Ballaban Pashës (Qaf Buall- Skuraj). Pra nga veprimtaria luftarake e Skënderbeut e mori emrin edhe mali “Skënderbeg”.Mali i Allamanit, u emërtu i tillë për arsye se aty shërbyen këshilltarët austriak e gjerman,( pra gjermanisht folës-alemanie), specialist për përgatitjen e topave të ushtrisë së Skënderbeut.Mali i Dejës, si emërtim është shumë i hershëm, ndoshta pellazgjik, se do të thotë mali i Deas (perendesha e dritës), sepse lugina e Matit ka si pikë reference për agimin e dritës së mëngjezit, pikërisht Malin e Dejës sic e shqipërojmë sot.Mati ka qenë (sipas dokumentave austriake), qendra më e madhe e përgatitjes dhe stërvitjes së ushtrisë së Skenderbeu. Aty kanë qenë vendosur edhe specialistët e këshilltarërt e huaj. Kryesisht prej këtij vendi fillonte lëvizja për në drejtimet ku do të bëhej ndeshja me forcat osmane. Në pjesën perendimore të luginës së Matit, shtrihen fshatra me emërtime, të vendeve nga vinin specialistët ushtarak të Skënderbeut (të cilat i mbajnë edhe sot). Ata kishin profile dhe specialitete të ndryshme për: kalorsi, harqe, ushta, shpata, shtiza, prazmore, sopata bishtgjata, specialist të luftimit trup me trup, takticienë, strategë etj. Kështu Fshati Baz, do të thotë se aty kanë qenë përqëndruar baza material e ushqimore për njerzit dhe kuaj. Në një farë kuptimi të sotëm “shtabi i prapavijës”. Karica: (kroaci, vendi i specialistëve dalmat), Germani (secialistët gjerman), Midha (fusha e livadhe të mëdha), Muzhaka (vendi i specialistëve të Muzakajve me qendër në Beratin e sotëm). Frankth (francezët, madje edhe sot vazhdon mbiemri Dishani-Dysha). Burrel (burgel- qytezë gjermanisht). Batërr (betejë), Pësum i Batrrës (të mësumit e betejës ose qendër stërvitore), Shul Batërr (këthimi në stërvitje, betejë) etj.Që nga koha e Skënderbeut vijnë edhe disa familje me mbiemra si : Allamani, Valteri (Volteri), Farrici, (Fritz), Klos (Kloze ose Klotz), Dishani (Dysha) etj.Për të mos ju lodhur më me shpiegime, në këtë ditë feste të Shëngjergjit, ju uroj nga zemra GËZUAR ju familjar e bashkatdhetarë. Ju gjetët ma mirë mot.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati

USA & Fondacioni Rockefeller si partnerë të rëndësishëm në themelimin e sistemit shkencor studimor

May 5, 2022 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Duke ju referuar historisë së Shtetit Shqiptar (Arkiva e Shtetit, 1924), Shqipëria e viteve 1920- ishte një shtet i ri, pa përvojë në fushën studimore epidemologjike apo shëndetësore. Pavarësisht nga kjo situatë gjatë viteve 1926-1936 në shqipëri ka pasur një iniciativë të rëndësishme nga USA, Fondacioni Rockefeller në fushën studimore, që mund të ketë qenë iniciativa më e madhe e bërë historikisht në Shqipëri e këtij lloji. Për herë të parë në Shqipëri ka patur një bashkepunim të mirëfilltë me karakter jo politik, por humultues, që solli ndryshime dhe përmirsime direkte në shëndetin e popullsisë shqiptare.

Studimet e bëra nga studiuesit Amerikan Dr. Hackett dhe Dr. Russell në Shqipëri gjatë viteve 1926-1936 kanë qënë të rëndësishme për popullsinë shqiptare. Në ato vite Shqipëria gjendej në një periudhë të vështirë nën ndikimin e sëmundjes epidemike të malarjes ( Hackett, 1927).

Fondacioni Amerikan nëpërmjet studiuesve ka luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e qëndrave të para humultuese, një inisiativë që rrjedhoi në formimin e sistemit shëndetsor me prioritet trajnimin e specialistëve shqiptarë. Për herë të parë në Shqipëri bëhej një investim i tillë në këtë fushë duke përfshirë investime në infrastukturë, institucione, klinika, laboratore, trainime në infermjeri dhe fellowship për doktorë specialist. Puna e bërë nga këta studiues për një dhjetëvjecar dhe nga personeli i specializuar shqiptar rrjedhoi në përmirësimin e shëndetit të popullsise se prekur nga semundja, parandalimin dhe deri në pothuajse eleminimin e epidemise se malarjes.

Korespondenca dhe dokumentet e mbajtur nga Dr. Hackett dhe Dr. Russell kanë rëndësi historike për Shqipërine. Ato jo vetëm që pasqyrojnë vendin dhe institucionet shtetërore të atyre viteve (shpjegime të metejshme do të jepen në artikujt pasardhës), por kanë vlera studimore për historinë e humultimeve të para të popullsisë. Ky studim ka vlera studiuese si i vetmi projekt kualitative dhe kuantitative me kohë të gjatë i bërë ndonjëherë nga studiues të huaj në Shqipëri. Ka qënë kërkesa e këtyre studiuesve të respektuar në botën akademikëve studiuese për të kryer humultime në Shqipëri duke sjellë shërbime, investime, dhe ndihmë direkte në popullsinë shqiptare. Në dokumented e bashkangjitur në këtë artikull vihet re propozimi dhe dëshira e studiuesve për të bashkpunuar me shtetin shqiptar dhe specialistë vendas duke i përkrahur ata me sponsorizim, financim dhe fellowship në Universitetet e Evropës.

Hackett & Lindsay, July 1 to September 30, 1930, Third Quarterly Report, Folder 2987, Box 247, Series 3, Folder Title: 704 – Albania -A-Z, International Health Division, Rockefeller Archive Center.

Hackett to Russell, December 2, 1927, Folder 3944, Box 310, Series 1, Letter 184, Folder Title: 704 – Albania -A-Z, International Health Division, Rockefeller Archive Center.

Përkthim: “I nderuar Dr. Rusell, Ju njoftoj se në zarf është vendosur një kopje e letrës të cilën ja kam adresuar sot Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në referim të dhënies së Felloship për trajnimin e dy doktorëve shqiptarë në Itali gjatë vitit të ardhshëm”, i juaji Dr. Hackett

Diary 1936, February 15, 1936, RAC, Folder Title: 704 – Albania -A-Z, International Health Division, Rockefeller Archive Center.

Resources

Hackett & Lindsay, July 1 to September 30, 1930, Third Quarterly Report, Folder 2987, Box 247, 

Series 3, Folder Title: 704 – Albania -A-Z, International Health Division, Rockefeller 

Archive Center.

Hackett to Russell, December 2, 1927, Folder 3944, Box 310, Series 1, Letter 184, Folder Title: 

704 – Albania -A-Z, International Health Division, Rockefeller Archive Center.

Diary 1936, February 15, 1936, RAC, Folder Title: 704 – Albania -A-Z, International 

Health Division, Rockefeller Archive Center.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatjona Lubonja

“LOTUS” në syrin poetik të Ermira Mitres

May 4, 2022 by s p

(Rreth vëllimit me poezi “LOTUS” – i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani)

Shkruar nga Raimonda MOISIU 

Të shkruash libër me poezi është ndjesia më e brishtë që shpërthen nga bukuria e shpirtit artistik, është vet-mrekullia e cila ekziston brënda gjithçkaje njerëzore. Sepse edhe vetë poezia është liria e ndjenjës, gjëndjes emocionale dhe shpirtërore që i ndodh gjithsecilit në jetë. 

Në vëllimin e dytë me poezi të titulluar “LOTUS” i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani, ka diçka emocionale dhe gjallëruese që na mëson se çfarë është një grua artiste-poete në akord me lirinë e fjalës dhe lirinë e shpirtit, por jo vetëm kaq; edhe me lirinë e të shprehurit dhe “Pse”- jeta e njeriut është Poezi, dhe “Pse”- Poezia është vetë Poeti!

Vëllimi poetik “LOTUS” vjen si një mozaik i këndshëm me poezi. Mes tyre ka poezi tejet origjinale, prekëse, meditative, dedikuese, filozofike, lirike, erotike, sarkazmë therëse plot ironi dhe mënçuri, të cilat përcjellin ekzistencën njerëzore, realititetin dhe përvojat jetësore nën efektin e frymës dhe muzës poetike, përcjellin marrëdhëniet e poetes me imazhet tradicionale të natyrës dhe origjinës, njerëzit dhe sendet që e rrethojnë, jetën e saj mes natyrës, hyjnores dhe njerëzores! Ky vëllim me poezi shquhet për kapitujt dhe nëntitujt e veçantë që meritojnë edhe vëmendjen e veçantë rreth konceptit të dukshëm të tematikës së tyre dhe krijojnë harmoninë e forcës së “Ekzistencës”, me intensitetin e fortë emocional të “Mallit për vendlindjen”, dhe stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur që është “Dashuria”. Poetja blasfemon në emër të instiktit njerëzor, e kapur “Përdore sëbashku”, me konceptin mistik dhe besnik ashtu sikundër di të falë veçse “Shpirti njerëzor”, për t’u ngushëlluar me imazhin e hirtë “Midis jetës dhe vdekjes”, dhe botëndijimin dhe botëperceptimin e forcës shpirtërore që depërton në thelbin e integritetit plot sharm e krenari femërore mes dëshirës e pasionit, mes kënaqësive normale të jetës dhe paktit të shpirtit intim, i kërkesave të jashtëzakonëshme të artit me stilin e “Haiku”–t. Poezia e Ermirës është bashkëbisedimi mitik dhe intim me veten, lexuesin dhe kohën, është universi i lirisë së shpirtit dhe ndjenjës njerëzore shprehur në vargje mistike të alternuara në mënyrë lakonike, gjallëruese dhe të zbehta, porse shprehin “Të vërtetën e virgjër brënda teje” –vargëzon poetja –të vërtetën me  origjinalitetin e përvojave jetësore, të  gjërave përreth që kanë tërhequr vëmëndjen dhe preokupojnë mendimet dhe idetë e poetes, por që  “s’mund ta cënojë marrëzi e botës”, -thotë poetja. Ermira zbulon detajet e së vërtetës brenda njerëzores, përmes dhimbjes dhe gëzimit; “Thithe në shpirtin tënd të vërtetën biri im, /derisa fryma jote të arrijë në Perëndim./ për të hapur miliona dyer/ që dritën të arrish përtej gjithçkaje”.  

Poetja Ermira e fiksuar në marrëdheniet mes realitetit e imagjinatës, mendon se realiteti dhe “që njeriu gjer më sot ka provuar”! – është një klishe e së vërtetës në dramën e përkohëshme të natyrës, njerëzores, jetës, mbijetesës dhe botës së përtejme(vdekjes).

Është një epikë reale që ka nxitur poeten të krijojë pavarësinë e saj krijuese përmes integritetit të gjuhës, ndërtimit fizik të poezisë dhe kulturës poetike thellësisht humane, plot figura artistike, mendime dhe meditime filozofike me rimëbardhat, kadencën, melodinë dhe muzikalitetin e tyre që dëshmojnë objektivat drejt të cilave Ermira ka punuar. 

Poezia e Ermirës është gjerdani i artë i fjalës, epitoma e ëndrrave, e dhimbjes dhe dashurisë, pasioneve e dëshirave, mishërimi i bukurisë, shpirtërores dhe psikikes, e kujtesës, trishtimit e dobësisë dhe mrekullisë se jetës në të përditshmen njerëzorë dhe sociale. Mëndafshi i shpirtit poetik të poetes është më unik, më i ndjeshëm dhe më i çeliktë; “Se gjuha, ky muskul i butë/, me cipë të ashpër,/godet mure që të flasë,/ edhe të gëlltisë e vulosë/ me dyllë rrëshire,/brengat e shpirtit labirinth.”; 

Ekziston, për shembull, një përballje treguese e asaj se ç’ka përfaqëson “LOTUS” në poezitë e poetes Ermira Mitre Kokomani, e cila e ka zgjedhur atë si simbol kryesor. Poetja shndërrohet në një eksploruese e vetë-dijes dhe subjektivitetit, që referojnë imazhin e forcës dhe mbijetesës; “Të ndjesh se si lind çdo mëngjes”/ në zemër të zambakut e shpirti ndjehet petale e paqtë,/. 

Nëpërmjet imazhit të reflektuar poetja rrëfehet për Diellin sikur ta ketë mikun e saj të vjetër; “se si Dielli të përkund në çdo zgjim,/me ninulla dehëse e të fal durim”-duke shpërfaqur në mënyrë të qartë dhe meditative ndjenjën e miqësisë mes vetes, zambakut, e diellit. Është padyshim një magjepsje romantike e stilit frymëzues femëror me anë të mikrofabulave që ngjallin ndjenjë dhe emocion, e cila synon të ruajë sentimentalizmin poetik.

Me tinguj lirikë të nënkuptuar dhe vizion njerëzor, sa emocionuese e sfiduese, poetja Ermira e shpotit “zambakun Lotus” që mbin dhe lulëzon në ujërat e ndotura, i pastër dhe zgjatohet i bukur duke vështruar diellin- “të lulëzosh si Lotus i pandotur mbi ujë”, / me rrënjë të thella e të fuqishme sa dhimbja/”. 

Në vargjet e mësipërme poetja kërkon një përshtatshmëri të caktuar të tonit e ndjenjës, ajo luan e sigurt duke zgjedhur, dhe nganjëherë disi me mundim shpalos një imazh të qartë që lind nga refleksioni i meditimit dhe se çfarë poetja simbolizon. 

Sikundër jeta, dhimbja e dashuria, ekzistojnë edhe kur ka diell e ngrica, shi e rrebeshe, ujëra të qeta e të rrëmbyeshëm, ujëra të pastra e të ndotura që rrjedhin në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, ashtu sikundër dielli sfidon me fuqinë e tij, edhe njeriu sfidon me krahët e fortë dhe mendjen e shëndoshë, derisa arrin të ngrihet mbi vështirësitë e jetës, e cila vazhdon, mbijeton, rilind dhe lulëzon! 

Në këtë vëllim poetik gjenden disa poezi që meritojnë vëmendje të veçantë, poezi të shkruara në dialektin dhe stilin e Fishtës. Ndër to demonstrohet dëshira e Ermirës për t’u angazhuar me kompleksitetin e të qenit “grua artiste-poete” në jetën reale, dëshirë e pasion që gjeneron frymëzim për një shtrirje në formë të hershme nga narracioni i origjinës dhe fëmijërisë së poetes, e rritur dhe e edukuar me gjyshe dhe teze ulqinake dhe shkodrane nga e ëma, të cilat e përkundnin duke i recituar në vend të ninullave “mbramjeve”, vargjet gegënisht të Fishtës. Andaj dhe gegënishtja e poetes ndër vargje përshkohet nga metafora brenda sferës së mrekullisë, ëndjes dhe adhurimit të dialektit fishtian. 

“M’përkund, n’ andrrën tande t’ papërlyeme, / ndër buzsh t’rreshkuna, /lotin prej qerpikut ma shkund. /M’përkund ndër mollëza gishtash,/lulëkuqe buisun, ndër perla,/ në t’zjarrtin agim”,-

Vargjet e Fishtës kanë lënë mbresa të thella, efektin e qartë dhe të mirëfilltë në jetën e subkoshiencën e poetes, prandaj edhe meditimi ndër marrëdhëniet njerëzore të identitetit të saj rrjedh lirshëm në gegënishten e Fishtës së madh; 

“N’mujsha Zanën e Malit,/prej gjumit dekës me e zgjue,/me puthje flokët me ja krehë,/e perlash kokën me ja ndriçue.” 

Poetja duke u endur nën dritën e hënës fillon të merret edhe me jetën reale. Vërejmë një poete të heshtur dhe modeste por që guxon të na zbulojë fijet e brengës dhe mallit të përvojave jetësore, bukurisë e groteskes, jetës e vdekjes, ngjarjeve që ka përjetuar në jetë, të cilat pasqyrohen me lirinë dhe përjetësimin e dialogut me veten: “Përse rrotull vjen mesnatës,/engjëll i Vdekjes, fantazmë, terr?/Ç’ke që grykës shtrëngon duart,/frymë e shpirt, përtej i ndjell?”-në nivelin metaforik dhe artistik.

Shpirti i poetes frymon në çdo varg, ajo merr rolin e psikologes e të sociologes dhe gjen prehje në rilindjen e ndjenjave të brendëshme dhe të karaktereve që kanë qenë dhe janë pjesë e jetës së saj, nën aureolën e ekzistencës njerëzore dhe dashurisë.

Poetja shpërthen në vargjet e saj me urtësinë, mënçurinë dhe dhuntinë e parandjenjës të simbolikës e lidhjes së fortë, me lirinë e psikikes e shpirtit përmes ëndrrave dhe vizioneve profetike. Mënyra e vetme për të ngushëlluar shpirtin dhe për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbëshme (humbja e djalit të saj në aksident tragjik), -eksplorimit në frustrimet e dhimbshme të artistes krijuese, Ermira na flet për mungesën e mallin që ndjen për Atë (birin) që nuk do të mundë ta shohë përsëri. Poetja shndërron në art dhe i jep një impuls delikat e ndricues vargut me imtësira psiko-analitike e figura të goditura artistike e metaforike, mes kontrasteve të jetës e artit, me imazhin e përjetimeve të bukura, të dhimbëshme e të hidhura të jetës, marrëdhëniet në kohë që ka pasur me TË (birin), sikundër i ka ndjerë dhe përjetuar, mes dhimbjes, mungesës, mallit e dashurisë. Me stilin e saj aforistik, poetja legjitimon melankolinë dhe trishtimin, ajo përpiqet të zbulojë kuptimin e bërthamës së vdekjes, nën veladonin e zi të lirisë pakufi që ajo (vdekja) ka: “Kush je ti që frikën ngjall, / zarin hedh, e mortin sjell, kush je ti që do të zgjedhësh, /kë të marrësh, kë të lesh?”

Nën lëkurën poetike, Ermira është në kërkim të normalitetit brënda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, ajo kërkon të dijë së çfarë fshihet përtej ndjeshmërisë dhe tejdukshmërisë, sekreteve të jetës, dhe përpiqet të zbulojë thelbin e jetuar të një jete, bërthamën e kuptimit mes jetës e vdekjes; “Në çfarë qerthulli legjendash, /vjen ti prej t’përtejmes flakë?/Përse hyn n’ koruben time,/shpirt merr, të hapësh plagë?”. 

Poetja e koncepton botën e vet me forcën e vargut, me forcën e realitetit të përvojave jetësore, të ideve dhe lidhjes dialektike mes njeriut e natyrës, shpirtërores e psikikes, evoluon shpirtin lirik nga më e thjeshta deri te më naivja, aty ku forca e dashurisë me butësinë dhe brishtësinë e dhimbjes, mallit dhe trishtimit funksionojnë paralelisht në varësi të përjetimit të një zemre humane. Andaj poetja mbart dashurinë edhe në mungesë të njerëzve të dashur, ajo vazhdon të jetojë, ëndërrojë, e të shkruajë; “Kur në ëndërr më vjen natës,/mes simbolesh të lexoj,/merrmë mua, jo filizin,/zemrën mos ma përvëlo.”, –poetja transmeton ndjeshëm dhe me mjeshtëri artistike e filozofike kombinon monologun e brendshëm të përjetimeve, kujtimeve konkrete dhe origjinale, me specifikën dhe historinë e tyre, analogon ndjenjën e shpirtit me metafora thellësisht njerëzore dhe krijon diçka madhështore, private, intime , –Profecinë; “Vitet ikin, thinjat shtohen,/plagët mblidhen gjoksit grusht,/drithërimë në ditë Korriku, /njohu ëndërr-profecinë/,-duke e kryqëzuar me lindjen e një dashurie tjetër–bijës së saj, -“Mrekullia” e ekzistencës njerëzore dhe hyjnore, të cilës poetja i jep një dimension metaforik, emocional, original, hyjnor dhe njerëzor të fuqishëm në vargje; 

“Me hire hyjnore,/u faneps pranë shtratit,/ gjatë një dremke vere,/në të rënë të diellit,/si një nimfë u shfaq,/me fustan të bardhë,/flokët valë-valë,/mbi të vyerën Hënë.”

Një poezi që vjen si “sonetë” është edhe poezia “Të pish me Charles Bukowskin”, porse shquhet për lirizmin e hollë dhe depërtues në marrëdhëniet njerëzore në aleancë me imagjinatën, dëshirën dhe “flirtin poetik” me Bukowskin, poezi që mishëron vëmendjen dhe ndjeshmërinë e veçantë  poetike. Poetja Ermira guxon të drejtojë vetveten drejt tejdukshmërisë së një gruaje që e pasuron atë me imagjinatë, poetes i pëlqen të “flirtojë” me metaforat duke iu referuar dominimit të ekzistencës njerëzore. E lexova poezinë disa herë, poetja e ndërton poezinë që në vargjet e para; nis e bisedon me poetin e madh e të admiruar, njëmendëson si në jetën reale; “Ai më përshëndet./ Jam e vetmja spektatore në sallë.” -dhe ajo vazhdon të zhvillojë ndjeshmërinë e saj me përfytyrimin e ngjeshur të shtatit heroik të poetit; “Koka e tij, me venat e fryra,/që shquhen në tëmtha,/ peshon shumë,/ rënduar nga vargjet/ që herë këndojnë, herë qeshin e përleshen.”, –dhe me tej forcën shpirtërore dhe kuptimin rrënjësor të fabulës së poezisë, shprehje lirike që qëndron e fortë, goditëse dhe delikate, e ekzaltur dhe tejet e sinqertë në ndjenjat e saj, që e frymëzojnë poeten Ermira: 

“Ai pi birrë me heshtjen, /Unë pi verë me prezencën e heshtur,/dhe shëtis mendjes të gjej shtegun,/për të thyer perden e akullt mes nesh:”Ç’shije ka birra juaj, Charles?” Vargjet depërtojnë në thelbin e integritetit të Bukowskit dhe të Ermirës, si qënie të forta njerëzore, që thithin ajër nga muza e njëri-tjetrit, “pijnë birrë dhe flirtojnë” nën përfytyrimin aluziv të vargjeve; “ Ç’shije ka birra juaj, Charles?”/“Të dëshpëruar,/nga debati presidencial natën e shkuar.”/”Po vera jote, Vogëlsi?”/”Të thartë,/prej rrushit të prushëzuar në Kaliforni”- vargje bisedë- porse janë vargjet më prekëse që ka përdorur Ermira, jo thjesht përsa u përket vuajtjeve të personazheve dhe forcës morale dhe personalitetit të tyre, personazhe që vijnë nga kënde të ndryshme të shoqërisë,  porse i japin zë një segmenti të shoqërisë me shpirtin artistik dhe njerëzor, respektin për veten dhe të mbijetuarin; “ofroj pjesën time të shpirtit që larg,/për të mos i bërë gjërat shtrëmbër.”/ 

Lirizmi i hollë i Ermirës është hulumtimi i parreshtur i dualitetit dhe polaritetit të jetës mes vuajtjeve dhe tensioneve destruktive krijuese që ekzistojnë në kujtesën e njerëzimit mes reales, psikikes dhe mitikes, andaj edhe poetja përcjell trishtimin dhe dobësinë e verdiktit në vazhdimësinë e njerëzores bashkë me kujtesën, -Ermira kujton, këshillon dhe vargëzon; “të bëni një tjetër Hiroshima, / apo të ndodhë një tjetër Pearl Harbor”.

Stili dhe forca poetike e Ermirës qëndrojnë mjaft të thella nën efektet e muzës poetike ndaj Bukowskit, dhe kështu poezia mbetet e pandikuar nga faktorët e jashtëm. Poetja duke përdorur fjalë gjallërisht ndjellëse në bisedë me plot imazhe në vargëzim, ka përkshkruar botën në të kaluarën që mbetet e paprekur nga forcat që e tërheqin në të tashmen, poetja mbetet një grua e lirë me shpirt të lirë dhe pa paragjykime, kompleksiteti bëhet i thjeshtë.  

Në këtë vëllim me poezi, Ermira Mitre Kokomani i prezantohet audiencës së lexuesit edhe me vargjet lirike të Haiku-t, përvojë krijuese me konvencione të goditura artistike, filozofike, muzikalitet të ndjeshëm, ëmbëlsi, butësi, feminilitet, esklamacione poetike me tre vargje –fraza post-strukturaliste të paktit të shpirtit tradicional, intim dhe klasik i ndjenjave dhe dashurisë njerëzore;  

“Syrit të sorkadhes një lot regëtin, /në heshtje qajnë të bukurat sorkadhe,/lotët ia mbledh në gjirin e pafajshëm!”

Në poezitë e stilit të Haiku-t të poetes Ermira Mitre Kokomani shprehet dyvalenca e ekzistences njerëzore me saktësi lirike, sinqeritet e çiltërsi të ndjenjës; “QERPIKËT/E lagu rërën djersa e këmbëve të tua,/nuk ranë mbi të tjera pika, /harkuar qerpikët i bënë prita”.,-përzgjedhja e termave; “ qerpikët, lagu, pika, këmbëve, prita, etc,”-të cilat nënkuptojnë “dashuri, dhimbje, melankoli”,  këndvështrime lirike origjinale e të arrira me epitete, që demonstrojnë dualitetin e grintës poetike të imagjinatës e shpirtërores përmes magjisë së artit të Haiku-t.

Vëllimi me poezi i titulluar “LOTUS”, i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani, është një përvojë mbresëlënëse dhe mbetet tejet e veçantë, sepse mozaiku i fabulave të poezive shprehur në pak fjalë, thotë më tepër sesa proza, eksperiencë krijuese më e thjeshtë dhe më efektive për të shprehur idetë dhe mendimet, muzën artistike e filozofike të mallit, dhimbjes, shpresës, dhe dashurisë njerëzore. Poezia e Ermirës është një poezi që bën radiografinë e shpirtit të bukur, human e të ndjeshëm të poetes me ngrohtësinë, butësinë, mirëkuptimin, mirësinë, dhe respektin për dinjitetin dhe botën njerëzore. Poezia e saj forcon interesin tonë për ekzistencën njerëzore, intensifikon aspiratën drejt së mirës dhe së bukurës, zbulon vuajtjet dhe të fshehtat e shpirtit, në gjithçka që na rrethon, duke na ndihmuar t’i shohim gjërat më thelbësore të jetës me maturi, dashuri dhe urtësi shpirtërore. 

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Jacksonville Florda SHBA

Filed Under: ESSE Tagged With: Rajmonda Moisiu

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË – QARKU SHKODËR NË EDICIONIN E PESTË TË ÇMIMIT TË NDERIT “HAMIT BORIÇI”

May 2, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Vlerësimi i punës së bukur, të vështirë, por edhe të respektuar të gazetarëve në gjithë hapësirën multimediale ka qenë prej vitesh një prioritet i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm për ata që prej shumë vitesh kanë krijuar biografinë dhe karrierën e tyre personale, por veçanërisht për ata që i kanë hyrë me pasion kësaj rruge dhe që rëndom quhen gazetarë të rinj. Pas dy vitesh shkëputjeje, për shkak të pandemisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptar në Qarkun e Shkodrës mblidhet sërish, tashmë në edicionin e pestë të tij, për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hamit Boriçi”, një aktivitet i përvitshëm, i cili, siç thamë më lart, ka si qëllim evidentimin dhe vlerësimin e punës së gazetarëve më të spikatur në fushën e medias së shkruar dhe audiovizive. Organizatorët nën drejtimin e z. Gasper Marku, kryetar i Unionit të kësaj dege, ishin kujdesur që takimi të zhvillohej në nivelin e duhur profesional, ashtu siç i ka hije një shoqate, jo vetëm gazetarësh, por edhe miqsh, pasi e veçanta e aktivitetit ishte se personaliteti, emri i të cilit titullonte çmimin ishte edhe vetë fizikisht në sallë. Këtë e bëri të ditur vetë z. Gaspër Marku, që pak çaste para fillimit deklamoi se këtë takim do ta nderonin me pjesmarrjen e tyre dy personalitete të gazetarisë shqiptare: Hamit Boriçi dhe Aleksandër Çipa me cilësinë e kryetarit të UGSH-së, të cilët të shoqëruar edhe nga pedagogia e Gazetarisë, anëtare e këshillit Drejtues të RTSH, zonja Ardita Reçi formuan kështu edhe panelin e nderit të aktivitetit. Po kaq i nderuar ishte edhe auditori i takimit ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, por edhe më gjërë, intelektualë të njohur, qytetarë dashamirës si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën e Qendrës Rinore “Arka”, u hap nga gazetari i mirënjohur Gazpër Marku, i cili kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje, si homazh në nderim të kolegëve gazetarë që ndërruan jetë gjatë periudhës së pandemisë dhe si shkak i saj. Ata edhe në mungesë gjejnë vend në kujtimet e gjithsecilit të pranishëm dhe do mbeten gjatë në memorien e tyre dhe gjithë qytetit të Shkodrës. Më pas z. Marku ia dha fjalën kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër, zonjës Briselda Kadia e cila i dorëzoi Profesor Hamit Boriçit titullin “Mirënjohja e Qytetit” të akorduar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2020, por të pamundur për t’ia dorëzuar në një ceremoni si kjo për arsye të pandemisë. Këtë vlerësim Profesor Hamit Boriçi e pranoi me shumë emocion dhe me një nderim të thellë ndaj Qytetit të Shkodrës, qytetarëve të këtij qyteti, institucionit të Bashkisë e në veçanti për gazetarët, të cilët i quajti kolegë të nderuar. Po me kaq emocione filloi edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve nga Kryetari i UGSH – Qarku Shkodër z. Gaspër Marku. Në këtë edicion u akorduan tetë çmime: Gazeta “Dukagjini” u vlerësua me motivacionin: “Që prej vitit 2003, kur u botua numri i parë dhe deri më sot kur është në proces numri i 222-të, Gazeta “Dukagjini”, është sistematikisht e pranishme për lexuesin shkodran, atë kombëtar dhe mbarëkombëtar, me botim në letër dhe online. 3077 artikuj cilësorë dhe professional të botuar në vite nga 575 autor, janë një kontribut me shumë vlerë, jo vetem për promovimin e vlerave të pasura historike dhe turistike të Dukagjinit dhe rajonit verior, por edhe të të gjithë vendit në përgjithësi”. Gazetarja Alma Mehmetaj me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV Rozafa dhe Radio Motiv. Por, në të njëjtën kohë, edhe drejtuese e këtij institucioni në kohë të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj organizativ të këtij institucioni”. Gazetarja Sidola Osja me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e spektakleve televizive me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV1 Channel”. Gazetari Luan Kadia-RTSH Shkodra, me motivacionin: “Gazetar, drejtues i emisioneve dhe prezantues i edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, prej shumë vitesh në Radio Shkodra dhe në vazhdim edhe në RTSH Shkodra. Në të njëjtën kohë me një kontribut të çmuar në kronikat e përgatitura për TVSH-në”. Gazetari Gjon Gjeka-TV A2 CNN me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV A2 CNN për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Gazetari Dori Gjerga-TV Euronews me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV Euronews për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësëishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Faik Sadiku, një pasionant i kahershëm i fushës së sportit, por edhe i gazetarisë sportive, i cili edhe pse asnjëherë nuk punoi si profesionist në media, është një penë shumë e vlerësuar nga lexuesit, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që e bën të veçantë Faik Sadikun, është edhe botimi i 5 librave për figura të spikatura të sportit shkodran dhe më gjërë, të cilët pritet të pasohen edhe me botime të tjera, që ai i ka në projekt. Tonin Frroku, gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjërë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior. Emocionet ishtn prezente si asnjëherë tjetër pasi prezenca e Profesor Hamitit në panel e bënte këtë ceremoni edhe më dinjitoze dhe motivuese, një frymëzim që nuk ngurruan ta shprehin as gazetarët e vlerësuar me këtë emër të madh në fushën e medias shqiptare, siç u shpreh edhe z. Gaspër Marku kur tha se: “Jemi me fat që e kemi akoma në mesin tonë këtë ikonë të gazetarisë shqiptare”. Përshëndetja dhe vlersimi i z. Aleksander Çipa ishte mjaft mbresëlënës dhe motivues njëkohsisht për gjeneratat e reja të gazetarisë dhe gjithë këtë komunitetin e medias. “Shkodra dhe komuniteti i gazetarëve të Shkodres janë një referencë e shkëlqyer për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë shqiptarë ndaj dua t’ju falenderoj për punën dhe vullnetin tuaj dhe besoj se është fjala më e çmuar për gjithë këtë ditë po kaq të çmuar”, tha në fjalën e tij z. Çipa. Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” një përmbledhje me kumtesa e studime që doli në dritë nën kujdesin e studiueses Rita Shkurtaj, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky aktivitet iu bashkangjit shumë natyrshëm gjithë takimit jo thjesht për të prezantuar punën e një grupi studiuesish, por për vlerat që mbart ai material shkencor dedikuar xhubletës, kësaj pasurie kombëtare, e cila ishte prezent edhe fizikisht edhe në sallë, pasi gjatë kësaj ceremonie performuan me veshjet e tyre dy djem e dy vajza nga Gjimnazi “Dodë Kaçaj” Bajzë, të veshur me çakçir e xhubleta, të shoqëruar nga mësuesja kujdestare Florina Laçaj. Xhubleta Shqiptare është një pasuri me vlera mbarëkombëtare e cila pritet që së shpejti të hyjë edhe në mbrojtje të UNESCO-os, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. “Kjo pasuri 4500 vjeçare është pasaporta e identitetit tone kombërar, prandaj meriton të promovohet sa më shumë, sidomos nga mediat, të cilat me forcën e zërit, fjalës dhe pasqyrimit të vlerave të saj zgjon interesin e turizmit kulturor, ndihmon në ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin ndër breza”, tha ndër të tjera znj. Rita Shkurtaj. Për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar”. I gjithë aktiviteti u mbyll me një koktei dhe shtërngim duarsh si një premtim për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme. Prill 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT